Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Anton Pavlovich Chekhov - Drama impresioniste
E enjte, 04.02.2021, 11:33 PM
ANTON PAVLOVIÇ ÇEHOVI – DRAMA IMPRESIONISTE
Nga Xhelal
Zejneli
Anton Pavloviç Çehovi është novelist dhe dramaturg rus. Lindi në Tanganrog,
Rusi, më 29 janar 1860. Vdiq në Badenweiler të Gjermanisë, më 15 korrik 1904.
Njihej me pseudonimin Antosha Çehonte. Me profesion ishte mjek dhe letrar. Nga
llojet letrare që i krijoi janë dramat dhe tregimet e shkurtra. I përket
periudhës letrare të modernizmit dhe të realizmit. Veprat
kryesore të tij janë dramat “Tri motrat”, “Xhaxha Vanja”, “Kopshti i
vishnjave”, “Pulëbardha”.
Prindër të Çehovit
janë Pavel Jegoroviç dhe Eugjenia Jakovlevna Morozova. Babi ishte tregtar.
Çehovi ishte fëmija i tretë prej gjashtë fëmijëve. Në periudhën e viteve
1876-1879 Çehovi ndoqi shkollën fillore dhe atë të mesme në Tanganarog. Në këtë
kohë, shpesh shkonte në teatër, botonte tekste dhe redaktonte gazetën e
shkollës. Në vitin 1876, babi i Çehovit bankroton dhe bashkë me familjen
shpërngulet në Moskë, por Çehovi mbetet në Tanganrog. Në këtë kohë Çehovi
shkruan dramën e parë të vet “Pa baba”. Kjo dramë. sot e kësaj dite nuk
është gjetur. Në vitin 1879 Çehovi e kryen shkollën e mesme dhe shkon në Moskë.
Në Universitetin e Moskës regjistrohet në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1884
mori titullin e mjekut të rrethit. Për shkak të moskryerjes së punimit të
diplomës, kurrë s’arriti ta marrë titullin e mjekut. Në vitet ’70 të shekullit
XIX, filloi të merret me letërsi, por jo rregullisht. Shkruante humoreska të
shkurtra dhe parodi, pa ndonjë qëllim artistik serioz. Botonte me pseudonime.
Më së shpeshti me pseudonimin Antosha Çehonte. Në vitin 1890 udhëtoi për në
Sahalin. Nga ky udhëtim rezultoi libri publicistik “Ishulli Sahalin” (Ostrov
Sahalin, 1893-94). Këtu arriti të njohë kushtet mjekësore, ekonomike
dhe shoqërore të veriu të Rusisë. Në vitin 1898, për shkak të tuberkulozit, u
shpërngul në Jaltë. Në vitin 1901 u martua me aktoren e Teatrit të Artit të
Moskës (MHT), Olga Knipper. Në vitin 1904 vajti për mjekim në Gjermani,
ku edhe vdiq.
Ndonëse pohonte se
mjekësinë e ka grua, ndërsa letërsinë – dashnore dhe përkundër faktit se jetën
profesionale të vet më shpesh ia kushtonte pikërisht mjekimit, megjithëkëtë, në
mjekësi mbeti i njohur më tepër si i sëmurë, ndërsa famë botërore i
solli teatri.
* * *
Tregimet e para i
botoi për të mundur të mbahet gjatë studimeve të mjekësisë. U shfaq në letërsi
me humoreska të shkurtra, me shprehje dhe karakterizime të thukëta (koncize).
Më pas kaloi në novela dhe në tregime, ku humori i tij pikëllues, dalëngadalë u
shndërrua në rezignim dhe dëshpërim. Të njëjtën tematikë e përpunoi edhe në
drama, në të cilat nuk ka as thurje tradicionale dhe as zgjidhje. Nuk ka as
heronj të vërtetë dhe as pasione të forta. Në to, me elemente lirike është
theksuar sugjestioni i atmosferës në të cilën zhvillohet jeta e heronjve të
tij.
* * *
Tregimtari francez Gi
dë Mopasan (Guy de Maupassant, 1850-1893) është një prej përfaqësuesve më
të mirë të natyralizmit evropian, nën ndikimin e fuqishëm të tregimtarit
dhe romancierit francez, Gystav Flober (Gustav Flaubert, 1821-1880).
Mopasani është themelues dhe mjeshtër i novelës natyraliste. Ka
shkruar rreth 300 novela, gjashtë romane dhe
vepra të tjera. Vdiq në spitalin psikiatrik. Disa elemente të sëmundjes
së tij (gjendje psikopatike të frikës) u manifestuan edhe në veprat e fundit të
tij (“Frika”, “Halucinacioni” etj. Esteti dhe shkrimtari italian Benedeto
Kroçe (Benedetto Croce, 1866-1952) e quan Mopasanin poet i lindur, për
arsye se, në aspektin e prosedesë krijuese, lë në vepër një pastërti të
kulluar. Sipas Mopasanit, “arti është e vërtetë e zgjedhur dhe
ekspresive”. Benedeto Kroçe ishte nxënës i kritikut dhe historianit
italian të letërsisë Françesko De Sanktis (Francesco De Sanctis,
1817-1883).
Krahas Mopasanit,
Çehovi konsiderohet novelisti më i madh i realizmit evropian,
ndërsa me dramat e veta ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë ndikim të fuqishëm
mbi teatrin evropian. Në fillim, Çehovi shkruante tregime vetëm për përfitime
financiare, por me rritjen e ambicieve të tij, ai solli risi formale që ndikuan
në evolucionin e tregimit modern të shkurtër.
Gjatë studimeve, në
revistat studentore boton artikuj anonimë. Shpejt e zgjedh edhe pseudonimin
Antosha Çehonte. Me këtë pseudonim shkruan në revistat Peterburgajska
gazeta, Nova vremja, Oskolki dhe Ruskaja mysl. Në vitet 188 dhe
1887, shkruan me pseudonimet Mjeku që i ka humbur pacientët e vet, Vëllai i
vëllait tim, Njeriu pa... etj.
Në vitin 1881 Çehovi
shkruan dramën e cila më vonë do të njihet me titullin “Platonov”. Kjo
dramë do të shfaqet në vitin 1923, gati njëzet vjet pas vdekjes së autorit.
Çehovi studioi mjekësinë dhe ishte mjek i rrethit. Titullin e mjekut nuk e mori
për arse se nuk e kreu punimin e diplomës. Punën praktike e fillon në Çekin. Po
atë vit boton përmbledhjen me tregime “Përralla të Melpomenës”. Në
dhjetor 1881 i shfaqen simptomat e tuberkulozit. Në vitin 1884 e
shkruan dramën me një akt “Në rrugën kryesore”. Veprimi i kësaj pjese
zhvillohet në tavernën që ndodhet në rrugën kryesore. Teksti u ndalua nga
censura dhe u vlerësua si i papërshtatshëm për t’u shfaqur. Për herë të parë u
botua në vitin 1914, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Çehovit. Një vit më
vonë, Çehovi udhëtoi për në San-Petërburg. Këtu njihet me botuesin Aleksej
Suvorin dhe me piktorin Isak Levitan. Midis tyre lind një miqësi e afërt.
Shpejt pas njoftimit, fillon të shkruajë dhe të botojë tekste në gazetën e
Suvorinit Novo vrijeme (Koha e Re). Në prill të vitit 1890,
Çehovi niset në udhëtim për në Siberi dhe arrin në ishullin Sahalin. Duke qenë
mjek, këtu hulumton jetën në kampet e ndëshkimit. Pas kësaj, lundron nëpër
Paqësor dhe nëpër Oqeanin Indian. Ky udhëtim zgjati deri në tetor të të njëjtit
vit. Udhëtimet në jetën e Çehovit kanë qenë konstante, kështu që në vitin 1891
niset për në Evropën Perëndimore. Po këtë vit, i botohet novela “Dyluftimi”
dhe “Gruaja nga fshati”. Blen një pronë të vogël në Melihovë të rrethit
të Serpuhovskit ku shpërngulet me familjen.
Në vitet 1892-1893
përhapet epidemia e kolerës. Si një prej personave kryesorë të
komisionit sanitar të krahinës, Çehovi i mjekon falas fshatarët më të varfër
dhe lufton kundër urisë. Boton njëmbëdhjetë tregime, duke përfshirë edhe
tregimet “Gruaja ime”, “Karkaleci”. Boton edhe pjesën me një akt “Jubileu”.
Në vitin 1893 e
fillon një aventurë dashurie me Lika Mizinova, me të cilën nuk do të
kurorëzohet. Ajo do t’i shërbejë si inspirim për personazhin e Ninës në dramën “Pulëbardha”.
Shkruan veprën “Ishulli Sahalin”. I botohen tekstet “Tregim anonim”
dhe “Vologja i madh dhe Vologja i vogël”. Në vitin 1894 gjendja
shëndetësore i përkeqësohet, ndaj udhëton për në Itali dhe në Paris. Boton
veprat “Studenti”, “Mësuesi i letërsisë”, “Murgu i zi” dhe “Në verim”.
Në vitin 1897,
aktori, regjisori dhe teatrologu rus Konstantin Sergejeviç Stanislavski
(1863-1938) dhe regjisori rus dhe sovjetik, shkrimtari, pedagogu, dramaturgu,
producenti e drejtuesi i teatrit Vladimir Nemiroviç Dançenko (Ozurgeti,
Gjeorgji, 1858 – Moskë, 1943) themeluan Teatrin e Artit në Moskë (Moskovskij
huduzhestvennyj teatar – MHT). Ky teatër
do të ketë ndikim të madh në punën e mëtejme të Çehovin. Çehovit i vdes
babai, ndërsa vetë ai, për shkak të sulmit të parë akut të tuberkulozit të
mushkërive, shtrihet në spital. Në shtator niset për mjekim për në Francë. I
botohen dramat “Xhaxha Vanja”, “Ivanovi”, “Pulëbardha” dhe pjesët me një
akt dhe tregimet “Fshatarët”, “Në shtëpi”, “Njeri pa asnjë mërzi” (??????? ??? ?????????). Në maj të vitit 1898, Çehovi kthehet nga bota e
jashtme. Një kohë të caktuar jeton në Jaltë. Këtu përjeton sulmin e dytë të
tuberkulozit.
Të gjitha të drejtat
autoriale të punës së vet, Çehovi ia shet për 75.000 rubla botuesit A. F.
Marks. Vlera e sotme e kësaj shume do të ishte rreth 80.000 dollarë. Tani
fillon të përgatisë për shtyp veprat e përmbledhura të veta. Po këtë vit, për
punën në arsim, iu dha “Urdhri i Shën Stanislavit”. Shkruan dhe boton
tekstet “Me shërbim”, “Zonja me qenin e vogël” etj. Në atë verë,
e shet pronën në Melihovë dhe ndërton shtëpi në Jaltë.
Më 25 maj 1901
Çehovi u martua me aktoren Olga Leonardovna Knipper (1868-1959), e cila
e luajti Mashën te “Tri motrat”. Në vitin 1902 Çehovi boton “Peshkopi”.
Veprat e përmbledhura i botohen në njëmbëdhjetë vëllime. Në vitin 1903,
krijuesi artistik boton tregimin e tij të fundit “Fejesa”. Del botimi i
dytë i veprave të përmbledhura në gjashtëmbëdhjetë vëllime. Në qershor,
censorët e ndalojnë shfaqjen e dramave të Çehovit në teatrot me buxhet të vogël
për klasën punëtore, ndërsa në shtator e përfundon dramën “Kopshti i
vishnjave” dhe nis të shkojë në prova në MHT (Teatri i Artit në Moskë). Pas
kësaj, Çehovit i përkeqësohet gjendja shëndetësore. Në fillim të qershorit të
viti 1904, Çehovi me gruan e vet Olga Knipper, niset për mjekim në Gjermani.
Vdes më 15 korrik të atij viti në Badenweiler. U varros më 22 korrik 1904 në
varrezat Novo-deviçi në Moskë.
* * *
Çehovin e quajnë
nismëtar të realizmit psikologjik. Në dramat e tij nuk kemi konflikt
dramatik tipik. Çdo gjë që ndodh në dramë rezulton prej gjendjeve psikologjike,
prej ndjenjave dhe konflikteve të brendshme të personazheve. Në dramat e veta,
Çehovi ngul këmbë po ashtu për rrjedhjen e kohës, që është një prej mekanizmave
të ngjarjes në të cilën ndodhin ndryshime. Në dramat e Çehovit, në mënyrë tejet
të detajuar janë shënuar didaskalitë* dhe janë përshkruar vendet e
veprimit, gjë që kontribuon për t’i kuptuar personazhet dhe gjendjet psikologjike
të tyre. Dramat e Çehovit ende janë tejet të popullarizuara në repertorët e
shumë teatrove. Në bazë të tyre janë bërë edhe përshtatje filmash. Deri më sot,
në bazë të veprave të tij, janë xhiruar 285 filma.
Shënim: Didaskalie janë
udhëzime, këshilla, shënime. Bashkë me tekstin që e flasin personazhet e
dramës, shumë autorë dramash, në kllapa apo në shënime e përshkruajnë skenën,
rrethin, mjedisin dhe sjelljen apo veprimin e personazheve në situata të
caktuara. Herë-herë u japin edhe këshilla aktorëve sesi duhet të sillen në
skenë.
* * *
Në vitin 1994, u
përshtat për film dhe u shfaq në Nju-Jork drama “Xhaxha Vanja” në regji
të regjisorit, skenaristit dhe producentit francez Lui Mal (Louis Malle, 1932-1995). Në vitin
1968 u përshtat për film drama “Pulëbardha” në regji të regjisorit,
producentit dhe skenaristit amerikan Sidni Lumet (Sidney Arthur Lumet, 1924-2011). Në vitin
1970 u përshtat për film drama “Tri motrat” në regji të aktorit dhe
regjisorit anglez Lorens Olivie (Laurence Olivier, 1907-1989). Në vitin
1996 “Xhaxha Vanja” me titullin “August”, u realizua si film në
regji të aktorit, kompozitorit, regjisorit dhe producentit nga Uellsi (Welsh), Antoni
Hopkins (Anthony Hopkins, 1937- ).
* * *
Krijimtaria – Veprimtarinë letrare, Çehovi e filloi me humoreskat e shkurtra, si
p. sh. “Tregime laramane”, 1886. Pasojnë novelat “Njeriu në këllëf”,
“Për dashurinë” etj. Në to
pasqyron personazhet e humbura dhe të tjetërsuara. Në
novelat e veta, Çehovi nuk sjell ngjarje, ndodhi, personazhe të mëdha të
shquara të cilët paraqiten në shoqëri zëshëm dhe zhurmshëm. Fabulat janë më se
të zakonshme dhe ato fare nuk janë pikësynim, për arsye se Çehovi synon të
shkaktojë përshtypje, disponime, atmosferë. Te personazhet ai
krijon disponime në të cilat ata plotësisht vijnë në shprehje. Për këtë arsye,
Çehovi gjithmonë është i thuktë apo konciz, lakonik në mënyrën e vet, duke i
përdorur me të madhe peizazhet dhe digresionet lirike.
Veprat e hershme të
Çehovit, të botuara në revista humoriste të ndryshme, janë laike dhe kanë formë
anekdotash. Por çehobi shumë herët e përvetësoi temën e dobësisë
njerëzore dhe të izolimit dhe kjo mbeti dominuese në krijimtarinë e tij
(“Rast nga përvoja” – Slu?aj iz praktiki, 1898); „Zonja me
qenin e vogël” (Dama s soba?koj, 1899); „Peshkopi“ – (Arhijerej, 1902);
„Nusja“ (Nevesta, 1903). Në mesin e personazheve të paraqitura në
formë skicash në skenat nga jeta e përditshme, ndodhen edhe arketipat
socio-psikologjike, si për shembull “kameleonët” – heronjtë
dyfytyrësh, mendjelehtë siç janë ata të tregimtarit rus Mihail Jevgrafoviç
Saltikov-Shçedrin (1826-1889) dhe “prishibejevët” – personazh si
personifikim i profesionit të vet.
Në aspektin
programor, Çehovi i përmbahej aforizmit “shkurtësia është motër e
talentit”. Ai shkruan me një stil konciz dhe të përmbajtur, duke e
privuar veprimin nga ekspozicioni humoresk dhe duke e përqendruar në një moment
kyç që e zbulon thelbin e rëndësisë së heroit dhe problematikën themelore të
veprës. Duke rendur pas një bote më të poetizuar dhe më të bukur dhe duke u
shmangur nga ajo që është përdhese, e pakuptimtë dhe triviale, në periudhën e
hershme Çehovi shkruan tregime paksa melodramatike, në qendër të të cilëve janë
personazhe pozitive, shpeshherë të përvuajtur.
Në gjysmën e dytë të
viteve ’80 të shekullit XX, Çehovi largohet nga perspektiva satirike, ndërsa
heronjtë e vet fillon t’i shohë “nga brenda”, duke e thelluar begatinë e
mendimeve dhe të ndjenjave të tyre. Tani i krijon edhe të parat vepra dramatike
më serioze, “Ivanovin” (1887), dramë për “njeriun e tepërt”,
“Shpirtin e pyllit” (Lešij, 1888), pjesë kjo e pasuksesshme e
cila më vonë i shërbeu si bazë për “Xhaxha Vanjën”.
Shkrimet për
revistat humoristike i ndërpret me botimin e tregimit “Stepa” (Step, 1888),
në të cilën, fabulën klasike e zëvendëson me pasqyrimin impresionist
të stepës “së gjallëruar”, të dinamizuar, peizazhet e së cilës më tepër ndodhen
në aluzione dhe mbresa sesa në përshkrime.
Absurditetin,
mungesën e ndonjë qëllimi dhe teprinë e ekzistencës së tyre, personazhet e
Çehovit e kompensojnë me parandjenja të paqarta dhe me përfytyrime poetike për
një jetë më të bukur që u duket më reale se ekzistenca e tyre, pavarësisht në
është përshkruar ajo, me tipare tragjike apo komike.
Duke hequr dorë nga
krijimi i një fabule të ndërlikuar, raportet e heronjve të vet Çehovi i
përshkruan në detaje dhe imtësi, por, pikërisht këto imtësi që duken si të
parëndësishme, janë shenja kyçe të vetive dhe të përsiatjeve të brendshme. Një
sërë tregimesh “problemore” merren me çështje shoqërore dhe psikologjike
bashkëkohore, siç janë pamundësia e dashurisë së përhershme midis
mashkullit dhe femrës, pasiviteti i intelektualëve, qëndrimi ndaj parasë,
seksualiteti dhe morali etj. Por, përmbajtja abstrakte gjithmonë është
e zhytur thellë në realen.
Poetikën e
pasqyrimit të mendimeve dhe të ndjenjave thelbësore në të folurit e heronjve,
në ndërprerjen e të folurit dhe në fjalitë e papërfunduara, në dukje - të
rastësishme, Çehovi e ka zhvilluar deri në përsosmëri në katër dramat e tij: te
“Pulëbardha” (?ajka, 1896), simboli i titullit të së cilës
flet për një bukuri, të përdhosur mizorisht dhe në mënyrë të pakuptimtë, por
edhe për egërsinë ndaj jetës së njeriut në përgjithësi; te “Xhaxha Vanja”
(Djadja Vanja, 1897) – dramë për dështimin e fateve
njerëzore; te “Tri motrat” (Tri sestry, 1901)
– dramë që flet për pamundësinë e ndryshimeve në jetë; te “Kopshti
i vishnjave” (Višnevy sad, 1904), dramë për vdekjen
e vlerave të vjetra dhe për ardhjen e plogët, por të pandalshme të vlerave të
reja.
Duke trajtuar temën
se komunikimi dhe marrëveshja midis njerëzve është e pamundur, dialogët e
dramës e marrin formën e monologëve paralelë tipikë në të cilët heronjtë më
tepër e ndjekin rrjedhën e mendimeve, të ndjenjave dhe të asociacioneve të
veta, sesa u replikojnë të tjerëve. Fjalitë eliptike ndryshohen
me rrebeshet e kohëpaskohshme të fjalëve, të ngjeshura me emocione, ndërsa
heshtja dhe mendimet e papërfunduara janë shoqërues të përhershëm të bisedave. Fjala
është për dramat e dëshirës së zjarrtë për atë që në të vërtetë nuk mund të
arrihet. Nevoja e heronjve për ndryshime rrënjësore, për shkak
të shpërpjesëtimit midis të vizionit për një jete më të bukur dhe më
kuptimplotë si dhe mosaktivitetit kronik dhe ngarkimit emocional, gjithmonë
mbetet e parealizuar. Por, edhe kur ndodh ndonjë ndryshim, zakonisht shfaqet
një situatë edhe më tragjike.
Në dramat e veta,
Çehovi sistematikisht u është shmangur teatralitetit klasik dhe skenave të
mëdha, saqë ngjarje kryesore të caktuara kanë mundur të zhvillohen edhe jashtë
skenës. Dramatizmi i ndodhive dhe efikasiteti skenik janë zëvendësuar me
ndriçimin e emocionalitetit dhe të intimes, të detajeve plot domethënie të
jetës së përditshme, me përjetim dhe me përsiatje të thellë. Përkundër
veprimit, në dukje të varfër dhe mendimeve sistematikisht të papërfunduara, kur
është fjala për raportet midis personazheve dhe rrjedhës së jetëve të tyre, në
dramat e Çehovit mund të ndodhin ndryshime rrënjësore. Konstantin Sergejeviç
Stanislavski, regjisori i shfaqjeve më të suksesshme të dramave të Çehovit,
këtë efekt e ka quajtur “shok nënujor”. Në të tilla drama lirike,
kanë rëndësi vërejtjet e shpeshta jotipike të autorit, efektet zanore dhe
muzika, parimet e të cilave përcillen edhe në organizimin e fragmenteve të
dialogëve. Kanë rëndësi sidomos simbolet të cilët, prej dukurive të përditshme
dhe që nuk bien në sy, shndërrohen në ndërprerës të veprimit dhe të domethënies
së dramës.
Edhe te dramat “Pulëbardha”
(1896), “Xhaxha Vanja” (1897), “Tri motrat” (1900), “Kopshti
i vishnjave” (1903) Çehovi nuk krijon thurje të mëdha dramatike, por
kryekëput synon të krijojë disponime skenike dhe ngjarje të pakapshme në të
cilat personazhet shfaqen si njerëz të gjallë dhe të drejtpërdrejtë. Në këtë
pikëpamje, Çehovi është mjeshtër i madh dhe me plotë të drejtë e kanë quajtur
themelues të dramës impresioniste ruse. Dramat e tij
merren edhe si shembuj të të ashtuquajturës dramë lirike.
* * *
Impresionizmi – (lat. impressio, frëngjisht
impression – përshtypje, mbresë) është term që lindi së pari në artet
figurative. Në letërsi, impresionizmi shfaqet në kapërcyell të dy
shekujve, rreth viti 1890, deri në vitin 1910, si një metodë e pasqyrimit të
realitetit pa bërë diskriminim midis “e bukur - e shëmtuar”. Poeti, me
prosedenë e vrojtimit municioz, d.m.th. të hollësishëm, e paraqet jetën në
detajet e zgjedhura të saj, me pjesëmarrje të theksuar ndjenjash, sikur është
fjala për përshtypjet, për mbresat (impresionet) të cilat poeti i radhit njërën
pas tjetrës. Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një prosede metodike të re dhe me
një koncept krijues të ri. Është i theksuar sidomos individualizmi, për
arsye se vetëm sipas ndjeshmërisë personale, individuale zgjidhen motivet e
jashtme dhe tregohen vetitë karakteristike të objektit të vëzhguar. Për
impresionistët, realiteti i drejtpërdrejtë dhe i përditshëm është më i afërt
dhe më interesant. Por ata, realitetin dhe jetën nuk e ilustrojnë me ndihmën e
dokumentacionit apo të së vërtetës objektive dhe shkencore, pavarësisht nga
fakti në është e shëmtuar apo e bukur, e mirë apo e keqe, që ka qenë synim i natyralistëve.
Impresionistët zbulojnë në to të bukurën, deri atëherë të panjohur. Në
këtë mënyrë, impresionizmi e krijoi kriterin e vet të zgjedhjes së
motiveve. Ndërtoi edhe qëndrim të ri ndaj botës përreth, njësoj si simbolizmi.
Impresionizmi, si art i mbresës, i përshtypjes, i zhvilloi reaksionet psikologjike në të
vrojtuar, ndërsa në shprehjen gjuhësore, zhvilloi diferencimin e hollësishëm të
nuancave dhe të gjysmëtoneve si dhe hijezimin e figurave të veçanta. Kultivon figuracionin
zanor dhe sinestezinë. Marrë në përgjithësi, gjuha poetike bëhet
tejet e gjallë.
Impresionizmi ka dhënë arritje të bukura në poezinë lirike, në prozën e
shkurtër, në disa romane, por konceptet teorike të tij u manifestuan
në mënyrë më të plotë ese, pastaj në kritikë (kritika
impresioniste) dhe në një formë të veçantë drame, në të
ashtuquajturën dramë lirike, me Çehovin si përfaqësues
tipik, me veprat “Pulëbardha”, “Xhaxha Vanja”, “Tri motrat”. Këto
forma kanë qenë më të përshtatshme për realizimin e qëllimit kryesor të
impresionizmit: ngjarjet, disponimet dhe atmosfera e ndonjë mjedisi.
* * *
“Ivanovi” – Në shtator të viti 1887, ndërmarrësi teatror F. A. Korsh i porositi
Çehovit një pjesë teatrore për stinën teatrore të sapofilluar. Çehovi izolohet
nja dhjetë ditë dhe nën ethe krijuese e shkruan dramën me katër akte “Ivanovi”.
Personazh kryesor është 35-vjeçari Nikolaj Ivanovi, pronar i pushimores verore.
Për shkak të problemeve të ndryshme jetësore, ai është në depresion. Gruaja e
tij Ana Petrovna, e lindur si Sara Abramson, është hebre, e cila, për hir të
martesës është konvertuar në fe ortodokse. Si pasojë, e ka humbur prikën,
pasurinë që i ka takuar. Ana vdes prej tuberkulozit. E vetmja që mund t’i
ndihmonte ishte pushimi në gadishullin e Krimesë. Por, Ivanovi nuk mund t’ia
mundësojë këtë ngase i debiton para Zinaida Savishnit. Në të vërtetë, Ivanovi
nuk e do gruan e vet që po vdes, ndërsa i vetmi motiv për t’u martuar me të
ishte prika e madhe e Anës, të cilën ajo, me t’u konvertuar në ortodokse, e
humbi. Tani kur gruaja e vet është para vdekjes, ai dashurohet te Sasha - bij e
Lebdjevit dhe Zinaidës. Në versionin e parë të tekstit, Ivanovi vdes nga vdekja
natyrore, qetë dhe pa rënë në sy. Më vonë, Çehovi e ndryshoi epilogun, kështu
që në fund të aktit të katërt, Ivanovi vret veten me revole.
Premiera e drama u
shfaq më 19 nëntor 1887 në Teatrin Rus të Dramës të F. A. Korshit në Moskë.
provat e shfaqjes zgjatën dhjetë ditë. Çehovi ishte i pranishëm në çdo provë,
ndërsa me aktrimin e aktorëve ishte tejet i pakënaqur. Një pjesë e publikut e
priti shfaqjen me entuziazëm dhe me duartrokitje të mëdha, ndërsa pjesa tjetër
e publikut fërshëlleu zhurmshëm. Pas premierës, u shfaqën vetëm edhe dy
repriza. Çehovi te “Ivanovi” punoi ende, e ndryshoi fundin dhe pas dy
vjetëve, më 31 janar 1889, në regji të Fjodor Jurkovskit, drama u shfaq në
Teatrin e Aleksandrit në San-Petërburg. Kjo shfaqje ishte tejet e suksesshme,
saqë bashkë me aktorët, për ta përshëndetur publikun, doli në skenë edhe vetë
Çehovi. Pas shfaqjeve të tjera, Çehovit i vinin urime të shumta.
Vitin në vijim,
Çehovit i botohet tregimi i parë serioz i gjatë “Stepa” dhe shfaqen me
sukses pjesët me një akt “Ariu” dhe “Msitnia”. Ndërkaq tregimi i
shkurtër “Në muzg” e fiton çmimin
“Pushkin” të Akademisë së Shkencave.
„Xhaxha Vanja“ – Në tetor të vitit 1889, Çehovi e përfundon dramën “Shpirt
pylli” (Lešij). Drama shfaqet në dhjetor, por nuk pritet mirë nga kritika.
Për këtë arsye, në fillim të viti vijues, Çehovi e shndërron në “Xhaxha
Vanja”, dramë kjo që do të botohet në vitin 1897. Ngjarja e “Xhaxha
Vanjës” zhvillohet në fshatin rus. Në pushimoren verore ndodhen katër
personazhe, pa kurrfarë qëllimi në jetë dhe pa shpresa për ndryshime.
Raporti themelor është katërkëndëshi i dashurisë. Jelena
Andrejevna, një grua e re dhe e bukur e profesorit Serebërjakov, i cili më parë
ka qenë i martuar me motrën e Vanjës. Nga ajo martesë, Serebërjakov ka një vajzë
– Sonjën. Daja i Sonjës, Vanja dhe mjeku i fshatit dhe ekstravaganti Astrov
dashurojnë Jelena Andrejevnën, Sonjës ndërkaq i pëlqen Astrovi. Në fund, asnjë
nga këto lidhje nuk realizohet, ndërsa Srebërjakovët largohen. Çdo gjë mbetet
ashtu si ishte, pa kurrfarë shprese se do të bëhet më mirë.
Në vitin 1899 “Xhaxha
Vanjën” e shfaqin teatrot e Kievit, të Krakovit dhe të Novogorodit të
Poshtëm. Çehovi ka ndërmend që dramën ta shndërrojë në roman. Megjithëkëtë, heq
dorë. PO atë vit, duke qenë se Çehovi për shkak të sëmundjes nuk mund të vijë
në Moskë në shfaqjet e Teatrit të Artit të Moskës, trupa teatrore, bashkë me
kostumet, me skenografinë he me rekuizitat mori rrugën e gjatë për në ishullin
e Krimesë dhe për në Jaltë. Atje trupa teatrore e MHT-së (hudozhestvenikët),
për Çehovin dhe për tregimtarin e dramaturgun rus Maksim Gorkin (1868-1936)
shfaqën “Pulëbardhën”, “Xhaxha Vanjën”, dramën “Njerëz të vetmuar”
(Einsame Menschen, 1890) të dramaturgut dhe tregimtarit gjerman Gerhart
Hauptman (Gerhart Hauptmann, 1862-1946) dhe dramën “Hedda Gabler”
(1890) të dramaturgut norvegjez të natyralizmit - Henri Ibsen (Henrik
Ibsen, pseudonim i Brynjolf Bjarme, 1828-1906). Hauptmani e nisi krijimtarinë
letrare si dramaturg natyralist. Pas kësaj, në drama, në ep dhe
në roman, kaloi nëpër simbolizëm dhe neoromantizëm, i kaloi të
gjitha fazat stilistike të eklektikut krijues.
“Pulëbardha” – Dramën “Pulëbardha”, Çehovi e shkroi në vitin
1895. Në këtë dramë bëhet fjalë për teatrin, për dallimet e
pakapërcyeshme midis brezit të vjetër dhe të ri, për dashurinë ndaj artit.
Personazh kryesor i “Pulëbardhës” është aktorja e njohur Irina
Nikolajevna Arkadina, e cila me të dashurin e saj, shkrimtarin Boris
Aleksejeviç Trigorin, vjen në pronën e të vëllait të sëmurë, Sorin. Aty, i biri
i Irina Nikolajevnës, Konstantin Gavriloviç Treplov dëshiron të organizojë një
shfaqje, duke tentuar të zbulojë një formë teatrore të re. Por, e ëma s’do të
dëgjojë dhe as ka mirëkuptim për synimet e të birit.
Aktore kryesore e
kësaj shfaqjeje është vajza e re Nina Mihajlovna Zareçna. Asaj i vardiset
Treplovi, kështu që i dhuron një pulëbardhë që e kishte vrarë vetë ai. Nga një
veprim i këtillë, Nina rrëqethet. Njëherazi, ajo është e preokupuar me
Trigorinin, i cili po ashtu i vardiset, duke tërhequr një paralele ndërmjet
jetës së saj dhe pulëbardhës së pajetë, që e mori si dhuratë. Treplovi
depresiv, të cilin Nina e refuzoi, tenton të bëjë vetëvrasje, por plumbi vetëm
ia ka gërvishtur kokën. Irina Nikolajevna Arkadina dëshiron të kthehet në
Moskë, ndërsa Trigorini dëshiron të mbetet në çiflig. Megjithëkëtë, lëshon pe
para dëshirave të dashnores. Nina dhe Trigorini shihen për herë të fundit para
largimit të tij. Ajo i premton se do të bëhet aktore dhe se do të shihen në
Moskë. Akti i fundit ndodh pas dy vjetësh. Aty mësojmë se Nina dhe Trigorini
kanë pasur një fëmijë i cili kishte vdekur dhe se Trigorini i ishte kthyer
Irina Nikolaevna Arkadinës. Brenda këtyre dy viteve, Nina kishte udhëtuar
anembanë me një grup aktorësh të rendit të dytë. Tani, krejt këtë ia rrëfen
Treplovit, i cili në fund të dramës vret veten. Në premierën e shfaqur në
Teatrin e Aleksandrit në San-Peterburg, “Pulëbardha” nuk pati sukses.
Megjithëkëtë, shfaqja e dytë u mirëprit nga publiku.
Më 17 dhjetor, në
Teatrin e Artit të Moskës (MHT), premiera e dramës “Pulëbardha” u shfaq
me sukses tejet të madh në regji të Konstantin Sergejeviç Stanislavskit, por
Çehovi nuk ishte i pranishëm. Pas shfaqjes, Vladimir Nemiroviç Dançenko i
dërgoi Çehovit në Jaltë një telegram në të cilin thuhet: “Sapo e shfaqëm
“Pulëbardhën”. Suksesi ishte kolosal. Publiku na u lut të të dërgojmë
një telegram. Kënaqësia na bëri të çmendemi. Të duam të gjithë.”
Pas këtij suksesi, “Pulëbardha”
u bë simbol i Teatrit të Artit të Moskës (THT).
„Tri motrat“ – Në janar të vitit 1900, Çehovi u zgjodh anëtar nderi i
Sektorit letrar të Akademisë së Shkencave. Boton veprat “Në Ravenë” dhe “Në
Krishtlindje”. Nga gushti deri në dhjetor e shkruan, e shkruan dramën më të
njohur të tij Tri motrat” të cilën e përfundon në Nicë. Personazhe
kryesore të dramës janë motrat Prozorov - Olga, Masha dhe Irina dhe vëllai i
tyre Andrej. Veprimi i dramës zhvillohet në një qytet provincial rus ku janë
shpërngulur para njëmbëdhjetë viteve për shkak të zhvendosjes së babait të
tyre. Drama përshkohet nga dëshira dhe malli për t’u kthyer në Moskë. Akti i
parë fillon me kremtimin e ditës së emrit të Irinës, por kjo, njëherazi është
edhe përvjetori i vdekjes së babait të tyre. U vijnë për vizitë oficerët
Tusenbah, Soloni dhe Çebutkin të cilët janë me shërbim në qytet. Këta sjellin
në shoqëri komandantin e sapoemëruar Vershinjin. Olga është ligjëruese në
gjimnaz. Masha, e vetmja prej motrave e cila është e martuar, e ka burrë
profesorin Kuligin. Andreu ia kërkon dorën Natalia Ivanovnës. Midis aktit të parë
dhe të dytë, kalon një vit. Në aktin e dytë, Andreut dhe Natalia Ivanovnës u
lind një djalë. Por, Andreu është i pakënaqur nga martesa dhe luan bixhoz. Edhe
Masha është e pakënaqur me martesën e vet. Ajo e pranon vardisjen e
Vershinjinit. Tek Irina janë dashuruar Tusenbahu dhe Soloni, të cilin ajo e
refuzon. Pas kësaj, Soloni kanoset se do ta vrasë çdo rival të tij. Në aktin e
tretë, i tërë qyteti është përshirë nga një zjarr i madh. Olga del për t’u
ndihmuar të goditurve nga zjarri. Kuligini e kërkon gruan e vet, Mashën, ndërsa
Irina nuk është e sigurt në do të pranojë martesën me Tusenbahun. Andreu ua bën
me dije se shtëpinë e ka humbur në bixhoz. Me të dëgjuar këto fjalë, Olga,
bashkë me shërbëtoren, shkon të jetojë në banesën shkollore. Në aktin e fundit,
ushtria largohet nga qyteti. Vershinjini përshëndetet me Mashën, ndërsa Soloni
dhe Tusenbahu ishin marrë vesh për të dalë në dyluftim. Në këtë dyluftim midis
tyre, Tusenbahu u qëllua për vdekje.
Drama përfundon me monologët
e motrave. Ato, njësoj si heronjtë e tjerë të Çehovit, mësojnë se jeta e
tyre nuk mund të ndryshojë. Kjo shihet në fjalët e Olgës: “Do të
kalojë koha dhe ne do të shkojmë përgjithmonë, do të na harrojnë, do të na i
harrojnë fytyrat, zërat dhe sa kemi qenë, por vuajtjet tona do të shndërrohen
në hare për ata që do të jetojnë pas nesh, ndërsa në botë do të mbizotërojë
lumturia dhe paqja. Për ata që jetojnë sot, njerëzit do të thonë fjalë të mira
dhe do t’i bekojnë. Motra të dashura, jeta jonë ende s’ka marrë fund. Ende kemi
për të jetuar!”
Në vitin 1902, për “Tri
motrat”, Çehovit i jepet çmimi “Gribojedov” i Shoqatës së dramaturgëve dhe
të kompozitorëve operistikë.
“Kopshti i vishnjave” - Në vitin 1902
fillon ta shkruajë dramën “Kopshti i vishnjave”. Është drama e tij e
fundit. Në këtë vepër merret me shkatërrimin e aristokracisë ruse.
Drama fillon me kthimin nga Parisi të Lubov Andrejevna Ranjevskës dhe të së
bijës Anja në pronën e vjetër, e cila është nën hipotekë. Kopshti i vishnjave
dhe shtëpia, brenda disa muajve do të shiten në ankand. Ranjevska dëshiron ta
shpëtojë pronën duke e martuar të bijën Varje me tregtarin e pasur dhe të
suksesshëm Lopahin, i cili dëshiron t’i presë vishnjat e kopshtit, për të
ndërtuar një pushimore. Lopahini e blen pronën në ankand, vendos t’i presë vishnjat
dhe të mos martohet me Varjen. Drama përfundon me largimin e Ranjevskës dhe të
vëllait të saj Gajevit si dhe me prerjen e vishnjave. Kopshti i vishnjave është
simbol i një familjeje dhe i një klase që rrënohet dalëngadalë.
Më 17 janar 1904, në
ditëlindjen e tij, u shfaq premiera e dramës “Kopshti i vishnjave”.
Rolin kryesor të femrës, d.m.th. rolin e Lubov Andrejevna Ranjevskës e luajti
gruaja e Çehovit – Olga Knipper. Por, Çehovi nuk ishte i kënaqur me shfaqjen
për arsye se dramën “Kopshti i vishnjave” e kishte titulluar si komedi,
ndërsa Konstantin Sergejeviç Stanislavski dhe Vladimir Nemiroviç Dançenko e
ishin realizuar si tragjedi. Sidoqoftë, në Moskë dhe në San-Peterburg,
shfaqja përjeton sukses të madh.
* * *
Dramat: Dëmi nga duhani
(1886, 1902); Ivanovi (1887); Ariu (1888); Msitnia (1888-1889);
Dasma (1889); Jubileu (1891);
Pulëbardha (1896); Xhaxha Vanja (1897); Tri motrat (1900); Kopshti i vishnjave (1903) etj. Drama “Xhxha
Vanja” në disa përkthime haset edhe si “Daja Vanja” apo si “Xha
Vanja”.
Proza: Përralla të
Melpomenës (1884); Tregime laramane (1886); Në muzg (1887)
etj.
Novelat dhe tregimet (përmbledhja e botuar në vitin 1894): Zonja me kone apo
Zonja me qenin e vogël; Njeriu në këllëf, Stepa; Nënoficeri Prishibjejev;
Për dashurinë; Pavijoni Nr. 6; Në përroskë; Nusja; Ishulli Sahalin (1895)
etj. “Ishulli Sahalin” haset në shqip edhe si “Ishulli Sakhalin”.