Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Dasmat glamuroze dhe varfëria shpirtërore
E diele, 18.08.2019, 05:57 PM
DASMAT GLAMUROZE DHE VARFËRIA SHPIRTËRORE
Nga Xhelal Zejneli
Për ceremonitë gazmore siç janë dasmat, kudo në hapësirat shqiptare
shpenzohen shuma të mëdha parash. Dikur, një dasmë apo ceremoni martesore ka
zgjatur një javë, në mos dhe më tepër. Në kohën e sotme ceremonitë martesore
zgjasin më pak se një javë. Por, ka raste kur edhe sot dasmat zgjasin plot
shtatë ditë. Disa zakone shuhen, por në përputhje me trendin, lindin adete të
reja. Zhvillimi i shoqërisë, rritja e bazës materiale, ngritja e nivelit të
emancipimit, arsimimi, ngritja e vetëdijes, mënyra urbane e jetesës, integrimi
në jetën sociale apo rritja e punësisë determinojnë edhe mënyrën e organizimit
të ceremonive martesore. Si dikur, ashtu edhe sot, për ceremonitë martesore në
botën shqiptare bëhen harxhime të konsiderueshme. Ka familje që për martesën e
djalit, përgatiten një kohë të gjatë, në mos dhe me vite.
Dasmat ndër shqiptarë organizohen kryesisht në muajt e verës. Në këtë kohë
kthehen në vendlindje shqiptarët që punojnë dhe që jetojnë nëpër vende të
ndryshme të Perëndimit. Me një fjalë, kthehen kurbetçinjtë. Përkundër faktit se
numri salloneve të dasmave shtohet dita-ditës, megjithëkëtë në hapësira të
caktuara shqiptare, për të bërë dasmë në muajt e verës, sallonin duhet ta
rezervosh disa muaj para, për të mos thënë - një vit para. Shpenzimet e sallonit
të dasmës ndërlidhen me numrin e të ftuarve si dhe me cilësinë dhe
sasinë e ushqimit që do të konsumohet. Numri i të ftuarve në dasmë lëviz prej
200 mysafirësh deri në 300 sish. Ka dasma që bëhen edhe me 100-120 vetë,
sikundër që ka të tilla ku ftohen edhe mbi 300 vetë, varësisht nga baza
materiale e dasmorit. Dikur dasmat janë bërë nëpër oborret e shtëpive. Raste të
tilla sot nuk ka apo ka shumë pak. Dikur dasmat janë bërë duke u ndarë burrat
veç dhe gratë veç, ndërsa sot, shumë dasma bëhen bashkërisht, d.m.th. gra e
burra bashkë. Megjithëkëtë, edhe sot, në vise të caktuara shqiptare një numër i
konsiderueshëm i dasmave bëhen ndaras, pra burrat veç dhe gratë veç. Ushqimi
për person në një sallon dasme kushton rreth 15 euro. Kuptohet, ushqimi për
person mund të kushtojë edhe më tepër se kaq dhe kjo varet nga fuqia materiale
dhe financiare e dasmorit. Dikur njerëzit janë ftuar në dasmë nëpërmjet
grishëses (grishatores). Sot ndërkaq, në saje të teknologjisë, kjo praktikë
është eliminuar. Në dhjetëvjeçarët e fundit, njerëzit thirren në dasmë
nëpërmjet ftesave përkatëse. Ftesat e sipërthëna paraqesin
shpenzim shtesë për zotin e dasmës.
S’ka dasmë pa muzikë. Për dasmën e muajve të verës, edhe grupin
muzikor duhet ta rezervosh disa muaj para. Në dasmat shqiptare, çmimi i
grupit muzikor lëviz prej 1200 euro deri në 3000 euro. Në shumë raste, ky çmim
arrin edhe 4000 apo 5ooo euro, në mos dhe më shumë. Çmimi i muzikës varet prej
renomesë së grupit muzikor. Sa më i afirmuar të jetë këngëtari apo grupi
muzikor, aq më i lartë është edhe çmimi. Në shumë raste, një grup muzikor ka në
kuadrin e vet dy e më tepër këngëtarë. Sa më i madh të jetë numri i
performuesve aq më i lartë është edhe çmimi i grupit. Ka dasma ku dasmori
angazhon edhe pjesë të shoqërive kulturore-artistike me një
program vallesh popullore në kohëzgjatje prej rreth 30 minutave. Tani
shpenzimet e muzikës të këtij dasmori - shtohen. Në shumë dasma, pjesë e
ceremonisë janë edhe lodrat. Gjatë një dasme, lodrat angazhohen
dy-tri herë: kur krushqit nisen për ta marrë nusen, kur e sjellin nusen në
shtëpinë e dhëndrit dhe në sallonin ku zhvillohet ceremonia qendrore. Lodrat
vijnë në sallon rreth orës 23, ndërsa performanca e tyre zgjat 30 deri në 45
minuta. Edhe lodrat paraqesin shpenzim shtesë për dasmorin.
Gjatë ceremonisë qendrore që realizohet në sallon, rëndom janë të angazhuar
një apo dy fotografues. Detyra e tyre është të fotografojnë
kryesisht të afërmit e dhëndrit dhe të nuses, por edhe pjesëmarrësit e tjerë në
dasmë. Edhe këto shpenzime përballohen kryesisht prej familjes së dhëndrit. Në
dekadat e fundit dasmat xhirohen edhe me kamera. Vitet e fundit
dasmat xhirohen me kamera speciale
që kanë kapacitet më të madh xhirimi. Kuptohet, edhe kamerat s’vijnë pa para.
Çdo gjë e ka çmimin e vet.
Kah ora një pas mesnate, mysafirët e dasmës fillojnë të derdhen, të
shkojnë. Mbeten vetëm të afërmit e dhëndrit. Për ta, kah ora 2.30 pas mesnate pritet
një tortë e madhe e stolisur. Torta pritet disi në mënyrë ceremoniale,
por pak kush e provon atë. Edhe torta s’është që s’kushton. Pak nga pak,
shpenzimet mblidhen e shtohen.
Në dasmë nuk shkohet me rroba apo me tesha të përdorura. Natyrshëm, dhëndri
do t’i ketë rrobat e dhëndërisë. Por, rroba e tesha do të blejnë
edhe anëtarët e tjerë të familjes së dhëndrit, i madh e vogël. Shpenzime të
konsiderueshme për familjen e dhëndrit paraqesin sidomos veshjet e grave. Në
shumë raste, gratë e familjes së dhëndrit nuk blejnë vetëm një palë rroba, por
më shumë se kaq. Në dasmat shqiptare, gratë e familjes së dhëndrit apo të
rrethit të afërt të tij, gjatë ceremonisë së dasmës që zhvillohet në sallon,
ndërrohen dy-tri herë. Me një fjalë, i ndërrojnë veshjet apo fustanet për të
veshur të tjera. Një mençuri të këtillë, burrat nuk e praktikojnë. Dikur kur i
zoti i dasmës e ka martuar të birin, u ka qepur apo u ka blerë rroba, fustane e
dimi edhe bijave të martuara, hallave të dhëndrit, xhaxheshës, mbesave etj.
Ndonëse në shuarje e sipër, në zona të caktuara ky zakon praktikohet edhe sot.
Në kohën e sotme, dasmat nuk zgjasin një javë, sa kanë zgjatur dikur, por
vetëm dy apo tri ditë. Në ditën e parë të dasmës dasmorja i fton në dasmë gratë
të cilat nuk shkojnë në sallonin ku mbahet ceremonia qendrore. Kjo
pjesë e dasmës mbahet në një sallon me kapacitet më të vogël. Ceremonia
përcillet po ashtu me muzikë. Ka raste kur dasmorja këtë ceremoni e realizon në
oborrin e shtëpisë, kuptohet të përcjellë me muzikë. Ushqimin për të ftuarit e
porosit te gjellëbërësit publikë. Askush më nuk qëron drithë, nuk gatuan në
shtëpi, si dikur.
Ditën e dytë pason ceremonia qendrore që mbahet në sallon, ndërsa të tretën
ditë dasmori i fton burrat, kryesisht të moshuar, të cilët nuk planifikohen për
në sallon. Në këtë ceremoni të ditës së tretë merr pjesë edhe kleriku i zonës,
kështu që ajo përshkohet edhe me një lutje fetare. Kuptohet, të ftuarve u
shtrohet ushqim.
Pjesë e shpenzimeve të dasmës është edhe grymimi i grave të
familjes së dhëndrit si dhe rregullimi i flokëve të tyre. Në
muajt e dasmave, për grymim dhe për rregullimin e frizurave, gratë duhet të
caktojnë termin te floktarja. Me fjalë të tjera, duhet të akordohen me të, një
apo dy ditë para. Si çdo gjë, ashtu edhe grymi dhe rregullimi i flokëve e kanë
çmimin e vet.
Pjesë e shpenzimeve të dasmës janë dhuratat që i këmbejnë
miqtë e ri. Familja e dhëndrit u dërgon peshqeshe anëtarëve të familjes së
nuses dhe të afërmeve të saj, ndërsa ana e nuses – rrethit të ngushtë dhe të
gjerë të dhëndrit. Me përjashtime të caktuara, ky zakon praktikohet edhe sot.
S’ka dyshim se këto dhurata e kanë çmimin e vet. Dikur dhuratat i kanë dërguara
me mbështjellje më të thjeshtë, ndërkaq sot, kundrejt një pagese, paketohen dhe stolisen në shërbimet të
specializuara për këtë punë.
Shpenzime dasme ka edhe familja e nuses. Dikur vajzat vite me radhë e kanë
përgatitur prikën e nusërisë. Sot kjo traditë është në shuarje e
sipër. Askush nuk qepën dhe nuk blen 10 ose 20 fustane e më tepër, ngase me
kalimin e kohës ato dalin prej mode. Pjesë e ceremonisë martesore është edhe nata
e kanës të cilën e organizon ana e nuses. Kjo ceremoni mbahet në ndonjë
sallon. Nusja e fton farefisin e vet të cilave u shtrohet edhe ushqim. Numri lëviz
prej 100 deri 300 vetë. Nga ana e dhëndrit vijnë rreth 50 gra të cilat pasi ia
vënë kanën nuses - largohen. Edhe këtu ka muzikë. Kohët e fundit, në saje të
filmave amerikanë, krahas kanës, vajza që shkon nuse organizon me rrethin e
ngushtë të saj – bachelorette. Ky banket i beqarisë, i përcjellë
me ushqim dhe me muzikë, mbahet disi më larg syve të botës.
Një numër të ftuarish, diku rreth 60-70 vetë, të anës së nuses marrin pjesë
në ceremoninë qendrore që mbahet në sallon, bashkë me të ftuarit e anës së
dhëndrit. Shpenzimet e pjesëmarrjes së tyre mbulohen nga ana e nuses, por
shpesh ndodh që t’i mbulojë ana e dhëndrit. Varësisht nga baza materiale, numri
i të ftuarve nga ana e nuses mund të jetë edhe më i madh. Edhe përballimi i
shpenzimeve ndërlidhet me fuqinë financiare të palëve.
Nuk duhet harruar se gjatë dasmave shpenzime kanë edhe të ftuarit
në to. Në dasmë nuk shkohet duar thatë. Çdo i ftuar sjell një dhuratë. Vitet e
fundit praktikohet dhënia e parave - 15 euro e përpjetë, varësisht nga fuqia
financiare si dhe nga afria e të ftuarit me çiftin e ri. Përpos shpenzimeve për
dhuratat, të ftuarit në dasmë, sidomos gratë, kanë edhe harxhime të tjera -
blejnë për vete rroba të reja, edhe pse ato “të vjetrat” i kanë shumë më të
mira.
* * *
Fustani i bardhë i nuses kushton
prej 300 deri në 1000 euro. Ka të tillë që kushtojnë edhe më tepër se kaq. Në
një botë në të cilën sundon materialja çmimet s’kanë kufi. Fustani i bardhë nuk
blihet në qytezën e çiftit të ri. Për të shkohet më larg. Madje kalohet edhe
kufiri. Sa më larg, aq më me nam. Ndryshe është kur t’i thuash hallës: E kam
blerë në kasabanë tonë, dhe krejt ndryshe është kur i thua se ke kaluar lumenj
e dete. Këtë fustan nusja e re, gjatë gjithë jetës së saj do ta vesh vetëm disa
herë, në mos vetëm një herë. Grymi i nuses dhe frizura e saj,
kundrejt një çmimi të caktuar, bëhet te floktarja që është e specializuar për
përgatitjen e nuseve. Vetura me të cilën e marrin nusen stoliste
në shërbimin, të specializuar për këtë punë. Ka raste kur në botën shqiptare
nusen e marrin edhe me helikopter. Në këtë mjet fluturimi për ulixhen
s’ka vend. Në të shkuarën nusen e kanë marrë me kalë shalë apo me pajton.
Shpenzime të konsiderueshme për shtëpinë e dhëndrit paraqesin stolitë
prej ari të nuses. Vitet e fundit kjo traditë apo ky zakon jep shenja
reduktimi. Për rrethanat e shoqërisë shqiptare çmimi i arit në treg është tejet
i lartë. Si rrjedhojë, për shumëkënd është i papërballueshëm. Por, ata që kanë
forcë të madhe financiare, sot e kësaj dite e mbulojnë gjoksin e nuses me
flori, duke ia rënduar edhe qafën. Dikur nuses i kanë dërguar një numër të
konsiderueshëm fustanesh, ndërsa sot ky numër shënon rënie. Fustani i qepur
sot, nesër bëhet demode. Në njëfarë mënyre demode janë duke u bërë edhe stolitë
prej ari. Ka gra të cilat përdorin bizhuteri. Nuses i qepen edhe dimi.
Edhe pse tregojnë shenja të daljes nga moda, dimitë e punuara me fije të
praruara, d.m.th. me sërma, sot e gjithë ditën vazhdojnë të jenë në përdorim.
Këto dimi kushtojnë 1500 euro. Po kaq kushtojnë edhe kaftanat.
Gjithsej 3000 euro. Për kushtet e këtij populli me perspektivë të zymtë këto
janë çmime astronomike. Për këtë popull që zë ndër vendet e para në botë me
tendencën e shpërnguljes, këto shuma janë absurde. Për këtë popull që s’ka
industri dhe ekonomi këto shpenzime janë të tepërta. Nuset e sotme, me shkollë
dhe të punësuara, gjatë gjithë jetës së tyre dimitë e sipërthëna i veshin fare
pak, për të mos thënë aspak. Shpenzimet ndërkaq - bëhen. Kështu mblidhen e
bëhen tri-katër palë dimi. Është paradoksale që një vajzë e cila hiqet e
arsimuar dhe e emancipuar, të rendë pas do zakoneve, adeteve dhe dokeve që janë
anakronike dhe në perëndim e sipër. O kohë, o zakone! Në një anë
thotë se është moderne, e në anën tjetër ngulmon për vlerat që janë relikte të
së shkuarës! Ka edhe raste kur miku i çon fjalë mikut se dasma s’bëhet dot pa
stoli ari, pa sallon dasme, pa muzika.
Në natën e mbylljes së çiftit të ri, vajzat e familjes së dhëndrit, të
fisit dhe të lagjes, diku rreth 15 sosh organizojnë arifane.
Fatmirësisht, dasmorit kjo s’i kushton gjë. Paratë e arifanes, d.m.th. të
darkës, këto vajza i fitojnë vetë. Një natë para, në orët e vona të natës ato
shkojnë me dajre nëpër shtëpitë e farefisit të dhëndrit për të kërkuar pulë.
Kthehen në shtëpinë e dhëndrit pas mesnate. Dajesha apo xhixha pulën e ka zënë
qysh ditën. Ajo që s’mban pula të gjalla, u jep pulë të blerë në tregtizë.
Dikush u jep para, prej 500 deri 1000 denarë (rreth 10 deri 15 euro). Ky adet
është në perëndim e sipër, por aty-këtu praktikohet ende.
Nja dy ditë pas dasmës, ato të nuses vijnë në shtëpi të dhëndrit me dhurata
e peshqeshe. Sjellin ëmbëlsira, bakllava, torta, stoli ari, aparate elektrike,
pajisje teknike, rroba etj. Nëse ndër ta ka edhe fëmijë, atëherë e ëma e
dhëndrit u jep atyre para - 10 deri 20 euro e përpjetë. Ky zakon është në
zhdukje e sipër, por në zona të caktuara akoma jeton.
Disa prej zakoneve të lartpërmendura janë ndikime të huaja. Kuptohet,
zakonet, doket dhe traditat nuk janë të njëjta në çdo cep të botës shqiptare.
Nja dy ditë pas natës së dasmës, nusja e fshin lamën. Këtu për të zotin e
dasmës nuk ka shpenzime. Një prej grave të farefisit të dhëndrit i imiton
anëtarët e familjes së nuses apo të afërmit e saj. Bëhet si nëna e saj, si
babai, i vëllai, si daja etj. Edhe këtë lloj humori është duke e shkelur koha.
Pjesë e dasmës është edhe ajo që quhet muaji i mjaltit. Çifti
i ri shkon në shëtitje njëjavore apo edhe më tepër. Bijtë e oligarkëve, të
pushtetarëve apo të politikanëve shkojnë deri në Amerikë. Dasma ende s’ka
përfunduar. Pason darkëçika, d.m.th. zijafeti. Kjo
darkë solemne mbahet në ndonjë restorant ku organizohen ceremoni të tilla. Ana
e nuses e fton familjen e dhëndrit dhe të afërmit e tij. Mblidhen rreth 30 deri
40 vetë. Pas kësaj edhe ana e dhëndrit i fton ato të nuses. Dikur janë bërë dy
zijafete. Sot rrallëkush i bën dy. Tani bëhet kryesisht një zijafet, për të mos
thënë asnjë. Dikur miqtë e ri s’janë njohur sa duhet, ndaj nëpërmjet zijafeteve
kanë vendosur kontakte në funksion të njohjes së njëri-tjetrit. Të rinjtë sot
dhe familjarët e tyre, në saje të teknologjisë janë në kontakt të vazhdueshëm.
Njerëzit s’kanë shumë kohë të merren me ceremoni të tilla, i kanë punët e veta, ndërsa kurbetçinjtë kthehen nga
kanë ardhur.
* * *
Një familje shqiptare harxhon për dasmë energji të konsiderueshme. Fëmijët
e oligarkëve, të politikanëve dhe të pushtetarëve shpenzimet e një dasme s’i
ndjenë fare. Edhe kurbetçinjtë ia dalin lehtë. Disa të rinjve u duhet të
shkojnë për të punuar në Irak, në Afganistan apo në ndonjë vend të Afrikës. Për
ta martuar djalin dikush e shet edhe arën. Pare për dasmë s’të jep kush. As
vëllai. S’ke si ia kthen. Për dasmë dikush merr edhe kredi në shumë prej 5000
deri në 10.000 euro. Kredi me kamatë. Derisa ta kthejë kredinë heq të zitë e
ullirit. Pastaj nuk është vetëm dasma. Ndokush ka nevojë ta meremetojë edhe
shtëpinë. Dasmë të bësh apo shtëpinë ta meremetosh?! Ka të tillë që janë
martuar pa dasmë dhe asgjë s’i ka gjetur. Dasmë po, por në suaza racionale.
Harmoninë nuk e siguron dot dasma. Thelbi i harmonisë është dashuria dhe
jo sallonet, tupanët, peshqeshet, helikopterët apo muaji i mjaltit përtej
detit. Kuptimi i jetës qëndron në veprimin e pandërprerë të dy të rinjve
për ta ndryshuar realitetin dhe për ta bërë atë më të njerëzishme. Të
rinjtë duhet të jenë më praktikë dhe më pragmatikë. Në këtë kohë krize duhet
parë atë që është funksionale. Ka të rinj të cilët, duke trashëguar bazë
materiale nga gjyshër e prindër, jetën e gjejnë të gatshme. Por pjesa më e
madhe e rinisë shqiptare jetën duhet ta ndërtojnë vetë, me mundin dhe me
djersën e vet. Dasmat glamuroze janë privilegj i një pjese të vogël të
shoqërisë. Shumë prej tyre janë snobë të cilët nëpërmjet një ceremonie plot
salltanet, synojnë promovimin shoqëror. Dasmat e kushtueshme, për një popull që
ende nuk e ka kaluar fazën e konsolidimit kombëtar dëshmojnë për varfërinë
shpirtërore të shoqërisë. Për këtë popull, të tillat ceremoni duhet të jenë
punë dytësore dhe sporadike. Vlerë e dorës së parë për të rinjtë është krijimi
i familjes. Madje, krijimi i familjes në kohë të duhur. Jeta është e bukur,
jo kur begatinë e gjen të gatshme, por kur atë e krijon me duart e tua. Askush
në histori s’ka krijuar dot pasuri marramendëse pa bërë veprime të
panjerëzishme.
S’ka dyshim se dasmat nëpër provinca kanë edhe karakter gare. Me dasmë të
madhe dasmori demonstron edhe forcën materiale të vet si dhe statusin social.
Aty ku është nëpërkëmbur dhe është përmbysur sistemi i vlerave, askush nuk pyet
për mënyrën e pasurimit të një oligarku, të një pushtetari apo të një
politikani.
Të rinjtë e sotëm duhet ta dinë se dashuria, krijimi i familjes,
harmonia dhe puna e ndershme janë përmbi bazën materiale. S’ka
dashuri dhe harmoni që blihen me para. Dhe s’ka për të pasur. Ai që pandeh se
paraja është çdo gjë, për para është në gjendje të bëjë ç’mos. Familja
shqiptare, shkolla shqiptare dhe shoqëria shqiptare nuk duhet të lejojnë
përmbysjen e vlerave. Dasma një javë në shekullin XXI është anakronizëm.
Shpenzimet enorme për një ceremoni martesore, në këtë kohë krize janë në
kundërshti me arsyen njerëzore. Ti i jep mijëra euro për një dasmë, ndërsa
fqinji yt vuan për bukë dhe s’ka mundësi mjekimi.
Do të kishte qenë më e arsyeshme që shqiptarët dasmat t’i reduktonin në
suaza të racionales ndërsa potencialin financiar ta orientonin në ekonomi, në
industri, në arsimim cilësor, në shëndetësi cilësore, në infrastrukturë
bashkëkohore etj. A thua bëhet kjo?! Një gjykim si ky, mos vallë është utopi
dhe iluzion!
Rini, e ke fjalën!