Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Paulo Cuelho - Alkimisti
E marte, 16.02.2021, 10:00 PM
PAULO KUELHO – “ALKIMISTI”
Nga Xhelal
Zejneli
Mëso ta dëgjosh veten, mendimet tua, dëshirat tua, sidomos – zemrën tënde.
Udhëtimi që ndërmerr djaloshi Santiago për të zbuluar thesarin përballë
piramidave shndërrohet në zbulim të thesarit të brendshëm, në njohje të
vetvetes. Thesari ishte ai vetë. Atë e kishte në vete.
Paulo Kuelho (Paulo Cuelho) lindi më 24 gusht 1947 në Rio-de-Zhanejro (Rio de Janeiro)
të Brazilit. Ndoqi shkollën fetare të jezuitëve. Kur ishte tinejxher, i tha së
ëmës se dëshiron të bëhet shkrimtar. Ajo ia ktheu: “Babanë e ke inxhinier,
njeri logjik dhe të arsyeshëm, me koncept të definuar për botën. E di të se
ç’do të thotë të jesh shkrimtar?” Në kërkim të përgjigjes për këtë
pyetje, erdhi në përfundim se “shkrimtari gjithmonë mban syze dhe kurrë s’i
kreh flokët. Detyra dhe detyrimi i tij është të mos e kuptojë gjenerata e vet”.
Kur ishte 17 vjeçar, për shkak të sjelljes introverze dhe
kundërshtimit të mënyrës tradicionale të jetës, prindërit e dërguan në spitalin
psikiatrik. E liruan kur i mbushi 20 vjeç. Ndërkohë, nga spitali kishte ikur
tri herë. Më vonë pohon: “Nuk është se donin të më lëndonin. Thjesht, nuk
dinin ç’të bënin me mua. Nuk e kanë bërë këtë për të më shkatërruar, por
për të më shpëtuar.”
Sipas dëshirës së
prindërve, u regjistrua në Fakultetin e Drejtësisë. Hoqi dorë për t’u bërë
shkrimtar. Pas një viti, i la studimet dhe nisi të udhëtojë nëpër Afrikën e
Jugut, në Meksikë dhe në Evropë. Jetonte si hipik dhe pinte
drogë. Pas kthimit në Brazil, nisi të shkruajë poezi për këngëtaren
braziliane të muzikës popullore dhe të xhazit, Elis Regina* (Elis
Regina Carvalho Costa, 1945-1982), për këngëtaren e muzikës rock,
shkrimtaren dhe kompozitoren braziliane Rita Lee (Rita Lee Jones, 1947-
) dhe për kompozitorin brazilian të muzikës rock Raul Seixas
(Raul Santo Seixas, 1945-1989). Në vitin 1974, për këto poezi të cilat pushteti
i konsideronte majtiste dhe të rrezikshme, u burgos
dhe u torturua.
Shënim: Elis Regina është
nënë e këngëtares braziliane Maria Rita, e lindur si Maria Rita Camargo
Mariano, (1977- ). Baba i saj është pianisti i famshëm César Camargo Mariano).
* * *
Edhe pse fitonte dhe
u afirmua si autor poezish, në vitin 1986 vendosi që plotësisht t’i kushtohej
shkrimit të romaneve. Kthesën e bëri gjatë pjesëmarrjes në shëtitjen
ceremoniale fetare Rruga për Santiagon (Road of Santiago de Compostela)
në Spanjë, të cilën e paraqiti në veprën e vet “Pelegrinazhi”.
Në vitin 1982 botoi
librin e parë “Arkiva nga ferri” (Arquivos do Inferno, 1982), por
libri nuk pati sukses të duhur. Librin e vet të ardhshëm, “Doracak praktik i
lugatërisë“ (O Manual Prático do Vampirismo, 1985) e karakterizoi si
të dobët për nga cilësia, ndaj tentoi ta tërheqë nga shitja. Në vitin 1986, pas
kthimit nga Rruga për Santiagon, shkroi “Pelegrinazhin” (O Diário de
un Mago, 1986). Në vitin vijues, një shtypshkronjë e vogël e boton “Alkimistin”
në 900 kopje. Vepra popullarizohet vetëm pasi u botua “Bride” në
vitin 1990.
“Alkimisti” u shit në mbi 65
milionë kopje dhe u bë një nga librat më të shitur në histori, i
përkthyer në 67 gjuhë të botës. Kjo u regjistrua në Librin e Ginesit të
rekordeve si libër i një autori të
gjallë, i përkthyer në numër më të madh gjuhësh. Ka shitur mbi 100
milionë libra në 150 vende të botës, ndërsa veprat e tij janë përkthye
në 59 gjuhë të botës.
Pas kësaj, shkruan
libra çdo dy vjet. Pohon se çdo libër të ri e fillon vetëm pasi të gjejë pendë
të bardhë në janar të vitit tek. Kjo ndërlidhet me kthesën e tij për t’u bërë
shkrimtar. Derisa e shtynte kalimin e përhershëm në shkrime pas kthimit nga Rruga
për Santiagon, Kuelho tha: “Po qe se sot gjej një pendë të bardhë, kjo
do të ishte shenjë që ma dërgon Zoti që të filloj të shkruaj libër të ri”.
Pendën e gjeti në ekspoziturën e një dyqani dhe nisi të shkruajë po atë ditë.
Deri tani Kuelho ka
botuar 26 libra. Dy prej tyre janë autobiografikë: “Pelegrinazhi” dhe “As
Valkirias”. Veprat e tjera janë bazuar në përvojën personale të vet. Disa
prej veprave të tij janë prezantuar si përmbledhje esesh, artikujsh gazetareskë
apo ligjëratash.
Romani “Alkimisti” ka fituar publik të zgjedhur në
mbarë botën. Rrëfimi që të kënaq me thjeshtësinë dhe të inspiron me urtinë e
vet, e përcjell bariun e ri andaluzian, Santiagon, i cili nga Spanja e vet
niset për në shkretëtirën e Egjiptit, për ta gjetur thesarin e fshehur përballë
piramidave.
Askush s’e di se për
çfarë thesari bëhet fjalë. Nuk dihet në do t’ia dalë Santiago t’i tejkalojë
pengesat që do t’i dalin gjatë rrugës. Por, ajo që fillon si kërkim pasurish të
kësaj bote, shndërrohet në kërkim pasurie që ndodhet te vetë ai.
Entuziazmues,
piktoresk dhe thellësisht njerëzor, ky rrëfim është dëshmi e përhershme e
forcës së ëndrrave tona për të na transformuar, dëshmi se sa është e
rëndësishme ta dëgjosh zemrën tënde.
*
* *
“Alkimisti” është
një prej romaneve më të popullarizuar të njëzet viteve të fundit. Kuelho ia ka
treguar lexuesit rrëfimin për domosdoshmërinë e kërkimit të fatit, që ka
impresionuar mijëra adhurues të tij në mbarë botën. Pas botimit të parë në
vitin e largët 1988, kjo vepër është ribotuar edhe shumë herë të tjera në mbarë
botën.
Në qendër të ngjarjes ndodhet bariu Santiago, i cili me
pasion të madh dëshiron ta gjejë thesarin me vlerë marramendëse. Rruga jetësore
që e ka caktuar, i premton shumë zbulime të reja. Një prej tyre është njohja
e vetvetes. Mëso ta dëgjosh veten, mendimet tua, dëshirat tua, sidomos – zemrën tënde. Vjen momenti
dhe Santiago mëson se ëndrra e tij nuk i takon vetëm atij – ajo është pjesë e
Shpirtit të Gjithësisë.
Dalëngadalë Santiago e kupton lidhjen e pashkëputur që
ekziston midis nevojës për realizimin e dëshirave njerëzore dhe asaj
që është shpirtërore. Santiago ishte një bari modest. Pak a shumë
modeste i kishte edhe dëshirat. Nga jeta nuk kërkonte përveç se vullnet të lirë
për vete dhe për delet e veta, pak verë si dhe librin fascinues, ngashënjyes,
magjiplotë që do ta mbajë në strajcë. Por fati e çoi në një rrugë tjetër, në
formë bredhjesh të paparashikuara, për të kërkuar dhe për të gjetur thesarin e
paçmueshëm, të fshehur në themelet e piramidave egjiptiane.
Santiago e njohu mbretin e urtë, Melhizedekun
(Melchizedek). Ky e shtyri bariun që të
tregojë vendosmëri dhe të vihet në veprim. Të nesërmen i shiti dhentë, la
vendlindjen dhe u nis në kërkim. Duke ndjekur ëndrrën e jetës së vet, djaloshi
u nis për në Afrikë.
Romani “Alkimisti” është një prej fenomeneve
letrare më të rëndësishme të shekullit XX, për arsye se historia e bariut
Santiago është një lloj rrëfimi shpirtëror që në jetën e
përditshme mund të shfrytëzohet në çfarëdo përsiatjeje racionale, pavarësisht
nga statusi shoqëror i tij.
Episodi vijues i librit që e ka goditur botën është
mbërritja e Santiagos në Afrikë. Këtu, personazhi kryesor e kupton se rruga
jetësore e tij nuk do të jetë aq e lehtë siç e kishte paramenduar.
Që ditën e parë, bariu i varfër u plaçkit. Duke mbetur
fare i vetëm, nuk kishte mundësi as të bisedojë me dikë ngase nuk dinte
arabisht. Pas ngjarjeve të tilla, bariu ishte në humbje të plotë, ndaj i duhej
të kthehej, pa e realizuar ëndrrën e vet. Por, në ato çaste iu kujtua biseda me
të urtin Melhizedek, mbretin Salem, i cili ende e takonte në shtëpi.
Dalëngadalë, dyshimet e tij filluan të zhduken.
“Alkimisti” i
Kuelhos është një udhërrëfyes i shkurtër për njeriut për t’i realizuar dëshirat
e veta, është udhërrëfyes jetësor i Santiagos. Santiago nuk heq dorë nga synimi
i tij, para se të arrijë qëllimin e vet dhe para se ta realizojë ëndrrën e vet.
Pasi u vendos në një dyqan, Santiago fitoi
do para që mjaftonin për të blerë kope të re delesh. Djaloshit i sillet
ndërmend kthimi në shtëpi. Por, në çastin e fundit vendos t’i vë në rrezik të
gjitha paratë që i kishte fituar. Ai është i vendosur të realizojë ëndrrën e
vet, të kërkojë dhe të gjejë thesarin, atje, mu te këmbët e piramidave. Nga synimi
i vet, nuk heq dorë.
Në shkretëtirë Santiago takon udhëtarin me prejardhje
angleze. Ky i flet për sekretet e alkimisë. Këto vise qenkëshin
të njohura për punë alkimie. Santiago dhe anglezi kalojnë kohën duke folur për
çështje shpirtërore. Ndërkohë, përhapen lajme për shpërthimin e një lufte
fisesh.
Ndër ngjarjet më të rëndësishme të “Alkimistit”
është mbërritja në oazë, përjetimi i ndjenjës së vërtetë të
dashurisë, përfytyrimi i luftës që pritej të shpërthente si dhe biseda e
rëndësishme me alikimistin i cili ishte i gatshëm ta shoqërojë
Santiagon deri te thesari.
Aventurat e mëtejme të Santiagos kanë të bëjnë me sfidat
e tij shpirtërore dhe fetare. Alkimisti edhe një herë dëshmi ekzistimin e
Shpirtit të Gjithësisë, që është në gjendje të bëjë punë të mëdha.
Kjo vepra e Kuelhos i zgjon ato mendime të njeriut i cili
në jetën e përditshme nuk ka mundur t’i kushtojë vëmendje të duhur vetes.
*
* *
Romani mahnitës “Alkimisti”
i shkrimtarit brazilian Kuelho, për herë të parë botua në vitin 1988. Kjo vepër ka inspiruar
miliona njerëz në mbarë botën. Është një histori e mrekullueshme, njëherazi e
thjeshtë dhe përplot porosi dhe urti jetësore. Flitet për bariun e ri nga
Andaluzia – Santiagon, i cili për ta gjetur thesarin të fshehur te piramidat,
niset nga shtëpi e tij në Spanjë, për në shkretëtirën e Egjiptit. Rrugës takon Ciganen,
njeriun që e quan veten mbret si dhe alkimistin. Ata e udhëzojnë se
në ç’drejtim duhet të niset për kërkim. Udhëtimi që e ndërmerr për të
mira materiale, i shndërrohet në zbulim të thesarit të brendshëm. Ky
rrëfim i çmuar dhe motivues për djaloshin Santiago, dëshmon se sa është e
rëndësishme ta dëgjosh zemrën tënde dhe t’u besosh ëndrrave, për arsye se ato
mund ta ndryshojnë jetën tonë.
Vepra është alegori
për bariun spanjoll Santiagon i cili është nisur në udhëtim, me dëshirë
për ta plotësuar misionin personal. Inspirim për veprën ka qenë tregimi i
shkurtër i tregimtarit, poetit dhe eseistit argjentinas Horhe Luis Borhes (Jorge
Luis Borges, 1899-1986) me titull “Tregim për dy ëndërrimtarë”. Vepra u
shkrua në gjuhën portugeze.
Në vitin 2003,
kompania shumëkombëshe amerikane për mediume dhe argëtim Warner Bros i
bleu të drejtat për këtë libër për ta xhiruar si film. Por, projekti kurrë nuk
u realizua, siç thuhej, për shkak të problemeve rreth skenarit ngase në një
moment është paraqitur një betejë me mbi 10.000 luftëtarë, gjë që nuk është
poentë e librit. Në vitin 2008, në Festivalin e Kanës u bë publike se
producenti amerikan i filmit, i dënuar për abuzim seksual, Harvey Weinstein (1952-)
i ka blerë të drejtat e librit, ndërsa regjisor do të ishte aktori,
dramaturgu, producenti, skenaristi dhe regjisori amerikan Laurence John
Fishbun (1961- ). Buxheti i paralajmëruar ka qenë 60 milionë dollarë
amerikanë, ndërsa regjisori dhe shkrimtari iu gëzuan bashkëpunimit.
Cornish Theatre Collective “Alkimistin” e shfaq me sukses në teatër.
* * *
The Guardian thotë: “Libër i shkruar në mënyrë të shkëlqyer. Ajo ka
të bëjë me secilin prej nesh dhe na mëson se e gjithë pasuria e botës ndodhet
në zemrat tona”.
Prozatori japonez,
laureat i çmimit “Nobel” (1994), Kenzaburo Oe (1935-) thotë: “Paulo
Kuelho e di sekretin e alkimisë letrare”.
Krijimtari e Kuelhos
Arkiva nga ferri (Arquivos do Inferno, 1982); Doracak praktik i lugetërisë
(O Manual Prático do Vampirismo, 1986); Pelegrinazhi (O Diário de um Mago,
1987); Alkimisti (O Alquimista, 1988); Brida (Brida, 1990); O Dom Supremo
(1991); As Valkirias (1992); Çdo gjë është shkruar me të njëjtën dorë (Maktub,
1994); Në bregun e lumit Piedra jam ulur dhe ka qarë (Na margem do rio Piedra
eu sentei e chorei, 1994); Kodra e pestë (O Monte Cincop, 1996); Doracak për
luftëtarin e dritës (Manual do guerreiro da luz, 1997); Veronika ka vendosur të
vdesë (Veronica decide morrer, 1998); Djalli dhe zonjusha Prym (O Demônio e a
srta Prym, 2000); Tregime për prindër, për fëmijë dhe për nipa (Histórias para
pais, filhos e netos, 2001); Njëmbëdhjetë minuta (Onze Minutos, 2003); Gjeniu
dhe trëndafilat (O Gênio e as Rosas, 2004); Zahiri (O Zahir, 2005); Ser como um
rio que flui, 2006; Magjistarja nga Portobelo (A bruxa de Portobello, 2006)etj.
Angazhimi shoqëror i Kuelhos
- Ndonëse është
edukuar si katolik dhe shkon në kishë, lidhur me
disa çështje politike dhe shoqërore, Kuelho e ka shprehur mospajtimin e tij me
Papën;
- Në vitin 1996
themeloi Institutin Paulo Kuelho që u jep ndihmë fëmijëve dhe të
moshuarve që ballafaqohen me probleme financiare;
- Është anëtar i
Këshillit drejtues të Qendrës për Paqe “Shimon Peres”;
- Këshilltar i
posaçëm i UNESCO-s për “dialog ndërkombëtar dhe afrim shpirtëror”;
- Anëtar i Këshillit
drejtues të Fondacionit Schwab për sipërmarrësi shoqërore;
- Anëtar i Akademisë
Braziliane të Letrave;
- Anëtar i INI
Konsultativ Ndërkombëtar – Harvard International Negotiation Initiative;
- Anëtar i Këshillit
drejtues të Qendrës Doha për lirinë e mediumeve;
- Anëtar këshillimor
i Këshillit drejtues të Fondacionit Maybach.