E marte, 05.11.2024, 12:46 PM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Eksodi kosovar

E merkure, 11.02.2015, 07:50 PM


EKSODI KOSOVAR

Nga Xhelal Zejneli

Nga Kosova shpërngulen dy kategori njerëzish:

- njerëz të shtresës së ulët të shoqërisë, të cilët janë të papunë, e që luftojnë për ekzistencë dhe mbijetesë;

- njerëz të shtresës së mesme - të rrënuar të shoqërisë, të cilët, në një Kosovë të uzurpuar nga diletantët dhe nga militantët partiakë, nuk shohin perspektivë.

Pushtetarët e Kosovës dhe inteligjencia kosovare duhet të pyesin: përse shqiptarët e braktisin vendin? Largimi i kosovarëve nga vendi duhet ta brengosë tërë kombin shqiptar. Askush nuk e lë shtëpinë, vendlindjen dhe atdheun e vet, prej të mirave. Ikja e kosovarëve determinohet nga disa arsye, si:

- shkalla e lartë e papunësisë;

- përqindja e lartë e papunësisë, në radhët e të rinjve;

- mungesa e perspektivës për brezat që vijnë;

- pasurimi i shpejtë dhe i paligjshëm i pushtetarëve, si të nivelit qendror, ashtu edhe të nivelit vendor;

- pasurimi i paligjshëm i individëve dhe i grupeve të caktuara, të lidhur me pushtetarët.

Pasurimi pa djersë i pushtetarëve, i individëve apo i grupeve, që nga viti 1999 deri më sot, ka krijuar prej tyre shtresën e kamur të shoqërisë kosovare. Kjo kastë e shoqërisë, ka përqendruar në duart e veta tërë pushtetin dhe kapitalin financiar. Qëndrimi një kohë të gjatë në pushtet dhe rrëmbimi i kapitalit financiar i ka mundësuar kastës së kamur kosovare të vërë në dorë edhe institucionet publike vitale, e sidomos: organet e rendit, financat, doganat, gjyqësinë, urbanizmin dhe universitetet. Kujdes të veçantë pushtetarët u kushtojnë mediumeve, si mediumeve të shkruara, ashtu edhe atyre elektronike. Me një fjalë, për ta ngulfatur mendimin kritik, ata janë përpjekur të vënë nën kontroll edhe mediumet. Pushtetarët në Kosovë, rëndësi të veçantë i kushtojnë edhe instrumentalizimit të inteligjencies kosovare. Establishmenti kosovar, për t’i ruajtur pozitat e veta, është shndërruar në lëndë amorfe, që e karakterizon oportunizmi dhe konformizmi.

Pas këtyre veprimeve të pushtetarëve të Kosovës, pasoi partizimi dhe politizimi i skajshëm i institucioneve publike. Politizimi dhe partizimi i shtetit dhe i shoqërisë parandalon zhvillimin normal të proceseve demokratike. Zvarritja e proceseve demokratike u bën të mundur pushtetarëve të qëndrojnë në pushtet, aq sa duan vetë. Me një fjalë, pushtetin e mban nën kthetrat e veta një numër i vogël njerëzish e cila shndërrohet në oligarki. Oligarkët nuk qeverisin, por sundojnë. Oligarkët nuk janë qeveritarë, por sundimtarë. Në rrethana të tilla, në shoqërinë kosovare krijohen dy shtresa sociale:

- shtresa e vogël e oligarkëve; dhe

- shtresa e ulët e shoqërisë.

Me fjalë të tjera, shtresë sociale të mesme nuk ka, ose më saktë shtresa e mesme e shoqërisë, në rrethanat e Kosovës shënon rënie ekonomike dhe financiare drastike. Varfërohet pandalshëm. Përqendrimi i pushtetit në duart e oligarkisë ka për pasojë ndarjen e padrejtë të të mirave materiale të shtetit dhe të shoqërisë. Në rrethana të tilla, shtresa e mesme e shoqërisë, merr tatëpjetën dhe shpërbëhet. Ngecja ekonomike e Kosovës, nuk e dëmton ekonomikisht shtresën e pasur të shoqërisë. Ngecja ekonomike e Kosovës e rrënon sidomos shtresën e mesme të saj. Rrënimi i shtresës relevante të shoqërisë kosovare filloi me të madhe qysh në vitin 1985, kur u intensifikua dhuna serbe në Kosovë.

Në një vend ku ka papunësi, varfëri dhe skamje, partia në pushtet nuk e ka vështirë t’i fitojë zgjedhjet. Në një vend me institucione të partizuara dhe të politizuara, pa qenë militant partiak, veprimtar apo anëtar partie, nuk mund të punësohesh as edhe si roje nate. Një përqindje e madhe e qytetarëve në Kosovë, ka kohë që nuk dalin në zgjedhje. Kjo është mjaft indikative dhe flet për pakënaqësinë e thellë të tyre. Të rinjtë e shkolluar të Kosovës janë të vetëdijshëm se shumë individë i kanë zënë pozitat në shoqëri, në institucionet publike si dhe nëpër universitete, me kritere të diskutueshme apo në bazë të përkatësisë partiake, klanore, farefisnisë, nepotizmit, korrupsionit dhe imoralitetit. Ana profesionale apo morale e individit, jo gjithmonë është marrë parasysh.

Në rrethanat ballkanike, ai që e zë një pozitë të rëndësishme në shoqëri, nuk e lëshon atë deri në pensionim. Ndërkohë, një i ri, shumë më i përgatitur, endet rrugëve i papunë. Në kushte të tilla, një numër i konsiderueshëm i banorëve të Kosovës s’ka se si të mos jetë i zhgënjyer, i demoralizuar, i dëshpëruar. Të mbetur pa shpresë, ata nuk shohin perspektivë, as për vetë, as për fëmijët e vet. Ata nuk mund të pajtohen që deri në jetë të jetëve, të jenë shtresa e ulët e shoqërisë kosovare.

Kosova nuk u çlirua nga pushtuesit serbë, për të rënë kosovari nën sundimin e oligarkëve të vet. Pas ca ditësh do të kremtohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës. Ata që në këtë dimër të acartë i lanë vatrat stërgjyshore dhe përgjithmonë i shuan oxhaqet, që e kaluan kufirin serbo-hungarez në këmbë nëpër shkurret e brigjeve të Danubit të turbullt, që u strehuan nëpër kampe refugjatësh dhe stalla kafshësh, që u paguan matrapazëve shuma të mëdha parash të mbledhura me djersë vite me radhë, ata pra, nuk do të kenë mundësi ta festojnë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës - të lirë, të pavarur dhe demokratike.

Udhëheqja e Kosovës duhet të bëjë çmos:

- të sjellë investime të jashtme nga Perëndimi;

- t’i zhvillojë, sidomos ato degë të industrisë, që bëjnë të mundur punësimin e një numri sa më të madh të personave të kualifikuar, të mbetur pa punë;

- të mirat materiale të shtetit t’i ndajë në mënyrë më të drejtë.

Po qe se njëri rrëmben për vete 90 pjesë, e tjetrit i mbeten jo më shumë se 10 sosh, eksodi i kosovarëve nuk ka për t’u ndalur. Po qe se shteti ligjor zëvendësohet me shtet partiak, braktisja e Kosovës do të vazhdojë pa reshtur. Po qe se nuk bëhet çpolitizimi dhe departizimi i institucioneve publike, largimi nga Kosova nuk do të marrë fund. Po qe se në krye të institucioneve do të vazhdojnë të vijnë - dhe të qëndrojnë me dekadat tëra - diletantët dhe joprofesionalistët, tendenca për t’i lënë vatrat stërgjyshore do të rritet akoma më shumë. Po qe se një kategori njerëzish do të vazhdojë të pasurohet brenda natës, eksodi mund të marrë përmasa biblike. T’i mbyllësh sytë para devijimeve në shoqëri dhe në qarqet politike, nuk është kurrfarë detyre patriotike, siç mendojnë poltronët e oligarkëve të Kosovës. Përkundrazi, akt atdhetar është stigmatizimi i mbartësve të dukurive të paligjshme.

Në periudhën e viteve 1918-1941, si rrjedhojë e politikës kolonialistë serbe, u shpërngulën nga Kosova rreth 240.000 shqiptarë. Në periudhën e viteve 1950-1966, si pasojë e po asaj politike serbomadhe, u shpërngulën rreth 400.000 shqiptarë. Kosovarët sot, e braktisin vendin duke kaluar mes përmes Serbisë, të asaj Serbie, e cila në vitin 1999 i detyroi një milionë shqiptarë të largohen nga vendlindja e shtrenjtë. Shpërnguljeve të sotme të kosovarëve, në këtë dimër të pakënaqësisë së madhe dhe mu në prag të 17 shkurtit, do t’u kishte zili edhe akademiku serb Vasa Çubrilloviq, autor i elaboratit famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” (Iselavanje Arnauta), që e bëri publik në vitin 1937 në Klubin Kulturor Serb në Beograd.

Ç’u bë me idealizimin shqiptar për liri dhe demokraci?! Një shekull sakrificë për t’u çliruar nga kolonializmi serb, e sot kosovari kërkon pasaportë serbe, të cilën Beogradi ia jep pa kurrfarë procedure. Kryeministri ultranacionalist serb Aleksandër Vuçiq i çel me dinakëri korridoret e largimit të shqiptarëve nga Kosova, duke e arsyetuar këtë me të drejtën e njerëzve për qarkullim të lirë. Ndërkaq, mësuesi i tij Vojisllav Sheshel i sugjeron dishepullit të vet që largimin e kosovarëve ta bëjë sa më të lehtë. Kjo të përkujton kohën e Çubrilloviqit, kur shqiptarëve, në rrugën pa kthim drejt Anadollisë, u jepej biletë falas.

Vaji i foshnjave të uritura dhe të mërdhira, në krahët e nënave të lodhura dhe të rraskapitura, troket në ndërgjegjen e çdo shqiptari.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora