E premte, 15.11.2024, 03:36 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Klasa politike dhe përgjegjësia politike

E merkure, 25.03.2020, 09:11 PM


KLASA POLITIKE DHE PËRGJEGJËSIA POLITIKE

Nga Xhelal Zejneli

Një udhëheqës politikë duhet të dijë se politikani i suksesshëm nuk duhet të jetë mendjemadh, megaloman, arrogant dhe kokëfortë. Politika e suksesshme nuk bëhet nga politikanë narcisoidë.

Në komunikim me partnerin e koalicionit, politikani i mirë tregon elasticitet dhe manifeston tolerancë.

Politikani i arsyeshëm tregon konsideratë edhe ndaj oponentëve dhe kundërshtarëve politikë të tij dhe të subjektit që drejton.

Politikani i arsyeshëm bën dallim midis veprimit të tij derisa ka qenë në opozitë, në një anë dhe veprimit të tij kur vjen në pushtet dhe e qeveris shtetin. Politikani apo subjekti që drejton ai, në kohën derisa ka qenë në opozitë, mund të ketë ndjekur politikë populiste. Por, në momentin kur vjen në pushtet, politikës populiste të më përparme duhet t’i japë fund, ta ndryshojë dhe ta zëvendësojë me politikë racionale. Veprimi politik agresiv i ndërmarrë si opozitar, duhet të dallohet nga programi politik i partisë populiste, ndaj dhënia fund  populizmit nuk do të thotë shmangie nga programi partiak. Programi politik i subjektit mund të mos jetë me ide populiste. Shteti nuk udhëhiqet me koncepte populiste.

Një grup politik që vjen në pushtet me politikë dhe retorikë populiste ndodh që të mos  mirëpritet prej kancelarive të fuqive perëndimore.

Politikani i mirë nuk i mban rreth vetes dhe pranë vetes militantët dhe radikalët partiakë.

Shtetari i Kosovës apo i Shqipërisë, kurrë s’duhet të mbajë pranë vetes këshilltarë politikë, me orientim ideologjik joperëndimor.

Politika e shtetit nuk duhet të ndikohet nga psikologjia militante e aktivistëve të partisë të cilët gjatë fushatave parazgjedhore kanë zhvilluar aktivitet nëpër shtabe partiake. Qeveritë nuk janë shtabe partiake.

Politikani i mençur nuk duhet t’u besojë gjithaq mendimeve apo sugjerimeve të analistëve politikë që anojnë nga subjekti që drejton vetë ai. Të tillat mendime mund të jenë  të njëanshme.

Politikani i mençur njoftohet edhe lidhur me mendimet e analistëve të paanshëm. Qeverisja e shtetit dhe ndërtimi i politikës është një punë shumë më komplekse se ç’janë idetë e krijuesve të opinioneve. Përgjegjësi mbajnë shtetarët dhe jo analistët politikë.

Politika shtetërore nuk është çështje individuale apo personale. Nuk është as çështje partiake. Interesi i shtetit është mbi individin dhe mbi partinë që ka marrë mandat për të qeverisur. Shteti ka kushtetutën si dhe organin ligjvënës. Në shtetin ligjor dhe në sistemin demokratik, askush nuk mund të jetë mbi ligjin, mbi kushtetutën dhe mbi organin legjislativ.

Shqiptarët nuk duhet të krijojnë mite prej politikanëve të tyre. Evropa e qindvjeçarit XX ka njohur burra shteti të mëdhenj, por asnjëri prej tyre nuk u shndërrua në mit. Nuk u bënë mite as Çerçili (Winston Leonard Spencer-Churchill, 1874-1965), as De Goli (Charles Andre Joseph Marie de Gaulle, 1890-1970), as Koli (Helmut Josef Michael Kohl, 1930-2017), as presidenti amerikan Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt). Mit s’është as Merkeli (Angela Dorothea Merkel, 1954).

Sipas sociologëve, prijësit popullorë shndërrohen në mite te popujt me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Krijimi i miteve prej politikanëve, në qindvjeçarin XXI konsiderohet anakroni.

Kryeministri i përtashëm i Kosovës, Albin Kurti, është bërë shef i ekzekutivit, në saje të fitores në zgjedhjet e 6 tetorit të viti 2019 si dhe krijimit të koalicionit me LDK-në. Në rast prishjeje të kësaj bashkëqeverisjeje, qeveria e tij bie. Subjekti që drejton ai gëzon mbështetjen e më pak se 25 për qindëshit të qytetarëve të Kosovës. Oponentët e tij ndërkaq, gëzojnë bashkërisht mbështetjen e pjesës tjetër të votuesve, përkatësisht rreth 75 për qind të tyre. Përpos kësaj, duhet shtuar se të gjitha subjektet politike të tjera janë kundër subjektit që drejton ai. Me fjalë të tjera, ai është kryeministër për aq për sa e mbështet LDK-ja. Ndryshe, pushon të jetë në krye të ekzekutivit. Rrjedhimisht, kjo i imponon atij një të qeverisur mjeshtëror.

Klasa politike e Kosovës duhet ta dijë se Kosova është pjesë e Perëndimit. Si e tillë, edhe politika shtetërore e saj duhet të jetë kompatibile me atë të vendeve perëndimore. Mosharmonizimi i politikë shtetërore të Kosovës me interesat strategjikë të fuqive perëndimore, përkatësisht të Uashingtonit, e shpie atë në vetizolim.

Udhëheqësit politikë të Kosovës kurrë s’duhet të harrojnë se Kosova është investim amerikan. Nga kjo rezulton se s’ka zgjidhje për “çështjen” e Kosovës, pa angazhimin e Uashingtonit. Roli i ShBA-së në këtë mes është vendimtar. Nuk ka fuqi në rruzullin tokësor që mund ta bëjë Kosovën anëtare të OKB-së, pos ShBA-së. Pa angazhimin e saj, Kosova e ka vështirë të mbrohet nga lufta speciale, nga lufta psikologjike dhe nga veprimet destruktive e luftënxitëse të Beogradit.

Krerët politikë të Kosovës duhet ta dinë se nuk ekziston subjekti politik evropian. Njëra prej fuqive historike, Britania e Madhe, nuk është më në BE. Kur është fjala për Francën, duhet thënë serbët e konsiderojnë atë si aleate historike të tyre. Në rrethana të tilla, Gjermania, me gjithë dëshirën që ka, nuk mund t’i dalë zot Kosovës, siç e do drejtësia.

Nuk është mirë të paragjykohet “plani” amerikan për zgjidhjen e “çështjes” së Kosovës. S’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i detyrojë shqiptarët të pranojnë ndonjë farë plani që do të ishte në dëm të Kosovës. In ultima linea, çfarëdo plani qoftë dhe ngado që të vijë, duhet të kalojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në raste të tilla, organizohen edhe referendume popullore.

Agjenda e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, më tepër është në duart e Uashingtonit sesa të aktorëve të drejtpërdrejtë të dialogut.

Po të mos jetë Uashingtoni, atëherë dialogu i Brukselit mbetet në duart e BE-së. Në rolin e tertium interveniens do të kishim dy persona që vijnë prej dy vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Josep Bureli (1947) i Spanjës dhe Miroslav Lajçaku (1963) i Sllovakisë. Për t’i ikur kësaj, prania e Uashingtonit del e domosdoshme. Me ShBA-në si ndërmjetësuese, prania e dy personave të sipërthënë do të ishte ceremoniale dhe pa ndikim.

Autoritetet e Kosovës duhet ta dijë se pa investimet ekonomike amerikane, sidomos në projektet strategjike, siç janë sektori i mbrojtjes, i sigurisë, i energjetikës, i infrastrukturës rrugore, i industrisë etj., Kosova nuk mund të shkojë para.

Synim i Kosovës është ulja në dhomën e madhe të NATO-s, ndërsa fëmijët e Kosovës  të luajnë në kopshtin e madh të BE-së.

Po qe se në mesin e klasës politike të Kosovës ka divergjenca që kanë të bëjnë me orientimin strategjik të shqiptarëve, atëherë pajtimi midis tyre do të ishte i vështirë. Po qe se në radhët e klasës politike të Kosovës ka edhe të tillë që e ndjejnë veten më pak proamerikanë, atëherë kjo do të ishte e turpshme, e tmerrshme dhe një mëkat i madh.

Klasa politike e Kosovës nuk duhet të harrojë se matanë kufirit ndodhet Kosova lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), banorët e së cilës, politika e Beogradit i ka margjinalizuar dhe i ka getoizuar. Ndaj popullatës së Kosovës lindore Beogradi zbaton politikën e dëbimit të heshtur. Brenda pak kohësh, mund të ndodhë shpopullimi i saj.

*   *   *

Politika e shtetit kërkon prej udhëheqësve politikë ndershmëri, nivel profesional të lartë dhe vizion. Politikani që krijon pasuri brenda natës dhe në mënyrë të paligjshme, nuk krijon histori dhe nuk zë vend në të.

Tre nivelet e pushtetit në Republikën e Kosovës – Presidenca, Kryeministria dhe Kuvendi udhëhiqen prej politikanëve të tri partive të ndryshme. Bashkëpunimin dhe bashkëveprimin midis tyre, kjo e bën të domosdoshëm. Udhëheqësit e shtetit duhet të tregojnë tolerancë nda njëri-tjetrit dhe t’i bashkërendojnë veprimet. Por, mbi të gjithë ndodhet Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Mund të ndodhë që edhe kushtetuta të interpretohet njëanshëm apo nga këndvështrime të ndryshme, kujt si i vjen për shtati. Në këtë situatë krize politike është vështirë të konstatohet saktë në është problemi juridik apo politik. Po qe se midis palëve politike kemi të bëjmë me përplasje interesash, atëherë del se kemi të bëjmë, jo me problem juridik, por me problem politik.

Po qe se ka politikan, pushtetar apo qeveritar i cili nuk është i gatshëm të përballet me problemet me të cilat ballafaqohet Kosova apo i cili, për çështje të caktuara nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi, atëherë ai duhet të jetë i gatshëm t’ia lërë barrën dikujt që pandeh se mund të ballafaqohet me sfidat.

Në kohë pandemie globale, nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës që kriza politike të thellohet. Në këtë çast, energjitë e shtetit duhet të përqendrohen kundër virusit të padukshëm. Ndryshe, situata mund të agravohet.

Pjesë e pandarë e kësaj lufte kundër epidemisë vrastare është edhe kujdesi i autoriteteve të shtetit si dhe i segmenteve solidare të shoqërisë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë. Askush s’e di se sa mund të zgjasë kjo murtajë e zezë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora