E diele, 13.10.2024, 11:11 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Oportunizmi i intelektualëve dhe politika

E marte, 17.11.2020, 09:14 PM


OPORTUNIZMI I INTELEKTUALËVE DHE POLITIKA

Nga Xhelal Zejneli

Shpesh pyesin: Ku janë intelektualët? Pse heshtin ata? Ka raste kur thonë: Intelektualët nuk përfillen sa duhet prej partive politike. Ka raste kur thonë se partitë politike nuk i përfillin intelektualët e mirëfilltë, për arsye se strukturat udhëheqëse të partive drejtohen prej njerëzve me aftësi të kufizuara. I paafti nuk e dëshiron pranë vetes atë që është më i aftë. Është detyrim moral i një intelektuali, që brenda mundësive të veta, ta japë ndihmesën e vet në momentin e caktuar historik, kur këtë e kërkon kauza kombëtare. Ndihmesën e vet, intelektuali mund ta japë, qoftë duke vepruar jashtë një subjekti politik, qoftë duke qenë pjesë e tij.

Kur një popull nuk e ka të zgjidhur çështjen kombëtare, angazhimi i intelektualit imponohet pothuajse si domosdoshmëri. Historia nuk njeh rast që një kauzë kombëtare të jetë shtruar dhe të jetë zgjidhur pa angazhimin e drejtpërdrejtë të intelektualëve të një kombi. Angazhimi i intelektualit rreth zgjidhjes së çështjes kombëtare është imperativ i çastit historik. Ndihmesën e vet intelektuali duhet ta japë në radhë të parë në profesionin e vet. Me paraqitjet e veta publike, intelektuali mund të krijojë mendim kritik, mund të ndërtojë kritikë politike dhe kritikë shoqërore. Intelektuali i formatit të madh paraqet një institucion në vete. Intelektuali me integritet përfaqëson ndërgjegjen e kombit.

Çdokush që ka diplomë universiteti apo që posedon titull akademik, e konsideron veten intelektual. Diploma universitare apo titujt akademikë, në një anë dhe diapazoni i diturisë në një fushë të caktuar, në anën tjetër, janë dy gjëra të ndryshme. Diplomat dhe titujt akademikë duhet të mbulohen nga dituria dhe nga përgatitja profesionale. Ndryshe, poseduesit e tyre, nuk janë veçse pseudo-intelektualë apo kuazi-intelektualë. Shumë intelektualë nuk dinë as ta përkufizojnë nocionin “intelektual”. Pavarësisht nga fakti se si e përkufizojnë këtë nocion fjalorët, leksikonet, enciklopeditë si dhe teoritë e ndryshme, intelektual duhet të konsiderohet personi (i shkolluar, i arsimuar) i cili në mënyrë të vazhdueshme ushtron veprimtari mendore kreative. Intelektuali lexon, hulumton dhe krijon vazhdimisht. Ai përsoset pandërprerë. Intelektuali që nuk i përcjell arritjet më të reja të lëmit të vet, rrezikon të shndërrohet në mediokër. Intelektuali që nuk lexon, që nuk hulumton dhe që nuk përsoset në mënyrë permanente, profesionin e vet e ushtron në mënyrë rutinore dhe e shndërron në zanat.

Ka intelektualë me shkallë të ulët të ndërgjegjes kombëtare. Ka edhe të tillë që janë me nivel të ulët intelektual. Një kategori e intelektualëve ndërkaq, janë oportunistë, konformistë dhe demagogë. Ata nuk kanë gatishmëri të merren me të keqen në mjedisin e vet. Intelektualët shqiptarë në Maqedoni që i takojnë kategorisë së oportunistëve, të konformistëve dhe të demagogëve, çështjen shqiptare në Maqedoni nuk e prekin fare. Kohë pas kohe, ata preokupohen rreth çështjes së Kosovës, apo trajtojnë tema që nuk janë aktuale dhe që nuk i cenojnë interesat e partive politike. Thua ti se Kosova nuk di të merret me vetveten, nuk i ka analistët e vet, publicistët e vet, politikanët e vet dhe institucionet e veta. Intelektuali ynë oportunist, konformist dhe demagog kurrë nuk tregon gatishmëri të merret me devijimet politike në hapësirën shqiptare në Maqedoni, me abuzimet, me mitën, me korrupsionin, me nepotizmin, me partizimin e institucioneve publike, me dukurinë e diferencimit, të izolimit, të denigrimit, të frikësimit, të disiplinimit, të shantazheve, të trysnive të ndryshme, të pasurimit brenda natës… Këta të ashtuquajtur intelektualë, kur merren me kritikë politike, parapëlqejnë të marrin në shënjestër, jo politikanët shqiptarë që objektivisht janë përgjegjës para popullit të vet, por Gligorovin, Cërvenkovskin, Lubço Georgievskin, Buçkovskin, Sheqerinskën, Lubisha Georgievskin, Gruevskin. Kështu sepse, nga kritikat drejtuar politikanëve maqedonas, nuk kanë kurrfarë pasoje dhe prej politikanëve maqedonas nuk presin kurrfarë interesi.

Ka edhe intelektualë të tillë që pandehin se janë nacionalistë apo radikalë. Partitë shqiptare për ta, nuk janë në vijën kombëtare. Këta të ashtuquajtur intelektualë, çdo gjë e shohin me nihilizëm. Sipas tyre, për këto dy dekada, shqiptarët në Maqedoni nuk kanë arritur asgjë.

Një pjesë e intelektualëve, brenda këtyre dy dekadave kanë ndërruar gjashtë parti, duke kaluar prej njërës në tjetrën, varësisht nga fakti se kush është në pushtet. Kjo kategori e intelektualëve s’ka asnjë parim, përpos parimit të interesit vetjak.

Ka intelektualë që ndodhen në pozita shoqërore të caktuara. Në saje të pozitave që kanë, ata realizojnë interesa vetjake të caktuara dhe nuk janë të margjinalizuar. Kjo kategori e intelektualëve nuk e sheh të nevojshme të angazhohet në politikë, as të përplaset me partitë politike. Në të vërtetë, këta janë oportunistë dhe konformistë që nuk duan t’i rrezikojnë pozitat e fituara.

Ka intelektualë të cilët ekonomikisht qëndrojnë në gjendje solide. Si të tillë, nuk kanë motiv të veçantë për t’u angazhuar politikisht apo për t’u afirmuar. As kjo kategori e intelektualëve nuk e jep ndihmesën e vet në funksion të interesit kombëtar. Ka intelektualë që thonë: Me politikë duhet të merren partitë politike për arsye se ato janë të paguara dhe të thirrura për një gjë të tillë. Sipas tyre, korrigjimin dhe kontrollimin e partisë në pushtet, më parë se intelektuali, duhet ta bëjë partia opozitare.

Ndër intelektualët shqiptarë në Maqedoni, ka edhe të tillë që pretendojnë të bëhen pajtues në shkallë kombi, ndërsa në oborrin e vet, janë ndër përçarësit kryesorë.

Ka individë të cilët, aftësitë e veta intelektuale të kufizuara, i mbulojnë me vitet e burgut. Disa prej tyre ndodhen edhe në majat e piramidës partiake.

Për intelektualë e marrin veten edhe do individë të periudhës post-partizane. Të tillët kanë kryer shkolla, që pak dallohen prej shkollave të natës të të ashtuquajturave universitete të punëtorëve. Kjo kategori e intelektualëve, misionin e vet, brenda mundësive të veta, e ka kryer në kohën e tyre.

Ka edhe pensionistë që, duke mos pasur se si ta kalojnë kohën, vite me radhë dhe me orë të tëra, i përcjellin të gjitha mediumet përfshi edhe seancat banale të Kuvendit të Maqedonisë. Të informuar në hollësi për çdo detaj, edhe këta pretendojnë se janë analistë të mëdhenj të proceseve politike.

Në raste të caktuara, do intelektualë bien në gjumë, në letargji, bëhen indiferentë, indolentë dhe të painteresuar. Në disa momente, devijimet  dhe abuzimet e partive politike bëhen shkas për zhgënjimin dhe për deprimimin e intelektualëve.

Ka raste kur intelektuali ka pretendime dhe ambicie që janë në mospërputhje me mundësitë reale të tij.

Ka edhe intelektualë me mendësi provinciale, ka që nuk komunikojnë në asnjë gjuhë të huaj, që nuk kanë shkelur në asnjë vend të Evropës e që nuk kanë parë internet me sy. Ka shumë intelektualë që s’e dinë dot as drejtshkrimin e gjuhës shqipe.

Në parim, çështja kombëtare, në radhë të parë është çështje e institucioneve kombëtare, që shqiptarët në Maqedoni nuk i kanë. Angazhimi i intelektualëve shqiptarë në Maqedoni rreth çështjes kombëtare është i domosdoshëm pikërisht për shkak të mungesës së institucioneve kulturore, arsimore dhe shkencore kombëtare. Institucionet e tilla ndër ne, janë në hapat e parë të themelimit të tyre. Angazhimi politik i intelektualëve shqiptarë është i domosdoshëm edhe për shkak të shkallës së ulët profesionale të partive politike shqiptare në Maqedoni.

Partitë politike duhet të profesionalizohen dhe të demokratizohen. Disa nga politikanët shqiptarë, disa nga ministrat shqiptarë, një numër i deputetëve shqiptarë,  ambasadorë të caktuar shqiptarë, me fjalë të tjera, një pjesë e establishmentit dhe e nomenklaturës shqiptare, këto dy dekadat e fundit, në lëmin e politikës, të ekonomisë, të sociologjisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të drejtësisë, të historisë kombëtare, të historisë së Ballkanit… nuk kanë pasur as edhe njohuri themelore.

Disa prej tyre, në politikë kanë hyrë me njohuri tejet të kufizuara, për ta mësuar atë, gjatë zhvillimit të proceseve. Të tillët, mjeshtërinë e politikës kurrë s’arrijnë ta mësojnë mirëfilli.

Partitë politike shqiptare, dy dekadat e fundit, kanë zbatuar edhe përzgjedhje negative, duke tubuar rreth vetes dhe duke avancuar intelektualë apo pseudo-intelektualë me vlera morale dhe profesionale të dyshimta dhe të kufizuara.

Ka pasur raste të jenë afirmuar karrieristët, poltronët, butakët, sahanlëpirësit, gjysmë-analfabetët, veprimtarët partiakë militantë dhe të jenë anashkaluar apo shpërfillur intelektualët me shkallë të lartë profesionale. Përzgjedhja negative e kuadrove, nuk është në interes, as të partive e as të shoqërisë.

Ka raste kur intelektuali, kontributin e vet e jep në profesionin e vet. Çdokush nuk mund të merret me politikë e as që duhet të merret. Secili duhet të kontribuojë në lëmin e vet. Çdo pore e shoqërisë nuk duhet të politizohet apo të partizohet.

Ka raste kur pushtetarët dhe partitë politike, në mënyra të ndryshme dhe me metoda të ndryshme e detyrojnë intelektualin që të heshtë. Kur mungon liria e të shprehurit, liria e shtypit dhe mendimi kritik, intelektuali, i cili kryesisht konsiderohet ndërgjegjja e kombit, është i detyruar ta mbyllë gojën. Ndryshe, ai rrezikon të ballafaqohet me pasoja të caktuara.
 Ka raste kur intelektuali, zërin e protestës e shpreh në lëmenj të tjerë dhe në mënyra të tjera, me mjete shprehëse specifike. Dukuria e ikjes nga realiteti haset edhe në art dhe në letërsi. Në sistemet totalitare, shkrimtarët dhe krijuesit artistikë, të cilët nuk janë pajtuar me diktaturën dhe me njëmendimin ideologjik, kanë vepruar në mënyra të ndryshme:

– disa prej tyre, shkrimet e veta nuk i kanë botuar fare;

– ka të tillë që nuk kanë shkruar për temat dhe për çështjet aktuale të shoqërisë, por kanë trajtuar tema historike, të cilat pak kujt i kanë interesuar;

– disa prej tyre, si p.sh. në kohën e fashizmit në Itali, për t’iu shmangur grushtit të pushtetarëve, kanë përdorur në veprat e veta stilin hermetik;

– të tjerë, si prozatori rus Aleksandër Solzhenjicin (1918-2008) u deportuan në kampet e Siberisë; autorit të librit në tre vëllime “Arkipelagu Gullag”, në vitin 1970 iu dha çmimi “Nobel”;

– poeti dhe romancieri rus me prejardhje hebraike, Boris Pasternak (1890-1960) ka botuar vepra jashtë atdheut të vet; në vitin 1958 iu dha çmimi “Nobel”, por pas një fushate të egër kundër tij në BRSS, refuzoi ta pranonte;

– ndërkaq dramaturgu çek, Vecllav Haveli (1936-2011) është dënuar me burg; Haveli mbështeti ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës prej hordhive barbare serbe;

– disa prej tyre, si prozatori çek-francez, i cili prej vitit 1975 jeton në Francë, Milan Kundera (1929-) dhe prozatori serb, nga nëna malazez dhe nga babai hebre Danillo Kish (1935-1989) - janë larguar nga vendet e tyre. Danillo Kish ishte mik i shqiptarëve;

- shkrimtari norvegjez Knut Hamsun (mbiemri i vërtetë Pedersen, 1859-1952), pas dramaturgut norvegjez Henri Ipsen (Henrik Ibsen, 1828-1906) është shkrimtari më i njohur norvegjez; gjeniu i letrave Knut Hamsun nuk kishte arsimim formal të madh; autor i romaneve “Uria” (Sult, 1890) dhe “Frytet e tokës” (Marken grode, 1917); në vitin 1920 iu dha çmimi “Nobel”; ishte djathtist, mbështetës dhe përfaqësues i filozofisë naziste dhe i politikës së Hitlerit dhe të kryeministrit norvegjez, kolaboracionistit Kuisling (Vidkun Quisling, 1887-1945); gjatë Luftës së Dytë Botërore, Knut Hamsun mbështeti pushtimin nazist të Norvegjisë; pas luftës u dënua me burg;

– Ka edhe raste kur disa krijues, si për shembull poeti dhe kritiku amerikan Ezra Paund,(Ezra Pound, 1885-1072)  janë vënë në shërbim të fashizmit

A do të bashkëjetojë intelektuali me të keqen, kjo varet prej shumë rrethanave: në radhë të parë, prej karakterit të tij, prej vlerave dhe virtyteve të tij morale, prej integritetit të tij personal dhe prej nivelit intelektual. Kjo varet edhe prej disa rrethanave dytësore, siç është gjendja ekonomike e intelektualit. Intelektuali me karakter të dobët dhe me shkallë intelektuale të ulët kurrë s’e kundërshton të keqen. Përkundrazi, bashkëjetesën me të keqen ai e konsideron normale.

Natyralisti francez Emil Zola (1840-1902), në aferën e Drajfusit, për ta mbrojtur të vërtetën, rrezikoi veten.

Intelektuali, në çdo çast dhe në çdo rrethanë i mbron parimet. Asgjë dhe asnjë interes nuk mund të vihet mbi parimet. “E mira më e madhe është pjellë e së keqes më të madhe” – filozofi dhe poeti gjerman Fridrih Niçe (1844-1900).

Çdokush që posedon sot diplomë universitare apo titull akademik, e konsideron veten intelektual, pavarësisht nga diapazoni i njohurive që ka dhe nga kriteret me të cilat e ka marrë diplomën universitare apo titullin akademik. Diploma universitare dhe titulli akademik sot, si kurrë më parë, merren pa ndonjë vështirësi të madhe. Sot kemi një inflacion diplomash universitare dhe titujsh akademikë. Shumë posedues të diplomave të sotme dhe të titujve akademikë kanë njohuri profesionale dhe intelektuale tejet të kufizuara dhe të diskutueshme. Shumë shkolla dhe universitete në Ballkan sot janë shndërruar në qendra biznesi. Intelektuali me njohuri të kufizuara dhe me vlera njerëzore e morale të dyshimta, është kuazi-intelektual. Intelektuali që e shtrembëron të vërtetën dhe që për interesa vetjake u thur lavde liderëve partiakë është mercenar dhe pseudo-intelektual, është dëshmi e mjerimit intelektual.

Intelektualët më së shumti mund t’i kontribuojnë interesit kombëtar kur veprojnë në kuadër të shoqatave, të asociacioneve dhe të forumeve të tyre. Ndihmesa profesionale e asociacioneve të intelektualëve për çështjen kombëtare mund të jetë e jashtëzakonshme.
 Zgjidhja e kërkesave të shqiptarëve është motiv i mjaftueshëm për çdo intelektual për ta dhënë ndihmesën e vet në këtë drejtim. Kjo është më shumë se një detyrim moral.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora