E shtune, 12.10.2024, 09:11 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Serbia - rrënjët e një destruksioni politik

E hene, 25.03.2019, 09:47 PM


SERBIA – RRËNJËT E NJË DESTRUKSIONI POLITIK

Nga Xhelal Zejneli

Në historinë politike të kohës më të re, Serbia ka pasur një qëllim të vetëm – të krijojë Serbinë e madhe. Kjo periudhë zgjat mbi 200 vjet. Me fjalë të tjera, ideja e krijimit të Serbisë së madhe është më e vjetër se Projekti i Garashaninit.

Krijimi i Serbisë së madhe nënkuptonte rimëkëmbjen e perandorisë së car Dushanit. Krijimi i Serbisë së madhe nënkuptonte pushtimin e territoreve të popujve të Ballkanit, por edhe të atyre që nuk i takojnë gadishullit – të shqiptarëve, të boshnjakëve, të malazezëve, të kroatëve, të bullgarëve, të rumunëve dhe të hungarezëve.

Malazezët i konsideronin serbë, Myslimanët e Bosnjës dhe të Hercegovinës – serbë të islamizuar, kroatët ndërkaq – serbë të fesë katolike. Maqedoninë e konsideronin Serbi jugore.

Përpunimin e hollësishëm të idesë për krijimin e Serbisë së madhe e bëri ideologu serbomadh Ilija Garashanini në traktatin e tij të njohur si Naçertanie (Projekt) të hartuar në vitin 1844. Që atëherë, ky projekt është konsideruar program kombëtar serb.

Në shërbim të realizimit të projektit kombëtar serbomadh është vënë shkenca serbe, politika serbe dhe kleri ortodoks serb.

Duke u vënë në shërbim të një ideologjie ekspansioniste, shkenca serbe s’mund të ishte shkencë. Në të vërtetë, ajo ka qenë pseudoshkencë.

Ideologjia serbomadhe nënkuptonte ekspansion, hegjemoni, politikë të forcës dhe pushtim të trojeve të popujve joserbë.

Duke përfshirë nën Serbinë e madhe troje joserbe, politika serbomadhe gjithmonë ka qenë unitariste, centraliste, etatiste, shtypëse, shfrytëzuese dhe sunduese. Me fjalë të tjera, politika serbe ka qenë kolonialiste.

Për t’i nënshtruar më lehtë popujt e trojeve të pushtuara, serbomëdhenjtë zbatuan:

- politikën e asimilimit;

- politikën e dëbimit, të deportimit, përkatësisht të shpërnguljes me dhunë të popujve joserbë;

- politikën e ndryshimit të strukturës etnike të trojeve të pushtuara, duke dërguar në viset shqiptare, në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Maqedoni, në Vojvodinë dhe në Kroaci – kolonë serbë.

Gjatë pushtimit të trojeve të huaja, serbomëdhenjtë kanë ndjekur edhe politikën e tokës së djegur. Një politikë të këtillë kanë ndjekur ndaj shqiptarëve sidomos në vitin 1877-1878 në rajonin e Toplicës.

Ndaj popujve të trojeve të pushtuara, serbomëdhenjtë ndoqën dhe zbatuan edhe politikën e gjenocidit.

Popujt që i rezistuan pushtimit serbomadh u ballafaquan me vrasje, me plagosje, me burgosje, me hetime, me tortura, me dënime drakonike, me ekzekutime, me procese gjyqësore të montuara, me spiunë, me dëshmitarë të rrejshëm, me gjyqtarë, me hetues, me prokurorë, me xhandarë, me gardianë.

Qëkur u njoh si shtet i pavarur në Kongresin e Berlinit (1878) e deri më sot, Serbia as edhe një ditë nuk ka qenë shtet demokratik.

Për ta realizuar ideologjinë serbomadhe, politika serbe e dy shekujve të fundit iu mbështet Rusisë. Me fjalë të tjera, në 200 vitet e fundit, Serbia ka qenë dhe vazhdon të jetë satelite politike e Rusisë dhe përçuese historike e interesit rus në Ballkan.

Rrugën e Garashaninit e ndoqën edhe intelektualët serbë të shekullit XIX, si për shembull Vuk Karaxhiqi e të tjerë si ky si dhe akademikët apo intelektualët e fillimit të shekullit XX – Jovan Cvijiqi, Vlladan Gjorgjeviqi, autor i librit Arnauti i Velike sile, Beograd 1913. Në faqen 113 të këtij libri, ky albanofob e bën dehumanizimin e shqiptarëve, duke i paraqitur si njerëz me bisht e që flenë nëpër degët e drunjve.

Gjurmëve garashaniniste ka ecur edhe akademiku dhe historiani serbomadh Vasa Çubrilloviqi autor i elaboratit famëkeq Iseljavanje Arnauta (Dëbimi i shqiptarëve), që e lexoi në Klubin kulturor serb të Beogradit më 7 Mars 1937.

Një projekt antishqiptar hartoi edhe shkrimtari i konsideruar serb – Ivo Andriqi, i cili për turpin e botës, u laureua edhe me çmimin Nobel.

Pas Luftës së Dytë Botërore, akademiku serb me shkollë të mesme bujqësore, i mbiquajtur baba i kombit, shkrimtari Dobrica Qosiq, gjatë gjithë jetës së tij, preokupim të vetëm e kishte të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, këtë murtajë të zezë të Ballkanit.

I zhgënjyer me vendimet e AVNOJ-it (KAÇKJ) (29.11.1943) dhe me statusin e avancuar të Kosovës dhe të Vojvodinës, Qosiqi, ky albanofob i përbetuar, lansoi pikëpamjen e tij: atë që serbët e fitojnë me luftë, e humbin në paqe.

Në janar të vitit 1986 doli në Beograd Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Ky pamflet doli në formë libri dhe pa emrat e autorëve. Ishte hartuar prej një grupi akademikësh serbë. Më vonë u konstatuan edhe autorët e artikujve të përfshirë në të. Babai i kombit – Qosiqi, nuk figuron si një prej autorëve, ndonëse ishte ati shpirtëror i pamfletit. Memorandumi i pseudoakademikëve serbomëdhenj u konsiderua si nekrolog i Jugosllavisë së AVNOJ-it.

Pas kësaj, amalgama jugosllave hyri në fazën e shpërbërjes së përgjakshme.

Ideologjinë serbomadhe tentoi ta sendërtonte politika serbe e ndjekur dhe e zbatuar nga karagjorgjeviqët, Pashiqi, Rankoviqi dhe Millosheviqi.

Në prag të shpërbërjes së federatës jugosllave, në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, serbët kryen dy revolucione të mëdha:

- jogurt revolucionin (revolucioni i kosit) dhe

- balvan revolucionin (revolucioni i trungjeve) në Krainë të Kroacisë.

U quajt jogurt revolucion për arsye se çdo pjesëmarrësi në mitingjet dhe në tubimet e organizuara nga Millosheviqi dhe Vojisllav Shesheli, u ndanin nga një gjevrek dhe nga një gotë jogurt (kos).

Në këtë kohë, Serbia vuri në dorë ushtrinë jugosllave dhe kreu agresion luftarak ndaj Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës.

Politika ekspansioniste serbomadhe u mbështet:

- nga kreu politik i Serbisë;

- nga Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve;

- nga Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, me seli në Rr. Francuska 7;

- nga kleri ortodoks serb;

- nga qarqet ushtarake serbe;

- nga mediumet serbe.

Fjala e lirë – u ndalua, mendimi ndryshe – u shua. Politika populiste imponoi homogjenizimin e dhunshëm të shoqërisë serbe si dhe shtrirjen marramendëse të njëmendimit politik.

Beogradi vuri në veprim propagandën serbomadhe, luftën speciale dhe luftën psikologjike. Serbët janë të njohur si mjeshtër planetar të gënjeshtrave politike, të shpifjeve dhe të insinuatave. Asnjë shtet i rruzullit tokësor nuk e ka aftësinë e Serbisë që gënjeshtrën ta paraqesë si të vërtetë.

Për zhbërjen e federatës jugosllave, Beogradi fajësoi:

- Gjermaninë;

- Vjenën;

- CIA-n;

- Vatikanin; si dhe

- agjentin e Vatikanit – Titon.

Si pasojë e agresionit ushtarak serb, vetëm në Bosnjë dhe Hercegovinë u vranë mbi 100.000 vetë. Në Sreberenicë serbët ekzekutuan mbi 8000 boshnjakë.

* * *

Ndërhyrja ushtarake e NATO-s – Për ta ndaluar tragjedinë dhe eksodin përmasash biblike, vendet anëtare të NATO-s, ndërhynë ushtarakisht kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe. Piromani i Ballkanit – Sllobodan Millosheviqi vuri në veprim në Kosovë makinerinë ushtarake vrastare serbe dhe detyroi që një milion shqiptarë të largohen nga Kosova.

Duke mos qenë për çfarëdo zgjidhjeje paqësore, vetë Serbia ia imponoi vetes ndërhyrjen ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike.

Sot Serbia udhëhiqet nga politikanë ultranacionalistë, radikalë dhe luftënxitës.

Ish-kryetari i Serbisë – Tomisllav Nikoliqi dhe kryetari i përtashëm, Aleksandër Vuçiqi në kohën e jogurt revolucionit i ngjitnin në muret e ndërtesave të Beogradit fotografitë e kriminelit të luftës – Vojisllav Sheshelit, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daciçi, e ngjiste fotografinë e zjarrvënësit të Ballkanit – Millosheviqit.

Politika e sotme e Beogradit përputhet 100% me politikën e Sllobodan Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit  të kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë.

E mbështetur nga Moska dhe nga Vlladimir Putini, politika e sotme e Beogradit është destruktive, destabilizuese, luftënxitëse, autoritare, dhe antidemokratike.

Për krimet e kryera në Kroaci, në Bosnjë dhe Hercegovinë e sidomos në Kosovë, Serbia nuk ka marrë dënim të merituar. Brukseli nuk duhet ta ledhatojë një Serbi që vazhdon të ecë shtigjeve të Garashaninit.

Kancelaritë e Fuqive historike të kontinentit të vjetër duhet të jenë të mbyllura për politikanët siç janë Vuçiqi dhe Daçiqi.

Për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, Serbia mbi të gjitha duhet të heq dorë njëherë e përgjithmonë, nga ideologjia retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike e krijimit të Serbisë së madhe.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora