Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe politika
E marte, 10.11.2020, 09:14 PM
SHQIPTARËT DHE POLITIKA
Nga
Xhelal Zejneli
Pluralizmi në
hapësirat shqiptare filloi në vitin 1991. Që atëherë e deri më sot, hapësirat
shqiptare ndodhen në fazën e tranzicionit. Tranzicioni në Kosovë filloi pas çlirimit
të saj nga pushtuesit serbë. Shtetet e konsoliduara si Sllovenia dhe Kroacia,
ka kohë që kanë dalë nga tranzicioni. Ato janë bërë edhe pjesë të organizmave
euro-atlantikë, të NATO-s dhe të BE-së.
Gjatë tri dekadave
të lëna pas, në hapësirat shqiptare lulëzoi dhe mbizotëroi nepotizmi dhe
korrupsioni. Aty ku ka nepotizëm dhe korrupsion nuk ka shtet
ligjor. Aty ku s’ka shtet ligjor, integrimi në BE është një ëndërr e largët.
Gjatë tri dekadave
të tranzicionit, partitë “politike” shqiptare e kanë zbatuar me përpikëri
përzgjedhjen negative. Pjesëtarë të organeve legjislative apo ekzekutive janë
bërë individë me njohuri të kufizuara. Midis tyre ka pasur
individë me arsimim të pamjaftueshëm apo me arsimim të dyshimtë. Të tillët
quhen persona joprofesionalë apo diletantë dhe mediokër.
Kriter për
emërimin e personave me njohuri të kufizuara apo me kualifikime të diskutueshme
ka qenë dhe vazhdon të jetë përkatësia partiake. Hyrja e një individi në
nomenklaturën partiake bëhet mbi baza familjare, fisnore, miqësore. Personi me
ndikim në parti promovon me dinakëri dhe dredhi njeriun e familjes së vet apo
të fisit të vet.
Në hapësirat
shqiptare pozitat e larta në pushtetin qendror blihen edhe
me para. Partia ia shet individit të kamur postin.
Zënia e pozitave
të larta bëhet edhe me amoralitet. Me fjalë të tjera, për post
shitet edhe morali dhe nderi.
Ndodh shpesh që në
Maqedoninë e Veriut të vijnë në pozita të larta ata shqiptarë që janë të
pranueshëm për sllavo-maqedonasit. Për të qenë i pranueshëm prej tyre, duhet të
jesh për multikulturë dhe për shtet qytetar me mbizotërim të plotë të
sllavo-maqedonasve. Të pranueshëm për sllavo-maqedonasit janë edhe bijtë
e familjeve që e kanë çuar mirë me të gjitha sistemet dhe me çdo pushtet.
Pra, bijtë e familjeve që i janë përshtatur çdo ideologjie dhe që kanë qenë anacionalë.
Po qe se je për shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas, mund të
konsiderohesh nacionalist dhe njeri me ide të tejkaluara. Multikultura s’është
asgjë më pak se vëllazërim-bashkimi i Josip Broz Titos.
Në fund të viteve
’80 të qindvjeçarit XX, shtypi i Beogradit afirmoi sintagmën shqiptarë të
ndershëm. Sipas tyre, të ndershëm ishin ata shqiptarë që shanin
Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, përkatësisht serbosllavinë. Fatmirësisht,
numri i shqiptarëve të ndershëm ishte i vogël. Sot ekziston
rreziku që ky numër shqiptarësh të ndershëm në Maqedoninë e
Veriut të shtohet.
* * *
Në hapësirat
shqiptare rëndom avancohen personat që janë të dëgjueshëm, poltronët,
oportunistët, konformistët, puthadorët dhe karrieristët. Avancohen dhe
promovohen edhe demagogët, lakmitarët, të pangopurit, mashtruesit,
intrigantët, tregtarët e flamurëve, ushtarët partiakë, militantët partiakë, të
dëgjueshmit, pakurrizorët (butakët), oportunistët, konformistët, demagogët,
mercenarët, të pamoralshmit, të pandershmit. Ky dance macabre nuk
përfundon me kaq.
Në rrethana të
tilla kemi politizimin dhe partizimin e plotë të të
gjitha poreve të shoqërisë dhe të shtetit. Në hapësirat shqiptare s’kemi të
bëjmë me shtet ligjor. Kemi të bëjmë me shtet partiak. Për më tepër, ndodh që
të rrëmbejë pushtetin një parti e fisit, e zonës apo e krahinës. Një parti e
tillë nuk mund të drejtojë shtetin as të ndjekë politikë shtetërore. Cila parti
është në pushtet, i asaj është shteti. Atëherë shtrohet pyetja: Cili është
dallimi midis shtetit partiak të periudhës moniste dhe shtetit partiak të
periudhës pluraliste?!
Në shtetet
partiake nuk funksionon as sistemi politik, as sistemi juridik. Sistemi politik
dhe sistemi juridik në shtetet partiake nuk është veçse një nocion fiktiv. I
tërë shteti kontrollohet nga lideri partiak i partisë liderike, nga koniunktura
partiake dhe nga nomenklatura. Në shtetet partiake apo të partizuara, është
utopi të flitet për institucione publike të pavarura apo të depolitizuara. Çdo
institucion është nën kontrollin dhe nën kthetra e partisë. Për zbatim ligji
nuk mund të bëhet fjalë. Pa ndërhyrjen e partisë nuk mund të bëhesh as
shërbëtor shkolle fshati.
Në shtetin partiak
profesionalizmi dhe dituria nuk janë veçse iluzion.
Shumë pak çmohen, për të mos thënë fare. Me rëndësi është të jesh i taborit
tonë. S’ka fort rëndësi se je gjysmanalfabet. Ia dalim disi.
Në të gjitha
hapësirat shqiptare ka tri dekada që lulëzon nepotizmi.
Pushtetari i hapësirave shqiptare punëson: gruan e vet, djalin, vajzën, renë,
dhëndrin, anëtarët e tjerë të familjes. Ky farë pushtetari fare nuk çanë kokën
për vlerat profesionale dhe morale të anëtarëve të familjes së vet apo të
fisit.
Nepotizmi në
hapësirat shqiptare nuk nënkupton punësimin e rëndomtë të anëtarëve të
familjes. Pushtetari me ndikim nuk kënaqet me punësimin e djalit, të vajzës, të
resë, të dhëndrit apo të anëtarëve të tjerë të familjes. Pushtetari me ndikim
fëmijët e vet synon t’i bëjë pasanikë, t’i bëjë milionerë.
Në rrethana të
tilla pësojnë shtyllat vitale të shtetit apo të shoqërisë: sistemi i
drejtësisë, organet e rendit, sistemi i arsimit, sistemi shëndetësor,
institucionet e urbanizmit etj.
Shteti me
karakteristika të sipërthëna ka një diplomaci të atrofizuar dhe pa
autoritet ndërkombëtar.
Shteti partiak ka administratë
të partizuar dhe të politizuar. Administrata e shtetit ku nuk gjen
zbatim ligji është e stërngarkuar me ushtarë dhe anëtarë të partisë.
Administrata e tillë është joprofesionale. Administrata publike e hapësirave
shqiptare, si të nivelit vendor ashtu edhe të nivelit qendror, është shndërruar
në ent për punësimin e militantëve të partisë, të votuesve të partisë, të atyre
që në ditën e votimit vjedhin vota, i mbushin kutitë e votimit apo i thyejnë
kutitë e votimit. Një administratë me tepricë punonjësish që i kanë zaptuar
zyrat pa bërë asnjë punë efektive, i kushton shtrenjtë shtetit dhe shoqërisë.
Me një administratë të tillë nuk shkohet në Evropë dhe nuk pranohesh në BE.
Në hapësirat shqiptare
shumë pushtetarë kanë blerë dhe vazhdojnë të blejnë diploma universitare,
tituj akademikë, magjistratura, doktorata – për vete, për gratë e veta,
për djemtë e vet, për vajzat e veta, për rejat, për dhëndurët.
Nëpër universitete
shqiptare punësohen pa kriter profesional të mirëfilltë dhe pa kriter moral, si
asistentë apo si ligjërues, bij e bija pushtetarësh, reja e dhëndurë
pushtetarësh, me njohuri të kufizuara dhe me kualifikime të dyshimta.
Shteti i
katandisur në një vorbull të tillë:
- nuk mund ta
ndërtojë ideologjinë kombëtare;
- nuk mund ta
përkufizojë interesin kombëtar;
- nuk mund të
hartojë program politik kombëtar;
- nuk mund të
ndjekë politikë kombëtare.
Demokracia në
shtetin ku nuk zbatohet ligji është një nocion fiktiv. Institucionet arsimore,
kulturore dhe shkencore, përfshi edhe universitetet dhe akademitë e shkencave,
janë nën kontrollin e politikës. Në mungesë të demokracisë, të lirisë së
fjalës, lirisë së shprehjes, inteligjencia shqiptare është strukur në lëvozhgën
e vet. Ajo i ruan interesat e veta meskine dhe i mbyll sytë para problemeve të
shtetit dhe të shoqërisë. Përveç kësaj, pushtetarët autoritarë as që e
përfillin inteligjencien.
Në shtetin ku nuk
gjen zbatim ligji vendimet janë arbitrare. Aty ku s’ka demokraci, ka
autoritarizëm, autokraci, tirani, despotizëm, diktaturë dhe totalitarizëm që në
thelb nuk dallohet nga sistemi totalitar stalinist.
Shumë pushtetarë
të hapësirave shqiptare janë pasuruar, madje janë bërë edhe milionerë. Si mund
të bëhesh pasanik apo milioner, kur një rrogë ose pagë mujore në hapësirat
shqiptare është 500 apo 1000 euro?! Nga erdhën, si u krijuan dhe si lindën
gjithë ato ndërtime, ndërtesa, ndërmarrje, depozita bankare, brenda dhe jashtë
shtetit, me një rrogë prej 500 apo 1000 eurosh?! Janë bërë milionerë edhe
pushtetarë të cilët në shkollë të mesme kanë pasur nga nota të dobëta.
Hapësirat
shqiptare konsiderohen ndër më të varfrat në rajon dhe në Evropë. Atëherë
shtrohet pyetja: Si kanë mundur politikanë dhe pushtetarë të caktuar shqiptarë
të pasurohen dhe të bëhen milionerë?!
Nga kjo del se
pasuritë e politikanëve dhe e pushtetarëve shqiptarë janë krijuar në mënyrë të
paligjshme. Pasuritë dhe milionat e tyre janë produkt i abuzimeve dhe i
korrupsionit, i shkeljes së ligjit, i shpërdorimit të detyrës, i shpërfilljes
së sistemit politik, juridik dhe financiar. Këta farë politikanë, para se të
ishin pasuruar, në kontot e tyre s’kanë pasur as edhe 1000 euro. Me fjalë
tjera, këta paskan hyrë në politikë, jo për të ndërtuar shtet ligjor, por për
t’u pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Ndër më të varfrit e rajonit.
Është për t’u
habitur sesi ky popull i voton këta mizorë.
Para abuzimeve të
tilla të pushtetarëve dhe të politikanëve i kanë mbyllur sytë organet e
pushtetit, sistemi i drejtësisë ndërkaq, s’ka funksionuar fare. L’État c’est moi! – ka thënë Luigji XIV. S’kanë
funksionuar organet e rendit, të urbanizmit, organet doganore, institucionet
bankare apo financiare, organet kadastrore, ato të gjeodezisë etj.
Në shtetet ku s’ka
ligj nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Një pjesë e
madhe e mediumeve në hapësirat shqiptare kontrollohen nga shteti, nga qeveria
apo nga qeveritë, nga partia në pushtet, nga qendrat financiare të pushtetshme
dhe influente. Ka mediume që kontrollohen nga qendra dhe shërbime të jashtme,
të huaja – ruse, greke, serbe, nga qendra dhe shërbime të vendeve arabe, nga
Turqia, nga Irani, nga vende perëndimore.
Shumë analistë
politikë janë mercenarë të qendrave të sipërthëna. Ka klerikë
që janë mercenarë të demonëve. Shumë shoqata humanitare janë në
shërbim të djajve. Ka shoqata joqeveritare që janë shërbëtorë të
politikës, të pushtetit apo të partive në pushte.
Për ta ruajtur
qetësinë, pushtetarët dhe politikanët e hapësirave shqiptare ndjekin edhe
politikën panem et circenses që e kanë ndjekur para dymijë
vjetëve perandorët romakë. Jepi popullit të varfër bukë dhe argëtim dhe sundo
mbi të sa të duash.
Në hapësirat
shqiptare kemi vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, trafikim lëndësh narkotike,
armësh dhe qeniesh njerëzore, prostitucion, amoralitet, shkurorëzime, vjedhje,
vjedhje me thyerje, reketime, shantazhe, përqindje të lartë aksidentesh
rrugore, vetëvrasje, hakmarrje apo gjakmarrje, ngujime.
Në hapësirat
shqiptare kemi papunësi, varfëri, skamje, lypës nëpër rrugë, keqtrajtim të
kafshëve, keqtrajtim të qenve endacakë. Duke i helmuar qentë rrugëve në mesnatë
nuk shkohet në Evropë. Akte johumane, barbare.
Politika është
shkaktare dhe përgjegjëse e shtimit të numrit të kazinove, të bastoreve, të
lojërave të fatit, të klubeve të natës.
Janë skena që t’i
përkujtojnë ato të romaneve të shekullit XIX, të Çarls Dikensit, të
Uilliam Thekerit, të Emil Zolës, të Fjodor Mihajlloviç
Dostojevskit.
Në hapësirat shqiptare s’kemi as majtizëm, as djathtizëm. Për ideologji të tilla duhet pasur
ekonomi, industri, teknikë, teknologji, prodhim, eksport, sjellje mjetesh
devizore nga eksporti i mallrave. Duhet pasur kapital, potencial financiar dhe
jo borxhe deri në fyt, që dita-ditës shtohen.
Askush s’do t’u
ndihmojë shqiptarëve po qe se ata vetë nuk i ndihmojnë vetes. Nuk jetohet me
dekada duke pritur ndihma të huaja. Njeriu ndihmohet njëherë-dy dhe e merr
veten. Ndryshe, ai njeri nuk është për ndihmë, nuk është i zoti i vetes.
Në hapësirat
shqiptare ka shfrytëzim të egër të fuqisë punëtore, mu si në mesjetë dhe si në
shekullin XIX. Ka punëtorë me paga mujore prej 150 eurosh. Në anën tjetër ka të
tillë të cilëve një darkë u kushton 500 apo 1000 euro. Kështu nuk mbahet
shtëpia. Kështu s’krijohet dot kombi. Skena bizare dhe groteske në Evropën e
shekullit XXI.
Pranë sofrës i pangrënë; pranë dritës, i paparë; pranë detit, i palarë – thotë Noli, ky vigan liberator.
Në hapësirat
shqiptare mungon mendimi kritik, kritika politike, kritika shoqërore. Ka
censurë dhe autocensurë. Kemi edhe shpëlarjen e trurit nga mediumet, nga
studiot televizive, nga radiostacionet, nga gazetat, nga revistat, nga mediumet
elektronike, digjitale.
Kemi polarizimin e
skajshëm të shoqërisë. Shkalla e ulët e zhvillimit të sektorit privat
ndikon që njerëzit, qytetarët, të rinjtë të preokupohen me partinë, me
politikën. Nëpërmjet partisë dhe politikës shpresojnë të punësohen. Jashtë partisë dhe politikës s’ke
sesi punësohesh. Sektori privat nuk përthith fuqi punëtore.
Arsimimi funksionon
pa plan. Kush mbërrin regjistrohet në fakultet. Edhe nxënësi me dhjetë nota të
dobëta, ndjek studime universitare. S’ka as kriter as përzgjedhje për
regjistrim. Në hapësirat shqiptare vlojnë universitetet, publike dhe private.
Çdo qytezë ka themeluar universitet. Arsimi është shndërruar në biznes
fitimprurës. Kemi inflacion diplomash, që s’janë veçse letra pa vlerë. Cili
është ai shtet i vogël dhe i varfër në botë që mund ta punësojë gjithë këtë
armatë të diplomuarish?! Një pjesë e tyre janë kualifikuar dhe janë certifikuar
me kritere të dyshimta.
Arsimimi
profesional figuron formalisht. Një shkollim i tillë kërkon të kesh ekonomi dhe
industri. Përgjegjësi për devalvimin e arsimit është partia, janë partitë,
është politika. Shumë punë partitë i bëjnë për vota, për asgjë tjetër.
Tri dekada i ke në
skenën politike të njëjtët njerëz. Rrotullohen, enden e sillen nga një post në
tjetrin.
Në hapësirat
shqiptare nuk ka votues të lirë. Ka votues partiakë. Secili e di paraprakisht
se për kë do të votojë. Askujt s’i intereson programi partiak që e shpërndajnë
shtabet partiake një muaj para zgjedhjeve. Programi është letër. Ajo duron
çmos. Askush s’i lexon ato. Madje as krerët e partive. Ato hartohen sa për të
thënë se dalim para elektoratit me program politik dhe ekonomik. Shqiptarët
janë të ngopur me premtime në letër. Edhe të lodhur. Shumë shqiptarë janë të
dëshpëruar, të zhgënjyer, të deprimuar. Ka edhe të tillë që ndjehen të tepërt
në shoqëri, të harruar, të lënë pas dore, të shpërfillur, të margjinalizuar, të
nëpërkëmbur.
Elektorat të lirë,
qytetar, asnjanës nuk ka. Çdo parti i ka votuesit e vet. Rëndom e votojnë
partinë që hyn në qeveri, që bëhet pjesë e qeverisë, me shpresë se nëpërmjet
saj do të punësohen. Kur vjen puna te ekzistenca, i papuni s’çanë fort kokën
për ideologjinë kombëtare, për historinë kombëtare, për flamurin, për heronjtë.
tanimë ai është i zhveshur nga iluzionet dhe idealet. Ata ku ka papunësi,
skamje, paga të ulëta, aty s’ka ideal as ideologji. Aty kemi luftë për
ekzistencë, për mbijetesë. Është politika, janë politikanët shqiptarë që e kanë
katandisur në atë gjendje të mjerë.
Pushteti që nuk
bën punë të mëdha, e reklamon dhe e propagandon në mediume, në gro plan,
edhe punën më të vogël. Në shtetin me probleme të mëdha politike, ekonomike,
sociale, morale përplasjet midis pozitës dhe opozitës janë të tensionuara,
përtej normales. Në hapësirat shqiptare nuk kursehen fyerjet, sharjet,
ofendimet, fjalët denigruese, kërcënimet, shantazhet. Nuk respektohet as
autoriteti i kryetarit të shtetit, as i kryetarit të kuvendit, as i
kryeministrit, as i udhëheqësit të opozitës. Përdoren fjalë fyese nga më të
rëndat, deri edhe tradhtar kombi. Fjalë të rënda që s’i duron as letra, që s’i
pranon arsyeja njerëzore. Kjo s’ndodh në asnjë vend, jo të rajonit, po të
botës.
Kështu nuk shkohet
në BE, nuk dilet nga tranzicioni. Këto përplasje në botën shqiptare e zvarrit
konsolidimin e Shqipërisë, e dëmton imazhin e Kosovës para botës. Shqiptarët
diskreditohen si komb. Për çdo disfatë nuk duhet fajësuar të tjerët apo
tragjizmin historik.
Derisa luftonin
për t’u çliruar nga pushtimi serb, shqiptarët ishin më të mobilizuar, më të
ndërgjegjshëm. Kishin ideal. Pas çlirimit, në pluralizëm dhe në demokraci
treguan nivel politik të ulët dhe aftësi shtetformuese të pamjaftueshme. Bota
nuk pranon politikë fisesh, zonash dhe krahinash. Bota njeh politikë
shtetërore.