Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Serbia dhe ndarja e mundshme
E enjte, 24.01.2013, 07:53 PM
Nga Xhelal Zejneli
Ideja e ndarjes së Kosovës ka qenë e ngulitur në mendjet e
nacionalistëve serbë, në të gjitha konferencat dhe takimet për Kosovën, që nga
Rambujea e deri në ditët tona.
Mirëpo serbët, kurrë nuk kanë
dashur ta bëjnë publike një ide të tillë. Përse? Për arsye se pala që del me
idenë e ndarjes së Kosovës, vetvetiu dëshmon se ajo (Kosova) nuk është e saj.
Pas largimit të forcave
kolonialiste serbe nga Kosova më 1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj,
Beogradi e kuptoi përfundimisht se Kosovën e ka humbur përgjithmonë.
Rrjedhimisht, idetë për ndarjen e saj nisën t’i afirmojnë gjithnjë më shpesh
dhe gjithnjë më hapur.
Ish-kryetari i Serbisë Boris
Tadiqi shpesh e përsëriste refrenin e vet: “S’është mirë që njëra palë
t’i realizojë të gjitha kërkesat, e tjetra asgjë. Nuk është mirë që njëra palë
t’i marrë të gjitha, e tjetra të mbetet me duar zbrazët”. Kjo fjali e
B. Tadiqit ishte propozim i drejtpërdrejtë për ndarjen e Kosovës. Më në fund,
njëri prej ministrave të qeverisë serbe - Ivica Daçiqi (tani kryeministër),
disa herë e shtroi publikisht kërkesën e Beogradit për ndarjen e Kosovës.
Fjalia: Edhe ne serbët duhet të nxjerrim diçka nga Kosova është
bërë refren i T. Nikoliqit dhe i I. Daçiqit. Këta pandehin se territoret
historike, të banuara nga popuj etnikë dhe rrënjës, janë mall që nxirren në
treg.
Duhet shtuar se serbët shfaqën
edhe një ide tjetër: Bisedimet për ndarjen e Kosovës, të zhvillohen
ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.
Duke qenë se serbët kërkojnë
ndarjen e Kosovës, vetvetiu kjo dëshmon se Kosova s’është e tyre. Mund ta
nxjerrësh në ankand vetëm një mall që s’është i yt.
Deri më
sot, kur bëhej fjalë për Kosovën, autoritetet serbe i referoheshin Kushtetutës së
Serbisë, sipas së cilës Kosova na qenkësh pjesë e saj.
Meqë sot, edhe ministrat serbë,
përfshi dhe kryetarin e qeverisë, dalin botërisht me idenë e ndarjes së
Kosovës, shtrohet pyetja: Ç’u bë vallë me kushtetutën serbe, sipas së
cilës Kosova është pjesë e Serbisë?!
Me fjalë të tjera, serbët, kur
duhet t’i mbajnë nën sundim territoret joserbe, i referohen kushtetutës së
tyre, dhe vice versa: Kur u shkon në favor diç tjetër, atëherë
aspak nuk ngurojnë ta shkelin kushtetutën e vet.
*
* *
BE-ja
duhet të ketë parasysh faktin se Kosova, si çdo shtet tjetër i kontinentit,
përpos popullit shumicë shtetformues, ka edhe disa pakica
etnike. Nga kjo del se, trajtimi i veçantë i minoritetit serb në
Kosovë, do të ishte në kundërshti me parimet perëndimore mbi
minoritetet. Shkëputja e një pjese të Kosovës, do të krijonte një Kosovë
pothuajse etnikisht të pastër, gjë që do të ishte në kundërshti me standardet
evropiane mbi pakicat.
BE-ja
duhet të ketë parasysh faktin se minoritetet serbe në disa nga
ex-republikat e Jugosllavisë, s’janë të vetmit që jetojnë jashtë vendi amë –
Serbisë.
Shqiptarët jetojnë në gjashtë
shtete të rajonit: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë,
Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Greqi.
Po qe se serbët e veriut të
Kosovës kërkojnë të shkëputen nga Kosova për t’iu bashkëngjitur Serbisë,
atëherë të njëjtën do ta kërkonin:
-
shqiptarët e Kosovës lindore;
-
shqiptarët në Maqedoni;
- shqiptarët në Mal të Zi;
-
shqiptarët në Greqi.
Ndarja e
Kosovës do të determinonte edhe ndarjen e Maqedonisë midis Shqipërisë dhe
Bullgarisë. Me fjalë të tjera, ajo do të tretej si flluskë sapuni dhe do të
zhdukej nga harta gjeografike dhe politike e Ballkanit.
Mirëpo,
Serbia nuk çanë fort kokën për pasojat e mundshme të amputimit
të një pjese të Kosovës. Beogradi dëshiron trazira dhe rrëmujë. Ideologjitë
johistorike ushqehen me të keqen.
Sikundër
shihet, me ndarjen e Kosovës do të çelej Kutia e Pandorës dhe
do të shkaktohej edhe efekti i dominos. Efekti i dominos do
t’i përfshinte të gjitha shtetet e rajonit, ngase kudo ka minoritete, grupe etnike
dhe pakica.
Pakica kombëtare ka në çdo shtet të
gadishullit: turq – në Bullgari; hungarezë –
në Rumani, në Vojvodinë (Serbi), në Sllovaki, në Kroaci; myslimanë boshnjakë –
në Sanxhak të Serbisë dhe të Malit të Zi; grupi etnik sllavofon –
në Greqi; kroatë – në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në
Vojvodinë; serbë – në Kroaci dhe në Republikën Serbe të
Bosnjë dhe Hercegovinës.
Në vitin
1920, Hungaria i humbi dy të tretat e territorit të vet, ndërsa sot, një e
treta e kombit hungarez jeton jashtë vendit amë – Hungarisë.
Në çdo
vend të rajonit ka edhe: romë, vllehë (aromunë,
cincarë), hebrenj, egjiptas, grupi etnik me
fe islame, e që flet në gjuhët sllave (në vende të
ndryshme figurojnë me emra të ndryshëm).
Sipas të
dhënave britanike, në Turqi ka mbi katërmbëdhjetë milionë kurdë.
Serbët
duan që privilegji i bashkëngjitjes vendit amë t’u takojë vetëm atyre dhe
askujt tjetër në rajon. Në këtë pikëpamje, BE-ja nuk duhet ta ledhatojë
Serbinë.
Atë që e kërkon për vete,
Serbia ua ndalon bashkësive etnike që jetojnë nën sundimin e saj. Për shembull,
ua ndalon shkëputjen:
- shqiptarëve të
Kosovës lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë);
- myslimanëve të
Sanxhakut;
- hungarezëve të
Vojvodinës;
- bullgarëve,
në juglindje të Serbisë.
Sanxhaku është një rajon i administruar
nga Serbia. Sipas regjistrimit të vitit 2003, të zbatuar nga Beogradi, aty
banojnë rreth 235.000 banorë. Prej tyre, 134.000 boshnjakë (myslimanë),
të cilët përbëjnë 56% të popullsisë së përgjithshme; 8000 myslimanë,
të cilët përbëjnë 4% të popullsisë dhe 89.000 serbë, të cilët
përbëjnë 37% të popullsisë. Numri i përgjithshëm i boshnjakëve (myslimanë)
dhe i atyre që janë deklaruar myslimanë (si kombësi) është
142.000, që përbën 60% të rajonit të Sanxhakut. Këto të dhëna serbe mbi strukturën
e popullsisë së Sanxhakut nuk përputhen me realitetin. Me fjalë të tjera,
përqindja e popullsisë joserbe në këtë rajon, është më e madhe.
Vojvodina është një rajon nën dominimin e
Serbisë. Në të jetojnë 26 minoritete, duke përfshirë
edhe hungarezët. Sipas regjistrimit të popullsisë të
kryer nga Beogradi në vitin 2011, në Vojvodinë jetojnë mbi 251 mijë hungarezë,
që përbëjnë 13% të popullsisë së përgjithshme të kësaj krahine. Që nga viti
1945 e deri më sot, Serbia ndaj hungarezëve të Vojvodinës ka ndjekur politikën
e shkombëtarizimit. Ka tentuar që nëpërmjet kolonëve serbë dhe malazezë, ta
ndryshojë strukturën etnike të popullsisë së krahinës. Rrjedhimisht, numri i
hungarezëve në Vojvodinë është shumë më i madh se ajo që rezulton nga
regjistrimi zyrtar i Beogradit.
Në fund të
vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945, shumë hungarezë të Vojvodinës, nën
trysninë serbe, u detyruan të largohen nga vatrat e tyre, ndërsa shumë të
tjerë, nën akuzën se kanë qenë kolaboracionistë të ushtrisë
gjermane - u ekzekutuan.
Dëbimi i gjermanëve të Danubit
nga Vojvodina –
Para Luftës së Dytë Botërore në Vojvodinë ka pasur 350.000 gjermanë, të
quajtur gjermanë të Danubit. Numri real i
tyre ka qenë shumë më i madh. Në periudhën tetor 1944 - maj 1945,
që njihet si vjeshta e përgjakshme, nën akuzën se kanë
qenë kolaboracionistë të ushtrisë gjermane, Serbia
zbatoi spastrimin etnik të Vojvodinës, duke dëbuar nga kjo
krahinë mbi 250 mijë gjermanë civilë. Këta u detyruan të largohen bashkë me
tërheqejn e ushtrisë gjermane. Ndaj gjermanëve etnikë të Vojvodinës, serbët
ushtruan reprezalje, ua morën shtetësinë, ua konfiskuan pronat. Në shtëpitë e
tyre vendosën kolonë serbë, malazezë dhe maqedonas. Të dhënat tregojnë se
në vitet 1944-1945, në Jugodllavi, kryesisht në Vojvodinë, serbët kanë vrarë
56.000 gjermanë civilë. Nëpër burgjet serbe, në periudhën e sipërthënë kanë
vdekur nga uria, nga sëmundjet edhe nga të ftohtit 48.447 gjermanë civilë.
Shumë gjermanë të Vojvodinës, serbët ia kanë dorëzuar Armatës së Kuqe
sovjetike, të cilët menjëherë janë deportuar në Siberi, ku si robër
lufte kanë punuar në fushat e minuara. Asnjë prej tyre nuk
është kthyer i gjallë.
Të njëjtën
dramë e kanë përjetuar edhe mijëra hungarezë të Vojvodinës.
Duke i
dëbuar gjermanët e Danubit, duke i ekzekutuar, duke ua shkaktuar vdekjen nëpër
burgjet famëkeqe dhe duke ua dorëzuar sovjetikëve (rusëve) për t’i deportuar në
Siberi, serbët arrijnë ta ndryshojnë përbërjen etnike të Vojvodinës.
Asnjëra
nga bashkësitë etnike joserbe që jetojnë nën pushtetin serb,
si shqiptarët e Kosovës lindore, myslimanët e
Sanxhakut dhe hungarezët e Vojvodinës, nuk e ndjejnë
Serbinë si shtet të vetin. Përkundrazi, e ndjejnë veten nën pushtim.
Kosova
lindore (tri komunat shqiptare) si dhe rajoni i Sanxhakut, që
qeverisen nga Beogradi, janë rajonet më të pazhvilluara dhe më të prapambetura
të Serbisë. Serbia, në këto dy rajone, kurrë s’ka investohen gjë. Si pasojë, në
këto dy rajone mbizotëron një shkallë e lartë e papunësisë. Ndaj tyre, Beogradi
zbaton një politikë të heshtur të spastrimit etnik dhe ushtron gjenocid. Si
rrjedhojë e prapambeturisë ekonomike të skajshme, banorët e këtyre dy rajoneve
fare nuk janë të integruar në proceset ekonomike, shoqërore dhe kulturore të
Serbisë. Këto dy rajone, Serbia i ka shndërruar në geto. Banorët e
këtyre dy rajoneve, perspektivën e tyre e shohin në shpërngulje: shqiptarët –
drejt Perëndimit, ndërsa myslimanët e Sanxhakut – për në Turqi.
Getoizimi
i Kosovës lindore dhe i Sanxhakut është pasqyrë e qartë e politikës serbe mbi
barazinë kombëtare.
Kur thotë BE-ja
se azilkërkuesit vijnë nga Serbia dhe nga Maqedonia, me
këtë nënkuptohet se ata vijnë, jo nga Serbia dhe Maqedonia, por nga Presheva,
Bujanovci dhe Medvegja si dhe nga viset
shqiptare në Maqedoni. Nëpërmjet papunësisë së skajshme, Beogradi dhe
Shkupi e bëjnë pastrimin etnik të Luginës së Preshevës
si dhe të pjesëve veriperëndimore të Maqedonisë.
Përveç
kësaj, për të ngulfatur çfarëdo kërkese të shqiptarëve të Kosovës lindore,
Serbia në atë rajon ka përqendruar forca ushtarake të mëdha.
BE-ja
duhet t’i imponojë Serbisë një Plan të Ahtisarit, që do t’u
garantonte të drejta ekskluzive shqiptarëve në
Kosovën lindore (tri komunat shqiptare), si dhe myslimanëve të
Sanxhakut.
Mbi çfarë
baze Serbia e kërkon për vete atë që s’ua njeh të tjerëve?! Në bazë të politikës
së forcës?! Dhe shih hipokrizinë, dhelpërinë dhe dredhinë! Në një anë
Beogradi, pa reshtur deklaron se “çështjes” së veriut të
Kosovës do t’i qaset në rrugën paqësore, e në anën tjetër, qasjen paqësore e
mbështet kryekëput më forcë. Çfarë paradoksi! A duhet ta lejojë vallë BE-ja një
kundërthënie dredharake të këtillë .
Beogradi
synon t’ia shkëpusë Kosovës pjesët e banuara me 5% serbë. Atëherë shtrohet
pyetja: Si do ta kompensojë dhe në ç‘mënyrë do ta arsyetojë
shfrytëzimin serb të Kosovës – të viseve të banuara me shqiptarë - që nga
pushtimi më 1912 e deri më 1999?
Qendrat
politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Brukseli, duhet t’ia
bëjnë me dije Beogradit se, më parë se ndarja e Kosovës, duhet të bëhet ndarja,
dekompozimi dhe fragmentarizimi i Serbisë.
BE-ja pra, nuk duhet ta mbajë gjallë Serbinë e Madhe, por duhet
t’ia bëjë me dije Beogradit se procesi i dekompozimit dhe i
fragmentarizmit të Serbisë garashaniniste,
mund të fillojë në çdo çast.
Prej
Serbisë duhet të ndahen: Kosova lindore (tri komunat
shqiptare), Vojvodina dhe Sanxhaku (i
banuar me myslimanë).
Politika serbe e dy
kritereve – Serbia
është ndër shtetet e rralla në botë, në mos i vetmi, që për vete e kërkon atë
që nuk ua njeh të tjerëve. Serbia është i vetmi shtet i rruzullit, i cili
për minoritetin e vet jashtë Serbisë e kërkon atë që nuk ua njeh shqiptarëve të
Kosovës lindore, myslimanëve të Sanxhakut dhe hungarezëve të Vojvodinës.
Beogradi, për një grusht serbë të Kosovës, kërkon autonomi,
d.m.th. shtet brenda shtetit, ndërkaq ndaj
shqiptarëve të Kosovës lindore, ndaj myslimanëve të Sanxhakut dhe ndaj
hungarezëve të Vojvodinës, ndjek politikë të shkombëtarizimit, të
margjinalizimit dhe të getoizimit, duke nxitur edhe shpërnguljen e tyre nga
trojet e veta historike.
Serbia e Madhe e radikalëve dhe
e socialistëve serbomëdhenj synon të instalojë më Kosovë një Serbi të
vogël. Beogradi kërkon autonomi për serbët e Kosovës, si fazë kalimtare që
një ditë, pjesët autonome t’i shkëpusë dhe t’ia bashkëngjitë Serbisë. Në thelb,
me këtë nënkuptohet ndarja e Kosovës, e kryer në mënyrë të tërthortë.
Kosova
lindore (tri komunat shqiptare) është zonë strategjike,
për arsye se nëpër të kalon korridori 10, që e lidh
Serbinë me Greqinë, me Egjeun dhe me Mesdheun.
Lidhur me tërësinë e tokave të Kosovës, për dallim nga vende të caktuara të Evropës që janë të pavendosur, SHBA-ja dhe Gjermania kanë qëndrim të prerë: Tërësia tokësore e Kosovës është e pacenueshme.