Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Luftërat ballkanike - krimet serbe ndaj shqiptarëve
E diele, 24.11.2019, 03:28 PM
LUFTËRAT BALLKANIKE – KRIMET SERBE NDAJ SHQIPTARËVE
Nga Xhelal
Zejneli
Ka kaluar një shekull nga luftërat ballkanike. Në vitin
1912 Mbretëria e Serbisë e pushtoi Kosovën. Menjëherë pas kësaj filloi politika
e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve, e përcjellë edhe me shpërnguljen e dhunshme
të tyre nga trojet stërgjyshore. Krahas kësaj ka rrjedhur edhe procesi i
kolonizimit të Kosovës me serbë. Pushtimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912 u
shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Pas pushtimit të Kosovës
u zbatua politika e dëbimit të shqiptarëve për në
Anadolli. Ndaj shqiptarëve që nuk i lëshuan trojet dardane, serbët ndoqën politikën
e forcës, të gjenocidit dhe të kolonializmit.
Lidhur me politikën kolonialiste serbe në Kosovë dhe ndaj
shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi,
kancelaritë evropiane kurrë se kanë reaguar. Të ushtrohet
gjenocid në Evropë ndaj një populli të pambrojtur dhe kancelaritë e saj të rinë
duarkryq, kjo është absurde.
*
* *
Krimet serbe në Kosovë dhe në viset
e tjera shqiptare - Për krimet serbe ndaj
shqiptarëve në kohën e luftërave ballanike 1912-1913 flasin edhe të dhënat e
studiuesve dhe të intelektualëve serbë të asaj kohe, të publikuara në shtypin e
kohës në Beograd si dhe në periudhat e mëvonshme. Në periudhën e
Mbretërisë së Jugosllavisë, terror dhe vrasje mbi popullsinë shqiptare kanë
kryer të ashtuquajturat “aradha
fluturuese” (lete?i odredi) të ushtrisë, të policisë dhe të
çetnikëve serbë. Politikën imperialiste serbomadhe të periudhës së luftërave
ballkanike e ka demaskuar edhe publicisti dhe socialdemokrati serb Kosta
Novakoviq (1886-1939), autor i librit “Katër muaj në
Shqipërinë qendrore”, Beograd 1914. Në vitin 1912, në gazetën “Radni?ke
novine” të Beogradit, midis tjerash ai shkruan: “Ka dalë në skenë një
Serbi imperialiste, pan-Serbia, me dinastinë e saj panserbe dhe me militarizmin
panserb. Ky imperializëm i ri, i egër, brutal dhe i pamëshirshëm ëndërron për
ringjalljen e perandorisë së Dushanit”.
Në artikullin e vet “Kolonizimi dhe serbizimi i
Kosovës”, për krimet serbe të viteve 1912 dhe 1913, Kosta Novakoviqi
shkruan:
“Kosova është një territor i pastër
shqiptar. Serbë në të ka vetëm 10 deri në 15 %. Imperialistët serbë i kanë
përdorur taktikat dhe metodat e luftëtarëve mesjetarë apo të pushtuesve kolonialistë:
shfarosjen e popullatës shqiptare nën pretekstin e zhvillimit të operacioneve
ushtarake, çarmatosjen e popullatës shqiptare dhe shtypjen e qëndresës së
armatosur të shqiptarëve. Në vitin 1912 dhe 1913 serbët kanë vrarë 120.000
shqiptarë – burra, gra, djem, pleq, plaka dhe fëmijë. Qindra fshatra janë
goditur me armatime të rënda, artileri dhe topa. Një numër i madh i fshatrave
në Kosovë por edhe në Maqedoni – janë djegur. Të paktën 50.000 shqiptarë, për
ta shpëtuar jetën nga masakrat e forcave ushtarake serbe, u detyruan t’i
braktisin trojet e veta, të bëhen refugjatë dhe të ikin për në Turqi dhe
Shqipëri. Kjo politikë shfarosëse ndaj shqiptarëve të Kosovës e dobësoi
faktorin shqiptar në të, por në asnjë mënyrë nuk e ndryshoi karakterin shqiptar
të saj. Me këto masakra të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë, Serbia synonte ta
zbrazë atë vend, në mënyrë që ta kolonizonte me serbë dhe malazezë si dhe ta
serbizonte atë”.
Ambasador i Rusisë cariste në Beograd në periudhën e
luftërave ballkanike ka qenë Nikollaj
Genrikoviç Hartvig (1857-1914). Ka qenë i njohur për idetë
tij pan-sllaviste. Ka qenë “më serb se
serbët”. Në prag të Luftës së Parë Botërore ka ushtruar ndikim të
jashtëzakonshëm në politikën e qeverisë serbe. Ka mbështetur fuqimisht
pushtimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare si dhe krimet e ushtrisë
serbe dhe të njësive paramilitare ndaj popullatës civile shqiptare.
Prej vitit 1918 deri në vitin 1938 ushtria pushtuese
serbe ka djegur dhe ka shkatërruar 320 fshatra shqiptare. Vetëm në periudhën e
viteve 1918-1921, në viset shqiptare serbët kanë bërë një terror, deri atëherë
të paparë në Evropë: kanë vrarë 12.346 vetë, kanë burgosur 22.160 vetë, kanë
plaçkitur 50.515 shtëpi, ndërsa 6.125 shtëpi i kanë djegur.
Të dhëna të caktuara për krimet serbe ndaj shqiptarëve në
Kosovë, në kohën e luftërave ballkanike jep edhe Trocki (Lev
Davidoviç Bronshtajn, 1879-1940) në një artikull të botuar me titull “Prapa
perdeve të luftërave ballkanike”, të publikuar për herë të parë në “Kievskaya
Mysl”, Kiev, Nr. 355, datë 23.12.1912.
Për hetimin e
krimeve serbe ndaj shqiptarëve në vitet 1912-1913 u formua edhe një komision
ndërkombëtar. Për masakrat e konstatuara u hartua një dokument me titull “Raport
i Komisionit për investigimin e shkaqeve dhe për rrjedhën e luftërave
ballkanike”. Raporti u publikua në Uashington D.C. në vitin 1914 nga Carnegie
Endowment for International Peace.
Komisioni i lartpërmendur përbëhej nga profesorë universitarë dhe
individë të tjerë prominentë nga Franca, Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania,
Austria dhe Rusia. Anëtarë të këtij komisioni ishin edhe tre laureatë të çmimit
“Nobel”.
*
* *
Politika e pastrimit etnik - Në
Mbretërinë e Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve, e cila prej vitit 1929 do
të quhet Mbretëria e Jugosllavisë, Beogradi nuk e njihte ekzistimin e
bashkësisë etnike shqiptare, ndaj i quante myslimanë. Dëbimi i dhunshëm i
myslimanëve, d.m.th. i shqiptarëve nga Kosova, nga Sanxhaku dhe nga Maqedonia
filloi në Luftën e Parë Ballkanike në tetor të vitit 1912. Sipas dokumenteve të
diplomacisë serbe, deri në gusht të vitit 1914 nga viset e sipërthëna janë
shpërngulur 281.747 banorë, duke mos i llogaritur fëmijët e moshës deri në
gjashtë vjeç. (Dokumente për politikën e jashtme të Mbretërisë së Serbisë
1903-1914, Libri VII, Vëllimi 1, Beograd, 1980, f. 617-618).
Familjet shqiptare, prej rajoneve të sapopushtuara, nëpër
Greqi u deportuan për në Turqi. Popullata myslimane e shteteve ballkanike duhej
të vendosej në brigjet e Anatolisë, ndërsa shqiptarët, përpos në Turqi, duhej
të vendoseshin edhe në vilajetet Halep dhe Bagdad, në Siri dhe në Irak.
(Dokumente për politikan e jashtme të Mbretërisë së Serbisë 1903-1914, Libri
VII/2, f. 319 Nr. 186, ASSHA, Beograd, 1980).
Në pronat e shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, qeveria
serbe solli mbi 20.000 familje serbe, ndërsa qeveria e Malit të Zi planifikonte
të vendosë 5.000 familje në rrafshin e Dukagjinit. (Dr. Branko Babiq,
Politika e Malit të Zi në viset e sapoçliruara 1912-1914, Titograd, 1984, f.
267-277).
Shpërngulja me dhunë e shqiptarëve vazhdoi edhe në kohën
e Mbretërisë së Jugosllavisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe në Kosovë në vitin
1918, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve, pa detyrim kthimi, ka vazhduar deri
në Luftën e Dytë Botërore.
Përpos shpërnguljes për në Turqi, një numër i madh i
shqiptarëve kanë emigruar edhe për në Shqipëri. Historiani dhe akademiku serb Dimitrije
Bogdanoviq (1930-1986) në veprën e tij “Libri për Kosovën” thotë
se vetëm në vitin 1921, nga viset shqiptare në Jugosllavi janë
shpërngulur për në Shqipëri rreth 40.000 shqiptarë.
Pushteti i Beogradit ka organizuar formacione
paraushtarake të çetnikëve të udhëhequra nga Kosta Peqanac, Miliq Kërstiq,
Jovan Babunski, Vasilije Tribiq etj., të cilët kanë ndërmarrë ekspedita
ndëshkuese, duke ushtruar dhunë, terror dhe plaçkitje të organizuar. Më 7 tetor
1938, Ministria e Ushtrisë e Mbretërisë së Jugosllavisë jep urdhër për
vazhdimin e shpërnguljes së shqiptarëve, ndërkaq Komanda e Armatës III propozon
masa që ky aksion të zbatohet “me maturi, në mënyrë sistematike, por edhe
energjike, të vendoset këtu elementi serb dhe të bëhen përpjekje që
brenda një kohe sa më të shkurtër, masat kompakte të fuqishme të arnautëve të
shkatërrohen”.
Dimitrije Bogdanoviqi, i
njohur për pikëpamjet e tij serbomadhe dhe antishqiptare, në librin e
lartpërmendur shkruan se në fillim të vitit 1936 Turqia kishte shprehur
gatishmëri për të lidhur me Jugosllavinë marrëveshje formale për shpërnguljen e
200.000 banorëve “të cilët për nga mentaliteti janë të ngjashëm me
turqit, në mënyrë që në Turqi të asimilohen më lehtë”. [Dimitrije
Bogdanovi?, Knjiga o Kosovu, Beograd 1986, botim i ASSHA. Redaktor i
botimit të këtij libri është akademiku serb – shkrimtari Antonio Isakoviq
(1923-2002), njëri prej hartuesve të Memorandumit të ASSHA-së].
Ky libër u shkrua në vitin 1985 dhe u botua
një vit më vonë, pothuajse në të njëjtën kohë kur doli në Beograd, si
libër anonim, edhe Memorandumi famëkeq i akademikëve serbë, në janar 1986.
Në periudhën prej vitit 1919 deri në vitin 1940, prej
Mbretërisë së Jugosllavisë për në Turqi janë shpërngulur gjithsej 255.878
myslimanë. Prej tyre, 215.412 shqiptarë; 27.884 turq; dhe 2.582
boshnjakë.
Për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, për
uzurpimin e tokave të tyre dhe për terrorin mbi ta nën regjimin e monarkisë
serbe, jepen të dhëna edhe në Enciklopedinë ushtarake (Vojna enciklopedija,
Beograd, 1972, knjiga ?etvrta, f. 656).
Politikani serb nga Kroacia, i periudhës midis dy
luftërave botërore, Svetozar Pribiçeviq (1875-1936), në
studimin e tij “Diktatura e Mbretit Aleksandër”, thotë se pas vendosjes
së diktaturës, Mbretëria e Jugosllavisë e ka intensifikuar pastrimin
etnik të trojeve shqiptare, me ç’rast rolin kryesor e ka luajtur Klubi
Kulturor Serb në Beograd, i drejtuar nga Sllobodan Jovanoviqi
(1869-1958), profesor i Fakultetit të Drejtësisë, historian dhe
rektori i Universitetit të Beogradit. Ky klub në të cilin tuboheshin akademikët
serbë, intelektualët eminentë dhe profesorët universitarë, mbështetej edhe nga
administrata shtetërore. (Svetozar Pribi?evi?, La dictature du roi
Alexander, Paris, 1933; “Diktatuara Kralja Aleksandra”, Beograd,
1983, f.15; “Diktatura Kralja Aleksandra”, Globus, Zagreb 1990, f.
311).
Publicisti i sotëm serb Vlladan Jovanoviq, në
studimin e tij “Në kërkim të atdheut – migrimet e myslimanëve nga
Jugosllavia për në Turqi 1918-1941”, thotë se në vitin 1935 autoritetet
jugosllave kanë organizuar në Beograd një takim në të cilin kanë marrë pjesë
përfaqësuesit e pesë ministrive të shtetit dhe përfaqësuesit e Shtabit të
Përgjithshëm të Ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, me ç’rast është hartuar
projekti “për shpërnguljen e elementit josllav nga Serbia jugore”.
Një prej konkluzioneve të këtij projekti ka qenë: Miratimit urgjent i një konvente
dypalëshe me Turqinë. Me marrëveshjen që do të arrihej, parashikohej:
- personat të cilët vullnetarisht heqin dorë
nga shtetësia jugosllave, do të lirohen nga të gjitha tatimet dhe nga detyrimet
ushtarake; si dhe
- transporti falas për ata të cilët pasurinë e vet të
paluajtshme do t’ia lenin shtetit.
Propozimet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së
Mbretërisë së Jugosllavisë u miratuan si masa për shpërnguljen “e
suksesshme dhe të shpejtë të popullatës josllave” për në Turqi dhe
Shqipëri.
Masat e sipërthëna, ndërmjet tjerash përfshinin:
- luftimin e propagandës kundër shpërnguljes, që
zhvillohej nga Tirana;
- thirrjen e shpeshtë të rekrutëve shqiptarë të zonave
kufitare në stërvitje ushtarake;
- ndalimin e pranimit në shërbime shtetëror “të personave
që janë të parashikuar për shpërngulje”;
-
zhvendosjen e nëpunësve aktualë josllavë (d.m.th. shqiptarë) në zonat e tjera
të vendit;
- “shtetëzimin e objekteve gjeografike dhe ndërrimin e
mbiemrave personalë” etj.
Me këtë rast, ushtria serbe flet edhe për rolin e
rëndësishëm që duhet të luajnë: Kisha Ortodokse Serbe, mbrojtja
popullore dhe nisma private.
*
* *
Politika afatgjatë e dëbimit të dhunshëm të shqiptarëve
nga trojet e veta stërgjyshore për në Anadolli dhe prolongimi i shpërnguljes së
tyre, has në kritikat e akademikut serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990).
Për ta zgjidhur shpejt dhe për t’i dhënë fund “çështjes shqiptare”,
autori i memorandumit apo i elaboratit famëkeq të dëbimit të
shqiptarëve nga Kosova dhe kolonizimit të saj me serbë dhe malazezë, propozon
mënyra efektive dhe konkrete të pastrimit etnik.
Në studimin “Ideologjia e Serbisë së madhe”,
politikani kroat Ante Belo (1946-) shkruan se projektin e
dëbimit të shqiptarëve për në Turqi e hartoi Çubrilloviqi në vitin 1937, e
pikërisht për qeverinë e kryeministrit Stojadinoviq të Mbretërisë së
Jugosllavisë. Atë duhej ta zbatonin autoritetet shtetërore. Midis
tjerash, Çubrilloviqi shkruan:
“Shqiptarët është e pamundur të
luftohen vetëm nëpërmjet kolonizimit gradual... E vetmja mënyrë dhe i vetmi
mjet është forca brutale e organizuar, e organeve të shtetit. Në këtë
pikëpamje, serbët gjithmonë kanë qenë mbi ta.”(Ante Beljo, “Ideologija Velike Srbije”,
artikull në Hrvatski iseljeniçki zbornik, Zagreb 1995, f. 219-238).
Pas politikës së dhunës dhe të pastrimit
etnik të trojeve shqiptare, Serbia zbatoi politikën e kolonizimit
të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare me kolonë serbë dhe
malazezë.
Konventa ndërmjet Jugosllavisë dhe
Turqisë
për shpërnguljen e shqiptarëve nga
trojet stërgjyshore nën pushtimin serb
Kontaktet e para shtetërore ndërmjet Mbretërisë së
Serbëve, të Kroatëve dhe të Sllovenëve (SKS) dhe Turqisë lidhur me shpërnguljen
e shqiptarëve, janë realizuar në vitin 1926, ndërsa në vitin 1933 është
përcaktuar platforma e re e Ministrisë Jugosllave të Agrikulturës, ideja
kryesore e së cilës ka qenë se ekspatriacioni (çatdhesimi)
i shqiptarëve mund të kryhet vetëm në kuadër të një procesi afatgjatë, e
pikërisht për dy arsye:
- e para, Jugosllavia nuk ka mjete të mjaftueshme për ta
realizuar një projekt të tillë;
- e dyta, rrethanat ndërkombëtare nuk do të lejonin që
deportimi i shqiptarëve të realizohet në afat të shkurtër.
Vlladan Jovanoviqi në studimin e sipërthënë shkruan se
veprimtaritë shtetërore për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi arritën
kulmin me nënshkrimin e konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë. Prej 9
deri më 11 korrik 1938 në Stamboll janë mbajtur një varg mbledhjesh për
përgatitjen e Marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë për shpërnguljen e
shqiptarëve. Të dyja palët kanë rënë dakord që brenda gjashtë vitesh, nga
Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi të shpërngulen 40.000 familje shqiptare
në zonat e shkreta, të pabanuara, të Anatolisë. Konventa ndërmjet
Jugosllavisë dhe Turqisë u nënshkrua më 11 korrik 1938 dhe duhej të hynte
në fuqi pasi ta ratifikonin parlamentet e të dy vendeve. Me shpërnguljen e
shqiptarëve duhej të liroheshin tokat pjellore dhe të punueshme për serbët që
do të vinin prej viseve pasive të Serbisë.
Me nenin 2 të Konventës ndërmjet Jugosllavisë dhe
Turqisë parashikohej ekspatriacioni (çatdhesimi) i plotë
i shqiptarëve nga shumë qytete të tyre, midis të cilëve janë: Prizreni,
Ferizaj, Prishtina, Kaçaniku, Gjilani, Presheva, Peja, Istogu, Mitrovica,
Gjakova, Vushtrria (Vuçitërni), Drenica, si dhe nga qytetet e tjera shqiptare
në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Për pesë vitet e para të shpërnguljes, d.m.th. në
periudhën e viteve 1939-1944, sipas konventës së sipërthënë parashikohej të
shpërnguleshin në Turqi 25.000 familje shqiptare, e pikërisht me dinamikën
vijuese: 4.000 familje në vitin 1939; 6.000 familje në vitin 1949; 7.000
familje në vitet 1941 dhe 1942; dhe 8.000 familje në vitet 1943 dhe 1944.
Sipas marrëveshjes ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, një
familje ka mundur të përmbajë deri në 250 anëtarë, kështu që 40.000 familje
shqiptare kanë mundur të arrijnë edhe mbi 1 milion vetë.
Ratifikimi dhe realizimi i kësaj konvente është penguar për shkak të:
- mosmarrëveshjeve financiare ndërmjet Beogradit dhe
Ankarasë,
- fushatës së autoriteteve të Shqipërisë kundër
shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta stërgjyshore për në Turqi, si dhe
- shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.
Edhe pse kjo marrëveshje nuk është ratifikuar dhe nuk
është zbatuar siç ka qenë planifikuar, ka pasur pasoja të rënda për pozitën dhe
për të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavi. Pastrimi etnik
afatgjatë dhe kolonizimi i viseve shqiptare në Jugosllavi ka shkaktuar
ndryshimin etnik të strukturës së popullsisë. Masat e dhunshme të ndërmarra nga
Beogradi ndaj shqiptarëve kanë ndikuar që marrëdhëniet e grupeve etnike
gjithmonë të jenë të tensionuara, e
sidomos ndërmjet shqiptarëve vendas dhe kolonëve serbë. Kjo ka ndikuar edhe në
thellimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve.
*
* *
Ideologjia kombëtare serbe -
Ideologjinë nacionaliste serbe të Ilija Garashaninit (1812-1874)
të paraqitur në projektin e tij “Naçertanije”, Beograd 1844 si
dhe të filologut dhe mbledhësit të këngëve popullore serbe Vuk Stefanoviq
Karaxhiqit (1787-1864), do ta vazhdojnë me devotshmëri
intelektualët serbë të qarqeve akademike dhe universitare të fillimit të
shekullit XX. Në vitet 1912-1918, ideologë të njohur të të ashtuquajturës çështje
kombëtare serbe, kësaj murtaje të zezë të Ballkanit, ishin studiuesit,
intelektualët, profesorët universitarë dhe akademikët serbë, si: Jovan
Cvijiqi (1865-1927), Vlladan Gjorgjeviqi (1844-1939) –
autor i librit famëkeq “Arnauti i Velike sile”, Beograd 1913, Stojan
Novakoviqi (1842-1915), filolog dhe historian i letërsisë, kryetar i
Akademisë Mbretërore Serbe dhe kryeministër i Qeverisë së Serbisë, Nikolla
Stojanoviq (1880-1966), jurist dhe politikan serb nga BeH, Stevan
Moleviq (1888-1959), politikan, publicist dhe avokat serb nga BeH,
autor i një memorandumi që mban titullin “Serbia homogjene” (Homogena
Srbija), të vënë në qarkullim në Nikshiq të Malit të Zi më 30 qershor 1941.
Në të i paraqet ambiciet territoriale të Serbisë dhe “të drejtën” e saj
për të dominuar në Jugosllavi. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Moleviqi ka qenë
këshilltar i udhëheqësit të Lëvizjes së Çetnikëve – Drazha Mihajlloviqit.
Vijën e kësaj ideologjie e ndoqën edhe akademikët serbë
të cilët e hartuan Memorandumin e
ASSHA (SANU) që doli në Beograd si një libër anonim, në janar të vitit 1986.
Këta janë: filologu Pavle Joviq, shkrimtari Antonije Isakoviq,
biologu i biologjisë molekulare Dushan Kanazir, filozofi Mihajllo
Markoviq, historiani i artit Dejan Medakoviq, historiani i letërsisë
Mirosllav Pantiq, gjeologu dhe paleontologu Nikolla Pantiq,
historiani Radovan Samarxhiq, profesori i fakultetit të mjekësisë dhe
shkencëtari Lubisha Rakiq, historiani Vasilije Kresiq, inxhinieri
i makinerisë Miomir Vukobratoviq dhe kritiku i artit figurativ, piktori Stojan
Gjeliq. Në krye të tyre qëndronte babai i kombit serb, shkrimtari dhe
akademiku me shkollë të mesme bujqësore Dobrica Qosiq.
Nga ideologjia në agresion -
Ideologjia serbomadhe u bë politikë shtetërore e Serbisë dhe u zbatua nga: karagjorgjeviqët,
Nikolla Pashiqi (1845-1926), Aleksandër
Rankoviqi (1909-1983) dhe Sllobodan Millosheviqi
(1941-2006).
Synimi i tyre ishte:
- ta rimëkëmbin perandorinë e car Dushanit dhe ta
krijojnë Serbinë e Madhe;
- të ndjekin politikë hegjemoniste, ekspansioniste,
centraliste, unitariste dhe etatiste;
- t’ia caktojnë Serbisë rolin e Piemontit në gadishull;
- t‘i sigurojnë Serbisë rol dominues në
Jugosllavi dhe në Ballkanin – fuçi baruti;
- ta shndërrojnë Serbinë në faktor të rëndësishëm në
rajon, në mënyrë që fuqitë evropiane, për t’i realizuar synimet e tyre
strategjike, të llogaritnin në aleancën e serbëve;
- të përhapin propagandë se serbët janë popull
hyjnor (nebeski narod);
- t’ua bëjmë me dije kancelarive të Fuqive të Mëdha se
serbët janë popull historik;
- t’u tregojmë fuqive historike të Evropës se serbët janë
popull politik;
- ta bindim faktorin ndërkombëtar influent se popujt
e tjerë të rajonit, nuk janë as popuj historik dhe as
popuj politik.
Duhet t’u bëhet me dije kancelarive evropiane se:
- serbët kanë traditë shtetërore dhe ushtri të fortë;
- në çaste të caktuara historike kanë marrë pjesë në
luftëra;
- janë rreshtuar në anën e drejtë;
- kanë luftuar përkrah forcave ngadhënjyese;
- ushtritë serbe kanë bërë luftëra frontale dhe kanë
shpërthyer fronte.
Shpërthimin e frontit të Selanikut në tetor
të vitit 1917 në Luftën e Parë Botërore, përkrah ushtrive franceze, angleze dhe
greke, kundër ushtrive gjermane, austro-hungareze dhe bullgare, serbët e kanë
shndërruar në mit. Në saje të atributeve të mësipërme, serbët merituakan
të dominojnë në gadishull.
*
* *
Sipas radikalëve serbë, populli serb ndahet
në tre religjione:
- serbët në Serbi janë serbë të fesë ortodokse;
- kroatët në Kroaci janë serbë të fesë katolike;
- ndërkaq myslimanët në Bosnjë e Hercegovinë, janë serbë
të fesë myslimane.
Armiqtë historikë të serbëve siç janë qendrat katolike,
habsburgët dhe habsburgu i fundit Tito, e copëtojnë Serbinë për të krijuar prej
saj tre shtete dhe po aq kombe. Dy prej tyre, d.m.th. Bosnja e Hercegovina dhe
Kroacia – shtete artificiale dhe johistorike.
Në periudhën e viteve 1918-1941 ideologjia serbomadhe:
- Mohonte ekzistimin e kombit shqiptar në
Jugosllavi dhe i quante myslimanë. Sipas kësaj ideologjie, shqiptarët janë
inferiorë, nuk janë popull historik, nuk janë popull politik dhe nuk posedojnë
aftësi shtet-ndërtuese, ndaj dhe territoret e tyre duhet të zotërohen prej
serbëve;
- Mohonte ekzistimin e malazezve, të
myslimanëve (boshnjakëve) dhe të maqedonasve si
bashkësi etnike të veçanta, qoftë mbi baza gjuhësore, qoftë mbi
baza fetare. Këta konsideroheshin serbë.
Me një politikë unitariste, centraliste dhe
etatistë, ideologjia serbomadhe synonte krijimin e kombit
jugosllav dhe homogjenizimin e popujve joserbë, sidomos
të kroatëve dhe të sllovenëve, me qëllim të asimilimit
të tyre në serbë.
Me fjalë të tjera, malazeztë janë serbë ngase
gjuha që flasin s’është veçse një dialekt i serbishtes. Myslimanët e
Bosnjës dhe Hercegovinës s’janë veçse serbë të islamizuar. Edhe këta, sikurse
malazeztë, flasin serbisht apo një dialekt të saj. Maqedonasit nuk kanë
histori dhe janë pa identitet. Duke qenë se banojnë në Serbinë Jugore
(Juzhna Srbija), rrjedhimisht janë serbë. Kroatët janë serbë të
fesë katolike. Gjuha që flasin s’është veçse serbishte, apo një dialekt i saj.
Me një politikë unitariste, centraliste dhe etatiste
do t’i asimilojmë në serbë. Sllovenët, për t’u shpëtuar synimeve
ekspansioniste të Vjenës, medoemos t’i kthehen gjirit të sllavëve të jugut.
Ndaj malazezëve, myslimanëve të BH-së, maqedonasve dhe
kroatëve, serbët zbatonin teoritë apo thëniet latine: quius lingua, eius
regio (e kujt gjuha, i atij
territori) apo quius religio, eius regio (e
kujt feja, i atij territori).
Pra, malazeztë janë serbë mbi bazën e gjuhës dhe të fesë.
Myslimanët e BH-së dhe kroatët janë serbë mbi bazë të gjuhës. Serbë mbi bazën e
fesë janë edhe maqedonasit.
Po shqiptarët?! Në këtë bashkësi sllavësh të
jugut, shqiptarët janë trup i huaj. Si të tillë, do t’i dëbojmë për në
Anatoli. Ndaj atyre që do të mbeten do të ndjekim politikën e
forcës, të restriksionit, të diskriminimit dhe të represionit,
do të ushtrojmë edhe opresion.
Kosova për ta ishte Serbi e Vjetër (Stara Srbija).
Kështu Jugosllavinë do ta shndërrojmë në serbosllavi.
*
* *
Ideologët serbë të sotëm -
Historianët e sotëm serbë, me në krye akademikun dhe shkrimtarin Dobrica
Qosiq thonë:
- Ballkani sot ndodhet nën sundimin e SHBA-së dhe të
aleatëve evropianë të saj – Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë;
- Sot në Evropë dhe në Ballkan mbizotërojnë fuqitë
humbëse të të dy luftërave botërore;
- Para Luftës së Parë Botërore dhe gjatë saj,
imperialistët gjermanë synonin Drang nach Osten (Depërtim në
Lindje), drejt Kostandinopojës e më tej. Depërtimet e Gjermanisë naziste në
drejtim të juglindjes gjatë Luftës së Dytë Botërore, paraqesin vazhdim të
politikës Drang nach Osten. Berlini dhe Vjena të njëjtin pretendim e
kanë edhe sot, por në forma të tjera. Ndaj krijimi i kombit të fortë dhe
të konsoliduar shqiptar në Ballkan përputhet me synim historik gjerman për të
depërtuar në lindje.
- Armiq të përbetuar të Serbisë kanë qenë dhe janë: Vatikani,
CIA, Berlini, Vjena dhe agjenti i tyre Josip Broz Tito;
- Sot në Ballkan, me ndihmën e Vatikanit, të SHBA-së, të
Gjermanisë dhe të Vjenës zhvillohet haptas procesi i krijimit të Shqipërisë
së Madhe;
- Procesi i fragmentarizimit të Serbisë do
të vazhdojë, duke ia shkëputur asaj Vojvodinën, Sanxhakun dhe Kosovën
lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë).
- Turqia, nën parullën e neo-osmanizmit,
pretendon të rikthehet në gadishull, duke gjetur mbështetje ndër shqiptarë dhe
ndër boshnjakë.
*
* *
Propaganda antishqiptare serbe - Serbia,
sot e kësaj dite vazhdon të përhapë propagandë nëpër kancelaritë evropiane për
pretendimet e Ankarasë për t’u rikthyer në një pjesë të gadishullit. Sipas
kësaj propagande, pretendimet turke për
të depërtuar në rajon, çojnë në krijimin e shteteve islamike në
të. Ndaj Uashingtoni dhe Brukseli nuk duhet të lejojnë kreatura
fundamentaliste para dyerve të Evropës.
Qëllimi i kësaj propagande
antishqiptare të Beogradit është që shqiptarët t’i paraqesin para perëndimorëve
si popull me identitet kombëtar të diskutueshëm, si pro turq, pro arabë, pro
persianë, si popull që është përçues i vlerave anadollake, aziatike dhe
islamike në Evropën e krishterë, si popull që funksionon me vlera jashtë
evropiane, si popull që funksionon me vlera turke, arabe, persiane dhe islamike
në gadishull. Kohët e fundit, propaganda serbe dhe ajo greke në mënyrë
intensive i denoncon shqiptarët nëpër zyrat e fuqive evropiane edhe si
islamistë radikalë që punojnë kundër Perëndimit dhe që i rrezikojnë vlerat e
qytetërimit perëndimor.
*
* *
Për të ndërtuar një Jugosllavi me dominimin serb, gjatë
historisë politike të tyre, serbët u përqendruan kryesisht:
- në krijimin e faktorit të forcës; dhe
- në ndërtimin e një makinerie propagandistike
gebelsiane.
Për ta mbajtur serbosllavinë, këtë krijesë
artificiale të Versajës dhe burg të popujve, karagjorgjeviqët dhe
pashiqët, më vonë rankoviqët dhe millosheviqët
zbatuan politikën e forcës.
Serbia, me politikën e saj destruktive,
luftënxitëse, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste
është shkaktarja kryesore dhe permanente e destabilizimit të Ballkanit, këtij
rajoni të cilësuar si fuçi baruti, ku është zhvilluar bellum
omnium in omnes. Një politikë e tillë është irracionale. Për
gjakderdhjet që ua kanë shkaktuar fqinjëve të vet, serbët duhet të mbajnë
përgjegjësi para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Francezët kanë
gabuar që i kanë lejuar serbët ta keqpërdorin miqësinë me ta.
Ambiciet e serbëve gjatë
historisë kanë qenë në shpërpjesëtim me potencialet reale të tyre.
Ata janë një popull i vogël, ndaj politikën shtetërore duhet ta harmonizojnë me
përmasat kombëtare reale.
Në Evropë dhe në planin global, sot kemi një konstelacion
të ri: muri i Berlinit ka rënë, Gjermania është ribashkuar, Traktati i
Varshavës është zhbërë, ideologjia bolshevike doli si antihistorike, perandoria
sovjetike - e kuqe, është shpërbërë, kampi socialist është shuar, lufta e
ftoftë ka marrë fund, Rusia nuk është më superfuqi, kontradiktat historike të
fuqive evropiane harmonizohen në kuadër të BE-së, Jugosllavia e Versajës dhe e
KAÇKJ-së (AVNOJ-it) u shkatërrua me gjak.
Serbët duhet të heqin dorë nga idetë kombëtare
retrograde, anakronike, antihistorike dhe antidemokratike të shekullit XIX.
Duhet ta pranojnë realitetin e ri në rajon dhe në planin global dhe ta ridefinojnë
ideologjinë kombëtare.