Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kryetarit të Misionit të Republikës Çeke në Kosovë
E shtune, 14.09.2019, 11:30 AM
KRYETARIT TË MISIONIT TË REPUBLIKËS ÇEKE NË KOSOVË, SHKËLQESISË SË TIJ, PAVELBILEK
Nga Xhelal
Zejneli
Shumë i nderuar Shkëlqesia
Juaj,
Më 10 shtator 2019, kryetari
i Republikës Çeke Milosh Zeman ishte për një vizitë në Beograd. Pas takimit me
kryetarin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, në një konferencë për shtyp në
Beograd, kryetari çek Milosh Zeman tha se vendi i tij do të diskutojë me
zyrtarët kushtetues çekë mundësinë që vendi i tij ta tërheqë njohjen e Kosovës
si shtet të pavarur. Me këtë rast ai shtoi se “shteti i udhëhequr nga
kriminelët e luftës, nuk i përket bashkësisë së shteteve demokratike”.
Ua bëj me dije, i nderuar
Shkëlqesi, se prononcimet e kryetarit çek ishin shqetësuese për Kosovën si dhe
për mbarë publikun shqiptar në Gadishullin Ballkanik, përfshi edhe shqiptarët
në diasporë. Deklaratat e sipërthëna ngjallën zemërimin e tërë kombit shqiptar.
Është nën nivelin e një kryetari shteti të vihet në rolin e prokurorit
apo të gjyqtarit.
Për fat të mirë,
personalitete të nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës Çeke dhe të
politikës çeke nuk janë në të njëjtin mendim me presidentin e vendit Tuaj.
Shumë i nderuari
kryeministër i Republikës Çeke – Andrej Babish, reagoi sakaq dhe tha: “Çekia
nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar njohjen e pavarësisë së Kosovës”.
Lidhur me prononcimet e
kryetarit Zeman, përmes një shkrimi në Twiter, reagoi edhe ministri i
Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Tomash Petriçek, për të thënë se “qeveria
çeke nuk e ndryshon qëndrimin për pavarësinë e Kosovës”.
Po kështu reagoi edhe
kryetari i Senatit Çek, Jaroslav Kubera i cili për portalin çek Dnes
tha: “Ideja e kryetarit Milosh Zeman për tërheqjen e njohjes së pavarësisë
së Kosovës, është joreale”. Njëherazi ai shtoi: “Kryetari mund të thotë
çfarë të dojë, por nuk është ai që mund të bëjë diçka. Do të ishte debat i madh
për asgjë.”
Shkëlqesia Juaj!
Shqipërinë dhe brigjet
detare të saj në Adriatik dhe në Jon i vizitojnë shumë turistë pothuajse nga të
gjitha vendet e botës. Midis tyre ka edhe turistë nga Çekia mike. Ashtu si turistët e vendeve të ndryshme të
botës, edhe vizituesit e shtetit Tuaj, për vendin e Gjergj Kastriotit
shprehen me fjalët më të mira. Të gjithë njëzëri, janë të impresionuar me
mikpritjen dhe me bujarinë e popullit të Nënë Terezës.
Një rast tragjik që ndodhi
në korrik të vitit 2015, me ç'rast humbën jetën dy qytetarë çekë, u dënua në
mënyrë të prerë nga të gjithë shqiptarët në Gadishullin Ballkanik dhe në
diasporë.
Populli shqiptar ka një
admirim të madh për popullin çek. Studiuesit çekë të shekullit XIX si dhe të
fillimit të shekullit XX, në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë popullore dhe të
historisë, midis tyre edhe albanologu dhe profesori i gjuhëve romane, i fokusuar
kryesisht në studimet krahasuese të gjuhësisë shqiptare dhe rumune, Jan
Urban Jarnik (1848-1923) - janë marrë me studime albanologjike dhe me
shkrimet e tyre i kanë nxjerrë në dritë vlerat shpirtërore të kombit shqiptar.
Ne u jemi mirënjohës sot e mot.
Shkëlqesia Juaj!
Më 21 maj të vitit 2008,
vendi Juaj e njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës të shpallur më 17 shkurt
të vitit 2008. Për këtë, kombi shqiptar përjetë i është mirënjohës Republikës
Çeke. Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur e kanë njohur sot 116 shtete të
botës. Pohimet e ministrit serb të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiqit se 16
shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk janë veçse
gënjeshtra të kulluara.
Diplomacia serbe i përdor
veprimet më të ulëta dhe më të padenja për të bindur vende të caktuara
të kontinentit afrikan si dhe ca shtete – ishuj të Paqësorit, që ta tërheqin
njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë ekzistues.
Shkëlqesia Juaj!
Ua përkujtoj se Serbia, e
udhëhequr nga A. Vuçiqi, nxënës i devotshëm i kriminelit të luftës, Vojisllav
Sheshelit si dhe nga I. Daçiqi, bashkëpunëtor i afërt i kriminelit të luftës,
S. Millosheviqit që ia vuri flakën ish-Jugosllavisë, ndjek politikë
destruktive, destabilizuese dhe luftënxitëse. Politika e sotme e Beogradit
ecën rrugës së ideologjisë serbomadhe të Ilija Garashaninit dhe të Naçertanies
së tij, ideologji kjo e mesit të shekullit XIX, retrograde, anakronike,
antihistorike dhe antidemokratike. Politika e sotme e Beogradit shkon
gjurmëve të Pashiqit, të karagjorgjeviqëve, të Rankoviqit dhe të zjarrvënësit
të Ballkanit – Millosheviqit.
Politikanët e sotëm serbë
vazhdojnë të ushqehen prej ideologëve serbomëdhenj të llojit të Vlladan
Gjorgjeviqit, të Jovan Cvijiqit, të Vaso Çubrilloviqt dhe të pseudo-akademikëve
serbomëdhenj, me në krye babanë e kombit – Dobrica Qosiqin.
Serbia e sotme ka pretendime
territoriale ndaj fqinjëve të saj – Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi,
Kosovës dhe Kroacisë, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe, për pretendime
territoriale, nuk e njeh autoqefalinë e kishës maqedonase.
Kombi shqiptar i është
mirënjohës republikës Çeke për mbështetjen që ia ka dhënë Republikës së Kosovës
në skenën ndërkombëtare, sikundër ishte rasti i mbështetjes për anëtarësimin në
Interpol apo mbështetja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës
së Kosovës.
Kosova sot është në ndërtim
të shtetësisë së vet. Natyrshëm, ajo kalon nëpër sfida dhe peripeci. Një ditë
do të kemi një Kosovë ekonomikisht të zhvilluar, me shkallë të lartë të demokracisë,
të ngritur mbi baza të shtetit ligjor. Me politikën e saj konstruktive dhe
paqeruajtëse, Kosova sot është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Ua përkujtoj Ekselencë, se
liritë dhe të drejtat e minoritetit serb në Kosovë janë të garantuara sipas
standardeve evropiane më të larta.
Republika Çeke është një shtet
me tradita të fuqishme evropiane, ndaj dhe politika e saj është konzistente.
Me një fjalë, politika e Pragës lidhur me Kosovën është në vijën e politikës së
Uashingtonit, të Berlinit, të Parisit, të Londrës, të Romës etj.
Ju lus Ekselencë që
nëpërmjet kësaj letre ta përshëndetni popullin mik të Çekisë si dhe autoritetet
e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë.
Ju përshëndes Ekselencë, me
ndjenjën e konsideratës më të lartë, ndërsa popullit çek dhe Republikës së
Çekisë, i dëshiroj përparim dhe mirëqenie.