Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Antidrama
E premte, 05.02.2021, 10:42 PM
ANTIDRAMA
Nga
Xhelal Zejneli
Antidrama ose drama e absurdit është drejtim në krijimtarinë dramatike që u
paraqit në Francë në vitet ’50 të shekullit XX. Përfaqësues të dramës së
absurdit ishin dramaturgu francez me prejardhje rumune Ezhen Jonesko (Eugéne
Ionesco, 1912-1994), romancieri dhe dramaturgu irlandez Semjuel Bekei (Samuel
Beckett, 1906-1989), dramaturgu francez me prejardhje armene Artur Adamov (Arthur
Adamov, 1908-1970) dhe poeti, romancieri e dramaturgu francez, i cili prindërit
e vet nuk i pa kurrë Zhan Zhenet (Jean Genet, 1910-1986). Më vonë
drama e absurdit u shtri edhe në vende të tjera.
Krahas termit
dramë e absurdit, përdoren edhe termat drama avangarde, antidrama,
teatri i ri (në analogji me termin “romani i ri”, metateatër,
teatër i protestës.
Drama e absurdit
ka një traditë të afërt dhe të largët. Shembull i dramës së absurdit konsiderohet
“Mbreti Yby” (Ubu roi, 1888) i dramaturgut, romancierit
dhe poetit francez, të kualifikuar si poet dekadent Alfred Zhari (Alfred
Jarry, 1873-1907); drama surrealiste “Gjinjtë e Tiresias” (Les
mamelles de Tirésias , 1917) e poetit francez, i cili Faik
Konicën e quajti enciklopedia që ecën, Gijom Apoliner (Guillaume
Apollinaire, emri i vërtetë Wilhelm Apollinaris de Kostrowitzky, 1880-1918);
drama “Viktori ose fëmijët në pushtet” (Victor ou les Enfants au pouvoir,
1928) e poetit dhe dramaturgut francez Rozhe Vitrak (Roger
Vitrac, 1899-1952).
Pasojnë dramat ekspresioniste, futuriste,
dadaiste dhe surrealiste. Këtu bëjnë pjesë dramat “Në xhunglën e
qyteteve” (Im Dickicht der Stade, 1923) dhe “Njeriu është njeri”
(Mann ist Mann, 1925) të dramaturgut, poetit dhe tregimtarit gjerman
Bertolt Breht (Bertolt Brecht, 1898-1956).
Shfaqja e dramës “Këngëtarja
tullace” (La Cantratice chauve, 1950) të Joneskos, e dramës “Invadimi”
(L’Inavasion, 1950) të Adamovit dhe e dramës “Duke pritur
Godonë” (En attendant Godot, 1952, shfaqur më 1953) të
Beketit – shënon lindjen e dramës së absurdit si drejtim teatror.
E lindur në klimën
e pas luftës, drama e absurdit i ka rrënjët në filozofinë e ekzistencializmit,
postulatet thelbësore të së cilës vërehen te shumë dramaturgë: absurditeti
i ekzistencës, paqëndrueshmëria e vlerave, mungesa e komunikimit, dykuptimësia
e ndjenjave, gjestet e paarsyeshme dhe mekanike, shndërrimi i gjuhës në formula
të privuara nga domethënia, tjetërsimi etj. Në dramat e sipërthëna
ndjenja e absurdit shprehet njësoj, si në përmbajtjen ashtu edhe në formën
e dramës së absurdit, në gjuhën e skenës dhe në gjuhën në përgjithësi.
* *
*
EKZISTENCIALIZMI – është drejtim dhe doktrinë filozofike që pati një
jehonë të thellë në letërsi dhe në art. Ekzistencializmi modern fillon me
shkrimtarin dhe filozofin danez Seren Kierkegor (Soren
Kierkegaard, 1813-1855). Pas tij vijnë: filozofi gjerman Martin Hajdeger (Martin
Heideger, 1889-1976) dhe filozofi e psikiatri gjermano-zviceran Karl Jaspers
(1883-1969). Në kuptimin e mirëfilltë të fjalës ekzistencialistë janë:
romancieri, filozofi, dramaturgu dhe kritiku francez Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul
Sartre, 1905-1980), filozofi francez i fenomenologjisë Merlo-Ponti (Maurice
Merleau-Ponty, 1908-1961) i ndikuar nga themeluesi i fenomenologjisë, filozofi
gjerman me prejardhje hebraike, Edmund Huserl (1859-1938) si dhe
nga Martin Hajdegeri. Këtij grupi i takon edhe romancieri,
eseisti dhe dramaturgu francez Alber Kamy (Albert Camus,
1913-1960).
* * *
ROMANI PSIKOLOGJIK – Ky lloj
romani është i përqendruar në botën emocionale dhe në jetën e
brendshme të heroit kryesor. Për këtë arsye, shpeshherë shkruhet në vetën
e parë (ich-Form) ose në formën epistolare (në formë
letrash). Në romanin e tillë veprimi i nënshtrohet përjetimit të brendshëm,
motiveve dhe reaksioneve shpirtërore të heronjve kryesorë. Preokupimi me jetën
shpirtërore dhe emocionale, historikisht është i ndërlidhur me romanin
moralist të klasës borgjeze.
Të parat romane
psikologjike klasike konsiderohen veprat e prozatorit anglez me arsimim
modest Semjuel Riçërdson (Samuel Richardson, 1689-1761) “Pamela”
(1740) dhe “Klarisa Harlou” (Clarrisa: or The History of a Young Lady,
1748-49).
Pasojnë: romani “Eloiza
e re” (Julie ou La Nouvelle Héloïse 1761) i shkrimtarit dhe
filozofit francez, pa shkollim sistematik Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques
Rousseau, 1712-1778); romani “Tristram Shendi” (The Life and Opinions
of Tristram Shandy, Gentleman, 1759-67) i romancierit anglez
të shkolluar në Cambridge Lorens Stern (Laurence Sterne, 1713-1768) dhe
romani epistolar “Vuajtjet e djaloshit Verter” (Die Leiden des jungen
Werthers, 1774) i shkrimtarit gjerman Gëte (Johann Wofgang
Goethe, 1749-1832).
Në të gjitha këto
romane bota e brendshme e heroit kryesor mbizotëron në vepër dhe shprehet në
formën në të cilën mbizotëron perspektiva e vetës së parë.
Një zhvillim të
veçantë në drejtim të depërtimit më të thellë në motivimin e nënvetëdijes
dhe në reaksionet e psikës njerëzore, ky roman arrin në shekullin XIX sidomos
te romancieri dhe novelisti rus Dostojevski (Fjodor Mihajloviç
Dostojevski, 1821-1881).
Janë tipa dhe lloje të ndryshme të romanit
të ri në të cilët psikologjia e irracionales dhe
e nënvetëdijes, shpeshherë e ndërlidhur edhe me psikanalizën,
paraqet bazën e tematikës dhe të organizimit formal. Kështu lindi romani i
përroit të ndërgjegjes dhe romani i ri.
Lindja e këtij
romani ndërlidhet me romanin “Ambasadorët” (The Ambassadors, 1903)
të romancierit, novelistit dhe kritikut amerikan Henri Xhejmz (Henry
James, 1843-1916) në të cilin tërë veprimi është dramatizuar nëpërmjet
pikëpamjes unike, d.m.th. është paraqitur përmes ndërgjegjes së heroit
kryesor dhe transformimit të kësaj ndërgjegjeje përgjatë rrjedhës së romanit.
Krijues të mëdhenj
të shekullit XX si: romancieri francez Marsel Prust (Marcel Proust,
1871-1922), poeti dhe prozatori irlandez Xhejmz Xhojs (James joyce,
1882-1941), prozatorja dhe eseistja angleze, me arsimim joformal Virxhinia
Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941), prozatori amerikan Uillijam Fokner (William
Faulkner, 1897-1962) – me të madhe e kanë përdorur dhe e kanë zhvilluar teknikën
e vetës së parë, sidomos monologun e brendshëm, si dhe disa
mënyra dhe mjete të tjera të paraqitjes së vetëdijes së njeriut në veprën
letrare.
Prosedeun e ri të
stilit, d.m.th. përroin e ndërgjegjes dhe monologun e
brendshëm e përdori me mjeshtri prozatori dhe poeti irlandez Xhejmz
Xhojsi (James Joyce, 1882-1941) në përmbledhjen e novelave “Dublinasit”
(Dubliners, 1914) si dhe në romanin autobiografik “Portreti i
artistit në rini” (A Portrait of the Artist as a Young, Man, 1916).
Me këto dy vepra Xhojsi ua hapi rrugët prosedeve të reja të stilit: rrjedhja e
pandërprerë e mbresave dhe e asociacioneve në vetëdijen e njeriut është temë
kryesore e krijimit artistik. Nuk kemi fabul as të dhëna për personazhet apo
për ngjarjet. Tanimë nuk synohet paraqitja objektive dhe sa më e plotë e
veprimit. Lexuesi i njeh personazhet e veprës drejtpërsëdrejti nga preokupimet
e tyre të nënvetëdijshme. Prosedeun e tillë të stilit Xhojsi e përdori në
mënyrë të plotë në romanin “Uliksi” (Ulysses, 1922).
Në këtë mes,
interpretimet e jetës shpirtërore të njeriut sipas psikanalizës
së neurologut austriak me prejardhje hebraike Sigmund Frojdit (Sigmund
Freud, 1856-1939), zënë një vend fundamental.
* * *
Këtu bëjnë pesë
edhe përfaqësuesit e “ROMANIT TË RI” (NOUVEAU ROMAN). Kjo shkollë
e romanit lindi në Francë në vitet ’50 të shekullit XX. Paraqet formën më të
rëndësishme të romanit psikologjik evropian më të ri. Përfaqësuesit
e “romanit të ri” përdorën
teknikën e përroit të ndërgjegjes dhe aktualizuan konceptin kafkian për
njeriun si një qenie e sendërzuar. Duke i lidhur këto elemente me përjetimin
vetanak të historisë moderne dhe të njeriut, krijojnë botën e vet artistike të veçantë.
Përfaqësues të “romanit
të ri” janë: prozatorja, eseistja dhe dramaturgia franceze me prejardhje
ruse Natali Sarot (1902-1999), romancieri dhe eseisti francez Alen
Rob-Grije (Alain Robbe-Grillet, 1922-2008), romancieri dhe dramaturgu
irlandez, kryesisht i shprehjes franceze Semjuel Beket (Samuel Becket,
1906-1989), romancieri, poeti dhe eseisti francez Mishel Bytor (Michel
Butor, 1926-2016), prozatorja franceze e lindur dhe e rritur në koloninë
franceze afër Sajgonit (Ho-Shi-Minn) Margaret Dura (Marguerite Duras,
1914-1996) dhe romancieri francezi i cili studioi në Paris, Oxford dhe
Cambridge Klod Simon (Claude Simon, 1913-2005). Viti 1953 merret si vit
i lindjes së “romanit të ri”, kur u botua “Gomat” (Les Gommes,
1953) i Rob-Grijesë. Për këtë roman teoricieni i letërsisë, filozofi,
kritiku dhe semiotiku francez Rolan Bart
(Roland Barthes, 1915-1980) shkroi me entuziazëm në revistën Critique
të Parisit.