Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Alfabeti i gjuhës shqipe - Kongresi i Manastirit
E hene, 18.11.2019, 11:05 PM
ALFABETI I GJUHËS SHQIPE - KONGRESI I MANASTIRIT
Nga Xhelal
Zejneli
Shqipja e shkruar dokumentohet që nga
shekulli XIV me alfabetin latin. shkronja cirilike. Po
këtë alfabet, të plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën
edhe shkrimtarët arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej
si gjuhë e kishës ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke.
Nën trysninë e islamizmit dhe të pushtuesve
osmanë, në shkrimin e shqipes, që nga fillimi i shekullit XVIII, u përdor
edhe alfabeti turko-arab. Më të u shkruan
krijimet letrare të bejtexhinjve.
Me fjalë të tjera, me alfabet
latin janë shkruar dokumentet e para në gjuhën shqipe:
- Formula e pagëzimit, 1462;
dhe
- Fjalorthi i Arnold fon Harfit, 1496)
Dëshmia e parë me alfabet
grek është Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja
e Ungjillit, i shkruar në dialektin jugor të shqipes, në një
fletë karte, të gjetur në një kodik të shekullit XIV.
Ka që thonë se ky shkrim i përket
fundit të shekullit XV ose fillimit të shekullit XVI.
Libri i parë në gjuhën shqipe, Meshari
i Gjon Buzukut i vitit 1555 dhe tekste të tjera të
shekullit XVII dhe të gjysmës së parë të shekullit XVIII janë shkruar me alfabet
latin,plotësuar me disa shkronja cirilike. Në shekullin
XVIII autorët e letërsisë së bejtexhinjve përdorën alfabetin turko-arab.
Për shkrimin e shqipes, për të vënë
në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u ndoq edhe një rrugë
tjetër - ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta. Nga
shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të
tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës
shqipe Teodor Haxhifilipit (rreth vitit
1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi
i të cilit pati njëfarë përhapjeje.
Në një frymë të re, thellësisht
kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të
shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare
Shqiptare, mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës
shqipe Naum Veqilharxhi (Naum Bredhi,
1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë punën për
një alfabet të tijin me 33 shkronja. Më
1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej tetë faqesh.
Ky libër i vogël me titull Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar
shqip, u shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në
vitin 1845, në një botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me
titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.
Përpjekje të mëtejshme për caktimin e
një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë në vitet ’60 të shekullit
XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe veprimtarësh të shquar të
Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895)
- lëvrues dhe studiues i dalluar i gjuhës shqipe; Pashko Vasa (1825-1892) - veprimtar
i arsimit dhe i kulturës, poet dhe publicist patriot; Hasan
Tahsini (1811-1881) - atdhetar i madh, filozof dhe mendimtar i
shquar në fusha të ndryshme të diturisë; Jani Vreto (1822-1900)
- atdhetar dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904)
- dijetar i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog
kryesor i Lëvizjes kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me
sukses në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878).
Në fillim të vitit 1879 u pranua
alfabeti i parashtruar nga Sami Frashëri, i bazuar në parimin “një
tingull me një germë dhe një germë për një tingull”. Ky alfabet, i
njohur me emrin “alfabeti i Stambollit”, u mbështet në alfabetin
latin, duke u plotësuar me disa shkronja
greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë
shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte
alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.
Nga fundi i shekullit XIX dhe në
fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti i
shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime – e
përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës, që
botohej në Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me
shkrimet e saj, kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen
e alfabetit të përbashkët, të vendosur në Kongresin e Manastirit më 1908.
Kur numri i botimeve shqipe u shtua,
ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet teknike dhe arsye të tjera
bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme. Gjithnjë e
më shumë u përdor alfabeti thjesht latin në variante të ndryshme,
duke u plotësuar shkronjat e tij me diagrame (dyshkronjësha) ose
me shenja diakritike (ç, ë). Numri i alfabeteve të
përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar.
* * *
Shumë nacionalistë shqiptarë ushqyen
besim te lëvizja e xhonturqve, e cila do të shpinte në revolucionin
e korrikut të vitit 1908 dhe pas një viti, në përmbysjen e Sulltan Abdylhamidit
II. Edhe shqiptarët luajtën një rol me rëndësi në revolucionin e
xhonturqve, i cili e përshpejtoi fundin e kësaj periudhe të stagnimit të
përgjithshëm, e që më 23.07.1908 i dha Perandorisë kushtetutë, ndërsa
qytetarëve - kinse barazi. Por shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te
xhonturqit, u shuan shpejt. U bë e qartë se administrata e re ishte po aq
centraliste sa edhe e vjetra, në mos dhe më shumë. Shqiptarët nuk do të
bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk që po përhapej nëpër Evropë.
Dervish Hima thoshte se “shqiptarët nuk janë tjetër
veçse shqiptarë dhe nuk do ta ndjejnë veten të kënaqur veçse kur të jenë të
lirë në një Shqipëri të lirë, si një pjesë e një konfederate shtetesh të
pavarura ballkanike nën suzerenitetin e Sulltanit (Archives du Ministère des
Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht 1908, dhe Pinon 1909, f. 813).
Ndërsa shpresat për autonomi nuk
po fuqizoheshin, shqiptarët arritën të përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe
nga liberalizimi relativ në çështjet kulturore. Ngritën
shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan gazeta në këtë gjuhë si dhe klube
patriotike. Por, rrethi tragjik i shtypjes dhe i kryengritjeve të përgjakshme
vazhdonte.
*
* *
Po në këtë kohë, prej 14 deri
më 22 nëntor 1908 u mblodh Kongresi i Manastirit, për
të shqyrtuar në atë fazë disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes
Kombëtare, në radhë të parë për të zgjidhur çështjen e alfabetit
të gjuhës shqipe, njësimi i të cilit ishte bërë një problem
i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor dhe një kërkesë e ngutshme e
Lëvizjes Kombëtare.
Nismëtar i thirrjes së këtij kongresi
kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit, ishte
klubi “Bashkimi” i Manastirit. Organizimi i kongresit të alfabetit u
propagandua nga Mit’hat Frashëri në revistën e tij “Liria”.
Në një artikull të botuar në të, midis tjerash ai shkruan: “...ardhi një
ditë e pëlqyer për istorinë tonë, që të nisim liruar' e pa pengim të punojmë
për mbrodhësin' e lumturin' e kombit tonë, jo me barut edhe me armë, po me
kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë lipsetë të jetë fillim, që pa
atë nuk do mundim të arrijmë qëllimetë tona të lartëra për mbrodhësi të
gjuhësë”.
Kongresi u mbajt në shtëpinë e Femi
Zavallanit. Në Kongres morën pjesë 50
delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare - të
pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare në vende të
ndryshme, shkrimtarë e gazetarë, lëvrues të gjuhës dhe mësues të shqipes,
veprimtarë të njohur të lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare. Por, numri i
përgjithshëm i të pranishmëve ishte 160.
Për të studiuar çështjen e
alfabetit dhe për të dalë me propozime, kongresi zgjodhi një komision prej 11
anëtarësh, të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve
kryesore që ishin në përdorim. Në komision bënin pjesë Gjergj
Fishta, Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Mit’hat Frashëri, Shahin Kolonja, Dhimitër
Buda, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka.
Komisioni njëmbëdhjetë anëtarësh
kryesohej nga Gjergj Fishta dhe kishte për detyrë të studionte çështjen
e alfabetit dhe të dilte me propozime. Kongresin e drejtoi biri i Abdyl
Frashërit – Mit’hat Frashëri.
Ndër pjesëmarrësit e shquar ishin edhe
Petro Nini Luarasi, Mati Logoreci, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Sotir
Peci, familja Qiriazi etj. Fishta, Mjeda, Mati Logoreci, Luigj
Gurakuqi dhe Hilë Mosi vinin nga Shkodra. Shahin Kolonja dhe Petro Nini
Luarasi – nga Kolonja. Thoma Avrami – nga Korça. Bajo Topulli dhe familja
Qiriazi – nga Manastiri. Sotir Peci – nga Bostoni.
U arrit menjëherë mendimi i
përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej, kryesorja të
ruhej uniteti kombëtar. Këtë ide Fishta e shprehu duke thënë: “...sado
që jam dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s’kam ardhurë për të mprojtur atë
abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.
Tre alfabetet kryesore që u morën në
shqyrtim qenë:
- alfabeti i “Agimit”,
i shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, i propozuar nga Ndre
Mjeda;
- alfabeti i
Bashkimit, i shoqërisë letrare “Bashkimi” të
Shkodrës, i hartuar nga Prenk Doçi; dhe
- alfabeti i Stambollit,
i hartuar nga Sami Frashëri.
Kishte shqiptarë, kryesisht të
jugut, të cilët parapëlqenin alfabetin tradicional të Stambollit.
Shqiptarët e veriut ndërkaq, pëlqenin alfabetin e “Bashkimit” të
Shkodrës, i cili ishte më praktik për botime, ngase nuk kishte
shkronja jolatine.
Në kongres u shqyrtuan gjithashtu
edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek, i përhapur për përdorim
të shqipes nga Konstandin Kristoforidhi dhe alfabeti
arab, të cilin një numër i caktuar i myslimanëve, sidomos në Maqedoni dhe
në Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen zgjidhje edhe për një kohë të
caktuar pas kongresit.
Një prej tyre që përkrahu alfabetin
arab ishte edhe veprimtari i lëvizjes kombëtare, kleriku Rexhep
Voka (Shipkovicë, Tetovë 1847 - Stamboll 1917). Ai u
përfshi në lëvizjen për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e trojeve etnike
shqiptare, për mësimin e shqipes dhe për përhapjen e diturisë, si rrugë e
emancipimit kombëtar të shqiptarëve. Në vitin 1903 ishte myfti i vilajetit të
Manastirit. Përkrahu idenë e shkrimit të shqipes me alfabet arab, gjë
që u kundërshtua nga veprimtarët e Rilindjes. Me këtë alfabet botoi dhe një
abetare (“Elifbaja shqipe”, 1910) dhe një libër mësimi
të shqipes e të normave të fesë islame (“Mendime”, 1911).
Pas disa ditësh të përshkuara me
diskutime dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga mbarë Shqipëria,
me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni vendosi t’i
pranojë variantet e modifikuara:
- të alfabetit të “Bashkimit”; dhe
- të alfabetit të Stambollit.
Tani, në shkolla dhe në botime mund
të përdoreshin të dy alfabetet. Megjithëkëtë, pranimi nga të gjithë, i vendimit
të Komisionit do të donte ende kohë. Pra, pas mjaft diskutimesh u krijua
një alfabet i ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin,
shkronjat e të cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha, d.m.th.
diagrame (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja
me shenja diakritike (ç, ë). Në
fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të lejohej përdorimi, si i alfabetit
të Stambollit, që kishte një përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe
i alfabetit të ri. Dy alfabetet ndryshonin vetëm në shtatë
shkronja.
Vendimet e kongresit që ishin
kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për afrim e
njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit
dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Brenda pak vitesh, alfabeti i
shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës i miratuar nga Kongresi i Manastirit,
fitoi epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit
ishte një hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe
të gjuhës letrare shqipe.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të
madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin dhe
për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. Gjatë
ditëve të kongresit u organizuan takime të veçanta dhe mbledhje të mbyllura me
delegatët, ku u rrahën çështje të mprehta politike.
Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për të
përcaktuar platformën politike të përbashkët të
organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
U hartua edhe një program
kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej 18 pikash,
që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës, për ta
paraqitur në emër të shqiptarëve - në parlamentin osman.
Kongresi i Manastirit e ngriti
lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Për të janë bërë botime të
posaçme, si përmbledhja “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”
(1972) dhe studimi “Kongresi i Manastirit” (2004) nga
Shaban Demiraj dhe Kristaq Prifti.
Përcaktimi i kombit
shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi politike të
jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se
shqiptarët janë një popull evropian - pjesë e pandarë e qytetërimit
perëndimor. Kongresi i Manastirit i priu shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,
gjë që ndodhi katër vjet më vonë.
Çështja e alfabetit qe një temë
politike e diskutuar gjatë Rilindjes, e kështu do të mbetej edhe
për disa vjet me radhë, përkatësisht deri në vitin 1908. Me vendimin për të
mbështetur një zgjidhje kompromisi, Kongresi shtroi rrugën për një
kalim shkallëzor nga alfabeti i Stambollit te alfabeti i
tanishëm i shqipes, i bazuar në shkronja latine, si dhe arriti të
mënjanojë mjaft polemika dhe kundërshtime në vitet e mëvonshme.
Ndonëse një gjuhë
letrare, me një drejtshkrim përfundimtar
për të gjithë leksikun u vendos jo më parë se në vitin 1972 në Kongresin
e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë prej 20 deri
më 25 nëntor 1972, vendimet e miratuara 64 vjet më herët në Kongresin e
Manastirit, e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në
fushën e botimeve dhe ndihmuan në ecjen përpara të një letërsie shqiptare
më të njësuar.
Vitet e fundit,
shqiptarët rregullisht e kremtojnë përvjetorin e Kongresit të
Manastirit. Por, ata nuk duhet të harrojnë se qyteti i
alfabetit - Manastiri historik, i cili dikur ka qenë qytet i
banuar kryesisht me shqiptarë, sot është zbrazur në përmasa
frikësuese, saqë është bërë vështirë të jesh shqiptar në këtë qytet.
Pushteti sllavo-maqedonas, që nga viti 1945 e këndej ka bërë çmos për t’i
privuar shqiptarët e Manastirit nga arsimimi në gjuhën amtare, nga e drejta për
t’u punësuar dhe për të ushtruar çfarëdo veprimtarie ekonomike. Ndaj
tyre është ndjekur politika e gjenocidit dhe e aparteidit
të heshtur. Të getoizuar, të margjinalizuar dhe të privuar nga çdo
e drejtë kombëtare dhe njerëzore themelore, shqiptarët e Manastirit u detyruan
t’i marrin rrugët e migrimit, përtej deteve dhe oqeaneve, deri në ShBA,
Australi, Zelandë të Re dhe Kanada, për të mos u kthyer kurrë më.
Vitet e fundit, shqiptarët e festojnë
rregullisht përvjetorin e alfabetit, duke harruar se ndërtesa ku u mbajt
kongresi historik, është sulmuar nga persona të panjohur, madje jo një herë.
Sulmuesit nuk duket të jenë vandalistë të rëndomtë. Qeveria sllavo-maqedonase
në të cilën bën pjesë edhe faktori politik shqiptar, kurrë nuk
arriti t’i zbulojë sulmuesit e shtëpisë së alfabetit.
Shqiptarët është mirë t’i shënojnë
datat e rëndësishme të historisë së tyre, por pa i mitizuar ato. Shqiptarët nuk
duhet ta mitizojnë, as hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë
të themeluar më 1887 dhe as Kongresin e Manastirit që ndryshe quhet edhe
Kongres i alfabetit.
Nga mesi i shekullit XIX, popuj të
caktuar të gadishullit i hartuan projektet e veta kombëtare. Shqiptarët
ndërkaq, të gjendur nën sundimin osman, ia dolën të botojnë jo më shumë se një
abetare prej tetë faqesh – “Ëvetari” (1844) i Naum Veqilharxhit.
Derisa shqiptarët përpiqeshin t’i kapërcenin pengesat që ua krijonin
autoritetet e Portës së Lartë për të themeluar shkollë fillore me mësim në
gjuhën amtare, në këtë periudhë, disa prej fqinjëve ballkanikë kishin
themeluar universitete dhe institucione të tjera
shkencore dhe arsimore.
Kroatët nuk janë popull ballkanik dhe
nuk kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, por të
Austro-Hungarisë. Ky popull që kufizohet me Gadishullin Ballkanik,
universitetin e vet e ka themeluar qysh në mbarim të shekullit XVII,
përkatësisht më 23 shtator 1669.
Çdo popull, shkaqet e vonimit, duhet
t’i kërkojë në radhë të parë në vetvete, e pastaj jashtë vetes.