Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: O tempora, o mores - krismat nëpër dasma
E shtune, 10.08.2019, 08:09 PM
O TEMPORA, O MORES – KRISMAT NËPËR DASMA
Nga
Xhelal Zejneli
Dasmat në hapësirat
shqiptare bëhen kryesisht në muajt korrik dhe gusht. Në këta dy muaj kthehen në
vendlindje ata që punojnë apo që jetojnë në vendet e Perëndimit.
Karakteristikë e dasmave
shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë krismat. Kriset me revole, me pushkë,
me pushkë automatike.
Krismat nuk kanë qenë vetëm
karakteristikë e dasmave shqiptare. Nëpër dasma kanë krisur edhe popujt e tjerë
të Ballkanit – malazeztë, boshnjakët, serbët, sllavo-maqedonasit ... Krismat
nëpër dasmat shqiptare si dhe në ato të popujve të tjerë të gadishullit,
datojnë qysh nga e kaluara. Dukuria e krismave nëpër dasma, te popujt e tjerë
të rajonit është reduktuar në minimum, ndërsa te shqiptarët, vazhdon edhe sot.
Krisma nëpër dasma kemi në
të gjitha hapësirat shqiptare, ku më shumë e ku më pak. Krisin sidomos në
Kosovë, krisin shqiptarët në Maqedoni, krisin shqiptarët në Mal të Zi. Krisma
dëgjohen edhe në ca vise të veriut të Shqipërisë.
Në të kaluarën jo të largët,
shqiptari ka krisur me pushkë edhe kur i ka lindur djalë, sidomos djalë pas
shumë vajzave. Krisma mbi këtë bazë sot ndodhin rrallë.
Krismat në botën shqiptare,
gjatë ceremonive martesore praktikohen sot e kësaj dite. Shqiptari kris me
alltie në çastin kur dasmorët nisen për ta marrë nusen. Ndodh të krisin edhe në
çastin kur tanimë e kanë marrë nusen. Krismat dëgjohen sidomos kur nusja dhe
krushqit mbërrijnë në shtëpinë e dhëndrit.
Krisma ka edhe në dasmat e
synetit.
Kush janë ata që qesin
pushkë në dasma? Ky mund të jetë daja i dhëndrit, xhaxhai i dhëndrit, shoku apo
shokët e ngushtë të dhëndrit. Ndodh të krisë edhe vëllai i dhëndrit apo edhe
babai i tij. Shpesh ndodh të shtie me allti edhe ndonjë person i cili nuk i
takon rrethit të afërt të dhëndrit.
Organizimi i ceremonisë së
dasmës nëpër sallone dasmash, i bën të pamundura krismat. Nuk mund të krisësh në
tavanin e sallonit. Por, nuk përjashtohet mundësia e krisjes në hapësirat
përreth tij.
Një pjesë e dasmës bëhet në
shtëpinë e dhëndrit ku të krisurit krisin sa të duan, e për fat
të keq - edhe si të duan. Pas kësaj, shkojnë në sallon ku krismat ndalen apo
pushojnë.
Krisma ka, si në dasmat e
qytetit, ashtu edhe në ato të fshatit. Për shkak të rrethanave më të volitshme,
krismat nëpër dasmat e fshatit, sidomos nëpër ato të malësisë, janë një dukuri
e shpeshtë. Qyteti është zonë urbane, ndaj krismat janë më të rralla.
Megjithëkëtë, krisma ka.
Ç’domethënie kanë krismat?
Në një familje, në një fis apo në një “shoqëri” ku kriset, ata që krisin
pandehin se demonstrojnë forcë, epërsi, burrëri dhe trimëri. Ndaj kujt ky
demonstrim force, burrërie, epërsie dhe trimërie?! Mos ndoshta ndaj fqinjit,
ndaj lagjes, ndaj fshatit?! Apo ndaj ligjit dhe kundër tij?!
Krismat nëpër dasma ndodhin
dhe praktikohen te popujt me shkallë të ulët të kulturës, d.m.th. të
qytetërimit. Popujt që krisin nëpër dasma, më parë se forcë, tregojnë nivel të
ulët të emancipimit dhe të arsimimit. S’ka dyshim se individët që krisin nuk
mund të identifikohen me tërë një popull. Shoqëritë ku kriset, më parë se
trimëri, tregojnë prapambeturi dhe ngecje në zhvillim. Individët që krisin, më
parë se burrëri, manifestojnë injorancë, prapambeturi dhe primitivizëm.
Shoqëritë në të cilat kriset
janë shoqëri tradicionale, konservatore dhe patriarkale. Në shoqëritë e tilla
mbizotëron mendësia provinciale dhe fshatarake. Shoqëritë në të cilat kriset,
funksionojnë me mikrovlera dhe me mikrosisteme. Ato veprojnë në mikroplan.
Ne tregojmë forcë, burrëri
dhe trimëri në oborrin e shtëpisë, para bashkëfshatarëve të lagjes apo të
katundit, ndërsa popujt dhe shtetet që funksionojnë me makrovlera dhe me
makrosisteme, e që veprojnë në makroplan, i pajisin ushtritë e veta me armatime
bashkëkohore.
Shqiptarët janë të rrethuar
me armiq, e atyre nuk do të mund t’u bëjnë ballë me alltie dasmash. Atëherë,
përse krisma?! Kujt i duhen ato?! Shqiptarët synojnë integrimin në NATO dhe në
BE. Vallë, në Evropë do të shkohet duke krisur me allti nëpër ceremoni gazmore?
Krisin të rinj e të moshuar,
të pashkolluar dhe me shkollë. Ose më saktë, me gjysmë shkolle. Krisin ata të
cilët s’kanë ku ta tregojnë veten me punë dhe me vepra që kanë vlerë dhe peshë.
Ata që qesin pushkë nëpër dasma janë njerëz të frustruar. Nëpërmjet krismave
dëshirojnë t’i shmangin frustracionet e veta dhe t’i shërojnë komplekset,
sidomos komplekset e inferioritetit. Krisma në dasmë është e vetmja mënyrë që
kjo kategori e njerëzve të vihet, qoftë edhe për pak sekonda, në qendër të
vëmendjes të rrethit ku graviton. Krisin të krisurit.
Gjatë krismave nëpër dasma
ka ndodhur të kenë rënë viktimë edhe gratë. Ka ndodhur që predha të jetë
përplasur në beton ose në metal, të jetë kthyer dhe ta ketë goditur për vdekje
gruan që ka qëlluar aty pranë. Kryerësi i krimit, në vend se në burg, pas disa
vitesh kishte vajtur në haxhillëk.
* * *
Studenti i varfër por
dorëdhënë, Rodion Romanoviç Raskollnikov i romanit “Krim dhe ndëshkim”
të realistit rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881), për
të dalë nga varfëria vrau me sëpatë dhe me paramendim plakën Alona Ivanovna, e
cila jepte para me fajde. Sakaq, vrau edhe motrën e saj Lizaveta Ivanovna, por
tani jo me paramendim. Askush s’e pa. Filloi lufta e tmerrshme e tij me
ndërgjegjen e vet. Tri ditë nuk diti për veten. Krimin e bërë ia tregoi vetëm
18-vjeçares Sofja (Sonja) Marmeladova, të cilën varfëria e kishte shpënë në
rrugët e prostitucionit. “Kam vrarë veten dhe jo plakën” – i tha asaj
Raskollnikovi. E tmerruar, ajo i sugjeroi që sa më parë t’i dorëzohet policisë.
“Pranoje krimin dhe vuaje dënimin që të shkarkohesh sadopak nga barra e
rëndë që ke në ndërgjegje”. Pas një gjykimi pesëmuajsh, u dënua dhe u
dërgua në Siberi.
Paraqitjen në organet e
rendit dhe pranimin e veprës së kryer, trimat e dasmave tona pothuajse kurrë
s’e kanë bërë. Për vrasjen e ndërgjegjes apo të gjumit të pafajshëm
makbethian le të mendojnë vetë.
Të krisësh në dasmë në
shekullin XXI në një shtet evropian si Maqedonia është absurde. Të kriset në
dasma në një qytet me universitete, është diçka që njeriu normal s’mund ta
marrë me mend. Të krisësh në ceremoni gazmore dhe të thuash synojmë BE-në,
është sa tragjike, aq edhe komike. Është tragjikomike. O tempora, o
mores!
Një familje, më parë se
gjashtëshe, revole dhe pushkë, duhet të ketë në shtëpi bibliotekë, libra dhe
lektyra shkollore për fëmijët që ndjekin shkollimin. Armët dhe armatimet i ka
shteti, i ka ushtria, i kanë forcat e armatosura të shtetit. Armë e fortë e një
populli është shteti ligjor, sistemi demokratik si dhe ekonomia e zhvilluar.
Armë e fuqishme e një populli është arsimimi cilësor. S’ka armë më të fuqishme
se arsimimi cilësor. Arsimi i mirëfilltë të sjellë edhe zhvillimin ekonomik.
Forca e një shoqërie është, jo krisma me alltie nëpër dasma, por krijimi i
kushteve për ndaljen e emigrimit të të rinjve. Në ka pakënaqësi për raportet
ndëretnike, atëherë duhet ditur se çështjet e tilla nuk zgjidhen me alltinë e
atij që e ruan në dollapin e shtëpisë. Sot është koha kur veprohet me mjete
politike dhe demokratike.
Krismat nëpër dasmat e verës
mund të përfundojnë me plagosje të rëndë, por edhe me humbje jete. Bie viktimë
i pafajshmi. Pëson tronditje shpirtërore, jo vetëm një familje, por një varg
familjesh që janë të afërm të të plagosurit. Përjetojnë tmerr bashkëshortja,
prindërit, sidomos nënat e të lënduarit rëndë. Ankthi i pushton sidomos fëmijët
e viktimës. Nën ankth ndodhen edhe të afërmit e tij.
Pësojnë, nga kush? Nga ata
që krisin e që janë, sa megalomanë, arrogantë dhe mendjemëdhenj, po aq edhe
mendjelehtë, primitivë dhe injorantë. Midis tyre ka edhe të tillë që janë
paranojakë, egocentrikë dhe ekscentrikë. Një ditë, plagët mbase edhe mjekohen,
por kush i shëron pasojat, tronditjet shpirtërore, tmerrin, stresin, ankthin
dhe makthin. Plaga në shpirtit mbetet përjetë. Ndodh që i plagosuri të mbetet
pa sy. I goditur në shtyllën kurrizore, mund të mbetet tërë jetën invalid.
Përse?! Për marrëzinë dhe çmendurinë e ndonjë të pamaturi.
Ka pasur raste kur zoti i
dasmës, me të dëgjuar krismat e para, ka reaguar përnjëherë: “Dihet ku mund
të përdoren armët. Ato janë për luftë dhe jo për dasmë. Në vitin 2001, krisi
kush krisi. Koha e krismave mbaroi. Le ta shijomë jehonën e këngës së bukur
shqipe”.
Dasmori që i tha këto fjalë,
nuk kishte shumë shkollë, por ishte racional. I ri për nga mosha, ishte
prej fshatit Poroj, nga Poroji i Mujdin Aliut, heroit të Koshares,
i cili ra në altarin e lirisë për çlirimin e tokës arbërore nga pushtuesit
serbë.
Organizmat e shoqërisë
civile me veprimtaritë e veta mund të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e
shoqërisë për t’u dhënë fund krismave nëpër ceremonitë gazmore. Kush ka të
drejtë ta prishë ahengun e një dasmori, i cili me vite e ka pritur atë ditë?!
Pushtetarët, sidomos ata të
nivelit qendror, para këtyre ngjarjeve tragjike, groteske dhe bizare, duket
sikur i mbyllin sytë. Po të veprojnë në frymën e ligjit, këtë praktikë apo dukuri
anakronike që i kthen shqiptarët në të shkuarën, shpejt mund ta ndalin.
Krismat ndodhin, jo në juglindje të këtij vendi, por kryesisht në veriperëndim
të tij, aty janë shqiptarët.