Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Arsimi i mesëm - reforma e mundshme
E marte, 06.08.2019, 09:47 PM
ARSIMI I MESËM – REFORMA E MUNDSHME
Nga Xhelal
Zejneli
Ndarja e arsimit të mesëm sot, në gjimnaze dhe në shkolla profesionale,
figuron vetëm formalisht. Për nga cilësia dhe aftësia që kanë, rreth 50% e
nxënësve të gjimnazeve nuk e kanë vendin aty. Po të bëhej regjistrimi me
kritere të mirëfillta, kjo përqindje e nxënësve nuk do të mund të regjistrohej
në gjimnaze. Shteti me ekonomi të pazhvilluar, ka arsimi profesional të mesëm
joefektiv. Fuqia punëtore e prodhuar në shkolla të caktuara të arsimit s’ka
sesi të përthithet nga ekonomia e shtetit me ekonomi të dobët.
Si dikur, ashtu edhe sot, gjimnazet ndahen në dy drejtime: drejtimi
shoqëror-humanitar dhe drejtimi i matematikës dhe i shkencave të natyrës.
Reforma e gjimnazeve do të mund të bëhej si më poshtë:
- regjistrimi në gjimnaze të bëhet nëpërmjet provimit pranues;
- nxënësit që përcaktohen për drejtimin shoqëror-humanitar,
t’i nënshtrohen provimit pranues nga lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, gjuhë
angleze, matematikë (nivel më i ulët) dhe histori;
- nxënësit që përcaktohen për drejtimin e matematikës dhe të
shkencave të natyrës t’i nënshtrohen provimit pranues nga lëndët: gjuhë
shqipe dhe letërsi, gjuhë angleze, matematikë eventualisht edhe fizikë;
- të përcaktohet numri minimal i pikëve që do të bënte të mundur
regjistrimin në gjimnaze, në bazë të provimit pranues;
- provimet pranuese të organizohen nga Qendra Shtetërore e Provimeve, mutatis
mutandis sipas procedurës së maturës shtetërore.
Drejtimi shoqëror-humanitar
- sipas plan-programeve mësimore, në drejtimin shoqërore-humanitar të
mësohen lëndët e poshtëshënuara: gjuha shqipe dhe letërsia, gramatika e gjuhës
shqipe (si lëndë e veçantë), gjuha angleze, kimia, biologjia, informatika,
historia, gjeografia, sociologjia, filozofia dhe edukata fizike (sporti);
- lënda e gjuhës maqedonase të reduktohet dhe nxënësit të mësojnë vetëm
shkrimin (cirilik), leximin dhe komunikimin;
- matematika dhe fizika t’u përshtatet nevojave të drejtimit
shoqëror-humanitar;
- lëndë të caktuara si: latinishtja, gjuha gjermane si lëndë e dytë huaj,
arti muzikor, arti figurativ të jenë lëndë fakultative dhe notimi
i tyre të bëhet jo në mënyrë numerike por në mënyrë përshkruese;
- latinishtja t’u përshtatet nevojave të nxënësve që synojnë të ndjekin
studimet e mjekësisë;
- nxënësit i cili brenda vitit shkollor mungon tri orë në orët e lëndëve
fakultative, të mos i jepet vlerësim ose dëshmi;
- lënda e edukatës fizike të jetë detyruese por notimi të bëhet në mënyrë
përshkruese.
Drejtimi i matematikës dhe i shkencave të natyrës
Në drejtimin e matematikës dhe të shkencave të natyrës duhet të mësohen
lëndët: gjuha shqipe dhe letërsia, gramatika e gjuhës shqipe (si lëndë e
veçantë), gjuha angleze, matematika, fizika, kimia, biologjia, informatika,
edukata fizike (sporti).
Ndryshimet këtu mund të duken kësisoj:
- gjuha maqedonase duhet të reduktohet dhe nxënësit duhet të mësojnë
shkrimin (cirilik), leximin dhe komunikimin; me fjalë të tjera, gramatika e
gjuhës maqedonase dhe lektyrat nga letërsia maqedonase duhet të hiqen;
- lëndët si: historia, gjeografia, sociologjia dhe filozofia duhet t’u
përshtaten nevojave të drejtimit të matematikës dhe të shkencave të natyrës;
-gjuha gjermane si gjuhë e dytë e huaj, të jetë fakultative, ndërsa
nxënësit i cili brenda vitit shkollor mungon tri orë në orën e gjermanishtes,
të mos i jepet vlerësim apo dëshmi.
Duhet ditur se aktualisht kapacitet e gjimnazeve për krijuar klasa apo
paralele të drejtimit të matematikës dhe të shkencave të natyrës, është i
vogël. Një numër i caktuar i nxënësve që figurojnë në klasat e drejtimit të
matematikës dhe të shkencave të natyrës, nuk e kanë vendin aty.
Ndryshime të tjera që duhen bërë janë:
- klasat e gjimnazeve apo siç i quajnë
ndryshe paralele, të mos kenë më shumë se njëzet nxënës;
- lëndët si: ekonomia, biznesi, menaxhmenti, fillet e së drejtës, logjika
duhet të hiqen prej gjimnazeve; lëndët e sipërthëna të mësohen në shkollën e
mesme ekonomike;
- të ashtuquajtura veprimtari apo aktivitete të lira duhet të shuhen sa më
parë; shumë profesorë vetëm në fund të vitit shkollor mësojnë se cilën lëndë e
kanë “realizuar” si aktivitet të lirë;
- gjimnazet si edhe shkollat e tjera nuk duhet të jenë terrene të shtetit
apo të partive politike për krijimin e vendeve të punës, për zbutjen e
papunësisë apo për punësimin e të papunëve të diplomuar, siç janë sot;
- gjimnazet duhet të kenë laboratorë bashkëkohorë për lëndën e kimisë;
gjimnazet duhet të kenë kabinete bashkëkohore për lëndën e fizikës, të
biologjisë, të informatikës, të gjeografisë;
- në gjimnaze duhet të ndalohet me ligj vijimi i shkollimit si nxënës i
çrregullt apo me korrespondencë, mbi çfarëdo baze qoftë;
- në gjimnaze nuk duhet të pranohen nxënës që transferohen prej shkollave
të tjera profesionale;
- nxënësi i cili në gjimnaz ka bërë 23 mungesa duhet të përjashtohet nga
shkolla me procedurë të shpejtë, pa të drejtë ankese;
- nxënësit e gjimnazeve dhe kuadri i profesorëve apo i profesoreshave duhet
të mbajnë uniforma, por si ato që u ngjajnë manteleve të molerëve dhe të
shoferëve;
- nxënësit e gjimnazeve të ciklet janë të angazhuar nëpër klube sportive,
kryesisht nëpër ato të futbollit, nuk duhet të jenë nxënës gjimnazesh; për ata
ekzistojnë shkolla të tjera, të ashtuquajtura akademi sportive;
- nëpër gjimnaze duhet t’u ndalohet nxënësve të angazhohen nëpër të
ashtuquajtura projekte të cilat s’kanë kurrfarë lidhjeje me
plan-programin mësimor të shkollave; projektet apo veprimtaritë e tilla duhet
të organizohen kryesisht gjatë pushimeve dimërore, përkatësisht gjatë pushimeve
të verës;
- mungesat e arsyeshme nuk duhet të tolerohen; në shumë klasa me nga 500
mungesa, mbi 90% e mungesave rezultojnë “të arsyeshme”, ndërsa vetë 5% deri 10%
- të paarsyeshme. Kjo është absurde.
- nuk duhet të tolerohet angazhimi në punë i nxënësve të caktuar gjatë
orarit mësimor; ka raste kur nxënës të caktuar, gjatë orarit mësimor punojnë në
ndonjë restorant apo merren me zanat, ndërsa kujdestarit të klasës i thonë
”isha i sëmurë”; në rastet tona, vërtetimet mjekësore janë letra pa vlerë;
- një numër i caktuar i nxënësve e ndërpresin mësimin një javë para
mbarimit të vitit shkollor dhe shkojnë në Kroaci apo në Perëndim te prindërit e
tyre; disa prej tyre, me arsyetimin “t’i ndreqim letrat”;
- ka nxënës që vitin shkollor nuk e fillojnë më 1 shtator por një javë më
vonë deri edhe dhjetë ditë më vonë;
- në gjimnaze duhet të ndalohet bashkimi i dy klasave; ka raste kur nëpër
shkollat tona bashkohen, jo dy por tri klasa;
- nëpër gjimnaze gjatë orës mësimore duhet të ndalohet përdorimi i
celularëve, si nga profesorët ashtu edhe nga nxënësit;
- nuk duhet të praktikohet dërgimi nxënësve nga profesorë të caktuar për
t’u blerë atyre cigare apo ushqim;
- nuk duhet të praktikohet dhurimi i dhuratave nga nxënësit për profesorët
me rastin e “7 Marsit”, të “8 Marsit”, të ditëlindjeve apo me rastin e mbarimit
të vitit të katërt;
- për ta evituar rënien e ziles së shkollës para kohe, zilja duhet të
funksionojë në mënyrë automatike;
- për t’u evituar vonimi i profesorëve dhe i nxënësve, dera hyrëse e
shkollës duhet të funksionojë automatikisht; dera hyrëse e shkollës duhet të
funksionojë automatikisht edhe gjatë pushimeve midis orëve; nuk dilet në çdo
pushim në oborr të shkollës apo edhe jashtë ndërtesës shkollore, përpos gjatë
pushimit të gjatë;
- nxënësit e gjimnazeve nuk duhet të kenë më shumë se pesë orë në ditë.
Tani, dy herë në javë kanë edhe nga shtatë orë;
- mosmbajtja e orëve nga profesorët duhet të eliminohet apo të reduktohet
në minimum; rrallë ka ndodhur, për të mos thënë kurrë që një profesor të jetë
ndëshkuar financiarisht për orën që s’e ka mbajtur;
- nuk mund të ketë disiplinë pa masë ndëshkuese, e aty ku mungon disiplina,
rendi e rregulli, bie edhe suksesi;
- mbajtja e mësimit të shtunave me qëllim të zëvendësimit të ndonjë dite të
humbur, duhet të ndalohet me ligj; praktika e dëshmon se zëvendësimi i ditës së
humbur, nëpërmjet mësimit të shtunave, është formalitete i kulluar;
Çpolitizimi dhe departizimi i arsimit
kur në shkollë i fut gishtërinjtë politika dhe partia, një pjesë e
kolektivit tregon indiferencë ndaj problemeve të saj; s’ka shkollë në Ballkan
ku s’i fut hundët politika dhe partia. Problemet e një shkolle nuk zgjidhen
edhe sikur drejtorin ta zgjedhë edhe i ashtuquajturi i Këshill i shkollës;
problemet e një shkolle nuk zgjidhen edhe sikur drejtorin e saj ta zgjeshë
kolektivi. Drejtori i një shkolle duhet të zgjidhet me kritere morale dhe
profesionale dhe nuk është punë aq e ndërlikuar për ta bërë vlerësimin
mbi këtë bazë.
Pranimi i kuadrit arsimor në shkolla duhet të bëhet, jo me kritere
partiake, sikundër veprohet sot, por me kritere morale dhe profesionale. Sot
edhe roje nate shkolle nuk mund të bëhesh pa miratimin e partisë ose pa qenë i
dëgjueshëm para pushtetarëve. Në gjimnaz nuk duhet të punësohet si profesor
personi i cili nuk ka kryer gjimnaz por ndonjë shkollë profesionale - shkollë
të mesme mjekësie, shkollë ekonomike, shkollë bujqësore, shkollë tekstili,
shkollë muzike, shkollë teknike – nga ku ka ndjekur studimet universitare. Ky i
muzikës, po qe se ka ndjekur studimet për muzikë, mund të punësohet në gjimnaz
për lëndën e vet.
Pranimi i kuadrit arsimor në gjimnaze duhet të bëhet me këto kritere:
- arsimim të mesëm të ketë gjimnazin;
- të ketë kryer studimet universitare në ndonjë universitet prestigjioz;
- të ketë diplomë universitare me notë më të lartë se kandidati tjetër;
- të ketë integritet moral.
Një profesor nuk mund të punojë në gjimnaz më shumë se tridhjetë
vjet. Një profesori të gjimnazit duhet t’i pushojë vendi i punës në moshën gjashtëdhjetë
vjeçare.
Inspektorët e arsimit që tani funksionojnë vetëm formalisht, duhet ta
përcjellin mirëfilli punën e profesorëve të gjimnazeve dhe jo si sot që e bëjnë
këtë sa për të thënë – punojmë.
Cilësia në arsim nuk përmirësohet me trajnime. Kapaciteti i trajnuesve
gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë nën nivelin e shumë profesorëve.
Gjatë periudhës së tranzicionit, që zgjat pambarim, janë bërë shumë trajnime të
mësuesve, të arsimtarëve dhe të profesorëve, por në vlerësimin ndërkombëtar të
njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare – testi PISSA, prej 80
vendeve të testuara, Maqedonia zuri vendin e katërt në botë ngas fundi. Rreth
75% e nxënësve të testuar, nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Ç’paradoks?! Nota
mesatare e testimit në maturën shtetërore del mjaft e mirë, ndërsa në PISSA
dalim pothuajse të fundit. Trajnimi i profesorëve vë në dyshim vlerën e institucionit
apo të universitetit që ua ka lëshuar diplomat atyre. Sipas kësaj, mos vallë u dashka të trajnohen universitet?!
Kuadri i mirë ka nevojë për përkryerje dhe jo për trajnim, aq më pak prej
trajnuesve të cilët vetë kanë nevojë për mësim. Arsimi nuk është kurs, është
studim i vazhdueshëm. Në shkollën në të cilën nota mesatare del e lartë,
kriteri është i diskutueshëm. Shumë nxënës që kalojnë 5.00 kanë dituri
relative. S’ka njeri në botë që i di të gjitha lëndët shkëlqyeshëm.
Në shkollën në të cilën – rrethanat tona – nuk ngel asnjë nxënës, kriteri është
relativizuar deri në banalizim. Shkolla në të cilën nuk përjashtohet asnjë
nxënës, përkundër numrit enorm të mungesave, nuk ka rend dhe rregull.
Një gjimnaz që do të funksiononte sipas rregullave dhe kritereve të
sipërthëna ka mundësi që të realizojë punë efektive diku rreth 75%. Sot
shkollat punojnë nën këtë përqindje.
* * *
Regjistrimi në Fakultetin Filologjik, në Fakultetin Filozofik, në
Fakultetin e Matematikës dhe të Shkencave të Natyrës duhet të bëhet, jo
nëpërmjet diplomës së maturës shtetërore, por me provim pranues.
Matura shtetërore, ashtu sikundër realizohet sot, nuk është veçse një
formalitet. Duheshin kaluar dhjetë vjet që matura shtetërore e shkollave
profesionale të mos jetë e njëjtë si ajo e gjimnazeve.
Në fakultetet e sipërthëna duhet të mundë të regjistrohen vetëm nxënës që
kanë të kryer gjimnaz dhe jo shkollë profesionale. Nxënësit i cili nuk e kryer
gjimnazin me notën shumë mirë apo shkëlqyeshëm, nuk duhet t’i
lejohet regjistrimi në fakultetet që përgatisin kuadër arsimi. Sot në
fakultetet që përgatisin kuadër arsimi, me përjashtime të caktuara,
regjistrohen kryesisht nxënësit të cilët shkollën e mesme e kryejnë me dysh apo
me tresh. Nxënësit e dalluar përcaktohen kryesisht për degët fitimprurëse –
mjekësi, stomatologji, farmaci, informatikë, arkitekturë. Ka nxënës të dalluar
që ndjekin studimet e matematikës dhe të fizikës.
Nxënësit e dalluar të gjimnazeve duhet të mbështeten nga shteti me bursa
studentore dhe të dërgohen për studime në universitete prestigjioze, si në
Zagreb, ...Pasi t’i kryejnë studimet, shteti duhet t’u mundësojë atyre
pasuniversitare nëpër universitete prestigjioze. Kuadri arsimor që kalon nëpër
sistemin e lartpërmendur, po qe se vihet në shërbim të arsimit të mesëm, duhet
të ketë të ardhura mujore sa dyfishi i të ardhurave mujore të sotme. Të
vlerësuar dhe të shpërblyer më mirë se sot, ata nuk do të jenë të detyruar që
krahas punës në shkollë të ushtrojnë edhe ndonjë veprimtari plotësuese.
Frytet e para të arsimit të mesëm, të reformuar sipas kritereve të
mësipërme, shoqëria mund t’i vjelë pas tridhjetë vjetëve. Punët e mëdha dhe
rezultatet e mëdha nuk arrihen shpejt. Pas kësaj përzgjedhjeje apo seleksionimi
mund të kemi një inteligjencie të mirëfilltë. Vetëm një
inteligjencie e njëmendët, e shkolluar dhe e arsimuar, mund të sjellë ndryshime
në shoqëri, t’i çelë rrugët e perspektivës, të ballafaqohet me sfidat e kohës,
sot dhe në të ardhmen, të bëhet mbartëse e proceseve politike, ekonomike,
sociale dhe kulturore. Shumë të rinj me diploma universitare punojnë si
kamerierë. Kujt i duhet kjo?! Ndryshimet e vërteta i sjellin qetësi shpirtërore
shoqërisë, e forcojnë moralin e saj dhe parandalojnë shembjen e sistemit të
vlerave, nëpërkëmbjen e tij. Një shoqëri e paemancipuar më kot synon BE-në. Ka
kohë që klishetë eurointegruese nuk janë inspiruese, as entuziazmuese. Bota
shqiptare po mbetet pa rini.
Reforma e lartpërmendur duket drastike. Ajo duhet të përfshijë tërë
zinxhirin e sistemit të arsimit, që nga çerdhet e fëmijëve deri në arsimin
sipëror. Çdo reformë është e dhimbshme, ajo nënkupton prerje. Pa reforma të
mirëfillta, do të vazhdojmë të dëgjojmë refrenin dhe legjendën 30-vjeçare të
reformave në arsim. Ato s’janë duke u bërë dhe, po të vazhdohet si deri më
tani, kurrë s’kanë për t’u bërë. Kujt i duhet njeriu i diplomuar që s’di ta
shkruajë një lutje?!