| E merkure, 25.03.2020, 09:11 PM |
KLASA POLITIKE DHE PËRGJEGJËSIA POLITIKE
Nga Xhelal
Zejneli
Një udhëheqës politikë duhet të dijë se politikani i suksesshëm nuk duhet
të jetë mendjemadh, megaloman, arrogant dhe kokëfortë. Politika e suksesshme
nuk bëhet nga politikanë narcisoidë.
Në komunikim me partnerin e koalicionit, politikani i mirë tregon
elasticitet dhe manifeston tolerancë.
Politikani i arsyeshëm tregon konsideratë edhe ndaj oponentëve dhe
kundërshtarëve politikë të tij dhe të subjektit që drejton.
Politikani i arsyeshëm bën dallim midis veprimit të tij derisa ka qenë
në opozitë, në një anë dhe veprimit të tij kur vjen në pushtet dhe e
qeveris shtetin. Politikani apo subjekti që drejton ai, në kohën derisa ka
qenë në opozitë, mund të ketë ndjekur politikë populiste. Por, në
momentin kur vjen në pushtet, politikës populiste të më përparme duhet t’i japë
fund, ta ndryshojë dhe ta zëvendësojë me politikë racionale. Veprimi politik
agresiv i ndërmarrë si opozitar, duhet të dallohet nga programi politik
i partisë populiste, ndaj dhënia fund
populizmit nuk do të thotë shmangie nga programi partiak. Programi
politik i subjektit mund të mos jetë me ide populiste. Shteti nuk udhëhiqet me
koncepte populiste.
Një grup politik që vjen në pushtet me politikë dhe retorikë populiste
ndodh që të mos mirëpritet prej
kancelarive të fuqive perëndimore.
Politikani i mirë nuk i mban rreth vetes dhe pranë vetes militantët
dhe radikalët partiakë.
Shtetari i Kosovës apo i Shqipërisë, kurrë s’duhet të mbajë pranë vetes këshilltarë
politikë, me orientim ideologjik joperëndimor.
Politika e shtetit nuk duhet të ndikohet nga psikologjia militante e
aktivistëve të partisë të cilët gjatë fushatave parazgjedhore kanë zhvilluar
aktivitet nëpër shtabe partiake. Qeveritë nuk janë shtabe partiake.
Politikani i mençur nuk duhet t’u besojë gjithaq mendimeve apo sugjerimeve
të analistëve politikë që anojnë nga subjekti që drejton vetë ai. Të tillat
mendime mund të jenë të njëanshme.
Politikani i mençur njoftohet edhe lidhur me mendimet e analistëve të
paanshëm. Qeverisja e shtetit dhe ndërtimi i politikës është një punë shumë
më komplekse se ç’janë idetë e krijuesve të opinioneve. Përgjegjësi mbajnë
shtetarët dhe jo analistët politikë.
Politika shtetërore nuk është çështje individuale apo personale. Nuk është
as çështje partiake. Interesi i shtetit është mbi individin dhe mbi partinë që
ka marrë mandat për të qeverisur. Shteti ka kushtetutën si dhe organin
ligjvënës. Në shtetin ligjor dhe në sistemin demokratik, askush nuk mund të
jetë mbi ligjin, mbi kushtetutën dhe mbi organin legjislativ.
Shqiptarët nuk duhet të krijojnë mite prej politikanëve të
tyre. Evropa e qindvjeçarit XX ka njohur burra shteti të mëdhenj, por asnjëri
prej tyre nuk u shndërrua në mit. Nuk u bënë mite as Çerçili (Winston
Leonard Spencer-Churchill, 1874-1965), as De Goli (Charles Andre Joseph
Marie de Gaulle, 1890-1970), as Koli (Helmut Josef Michael Kohl,
1930-2017), as presidenti amerikan Ruzvelt (Franklin Delano Roosevelt).
Mit s’është as Merkeli (Angela Dorothea Merkel, 1954).
Sipas sociologëve, prijësit popullorë shndërrohen në mite te popujt me
shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik. Krijimi i miteve prej politikanëve, në
qindvjeçarin XXI konsiderohet anakroni.
Kryeministri i përtashëm i Kosovës, Albin Kurti, është bërë shef i
ekzekutivit, në saje të fitores në zgjedhjet e 6 tetorit të viti 2019 si dhe
krijimit të koalicionit me LDK-në. Në rast prishjeje të kësaj
bashkëqeverisjeje, qeveria e tij bie. Subjekti që drejton ai gëzon mbështetjen
e më pak se 25 për qindëshit të qytetarëve të Kosovës. Oponentët e tij ndërkaq,
gëzojnë bashkërisht mbështetjen e pjesës tjetër të votuesve, përkatësisht rreth
75 për qind të tyre. Përpos kësaj, duhet shtuar se të gjitha subjektet politike
të tjera janë kundër subjektit që drejton ai. Me fjalë të tjera, ai është
kryeministër për aq për sa e mbështet LDK-ja. Ndryshe, pushon të jetë në krye
të ekzekutivit. Rrjedhimisht, kjo i imponon atij një të qeverisur
mjeshtëror.
Klasa politike e Kosovës duhet ta dijë se Kosova është pjesë e Perëndimit.
Si e tillë, edhe politika shtetërore e saj duhet të jetë kompatibile
me atë të vendeve perëndimore. Mosharmonizimi i politikë shtetërore të Kosovës
me interesat strategjikë të fuqive perëndimore, përkatësisht të Uashingtonit, e
shpie atë në vetizolim.
Udhëheqësit politikë të Kosovës kurrë s’duhet të harrojnë se Kosova është
investim amerikan. Nga kjo rezulton se s’ka zgjidhje për “çështjen” e Kosovës,
pa angazhimin e Uashingtonit. Roli i ShBA-së në këtë mes është vendimtar. Nuk
ka fuqi në rruzullin tokësor që mund ta bëjë Kosovën anëtare të OKB-së, pos
ShBA-së. Pa angazhimin e saj, Kosova e ka vështirë të mbrohet nga lufta
speciale, nga lufta psikologjike dhe nga veprimet destruktive e luftënxitëse të
Beogradit.
Krerët politikë të Kosovës duhet ta dinë se nuk ekziston subjekti
politik evropian. Njëra prej fuqive historike, Britania e Madhe, nuk
është më në BE. Kur është fjala për Francën, duhet thënë serbët e konsiderojnë
atë si aleate historike të tyre. Në rrethana të tilla, Gjermania, me gjithë
dëshirën që ka, nuk mund t’i dalë zot Kosovës, siç e do drejtësia.
Nuk është mirë të paragjykohet “plani” amerikan për zgjidhjen e “çështjes”
së Kosovës. S’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i detyrojë shqiptarët të
pranojnë ndonjë farë plani që do të ishte në dëm të Kosovës. In ultima
linea, çfarëdo plani qoftë dhe ngado që të vijë, duhet të kalojë në
Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në raste të tilla, organizohen edhe
referendume popullore.
Agjenda e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, më tepër është në duart
e Uashingtonit sesa të aktorëve të drejtpërdrejtë të dialogut.
Po të mos jetë Uashingtoni, atëherë dialogu i Brukselit mbetet në duart e
BE-së. Në rolin e tertium interveniens do të kishim dy persona që
vijnë prej dy vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës – Josep Bureli
(1947) i Spanjës dhe Miroslav Lajçaku (1963) i Sllovakisë. Për t’i ikur kësaj,
prania e Uashingtonit del e domosdoshme. Me ShBA-në si ndërmjetësuese, prania e
dy personave të sipërthënë do të ishte ceremoniale dhe pa ndikim.
Autoritetet e Kosovës duhet ta dijë se pa investimet ekonomike amerikane,
sidomos në projektet strategjike, siç janë sektori i mbrojtjes, i sigurisë, i
energjetikës, i infrastrukturës rrugore, i industrisë etj., Kosova nuk mund të
shkojë para.
Synim i Kosovës është ulja në dhomën e madhe të NATO-s,
ndërsa fëmijët e Kosovës të luajnë në kopshtin
e madh të BE-së.
Po qe se në mesin e klasës politike të Kosovës ka divergjenca që kanë të
bëjnë me orientimin strategjik të shqiptarëve, atëherë pajtimi
midis tyre do të ishte i vështirë. Po qe se në radhët e klasës politike të
Kosovës ka edhe të tillë që e ndjejnë veten më pak proamerikanë, atëherë kjo do
të ishte e turpshme, e tmerrshme dhe një mëkat i madh.
Klasa politike e Kosovës nuk duhet të harrojë se matanë kufirit ndodhet Kosova
lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), banorët e së cilës, politika e
Beogradit i ka margjinalizuar dhe i ka getoizuar. Ndaj popullatës së Kosovës
lindore Beogradi zbaton politikën e dëbimit të heshtur. Brenda
pak kohësh, mund të ndodhë shpopullimi i saj.
* * *
Politika e shtetit kërkon prej udhëheqësve politikë ndershmëri, nivel
profesional të lartë dhe vizion. Politikani që krijon pasuri brenda natës dhe
në mënyrë të paligjshme, nuk krijon histori dhe nuk zë vend në të.
Tre nivelet e pushtetit në Republikën e Kosovës – Presidenca, Kryeministria
dhe Kuvendi udhëhiqen prej politikanëve të tri partive të ndryshme. Bashkëpunimin
dhe bashkëveprimin midis tyre, kjo e bën të domosdoshëm. Udhëheqësit e
shtetit duhet të tregojnë tolerancë nda njëri-tjetrit dhe t’i
bashkërendojnë veprimet. Por, mbi të gjithë ndodhet Kushtetuta e Republikës
së Kosovës. Mund të ndodhë që edhe kushtetuta të interpretohet njëanshëm apo
nga këndvështrime të ndryshme, kujt si i vjen për shtati. Në këtë situatë krize
politike është vështirë të konstatohet saktë në është problemi juridik
apo politik. Po qe se midis palëve politike kemi të bëjmë me
përplasje interesash, atëherë del se kemi të bëjmë, jo me problem juridik, por
me problem politik.
Po qe se ka politikan, pushtetar apo qeveritar i cili nuk është i gatshëm
të përballet me problemet me të cilat ballafaqohet Kosova apo i cili, për
çështje të caktuara nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi, atëherë ai duhet
të jetë i gatshëm t’ia lërë barrën dikujt që pandeh se mund të ballafaqohet me
sfidat.
Në kohë pandemie globale, nuk është në interes të
qytetarëve të Kosovës që kriza politike të thellohet. Në këtë çast,
energjitë e shtetit duhet të përqendrohen kundër virusit të padukshëm. Ndryshe,
situata mund të agravohet.
Pjesë e pandarë e kësaj lufte kundër epidemisë vrastare është edhe kujdesi
i autoriteteve të shtetit si dhe i segmenteve solidare të shoqërisë për
t’u dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë. Askush s’e di se sa mund të zgjasë kjo
murtajë e zezë.