Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: I madh e i vogël, në këmbë për Shqipërinë
E hene, 02.12.2019, 10:30 PM
SHQIPËRIA – TËRMETI VDEKJEPRURËS
I madh e i vogël, në këmbë për Shqipërinë
Një gjuhë e një racë
Një flamur e një gjak
Nga Xhelal
Zejneli
Fatkeqësia natyrore – tërmeti, që e goditi Shqipërinë, ishte tmerrshëm.
Kudo u panë skena apokaliptike. Flamuri i Gjergj Kastriotit, si rrallë
në historinë politike të kohës më të re, në hapësirat e NATO-s
valoi hijerëndë, në gjysmë shtize.
Që në çastin e goditjes, qeveria shqiptare u vu në veprim me të gjitha
potencialet që i kishte në dispozicion. Ishte në krye të detyrës.
Konfliktet politike midis partisë në pushtet, në një anë dhe opozitës, në
anën tjetër, gjatë ditëve tragjike u lanë mënjanë.
Kryetari i Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama si dhe shefi i
opozitës, Lulzim Basha treguan se asnjë interes personal, konjuktural apo
partiak nuk është përmbi interesin e shtetit apo të kombit.
Tërmeti katastrofik goditi me tërë forcën e vet dy ditë para festës së
madhe të Pavarësisë. Megjithëkëtë, kryetari I. Meta dhe kryeministri E. Rama,
të bërë bashkë, Ditën e Flamurit nuk e lanë pa e shënuar, qoftë edhe
simbolikisht.
Si gjithmonë gjatë zezonave, edhe në rastin e kësaj goditjeje tmerruese, shqiptarët
reaguan si një komb. Tragjedinë e përjetuan me dhimbje të thellë.
U ngritën në këmbë: Shqipëria, Kosova, Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc,
Medvegjë), shqiptarët në Maqedoni, shqiptarët në Mal të Zi, çamët, diaspora
shqiptare në ShBA dhe në Evropë.
Çdo individ, çdo fshat dhe çdo qytet shqiptar në rajon dhe në diasporë
treguan një ndjenjë të thellë solidariteti.
U solidarizuan, aq sa mundën dhe aq sa ditën: nxënës, studentë, mësues,
arsimtarë, profesorë, pedagogë, vajza e djem, gra e burra, të rinj e pleq,
shoqata joqeveritare, shoqata të bamirësisë, bujq, blegtorë, zejtarë,
intelektualë, politikanë, organet e pushtetit vendor të të gjitha hapësirave
shqiptare në Ballkan.
U mobilizuan në shkallë kombi shkollat fillore, shkollat e mesme,
universitetet.
Solidaritet në shkallë kombi treguan edhe spitalet, mjekët, infermierët,
farmacistët.
U solidarizua edhe bota e sportit: sportistët, klubet sportive të të gjitha
niveleve.
Reaguan përnjëherë edhe yjet e estradës muzikore, artistë, këngëtarë me
famë në shkallë kombi si dhe yjet shqiptare me famë botërore.
Të gjitha mediumet, në shkallë kombi – gazetat ditore, studiot televizive,
radiostacionet, mediumet elektronike, portalet – pandërprerë e njoftuan
publikun me të gjitha ndodhitë që ndërlidheshin me dramën tragjike.
Për t’i dërguar ndihmat e grumbulluara në zonat e goditura, u vunë në
veprim pronarët e mjeteve të transportit.
Nga të gjitha trojet etnike, u dërguan ndihma: mjete monetare, artikuj
ushqimorë, barna apo medikamente,
produkte higjienike, veshmbathje, shtretër, ndërresa shtretërish, batanije,
rekuizita gjumi etj.
Shumë hotele, në shkallë kombi, në hapësirat hoteliere të tyre i strehuan
qytetarët të mbetur nën qiell të hapur.
Shumë qytetarë të trojeve etnike i çelën dyert e shtëpive dhe i strehuan të
mbeturit pa kulm mbi kokë.
Si gjithmonë, edhe këtë herë u solidarizua edhe bota e biznesit në
Shqipëri, në Kosovë në Maqedoni dhe në diasporë – Shefqet Kastrati, Lazim
Destani, Bexhet Pacolli etj. Ky varg është i gjatë. Mirënjohje e madhe dhe
respekt i thellë për të gjithë të tjerët që nuk arrijmë t’i përmendim.
Në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe kudo ku ka shqiptar në rruzullin
tokësor, gjatë ditëve të zisë, ora e historisë u ndal. Me shpirtin dhe mendjen
kah Shqipëria, u ndalën të gjitha ceremonitë, përfshi edhe dasmat martesore.
Si gjithmonë, edhe këtë herë, Kosova tregoi se është zemra e
shqiptarisë.
Ushtria heroike e Kosovës, orët e para të dridhjeve
apokaliptike, u vu në vijën e parë të frontit të përballimit me gjëmën.
Edhe gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999
kundër pushtuesve serbë, shqiptarët vepruan si një komb i bashkuar. Në
Shqipëri, nga jugu në veri, u strehuan 600.000 shqiptarë të Kosovës, ndërsa në
Maqedoni, 360.000.
I tërë kombi shqiptar ndjen dhimbje të thellë për 51 personat q humbën jetën
nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
I tërë kombi shqiptar i trimëron të lënduarit që ndodhen të shtrirë
nëpër spitale që ta marrin veten sa më parë.
* * *
Që në çastin e goditjes së fuqishme, ndërhynë me ekipet profesionale të
shpëtimit të gjitha shtetet e rajonit, shtetet e Bashkimit Evropian, shtete
të Evropës Lindore si dhe shtete nga shumë vende të tjera të botës. Ata
punuan me vetëmohim. Kombi shqiptar u është mirënjohës.
Autoritetet amerikane thanë: “... si gjithmonë gjatë historisë, edhe
këtë herë, ShBA-ja është pranë Shqipërisë, pranë shqiptarëve...”
* * *
Në situata të këtilla ndodhin edhe lëshime, gabime dhe abuzime.
Në situata të këtilla, të gjitha punët mbase është më mirë që të gjitha
veprimet të bashkërendohen nga një qendër. Kjo duhet të jetë qendër
shtetërore.
Edhe pse roli i individit, i shoqatave joqeveritare apo i shoqatave
bamirëse është i jashtëzakonshëm, megjithëkëtë në situata të këtilla duhet
vepruar si shtet dhe jo si kryetar shteti, si kryeministër, si shef i opozitës
apo si kryeministër që pritet ta marrë detyrën.
Në situata të këtilla, duhet të jetë më i organizuar:
- grumbullimi i ndihmave;
- seleksionimi dhe sistemimi i ndihmave;
- transporti dhe dërgimi i ndihmave;
- dorëzimi dhe shpërndarja e ndihmave.
Shtabet e krizës apo të emergjencës duhet t’i krijojë shteti apo pushteti
vendor.
Çdo shqiptar ka dashur dhe dëshiron të solidarizohet. Kjo është një ndjenjë
e jashtëzakonshme që meriton mirënjohje dhe respekt të thellë. Megjithëkëtë,
mbase është më mirë që ndihmat të dërgohen në marrëveshje me autoritet e
Tiranës. Autoritetet e Shqipërisë duhet ta dinë më mirë se çfarë ndihme
duhet dërguar, në çfarë sasie, me çfarë dinamike dhe në çfarë intervali kohor.
Dërgimi i paorganizuar i ndihmave, i çfarëdo ndihme qoftë, mund ta
ndërlikojë punën e autoriteteve të Tiranës. Ambasadori i Kinës pyeti: “Na
tregoni se ç’është prioritare që t’jua dërgojmë menjëherë?”
Në situata të tilla nevojiten kryesisht: ndihma monetare, artikuj
ushqimorë, barna apo medikamente, preparate higjienike, shtretër, ndërresa
shtretërish, tenda, veshmbathje, mundësisht të reja.
Nuk duhet harruar se ndihma nga këto të sipërthënat kanë dërguar dhe
dërgojnë – në mënyrë të organizuar dhe të planifikuar - edhe shtetet e botës.
Shtetet e botës dërgojnë edhe ekspertë të sizmologjisë, inxhinierë ndërtimi,
arkitektë etj.
* * *
Konfliktet politike në botën
shqiptare janë të një intensiteti të lartë, si në asnjë vend tjetër të
rajonit.
Bota shqiptare duhet t’i kushtojë rëndësi parësore kodit etik.
Shthurja morale e individit apo e grupit të caktuar, s’është në dobi të kombit.
* * *
Shqiptarët në të gjitha trojet etnike duhet t’i kushtojnë rëndësi planit
urbanistik. Duhet t’u jepet fund ndërtimeve pa leje, ndërtimeve pa kritere
arkitekturore dhe mbindërtimeve. Zonat e goditura nga tërmeti shkatërrimtar
janë rajone sizmike. Rrjedhimisht, edhe ndërtimet në këto zona duhet të jenë
sipas standardeve që u përgjigjen ndërtimeve në zonat sizmike.
S’ka qytet në botën shqiptare ku nuk ka ndërtime në kundërshti me planin
urbanistik. S’ka qytet në hapësirat shqiptare ku nuk janë bërë abuzime gjatë
ndërtimeve, ku nuk janë bërë ndërtime shtesë apo mbindërtime. Të gjitha këto
farë ndërtimesh janë bërë në kundërshti me kriteret, normat dhe standardet
arkitekturore. Një ndërtese, të ndërtuar një herë, nuk mund t’i ngulet as edhe
një gozhdë e vetme, e jo më t’i shtohen asaj edhe katër-pesë kate të tjera.
Përgjegjësi për kaosin ndërtimor e mban pushteti vendor, pushteti qendror,
biznesmenët, projektuesit, inxhinierët e ndërtimit, arkitektët. Në situata të
tilla vihet në qarkullim ryshfeti, mita, korrupsioni. Pasojat e këtij kaosi
dikush e paguan me jetë. E paguajnë me jetë familje të tëra. Pasojat i vuan,
për një kohë të gjatë, i tërë një komb.
* * *
Për t’i kapërcyer pasojat e tërmetit shkatërrues dhe vdekjeprurës dhe për
ta rikthyer jetën normale në zonat e goditura, duhet shpresuar se bashkësia
ndërkombëtare do të solidarizohet në mënyrë konkrete me ndihma financiare të
duhura. Kombi shqiptar do t’i jetë mirënjohëse botës.
Çdo shqiptar, në Ballkan dhe në diasporë, duhet të
vazhdojë të ndihmojë me mjete monetare. Për të ndihmuar, duhet të heqësh dorë
nga një shpenzim i caktuar që nuk është aq i domosdoshëm. Pa e privuar veten
nga një dëshirë e caktuar, nuk mund të ndihmosh.