Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Faktori politik shqiptar në Maqedoni dhe zgjedhjet e prillit
E diele, 10.11.2019, 03:45 PM
FAKTORI POLITIK SHQIPTAR NË MAQEDONI DHE ZGJEDHJET E PRILLIT
Nga
Xhelal Zejneli
Për zgjedhjet
parlamentare të parakohshme në Maqedoni kanë mbetur edhe rreth pesë muaj. Me
fillimin e pluralizmit politik në vitin 1991, Maqedonia hyri në atë që quhet
periudhë e tranzicionit. Që atëherë, kanë kaluar pothuajse tri
dekada. Maqedonia ndërkaq, vazhdon të jetë në një tranzicion pa mbarim!!
Antagonizmat ndërmjet pozitës, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, në
vende të caktuara të rajonit, si p.sh. në Shqipëri dhe në Maqedoni, kanë
shkaktuar erozion social. Fushata parazgjedhore dhe dita e
votimit pritet të realizohen në mënyrë të qetë.
Karakteristike për
këto zgjedhje është:
- fragmentarizmi i
faktorit politik shqiptar; dhe
- mungesa e një
opozite shqiptare të bashkuar.
Në kampin politik
sllavo-maqedonas kemi përplasjen ndërmjet LSDM-së dhe VMRO-së. VMRO-ja vazhdon
ta fajësojë LSDM-në për ndërrimin e emrit të shtetit. Sipas kësaj partie,
fajtor kryesor i ndërrimit të emrit është kryeministri Zoran Zaev. Gjatë
fushatës parazgjedhore, VMRO-ja do ta fajësojë LSDM-në:
- për Marrëveshjen
e Prespës;
- për mosmarrjen e
datës për çeljen e bisedimeve të integrimit në BE;
- për rezultatet e
dobëta në lëmin e ekonomisë.
Në zgjedhjet e
prillit, Maqedonia hyn me një VMRO të pareformuar. Kjo parti
vazhdon të jetë antishqiptare, sot, si dikur. Është po ajo VMRO e
kohës së Gruevskit. Kjo parti nuk e njeh:
- as Marrëveshjen
e Prespës;
- as Ligjin për
përdorimin e gjuhëve.
Sa i përket
Marrëveshjes së Prespës, kjo parti e di shumë mirë se ajo ka mbështetje
ndërkombëtare dhe si e tillë është e paprekshme. VMRO-ja do të tentojë të marrë
mbi 50 deputetë, ndërsa LSDM-në ta lë me më pak se 49 deputetë.
Thuhet se në
zgjedhjet e kaluara, LSDM-ja mori 30 mijë vota shqiptarësh. Ka të tillë që
thonë se ky numër shkon deri në 70 mijë. Numri i shqiptarëve që do të votonin
për LSDM-në në zgjedhjet e prillit, pritet të jetë simbolik dhe i
papërfillshëm. Të dyja partitë sllavo-maqedonase u vardisen shqiptarëve,
përkatësisht partive politike shqiptare për arsye se e dinë mirë se pa
shqiptarët nuk mund të formojnë qeveri.
Protagonisti
kryesor i Marrëveshjes së Prespës, Zaevi do t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë
që të mos i humb zgjedhjet, siç i humbi në Athinë homologu i tij grek Cipras.
Nuk është reale të pritet një koalicion parazgjedhor ndërmjet BDI-së dhe
LSDM-së. Kjo do të kishte për pasojë që BDI-ja të humbë një pjesë të trupit
votues të vet.
Po qe se zgjedhjet
i fiton Mickovski i VMRO-së, atëherë është e mundur që të mendojë për një
bashkëqeverisje me ASh-në dhe me Lëvizjen Besa.
Është e mundur që
në zgjedhjet e prillit të mos dalin të votojnë diku rreth 40% e qytetarëve të
Maqedonisë, ngase:
- një pjesë e
zgjedhësve, për arsye të caktuara, kurrë nuk dalin të votojnë;
- një pjesë e
zgjedhësve nuk dalin të votojnë ngase janë të zhgënjyer;
- një numër i
zgjedhësve ndodhen jashtë Maqedonisë.
Duhet shtuar se
lista e zgjedhësve në Maqedoni, tani për tani nuk ka pësuar ndryshime dhe
korrigjime. Trupi votues në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 ka qenë 1.784.416.
Lista e zgjedhësve për referendumin e organizuar më 30.09.2018 lidhur me
Marrëveshjen e Prespës, përmbante 1.806.336 zgjedhës. Pjesëmarrja në zgjedhjet
e prillit, e votuesve që ndodhen jashtë Maqedonisë, si gjithmonë, do të jetë
simbolike dhe e papërfillshme.
Kohët e fundit, në
Maqedoni ndodhi edhe rasti i njohur si “Reket”. Nën dyshimin se është e
implikuar në rastin e sipërthënë u arrestua edhe prokurorja e Prokurorisë
Publike Speciale. Gjatë fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve parlamentare të
parakohshme, për ta fajësuar oponentin politik, do të shfrytëzohet edhe ky rast
i krimit të organizuar.
Para zgjedhjeve të
12 prillit të vitit 2020, Maqedonia ballafaqohet edhe me çështjen e
emigrimit të të rinjve, përfshi edhe çështjen e ikjes së trurit.
Pikëpamja se shpërngulja e të rinjve është trend ballkanik apo edhe
global, është e pabazë. Të rinjtë shpërngulen, jo për shkak se
kjo na qenkësh trend, por për arsye se nuk shohin perspektivë në
vendin e vet.
Dikur, shqiptarët
shpërnguleshin për shkak të elaboratit të Vaso Çubrilloviqi.
Sot ndërkaq, shqiptarët shpërngulen për shkak të klasës politike dhe
intelektuale të pandërgjegjshme. Me fjalë të tjera, për shpërnguljen e
shqiptarëve nga Shqipëria dhe nga Maqedonia, fajtorë janë politikanët shqiptarë
që kanë qeverisur që nga viti 1991 deri më sot. Për shpërnguljen e shqiptarëve
nga Kosova, fajtorë janë politikanët e Kosovës që kanë qeverisur që nga
shpallja e pavarësisë, deri më sot, për të mos thënë që nga çlirimi i saj më
1999 e këndej. Për shpërnguljen e shqiptarëve, po aq përgjegjësi mban edhe
inteligjencia shqiptare, në shkallë kombi.
* * *
Si në të gjitha
zgjedhjet e deritanishme, ashtu edhe në këto të prillit, pjesë e fushatës do të
jetë edhe integrimi në BE. Sa i përket anëtarësimit në NATO, është
e mundur që deri në prill të vitit 2020, kjo çështje të marrë fund.
Partitë politike,
si ato shqiptare, ashtu edhe ato sllavo-maqedonase, duhet ta dinë se qytetarët
e këtij vendi shumë pak janë të preokupuar me çështjen e integrimit në BE.
Përse? Për arsye se qytetarët e këtij vendi janë lodhur nga retorika e
integrimit, që zvarritet pafundësisht. Çështja e integrimit në
organizmat euro-atlantikë duhej të ishte kryer qysh para 20 vjetëve. Marrëveshja
e Prespës duhej të ishte arritur qysh para dy dekadave. Marrëveshja
e Ohrit duhej të ishte implementuar qysh në vitin 2004. Që atëherë,
kanë kaluar 15 vjet. Rrjedhimisht, rinia shqiptare s’ka kohë që të preokupohet
me proceset e vonuara.
Nga mosmarrja e
datës për çeljen e bisedimeve për integrimin në BE, qytetarët e këtij vendi
shumë pak u shqetësuan, për të mos thënë fare. Kjo mënyrë jetese, për qytetarët
e këtij vendi është bërë normale. Duket sikur qytetarët e këtij vendi janë
pajtuar me realitetin e hidhur se klasa politike, si ajo shqiptare, ashtu edhe ajo
sllavo-maqedonase, nuk është në krye të përgjegjësisë historike,
ndaj nuk presin më mirë, nuk presin më shumë.
Politikanët e
këtij vendi duhet ta dinë se të rinjtë e Maqedonisë do të ikin në Perëndim dhe
do të arrijnë atje, para se vendi të integrohet në BE. Radhët e gjata dhe të
ditëpërditshme para ambasadës gjermane në Shkup, s’kanë të sosur. Përkundrazi,
ato shtohen dita-ditës. S’është kjo punë trendi, është çështje e një dëshpërimi
dhe e një zhgënjimi të thellë. E si të mos dëshpërohen kur tituj akademikë
marrin gjysmë analfabetët dhe personat mediokër, për t’i zaptuar pastaj
universitetet dhe institucionet publike. Si të mos dëshpërohen kur nepotizmi
vlon në të katër anët, ndërsa diploma fakulteti kanë marrë edhe injorantët.
Maqedonia shkon në
zgjedhje pa i kryer reformat. S’ka dyshim se gjatë fushatës
parazgjedhore do të jepen premtime:
- për reformat në
drejtësi;
- për luftën
kundër krimit të organizuar;
- për luftën
kundër korrupsionit;
- për luftën
kundër nepotizmit.
Për këto që u
thanë më sipër, do të flasin ata që s’i kanë bërë reformat, e që kanë pasur
mundësi t’i bënin, ngase po këta njerëz kanë qenë në skenë që nga viti 1991 e
deri më sot. Dhe vazhdojnë të jenë.
* * *
Nuk duhet pritur
që në zgjedhjet e prillit, raporti i tanishëm i forcave në hapësirën politike
shqiptare të ndryshojë. Duhet pritur që në zgjedhjet e ardhshme, BDI-ja të
fitojë 10 deputetë, ndërsa ASh-ja 4 deputetë, Lëvizja Besa 2 deri 3 deputetë,
PDSh-ja 1 deri 2 deputetë dhe Alternativa 2 sish. Ata që s’e votuan BDI-në në zgjedhjet
e kaluara, nuk kanë ndonjë motiv të veçantë për ta votuar në këto të prillit
dhe vice versa: këta që s’i votuan katër partitë opozitare
shqiptare, nuk kanë ndonjë arsye të veçantë për ta bërë këtë në prill.
Për ta mundur
BDI-në, katër partitë shqiptare të vogla kanë një mundësi të vetme. E kjo është
– të bashkohen. Por, mundësitë për t’u bashkuar duken të pakta.
Përpos animoziteteve të liderëve, midis tyre ka edhe dallime
ideologjike.
Nuk duhet
përjashtuar një koalicion ndërmjet ASh-së dhe Lëvizjes Besa.
Sikur të ndodhte një bashkëlidhje midis tyre, atëbotë këta do të mund të
merrnin 7 deri 8 deputetë.
Partitë politike
shqiptare duket sikur kanë mbetur pa kauzë kombëtare. Me fjalë të
tjera, retorika që ndërlidhet me kërkesat kombëtare të shqiptarëve, të shtruara
që nga viti 1991 e këndej, në zgjedhjet e prillit - duket bizare,
në mos dhe groteske. Edhe nga kjo retorikë, shqiptarët tanimë
janë lodhur. I rinjtë thonë: “Më mirë të ikim nga ky vend, sesa të dëgjojmë
retorikë për gjuhën dhe flamurin. Këto janë punë që duhej të ishin kryer
qëmoti...”.
Pala
sllavo-maqedonase dhe ndërkombëtarët, Marrëveshjen e Ohrit e konsiderojnë të
implementuar tanimë. Sa është zgjidhur kauza shqiptare me këtë marrëveshje, kjo
është një çështje tjetër. Për një marrëveshje të re, shqiptarët duhet të presin
rrethana historike të reja. Asgjë në histori nuk ka mundur të ndodhë
ndryshe, përpos siç ka ndodhur.
Nuk mjafton të
fitosh liri vetëm nga sunduesi i huaj. Një shoqërie i duhet liri edhe nga kasta
sunduese e popullit të vet. Individi ndërkaq, lufton për liri individuale.
Pa arsimim cilësor, asnjë popull nuk fiton liri të plotë.
Në fushatën për
zgjedhjet e prillit do të ketë edhe retorikë populiste,
karakteristike kjo për popujt e Ballkanit. Pikëpamjet se faktorin politik
shqiptar të fragmentarizuar do të mund ta bashkojë Prishtina,
janë të pabaza, për të mos thënë utopi dhe iluzion. Shqiptarët në Maqedoni kanë
më shumë se dy universitete, ndaj duhet të tregojnë aftësi për t’i dalë zot
vetvetes. Faktori politik shqiptar duhet të paraqitet para qytetarëve si forcë
ndryshimi.
Faktori politik
shqiptar ka kohë që është i defaktorizuar, që nga viti 2005. I
defaktorizuar, hyn edhe në zgjedhjet e prillit. Po të kishte qenë faktor
politik me peshë, s’do të merrej edhe sot me të drejtën e përdorimit të gjuhës.
Sot e 28 vjet, merret me gjuhën. E pabesueshme. Komisioni i Venedikut,
gjuhën shqipe e trajtoi si gjuhë të një pakice, të një minoriteti 20
përqindësh.
Opozita shqiptare
ndërkaq, s’është e defaktorizuar. Ajo është e paqenë, është inekzistente.
Shqiptarëve në Maqedoni, u duhen, jo gjashtë parti politike, por dy sosh.
* * *
Në fushatën për
zgjedhjet e prillit, faktori politik shqiptar duhet të përqendrohet në çështjet
e zhvillimit ekonomik të viseve shqiptare, në krijimin e zonave të lira
ekonomike, në sjelljen e investimeve të jashtme, në krijimin e vendeve të reja
të punës, në reduktimin e administratës, si të pushtetit vendor ashtu dhe atij
qendror, në rritjen e cilësisë në arsim, në rritjen e cilësisë në shëndetësi,
në përmirësimin e infrastrukturës, në ndërtimin e rrjetit rrugor bashkëkohor
dhe të autostradave, në luftimin e krimit të organizuar, të korrupsionit dhe të
nepotizmit, në reformën në gjyqësi, në ndjekjen e politikës sociale, në
respektimin e lirisë së shtypit, në intensifikimin e marrëdhënieve me
Shqipërinë dhe Kosovën si dhe në ndërtimin e shtetit ligjore.
Faktori politik
shqiptar duhet ta gjejë mënyrën që shqiptarët të figurojnë si shqiptarë dhe jo
si bashkësi e 20 përqindëshit. Me këtë ritëm të emigrimit, si dhe me rënien e
shkallës së lindshmërisë, mund të ndodhë që shqiptarët të bien nën 20 për qind.
Me këtë rast, ndonjë të pamaturi nga pala tjetër do t’i shkonte ndër mend të
vërë në dyshim edhe Marrëveshjen e Ohrit.
Votuesi shqiptar,
përfshi edhe militantët partiakë, nuk duhet të presin punësime.
Çfarëdo premtimi i partive për punësime, është gënjeshtër. Organet e pushtetit
vendor si dhe ato të pushteti qendror janë të ngarkuara me tepricë të
punësuarish. Nëpër shkollat fillore dhe në ato të mesmet, një numër i madh i
arsimtarëve dhe i profesorëve punojnë me gjysmë fondi orësh. Pjesën tjetër e
plotësojnë me të ashtuquajturat aktivitete projektuese, që kurrë nuk
realizohen.
Shkuarja në
zgjedhje me lista të hapura, për subjekte politike të caktuara
është një hap që ngërthen në vete rrezik. Funksionarët e deritashëm të partisë,
askush s’i voton dot, ndërsa veprimtarët e sapo përfshirë në subjekt,
elektorati shqiptar nuk i njeh sa duhet, për të mos thënë fare. Partitë
politike shqiptare freskimin e radhëve të veta duhej ta kishin kryer me kohë
dhe jo të presin me vite për t’u ripërtërirë.