Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Tragjedia e gjeniut - Dostojevski
E shtune, 05.09.2020, 07:00 PM
TRAGJEDIA E GJENIUT - DOSTOJEVSKI
PASQYRUES I RUSISË SË SËMURË, I SHOQËRISË RUSE TË SËMURË
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Fjodor
Mihajlloviç Dostojevski ka qenë i ngarkuar nga sëmurja e epilepsisë. Supozohet
se nga kjo sëmurje kanë vuajtur Herkuli, Ajaksi, Empedokle, Marku i Sirakusit,
Sokrati, Jul Cezari, Livie Druz, Shën Gjoni, Makbethi, Karli i Madh, Petrarka,
Dante Aligieri, Rishelie, Kromveli, Pjetri i Madh, Napoleoni etj.
Shënim: Herkuli (ose Heraklesi) –
në mitologjinë antike greke; më i madhi i të gjithë heronjve, me famë për fuqi
dhe guxim; Ajaksi – në mitologjinë antike greke; ishte një luftëtar i
Luftës së Trojës, i dyti nga trimëria në krahun grek pas Akilit; Empedokle (483-423
para K.) – filozof antik grek; Marku i Sirakut; Sokrati (469-399
para K.) filozof antik grek, u akuzua se e prish rininë dhe se nuk u beson
perëndive të shtetit; u dënua me pirjen e gotës me helm; prokurorë ishin
Meleti, Aniti dhe Likoni; u mbrojt me krenari, ndërsa helmin e piu me qetësi;Jul
Cezari (100-44 para K.) burrë shteti romak, prijës ushtarak dhe diktator;
autor i veprës “De bello Gallico” (Për luftën në Gali); Livie Druz;
Shën Gjoni (rreth 347-407) mjek i Kishës, peshkop i Kostandinopojës; Makbethi
(rreth 1005-1057) mbret i Skocisë; hipi në fron pasi vrau kushëririn e tij
Dunkanin I; u vra prej Malkolmit III; Karli I i mbiquajtur Karli i
Madh (lat. Carlus Magnus, 742-814) mbret i frankëve dhe perandor i
perandorisë së Shenjtë Romake; Petrarka (Francesco Petraca, 1304-1374)
poet italian; Dante Aligieri (1265-1321) poet italian; Kardinal
Rishelie (Armnad Jean du Plessis, 1585-1642 ) burrë shteti i francez,
ministër i pushtetshëm i Punëve të Jashtme dhe i Ushtrisë në kohën e Luigjit
XIII; Oliver Komveli (Oliver Cromwell, 1599-1658) gjeneral dhe burrë
shteti anglez; Pjetri i Madh ose Pjetri I (1672-1725) car i
Rusisë, zbatoi politikë ekspansioniste përgjatë brigjeve të detit Baltik;
aneksoi Estoninë dhe Letoninë dhe një pjesë të Finlandës. Në vitin 1703 e bëri
Shën-Petersburgun kryeqytet të Rusisë; Napoleon Bonaparte (1769-1821)
perandor i Francës.
* * *
Epilepsia e Dostojevskit
ka mundur të burojë, si nga vija e babait, ashtu edhe nga vija e së ëmës për
arsye se që të dy kanë qenë tejet të ngarkuar me forma të ndryshme të
neuropative dhe të psikopative.
Biografi i Dostojevskit Vjetrinski
shkruan se babai i tij ka qenë “njeri i ngrysur, nervoz dhe sedërmadh
zemërak”. Po ky biograf shton se Dostojevski ka folur me respekt për të
gjithë anëtarët e familjes së vet, por “për babanë nuk ka dashur të flasë
dhe është lutur që të mos e pyet për të; po ashtu pak ka folur edhe për
vëllain Andreun”.
Ç’është ajo që fsheh
shkrimtari për të atin? Kjo është zbuluar shumë më vonë, kur vajza e
Dostojevskit Lubov Dostojevskaja i ka botuar kujtimet për të atin. Para
lexuesve ajo e heq krejt vellon e sekretit dhe thotë se babai i Dostojevskit ka
qenë një alkoolik i tmerrshëm dhe tiran i lemerishëm, si në shtëpi ashtu edhe
jashtë saj, sidomos ndaj muzhikëve (fshatarëve) në pronën bujqësore, të cilët,
të zemëruar, e kanë rrahur brutalisht. Si duket, kjo tirani ka pasur bazë sadiste.
E ngarkuar ka qenë edhe
nëna e shkrimtarit. Ka qenë me nerva të dobëta. Strahovi shkruan se ajo
ka qenë “e heshtur, e tërhequr dhe frikacake”. Ka qenë me
konstitucion shëndetlig dhe lehtë të
lëndueshëm dhe herët ka vdekur nga tuberkulozi. Kur i vdiq e ëma, shkrimtari i
ardhshëm ishte 15-vjeçar. Të gjithë fëmijët e Dostojevskit të vjetër (babait të
shkrimtarit) kanë qenë të ngarkuar me një trashëgimi të rëndë. Në kujtimet e
veta, Lubov Dostojevskaja shkruan se vëllezërit e shkrimtarit, si i madhi ashtu
edhe më i vogli, kanë qenë alkoolikë të papërmirësueshëm dhe hora. E vetmja
motër Varvara ka qenë e ligë dhe shpirtkazmë në atë masë saqë e kanë
vrarë njerëzit e shtëpisë. Djali Varvarës ka qenë idiot, ndërsa
djali i vëllait më të madh të shkrimtarit, në pikëpamje mendore i zgjuar, ka
vdekur nga paraliza progresive. Për një hallë të vet F. M. Dostojevski
shkruan se “ka pasur kujtesë të dobët, ndonëse në dukje ka qenë pa
probleme shëndetësore; ka qenë pa karakter dhe e pavendosur, i është nënshtruar
çfarëdo ndikimi dhe është frikuar nga djalli”. Lubov Dostojevskaja
pohon se “të gjithë anëtarët e familjes kanë vuajtur nga prishja e nervave,
nga çrregullime shpirtërore dhe nga prirje kriminale”.
Natyra dhe forma e ngarkesës
trashëguese janë shfaqur te Dostojevski qysh në fëmijërinë e hershme. Simptomë
e parë më e fuqishme kanë qenë halucinacionet. Ato i janë paraqitur kur
ka qenë rreth dhjetë vjeç. Rastin e parë e ka treguar vetë Dostojevski në
revistën e vet “Ditari i shkrimtarit”. Njëherë, verës, kur ka qenë vetë
në pyll në pronën e babait, përnjëherë ka dëgjuar sesi dikush bërtet me zë të
frikshëm: “Ja ujku!” I frikësuar nga britmat dhe pa mend në krye,
largohet nga pylli si i marrë, takon muzhikun Marea. Ai e qetëson dhe e nxjerr
në rrugën që shpie drejt fshatit.
Dostojevski thotë se
qysh si fëmijë ka dëgjuar lloj-lloj zërash të tjerë. Si i vogël, është
frikuar natën më shumë se fëmijët e tjerë dhe në gjumë shpesh është
përpëlitur nga frika.
Nuk ka të dhëna se kur i
janë paraqitur sulmet e para epileptike, por është e mundur që
edhe ato kanë filluar në fëmijërinë e hershme. Një shok i tij i fëmijërisë
tregon se ka qenë dëshmitar i një sulmi të tillë epileptik, kur Dostojevski “është
rrokullisur në rrugë me shkumë në gojë”. Një shok tjetër i tij, shkrimtari Grigoroviç
shkruan se sëmundja e tij është shfaqur shumë herë qysh si student në
Shkollën e inxhinierisë. “Disa herë, gjatë shëtitjeve tona të rralla ka
pësuar sulme. Njëherë, duke e kaluar rrugën “Trojicka”, e pamë patrullën.
Dostojevski u ndal sakaq dhe mori të kthehet. Sa i bëmë do hapa, ai pësoi një
sulm aq të fortë sa që, bashkë me do të tjerë, e largova dhe e futa në një
dyqan aty pranë”.
Doktor Janoski të
cilit Dostojevski shpesh i drejtohej për këshilla mjekësore, duke e fshehur
prej tij epilepsinë e vet, shkruan: “Sëmundja e parë për të cilën më është
drejtuar Dostojevski ka qenë e një natyre lokale dhe të kufizuar. Gjatë
mjekimit shpesh ankohej për dhimbje koke të shpeshta që ai i quante
marramendje. Duke e përcjellë gjendjen e shëndetësore të tij dhe duke ditur
shumëçka që m’i kishte treguar vetë ai për çrregullimet nervore që i ka pasur
në fëmijëri dhe duke pasur parasysh temperamentin e tij dhe konstitucionin e
tij, gjithmonë kam pasur parasysh njëfarë sëmundjeje nervore”.
Më vonë gjatë jetës
sulmet e epilepsisë kanë qenë të shpeshta dhe janë bërë dukuri e rëndomtë. Këto
sulme i kanë shënuar shumë miq të tij. Poeti dhe publicisti rus Nikollaj
Aleksejeviç Njekrasov (1821-1878) dhe tregimtari e romancieri rus Ivan
Sergejeviç Turgenjev (1818-1883) e kanë shënuar rastin kur pas publikimit
të “Njerëzve të mjerë”, një bukuroshe e shoqërisë së lartë e ka ftuar
shkrimtarin e famshëm në sallonin e saj, ku ka qenë e pranishme bota më
elitare. Sapo ka dhënë krye në atë sallon luksoz dhe plot shkëlqim, ende pa u
përshëndetur me nikoqiren, Dostojevski ka rënë në dysheme si të kishte qenë
qiri, i shtangur, me fytyrë të shtrembëruar dhe me shkumë në gojë. A.
Milukov në kujtimet e veta e ka shënuar rastin kur Dostojevski ka qenë për
vizitë tek ai në Pavllovskë, afër Petrogradit. Sapo e ka marrë gotën, Dostojevski ka pësuar sulm. Kur
Milukovi e ka përcjellë deri në stacionin hekurudhor, papritmas ka bërtitur në
rrugë. “Sulm! Tani do të ketë edhe sulm”. Por, këtë herë nuk kishte
pasur sulm, as pas tri herëve mu pas kësaj, kur sërish me britma ka
paralajmëruar sulme. Kur të nesërmen Milukov e ka vizituar në banesën e tij,
Dostojevskin e kishte parë të dobësuar sikur pas ndonjë sëmundjeje të rëndë. “Në
fillim edhe nuk më njohu – pohon ky dëshmitar. Shoku më i ngushtë i
Dostojevskit, Strahov, shkruan se “sulmet e epilepsisë kanë ndodhur
përafërsisht një herë në muaj”. Ndonjëherë kanë qenë më të rralla,
herë-herë edhe më të shpeshta, madje edhe dy herë brenda javës.
Dostojevskit, si të
gjithë epileptikëve, nuk i është kujtuar asgjë se ç’ka ndodhur gjatë sulmit.
Pas sulmit duhej të kishte kaluar njëfarë kohe për t’i njohur miqtë apo të
afërmit. Sikur të gjithë epileptikët, edhe e ka parandier shfaqjen e sulmit.
Lidhur me këtë Strahovi shkruan: “Shfaqjen e sulmit e ka parandier
saktësisht, por ka pasur raste kur sulmi, ndonëse e ka parandier, nuk ka
ndodhur. Në romanin “Idioti” është përshkruar në hollësi parandjenja e
epileptikut mu para sulmit. Njëherë kam qenë dëshmitar sesi ka rrjedhur sulmi
te Dostojevski. Sa më kujtohet, ishte viti 1863, në prag të Pashkëve. Natën
vonë, rreth orës 11 vjen ai tek unë. Nga biseda, Dostojevski u ngazëllua. Ecte
nëpër dhomë. Fliste për diçka të madhërishme dhe të hareshme. Unë bëra një
ndërhyrje, ndërsa ai përnjëherë m’u drejtua me fytyrë të magjepsur. Kjo
tregonte se ngazëllimi ishte në kulm. Sakaq u ndal, sikur të kërkonte një fjalë
të përshtatshme për mendimin e vet. Prita se do të thotë diçka të pazakonshme.
Përnjëherë, nga goja e hapur e tij doli një zë i çuditshëm, i zgjatur dhe i
pakuptimtë. U rrëzua pa vetëdije në mes të dhomës”.
Strahov rrëfen: “Dostojevski
shpesh më ka thënë se para sulmit ndjen çaste entuziazmi të pazakonshme”.
Dostojevski tregon: ”Disa çaste para se të shfaqet sulmi ndjej një lumturi
të tillë që në gjendje të rëndomtë është e pamundur. Të tjerët këtë s’mund ta
marrin me mend. Në vete dhe në krejt botën ndjej një harmoni të plotë. Kjo
ndjenjë është aq e ëmbël dhe e fuqishme saqë për disa çaste të asaj lumturie do
të kisha dhënë dhjetë vjet, madje edhe tërë jetën time”. Dostojevski e merr
si shembull edhe profetin Muhamed.
Karakteri, mentaliteti
dhe temperamenti i Dostojevskit e kanë karakteristikën specifik të vet. Sipas
fjalëve të të vëllait, në fëmijëri Dostojevski ka qenë “i gjallë si zjarri,
bindjen e vet e ka mbrojtur në mënyrë energjike dhe ka qenë i ashpër në të
folur”. Për këtë arsye babai shpesh i është drejtuar: “Qetësohu Fegjë,
s’ke për të kaluar mirë... do të fitosh kësulën e kuqe”, d.m.th. do të
biesh në burg. Më vonë, si student i Shkollës së inxhinierisë, ai deri diku
ndryshon. Një shok i tij i quajtur Trutovski, shkruan: “Me shikimin i tij
dukej i kredhur në mendime, ndërsa me pamjen e fytyrës dukej i përqendruar...
gjithmonë u shmangej shokëve, ishte tejet serioz, nuk qeshte kurrë dhe kur
ishte me shokët - nuk dëfrehej”. Grigoroviç thotë: “Ishte serioz dhe i
tërhequr gjë që nuk është karakteristike për moshën e tij”. Në një
letër dërguar vëllait të vet kur ishte 17-vjeçar, Dostojevski shkruan: “Nuk
di në do të qetësohen ndonjëherë mendimet e mia të kobshme”. Mësuesi i tij Sevelev
tregon: “Duke qenë i veçantë. shokët i ngjitnin lloj-lloj nofkash. Më së
shpeshti e thirrshin “mistiku”, “idealisti”, “Fotije”.
Të gjitha këto veti të
fëmijërisë Dostojevski i ruajti gjatë tërë jetës, por në një formë më të
zhvilluar. Në fëmijëri u largohej njerëzve, ndërsa më vonë shumë shpejt
irritohej dhe ishte tejet i prekshëm. Askënd nuk e donte, ishte kundërshtar i
ashpër dhe i drejtpërdrejtë pothuajse me çdo kënd me të cilin vinte në kontakt
të afërt. Përpos armiqësisë ndaj shokëve të tij më mirë, ndaj Bjelinskit dhe
Strahovit, ishte në armiqësi edhe me Turgenjevin e urtë dhe
shpirtmirë. Në Baden të Gjermanisë aq ashpër e sulmoi dhe e ofendoi Turgenjevin
saqë miqësia e tyre u shua përgjithmonë. Në një letër dërguar pas kësaj zënke
poetit Jakov Petroviç Pollonski (1820-1890), Turgenjevi e quan “i
marrë” dhe “i papërgjegjshëm”. Po kështu sillej edhe ndaj të
tjerëve. L. Obolenski rrëfen sesi në një mbrëmje gazmore, të ulur rreth
trapezës, iu zemërua mjekut Kuroçkin ngase ky kishte thënë se në pikëpamje
fiziologjike zemra është organi më i qëndrueshëm. “Dostojevski përnjëherë iu
vërsul Kuroçkinit, me klithmë dhe shkumë në gojë. Ishte vështirë ta kuptoje
arsyen e zemëratës së tij. Bërtiste se mjekët fiziologë të sotëm i kanë
ngatërruar konceptet, se zemra nuk është një copë muskuli, por forcë
shpirtërore dhe morale e rëndësishme. Kuroçkini u përpoq t’i përgjigjej me të
mirë, por kot, ndërsa Dostojevski, nga zemërimi nuk mund ta merrte veten”.
Njëherë Dostojevski ka
qenë për vizitë te Apolon Nikollaeviç Majkov (1821-1897). Atij i vjen
për vizitë edhe një mik tjetër i tij. Dostojevski menjëherë ka kaluar në dhomën
tjetër ngase, siç ka pohuar shpesh, “assesi
nuk ka duruar pranë vetes një të panjohur”. Mysafiri e lëvdoi nikoqirin për
poezitë që kishte shkruar. Dostojevski e kishte dëgjuar bisedën e tyre. I
zemëruar, kishte dalë nga dhoma tjetër dhe grushtet lartë ishte drejtuar kah
dera, duke bërtitur: “Ç’thotë ky tinëzar!?” Princi Meshçerski flet
për rastin kur Dostojevskin e ka vizituar një grua “e qethur” dhe “moderne”.
Ajo fillon të flasë për çështjet shoqërore. Nga tërbimi, Dostojevskit i është
ndryshuar ngjyra e fytyrës. Ia ndërpret fjalën dhe e pyet: “A mbaruat?” –
“Po,...” i përgjigjet ajo. “Tani më dëgjoni. Do të jem më i shkurtër se
Ju. Ju llomotitët tepër dhe ja ç’do t’Ju them unë: Krejt çka keni thënë është
marrëzi dhe e ulët; më kuptoni, marrëzi!? Shkenca pa Ju mund të ekzistojë,
ndërsa familja, fëmijët, kuzhina, pa gruan nuk mund të ekzistojnë. Detyra e
femrës është kjo. Krejt çka keni thënë është budallallëk...” Baroni
Vrangel e përshkruan një rast që ia ka treguar vetë Dostojevski. Ka qenë në
Paris. Prej aty ka dashur të shkojë në Romë, por është dashur që në pasaportë
të ketë vizën e nuncit (ambasadorit) të papës. Për këtë arsye Dostojevski ka
ardhur dy herë në zyrën e nuncit, por nuk e ka takuar. Kur ka ardhur për së
treti, në sallën e pritjes takon një abat (kryemurg) të ri. Ai i është lutur të
ulet dhe të presë pak për arsye se “monsinjori pikërisht tani është duke pirë
kafe”. Pa e mbaruar fjalën abati, Dostojevski i irrituar dhe plot mllef,
bërtet: “Dites a Votre Monseigneur, que je crache dans som cafe, qu’il me
signe immediatement mon passeport ou je me precipitrais chez lui avec
scandal” (I thoni Monsinjorit Tuaj se e pështyj kafenë e tij; menjëherë
le të ma nënshkruajë pasaportën).
Jeta e Dostojevskit
është në përputhje me mentalitetin, karakterin dhe temperamentin e tij. Ai ka
jetuar 61 vjet. Fëmijërinë e ka kaluar në shtëpinë e prindërve dhe si fëmijë
shëndetlig, i tërhequr, i vetmuar dhe gjithmonë i zhytur në leximin e librave.
Në moshën 16-vjeçare e ka lexuar krejt krijimtarinë e lirikut, tregimtarit dhe
dramaturgut rus A. S. Pushkin (1799-1837), tregimtarin dhe
dramaturgun rus me prejardhje nga Ukraina N. V. Gogol (1809-1852), tregimtarin
francez, nismëtar i romanit-fejton Aleksandër Dyma babai
(Alexandre Dumas, 1803-1870), romancierin francez Honore dë Balzak (Honoré
de Balzac, 1799-1850), Eugjen Shi, prozatoren franceze Zhorzh Sand (George
Sand, emri i vërtetë Aurore Dupin baronesha Dudevant, 1804-1876). Për
inteligjencën e hershme të tij Mereshkovski shkruan:
“Shija
dhe gjykimi letrar i tij janë jashtëzakonisht të pavarur dhe të pazakonshëm për
vitet e tij. Ka njohuri, jo vetëm për letërsinë ruse por edhe për tërë
letërsinë evropiane”.
Pasi e kreu gjimnazin,
me dëshirën e të atit hyrë në Shkollën e inxhinierisë. Në një letër dërguar që
andej vëllait të vet, shkruan: “Kemi folur për Homerin, Shekspirin,
Shilerin, Hofmanin. E di Shilerin përmendësh. I kam recituar vargjet e tij
dhe e kam ëndërruar”.
Shkollimin në Shkollën e
inxhinierisë e kryen me sukses të shkëlqyeshëm. Sa e mbaron shkollimin, për
pjesëmarrje në organizatë revolucionare ilegale “Qerthulli i Petrashevskit” dhe
për shpërndarje shkrimesh ilegale, Dostojevski bie në burg. Dënimin e vuan në
Siberi. Përpos vuajtjeve që përjetoi, në burg iu përkeqësua edhe gjendja
shëndetësore. Ai shkruan që andej: “Vuaj tmerrshëm nga hemorroidet dhe ndjej
dhimbje në kraharor, që më parë nuk i kam pasur”. Në një letër tjetër
shton: “Shëndeti im është mirë, po të përjashtojmë hemorragjitë dhe nervozën
e cila më shfaqet si kreshendo (më
shtohet shkallë-shkallë). Herë pas herë ndjej sikur diçka ma shtrëngon
gurmazin”. Shpesh është ankuar se i bie të fikët.
Kur vjen në fron Aleksandri
II (1818 – i vrarë më 1881, perandor i Rusisë) liberal, Dostojevski
amnistohet. I liruar nga burgu, martohet me Maria Dimitrijevnën. Kjo ka
qenë grua e njërit prej shokëve të tij, pas fatkeqësisë në Siberi. Në mënyrë të
përshpejtuar dhe deri në kufij të skajshëm e zhvillon veprimtarinë letrare të
vet. Vazhdimisht lufton me vështirësitë familjare dhe financiare. Për t’u ikur
kamatarëve shkon në botën e jashtme ku qëndron katër vjet. Më së tepërmi në
Gjermani. Pas kthimit në Rusi i shkruan një miku të vet: “Nervat i kam tejet
të sëmura. Sëmundja e gruas më mundon tepër. Ajo është duke dhënë shpirt. Çdo
ditë e pres vdekjen. Vuajtjet e tmerrshme të saj tmerrshëm ndikojnë tek unë.
Jam burim i keq për familjen time. Jeta është e trishtueshme. S’jam mirë me
shëndet, natën s’bëj gjumë”.
Gruaja i vdiq nga
tuberkulozi. Pas vdekjes së saj për të vijnë ditë akoma më të vështira, si në
pikëpamje financiare ashtu edhe shëndetësore. Zhytet aq thellë në borxhe saqë e
pret edhe burgu. Martohet për së dyti. Merr një grua më të kamur. Është Ana
Grigorievna Smitkin. Ajo i ndihmon të nxirret disi prej borxheve. Te
martesa e dytë kishte shpresa të mëdha: “Dua të filloj një jetë të re. Të
gjej lumturi familjare për të cilën kam shumë nevojë” – i shkruan një shoku
të vet pas martesës së dytë.
Por lumturia nuk zgjati
shumë. Zhytet në borxhe të reja, akoma më të mëdha, shëndeti ndërkaq i
përkeqësohet. Për t’u shpëtuar huadhënësve dhe për ta përmirësuar gjendjen
shëndetësore bashkë me gruan niset për një udhëtim të ri nëpër Evropë. Prej
Gjeneve i shkruan shokut të vet Majkovit ku i thotë se ka ikur prej Rusie “për
ta shpëtuar, jo vetëm shëndetin, por edhe jetën”. Në vijim thotë se “sulmet
e sëmundjes i janë përsëritur çdo javë” dhe se “ndjen se është duke iu
dobësuar dëgjimi”. Në botën e jashtme, pa mbushur një vjeç, i vdes e bija.
Në rulet i humb rrobat e fundit të gruas. Me këmbënguljen energjike të gruas,
kthehet në Rusi. Deri në vdekje qëndron në Petrograd, “duke punuar si kalë,
për t’i larë borxhet”, i shkruan mikut të vet Aksakovit.
Ditët e fundit të jetës
i ka pasur më të rënda. Valishevski shkruan: “Kohët e fundit, para
shuarjes së jetës, s’ishte veçse një mbetje pikëlluese e nervave të këputura, e
një organizmi krejtësisht të shterur nga lodhja e tepër e ditëpërditshme në
punën letrare dhe në gazetari”.
* * *
Për ta kuptuar më mirë
ndërlikueshmërinë e ndodhive të brendshme të Dostojevskit, duhet paraqitur grosso
modo pasqyrën klinike të epilepsisë. Epilepsia në popull njihet me
emërtime të ndryshme: ftigë, lodërz, punëherë, ajo punë, ajo e tokës, bëtajë,
botë. Vjen nga familjet neuropatike dhe psikopatike.
Paraqitet që në fëmijëri apo edhe në rini. Zgjatë gjatë tërë jetës dhe
manifestohet në formë sulmesh të shpeshta dhe të rënda apo të rralla dhe të
lehta – rënieje. Kemi dobësimin shkallëzor fizik dhe mendor, gjë që e shkurton
edhe jetën. Sulmet epileptike fillojnë rëndom me parashenja dhe me parandjenja,
në formë të ndërrimit të disponimit, në formë ndjenje të dhimbjes,
etheve, shijes karakteristike në gjuhë dhe më së shpeshti në formën e ndijimit
të ajrit të këndshëm. Për këtë arsye, kjo gjendje e veçantë në psikiatri është
quajtur “aurë” që në greqishten e vjetër do të thotë ajër i
këndshëm. Shpejt pas kësaj epileptiku lëshon një klithmë karakteristike dhe
papritmas, si një cung, bie në tokë, aty ku ka qëlluar. Për këtë arsye ekziston
rreziku të lëndohet apo edhe më keq se kaq, po qëlloi në breg lumi, pranë
zjarrit ose grope uji. Pas rënies të gjithë muskujt ia zënë ngërçet. Muskujt
herë tendosen, herë shtangen dhe në mënyrë alternative e të shpejtë, herë
tendosen dhe lirohen. Ngërçet përcillen duke u rrokullisur nëpër tokë ose duke
i rënë tokës me duar, me këmbë dhe me kokë. Në gojë del shkumë e cila shpesh
është e gjakosur për shkak të kafshimit të gjuhës si pasojë e ngërçit të
muskujve të nofullave si dhe shtangies së bebëzave. Pas kalimit të sulmit, të
gjatë apo të shkurtër, epileptiku zgjohet dhe qetësohet, çohet në këmbë. S’i
kujtohet gjë se ç’ka ndodhur me të. Një kohë ndjen lodhje, dhimbje koke dhe
disponim të turbullt. Pas kësaj i rikthehet gjendjes së vet të rregullt. Mund
të ketë marrë lëndime dhe plagë. ato edhe pasi t’i jenë shëruar, lënë gjurmë
dhe shenja në formë vragash të përhershme. Sulmet mund të shfaqen edhe natën,
në gjumë, në formë ëndrrash rrëqethëse, ankthi apo në formë somnambulizmi
(gjumë në gjendje të zgjuar). Në gjendje të tillë epileptiku çohet nga shtrati
dhe me vetëdije joaktive mund të ecë nëpër shtëpi ose nëpër jashtë saj dhe të
kryejë veprime të caktuara.
Krahas sulmit, tek
epileptiku, që në fëmijëri zhvillohet dhe ndërtohet personaliteti fizik,
shpirtëror dhe karakteristik epileptik apo “personaliteti epileptik”, me
“degjenerim epileptik”, me “konstitucion epileptik” dhe me “karakter epileptik”
- të veçantë. Të gjitha ndryshimet psikike që janë pasojë e këtij procesi në
psikiatri janë quajtur “ekuivalentë psikikë të epilepsisë” (kundërvlerë
shpirtërore e epilepsisë). Ndër karakteristikat fizike dallohen sidomos vijat e
vrazhdëta të fytyrës dhe shtati i madh dhe forca. Për këtë arsye mjekët e
vjetër epilepsinë e kanë quajtur “sëmundja e Herkulit”. Midis
ekuivalenteve psikike, si tipare më thelbësore dhe më të shpeshta të
karakterit, të mentalitetit dhe të temperamentit epileptik theksohen
paqëndrueshmëria dhe ndërrimi i përnjëhershëm i ndjenjave dhe i disponimeve të
kundërta. Epileptikët mund të kenë disponim të mirë, janë dashamirës, shërbyes,
zemërmirë me ç’rast e shprehin “optimizmin epileptik” të vet –
manifestimin e tepërt të njeridashjes dhe të religjiozitetit, të përcjellë nga
një stil predikues dhe fjalëmbël. Për këtë arsye, në psikiatrinë e vjetër kjo
sëmundje është quajtur “morbus sacer”, “sëmundje e shenjtë”,
ndërsa në psikiatrinë e re fjalori i tillë është quajtur “nomenklaturë
hyjnore”. Por, epileptikët mund të jenë me ndjenja dhe disponime të kundërta,
kur janë të irrituar, të zemëruar, kur nuk janë të disponuar, kur janë
melankolikë, pesimistë dhe mizantropë - të gatshëm edhe për mizori dhe krime të
papritura. Për shkak të dallimit dhe kundërshtisë së brendshme të tyre mjekët e
mesjetës thoshin se “epileptikët në xhep e kanë librin e lutjeve, në gjuhë –
Zotin, ndërsa në shpirt – krimin”.
Ndër “ekuivalentet” e
tjera theksohen: mungesa e kohëpaskohshme, e shkurtër e vetëdijes e shprehur me
shikim të shtangur dhe me zbehje ose skuqje të befasishme të fytyrës, gjendje
kjo të cilën psikiatrit e vjetër francezë të parët e kanë hetuar dhe e kanë
quajtur “petit mal” (sëmundje e vogël) ose “absence” (mungesë),
për dallim nga “grand mal” (sëmundje e madhe) gjatë sulmit të madh me
ngërçe, “bradipsikia” apo të menduarit ose të folurit e ngadalësuar dhe
që shfaqet në formë belbëzimi, ndaljeje, përsëritjeje, ndezjeje dhe retorike të
tepërt; egocentrizmi i shprehur në theksimin e vazhdueshëm të “unit”
të vet dhe në mospërfilljen e interesave moralë dhe materialë të të afërmve të
vet; bredhjet dhe endjet e kohëpaskohshme të papritura dhe të paparashikuara
jashtë vendbanimit të përhershëm, “vagabondizmi” gjatë gjendjes joaktive të
vetëdijes kur të sëmurët bëjnë veprime të ndryshme të pamatura, shpeshherë edhe
vepra penale; iluzionet dhe halucinacionet e shpeshta, sidomos të të parit dhe
të dëgjimit që e ushqejnë imagjinatën e epileptikut.
* * *
Pasqyra klinike e
paraqitur vërehet si në personalitetin dhe jetën e Dostojevskit ashtu edhe në
veprën e tij. Për këtë flasin të dhëna dhe dëshmi të shumta biografike:
Sociologu dhe publicisti rus Nikollaj
K. Mihajllovski (1842-1904) në studimin e tij “Talenti
mizor” shkruan se Dostojevski kënaqet mizorisht në mundimet dhe në vuajtjet
e personazheve letrare të tij. tregimtari dhe romancieri rus Ivan S. Turgenjev
(1818-1883) i cili Dostojevskin e ka njohur për së afërmi, në letrën
dërguar tregimtarit rus Mihail Jografoviç Saltikov-Shçedrin (1826-1889)
shkruan se plotësisht pajtohet me Mihaillovskin dhe haptazi e quan
Dostojevskin “sadist”, duke shtuar se “sadizmi është
tipari themelor i krijimeve letrare të tij”.
Njëri prej biografëve më
të mirë të Dostojevskit, Vjetrinski, duke dhënë rezyme për këtë çështje
të rëndësishme dhe tejet të shtjelluar, shkruan: “Te Dostojevski ky tipar i
karakterit epileptik kalon në pasion të sëmurë për t’i zbërthyer në hollësi dhe
për t’i parë pandërprerë vuajtjet më të rënda të shpirtit njerëzor. Në veprat e
tij qartas bie në sy dukuria që shpesh përsëritet, e kjo është se vetë
shkrimtari në fatkeqësitë e të tjerëve ndjen kënaqësi. Vështirë është të mendohet
se kjo është veti e çdo psike njerëzore apo se është karakteristikë për të
gjithë njerëzit. Kjo duhet të konsiderohet si një tipar që është karakteristik
për vetë Dostojevskin dhe që në pikëpamje patologjike është i afërt me
zvetënimin sadist.
Kjo
nuk është e tëra. Dostojevski nuk është vetëm sadist, ai nuk kënaqet vetëm në
fatkeqësitë e të tjerëve. Atij i krijojnë kënaqësi edhe fatkeqësitë e veta. Në
pikëpamje psikike, ai është edhe mazohist. Jeta personale e tij është
përplot fatkeqësi dhe vuajtje. Situatat tepër të rënda të tij nuk vijnë nga
ndonjë veprim i jashtëm, por vijnë si diçka që kërkohet qëllimisht. Në njëfarë
mënyre ai i ngjan njeriut të dhënë pas alkoolit që është i vetëdijshëm se rakia
është helm, por që nuk mund pa të. Atë e shtyn diçka nga brenda, pasioni dhe
instinkti alkoolik i tij, ai e kërkon, e pi dhe dehet me ëndje. Dostojevski e
di se Siberia është robëri, vuajtje dhe fatkeqësi dhe pikërisht për këtë e
kërkon atë dhe e lëvdon. Ai duhet të ikë prej huadhënësve në Evropë ngase nuk
mund t’i lajë borxhet, duron mjerim dhe skamje, megjithëkëtë luan bixhoz dhe në
rulet humb krejt çka ka, e humb madje edhe fustanin e fundit të gruas.
Dostojevski e ka ngritur fatkeqësinë në shkallë kulti. Ideologjinë e
fatkeqësisë, përfshi edhe fatkeqësinë e vet e ka zhvilluar si askush para tij”.
Gjatë një bisede me
shokun e vet, filozofin, poetin, kritikun letrar, teologun rus Vlladimir Sergeeviç Sollovjov
(1853-1900), ai buçet me entuziazëm: “Siberia, robëria, kjo për mua ishte
një lumturi e madhe”. Te “Krim dhe ndëshkim” thotë se “ideja
buron prej fatkeqësisë”.
Dhimbja dhe vuajtja vërtet janë e
vetmja bazë e fortë e çdo krijimtarie dhe purgator i sigurt i ideologjisë
sociale dhe humane. Nga dhimbja dhe vuajtja lind dashuria ndaj
njerëzve, zgjohen dhe zhvillohen ndjenjat njerëzore. Te Dostojevski
dhimbja dhe vuajtja lindin dashuri ndaj hyjnisë, por urrejtje dhe
krim ndaj njerëzve. Për nga fjalët, ai është besimtar, por veprat e tij
janë të çuditshme. Ai është fanatik i dashurisë së Krishtit ndaj të
afërmit, por jo edhe i aksionit në këtë vështrim. Ai e ndërpret
miqësinë me shokun e vet, kritikun letrar dhe teoricienin rus Visarion
Grigorijeviç Bjelinski (1811-1846) dhe bëhet armik i hapur i tij vetëm
ngase ai është ateist dhe nuk beson në Zot.
Dostojevski shkruan: ”Ai
njeri, Bjelinski, e ka fyer Krishtin para meje, por ai nuk mund të krahasohet
me Krishtin edhe sikur t’i bëjë bashkë të gjitha forcat morale të kësaj bote”.
Në një bisedë me shokun
e tij të afërt Strahov, i cili po ashtu është ateist, pas dëshmive të
shumta Dostojevski bërtet me tërbim i dalë jashtë vetes: “Ekziston një Zot!
Po! Zoti ekziston!”
Në letrën dërguar zonjës
fon Vizinë shkruan: “Besoj se s’ka gjë më të bukur, më të thellë, më
simpatik, më të mençur, më burrëror dhe më të përkryer se Krishti dhe jo vetëm
që s’ka, por i them vetes me një dashuri ziliqare se s’ka edhe për të pasur.
Po të më dëshmonte ndokush se Krishti është jashtë të vërtetës, edhe sikur
të jetë ashtu, më parë do të kisha qëndruar me Krishtin se me të vërtetën”.
Mirëpo, derisa në një
anë është fanatik i dashurisë së Krishtit, në anën tjetër është njeri-urrejtës
(mizantrop) i ashpër, madje potencialisht edhe kriminel, kriminel në shpirt. Në
një rast ai shkruan haptas: “Ta duash njeriun në përgjithësi – do të thotë
ta përbuzësh, e ndonjëherë edhe ta urresh njeriun konkret, që e ke aty pranë.
Sa më shumë që e dua njerëzimin aq më tepër i urrej individët. Në ëndrra
mund edhe të flijohem për njerëzimin. Por, me njeri tjetër në të njëjtën dhomë
nuk do të mund të rija as edhe dy ditë. Kjo për mua është diçka e pamundur.
Jam armik i çdo të afërmi. Në shpirt, të afërmin mund edhe ta duash
nga larg, por nga afër – assesi”. “Mund ta duash vetëm njeriun e fshehur, të
padukshëm. Sapo e tregon fytyrën e vet, dashuria zhduket. Mendoj se
njeriu nuk është në gjendje të dojë të afërmin e vet”.
Nga rrëfimi i mësipërm
mund të nxirren përfundime të shumta. Del se Dostojevski është larg krishterimit
aq sa edhe filozofi dhe poeti gjerman, ateisti Fridrih Niçe (Friedrich
Nietzsche, 1844-1900). Niçe vetë ka thënë se para Dostojevskit nuk është
veçse një nxënës i vogël dhe se shkollën e ka marrë prej tij. Niçe shkruan:
“Dostojevski është i vetmi psikolog nga i cili kam pasur ç’të mësoj. Njohjen
me të e konsideroj si më të mirën ngjarje në jetën time”.
S’ka rus që e ka njohur
dhe që i ka besuar krishterimit të Dostojevskit. Në letrën dërguar një miku të
vet tregimtari, romancieri dhe dramaturgu rus Leon Tolstoj (1828-1910)
shkruan: “Më duket se keni qenë viktimë e konceptimit të rrejshëm mbi
Dostojevskin. Jo vetëm Ju, e gjithë bota e ka zmadhuar rëndësinë e tij dhe e ka
zmadhuar në mënyrë shabllone, duke e ngritur atë në shkallë profeti
dhe shenjtori, njeriun i cili ka vdekur në çastin kur në të ka shpërthyer
fuqishëm lufta ndërmjet të mirës dhe të keqes. Krijimet e tij të prekin në
zemër, është i çuditshëm, por ta ngresh si monument dhe si shembull
për brezat, njeriun që i tëri është luftë – kjo nuk shkon”.
Tregimtari dhe
romancieri rus i cili ka jetuar shumë vjet në Gjermani dhe në Francë Ivan S.
Turgenjev (1818-1883) në letrën dërguar tregimtarit rus Salltikov (Mihail
Jevgrafoviç Saltikov-Shçedrin, 1826-1889), për religjiozitetin e Dostojevskit
flet edhe më me vendosmëri: “Dhe vetëm kur ta marrim me mend se për këtë markez
de Sad tonin të gjithë peshkopët rusë
kanë mbajtur përshpirtje, madje kanë mbajtur edhe predikime për
dashurinë e madhe të këtij njeriu! Vërtet jetojmë në një kohë të çuditshme!”
Pra, sipas disa
studiuesve rusë, ndjenja fetare te Dostojevski nuk është e mirëfilltë. Këtu
fjalët dhe veprat nuk përputhen. Nuk është e rregullt as natyra e tij shpirtërore-morale. Kritiku
letrar rus Leo Shestov (Lev Isaakovi? Schwartzman, 1866-1938) në
studimin e tij për Dostojevskin shkruan: “Dostojevski kurrë nuk ka dashur të
pranojë se idetë e njeriut në “Shënime nga nëntoka” (1864) janë të tijat
dhe gjithmonë i ka pasur në xhep idetë parakaluese të cilat, sa më shumë i
shmangeshin thelbit të dëshirave përgjëruese të tij aq më me histeri i
theksonte”.
Prozatori rus Gleb
Ivanoviç Uspenski (1843-1902) konstaton të njëjtën dhe e vërteton me
shembullin e fjalimit të njohur të Dostojevskit me rastin e bekimit të
përmendores së lirikut, tregimtarit dhe dramaturgut rus Aleksandër Sergeeviç
Pushkin (1799-1837) në Moskë. Në këtë fjalim ai vëren se Dostojevski e ka
kallur publikun në solemnitet vetëm me ekstazën e vet, me nervat e zjarrta dhe
me shpërthimin fanatik të emocioneve. “Po ta lexojmë me kujdes fjalimin do
të shohim se ai është përplot kundërthënie dhe nuk është bindës”.
Misticizmi karakteristik
i Dostojevskit, përpos nga religjioziteti dhe krimi, është determinuar edhe
dhimbja dhe fatkeqësia apo vuajtja. Misticizmi i tij ka një bazë
mesianike-krishtere dhe nacionaliste të gjerë dhe të mjegullt.
Mjeku francez Dr.
Gaston Loig e ka shkruar patografinë më të thellë për
Dostojevskin. Ai thotë: “Dostojevski ka pasur dy arsye të veçanta për t’u
bërë mistik: është – epileptik, dhe është – rus”.
Dostojevski ka besuar me
fanatizëm në misionin historik të tij, Kësaj i ka besuar qysh në
rini, që atëherë kur për të s’ka ditur kush. Ai veten e ka çmuar lartë jo vetëm
në shpirtin e vet por edhe publikisht, para botës. Edhe gojarisht edhe në
letrat e veta, vazhdimisht e ka krahasuar veten herë me Pushkinin, herë
me Gogolin, herë me ndonjë tjetër gjigant letrar. Me këtë rast prore i
ka përsëritur fjalët e poetit, historianit, veprimtarit politik rus Nikollaj
Platonoviç Ogarev (1813-1877) se e dëshiron “edhe jetën, edhe
dhimbjen edhe vdekjen e profetit”.
Dostojevski gjithmonë
flet prerë, pa hamendje, në mënyrë fanatike dhe dogmatike dhe s’ e merr dot parasysh dilemën e askujt.
Bindjen e vet e imponon në mënyrë diktatoriale dhe s’duron dot kurrfarë
diskutimi.
Shoku i tij Stahejev rrëfen
sesi Dostojevski ka shkuar njëherë për përulje te murgu, eremiti dhe predikuesi
në Shkretëtirën Optina (Optina Pustinja). “Më shumë fliste Dostojevski se
murgu, shqetësohej, i përgjigjej në mënyrë të zjarrtë, e sqaronte kuptimin e
fjalëve të veta dhe në vend që t’i dëgjonte këshillat e kërkuara, vetë ai dilte
në rolin e mësuesit”. Stahajev shton: “Ri dhe dëgjoj sesi tërë natën
flet pandërprerë. Ja, tani do të çmendet. Gjatë të folurit shqetësohej tej
mase dhe dilte nga tema në temë. Ishte bashkëbisedues i rëndë, nuk donte t’i
kundërvihesh, nuk lejonte t’ia ndërpresësh fjalën, as t’i ndërhysh në fjalë. Po
qe se ndokush i ndërhynte me ndonjë vërejtje, i kthehej atij: “Hesht, mos m’u
bëj i mençur!”
Herë-herë Dostojevski
binte në ekstazë. Gjatë manifestimit gjithë-popullor “Ditët e Pushkinit”
të mbajtur në Moskë në vitin 1880 kur e mbajti fjalimin e njohur para përurimit
të përmendores së Pushkinit, para një numri të madh njerëzish ra në ekstazë të
tillë saqë miqtë e tij u frikuan për gjendjen shpirtërore të tij. Të gjithë
kishin përshtypjen se do t’i luajnë mendtë.
Strahovi
shkruan: “Dostojevski
filloi t’i recitojë vargje nga “Profeti” (Prorok) i Pushkinit, dy herë me
radhë, që të dyja herët me aq entuziazëm të tendosur saqë ishte e pakëndshme
për ta dëgjuar. Recitonte aq zëshëm saqë dukej se e thërret dikë”.
Misticizmin dhe
vizionaritetin e vet e plotësonte dhe e ushqente me seanca te
magjistarja si dhe me seanca sipritistike në të cilat shkonte bashkë
me filozofin Vlladimir Sollovjov.
Lidhur me shfaqjet e
sëmundjes së vet Dostojevski thotë: “Ju njerëz të shëndoshë, nuk mund ta
merrni me mend se ç’lumturi ndjejmë ne epileptikët, pak para sulmit. Nuk e di
nëse kjo gjendje e kënaqësisë zgjatë disa çaste, disa orë, disa muaj, por besomëni
se s’do ta jepja as edhe për të gjitha kënaqësitë e kësaj bote”.
Frymëzimi artistik i
Dostojevskit është në përputhje të plotë me jetën e tij. Ai është produkt i
epilepsisë së tij, në atë masë sa edhe karakteri, mentaliteti dhe temperamenti
i tij. Lidhur me këtë A. Milukov shkruan në kujtimet e tij: “Përpos
të vërtetës jetësore dhe saktësisë jetësore, një pjesë e madhe e personazheve
të tij, sidomos në veprat e tij të fundit, e mbajnë edhe vulën e njëfarë
fantazie patologjike. Të gjithë personazhet letrare të tij na duken sikur i
shohim nëpër qelq të ngjyrosur që u jep atyre kolorit fantazme. Krejt kjo si
dhe karakteri personal i tij është
produkt i sëmundjes fatzeze të tij”.
Në shumë vepra të veta
Dostojevski ka paraqitur pothuajse vetëm tipa patologjikë, jonormalë.
Ai është fotograf i Rusisë së sëmurë, i shoqërisë ruse të sëmurë.
Duke fluturuar në mendime nëpër tipat letrarë të tij lexuesi ka përshtypjen
se kalon nëpër repartet e çmendinës apo të entit ndëshkimor. Aty lexuesi i has kriminelët
e “Shënimeve nga shtëpia e të vdekurve”: Petrovin, Sushillovin, Cazinin,
Orllovin, Llukën, Bahllushinin si dhe kriminelët e tjerët të burgjeve të
Siberisë. Më pas lexuesi sheh vrasësin megaloman, melankolikun e
paranoikun e tmerrshëm Raskollnikovin sesi e vret me sëpatë plakën, e
pas kësaj drobitet në Siberi. Te Idioti” sheh vrasësin
Rogozhin sesi përgatitet për ta vrarë princ Mishkinin, i cili rastësisht shpëton ngase mu në atë çast ndodh sulmi
epileptik. Në vend të tij Rogozhini e vret Natasia Filipovnën – në prag të
çmendjes – kur e ndjen se duke e mposhtur fizikisht atë nuk do të thotë se e ke
fituar edhe dashurinë e shpirtit të saj. Vjen vrasësi Trusocki i
romanit “Burri i amshueshëm” i cili mëson se e bija nuk paskësh qenë e
vetja, ndaj e ther me brisk, në gjumë, fajtorin Velçaninov. Përpos vrasësve
janë edhe kriminelët politikë: Erkeni, Tollkaçenku, Virginski,
Verhovenski, Stavrogini, Lamshini, Lipuqini, Fegjku e të tjerë.
Nëpër veprat e
Dostojevskit takon epileptikë që rrokullisen në tokë, me ngërçe,
me shkumë në gojë si: Neli i romanit “Të fyer dhe të poshtëruar”, princ
Mishkini i “Idiotit”, Smerdjakov i romanit “Vëllezërit Karamazovë”,
Kirilovi i “Shpirtrave të këqij”. Duke udhëtuar nëpër veprat e tij sheh halucinacionet
e Ivan Karamazovit të “Vëllezërve Karamazovë” si dhe të Svidrigajllovit
të romanit “Krim dhe ndëshkim”. I pari e sheh djallin dhe bisedon gjatë
me të, i dyti i rrëfen Raskollnikovit sesi tri herë i është fanitur gruaja e
vet e ndjerë. Duke lexuar Dostojevskin hasësh në grupin e neuropatëve
dhe të psikopatëve. Ata ndodhen në sulm histerik.
Jelisaveta Hohllakova të “Vëllezërve Karamazovë” dhe Liza Drozdova e “Shpirtrave
të këqij”. Aty ndodhet degjeneriku Sokolski i “Djaloshit
të ri”, maniaku dhe melankoliku Hipolit nga “Idioti”,
Katarina Mermelladova e krisur nga “Krim dhe ndëshkim”.
Aty ndodhet tërë familja e “Vëllezërve Karamazovë”: plaku Karamazov, pervers
i pushtuar nga epshi; halucinanti Dimitrie; degjeneriku
i shthurur, me të meta mendore, Alosha; epileptiku dhe krimineli
dinak Smerdjakov. Më në fund nëpër ato vepra e gjen edhe falangën
e atyre që janë të dhënë pas alkoolit, në krye me Marmelladovën e
romanit “Krim dhe ndëshkim”, gjeneral Ivolgin dhe Lebegjevin e “Idiotit”,
Lebjadkinin e “Shpirtrave të këqij”.
Duke paraqitur tipa të
shumtë patologjik, në pikëpamje klinike të saktë, Dostojevski i
përgjigjet saktësisht edhe pyetjes: nga vijnë gjithë këto sëmurje shpirtërore
dhe prapësira!? Shkakun e sheh te mjedisi shoqëror i sëmurë që e paraqet mjeshtërisht
dhe që e has kudo nëpër Rusi. Shkakun e sheh edhe në trashëgiminë jo të
shëndetshme: Raskollnikovi ka lindur nga një nënë jonormale e cila çmendet sapo
merr lajmin se i biri është dënuar me dënim burgu; Smergjakovi ka lindur nga
babai Fjodor Karamazov, insenity moral (i sëmurë mendor moral), pervers
i rrëmbyer nga epshi dhe degjenerik “si nga epoka e rënies së Romës” dhe
nga nëna idiote; vëllezërit Ivan, Dimitër dhe Alosha kanë lindur nga
nëna histerike që kishte vdekur herët, mbase nga tuberkulozi si dhe nga babai
Karamazov; Babai i Nelit është i dhënë pas alkoolit ndërsa vetë ajo është
epileptike; babai i Sonjës, Marmelladov është i varur nga alkooli, ndërsa ajo
është prostitutë, etj.
Profesori rus i
psikiatrisë Çiz, në studimin e vet të gjerë “Dostojevski si
psikopatolog”, në veprat letrare të tij numëron rreth 40 tipa të
ndryshëm të sëmundjeve nervore dhe shpirtërore si dhe të të
sëmurëve. Psikiatri tjetër rus Bazhenov e thekson këtë si provë
të forcës krijuese intuitave të Dostojevskit. Ai shton po ashtu se Dostojevski,
pa qenë mjek ka hyrë në problemet e ndërlikuara të psikiatrisë para psikiatrit
francez Manjanit dhe para psikiatërve djalosharë Kraft-Ebing dhe Shile,
të cilët për psikiatrinë kanë shtruar debate të reja. Vlerësimet profesionale
të Çizit dhe të Bazhenovit, si dhe karakteristikat psikologjike që i kanë dhënë
për Dostojevskin Turgenjevi, Tolstoi dhe të tjerë janë dokumente të rëndësishme
për të. Ata tregojnë se ai i ka mbajtur në shpirtin e vet të gjithë personazhet
letrare të veta. Për këtë arsye i ka paraqitur dhe i ka përshkruar me
besnikëri. Për ta kuptuar më mirë këtë, çelësin e ka dhënë Shileri kur
thotë: “Po qe se dëshiron ta njohësh veten, shiko sesi bëhet te të tjerët;
po qe se dëshiron t’i njohësh të tjerët, shiko në zemrën tënde”.
Dostojevski, sikur
Tolstoi, nuk ka qenë vetëm letrar, por edhe mendimtar. Por, sikur
Tolstoi, edhe Dostojevski ka dështuar si mendimtar ngase nuk e ka
ndërtuar sistemin ideor të vet. Tolstoi këtë e ka konstatuar më së miri.
Në letrën dërguar Strahovit ai thotë se, si mendimtar Dostojevski nuk ka një
rend mendimesh. Për këtë arsye ato janë në një kundërthënie të thellë dhe
vazhdimisht ndodhen në kundërshti me njëra-tjetrën. Sipas tij “Dostojevski
si mendimtar është nën feler”. Ideja e Dostojevskit është “nën feler”
për arsye se ajo është ide epileptike, për arsye se edhe ai “librin e
lutjeve e ka në xhep, Zotin në gjuhë dhe krimin në shpirt”. Për të njëjtën
arsye edhe ideologjia e tij është “nën feler”. Ai e urrente kulturën
evropiane, proletariatin evropian aq sa edhe borgjezinë evropiane për arsye se
të dyja palët janë materialiste. Përballë Evropës thekson idenë mistike
dhe teorinë e vet se populli rus është i dërguar prej Zotit, është mbartës i
“socializmit rus” të vërtetë. Rolin e popullit hyjnor e kupton në mënyrën e
vet. Hyjnorin e paramendon si një rus shovinist dhe ortodoks, një rus që ka si
mision të ruajë dhe të përhap nacionalizmin rus dhe ortodoksinë ruse në të
katër anët e botës. Madje “me shpatën në dorë” siç i shkruan në letrën e vet Hniirovës.
Hyjnori nuk mund të ekzistojë pa Shën-Sofinë e Stambollit, kështu që konceptin
për misionin e paramenduar të popullit rus e ka shtjelluar dhe e ka theksuar
veçmas. Koha revolucionare në Rusi s’është asgjë tjetër pos “intrigë e alogjenëve”
të cilët hyjnori duhet t’i shfarosë njësoj, “me zjarr dhe shpatë”
sikundër shkruan në letrën e vet dërguar Tucikoviçit dhe të tjerëve.
Ndaj revolucionarëve,
“hyjnori” duhet të sillet në të njëjtën mënyrë. Në “Librin e shënimeve”
Dostojevski kërkon që revolucionarët të varrën në emër të shtetit “hyjnor”, për
arsye se “shteti ende nuk është kishë siç do të bëhet kur t’i vijë koha”.
Konceptin e vet “të popullit hyjnor, të dërguar nga Zoti” më së miri e
ravijëzon në letrën dërguar Apolon Majkovit në të cilën i flet për
konfliktin me Turgenjevin në Baden të Gjermnaisë. Turgenjevi, një
perëndimor i kthjellët, evropian, racionalist dhe pozitivist, i dëshpëruar nga
rrethanat shoqërore të rënda dhe ngulfatëse në Rusi, në shenjë proteste kundër
asaj gjendjeje e shkruan romanin e vet “Tymi” (1868). Personazhi kryesor
i romanit, Litvinov, shkëputet nga shoqëria e kamur ruse e të papunëve dhe e
fjalamanëve në një banjë gjermane, e merr trenin dhe kthehet në Rusi për t’iu
përveshur punës shoqërore të mundimshme dhe të dobishme dhe si agronom të
nxjerrë bukën e gojës me djersën e ballit. Duke ndenjur në kupenë e vagonit dhe
duke shikuar sesi ngrihet tymi nga oxhaku i lokomotivës, ai vetvetiu përsërit: “Tym,
tym, tym”. Turgenjevi thotë: “Në atë çast, çdo gjë përnjëherë i
është dukur si tym, jeta e vet, jeta ruse, çdo gjë njerëzore, e sidomos çdo gjë
ruse”.
Ky roman e ka zemëruar
Dostojevskin deri në tërbim. Në shumë letra të veta e nxjerr zemëratën e vet,
jo vetëm ndaj Turgenjevit por edhe ndaj të gjithë perëndimorëve rusë, po
edhe ndaj kulturës evropiane, duke ia kundërvënë asaj idealin e vet kombëtar
dhe rrugën kulturore ruse të pavarur. Këtë qëndrim të vetin e ka paraqitur si
në artikujt e vet publicistikë ashtu edhe në veprat e veta të mëvonshme. Në
romanin “Idioti” e paraqet me dashuri të madhe personazhin kryesor,
princin Mishkin, për arsye se është degjenerik dhe idiot. Me admirim i paraqet
edhe personazhet e pakulturuar Rogozhinin dhe Nastasien të cilët janë “plot
pasion si njerëzit e egër, por janë të njerëzishëm”. Nastasia grabit një
sasi parash dhe i hedh në zjarr. Të gjithë bërtasin: “Ti s’qenke në vete,
qenke çmendur!”, ndërsa Rogozhini, i qetë dhe ngadhënjyes bërtet: “Ja
pra, kjo është mbretëreshë! Ja, kjo është ajo që bëjmë ne! Cili prej jush, hajdutë,
mund të bëjë një mjeshtëri të këtillë?” Idioti Mishkin i tregon Rogozhinit
një anekdotë për nënën e cila e ka puthur të birin kur i është vërsulur për
herë të parë. Ajo e bën këtë për arsye se qesh edhe Zoti në qiell kur sheh se
poshtë, në tokë edhe mëkatari përulet dhe lutet. Idioti ka treguar këtë për të
dëshmuar se “thelbi i ndjenjës fetare nuk mund t’i nënshtrohet kurrfarë
gjykimi” dhe “kjo shihet më së miri në zemrën ruse”. Mishkini,
Rogozhini dhe Nastasia janë kundërshti e evropianëve, ata janë rusë të vërtetë
për arsye se sipas kritereve evropiane janë të marrë. Perëndimorët, evropianët
janë racionalistë, udhëhiqen nga arsyeja. Si të
tillë ata mund të arrijnë vetëm te një pjesë e së vërtetës,
ndërsa rusët, racionalistë, të marrë, të papenguar nga arsyeja dhe me ndihmën e
ndjenjës religjioze do të vijnë tek e vërteta e plotë. Kjo është
ideja ideologjike themelore e romanit.
Përkundër të gjitha
skajshmërive të ideologjisë dhe të filozofisë së vet, Dostojevski ka pasur
forcë vizionare të jashtëzakonshme. Me sytë vizionarë të vet ai e ka parë tërë
shoqërinë ruse të sëmurë. Ka paraparë tronditje shoqërore dhe transformim të
madh në Rusi, para se të piqeshin kushtet. Historianët rusë të rrethanave
shoqërore dhe kulturore ia kanë pranuar Dostojevskit luciditetin që në të
gjallë, duke e cilësuar si “profet të revolucionit rus”.
SHKRIMTARËT
E MËDHENJ PËR DOSTOJEVSKIN
Nga Dostojevski janë
ndikuar shumë shkrimtarë të Perëndimit, që nga filozofi dhe poeti gjerman Fridrih
Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900) deri te novelisti dhe
romancieri amerikan Ernest Heminguei (Ernest Hemingway, 1898-1962). Nën
ndikimin e tij kanë qenë zhanre dhe lëvizje filozofike.
Themeluesi i psikanalizës,
neurolog e psikoterapeut austriak me prejardhje çifute Sigmund Frojd
(Sigmund Freud, 1856-1939) ka pranuar se metoda e tij nuk mund të
zbatohet ndaj personazheve të veprave të Dostojevskit.
Tregimtari dhe
romancieri austriak me prejardhje çifute Franc Kafka (Franz Kafka,
1883-1924) ka parë një lidhshmëri të madhe me Dostojevskin dhe pjesë
nga romani “Djaloshi i ri” ia ka
lexuar me entuziazëm Maks Brodit (Max Brod, 1884-1968, poet, tregimtar,
dramaturg dhe eseist çek i shprehjes gjermane, me prejardhje çifute). Ky
shkruan se kapitulli i pestë i kësaj vepre ka ndikuar fuqishëm te stili i
Kafkës. Poeti dhe prozatori irlandez Xhejmz Xhojs (Jame Joyce,
1882-1941) për Dostojevskin thotë: “Askush si ai nuk e ka krijuar prozën
moderne dhe nuk e ka forcuar intensitetin e saj”. Prozatorja dhe eseistja
angleze Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941) shkruan se romanet e
Dostojevskit “janë vorbulla të rrezikshme, stuhi rëre dhe rrebeshe deti që
fërshëllejnë dhe gurgullojnë e që na gëlltisin. Ato përbëhen nga manifestime të
shpirtit...”. Në të ritë e tyre ithtarë të Dostojevskit kanë qenë edhe
prozatori kolumbian Gabriel Garsia Markez (Gabriel Garciá Márquez,
1927-2014) dhe shkrimtari japonez Haruki Murakami (1949-).
Nën ndikimi e
Dostojevskit kanë qenë shumë shkrimtarë perëndimorë. Prozatori amerikan, laureat
i çmimit “Nobel” Uilliam Fokner (William Faulkner, 1897-1962) thotë: “Dostojevski,
krahas Biblës dhe Shekspirit, është frymëzimi im më i madh”. Më së shumti
ka ndikuar mbi të romani “Vëllezërit Karamazovë”. Studiuesi i veprave të
Foknerit, poeti amerikan Robert V. Hamblin (Robert Wayne Hamblin, 1938-)
thotë se Fokneri, mu si Dostojevski, ka qenë i interesuar të studiojë krizën
e individit në kushte të krizës së shoqërisë. Familja që
e përshkruan Fokneri simbolizon disponimin dhe kushtet e jetesës të jugut
amerikan. Njësoj është edhe me personazhet e Dostojevskit të cilët ndodhen në
udhëkryqin e moralit, të fesë dhe të emocioneve.
Romani “Shënime nga
nëntoka” trajtohet si një ditar i një njeriu, në pikëpamje mendore të
sëmurë dhe si një nga veprat e para të ekzistencializmit.
Ndonëse shkrimtari dhe filozofi danez Soren Kierkegori (Soren
Kierkegaard, 1813-1855) është baba i filozofisë moderne, megjithëkëtë
Dostojevski mjaft ka ndikuar mbi mendjet e tilla si Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul
Sartre, 1905-1980) dhe Fridrih Niçe (Friedrih Nietzsche). Niçe thoshte
se “Shënimet nga nëntoka” janë një analizë psikologjike mjeshtërore.
Niçe lexonte A. S. Pushkinin (1799-1837), poetin, prozatorin dhe
piktorin romantik rus Mihail Lermontov (1814-1841) dhe Nikollaj
Vasileviç Gogolin (1809-1852). Për Dostojevskin thotë se ka qenë një nga
zbulimet më të mëdha të jetës së tij. “E dini Dostojevskin? Pa e llogaritur Stendalin
(1783-1842), askush tjetër nuk më ka befasuar dhe nuk më ka kënaqur aq
shumë. Ai është psikolog me të cilin unë gjej gjuhë të përbashkët”. Me të
lexuar romanin “Të fyer dhe të poshtëruar” të Dostojevskit,
filozofi gjerman ka shprehur respektin më të thellë për të.
Në veprën filozofike të
vet “Ekzistencializmi është humanizëm” Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul
Sartre) shkruan: “Dostojevski thotë: Po të mos kishte Zot, çdo gjë do të
ishte e lejuar” dhe kjo është bazënisja
e ekzistencializmit. Në interpretimin e Sartrit kjo do të
thotë se njerëzit, sikur të mos ekzistonte Zoti, do të përgjigjeshin për çdo
gjë dhe nuk do të kishin mundësi të kërkojnë falje nga lartë.
Ekzistencializmi kërkonte çelësin për ta kuptua
njeriun. Këtë gjurmim të kuptimit Dostojevski e nxori në plan të parë dhe u
përpoq të zbulojë fshehtësinë e përgjegjësisë së “unit” dhe Zotit në shembullin
e Raskollnikovit në romanin “Krim dhe ndëshkim”, të Stavroginit në “Mllefe”
dhe të Ivan Karamazovit në romanin “Vëllezërit Karamazovë”. Feja
është përgjigjja kryesore e Dostojevskit për të gjitha pyetjet, gjë që bie
ndesh me ekzistencializmin perëndimor.
Ernest
Heminguei (Ernest Hemingway)
shkruan: “Te Dostojevski ka gjëra të cilave mund t’u besohet dhe të cilat
janë të pabesueshme, por ka diçka që është aq e besueshme saqë njeriu gjatë
leximit edhe vetë ndryshon. Dobësia dhe marrëzia, vesi dhe shenjtëria, sjellja
hazarde – krejt kjo bëhet realitet siç bëhen realitet peizazhet dhe rrugët te
Turgenjevi apo zhvendosja e trupave, fushëbeteja, oficerët, ushtarët dhe
luftime te Tolstoi”. Por, pas një lëvdimi të tillë, Heminguei jep edhe
mendim të kundërt: “Gjatë gjithë kohës mendoj për Dostojevskin. Si mund të
shkruajë njeriu aq keq, tej mase keq, dhe aq shumë të ndikojë te lexuesit?” Sipas shkrimtarit turk Orhan
Pamuk (1953-), Tolstoi ka qenë mjeshtër më i madh i shkrimit të romaneve,
por njëherazi thotë se tek ai shumë më tepër ka ndikuar Dostojevski. Në një
ligjëratë të mbajtur në Shën-Petersburg, Pamuku thotë se jeta e tij plotësisht
ka ndryshuar kur e ka lexuar roanin “Vëllezërit Karamazovë”. Orhan
Pamuku e ka lexuar veprën “Mllefe” kur ka qenë 20-vjeç. Është habitur
dhe është frikësuar. Asgjë që kishte lexuar më parë s’i kishte lënë përshtypje
të tillë. Është shokuar nga fakti sesi pasioni për pushtet mund të jetë i
fuqishëm. Njëherazi është tronditur me aftësinë e njeriut për të falur
dhe për nevojën e tij për të besuar. Në të njëjtën kohë, synimi kah
instinktet e ulëta dhe kah shenjtëria e madhërishme e ka shtyrë
Pamukun të mendohet thellë.
* * *
Me jetën dhe me
krijimtarinë letrare të Dostojevskit janë marrë një numër i madh kritikësh
letrarë, estetë, filozofë, sociologë, psikanalistë, neurologë, psikiatër etj.
Në suaza evropiane është i njohur studimi i teoricienit letrar,
gjuhëtarit dhe estetit rus Mihail Mihailloviç Bahtin (1895-1975) “Probleme
të krijimtarisë së Dostojevskit” (1929, botimi i ripunuar më 1963).
Tregimtari dhe dramaturgu rus Leonid Maksimoviç Leonov (1899-1994) thotë
se Dostojevski është një “mal në mjegull”. Valentina Jevgenievna Vjetlovska është teoriciene ruse dhe doktor i
shkencave filologjike. Sipas saj, Dostojevski ka qenë revolucionar i bindur.
“Enigmën Dostojevski” ka tentuar ta zgjidhë në kontekstin e
letërsisë ruse dhe evropiane.
Rusët kanë një Zot – Pushkinin dhe apostullin në
krahun e djathtë të tij – Dostojevskin. Tërë letërsia klasike ruse ka
dalë nga Pushkini dhe nga Gogoli. Në kohën e Josip Visarionoviç
Xhugashvili Stalinit (1879-1953) Dostojevski ka qenë i ndaluar në Rusi.
Ka mesi i shekullit XIX Pushkini ka qenë i sulmuar nga shumë
anë. Është sulmuar ashpër nga kritiku letrar Dimitij Ivanoviç Pisarev
(1840-1868) dhe nga kritiku letrar e publicisti rus Vartolomej
Aleksandroviç Zajcev (1842-1882), ndërsa Dostojevski e ka mbrojtur
si asnjë tjetër dhe e ka konsideruar gjeni.
Valentina Vjetlovska thotë: “Pushkini është gjeniu i cili absolutisht i përgjigjet çdo shpirti rus. Dostojevski ndërkaq ka qenë i ndaluar një kohë të gjatë. Në programet e shkollave të mesme dhe në ato universitare në Rusi ka hyrë vetëm në vitet ’50 të shekullit XX. Duke qenë i ndaluar, shumë rusë nuk e kanë njohur sa duhet. Ndërkaq Pushkinin e kanë njohur gjithmonë. Për këtë arsye është vështirë të thuhet se ndikimi i Dostojevskit në shoqërinë ruse është më i fuqishmi. Përveç kësaj, këtë ndikim Dostojevski e ndan me Tolsotin. Rreth Dostojevskit dhe Tolstoit rusët sot e kësaj dite përplasen. Një pjesë thonë se Tolstoi është më i thellë dhe Rusinë e ka kuptuar më drejtë, ndërsa të tjerët këtë e thonë për Dostojevskin. Por shkrimtari rreth të cilit nuk ka përplasje është Pushkini. Disa studiues rusë e kanë tërhequr Dostojevskin kah Perëndimi duke thënë se ai, më shumë se të tjerët, ka anuar nga modelet e kulturës perëndimore. Po të mos kishte kulturë perëndimore te Dostojevski, a do të kishim një Dostojevski!? Por nuk duhet harruar se këtë vijë e ka nisur Pushkini. Ai e ka krijuar literaturën e re ruse e cila ka filluar prej tij si një letërsi evropiane, ndërsa Dostojevski e ka përkrahur”.