Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Anton Pashku - Romani psikologjik
E diele, 03.05.2020, 07:28 PM
ANTON PASHKU – ROMANI PSIKOLOGJIK
Nga Xhelal
Zejneli
Anton Pashku (1937-1995) është shkrimtar që nuk
synon masat e gjera të publikut, por lexuesin e shkolluar që pëlqen shkrimet hermetike
dhe imtësitë e analizës së karakterit në romanet psikologjike.
Shtypja e egër politike mbi brezin e parë të prozatorëve në fund të viteve ’50,
e bëri të tërhiqet nga shtrati kryesor i krijimtarisë letrare dhe të krijojë
një botë hermetike të vetën. Lindi në Grazhdanik afër Prizrenit në një familje
fshatare të malësisë së Hasit.
Tregimet, romanet dhe pjesët teatrore eksperimentale të Pashkut dëshmojnë
afri me veprat e prozatorit anglez Xhorxh Oruell (George Orwell, emri i
vërtetë Eric Blair, 1903-1950), të prozatorit austriak me prejardhje hebraike Franc
Kafka (Franz Kafka, 1883-1924) dhe të tregimtarit, eseistit e dramaturgut
austriak Robert Musil (Robart Musil, 1880-1942).
Krijimet letrare kryesore të Pashkut janë hermetike.
Hermetizmi nënkupton shkallën e ulët të komunikimit në veprën letrare. Kjo u bë
karakteristikë e një pjese të madhe të letërsisë bashkëkohore. Në radhë të parë
ndërlidhet me poezinë lirike të parnasistëve, të dekadentëve dhe të
simbolistëve të shekullit XIX.
* * *
Poezi hermetike krijuan: poeti francez i cili i takon rrethit të ngushtë të
simbolistëve Artyr Rembo (Arthur Rimbaud, 1854-1891); simbolisti francez
Stefan Malarme (Stéphane Mallarmé, 1842-1898) si
dhe poeti e eseisti francez, përfaqësues i njohur hermetizmit Pol valeri (Paul
Valery, 1871-1945).
Letërsi hermetike krijuan edhe: poeti dhe prozatori italian Masimo Bontempeli
(Massimo Bontempelli, 1878-1960); poeti italian Euxhenio Montale (Eugenio
Montale, 1896-1981); liriku italian që solli në italisht Shekspirin -
Xhuzepe Ungareti (Giuseppe Ungaretti, 1888-1970) dhe njëri ndër
përfaqësuesit më të rëndësishëm të poezisë hermetike italiane, i cili përktheu
në italisht poetët antikë grekë e latinë, Shekspirin, Molierin, Pablo Nerudën -
Salvatore Kuazimodo (Salvatore Quasimodo, 1901-1968).
* * *
Anton Pashku renditet ndër stilistët më të mirë në letërsinë shqiptare.
Vepra e tij zuri vend në krye të panteonit letrar kombëtar. Krijimet e tij janë
studime të holla dhe mjeshtërore të njeriut, që nga lexuesi i thjeshtë kërkojnë
durim.
Tregimet e para: “Në stuhi” dhe “Klithma” i botoi në vitin
1957. Është koha e aksionit famëkeq të UDB-së për mbledhjen e armëve në Kosovë.
Ai që s’kishte armë për të dorëzuar, duhej ta nxirrte një të tillë, qoftë edhe
nëntoka. Ndryshe, i nënshtrohej dhunës policore serbe. Si pasojë e këtij
aksioni, qindra mijë shqiptarë u shpërngulën dhunshëm për në Anadolli. Krimi
serb mbi shqiptarët e pambrojtur paraqiste shqetësim të madh për Pashkun. Si
çdo art i madh, edhe arti i tij, krimin serb në Kosovë do ta stigmatizojë në
shkallë universale. Për të qenë i pakapshëm për censurën antishqiptare,
në shkrimet e veta përdori edhe stilin hermetik.
VEPRAT: Ndër botime të tij përmenden:
përmbledhjet me tregime “Tregime” (1961), “Një pjesë e lindjes”
(1965), “Kulla” (1968), “Kjasina” (1973), “Lutjet e mbrëmjes”
(1978); romani “Oh” (1971); dramat “Sinkopa” (1969) dhe “Gof”
(1976). Veprat e sipërthëna u botuan në Prishtinë.
Në tregimin “Kulla”, përpos temës së dashurisë janë të
pleksura: motivi i lashtësisë, i dramës së shqiptarëve nëpër shekuj, i
qëndresës, i ekzistencës, i aktualitetit dhe vizioni i së nesërmes. Në këtë
rrëfim, nëpërmjet jetës së dy brezave, të shtrirë në tërësinë ekzistenciale
kolektive të kombit, pasqyrohet aktualiteti i rëndë dhe ankthi i banorëve të kullës.
Plaka vdes, ndërsa Djali, bazuar në përvojën e saj, projekton të nesërmen e
vet, duke e mbartur tutje përvojën nga e kaluara. Duke parë ankthshëm se
qëndresa dhe ekzistenca e Kullës është në rrezik, biri sajon mekanizmin
mbrojtës pikërisht në saje të trashëgimisë simbolike të saj. Për t’i bërë ballë
shprishjes nga dhuna e ushtruar, rrëfyesi e gjen mbrojtjen në thesarin
shpirtëror kolektiv. Me lidhjen jetike të Birit me truallin dhe me kullën,
në këtë tregim antologjik ngadhënjen
e nesërmja.
Tema e vetmisë, tërheqja në vetvete nga censura dhe shtypja si dhe
tema e dhunës dhe e krimit zënë vend qendror në prozën tregimtare
të Pashkut. Temat e tilla janë rrjedhojë e gjenocidit të kryer ndaj qenies
kolektive shqiptare, historikisht dhe sot. Në prozën e tij krimi
universalizohet si vlerë artistike dhe si mesazh, si filozofi dhe si parim
moral.
ROMANI “Oh” – Ky krijim artistik është një
shembull i stilit dhe i krijimit të groteskut. Diçka e pashoqe,
karakteristike dhe e veçantë në letërsinë shqiptare. Kur u paraqit, u cilësua
si vepër hermetike. U tha se është jehonë e antiromanit.
Vepra është vazhdimësi e tregimeve pararendëse të autorit, në kuptimin e
mirëfilltë të nocionit modernizëm. Është një prozë që i thyen
konvencionet tradicionale, që realitetin e artikulon nëpërmjet figuracionit të
veçantë dhe burimor. Ky roman është fabul klasike pa një lidhje subjekti, pa
rrjedhë kronologjike, pa rrëfyes të artikuluar qartë dhe pa këndvështrimin e
fiksuar të autorit.
Në fillim të romanit kemi një mjedis të mbyllur: Në dhomë, burri e gruaja
dhe një akuarium me tre peshq. Burri niset në një udhëtim imagjinar nëpër të
kaluarën dhe të ardhmen. Ai vepron me imagjinatën e vet, pa
ndërmarrë diç konkrete. Gruaja ndërkaq, ndërton kulla rëre. Fundi i
romanit është përsëritje e tekstit fillestar. Gruaja largohet në mënyrë
protestuese apo demonstrative. Dy peshqit e vegjël nuk janë më gjallë, ndërsa i
treti, me pika të kuqe, noton nëpër akuarium si një triumfues.
Rrëfimi në roman shtrihet deri në kohën ilire dhe jepet nëpërmjet
ngjyrimit ironik dhe alegorik. Kësisoj bëhet më e
zëshme ideja qendrore e romanit - historia shqiptare e dhimbshme dhe e
përsëritur. Autori shpalos mungesën e substancës së formuar të qenies.
Në kuadër të kësaj, në vizionin e Pashkut as e ardhmja nuk është
shpresëdhënëse. Ky vizion i autorit tingëllon aktual edhe sot.
Në këtë pikëpamje, romani “Oh” mund të konsiderohet edhe si roman
historik, por pikësëpari është roman ideje apo edhe roman filozofik.
Rrëfimi i ngjarjeve në roman realizohet në disa nivele kohore: e tashmja
që rrjedh si dialog i Burrit, rrëfyesit me “bashkëbiseduesen” e pranishme. Më
pas ky dialog kalon në shkallën e retrospektivës dhe shndërrohet në
dialog me Plakun. Në vijim kemi kalimin në kohën dhe në botën ilire.
Me fjalë të tjera, kemi tri nyje kohore: e tashmja dhe dy shkallët e kohës së
shkuar. Nëpërmjet tyre pasqyrohet përsëritja e historisë, e dramës
kolektive shqiptare.
Romani ka një strukturë të ndërlikuar. Lidhja e nyjave kohore dhe depërtimi
i rrëfyesit në retrospektivën e njëfishtë dhe të dyfishtë sendërtohet nëpërmjet
teknikës moderne që është karakteristikë e romanit psikologjik modern
apo e “romanit të ri” (nouveau roman), përkatësisht e antiromanit.
Duke bërë një kërcim parabolik në kohë, rrëfyesi shkëputet nga realiteti
aktual. Nëpërmjet thirrjes së brendshme shfaqen të gjalla kohët e shkuara,
ngjarjet historike dhe ato të sajuara. Duke depërtuar thellë në lashtësi,
rrëfyesi e paraqet vizionin për të ardhmen që pasqyrohet në pjesën e
dytë të romanit.
Sistemi i rrëfimit në romanin “Oh” nxit interpretime shumështresore.
Kjo përbën tiparin dallues të stilit të autorit. Pikërisht për këtë, Anton
Pashkun e kanë quajtur Xhojsi shqiptar.
DRAMAT: Edhe në këtë gjini, Pashku është i
veçantë. Tekstin e dramës e ndërton mbi konvencionet klasike, sidomos të
tragjedisë dhe tregon prirje të qartë drejt antidramës.
Teksti i dramës “Gof” del si ide, si portretizim i një
dukurie apo gjendjeje, nga ku nëpërmjet ironisë, analogjive dhe parabolave
kohore pasqyrohen realitete të tjera. Mund të thuhet se teksti i kësaj drame
është më i tensionuari dhe më i ankthshmi në dramaturgjinë shqiptare. Autori e
merr kohën e pushtimit fashist të vitit 1939, por pa i përmendur fjalët
fashizëm, pushtim apo dhunë. Nuk shpreh
petetizëm, as patriotizëm.
Drama përmban dy pjesë dhe tre personazhe: Lulashi, Lulua dhe Luani.
Tekstin e thotë vetëm Lulashi i cili shpeshherë e thyen monologun apo
ndërhyrjet e paramenduara të të tjerëve. Monologu përmban një mori tekstesh dhe
dokumentesh të kohës, si: afishe, deklarata, urime, falënderime, kanosje,
reklama. Të gjitha këto paraqesin grumbull njerëzish, një mori vlerash,
antivlerash, ngjarjesh, ambiciesh apo ëndërrimesh.
Kemi një mjedis shoqëror kompleks ku individi e humb personalitetin e vet,
pra e humb vetveten. Lulashi është, sa i shpëtuar aq edhe i humbur. Në
përçartje, ai shpreh mendime që jehojnë si kritika të ashpra, ndërsa ankthi
dhe ironia shkallëzohen në sarkazëm. Krijohet një atmosferë
rrëmuje. Në shoqërinë e këtij mjedisi mbizotëron një gjendje kaotike, rrëmujë e përgjithshme, shthurje morale dhe
anarki idesh. Kemi nëpërkëmbjen e plotë të vlerave dhe përmbysjen e tyre. Kudo
sundon mashtrimi, dhuna dhe hipokrizia. Pashku e parandien dhe e paralajmëron
përsëritjen e ngjarjeve tragjike të shoqërisë shqiptare të së kaluarës.
Drama “Gof” është aktuale në të gjitha hapësirat shqiptare, sot si
gjysmë shekulli më parë. Po këtë, autori e ka paralajmëruar edhe në romanin “Oh”.
Edhe drama “Sinkopa” përbëhet prej dy pjesëve. Pjesa e parë
zhvillohet në dhomën e Xhexheut. Aty kemi një telefon dhe një thikë. Telefoni
simbolizon përgjimin apo manipulimin, ndërsa thika – dhunën
dhe krimin. Çdo gjë në dramë rrotullohet rreth Xhexheut. Ky flet me
telefon me një tjetër i cili ndodhet në skajin tjetër të pajisjes. Numri i
pajisjes së tij është njëshi me 11 zero pas si dhe 11 zero, para njëshit në
fund. Është numri i vet. Fjalët e tjetrit mund t’i marrim me mend aq sa lejon
monologu i Xhaxheut. Tjetri ndodhet në dhomën e Xhaxheut. Ai është i patrajtë,
pra s’ka trajtë personale. Është mekanizëm dhe sistem që të ndrydh dhe që të
ngujon brenda grilave të hekurt.
Pjesa e dytë e dramës zhvillohet në një lokal publik. Këtu ndodhen Rruga e
Trimave dhe Kozmodromi. Njerëzit e grumbulluar aty zhvillojnë biseda të kota.
Me një rebelim të vendosur Xhaxheu synon të shkëputet nga ky realitet.
Në pjesën e parë rrëfimi dramatik shfaqet me anë të zërit, nëpërmjet
monologut, të reflektuar nga bashkëbiseduesi imagjinar. Në pjesën e dytë
ndërkaq, ngjarjen mund ta shohim. Ajo është vizuale.
Autori përdor në dramë një gjuhë simbolike: simbolike janë numrat në të
dyja anët e aparatit folës. Po kështu edhe thika dhe emrat e personazheve.
Xhaxheu simbolizon përpjekjet për rezistencë, Lumnia simbolizon idenë e
realitetit të pandryshueshëm, Lumtunia përfaqëson idealin e synuar, ndërsa
Shpresa ndërlidhet me mbështetjen e brendshme të personazhit.
Teksti i hapur i dramës “Sinkopa”, të përkujton teorinë e “veprës
së hapur” të teoricienit, kritikut dhe romancierit
italian Umberto Eko (Umberto Eco, 1932-2016). Sipas këtij profesor të
estetikës, të semiotikës dhe të komunikimeve vizuale, përfundimi i veprës
letrare artistike duhet t’i lihet lexuesit.
* * *
Antidrama ose drama e absurdit është
drejtim në krijimtarinë dramatike që u paraqit në Francë në vitet ’50 të
shekullit XX. Përfaqësues të dramës së absurdit ishin dramaturgu francez me
prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugéne Ionesco,
1912-1994), romancieri dhe dramaturgu irlandez Semjuel Bekei (Samuel
Beckett, 1906-1989), dramaturgu francez me prejardhje armene Artur Adamov (Arthur
Adamov, 1908-1970) dhe poeti, romancieri e dramaturgu francez, i cili prindërit
e vet nuk i pa kurrë Zhan Zhenet (Jean Genet, 1910-1986). Më vonë
drama e absurdit u shtri edhe në vende të tjera.
Krahas termit dramë e absurdit, përdoren edhe termat drama
avangarde, antidrama, teatri i ri (në analogji me termin “romani
i ri”, metateatër, teatër i protestës.
Drama e absurdit ka një traditë të afërt dhe të largët. Shembull i dramës
së absurdit konsiderohet “Mbreti Yby” (Ubu roi, 1888)
i dramaturgut, romancierit dhe poetit francez, të kualifikuar si poet
dekadent Alfred Zhari (Alfred Jarry, 1873-1907); drama surrealiste “Gjinjtë
e Tiresias” (Les mamelles de Tirésias , 1917) e
poetit francez, i cili Faik Konicën e quajti enciklopedia që ecën,
Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire, emri i vërtetë Wilhelm
Apollinaris de Kostrowitzky, 1880-1918); drama “Viktori ose fëmijët në
pushtet” (Victor ou les Enfants au pouvoir, 1928) e poetit dhe
dramaturgut francez Rozhe Vitrak (Roger Vitrac, 1899-1952).
Pasojnë dramat ekspresioniste, futuriste, dadaiste dhe surrealiste.
Këtu bëjnë pjesë dramat “Në xhunglën e qyteteve” (Im Dickicht der Stade,
1923) dhe “Njeriu është njeri” (Mann ist Mann, 1925) të
dramaturgut, poetit dhe tregimtarit gjerman Bertolt Breht (Bertolt
Brecht, 1898-1956).
Shfaqja e dramës “Këngëtarja tullace” (La Cantratice chauve, 1950)
të Joneskos, e dramës “Invadimi” (L’Inavasion, 1950) të
Adamovit dhe e dramës “Duke pritur Godonë” (En attendant Godot,
1952, shfaqur më 1953) të Beketit – shënon lindjen e dramës së
absurdit si drejtim teatror.
E lindur në klimën e pas luftës, drama e absurdit i ka rrënjët në
filozofinë e ekzistencializmit, postulatet thelbësore të së cilës
vërehen te shumë dramaturgë: absurditeti i ekzistencës, paqëndrueshmëria
e vlerave, mungesa e komunikimit, dykuptimësia e ndjenjave, gjestet e
paarsyeshme dhe mekanike, shndërrimi i gjuhës në formula të privuara nga
domethënia, tjetërsimi etj. Në dramat e sipërthëna ndjenja e absurdit
shprehet njësoj, si në përmbajtjen ashtu edhe në formën e dramës
së absurdit, në gjuhën e skenës dhe në gjuhën në përgjithësi.
* * *
EKZISTENCIALIZMI – është drejtim
dhe doktrinë filozofike që pati një jehonë të thellë në letërsi dhe në art.
Ekzistencializmi modern fillon me shkrimtarin dhe filozofin danez Seren Kierkegor
(Soren Kierkegaard, 1813-1855). Pas tij vijnë: filozofi gjerman Martin
Hajdeger (Martin Heideger, 1889-1976) dhe filozofi e psikiatri
gjermano-zviceran Karl Jaspers (1883-1969). Në kuptimin e mirëfilltë të
fjalës ekzistencialistë janë: romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku
francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1980), filozofi francez
i fenomenologjisë Merlo-Ponti (Maurice Merleau-Ponty, 1908-1961)
i ndikuar nga themeluesi i fenomenologjisë, filozofi gjerman me
prejardhje hebraike, Edmund Huserl (1859-1938) si dhe nga
Martin Hajdegeri. Këtij grupi i takon edhe romancieri, eseisti
dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus, 1913-1960).
* * *
ROMANI PSIKOLOGJIK – Ky lloj romani
është i përqendruar në botën emocionale dhe në jetën e brendshme
të heroit kryesor. Për këtë arsye, shpeshherë shkruhet në vetën e parë (ich-Form)
ose në formën epistolare (në formë letrash). Në romanin e tillë
veprimi i nënshtrohet përjetimit të brendshëm, motiveve dhe reaksioneve
shpirtërore të heronjve kryesorë. Preokupimi me jetën shpirtërore dhe
emocionale, historikisht është i ndërlidhur me romanin moralist
të klasës borgjeze.
Të parat romane psikologjike klasike konsiderohen veprat e
prozatorit anglez me arsimim modest Semjuel Riçërdson (Samuel
Richardson, 1689-1761) “Pamela” (1740), “Klarisa Harlou” (Clarrisa:
or The History of a Young Lady, 1748-49).
Pasojnë: romani “Eloiza e re” (Julie ou La Nouvelle Héloïse 1761)
i shkrimtarit dhe filozofit francez, pa shkollim sistematik Zhan-Zhak Ruso
(Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778); romani “Tristram Shendi” (The
Life and Opinions of Tristram Shandy, Gentleman, 1759-67) i
romancierit anglez të shkolluar në Cambridge Lorens Stern (Laurence
Sterne, 1713-1768) dhe romani epistolar “Vuajtjet e djaloshit Verter” (Die
Leiden des jungen Werthers, 1774) i shkrimtarit gjerman Gëte (Johann
Wofgang Goethe, 1749-1832).
Në të gjitha këto romane bota e brendshme e heroit kryesor mbizotëron në
vepër dhe shprehet në formën në të cilën mbizotëron perspektiva e vetës
së parë.
Një zhvillim të veçantë në drejtim të depërtimit më të thellë në motivimin
e nënvetëdijes dhe në reaksionet e psikës njerëzore, ky roman
arrin në shekullin XIX sidomos te romancieri dhe novelisti rus Dostojevski (Fjodor
Mihajloviç Dostojevski, 1821-1881).
Janë tipa dhe lloje të ndryshme të romanit të ri në të cilët psikologjia
e irracionales dhe e nënvetëdijes, shpeshherë e
ndërlidhur edhe me psikanalizën, paraqet bazën e tematikës dhe të
organizimit formal. Kështu lindi romani i përroit të ndërgjegjes dhe romani
i ri.
Lindja e këtij romani ndërlidhet me romanin “Ambasadorët” (The
Ambassadors, 1903) të romancierit, novelistit dhe kritikut amerikan Henri
Xhejmz (Henry James, 1843-1916) në të cilin tërë veprimi është dramatizuar
nëpërmjet pikëpamjes unike, d.m.th. është paraqitur përmes ndërgjegjes
së heroit kryesor dhe transformimit të kësaj ndërgjegjeje përgjatë rrjedhës së
romanit.
Krijues të mëdhenj të shekullit XX si: romancieri francez Marsel Prust (Marcel
Proust, 1871-1922), poeti dhe prozatori irlandez Xhejmz Xhojs (James
joyce, 1882-1941), prozatorja dhe eseistja angleze, me arsimim joformal Virxhinia
Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941), prozatori amerikan Uillijam Fokner (William
Faulkner, 1897-1962) – me të madhe e kanë përdorur dhe e kanë zhvilluar teknikën
e vetës së parë, sidomos monologun e brendshëm, si dhe disa
mënyra dhe mjete të tjera të paraqitjes së vetëdijes së njeriut në veprën letrare.
Prosedeun e ri të stilit, d.m.th. përroin e ndërgjegjes dhe monologun
e brendshëm e përdori me mjeshtri prozatori dhe poeti irlandez Xhejmz
Xhojsi (James Joyce, 1882-1941) në përmbledhjen e novelave “Dublinasit”
(Dubliners, 1914) si dhe në romanin autobiografik “Portreti i
artistit në rini” (A Portrait of the Artist as a Young, Man, 1916).
Me këto dy vepra Xhojsi ua hapi rrugët prosedeve të reja të stilit: rrjedhja e
pandërprerë e mbresave dhe e asociacioneve në vetëdijen e njeriut është temë
kryesore e krijimit artistik. Nuk kemi fabul as të dhëna për personazhet apo
për ngjarjet. Tanimë nuk synohet paraqitja objektive dhe sa më e plotë e
veprimit. Lexuesi i njeh personazhet e veprës drejtpërsëdrejti nga preokupimet
e tyre të nënvetëdijshme. Prosedeun e tillë të stilit Xhojsi e përdori në
mënyrë të plotë në romanin “Uliksi” (Ulysses, 1922).
Në këtë mes, interpretimet e jetës shpirtërore të njeriut
sipas psikanalizës së neurologut austriak me prejardhje hebraike Sigmund
Frojdit (Sigmund Freud, 1856-1939), zënë një vend fundamental.
* * *
Këtu bëjnë pesë edhe përfaqësuesit e “ROMANIT TË RI” (NOUVEAU ROMAN).
Kjo shkollë e romanit lindi në Francë në vitet ’50 të shekullit XX. Paraqet
formën më të rëndësishme të romanit psikologjik evropian më të ri. Përfaqësuesit
e “romanit të ri” përdorën
teknikën e përroit të ndërgjegjes dhe aktualizuan konceptin kafkian për
njeriun si një qenie e sendërzuar. Duke i lidhur këto elemente me përjetimin
vetanak të historisë moderne dhe të njeriut, krijojnë botën e vet artistike të veçantë.
Përfaqësues të “romanit të ri” janë: prozatorja, eseistja dhe
dramaturgia franceze me prejardhje ruse Natali Sarot (1902-1999),
romancieri dhe eseisti francez Alen Rob-Grije (Alain Robbe-Grillet,
1922-2008), romancieri dhe dramaturgu irlandez, kryesisht i shprehjes franceze Semjuel
Beket (Samuel Becket, 1906-1989), romancieri, poeti dhe eseisti francez Mishel
Bytor (Michel Butor, 1926-2016), prozatorja franceze e lindur dhe e rritur
në koloninë franceze afër Sajgonit (Ho-Shi-Minn) Margaret Dura
(Marguerite Duras, 1914-1996) dhe romancieri francezi i cili studioi në Paris,
Oxford dhe Cambridge Klod Simon (Claude Simon, 1913-2005). Viti 1953
merret si vit i lindjes së “romanit të ri”, kur u botua “Gomat”
(Les Gommes, 1953) i Rob-Grijesë. Për këtë roman teoricieni i
letërsisë, filozofi, kritiku dhe semiotiku francez Rolan Bart (Roland Barthes, 1915-1980) shkroi me
entuziazëm në revistën Critique të Parisit.