Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Doruntina dhe zvarritja e formimit të qeverisë
E merkure, 01.01.2020, 03:01 PM
DORUNTINA DHE ZVARRITJA E FORMIMIT TË QEVERISË
Nga
Xhelal Zejneli
Nga dita e zgjedhjeve të
mbajtura në Kosovë kanë kaluar rreth tre muaj. Që atëherë, qeveria ende nuk
është formuar. Rezultatet e zgjedhjeve, në një pjesë të shoqërisë u pritën me
entuziazëm. Zvarritja e formimit të qeverisë duket sikur e ka zbehur
entuziazmin. Arsyetimet për prolongimin e formimit të qeverisë duken jobindëse,
për të mos thënë – banale.
Fituesi i zgjedhjeve të 6
tetorit të vitit në vazhdim duhet të tregojë respekt ndaj institucioneve të
shtetit që do të duhet t’i trashëgojë dhe t’i administrojë. Duhet të tregojë
konsideratë:
- ndaj institucionit të
Presidencës të Republikës së Kosovës;
- ndaj institucionit të
Kuvendit të Republikës së Kosovës;
- ndaj institucionit të
Kryeministrisë së Republikës së Kosovës;
- ndaj dikastereve të qeverisë së Republikës së
Kosovës;
- ndaj organeve dhe autoriteteve
të pushtetit vendor.
Fituesi i zgjedhjeve duhet
t’i ketë parasysh:
- marrëdhëniet ndërmjet
Shqipërisë dhe Kosovës;
- marrëdhëniet ndërmjet
Kosovës dhe ShBA-së;
- marrëdhëniet ndërmjet
Kosovës dhe aleatëve perëndimorë të saj; dhe
- interesat strategjikë të
aleatëve perëndimorë në rajon.
Me një fjalë, zvarritja e
formimit të qeverisë është në kundërshti me interesat e ndërsjellë të Kosovës,
të Shqipërisë, të ShBA-së dhe të aleatëve perëndimorë të tjerë.
Fituesi i zgjedhjeve duhet
të tregojë konsideratë ndaj:
- opinioneve të analistëve
politikë apo të ndërtuesve të mendimit kritik;
- opinioneve të kritikëve
shoqërorë; dhe
- mediumeve publike dhe
atyre private.
Fituesi i zgjedhjeve duhet
të ketë parasysh:
- situatën ekonomike të
Kosovës; dhe
- mungesën e investimeve të
huaja në Kosovë.
Fituesi i zgjedhjeve duhet
t’i ketë parasysh problemet me të cila ballafaqohet Kosova, sikundër janë:
problemet ekonomie, sociale, infrastrukturore, problemet në arsim, në
shëndetësi, papunësia, shpërngulja e të rinjve, ikja e trurit, shpërngulja e
popullatës për në vendet e Perëndimit etj.
Kosovës i duhet qeveri në
mënyrë që qeveritarët e rinj të mund t’i përkushtohen sa më parë:
- punës për sjelljen e
investimeve nga jashtë;
- përmirësimit të cilësisë
në arsim;
- përmirësimit të cilësisë
në shëndetësi;
- përmirësimit të kushteve
të jetesës;
- uljes së papunësisë;
- reduktimit të dyndjes së
popullsisë drejt Perëndimit;
- luftimit të nepotizmit;
- luftimit të korrupsionit
në nivelet e larta të pushtetit qendror apo atij vendor; dhe
- reduktimit të administratës
në suazat që e kërkojnë standardet perëndimore.
Në rrethana të sipërthëna zvarritja
e formimit të qeverisë nuk është veçse një luks. Fituesi i zgjedhjeve
duhet të dijë se qeveria e përtashme që është në pritje të qeverisë së re, nuk
ka motiv apo energji të mjaftueshme për t’u ballafaquar me problemet e
sipërthëna. Me vetë faktin se qeveria e përtashme e pret largimin e vet, ajo
vetvetiu nuk mund të manifestojë kapacitet qeverisës të mjaftueshëm. Në një
fare mënyrë, aktualisht në Kosovë kemi një zbrazësi qeverisjeje. Një shtet me
një mori problemesh ekonomie dhe sociale siç është Kosova, nuk mund të
përballojë një vakum të këtillë qeverisjeje.
Zvarritja e krijimit të
qeverisë së Kosovës reflektohet negativisht edhe në prestigjin e Kosovës
në skenën ndërkombëtare. Qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes -
Uashingtoni dhe Brukseli do të thonë se udhëheqësit politikë të Kosovës nuk
manifestojnë kapacitet politik të duhur për të qeverisur. Zvarritja e krijimit
të qeverisë mund të jetë zhgënjyese për perëndimorët.
Nuk duhet harruar se armiqtë
historikë të shqiptarëve – serbët, janë të prirë të thonë se shqiptarët janë
popull joshtetformues, d.m.th. popull pa aftësi shtetformuese.
* * *
Elektorati i Kosovës është i
ndarë. Në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit të viti 2019, qytetarët votuan:
- për Lëvizjen Vetëvendosje;
- për Lidhjen Demokratike të
Kosovës;
- për Partinë Demokratike të
Kosovës;
- për bashkëlidhjen AAK-PSD;
- për bashkëlidhjen
Nisma-AKR-PD etj.
Dy partitë politike –
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që tentojnë të krijojnë
qeverinë e ardhshme të Kosovës, bashkërisht kanë më pak se 50% të votave të
votuesve të Kosovës. Çdonjëra prej tyre e ka fituar besimin e vetëm një
të katërtës së votuesve. Prej 120 deputetëve sa ka Kuvendi i Republikës
së Kosovës, që të dyja bashkë kanë 57 deputetë.
Shpërndarja e këtillë e votave në pesë partitë politike të
sipërthëna, asnjërës prej tyre nuk i jep hapësirë që të sillet me arrogancë
apo me megalomani. Kosova nuk është pronë e asnjë subjekti
politik. Është shtet i qytetarëve të saj – i shqiptarëve si trashëgues të
shtetësisë dhe si mbartës të shtetësisë si dhe i minoriteteve të saj.
Zvarritjen e formimit të
qeverisë dikush do ta interpretonte si paaftësi të fituesve të zgjedhjeve
për t’u përballuar me problemet që rëndojnë mbi Kosovën.
Në një Kosovë në të cilën
qytetarët e kryeqytetit qëllon të rijnë me orë të tëra pa rrymë, zvarritja e
formimit të qeverisë është papërgjegjësi totale.
Në një Kosovë, e cila në
vlerësimin ndërkombëtar të njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare – testi
PISSA, vazhdimisht renditet e fundit apo e parafundit në botë, zvarritja e
formimit të qeverisë është e patolerueshme. Në një Kosovë në të cilën diku
rreth 77% e fëmijëve të moshës 15-vjeçare nuk e kuptojnë atë që e lexojnë,
vonesat e këtij lloji janë bizare, groteske, për të
mos thënë edhe absurde.
Arsyetimet e llojit: Nuk
mund të merremi vesh për postin e kryetarit të shtetit, janë absolutisht të
pabaza. Aq më tepër kur dihet se kryetari i Kosovës, si shumë kryetarë të tjerë
të botës, nuk ka ndonjë pushtet të madh apo ingjerencë politike të madhe. Ka
raste kur roli i kryetarit të shtetit më tepër është protokollar sesa politik.
Kryetari i shtetit çon peshë në vendet me sistem presidencial, siç
janë ShBA-ja dhe Franca. Në ato vende shumëçka është në duart e Presidentit
Tramp apo të Presidentit Makron.
Për të arritur marrëveshje
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk nevojiten tre muaj.
Mjaftojnë dy-tri javë. O arrijnë marrëveshje, o nuk arrijnë. Politika është
mjeshtri e së mundshmes apo art i së mundshmes. Politika nuk është inat
dhe papërgjegjësi. Politika nuk është mendjemadhësi, arrogancë
apo megalomani. Politika e shtetit dhe interesi shtetëror nuk
durojnë animozitet midis politikanëve. Asnjë mungesë nuk është më
e rëndësishme sesa ftesa e Kryetarit të Kosovës për t’ia dhënë fituesit të
zgjedhjeve mandatin e formimit të qeverisë. Mënyra sesi i është dërguar ftesa
mandatarit të ri, as që vlen të diskutohet.
Zgjedhjet e 6 tetorit u
mbajtën sipas standardeve perëndimore. Kishte të tillë që thanë se Kosova është
shembull sesi duhet të organizohen zgjedhjet në një shtet të botës. Prolongimi
i formimit të qeverisë i hedh hije vlerësimit superlativ të ndërkombëtarëve për
zgjedhjet e 6 tetorit.
* * *
Kur midis dy a më tepër
subjekteve politike nuk arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë
kërkohen rrugë politike tjetërore. Një prej mundësive janë edhe zgjedhjet
parlamentare të reja. Kjo do të ishte rruga më e keqe, më e panevojshme
dhe më e kushtueshme. Humbje kohe dhe harxhim shtesë i energjive.
Në rast zgjedhjesh të reja,
pavarësisht nga ç’tregojnë pyetësorë të caktuar, rezultatet do të ishin
po këto. Madje mund të ndodhë që rezultatet të jenë në disfavor të
LVV-së dhe të LDK-së. Qytetarët e Kosovës janë të lodhur nga pritja. Deri
kur Estragoni do të presë Godonë?! Kosova
nuk është sa një Indi që të mos mund të formojë qeveri as për tre muaj.
Qeveria e re duhet të
formohet sa më parë në mënyrë që diplomacia e Kosovës të zhvillojë një
veprimtari dinamike për t’ia bërë me dije botës se Kosova është shtet
demokratik dhe faktor stabiliteti në rajon.
Çdo
politikan i Kosovës duhet ta ketë parasysh faktin që në asnjë mënyrë dhe në
asnjë rrethanë të mos e zhgënjejë ShBA-në. Ndryshe, na mori uji.
Të gjithë e dimë se ç’dramë
tragjike shkaktoi arritja me vonesë e Doruntinës.