Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Gjuhët indoevropiane
E shtune, 06.06.2020, 06:15 PM
GJUHËT INDOEVROPIANE
Nga Xhelal
Zejneli
Gjuhët indoevropiane
janë grup gjuhësh të cilat për nga krijimi i tyre janë të afërta. Ky grup i
gjuhëve përbën familje gjuhësore të veçantë. Që nga lashtësia
fliten ose janë folur në një brez të gjerë, prej skajit perëndimor të
Evropës deri në cepin lindor të Indisë dhe deri në Turkestanin
kinez, në zemër të Azisë. Prej zbulimeve gjeografike e këndej, këto gjuhë
fliten edhe në zonat e të shpërngulurve në Amerikën veriore, qendrore dhe
jugore, në Australi, në Zelandën e Re, pastaj në Siberi dhe gjetkë. Emërtimi“gjuhët
indoevropiane” për këto gjuhë
është më i vjetri dhe i pranuar nga të gjithë. Pothuajse po kaq i vjetër
është edhe emërtimi “gjuhët indogjermane”, që përdoret në vendet e
shprehjes gjuhësore gjermane. Në Angli ngandonjëherë shfaqet edhe
emërtimi “gjuhët ariane”. Mirëpo, termi arian i
përgjigjet gjuhës së indianëve dhe të iranianëve të vjetër,
të cilët janë të vetmit nga indoevropianët që e kanë quajtur veten arianë.
Ngjashmëria ndërmjet
gjuhëve indoevropiane, në shumë raste edhe sot është evidente. Për shembull
fjala “tre” në indishten e vjetër është trayah, në
greqishten e vjetër treis (në të vërtetë tres), në
gotishte preis, në lituanisht trys, në sllavishten
e vjetër trije, në latinisht tres. Kuptohet,
ka edhe shumë fjalë të tjera që shqiptohen ngjashëm në disa gjuhë të kësaj
familjeje. Në bazë të tyre, gjuhëtarët kanë ardhur në përfundim se në të
kaluarën e largët banorët e hapësirave të lartpërmendura kanë folur në gjuhën e
lashtë indoevropiane, d.m.th. në gjuhën e indoevropianëve të parë.
Supozohet se atdheu
i parë i indoevropianëve ka qenë diku në Evropën Qendrore dhe Juglindore, por
ka të tillë që e vendosin në Azinë Qendrore. Pothuajse para gjashtë mijë
vjetëve fiset indoevropiane kanë filluar të shpërndahen duke kërkuar
hapësira të reja për t’u vendosur. Në këtë kohë bashkësia e parë gjuhësore
indoevropiane fillon të shpërbëhet. Kështu lindën më vonë edhe degët
dhe nëndegët e familjes gjuhësore indoevropiane. Gjuhë të caktuara
indoevropiane përfshihen në to në bazë të afërsisë së ndërsjellë, diku
të madhe, diku më të vogël.
Gjuhët indoevropiane
gjuhëtarët i kanë ndarë në dy grupe: në grupin satem dhe në
grupin kentum. Në gjuhët që i takojnë grupit satem, velarët
palatalë të indoevropianishtes së stërlashtë k, g, g h kanë kaluar
në sibilantë.
Fjala satem buron
nga gjuha avestike për numrin “njëqind” - satem. Ndërsa kentum rrjedh
prej fjalës latine centum për numrin “njëqind”. Ka
pasur studiues të cilët ndarjen e gjuhëve indoevropiane në satem dhe
në kentum e kanë vënë në dyshim.
Në familjen e
gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë gjuhët, si më poshtë:
1. GJUHA
SHQIPE
Përbën degë
indoevropiane të veçantë. Nuk është aq e afërt me asnjërën nga gjuhët e
njohura indoevropiane. Sipas gjuhëtarëve eminentë evropianë, sidomos gjermanë
dhe austriakë, shqipja është pasardhëse e gjuhës ilire. Flitet: në
Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në
viset shqiptare në Maqedoni, në viset shqiptare në Mal të Zi, në Çamëri. Në
Ballkan, gjuha shqipe flitet prej shtatë milionë shqiptarëve. Shqipja flitet
edhe në ngulimet e arbëreshëve në Kalabri dhe në Sicili, në Zarë të
Dalmacisë në bregdetin kroat (lagjja Arbanasi) etj. Shqipja flitet edhe në
diasporën shqiptare në Evropë, në ShBA, në Kanada, në Australi. Një numër i
madh i shqiptarëve banojnë në Turqi.
Gjuha shqipe i ka
ruajtur tiparet thelbësore të trashëguara nga një fazë e hershme indoevropiane,
siç janë sistemi i rasave dhe zgjedhimi foljor,
natyrisht, me ndryshime të dukshme të përftuara në rrjedhën e shekujve. Ajo ka
edhe një fond të konsiderueshëm fjalësh të trashëguara,
si: ditë, natë, dimër, ujk, ujë, punë, zemër, i lehtë, i thellë, i
rëndë, jam, kam, bie, ha, pi etj. Ky fond i trashëguar arrin në rreth 2000
fjalë të parme, nga të cilat janë formuar shumë fjalë të tjera të
prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura, si p.sh.: punëtor,
punëtori, punishte, punoj, punim, punonjës, punëdhënës etj. Sipas
studiuesve të huaj, shqipja ndodhet pikërisht te rrënja e gjuhëve
indoevropiane.
Disa fjalë në GJUHËN
ILIRE kanë shënuar shkrimtarët antikë. Emra të përveçëm vendesh e
njerëzish janë ruajtur në veprat e shkrimtarëve antikë apo në mbishkrimet
ilire. Për ilirët dhe Ilirinë bëjnë fjalë
burimet e autorëve antikë grekë e latinë dhe bizantinë të hershëm, prej kohëve
të lashta homerike deri në shekullin VII të e.s. (Ilirët
dhe Iliria te autorët antikë, Instituti i Historish dhe i Gjuhësisë i
USHT-së, 1965, vëll. I, ribotuar në vitin 2002).
Fise të veçanta
ilire, panojët dhe tesprotët përmenden në
poemat Iliada dhe Odisea. Emri i
përbashkët ilirë del vetëm në shekullin V p.e.r. te Herodoti. Iliria
e banuar nga ilirët, përmendet për herë të parë në gjysmën e dytë të shekullit
IV p.e.r. nga Demosteni si fqinje perëndimore e Maqedonisë.
Nga gjuha ilire janë
ruajtur pak glosa, si: sika - thika, peli - qelq
(Epir), aspetos - i shpejtë (Epir), sabaja - një
lloj birre etj.; emra njerëzish si Bardhyl; Dardania -dardhë, Dalmatia
- delme - dele, ulkin - ujk,
bala - balë, daz - dash etj.
2. GJUHA ARMENE
Po ashtu është degë
e veçantë. E flasin armenët në atdheun e tyre dhe jashtë tij, armenët në
emigracion. Njihet në dy forma:armenishtja klasike dhe armenishtja
e sotme e re.
3. DEGA
INDO-IRANIANE
A. Nëndega indiane - Gjuhët e vjetra indase: gjuha vede dhe sanskritishtja;gjuhët
indase të mesme prakërt, siç janë: pali, shaurasen dhe maharashtri si
dhe një numër i madh i gjuhëve të reja indase: gjuhët letrare – gjuha
urde në Pakistan dhe gjuha hindu në luginën qendrore
dhe perëndimore të Gangesit dhe në Rajasthan, gjuha guxharat në
Guxharat, gjuha penxhap në rrjedhën e epërme të Indit, gjuha
pahar në Himalaje dhe në Nepal, gjuha land në luginën
qendrore të Indit, gjuha sind përgjatë rrjedhës së poshtme të
Indit, gjuha marat në Maharashtri në anën e pasme të
Bombeit, gjuha bihar në Bihar dhe në luginën lindore të
Gangesit, gjuha orise në Orissi, gjuha bengale rreth
grykës së Gangesit në Bengal.
Jashtë Indisë
fliten gjuha sinkaleze në Sri-Lankë, gjuha nepale në
Nepal, gjuha cigane ose rome, gjuhë e
ciganëve apo e romëve evropianë.
Në Pakistan fliten
sot 60 gjuhë, me gjuhën urdu si gjuhë kombëtare. Në
Indi fliten sot 200 gjuhë, 14 nga të cilat mësohen. Ka dhe shumë dialekte.
Gjuhë zyrtare është indishtja.
Në gjuhën sanskrit
(indishtja e vjetër) është shkruar Mahabharata (Historia
e madhe e Bharatas) njëri nga dy eposet e mëdha të letërsisë sanskrite
në Indi, i konsideruar si një prej teksteve të shenjta hindu. Përfshin 110.000
kuplete (215.000 vargje) dhe mbase është poema më e gjatë në
letërsinë botërore. Tema qendrore e saj është lufta ndërmjet dy familjeve që
janë në lidhje fisnore, Kauravas dhe
Pandavas, që në fund del fituese.
Mahabharata nuk është vepër e një poeti të vetëm, por përfaqëson një varg të tërë
poezish të rapsodëve të Indisë së lashtë. Ka të ngjarë të jetë përpiluar
ndërmjet viteve 400 para erës së re dhe 200 të erës së re.
B. Nëndegës iraniane të degës indo-iraniane i takojnë: prej gjuhëve të vjetra
iraniane –gjuha avestike, d.m.th. gjuha e
librave të shenjtë të ithtarëve të Zaratustrës, gjuha
e vjetër persiane me të cilën janë shkruar mbishkrimet të
mbretit të Persisë - Darit dhe të trashëgimtarëve të tij; gjuhët e mesme
iraniane: gjuha pehlevi, gjuhë persiane nga fisi i sundimtarëve
Sasanid, gjuha part, horezmike dhe sodike e
partëve dhe pasardhësi bashkëkohor i saj gjuha jagnobike në
lindje të Samarkandit. Gjuha sodike ka qenë e afërt me gjuhën e vdekur skite që
e kanë folur skitët.
Supozohet se nga
gjuha skite rrjedh gjuha osete e sotme – gjuhë iraniane në
Kaukaz. Në Azerbajxhan fliten gjuhët iraniane: gjuha tal dhe gjuha
tat.
Në gjuhën kurde flasin
25 milionë kurdë të Kurdistanit, d.m.th. në Irak, në Turqi, në Iran dhe në
Siri. Gjuha pashto ose afgane është gjuhë zyrtare
në Afganistan, kurse gjuha baluxhe flitet në krahinën
Baluxhistan të Pakistanit. Në Pamir fliten disa gjuhë pamiri.
4. DEGA
BALTIKE-SLLAVE
A. Në gjuhët baltike bëjnë
pjesë: lituanishtja, letonishtja dhe prusishtja e vjetër e
vdekur.
B. Gjuhët
sllave përbëhen prej tre grupeve: gjuhët sllave lindore, ku bëjnë
pjesë: rusishtja,
ukrainishtja dhe bjellorusishtja; gjuhët sllave
perëndimore, ku hyjnë: polakishtja, polapishtja e vdekur,
çekishtja, sllovakishtja, gjuha luzhe e epërme, gjuha luzhe e poshtme; dhe
gjuhët sllave jugore, ku bëjnë pjesë: kroatishtja, serbishtja, sllovenishtja,
bullgarishtja, maqedonishtja dhe forma e vjetër e saj sllavishtja
e vjetër.
Në grupin e gjuhëve
sllave jugore pretendojnë të përfshihen edhe: gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze.
Sipas shkollës serbe, kroatishtja, gjuha boshnjake dhe gjuha
malazeze nuk janë veçse serbishte apo dialekte të saj.
Edhe bullgarët e
mohojnë ekzistimin e maqedonishtes. Sipas tyre, maqedonishtja popullore është
bullgarishte.
Pesë degët e
lartpërmendura të gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë në grupin satem.
* * *
Për dallim nga grupi
i mësipërm i gjuhëve indoevropiane, te të cilat velarët palatalë (qiellzorë) k,
g, g h kanë kaluar në sibilantë, grupi kentum i
gjuhëve indoevropiane që pasojnë më poshtë, velarët palatalë i ruan
si velarë.
Pothuajse të
gjitha gjuhët kentum i takojnë pjesës perëndimore
të hapësirës së banuar me indoevropianë.
5. DEGA KELTE
Prej saj, deri në
vitet ’70 të shekullit XX, janë ruajtur deri diku tri gjuhë: bretonishtja në
Bretanjë, e cila, nën ndikimin e frëngjishtes është në zhdukje e sipër, gjuha
velse dhe gjuha skoceze.
Nëndegës ishullore
të gjuhëve kelte i takojnë edhe gjuha man në ishullin Man
dhe gjuha kornike e vdekur në Cornwall.
Gjuha kelte apo gjuha e galëve në pjesë kontinentale ka vdekur
në shekujt e parë të epokës sonë, por fushatat luftarake të keltëve e përhapën
në tërë Galinë, në Spanjë, në Italinë veriore, në Panoninë e lashtë (hapësirë e
rrafshët në Hungari dhe në Vojvodinë – Serbi), në Ballkan, deri në Azi të Vogël,
ku disa emra në gjuhën kelte ruhen edhe sot, si p.sh.: krahina Galatia në
Azi të Vogël.
Beogradin e
quanin Singidunum.
6. GJUHËT GJERMANIKE
Ndahen në nëndegën
lindore, me përfaqësuesen kryesore - gotishten e vdekur; në
nëndegën veriore, me gjuhët: islandishtja, norvegjishtja,
suedishtja dhe danishtja; në nëndegën perëndimore, me
gjuhët: gjermanishtja me dialektet e saj të larta dhe të ulta, gjuha
frige në Friesland, holandishtja në Holandë me afrikansën (gjuhë
e emigracionit holandez në Afrikën e Jugut) si dhe anglishtja.
7. DEGA ITALIKE
Në fillim janë folur
gjuhët e vjetra në Italinë qendrore, si: nëndega latino-faliske
me gjuhën latine, fillimisht gjuhë e qytetit të
Romës dhe e krahinës së Lacisë dhe me gjuhën faliske, gjuhë e
qytetit të Falerisë; nëndega osko-umbre, me gjuhën oske dhe
me gjuhën umbre.
Pas një kohe,
latinishtja mbizotëroi mbi të gjitha gjuhët e tjera italike dhe u bë gjuhë
botërore e Perandorisë Romake.
Nga e
ashtuquajtura latinishte vulgare (popullore) lindën
GJUHËT ROMANE apo NEOLATINE të
sotme, siç janë: portugalishtja, spanjishtja, katalonishtja, gjuha
provansale, frëngjishtja, tre grupet e dialekteve retoromane në
Alpe të cilat disa i konsiderojnë si gjuhë të veçanta: grupi grizhun,
tirol dhe furlan, gjuha istroromane në zonën prej
Pulle deri në Rovinj (qytete në bregdetin kroat dhe slloven) në Istrie, gjuha
istrorumune në disa fshatra të Uçkës (Uçka), gjuha dalmate e
vdekur në bregdetin kroat, prej Kërke deri në Dubrovnik (flitej deri në
dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX).
Këtu përfshihen edhe
do gjuhë që fliteshin jashtë Evropës, e që ishin zhvilluar mbi bazën romane, si
p.sh. gjuha haite, kreole.
Në veri të Danubit
ndodhet Dakia, vend i vjetër në Evropë, sot Rumania. Perandori
romak Marko Ulpie Trajani (sundoi në vitet 98-117) në vitet 101-107
pas K. e pushtoi Dakinë. Banorët e saj – dakët, u romanizuan. Rumanishtja
është e vetmja gjuhë neolatine e folur në Evropën
lindore, e cila u zhvillua nga latinishtja që e solli aty Trajani.
Romanë konsiderohen edhe moldavët, vllehtë, cincarët (arumunët).
Në shekullin VI
gjuha latine del nga përdorimi publik dhe mbetet të përdoret kryesisht
nëpër kisha.
8. GJUHA GREKE
Sikur shqipja
dhe armenishtja, edhe greqishtja përbën një degë indoevropiane të
veçantë. Dallohen: greqishtja e vjetër e cila kishte një numër
të madh dialektesh; greqishtja e mesme (bizantine) dhe greqishtja
e sotme (e re).
9. DEGA ANATOLIKE
Në lashtësi,
në Azi të Vogël janë folur disa gjuhë të vdekura. Në radhë të parë është hetitishtja,
gjuhë e Perandorisë Hetite në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Kjo gjuhë u
zbulua në fillim të shekullit XX në pllaka argjile që u zbuluan prej
arkeologëve në lindje të Ankarasë, në Turqi. Pastaj gjuhët që janë të afërta me
hetitishten, si gjuha luvike, palaje; gjuhët më të reja të
Azisë së Vogël, po ashtu të vdekura, siç janë: gjuha likike, gjuha
lidike, mbase edhe gjuha karike.
10. DEGA E TOKARISHTES
Në Turkestanin
kinez, në lindje, janë gjetur shkrime në dy gjuhë. Emri i tyre i vërtetë
nuk dihet. Në literaturë i quajnë: tokarishtja A dhe tokarishtja
B.
* * *
GJUHËT INDOEVROPIANE TË VDEKURA
Përpos gjuhëve
anatolike - hetitishtes dhe tokarishtes janë edhe do
gjuhë të tjera indoevropiane të vdekura. Në Azi të Vogël, në lindje të Lidisë,
Mizisë dhe Karisë janë gjetur ca mbishkrime në gjuhën frige.
Sipas legjendave, frigasit në Azi të Vogël kanë ardhur prej Gadishullit
Ballkanik, e që andej në Armeni, kështu që disa mendojnë se frigishtja ka qenë
mjaft e afërt me armenishten.
Në Maqedoninë antike
është folur maqedonishtja. Sipas studiuesve grekë,
maqedonishtja ka qenë një dialekt i greqishtes së vjetër. Ka studiues që thonë
se nuk dihet në mënyrë të sigurt në ka qenë ndonjë dialekt i greqishtes së
vjetër apo gjuhë në vete.
Çështjet që ndërlidhen me gjuhët dhe me prejardhjen e popujve, shpesh në
histori janë interpretuar njëanshëm për qëllime politike.
Në krahinën e
Apulisë në Italinë jugore janë gjetur mbishkrime të shkruara në mesapishte -
dialekt i veçantë i ilirishtes. Ka studiues që thonë se mesapët në
gadishullin italian kanë ardhur nga Ballkani.
Në rajonin e Venetit
të sotëm në veri të Italisë, para ardhjes së romakëve është folur venetishtja.
Një kohë të gjatë është konsideruar si një dialekt i ilirishtes. Më vonë do
studiues e konsideruan si një degë indoevropiane të veçantë.
Në periudhën antike,
deri në shekujt e parë të erës së re, në Iliri është
folur ilirishtja.
Trakishtja ka qenë gjuhë e fqinjëve veriorë të grekëve – trakasve.
Prej trakishtes janë ruajtur vetëm disa fjalë dhe dy mbishkrime të shkurtra.
Trakia në kohën antike ka qenë vend i Heladëve në veri. Sot është pjesë e
Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë. Në vitin 1923, e gjithë traka në
lindje të lumit Maricë në Bullgari, iu rikthye Turqisë dhe quhet Rumeli.
* *
*
PELLAZGËT - Pellazgët kanë qenë popullsi e
lashtë mesdhetare parailire dhe paragreke. Sipas autorëve
antikë - Homerit, Hesiodit, Herodotit, Tukididit etj. - pellazgët
kanë banuar në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë se Vogël,
në Peloponez, në Greqinë qendrore, në Thesali e gjetkë. Përcaktimi i karakterit
etnik të kësaj popullsie ishte shtruar si çështje qysh në lashtësi, p.sh.
nga Straboni.
Gjatë Rilindjes
Kombëtare Shqiptare pikëpamja se nga pellazgët e ka prejardhjen
populli shqiptar u përkrah si mbështetje për të treguar lashtësinë e tij.
Pikëpamjet e sotme
më të rëndësishme mund të përmblidhen në dy qëndrime kryesore:
1. Në Ballkan dhe në
Mesdhe ka jetuar një popull i stërlashtë me emrin pellazg, që shërbeu si bazë
për formimin e popujve të mëvonshme të kësaj treve. Gjuha e tyre - pellazgjishtja duhet
konsideruar si një gjuhë e parë indoevropiane;
2. Në kohën e
stërlashtë në Ballkan dhe në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as
një emër të njëjtë për të gjitha këto treva.
Ndaj, sipas disa
studiuesve, emërtimet pellazgë dhe pellazgjishte janë
të pasakta. Në këtë rast banorët quhen parailirë, paragrekë dhe parathrakë, kështu
që përjashtohet mundësia e përcaktimit të karakterit të tyre etnik.
PELLAZGJISHTJA
Sipas disa studiuesve,
gjuha e pellazgëve është gjuhë e panjohur. Disa të dhëna për të, nxirren në
mënyrë të tërthortë. Janë bërë përpjekje për të zbuluar lidhje të
pellazgjishtes me gjuhë të tjera indoevropiane. E kanë afruar atë herë me ilirishten dhe
nëpërmjet saj me shqipen, herë me thrakishten,
herë me gjuhët gjermanike etj.
Si mbetje të
pellazgjishtes janë vështruar disa fjalë të greqishtes dhe
disa emra vendesh, njerëzish dhe perëndish, me disa prapashtesa të
veçanta, që nuk i kanë të njëjtat tipare fonetike që e karakterizojnë
greqishten.
Që në shekullin
XVIII, e veçanërisht me rilindësit e shekullit XIX, nga
studiues shqiptarë dhe të huaj u hodh dhe u trajtua teza e lidhjes
së pellazgëve me shqiptarët dhe e pellazgjishtes me
shqipen.
Për të treguar
lashtësinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, tezën e prejardhjes pellazge të
shqiptarëve e shtjelluan sidomos rilindësit De Rada, Dhimitër Kamarda, Pashko
Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri.
Në mënyrë të veçantë
këtë tezë e trajtoi dhe e bëri të njohur në rrethet shkencore evropiane
diplomati, filologu dhe albanologu austriak, i konsideruar themelues i
studimeve shqiptare Johan Georg fon Han (Johann
Georg von Hahn, 1811-1869).
Gjatë shekullit XX
me pellazgët dhe me pellazgjishten janë marrë disa gjuhëtarë të njohur, si
linguisti gjerman Paul Kreçmer (Paul Kretschmer,
1866-1956), linguisti dhe filologu bullgar Vladimir Ivanov
Georgiev (1908-1986), gjuhëtari dhe studiuesi
belg Albert Joris van Vindekens (Albert Joris
van Windekens, 1915-1989), linguisti austriak Fric
Lohner-Hytenbah (Fritz Lochner-H?ttenbach, 1930-) etj.
Vindekensi pellazgjishten e quan gjuhë indoevropiane.
* * *
Në vitet ’60 të
shekullit XX tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe e
ka mbrojtur edhe pellazgologu i parë shqiptar - Prof. Spiro N. Konda, filolog,
helenist dhe historian, i lindur në Korçë, i diplomuar në Universitetin e
Athinës, autor i librit historiko-filologjik“Shqiptarët dhe problemi
pellasgjik”, të botuar në vitn 1962 në gjuhën greke, por edhe në Korçë
më 1964 në gjuhën shqipe.
Tezën e prejardhjes
pellazge të shqiptarëve e ka mbrojtur edhe pellazgologu i shquar Prof. Dhimitër
Pilika (Korçë, 1923-2003, Tiranë) në librin “Pellazgët,
origjina jonë e mohuar. Cilët janë pasardhësit e pellazgëve”, Botimet
enciklopedike, Tiranë, 2005..Prof. Pilika studioi drejtësinë në Universitetin e
Sienës në Itali. Është nip i Thimi Mitkos.
GJUHËT QË FLITEN NË EVROPË, E QË NUK I TAKOJNË FAMILJES SË GJUHËVE
INDOEVROPIANE
Nuk u takojnë
gjuhëve indoevropiane: gjuha baske, finlandishtja, hungarishtja, estonishtja (në
Baltik). Familjes së gjuhëve indoevropiane nuk i takon as turqishtja. Gjuha
finlandeze i takon grupit baltiko-fin të gjuhëve ugro-fine dhe
është e afërt me estonishten.
Gjuhën baske (baskishten) e flasin në vendin baskëve (në Spanjë
dhe në Francë) rreth një milion folës. Nuk lidhet me ndonjë gjuhë të njohur dhe
ndoshta është mbetje e gjuhëve para-indoevropiane të Evropës. Hungarishtja është
një nga gjuhët ugro-fine dhe është e vetmja gjuhë e madhe e
degës ugrike.
* * *
STUDIMET E PARA TË GJUHËVE INDOEVROPIANE
Qysh në lashtësi u
pa se ndërmjet greqishtes dhe latinishtes ka disa ngjashmëri.
Por, për paraqitjen dhe për zhvillimin e indoevropianistikës ndikoi
vetëm njohja e Evropës me kulturën indiane dhe me sanskritin.
Që nga fundi i
shekullit XVI u vërejtën ngjashmëri të caktuara të sanskritishtes me disa gjuhë
evropiane. Jehonë më të madhe patën mendimet e orientalistit anglez Viliem
Xhonsit (Wiliem Jones, 1746-1794) i cili
kishte shërbyer në Indi.
Poeti dhe kritiku
gjerman Fridrih Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich
Schlegel, 1772-1829) dhe romantizmi i hershëm, konstatimet
e Xhonsit (Jones) lidhur me sanskritin i pritën me entuziazëm.
Në këto rrethana u
paraqit vepra e njohur e studiuesit gjerman Franc Bopit (Franz
Bopp, 1791-1867) “Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritit, krahasuar me
sistemin e zgjedhimit të gjuhës greke, latine, persiane dhe gjermane”.
Kjo vepër merret si
fillim i periudhës krahasimtare në historinë e gjuhësisë.
Bopi është një nga themeluesit e linguistikës si
shkencë e pavarur. Është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në
trungun e gjuhëve indoevropiane. Është autor i veprës “Gramatika
krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852).
Në dhjetëvjeçarët e
ardhshëm indoevropianistika mori një zhvillim të hovshëm. U shtruan çështje që
kishin të bënin me gjuhën para-indoevropiane, me atdheun e
hershëm të para-indoevropianëve dhe me popullin para-indoevropian.
U paraqit teoria
e linguistit gjerman August Shlajerit (August Schleicher,
1821-1867) – Teoria e trungut gjenealogjik të gjuhës indoevropiane si
dhe Teoria e valëve (Wellentheorie) e
linguistit gjerman Johan Shmitit (Johannes Schmidt,
1843-1901).
Në vitin 1861 August
Shlajeri botoi veprën e tij të madhe Përmbledhje e gramatikës krahasuese
të gjuhëve indogjermane. Tentoi ta bëjë edhe rikonstruktimin e
gjuhës proto-indoevropiane. Filloi botimi i
revistave linguistike të rëndësishme.
U paraqitën
drejtimet kryesore në shkencën e gjuhësisë, siç janë komparativizmi
i hershëm, natyralizmi biologjik, psikologjizmi dhe Teoria
mbi botën e filozofit dhe gjuhëtarit gjerman Humbold (Karl
Vilhelm, baron Von Humbold, 1767-1835).
Me veprat e gramatikanëve
të rinj, kjo periudhë e formimit të gjuhësisë arriti
kulmin e vet. Në vitin 1880 doli vepra e linguistit dhe leksikografit
gjerman Prof. Herman Paulit (Herman Paul, 1846-1821) “Parimet
e historisë së gjuhës”, me të cilën u vunë bazat teorike të
shkencës së gjuhësisë.
Gramatika krahasuese indoevropiane u bë model i studimit të familjeve të
tjera gjuhësore dhe burim i rëndësishëm i njohjes së gjuhës në
përgjithësi.
Në fillim të
shekullit XX, me linguistin zviceran Ferdinand de Sosyrit (Ferdinand
de Saussure, 1857-1913), shpejt e zëvendësoi në atë rol linguistika
e përgjithshme, por ndikimi i gramatikanëve të rinj në
vende të caktuara ende ishte i fuqishëm.
* * *
FAMILJE TË TJERA GJUHËSH
Familja e gjuhëve
uralo-altaike, gjuhët hamite, gjuhët semite
- Përpos familjes indoevropiane të gjuhëve, ekzistojnë edhe familje të tjera
gjuhësh, si: gjuhët uralo-altaike – grup
gjuhësor turan në të cilin bëjnë pjesë gjuhët: ugro-fine
(hungarishtja...), samojed dhe altaike, përkatësisht manxhu-tunguze,
turko-tatare dhe mongole.
Gjuhët hamite fliten prej popujve hamit të cilët banojnë
kryesisht në Afrikë, siç janë berberët, egjiptianët e vjetër, koptët etj.
Në grupin e gjuhëve
semite bëjnë pjesë: gjuha babilonase, gjuha
asirike, hebraishtja e vjetër, gjuha fenikase, gjuha arameike dhe gjuha sirike,
arabishtja, etiopishtja e vjetër (gejez), gjuha amhar – gjuhë e
Etiopisë bashkëkohore dhe disa gjuhë të tjera etiopike.
Izraelishtja e sotme quhet ivrit.