Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Psikologjia e turmës
E marte, 29.12.2020, 04:23 PM
PSIKOLOGJIA E TURMËS
Nga Xhelal
Zejneli
Hoze Ortega y Gaset (Jose Ortega y Gasset) është më i
njohuri filozof spanjoll i shekullit XX. Ka lënë pas vetes një opus tejet
interesant. Me shkrimet e veta ka prekur një numër të madh temash që e
preokupojnë njeriun modern. ka lindur në vitin 1883. I ka përjetuar të gjitha
ngjarjet e rëndësishme që e kanë karakterizuar botën moderne, ndaj veprat e tij
janë një kronikë mjaft interesante e problemeve dhe e dilemave të këtij qindvjeçari
të bujshëm.
Vepra e tij “Revolta
e turmës”, është libri spanjoll më i përkthyer i qindvjeçarit XX. Doli
nga shtypi në vitin 1930 në Madrid dhe sakaq shkaktoi reagime të bujshme. Libri
u shfaq në një çast historik tejet të paqëndrueshëm, periudhë kjo e cila ende i
ndjente pasojat e Luftës së Madhe (1914-1918), ndërsa problemet për të cilat
ishte bërë lufta, kishin mbetur të pazgjidhura. Në fund të viteve ’20 dhe në
fillim të viteve ’30 të shekullit XX, ishin të shumtë ata të cilët e ndjenin se
stuhia e luftës do të sulet përsëri. kriza e madhe ekonomike e viteve 1929-1932
e cila e varfëroi një pjesë të madhe të popullsisë së Evropës dhe të ShBA-së,
ishte në kulmin e vet. Bota e vjetër e demokracisë liberale dhe e ekonomisë në
rritje, u shemb që me krismat e para të vitit 1914. Popujt nuk ia dolën ta
rikthejnë stabilitetin as prosperitetin e saj. Në Itali, në BRSS dhe në
Gjermani erdhën në pushtet regjimet totalitare, fytyra e vërtetë e të cilave
sapo kishte filluar të shihet.
Në një çast historik
të tillë, në çastin e qetësisë para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore,
Ortega y Gaset, në “Revoltën e turmës” përpiqet të bëjë analizën e
njeriut që ka sunduar në dhjetëvjeçarët e fundit, duke përshkruar në mënyrë
profetike llojin e shoqërisë që do ta krijojë njeriu i tillë.
Njëherazi, e sqaron me shpresë, se cilat janë bazat e shoqërisë nga të cilat
bota është larguar atëherë, aq shpejt dhe me aq vendosmëri.
Rrethanat historike
që i kanë prirë kësaj revolte i kanë rrënjët në shekullin paraprak. Gjysma e
dytë e shekullit XIX popujve të hemisferës perëndimore u solli një përparim
material të paparë deri atëherë. I solli përmirësim të standardit të jetesës –
që nga shëndetësia deri te arsimimi, që nga banimi deri te mundësia për të
udhëtuar dhe për të komunikuar. Përveç kësaj, demokracitë liberale të
qëndrueshme, të bazuara në të drejtën e përgjithshme të votës dhe në partitë e
fuqishme të elitave, midis programeve të cilave zgjedhësit kanë mundur të
zgjedhin, mundësuan, qoftë sigurinë e pronës, qoftë sigurinë e jetës njerëzore.
Baraspesha e forcave, e vendosur ndërmjet shteteve kryesore të Evropës, ishte
garanci e paqes dhe e prosperitetit, kështu që deri në shpërthimin e Luftës së
Parë Botërore në vitin 1914, dukej silur bota pandalshëm përparonte kah një e
ardhme e sigurt dhe e ndritshme e cila do të jetë gjithnjë më humane dhe më e
begatshme.
Por, baraspesha e
forcave u çrregullua dhe plasi Lufta e Madhe. Sasia e barbarisë dhe e
gjakderdhjes që pasoi dëshmoi se sa e hollë është shtresa qytetëruese e
shoqërisë e cila lëvdohej se është më e përparuara në botë. U shembën
perandoritë e vjetra, Austro-Hungareze, Gjermane dhe Osmane. rendet shoqërore
të qëndrueshme rrënuan. Shtetet u varfëruan. Sisteme e vlerave u tronditën deri
në themel. Në Rusi filloi revolucioni e cila i qëronte llogaritë me
kapitalizmin, me religjionin dhe me borgjezinë, duke i rrënuar shtyllat
themelore të shoqërisë së vjetër. Evropiani mbeti i çorientuar dhe pa
udhëheqje.
Kjo ishte një arenë
botërore për paraqitjen e një dukurie të re, dukurie të cilën Ortega y Gaset e
quan njeri i turmës.
Papritmas, në qendër
të qytetërimit të vjetër u shfaq njeriu primitiv. Nëpër shkolla, të cilat
kishin qenë tejet krenare për shekullin e kaluar, turmave mund t’ia mësonin
vetëm teknikën e jetës bashkëkohore, por
nuk ia dolën t’ua mësojnë. Morën instrumente për një jetë intensive, por
jo edhe ndjenjën për detyra të mëdha historike. Vazhdimisht prisheshin
duke u krenuar me fuqinë e mediumeve bashkëkohore, por shpirti i tyre nuk
u pasurua. Prandaj turmat nuk dëshirojnë të kenë asnjë lidhje me
shpirtin.
Ortega y Gaset thotë
se me turmën nuk nënkupton asnjë klasë të posaçme në shoqëri, por
për një kategori të posaçme psikologjike dhe sociologjike të njeriut,
pjesëtarët e së cilës rekrutohen nga të gjitha klasat e shoqërisë. Njeriu i
turmës është njeri në jetën e të cilit nuk ka projekte dhe i cili i jepet
rrymës, shkon me rrjedhën. Ai nuk krijon asgjë, edhe pse autorizimet e tij janë
tejet të mëdha. Ai lejon ekspansionin e lirë të orekseve të tij jetësore
dhe posedon mosmirënjohje radikale ndaj çdo gjëje që e ka lehtësuar ekzistimin
e tij. Që të dy tiparet e krijojnë psikologjinë e njohur të fëmijës së
lazdruar. .
Ai është njeri pa
ndonjë prirje apo kompetencë të veçantë. Është njeri mesatar, i prirë për
kënaqësi të imëta dhe për jetë private të qetë. Shumë njerëz i përkasin këtij
lloji të njerëzve dhe këtu s’ka asgjë të keqe. Paramendoni një njeri modest i
cili pyet në është i talentuar për diçka, në shquhet në ndonjë lëmë dhe vjen në
përfundim se nuk shquhet në asnjë fushë. Ai njeri do të ndjehet mesatar dhe i
rëndomtë, i patalentuar, por nuk do të ndjehet pjesë “e turmës”.
Me revoltën e
turmës, Ortega nënkupton dukurinë kur njeriu i tillë fillon të mohoj çdo
autoritet dhe pushon t’i nënshtrohet çdo instance të lartë, qofshin atë
pushteti, institucioni fetar, kodeksi moral apo diçka tjetër; kur turmat si
shumicë, pushojnë t’i dëgjojnë pakicat prej të cilëve dikur kanë qenë të
udhëhequr dhe të orientuar. Njeriu i turmës përnjëherë paraqitet sikur
çdo gjë e di më së miri, i ka idetë e veta, ndërsa jetën e vet ka vendosur ta
orientojnë kah përvetësimi i një sasie sa më të madhe pasurie, për vete dhe për
të afërmit e vet.
Turmat në skenë – Problemin themelor të shoqërive të atëhershme Ortega i
sheh në faktin se turma të mëdha njerëzish të cilët më parë me përulësi e
kishin zënë vendin e vet në shoqëri, përnjëherë kanë dalë në skenën e jetës
kulturore dhe politike. Nën ndikimin e pasioneve dhe të ndjenjave të tyre të
pakontrolluara, turma e pakontrolluar prej ndokujt dhe e aftë vetëm për të
shkatërruar dhe për linçim, bie në duart e udhëheqësve demagogë të cilët e
keqpërdorin forcën e madhe të saj.
Për karakteristikat
e turmës, Ortega thotë: “Turmave u intereson vetëm mirëqenia dhe
ato janë mosmirënjohëse ndaj faktorëve të asaj mirëqenieje. Në përparësitë e
qytetërimit nuk vërejnë ndonjë arritje apo konstruksion me vlerë të cilat mund
të mbahen vetëm me përpjekje dhe vëmendje të madhe. Turmat besojnë se roli i
tyre ka të bëjë me kërkesën e vendosur të tyre, sikur ato janë të drejta të
lindura, të patjetërsueshme.
Turma e re, lirinë e
plotë jetësore e konsideron si një gjendje të natyrshme dhe të përcaktuar e
cila nuk ka kurrfarë shkaqesh të posaçme. Asgjë nuk e nxit për t’i pranuar
kufijtë e vet apo mundësitë e veta, e më këtë edhe t’i ketë parasysh edhe
instancat e tjera, sidomos ato superiore.
Njeriu i thjeshtë
nuk do të besojë se është i jashtëzakonshëm, por njeriu i thjeshtë do të
shpallë të drejtën për të qenë mesatar apo që mesatarja të njihet si një e
drejtë. Ka “ide” tejet të sigurta lidhur me atë që ndodh apo që të ndodhë në
gjithësi. Prandaj ai e ka humbur kuptimin e të dëgjuarit. E përse të dëgjojë
kur posedon përgjigje për çdo gjë? Nuk ekziston asnjë çështje në jetën publike
në të cilën ai, i verbët dhe i shurdhët, nuk e imponon “mendimin” e vet”.
Njeriu-turmë nuk pranon debat. Ai instinktivisht refuzon të pranojë ndonjë instancë,
objektivisht më të lartë. Prandaj në Evropë, kohët e fundit konsiderohet
moderne “të ndërpresësh debatin” dhe shikohet me sy të keq çdo formë e jetës së
përbashkët që do të nënkuptonte respektimin e rregullave objektive, që nga
biseda, deri te shkenca dhe kuvendi i të zgjedhurve të popullit. Me fjalë të
tjera, refuzohet bashkëjetesa e kulturës që u nënshtrohet normave dhe pranohet
kthimi në jetën barbare. Suprimohen të gjitha formalitetet e rregullta dhe
sipas parimit ‘të aksionit të drejtpërdrejtë”, imponohet ajo që dëshirohet,
Qytetërimi, në radhë
të parë është vullnet për jetë të përbashkët. Po qe se njeriu nuk i përfill të
tjerët, ai është barbar dhe i paqytetëruar. Barbaria është prirje për ndarje.
Prandaj, çdo epokë barbare ka qenë epokë e vetmisë njerëzore, e imtësimit. Në
atë kohë kanë lindur grupet e vogla, të ndara dhe armiqësore.
Faji i elitave – Ortega i hulumton arsyet e gjendjes së krijuar. Në një
gjendje të tillë kanë ndikuar kushtet historike dhe materiale të theksuara.
Por, ai i fajëson edhe elitat për të cilat thotë se kanë pushuar të jenë
shembull i jetës kulturore dhe fisnike. Elitat kanë pushuar të punojnë për
kapërcimin e kufizimeve të veta dhe të përmirësojnë karakteret e veta. Si
rrjedhojë e një materializmi në rritje, pakica udhëheqëse e atëhershme filloi
t’i përkushtohet industrisë, tregtisë dhe krijimit të profitit. Lind epoka
e dekadencës së aristokracisë e cila heq dorë nga roli udhëheqës, duke
i lënë turmat jashtë kontrollit.
Aristokrati i
mirëfilltë, pjesëtar i pakicës kreative, është ai i cili kërkon shumë nga vetja
dhe kurrë nuk është i kënaqur me atë që ka arritur. Është ai i cili me dëshirën
e vet merr përsipër detyra të rënda dhe vazhdimisht është në kërkim të vendit
të punës ku do të shërbente më së miri. Vetë fjala “aristokraci” vjen nga
greqishtja aristos që do të thotë “më i miri” dhe krateo – “sundoj”.
Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me sundimin e më të mirëve, e më të aftëve.
Fisnikëria për
Ortegën është sinonim i jetës të kaluar në punë, gjithmonë të përcaktuar asisoj
që ta tejkalojë veten. Fisnikëri do të thotë të shndërrohesh nga ajo që je
tani, në atë që shfaqet si detyrim dhe kërkesë.
Fisniku është i
njohur, e njeh tërë bota. Ai ka famë dhe dallohet nga turma anonime. Arsye e
famës së tij është përpjekja e madhe. Ai i përgjigjet fisnikes, të guximshmes
dhe të shkëlqyerës.
Të shquarin, njeriun
e elitës e determinon nevoja intime që normave t’u drejtohet në mënyrë të
pavarur, jashtë vetvetes, t’u drejtohet superiorëve, në shërbim të të cilëve
vihet me dëshirë. Në kundërshti me atë që besohet, në robëri esenciale jeton i
shquari dhe jo njeriu i turmës. të shquarit, nuk i pëlqen jeta po qe se nuk i
shërben asaj që është transcendentale. Prandaj, nevojën për të shërbyer nuk e
përjeton si opresion. Kjo është një jetë përplot disiplinë, jetë fisnike.
Fisnikëria përkufizohet sipas kërkesave të shoqërisë, sipas detyrimeve ndaj
shoqërisë dhe jo sipas të drejtave. Fisnikëria është obligim (Noblesse
oblige).
Jeta kreative
nënkupton një regjim higjiene të lartë, dekori të shkëlqyer, shtytjesh të
vazhdueshme që e sfidojnë vetëdijen e dinjitetit. Jeta kreative është energjike
dhe një jetë e tillë është i mundur vetëm në njërën prej këtyre dy situatave:
ose kur njeriu sundon ose kur ndodhet në një botë në të cilën sundon ndokush të
cilit ia pranojmë të gjitha të drejtat për atë funksion. Kështu sepse roli themelor i elitave
gjithmonë ka qenë, ose është dashur të kishte qenë, të jenë shembull.
Jeta e njeriut, për
natyra e vet, patjetër të orientohet ndaj një gjëje, veprimi të famshëm apo
përulës, fatit të shkëlqyeshëm apo të rëndomtë, ngase të jetosh do të thotë të
kesh një detyrë të caktuar, të ushtrosh një detyrë, e po qe se i shmangemi
detyrimit për t’ia kushtuar jetën një gjëje, atëherë ne i ikim atij. I liruar
nga vetvetja, çdo jetë mbetet në dorë të vetvetes, e zbrazët dhe nuk ka ç’të
punojë. Egoizmi është labirint. Të jetosh, do të thotë të ngasësh pas një
gjëje, të shkosh kah qëllimi. Qëllimi nuk është ecja ime, nuk është jeta ime.
Qëllimi është diçka drejt së cilës e orientoj jetën. Prandaj, jashtë saj,
qëllimi është larg. Po qe se vendosi që me egoizëm të ec vetë në jetën time,
nuk do të përparojë, askund nuk do të mbërrij; do të rrotullohen dhe do të
sillem po në atë vend. ky është një labirint që nuk sjell asgjë.
Ortega y Gaset si
ideal thekson jetën fisnike, jetën e aksionit dhe të kreativitetit. Duke qenë
se për një jetë të tillë janë të aftë një numër i vogël i njerëzve, është e
domosdoshme që pakicat e tilla sociale të qeverisin në shoqëri. Pa pakica të
tilla kreative, pjesës tjetër të shoqërisë i mungon orientimi dhe qëllimi,
drejt të cilit do të mund të synonte. Jeta shndërrohet në një përditshmëri
shterpe, që vazhdimisht përsëritet. Për Ortegën, shoqëria e shëndoshë, për nga
ndërtimi politik, është gjithmonë aristokrate. Shoqëria e tillë duhet të
rregullohet sipas parimeve të caktuara që bëjnë të mundur ekzistimin e
pushtetit si dhe të atyre të cilët qeverisen, me pëlqimin e tyre dhe duke
respektuar projektin e caktuar që e prodhon pushteti.
Me “pushtetin” nuk
nënkuptohet si parësore forca materiale, e shoqëruar nga forca fizike. Ky
raport i qëndrueshëm dhe normal ndërmjet njerëzve që quhet pushtet, kurrë nuk
mbështetet në forcë. Pushteti është zbatim normal i autoritetit dhe gjithmonë
bazohet në mendimin publik. Madje edhe ata që dëshirojnë të sundojnë me ndihmën
e jeniçerëve, varen nga mendimi i tyre si dhe nga mendimi që kanë të tjerët për
ta. Është e vërtetë se me ndihmën e jeniçerëve nuk mund të sundohet. Të
qeverisësh, nuk do të thotë të rrëmbesh pushtetin, por ta zbatosh atë në mënyrë
të qetë. Pushtet do të thotë epërsi e një mendimi, përkatësisht e një fryme mbi
tjetrën. Po qe se shumica e njerëzve nuk kanë mendim, fryma patjetër ta ketë
pushtetin, ngase pa një forcë shpirtërore, pa një sundimtar, njerëzimi hyn në
kaos.
Ortega vjen në
përfundim se evropianit më së shumti i mungon objektivi, misioni të cilin do të
duhej ta sendërtonte, të cilit do të mund t’ia kushtonte jetën për ta
fisnikëruar atë, për ta nxjerrë nga rruga plot gropa hipnotizuese e jetës, e njeriut
të turmës.
Atë projekt ai e
sheh në bashkimin e rrethit kulturor evropian, duke konsideruar se kufijtë e
shteteve kombëtare, që prej kohësh, më tepër paraqesin pengesë, sesa garanci
sigurie. Ortega me të madhe u angazhua për idenë e Evropës së bashkuar, duke e
konsideruar atë si një projekt drejt të cilit do të duhej të orientoheshin
elitat, si një objektiv drejt të cilit do të mund t’i shpinin turmat e
çorientuara, duke ua dhënë përsëri ndjenjën e kuptimit dhe të veprimit.
E sotmja dhe revolta e turmave - Kur sot, nga një distancë historike prej 80 vitesh, e
lexojmë veprën “Revolta e turmave” të Ortega y Gaset dhe i analizojmë
idetë themelore të saj, vijmë në përfundim se shumë mendime të tij edhe sot
mund të gjejnë zbatim. Njeriu i turmës ka sunduar në të gjitha shtetet.
Pushteti që i shërben është pikërisht i atillë siç e ka përshkruar Ortega – pa
një vizion, pa një qëllim, me një synim për të qeverisur prej sot deri nesër,
duke i kënaqur interesat e turmës.
Me kalimin e kohës,
turma pushoi t’u besonte diktatorëve të fuqishëm. Në periudhën kur filloi të
luajë rolin kryesor në skenën botërore, turma i solli në pushtet Vlladimir Iliç
Leninin, Benito Musolinin dhe Adolf Hitlerin.
Tani turma më tepër
i adhuron ata të cilët i premtojnë pasuri materiale dhe të drejta të mëdha, pa
ia ngarkuar asaj detyrat dhe detyrimet ndaj bashkësisë. Midis atyre që
qeverisin dhe atyre që qeverisen, tanimë nuk ka dallim.
Edhe pse kjo vepër e
Ortegës për nga tema që shtjellon kryesisht është vepër sociologjike,
megjithëkëtë mund të konstatojmë se zgjidhja e kësaj situate gri, është në
duart e individit. Ortega ia prezanton lexuesit strukturën dhe
psikologjinë e njeriut të turmës për ta paralajmëruar për rrezikun se edhe vetë
ai i dorëzohet procesit të fuqishëm që e shndërron në njeri të tillë. Duke
marrë parasysh faktin se ai gjithmonë ka synuar për ta përmirësuar shoqërinë
dhe jetën e përbashkët, Ortega mendonte se emancipimi i individit,
bashkëngjitja e tij idealit të jetës fisnike, është çelësi i një bote më të
mirë.
* *
*
Shumë liderë të
vendeve të Ballkanit janë produkt i turmave. Klasat politike të vendeve të
Ballkanit janë produkte turmash. Liderët e dalë prej turmave dhe klasat
politike të dala prej turmave kurrë nuk mund të krijojnë sistem demokratik të
mirëfilltë dhe shtet ligjor. Qeverisja e
tyre nuk është as socialiste dhe as kapitaliste, po gjysmëbarbare.
* * *
Jose Ortega y Gasset
lindi në Madrid më 9 maj 1883. Babai Jose Ortega Munilla dhe nëna Dolores
Gasset Chinchilla, posedonin një shtëpi botuese dhe botonin gazeta, gjë që do
të ndikojë fuqishëm mbi Ortegën i cili gjatë tërë jetës së tij ka botuar
fejtone dhe ese. Edhe vetë ai boton gazetën “Revista de Occidente”. Shkollimin
e filloi në kolegjin jezuit në Malagë për ta vazhduar në Instituto de Malaga,
ku kreu filozofinë, letërsinë dhe drejtësinë. Diplomën universitare nga
filozofia dhe letërsia e mori në Universitetin Complutense në Madrid, ku
edhe doktoroi filozofinë në vitin 1904. Tri herë qëndroi për ngritje
profesionale në Gjermani, në Mekën filozofike të atëhershme, në universitetet e
Lajpcigut dhe të Marburgut. Në vitin 1910 u bë shef katedre për metafizikë në
universitetin e Madridit. Disa herë udhëtoi në Argjentinë ku mbajti ligjërata
tejet të vizituara. Aty, mendimi filozofik i tij la një gjurmë të thellë. Gjatë
trazirave në Universitetin e Madridit në vitin 1929, i mbështeti studentët dhe
hoqi dorë nga katedra dhe vendi i profesorit në universitet. Atëherë e mbajti
kolegjin legjendar me emërtimin “Ç’është filozofia?” në kinematë
dhe në teatrot e Madridit. Interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Qytetarët
rendnin pas ligjëratave filozofike të tij, kacafyteshin për bileta, gjë që
është një kuriozitet historik i llojit të vet. Në vitin 1931 e pranoi pozitën e
përfaqësuesit të provincës Leon në Kuvendin konstitutiv të Republikës së Dytë
të Spanjës, por shpejt u dëshpërua me politikën dhe u largua. Me shpërthimin e
Luftës civile, u larguar nga Spanja. Shkoi në Paris dhe mbajti një sërë
ligjëratash të rëndësishme në mbarë Evropën. U shoqërua me intelektualët më në
zë të kohës. Ka mesi i vitit 1939 e vazhdoi emigrimin e vet në Buenos-Aires në
Argjentinë, për t’u kthyer në Evropë në vitin 1942. U vendos në Lisbonë. Më
1948 u kthye në Madrid ku e themeloi Institutin e Shkencave Humanitare
në të cilin ligjëroi edhe vetë. Vdiq në Madrid në vitin 1955 në moshën 72
vjeçare. Epitafet ia shkruan mendimtarët më të mëdhenj të asaj kohe, siç është
edhe filozofi ekzistencialist gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger,
1889-1976). Ka botuar një numër të madh esesh, librash dhe traktatesh në temë
nga metodat filozofike, nga sociologjia, historia etj. Përpos “Revoltës së
turmave”, vepra të tjera më të rëndësishme të tij janë: Ç’është
filozofia?, Meditime për Kishotin, Studime për dashurinë, Dehumanizimi i artit,
etj.
Veprat e tij janë
tërheqëse edhe për shkak të gjallërisë intelektuale, freskisë së stilit,
bukurisë së shprehjes dhe ekzistimit të një sistemi të vlerave të cilit
gjithmonë i mbeti besnik.