Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Rënia e Murit të Berlinit dhe konstelacioni i ri global
E merkure, 13.11.2019, 09:12 PM
RËNIA E MURIT TË BERLINIT DHE KONSTELACIONI I RI GLOBAL
Nga Xhelal
Zejneli
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, d.m.th. më 1945,
Gjermania u nda në katër zona të cilat zotëroheshin prej forcave të armatosura
të shteteve - aleate të luftës së sapo përfunduar: ShBA-së, Britanisë së Madhe,
Francës dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1949, zonat që zotëroheshin nga
ShBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca u bashkuan dhe prej tyre u themelua
Republika Federale Gjermane apo Gjermania Perëndimore.
Ndërkaq, zona e kontrolluar prej Bashkimit Sovjetik u
shndërrua në shtet të veçantë – Republika Demokratike Gjermane ose Gjermania
Lindore. Me fjalë të tjera, prej një shteti gjerman u krijuan dy
sish.
Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas
vitit 1947, marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Perëndimit dhe BRSS-së
filluan të tensionohen. Me fjalë të tjera, midis tyre filloi ajo që
në historinë politike njihet si luftë e ftoftë. Të dyja
palët synonin të zbatonin politikën e forcimit të pozicioneve vetanake dhe të
dobësonin pozicionet e palës kundërshtare, duke përdorur për këtë
qëllim të gjitha masat e mundshme, përpos luftës.
Më 4 prill 1949, ministrat e Punëve të Jashtme të
ShBA-së, Britanisë së Madhe, Belgjikës, Danimarkës, Francës, Islandës, Italisë,
Kanadasë, Luksemburgut, Holandës, Norvegjisë dhe Portugalisë nënshkruan në
Uashington një pakt të sigurisë kolektive që u quajt Organizatë
e Paktit Veri-Atlantik (NATO). Në vitin 1952 këtij pakti i aderuan
Greqia dhe Turqia, ndërsa në tetor të vitit 1945 edhe Gjermania Perëndimore.
Pakti hyri në fuqi më 25 gusht 1949. Më vonë pakti u zgjerua në 15 shtete (sot
i ka 29 shtete).
Më 14 maj 1955, një pakt i ngjashëm u themelua edhe në
lindje të kontinentit. ndërmjet BRSS-së, Polonisë, Çekosllovakisë, Rumanisë,
Hungarisë, Bullgarisë, Gjermanisë Lindore dhe Shqipërisë. U quajt Pakti
i Varshavës ose Traktati për miqësi, bashkëpunim dhe ndihmë të
ndërsjellë.
* * *
Më 13 gusht 1961 filloi ndërtimi i murit të
Berlinit. Thonë se ndërtimi ka zgjatur një ditë. Ka të dhëna që thonë se
ndërtimi i tij ka zgjatur dy ditë. Në të vërtetë, ky mur është ndërtuar në faza
dhe ka zgjatur me vite. Brenda një periudhe 25-vjeçare, rrethoja me tela
gjembash u zëvendësua me mur betoni, me fusha të minuara dhe me
kulla vrojtimi. Pas vitesh ndërtimi në faza, muri i Berlinit ka
arritur një gjatësi prej 155 km. Në të ka pasur 302 kulla vrojtimi.
Muri ka qenë simbol i luftës së ftoftë ndërmjet
Lindjes dhe Perëndimit, ShBA-së dhe BRSS-së, NATO-s dhe Paktit të
Varshavës. Muri i Berlinit ka qenë pjesë e perdes së
hekurt midis lindjes së kontinentit dhe perëndimit të tij.
Idenë e ndërtimit të murit e dha Qeveria
e Gjermanisë Lindore e Valter Ulbrihtit (1893-1973). Vendimi
për ndërtimin e murit u miratua edhe nga udhëheqësi sovjetik Nikita
Hrushçov (1894-1971). Në të vërtetë, muri ishte barrierë e dytë
midis Berlinit perëndimor dhe Gjermanisë Lindore. Me të u mbyll plotësisht
kufiri ndërmjet Berlinit lindor dhe perëndimor. Kufiri ndërmjet dy shteteve
gjermane mbeti i mbyllur 28 vjet.
* * *
Më 26. VI. 1963, d.m.th. 22 muaj pas ngritjes së murit
të Berlinit, qytetin e vizitoi presidenti i ShBA-së Xhon
Kenedi (1917-1963), me ç‘rast foli para një mase prej 450 mijë
njerëzve. Të tubuarve, Kenedi u tha se ShBA-ja e mbështet Gjermaninë
Perëndimore, e në veçanti Berlinin perëndimor, duke shtuar: “ Para 2000
vjetësh ka qenë krenari të thuhej Civis romanus sum – Unë jam qytetar
i Romës. Sot, në botën e lirë, thirrja që të bën krenar është Ich bin ein
Berliner. Ndaj po ju them se edhe unë jam një berlinas”.
Më 12. VI. 1987 Gjermaninë Perëndimore e vizitoi edhe
presidenti amerikan Ronald Regan (1911-2004). Me këtë rast ai
nuk la pa e parë edhe Derën e Brandenburgut ku qëndroi 26
minuta. Para qytetarëve të tubuar, midis tjerash thotë: “Sekretar i
Përgjithshëm Gorbaçov, po qe se punoni për paqe, për prosperitet të Bashkimit
Sovjetik dhe të Evropës Lindore, po qe se jeni për paqe, prosperitet dhe
liberalizim, ejani te kjo derë! Zoti Gorbaçov, hapeni këtë derë! Zoti Gorbaçov
rrëzojeni këtë mur!”
* * *
Muri i Berlinit është shembur pas 9 nëntorit 1989,
përkatësisht në periudhën e viteve 1989-1990. Shembja e tij shënon fillimin e
mbarimit të luftës së ftoftë, gjë që çoi drejt ribashkimit
të Gjermanisë. Më 3 tetor 1990 Gjermania Lindore u bë pjesë e Republikës
Federale Gjermane. Me fjalë të tjera, të dy shtetet gjermane u ribashkuan.
Kryeqytet i shtetit të ribashkuar përsëri u bë Berlini.
* * *
Në vitin 1983, presidenti Regan paralajmëroi Nismën
e Mbrojtjes Strategjike që u quajt luftë e yjeve (Star
Wars). Ajo kishte të bënte me ndërtimin e satelitëve të luftës që do
të qarkullonin në orbitën e Tokës me qëllim asgjësimi të raketave balistike
sovjetike para se ato të qëllonin shënjestrat e përcaktuara.
Në fushën e armatimit, Bashkimi Sovjetik nuk mund të
mbante hapin me ShBA-në. Pakti Varshavës u shpërbë.
Më 26.12.1991, me Deklaratën 142-H të Presidiumit
të Sovjetit Suprem Kombëtar të BRSS-së, perandoria e kuqe shpërbëhet
edhe formalisht. Me deklaratën e sipërthënë u njoh pavarësia e 12 republikave
të Bashkimit Sovjetik. Një ditë më parë, presidenti Mihail Gorbaçov dha
dorëheqje, ndërsa kodet e lëshimit të raketave bërthamore ia dorëzoi
presidentit rus Boris Jelcin (1931-2007).
Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS),
i themeluar pas Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit (1917) të
udhëhequr nga Lenini (Vladimir Iliç Ulanov, 1870-1924) ka
qenë në realitet perandori e kuqe komuniste e dominuar kryekëput nga rusët.
Ideologjia komuniste, socialiste, marksiste-leniniste dhe internacionaliste
s’ka qenë asgjë më pak se pansllavizëm. Diktatori Stalin (Josip
Visarionoviç Xhugashvili, 1879-1953) i cili nuk ishte rus por gjeorgjian,
bashkë me stalinistët e tjerë të tipit të Brezhnjevit (Leonid
Iliç, 1906-1982) i kolonizuan, jo vetëm popujt e Bashkimit
Sovjetik, por edhe të gjitha shtetet e Evropës Lindore. Në të vërtetë, Polonia,
Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania, prej vitit
1945 deri në vitin 1991 kanë qenë nën pushtimin e egër rus. Shqipëria u shkëput
nga kthetrat e ariut të veriut në vitn 1961, ndërsa më 1968
nga Pakti i Varshavës doli edhe formalisht.
Ra muri i Berlinit dhe nuk vonoi shumë ra edhe imperializmi
rus, ranë totalitarizmi, diktatura, tirania, autokracia,
despotizmi dhe pansllavizmi bolshevik.
Pas këtij ndryshimi historik popujt morën
frymë lirë. Mbi të gjitha – individi.
* * *
Pas rënies së murit të Berlinit, ribashkimit
të Gjermanisë, prishjes së Paktit të Varshavës dhe shthurjes së BRSS-së, i
erdhi radha edhe Jugosllavisë.
Jugosllavia e pas Luftës së Parë Botërore quhej
edhe Jugosllavi e Versajës. Ajo ishte krijim artificial i
Konferencës së Paqes në Paris (1919), e mbështetur kryesisht
nga Franca. Jugosllavinë e Pashiqit (Nikola Pashiq, 1845-1926) dhe
të karagjorgjeviqëve e quanin edhe burg të popujve, siç e quanin
edhe Monarkinë Austro-Hungareze. Me sulmin gjerman mbi Jugosllavinë, ajo u
shemb si një kullë prej letre.
Jugosllavia e pas Luftës së Dytë Botërore u quajt ndryshe
edhe Jugosllavi e AVNOJ-it (KAÇKJ). E quanin edhe Jugosllavi
e Titos. Ajo nisi të marrë tatëpjetën në vitin 1981, pas protestave të
shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare të pushtuara.
Edhe Memorandumi i akademikëve
serbë (1986) është quajtur nekrolog i
Jugosllavisë së Titos.
Prej 20 deri më 22 janar 1990 në Qendrën Sava të
Beogradit u mbajt Kongresi XIV i jashtëzakonshëm i LKJ-së (Lidhjes së
Komunistëve të Jugosllavisë). Gjatë zhvillimit të punimeve të tij u ballafaquan
konceptet e delegatëve të Lidhjes së Komunistëve të Sllovenisë si dhe atyre të
Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Përfaqësuesit sllovenë kërkuan konfederalizimin e
Partisë dhe të shtetit, ndërsa përfaqësuesit serbë ngulën këmbë për centralizimin e
Jugosllavisë. Asnjë propozim i delegatëve sllovenë nuk u pranua nga delegatët
serbë. Propozimet serbe ndërkaq, u miratuan me “shumicë” votash.
Boshti Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë) ekzistonte
natyrshëm. Nën trysninë e Beogradit, anën e Millosheviqit e mbanin rëndom edhe
delegatët e Bosnjës dhe Hercegovinës si dhe të Vojvodinës.
Në një rast, votimi nuk rezultoi sipas skenarit serb, për
arsye se, krahas delegatëve të Kosovës, edhe ata të BH-së u rreshtuan në një
vijë me ata të Sllovenisë dhe të Kroacisë. Njëri prej komunistëve maqedonas
– Dr. Vasil Tupurkovski (1951-) u
ngjit në podium dhe i rezignuar konstatoi: Fitoi koalicioni
joparimor (Pobedila je neprincipijelna koalicija). Me fjalë të tjera,
rreshtimi i delegatëve të Kosovës përbri atyre të Sllovenisë dhe të Kroacisë,
për Tupurkovskin paraqiste koalicion joparimor!!
Në natën e 22 janarit, pas dy ditë pune dhe konfliktesh
verbale të ashpra, delegatët sllovenë e lëshuan sallën e kongresit.
Kërkesës së komunistit serb Millosheviqit që Kongresi të
vazhdojë punën edhe pa delegatët sllovenë, iu kundërvunë ashpër delegatët
kroatë, duke thënë se po qe se ndodh një gjë e tillë, edhe ata do ta lënë
sallën.
Me këtë, pas 45 vjet udhëheqjeje, Lidhja e Komunistëve të
Jugosllavisë u zhbë si flluskë sapuni. Epilogu i këtillë i Kongresit ishte
vendimtar për shthurjen e Jugosllavisë së AVNOJ-it.
Më 25.VI.1991 Lubjana shpalli Deklaratën e
pavarësisë. Pasoi lufta 10-ditëshe e APJ-së (Armatës Popullore të
Jugosllavisë) kundër njësive territoriale sllovene. Më pas, Beogradi
tha: “Meqë në Slloveni nuk ka serbë, ajo edhe mund të shkëputet
nga Jugosllavia”.
Menjëherë pas Sllovenisë, në qershor 1991, pavarësinë e
shpalli edhe Kroacia, gjë që hyri në fuqi më 8.X.1991. Me arsyetimin se në
Kroaci jetojnë 580.000 serbë, APJ-ja, e komanduar kryesisht prej gjeneralëve
serbë, si dhe njësitë paramilitare serbe, u vunë në veprim për ta parandaluar
shkëputjen e saj. Nga fundi i vitit 1991, pas një lufte të ashpër ndërmjet
Kroacisë dhe forcave serbe, de facto Serbisë, një e treta e
territorit kroat mbeti jashtë kontrollit të Zagrebit. Më 15.I.1992, me
angazhimin e Gjermanisë, vendet anëtare të BE-së e njohën Kroacinë si shtet të
pavarur.
* * *
Rrugën e shkëputjes nga amalgama e sllavëve të jugut e
mori edhe Kosova. Më 2 korrik 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës
shpallën “Republikën e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave”.
Më 7 shtator 1990 deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën nën Kaçanik dhe
miratuan Kushtetutën e Kosovës, e cila e sanksiononte “Republikën e
Kosovës si një shtet demokratik të popullit shqiptar dhe të pakicave kombëtare”. Ndërkaq,
prej 26 deri më 30 shtator 1991 u mbajt referendumi mbi
pavarësinë e Kosovës. Rezoluta mbi pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës u
miratua njëzëri nga votuesit.
Nga fundi i vitit 1994 i filloi veprimet Ushtria
Çlirimtare e Kosovës. Nga marsi i vitit 1998, veprimet e armatosura të
UÇK-së morën pamjen e një lufte të vërtetë çlirimtare.
Më 6 shkurt 1999, me nismën e Grupit të Kontaktit për
Jugosllavinë, në kështjellën Rambuje afër Parisit
filluan bisedimet shqiptaro-serbe për zgjidhjen e krizës.
Ndërmjetësues ishin përfaqësuesit e ShBA-së, të BE-së dhe të Rusisë – Kristofer
Hill, Volfgang Petriç dhe Boris Majorski.
Projekti i marrëveshjes që duhej të arrinin palët në
bisedime, i hartuar nga ShBA-ja, përmbante:
- Kosova do të mbetej pjesë e Jugosllavisë Federale, por
do të gëzonte një “autonomi substanciale;
- Në
Kosovë do të organizoheshin zgjedhje demokratike, ndërsa çështja e pavarësisë
do të diskutohej pas tre vjetësh;
- Për të garantuar zbatimin e marrëveshjes, në Kosovë do
të vendoseshin forcat e NATO-s.
Udhëheqësit serbë nuk e pranuan marrëveshjen. Në fund të
shkurtit, d.m.th. pas 17 ditëve, bisedimet dypalëshe, me tertium
interveniens - u ndërprenë. Dështimi i tyre tregoi se çështja e
Kosovës nuk mund të zgjidhet në rrugën paqësore. Sapo rifilluan bisedimet, në
Kosovë shpërthyen luftimet. Më 19 mars 1999, delegacioni shqiptar e nënshkroi
marrëveshjen, kurse serbët e hodhën poshtë.
Në mars të vitit 1999, diplomati amerikan Riçard
Hollbruk (1941-2010) u takua për herë të fundit me
Millosheviqin (1941-2006) në Beograd dhe ia ofroi këtij rastin
e fundit që ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, sipas së cilës:
- Kosova do ta rifitonte autonominë e humbur;
- UÇK-ja do të çarmatosej; ndërsa
- në Kosovë do të vendoseshin forcat paqeruajtëse të
NATO-s.
Zjarrvënësi i Ballkanit e refuzoi diplomatin amerikan.
Më 22 mars 1999 forcat serbe nisën ofensivën e madhe të
spastrimit etnik dhe brenda një kohe të shkurtër dëbuan nga Kosova rreth një
milionë shqiptarë, të cilët u vendosën kryesisht në Shqipëri dhe në Maqedoni.
Më 23 mars 1999 NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve në
Kosovë dhe në Serbi, që zgjatën 78 ditë, përkatësisht deri në 11 qershor 1999.
Më 10 qershor 1999 forcat pushtuese ushtarake serbe nisën tërheqjen nga Kosova.
Po atë ditë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën e cila
parashikonte vendosjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë. Më 12 qershor 1999 u
vendosën në Kosovë Forcat Ushtarake të NATO-s (KFOR). Që nga ky
moment, Kosova u vu nën administrimin e OKB-së.
Më 10 qershor 2007 e vizitoi Shqipërinë presidenti
amerikan Xhorxh Bush (1946- ) dhe që andej
paralajmëroi shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt 2008 Kuvendi i
Kosovës e shpalli pavarësinë.
* * *
Në kohën e luftës së ftoftë Bashkimi
Sovjetik, krahas ShBA-së, iu imponua botës si superfuqi. Rënia e murit
të Berlinit, ribashkimi i Gjermanisë, shpërbërja e Paktit të Varshavës
dhe zhbërja e Bashkimit Sovjetik determinuan ndryshimin e raportit të
forcave, si në Evropë, ashtu edhe në planin global. Në rrafshin politik,
ekonomik dhe ushtarak krijohet një konstelacion i ri.
Nga shpërbërja e BRSS-së doli një Rusi e dobët dhe e
pakonsoliduar. Në planin global superfuqi mbeti vetëm ShBA-ja. Gjermania e
ribashkuar bëhet fuqia e katërt ekonomike në botë, duke marrë
në BE edhe rolin udhëheqës. Sot, Rusia e Vladimir Putinit (1952-) synon
të forcohet. Megjithëkëtë, në planin global ajo ka rol dhe ndikim politik,
ekonomik dhe ushtarak të reduktuar.
Shqiptarët në Ballkan, duke mos qenë
popull sllav, janë aleatë të natyrshëm të ShBA-së dhe të gjermanëve. Fundi i
shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI paraqet forcimin e faktorit
pro-shqiptar.
Shpërbërja e BRSS-së ndërkaq dhe dalja prej saj e një
Rusie të pakonsoliduar, paraqiste dobësimin e faktorit pro-serb.
Gjermania e ribashkuar dhe e fuqishme si dhe ShBA-ja si
fuqi e vetme në planin global, shkojnë në favor të kauzës shqiptare. Ndërkaq,
shpërbërja e BRSS-së dhe dalja prej saj e një Rusie të pakonsoliduar nuk
shkonin në favor të ideologjisë serbomadhe.
Fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI paraqet
një fazë historike - të papërsëritshme për kombin shqiptar në gadishull - për
ta zgjidhur çështjen kombëtare, historikisht të drejtë.