Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Serbia – politika e vjetër e saj
E hene, 17.06.2019, 09:34 PM
SERBIA – POLITIKA E VJETËR E SAJ
Nga Xhelal
Zejneli
Më 12 qershor të viti
1999, në saje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrjes së
NATO-s kundër forcave pushtuese serbe, Kosova u çlirua. Me çlirimin e saj iu
dha fund padrejtësisë më të madhe në Evropë. Ndërhyrja e Aleancës
Veri-Atlantike parandaloi pastrimin etnik të Kosovës të planifikuar nga
Beogradi si dhe një katastrofë humanitare përmasash
biblike. ShBA-ja solli në Ballkan liri, paqe, stabilitet dhe vlera demokratike.
Pikërisht për këtë, ajo gëzon mbështetjen e të gjitha forcave demokratike të
rajonit. Pjesëmarrja e ish-presidentit amerikan Bill Klinton, e
ish-sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt, e zëvendës-ndihmëssekretarit të Shtetit
për çështje evropiane dhe euroaziatike, Metju Palmer, e komandantit suprem të NATO-s, gjeneralit Uesli Klark në kremtimin
e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë, paraqet
nder për qytetarët e saj.
* * *
Në fillim të korrikut pritet të mbahet në Paris takimi ndërmjet Prishtinës
dhe Beogradit. Duke qenë se Serbia në këtë takim do të shkojë me politikë të
vjetër, atëherë nuk është vështirë të konstatohet se nga ky takim s’do të dalë
gjë.
Teologu dhe shkrimtari amerikan Xhejms Friman Klark (James Freeman Clarke, 1810-1888) thotë: “Dallimi
ndërmjet politikanit dhe burrit të shtetit qëndron në faktin se politikani
mendon për zgjedhjet e ardhshme, ndërsa burri i shtetit mendon për brezat e
ardhshëm”.
Serbisë i duhen burra shteti dhe jo politikanë si Vuçiqi apo si Daçiqi të cilët
shikojnë nga e kaluara dhe kundërshtojnë të tashmen. Serbisë i duhet një burrë
shteti që do ta shkëputë atë nga ideologjia e Garashaninit. Ora e
politikës serbe është ndalur në kohën e Naçertanies.
Serbia ka nevojë për një politikë të re, euroatlantike. Serbët kanë nevojë
për një burrë shteti:
- i cili çështjen e Kosovës do ta konsiderojë të mbyllur;
- i cili do të pranojë se për Kosovën s’ka kurrfarë kompromisi për arsye se
shqiptarët e kanë pranuar kompromisin me Planin e Ahtisarit;
- i cili do të heqë dorë nga pretendimet e sotme të Beogradit për veriun e
Kosovës, ngase synimet e tilla nuk janë veçse pretendime territoriale dhe si të
tilla janë në kundërshti të plotë me parimet themelore të BE-së për
pandryshueshmërinë e kufijve;
- i cili do të heqë dorë nga synimet si këto të Vuçiqit, për të
krijuar në Kosovë njëfarë republike serbe, ngase me pretendimet e tilla shkelen në mënyrë
drastike parimet bazike mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian;
- i cili do ta pranojë se s’ka shtet në Evropë që është etnikisht i pastër;
- i cili do ta pranojë se në kuadër të Serbisë së madhe ndodhen sot Kosova
lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); sanxhaku i banuar me boshnjakë dhe Vojvodina, e banuar nga hungarezë si
dhe nga 25 grupe të tjera etnike;
- i cili do ta pranojë se menjëherë pas mbarimit të Luftë së Dytë Botërore,
serbo-komunistët dëbuan nga Vojvodina qindra mijë gjermanë, për të
sjellë në pronat e tyre kolonë serbë dhe malazezë;
- i cili do t’i japë fund konfliktit të Serbisë me të gjithë fqinjët e vet
– me Kosovën, me Malin e Zi, me Bosnjën dhe Hercegovinën, me Kroacinë.
Duhet shtuar se në historinë politike të kohës më të re, Serbia ka luftuar
kundër Bullgarisë disa herë, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe sot e kësaj dite nuk
e njeh atë sllavo-maqedonase.
Një shtëpi që është në konflikt me të gjithë fqinjët e vet, fajin duhet ta
kërkojë në vetvete.
Para do kohe, autoritetet e Kosovës ndërhynë në veri për të parandaluar
veprimet e paligjshme të individëve apo të grupeve të caktuara. Serbia në
Kosovë nuk do rend dhe rregull. Ajo do kaos. Për këtë ndërhyrje legale dhe legjitime
të organe të policisë së Kosovës, kryeministrja serbe i quajti shqiptarët njerëz të malit. Vallë, ç’njerëz na
qenkëshin serbët e Ana Bërnabiqit të cilët në
fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar sulmuan me ushtrinë serbosllave dhe me
paramilitarët serbë - Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, duke vrarë dhe duke plagosur
qindra mijë vetë?!
* * *
Në vitin 1970, kancelari gjerman Vili Brant vajti në Poloni dhe u gjunjëzua para lapidarit të viktimave të nazizmit
gjerman. Serbisë i duhet një burrë shteti që ta bënte të njëjtën, që do të
gjunjëzohej para një përmendoreje të viktimave të krimeve serbe në Kosovë dhe
gjetkë. Vuçiqi, ky ndjekës i devotshëm i politikave të vjetra serbe dhe i ushqyer me
ideologjinë mesjetare dhe bizantine të Klerit Ortodoks Serb, këtë nuk mund ta
bëjë.
Serbia nuk ka një intelektual siç është shkrimtari dhe filozofi
ekzistencialist francez Zhan-Pol Sartri i cili e dënoi
rreptë luftën kolonialiste të Francës në Algjer, duke mbështetur prerazi
lëvizjen algjeriane për vetëvendosje. Në qershor të vitit 1961, në hyrje të
apartamentit të tij në Paris shpërtheu një lëndë shpërthyese që ishte vendosur
nga ultranacionalistët e ekstremit të djathtë. Një akt i tillë u përsërit edhe një herë
tjetër. Kur e djathta franceze i kërkoi Gjeneral Sharl Dë Golit që ta arrestojë Sartrin dhe ta nxjerrë para skuadrës së pushkatimit, Presidenti Dë Gol u
përgjigj: “Ma gjeni një që mund ta burgosë Volterin”?! Një Volter si Sartri serbët nuk kanë, as që mund të kenë. Baba të kombit, serbët e quanin shkrimtarin
e pallankave dhe akademikun me shkollë të mesme bujqësore - Dobrica Qosiqin.
* * *
Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni dhe Berlini e
dinë mirë se shqiptarët, ndonëse evropianë dhe në Evropë, janë i vetmi popull
në rruzullin tokësor që është i ndarë në gjashtë pjesë: në Shqipëri, në Kosovë,
në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Çamëri. Shqipëria është i vetmi shtet
në Evropë dhe ndër të rrallët në botë, më tepër se gjysma e së cilës ndodhet
jashtë saj.
Çlirimi i Kosovës nga kolonializmi serb në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë
së saj më 17 shkurt të viti 2008, i paralajmëruar nga ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush paraqet vetëm zgjidhje të pjesshme të çështjes kombëtare shqiptare në
Ballkan.
Duke qenë se çështja e Kosovës është e mbyllur, nga kjo
del se në takimet
midis përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, nuk ka për
se të bisedohet. Në ato takime Kosova duhet t’i kërkojë Serbisë:
- ta njohë pavarësinë e Kosovës;
- ta njohë tërësinë e tokave të Kosovës;
- ta njohë sovranitetin e Kosovës;
- t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e luftës;
- të zbardhë fatin e shqiptarëve të pagjetur;
- t’i paguajë Kosovës reparacion lufte apo dëmshpërblim;
- të mbajë përgjegjësi për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve;
- t’i paguajë Kosovës zhdëmtim për politikën kolonialiste të ndjekur që nga
viti 1912 e këndej;
- të mbajë përgjegjësi për dëbimin dhe për deportimin e
shqiptarëve për në Anatoli, sipas elaboratit famëkeq të Vasa Çubrilloviqit;
- të mbajë përgjegjësi për kolonizimin e Kosovës me kolonë serbë dhe malazezë,
të zbatuar sidomos pas Luftës së Parë Botërore;
- t’u garantojë shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të drejta sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Beogradi, duke i getoizuar shqiptarët e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, i detyron ata
që t’i lënë vatrat stërgjyshore dhe të shpërngulen që andej. Ky është një
lloj pastrimi etnik i kryer heshtazi.
Sa për pakicën serbe në Kosovë, e gjithë bota e di se liritë dhe të drejtat
e tyre janë të garantuara me ligjet e Kosovës, sipas standardeve më të larta të
BE-së. Ç’kërkon Beogradi
më shumë se kaq?!
Kërkesat e sipërthëna të cilat Kosova duhet t’ia paraqesë Beogradit, nuk janë
çështje takimesh apo ndërmjetësimesh diplomatike. Kancelaritë e fuqive
historike të Evropës duhet të ndërmarrin një angazhim më të madh për ta
parandaluar politikën luftënxitëse të Beogradit. Po qe se nuk
mund ta bëjnë një gjë të tillë, atëherë është Uashingtoni ai që do t’i dalë zot
kësaj pune. Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë të drejtash të
posaçme, për arsye se ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë,
por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.
Një burrë shteti serb që do ta varroste politikën e vjetër serbe dhe
që do të ndiqte një politikë të re, euroatlantike do të mund ta shndërronte
Serbinë në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe do t’u çelte perspektivë
brezave që vijnë.