Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe subversioni sllav
E diele, 28.06.2020, 11:49 AM
SHQIPTARËT DHE SUBVERSIONI SLLAV
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Zyra e Prokurorit të specializuar të
Kosovës me seli në Hagë, më 24 prill 2020, u paraqiti Dhomave të specializuara të Kosovës një aktakuzë me 10 pika për
t’u shqyrtuar nga Gjykata Speciale. Për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte
akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë. Njoftimi u bë publik vetëm
tri ditë para se të fillonte dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e
Bardhë në Uashington. Për shqiptarët, në shkallë kombi, lajmi ishte befasues.
Askush nuk di të tregojë se kush qëndron pas kësaj djallëzie. Ka që thonë
se ky ishte një komplot i Rusisë, i kurdisur në bashkëpunim dhe
në bashkëveprim me qarqe të caktuara influente të BE-së. Të tjerë mendojnë se
ky ishte një akt i ndërmarrë nga Parisi dhe Berlini, kundër presidentit
amerikan Donald Tramp.
Rrallë ka ndodhur në historinë e botës që një dialog midis dy vendeve për
të arritur një marrëveshje historike paqeje të mbahet paralelisht në dy
qendra politike ndërkombëtare të vendosjes. Në rastin konkret, në
Uashington dhe në Bruksel.
Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit filloi në mars të vitit 2011. Prej
vitit 2013 e këndej janë mbajtur më se 120 takime, me ç’rast janë nënshkruar mbi
40 marrëveshje teknike. Brukseli duhet ta dijë se problemi është politik
dhe jo teknik. Brenda këtij dialogu gati dhjetëvjeçar, ende nuk kemi një
rezultat përfundimtar. Kjo tregon se BE-ja nuk ka pasur kapacitet të arrijë një
zgjidhje përfundimtare për “çështjen”. Brenda këtyre dhjetë vjetëve, Gjermania
nuk ka treguar ndonjë interesim konkret për ta zgjidhur “çështjen”. Franca
ndërkaq, konsiderohet si një aleate e Serbisë.
Sipas serbëve, konstelacioni apo raporti i forcave sot, si në planin
kontinental, ashtu edhe në atë global, nuk është ai i kohës së Rambujesë. Rusia
sot, na qenkësh më e konsoliduar se dikur. Vitet e fundit, interesim për
Ballkanin ka shfaqur edhe Kina. Këto dy fuqi të mëdha, Serbia i merr për aleate
të saj.
Beogradi ka punuar pareshtur që “problemin” e Kosovës ta paraqes si një çështje
të pazgjidhur, e që mund të zgjidhet me “kompromis”. Ka punuar
pandërprerë që punën e Kosovës ta paraqesë si një “çështje” ruso-amerikane.
Sipas Beogradit, “çështja” e Kosovës nuk është vetëm çështje e Uashingtonit dhe
Berlinit, por edhe e Moskës.
Udhëheqësit serbë shpesh janë takuar me krerët politikë rusë: me
ambasadorin rus në Beograd, me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej
Llavrov, me presidentin rus, Vladimir Putin. Mu në prag të takimit
midis Thaçit dhe Vuçiqit në Uashington, kryetari i Serbisë më 23 dhe 24 qershor
2020 vizitoi Moskën ku u takua me Putinin. Gjatë çdo takimi serbo-rus, një prej
temave ka qenë edhe “çështja” e Kosovës.
Rusia nuk do zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Një marrëveshje midis
Kosovës dhe Serbisë do ta stabilizonte Ballkanin dhe do t’ia hapte Kosovës
rrugën e integrimit në organizmat euro-atlantikë, ndërsa Serbisë – integrimin
në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është në interes të Moskës. Pikërisht për këtë
arsye Moska është kundër çfarëdo marrëveshjeje midis dy palëve. Por, me këtë
qëndrim të Moskës, Serbia shndërrohet në peng të Rusisë. Si
rrjedhojë, e humb perspektivën evropiane.
Gjatë historisë politike të kohës më të re, që nga “Naçertanija”
(1844) e Ilija Garashaninit e deri më sot, Serbia as edhe një ditë të vetme nuk
ka qenë shtet demokratik. Për shoqërinë serbe, fjala “demokraci” është
një nocion fiktiv.
Ballkani Perëndimor paraqet interes strategjik për fuqitë e mëdha. Prej
këtij rajoni dilet në Adriatik dhe që andej, nëpër dete e oqeane. Rajoni është kryeurë
që lidh kontinentin e vjetër me Azinë dhe Afrikën. Duke kaluar nëpër këtë rajon
mbërrihet në vendet e gjirit Persik.
Rusia është e pranishme në rajon nëpërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe të
Bosnjës dhe Hercegovinës. Malin e Zi synon ta destabilizojë nëpërmjet serbëve
që jetojnë aty. Maqedoninë synonte ta destabilizojë me ndihmën e faktorit
antishqiptar – VMRO-së. Rusia synon ta shndërrojë Ballkanin në një rajon ku
ndeshen interesat gjeopolitkë të saj, përballë ShBA-së.
* * *
Kosova është investim amerikan. Çdo zgjidhje përfundimtare nga dialogu
midis Prishtinës dhe Beogradit, pa ShBA-në, nuk është veçse llogari pa
hanxhiun. ShBA-ja është e pranishme në Ballkan qysh nga rënia e murit të
Berlinit më 9 nëntor 1989 dhe fillimi i pluralizmit.
Me ndihmën e Uashingtonit:
- U realizua Konferenca e Rambujesë (Rambouillet), e cila i
filloi punimet më 6 shkurt 1999, në Rambuje afër Parisit dhe zgjati deri më 22
mars 1999 ;
- U arrit Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe
RFJ-së, më 9 qershor 1999, për të hyrë në fuqi më 11 qershor 1999. U nënshkrua
nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, Majkëll Xhekson (Michael
Jackson) dhe nga ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha
Pavkoviq, i akuzuar në Hagë për krime lufte dhe gjenocid;
- U arrit Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001.
Nënshkrues ishin edhe lehtësuesit ndërkombëtarë në dialog Fransua Leotar
dhe Xhejms Perdju;
- Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Ftesën për
anëtarësim e mori në samitin e Bukureshtit që u mbajt më 2 prill 2008, ndërsa
anëtare me të drejta të plota u bë në samitin e Strasburgut dhe Këlnit, të
mbajtur më 2 prill 2009;
- Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s, më 5 qershor
2017;
- U arrit Marrëveshja e Prespës, më 17 qershor 2018;
- Maqedonia u bë anëtare e NATO-s, më 27 mars
2020.
Tani ishte radha e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare midis
Kosovës dhe Serbisë. Por kjo u minua. Dikush thotë, nga Rusia. Të tjerë thonë,
nga Parisi dhe Berlini, kundër Trampit.
Trampi, në mënyrën e vet, i mbron interesat e ShBA-së. Politika e tij has
në kundërshtimin e Moskës, të Pekinit, të Berlinit dhe të Parisit.
* * *
Dialogu i Brukselit “për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës
dhe Beogradit” është zhvilluar në prani të përfaqësueses së lartë të BE-së
për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini (Fedrica
Mogherini), d.m.th. shefes së diplomacisë evropiane, e cila është një
politikane italiane.
Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, i zhvilluar gati dhjetë vjet në
Bruksel nuk rezultoi me një zgjidhje përfundimtare. Nga kjo del se një zgjidhje
përfundimtare nuk arrihet nëpërmjet dialogut, por nëpërmjet një plani të
hartuar nga Uashingtoni, që do të ishte i pranueshëm për të dyja palët.
Mutatis mutandis, diçka si plani që çoi në arritjen e
Marrëveshjes së Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Pa një plan të tillë, të
hartuar prej amerikanëve, ky dialog mund të zgjasë pafundësisht. Kjo nuk është,
as në dobi të Kosovës, as në dobi të Serbisë dhe as në interes të rajonit.
Kosova është interes strategjik amerikan i dorës së parë. Si e tillë, ajo
nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve presidenciale të ShBA-së. Kosovën e kanë
mbrojtur republikani Xhorxh Bushi i parë, demokratët Bill Klinton dhe
Barak Obama, si dhe republikani Xhorxh Bushi i dytë. Pra, e kanë
mbrojtur, si presidentët republikanë, ashtu edhe ata demokratë. Në botën
demokratike, çështja e votës është një çështje personale, private dhe sekrete.
Po qe se shqiptarët e Amerikës votojnë për njërin kandidatë dhe ndodh të fitojë
tjetri, atëherë ç’ndodh pas kësaj?! A duhet për këtë të pësojë Kosova?! Cilido
kandidat të fitojë në ShBA, Kosova është interes strategjik amerikan.
Shqiptarët janë aleatë të natyrshëm të ShBA-së. Është e vetëkuptueshme se Uashingtoni
dhe Berlini kanë interes të kenë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. Por
këto dy qendra duhet ta dinë se partneritet strategjik me Serbinë kurrë
s’mund të kenë, ngase ajo është satelite historike e Rusisë dhe e
tillë do të mbetet. Një afrim midis Uashingtonit dhe Beogradit do ta
shndërronte Serbinë në një shtet tepër të privilegjuar. Tani ajo do të kishte
raporte të mira me që të tri fuqitë e mëdha: me Rusinë, me Kinën, me ShBA-në,
përfshi këtu edhe fuqitë evropiane – Gjermaninë dhe Francën. Një partneritet
strategjik i këtillë i Uashingtoni dhe Berlinit - me Serbinë, është utopi dhe
iluzion. Përplasja e interesave të fuqive të mëdha nuk e lejojnë një gjë të
tillë.
Shqiptarët ndërkaq, duke mos qenë sllavë, mbeten aleatë të natyrshëm dhe të
përjetshëm të Uashingtonit dhe Berlinit. Por, për ta arritur këtë miqësi,
shqiptarët duhet të jenë të devotshëm, të jenë në krye të detyrës.
Pa ndihmën dhe pa investimet amerikane, zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk
mund të përfytyrohet. Askush përpos ShBA-së nuk mund të realizojë në Kosovë
projekte ekonomike kapitale, me rëndësi strategjike.
* * *
Ka kohë që Serbia udhëhiqet nga pasardhësit e Millosheviqit dhe të
Vojisllav Sheshelit. E këta janë kryetari Aleksandër Vuçiq dhe ministri i
Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq. Këta dy
ultranacionalistë kanë qenë mbështetës të drejtpërdrejtë të kriminelëve
të luftës në ish-Jugosllavi. E udhëhequr prej “ish”-radikalit
Vuçiq dhe nacional-socialistit, Daçiq dhe e mbështetur nga Putini,
Serbia ndjek në rajon politikë destruktive, destabilizuese, hegjemoniste dhe
ekspansioniste: Në Bosnjë dhe Hercegovinë, mbështet tendencat separatiste
dhe secesioniste të Republikës Serbe të udhëhequr nga miku i Putinit,
Milorad Dodik. Në Mal të Zi ka krijuar kolonë të pestë. Ndaj
Kosovës ndjek politikë luftënxitëse, politikë force, luftë speciale, luftë
psikologjike, përhap propagandë gebelsiane.
Kryekrimineli i Ballkanit – Vuçiq, e ka përkryer edhe retorikën
demagogjike. Ai nuk ka dallim nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Megjithëkëtë, dyert e kancelarive, si në Paris, ashtu edhe në Berlin, nuk i ka
të mbyllura. Turp për fuqitë evropiane. Raporte të mira ka edhe me Rexhep
Taip Erdoganin.
Me investime ekonomike nga Rusia, nga Kina, nga Turqia, nga vende të
caktuara arabe, nga Franca dhe nga Gjermania, Beogradi hiqet sikur nuk ka
nevojë të ngutshme për t’u integruar në BE.
Nuk habit fakti kur në një Serbi të tillë investojnë Rusia dhe Kina.
Investon Ankaraja dhe vende të caktuara
arabe, financiarisht të fuqishme. Është për t’u habitur kur në këtë vend
destabilizues investojnë Franca, e sidomos Gjermania. Më 15 korrik 2019
presidenti francez Emanuel Makron bëri një vizitë dyditëshe në Serbi.
Gjatë takimit me Vuçiqin në Beograd nuk la pa e bërë publike se vendi i tij
i shet armë Serbisë, një Serbie e cila në fillim të viteve ’90 bëri luftë
kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinë dhe Kosovës, e cila në
Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë bëri gjenocid.
Kësaj Serbie, BE-ja i ka dhënë edhe datë për fillimin e bisedimeve
integruese, duke e shndërruar kësisoj në të përkëdhelurën e vet. Në anën
tjetër, Kosovës e cila i ka përmbushur të gjitha kriteret e Brukselit, i
mohohet liberalizimi i vizave. Për Brukselin,
Moldavia na qenkësh mbi Kosovën. Si është e mundur të diskriminohet Kosova kur
në të, me vite kanë qenë të pranishme
UNMIK-u dhe EULEXI?! Nëpërmjet liberalizimit të vizave Brukseli synon të
ushtrojë trysni mbi Kosovën që t arrijë marrëveshje me Serbinë. Turp për
Evropën. Politika konstruktive, stabilizuese dhe paqeruajtëse e Kosovës meriton
nga Brukseli vlerësim objektiv dhe jo ndëshkim.
Po qe se midis Parisit dhe Berlinit, në një anë dhe administratës së
presidentit Tramp, në anën tjetër, ka përplasje interesash, Kosova s’ka përse
të jetë viktimë e këtij ballafaqimi. Kosova është shtet perëndimor, sikundër
janë edhe vendet e Perëndimit, ku bën pjesë edhe ShBA-ja.
Brukseli nuk duhet të harrojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të
Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky institucion me seli
në Hagë përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara.
Pasditen e 22 korrikut të vitit 2010 bëri publik opinionin këshillimor lidhur
me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë fjalës së tij,
kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha: “Shpallja e pavarësisë së
Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe as
Rezolutën 1244”. Vendimi u mor me 10 vota për dhe 4 kundër.
* * *
Dialogu midis Prishtinës duhet të ndërpritet. Para se të nis,
Kosova duhet t’i kërkojë Uashingtonit dhe Berlinit që ta detyrojnë Serbinë:
- Ta ndërpresë veprimet subversive lidhur me çnjohjen e Kosovës nga vendet
që tanimë e kanë njohur;
- Ta ndërpresë veprimet destruktive lidhur me anëtarësimin e Kosovës në
organizatat ndërkombëtare;
- T’i pranojë mallrat e Kosovës me dokumentacionin ku figuron emri
kushtetues i saj “Republika e Kosovës”;
- Të ndërpresë gjenocidin e heshtur ndaj shqiptarëve në
Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);
- T’i japë fund instrumentalizimit të serbëve të Kosovës për qëllimet
ekspansioniste të saj;
- Të njohë tërësinë e tokave apo integritetin territorial të Kosovës;
- Të njohë sovranitetin e Kosovës.
Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë
është dialog midis dy shteteve dhe jo dialog midis Serbisë
dhe shqiptarëve. Çfarëdo dialogu jashtë pikave të sipërthëna nuk është veçse
humbje kohe. Temë e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, me Uashingtonin si
tertium interveniens duhet të jenë vetëm të drejtat e pakicës
serbe në Kosovë si dhe ato të shqiptarëve në Kosovën lindore
(Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Çfarëdo dialogu jashtë kësaj synon të krijojë një entitet serb në
Kosovë, siç është Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, e cila synon të
shkëputet prej saj për t’iu bashkëngjitur Serbisë.
S’ka shqiptar në rruzullin tokësor që do ta nënshkruante një gjë të tillë.
Serbia le t’u krijojë entitet shqiptarëve në Kosovën lindore
(Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), boshnjakëve në Sanxhak dhe hungarezëve në
Vojvodinë, ku jetojnë pjesëtarë të 26 minoriteteve.
Pakica serbe në Kosovë që përbën jo më shumë se 5 për qind të numrit të
përgjithshëm të popullsisë së saj, gëzon të drejta si asnjë minoritet tjetër i
rruzullit tokësor. Kushtetuta e Kosovës u garanton pakicave të drejta
demokratike sipas standardeve evropiane më të larta.
* * *
Gjykata Speciale duhet të dijë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës:
- ka bërë luftë çlirimtare;
- ka luftuar kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare pushtuese
serbe;
- ka luftuar brenda territorit të
Kosovës dhe jo në territor të Serbisë;
Ndërhyrja ushtarake e vendeve anëtare të NATO-s dëshmon se lufta e UÇK-së
ka qenë historikisht e drejtë.
Gjykata Speciale duhet ta dijë se Serbia në Kosovë ka qenë:
pushtues dhe kolonizator;
- ka luftuar për të ruajtur statusin
kolonialist dhe për të mbajtur nën kontroll territoret e pushtuara.
Gjykata Speciale duhet të dijë se gjatë luftës në Kosovë Serbia:
- ka kryer krime kundër njerëzimit;
- ka vrarë civilë, fëmijë, gra, pleq;
- ka çelur varre masive në të cilat i ka groposur civilët shqiptarë të
ekzekutuar.
- ka shkelur konventat ndërkombëtare të luftës.
Gjykata Speciale duhet të dijë se forcat serbe:
- kanë kryer përdhunime; dhe
- kanë kryer ekzekutime masive.
Për të kryer pastrimin etnik të Kosovës, forcat e armatosura serbe dëbuan
prej vatrave të veta rreth një milion shqiptarë të cilët u
vendosën në Shqipëri dhe në pjesët shqiptare në Maqedoni. Serbia në Kosovë ka
kryer gjenocid.
* * *
Në Gjykatën e Hagës, ndaj pjesëtarëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës nuk janë zbatuar procese juridike, por procese politike.
Udhëheqës të lartë të UÇK-së u mbajtën në Hagë vite të tëra, për t’u liruar pas
shumë vitesh si të pafajshëm. Ky kalvar nuk mbaron me kaq. Të njëjtit,
sërish viheshin pas grilave, për t’u liruar më pas, përsëri si të pafajshëm.
Ç’gjykime janë këto ndaj shqiptarëve?! Kjo s’ka ndodhur as në mesjetë.
Këtu kemi të bëjmë me zëvendësim tezash. Në vend që për krime kundër
njerëzimit dhe për kryerje gjenocidi të dënohen kriminelët e Serbisë, dënohen
pjesëtarët më të lartë të UÇK-së e cila ka bërë luftë çlirimtare, historikisht
të justifikueshme. Është absurde të dënohet luftëtari i lirisë, ndërsa agresori
të amnistohet, për të mos thënë, të shpërblehet.
* * *
Problemi shqiptar nuk është vetëm i jashtëm. Është edhe i brendshëm.
Është problem politik, ekonomik, social, moral dhe psikologjik. Probleme të
natyrës së sipërthënë ka kudo ku janë shqiptarët në Ballkan. Përplasjet
politike në të gjitha hapësirat shqiptare, si në asnjë vend tjetër të rajonit,
e rrënojnë para botës imazhin e shqiptarëve si komb. Të tjerët do të thonë: ”Shqiptarët
janë popull pa kapacitet shtetformues”.
Që nga çlirimi i Kosovës, faktori politik nuk ka ndjekur politikë
shtetërore, por parapolitikë krahinore, zone dhe fisi. Me
parapolitikë krahinore, zone apo fisi s’të pranon dot kush në arenën
ndërkombëtare. Akuzat dhe aktakuzat e sotme nuk janë rastësi. Asgjë në histori
nuk ka ndodhur rastësisht. Gjatë tërë periudhës së pluralizmit në hapësirat
shqiptare ka mbizotëruar:
- politizimi dhe partizimi i skajshëm i institucioneve publike;
- politizimi dhe partizimi ekstrem i të gjitha poreve të shoqërisë;
- korrupsioni, nepotizmi dhe format e tjera të veprimeve të paligjshme;
- klientelizmi, joprofesionalizmi dhe diletantizmi;
- karrierizmi, ambiciet e sëmura, megalomania, lakmia për t’u pasuruar
brenda nate;
- kontrollimi i mediumeve dhe mungesa e lirisë së shtypit;
- mungesa e lirisë së fjalës, e lirisë së shprehjes, e lirisë së mendimit
ndryshe;
- ngulfatja e mendimit kritik, censura dhe autocensura;
- mercenarizmi i mediumeve, i analistëve politikë, i krijuesve të mendimit
publik;
- simulimi i ekzistimit të lirisë së fjalës;
- shpëlarja e trurit të masave të gjera;
- disiplinimi i inteligjencies, oportunizmi dhe konformizmi i saj;
- mungesa e ndërgjegjes dhe e kulturës për shtet dhe komb në një pjesë të
shoqërisë.
Si pasojë e sa më sipër kemi shpërnguljen në masë të të rinjve dhe
krijimin e segmenteve të dëshpëruara dhe të deprimuara brenda shoqërisë. Në
rrethana të tilla lindin dhe forcohen faktorët e ekstremit të majtë
apo të ekstremit të djathtë.
Aty ku faktori politik ndjek parapolitikë krahinore, zone dhe fisi, asnjë
subjekt politik nuk mund të fitojë më shumë se një të katërtën e numrit të
përgjithshëm të votuesve. Shteti që udhëhiqet nga një parti politike e cila
fiton jo më shumë se 25 për qind të trupit votues kurrë nuk mund të ketë qeveri të
qëndrueshme. Ky raport i forcave në Kosovë do të vazhdojë edhe një kohë të
gjatë. Kjo shkon në dëm të Kosovës.
Ndryshimet mund të bëhen duke i dhënë fund parapolitikës krahinore, të
zonës dhe të fisit. Parapolitikat duhet
të zëvendësohen me politikë kombëtare, d.m.th. shtetërore.
Kjo nuk bëhet pa zhvillim ekonomik dhe pa ndërtuar shtet ligjor apo shtetin
e së drejtës.
Shqiptarët maten me vetveten dhe e mundin njëri-tjetrin. Pra, e mundin
vetveten. Politika e Kosovës duhet të matet me atë të rajonit dhe më gjerë.
Karakteristikë e lëvizjeve majtiste janë veprimet populiste dhe
retorika denigruese. Gazi lotsjellës e rrënon prestigjin e Kosovës në
arenën ndërkombëtare. Interesi i individit, i grupit, i koniunkturës apo i
partisë nuk mund të jetë mbi interesin e shtetit. T’i quash oponentët politikë
vite me radhë tradhtarë dhe me të njëjtët të krijosh koalicion qeveritar nuk është veçse infantilizëm politik
dhe papërgjegjësi politike.
Shtetin e ndërtojnë dhe e udhëheqin idealistët dhe jo të
pangopurit. Ai ngrihet mbi parime demokratike dhe jo mbi teka autoritare dhe
autokratike.
Në Tiranë dhe në Prishtinë ke mundur të dëgjosh se “Hashim Thaçi bën
shkëmbim territoresh, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar Gjykatës së Hagës”.
Shërbim më të madh se kjo, s’ke si i bën armikut. Shteti i ri nuk e merr dot
veten me retorikën “Unë jam proamerikan, kurse ti je antiamerikan”.