Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: ''Procesi'' Kafka
E enjte, 11.02.2021, 09:38 PM
“PROCESI” – KAFKA
Nga Xhelal
Zejneli
Pa kurrfarë dyshimi,
Franc Kafka është një prej shkrimtarëve botërorë, më të rëndësishëm dhe më
largpamës të shekullit XX. Romani “Procesi” është pjesë e pandarë e
artit letrar modern. Ka studiues që thonë se për një “Proces” autentik,
duhet t’u kthehemi dorëshkrimeve burimore, duke i shmangur të gjitha ndërhyrjet
e mëvonshme që nuk burojnë nga dora e shkrimtarit. “Procesi” na e ngjall
atë që edhe sot, në mënyrë vendimtare, e karakterizon ekzistencën tonë private
dhe publike. Kështu do të jetë kurdo që të ballafaqohemi me absurdet dhe me
anën e panjerëzishme të botës sonë. Në të njëjtën kohë, thellë në veprën e
Kafkës, ekziston një qeshje me shumë kuptime e cila në mënyrë enigmatike ndikon
që çdo dimension i “Procesit” të jetë thelbësor, autobiografik dhe
imagjinues, metafizik dhe religjioz, psikologjik dhe profetik, përfshi edhe
dimensioni që ka të bëj me kritikën e rendit opresiv apo me kufijtë e frikës
sonë dhe të mendimeve tona. Romani i Kafkës është një vepër e madhe dhe
pakapërcyeshme e kohës sonë. Pa të, kurrë nuk do të mund të thoshim se e njohim
mjaftueshëm botën e njeriut të shekullit XX.
* * *
“Procesi” është një prej
romaneve më të rëndësishme të shekullit XX. Dikush duhet të ketë shpifur për
Jozef K., ngase, pa bërë kurrfarë të keqeje, një mëngjes arrestohet.
Jozef K., prokurist
perspektiv i një banke të madhe, u arrestua në ditëlindjen e tij të 30-të,
herët në mëngjes, sapo i kishte çelur sytë. Akuza nuk dihet. Nuk duhet as se në
cilën gjykatë zhvillohet procesi dhe çfarë rrjedhe do të ketë ai. Jozef K.-së
ia bëjnë me dije se gjykata nuk dëshiron t’ia çrregullojë mënyrën e rëndomtë të
jetës dhe se ai, në përputhje me këtë, lirisht mund t’u kthehet veprimtarive të
përditshme. Mirëpo, Jozef K., në ditët dhe në muajt e ardhshëm, gjithnjë më
tepër ngatërrohet në rrjetën e padukshme të procesit të vet dhe të gjykatës së
skëterrshme që e ka ngritur atë. Hap pas hapi, Jozef K. mëson se çdo gjë është
në duart e gjykatës. Në prag të ditëlindjes së tij të 31-të, një vit pas
arrestimit, Jozef K. i pret xhelatët me gatishmëri.
Sot e kësaj dite,
Kafka është një fenomen unik i letërsisë botërore, ndërsa dekadat që kanë
kaluar që nga paraqitja e veprave të tij, fare nuk e kanë pakësuar karakterin
modern të tyre dhe aktualitetin e tyre. Te “Procesi” ballafaqohemi me
një botë të pabesueshme, shqetësuese, përplot me individë të depersonalizuar
dhe me ngjarje absurde, por që autori i paraqet si fare normale dhe të zakonshme.
Proza groteske e Kafkës në kufirin e halucinacionit dhe të reales, sot e kësaj
dite na tërheq në botën e vet shqetësuese, sikur reflektimi në një pasqyrë të
shtrembëruar, për të cilin nuk dimë në është travesti,
shtrembërim, maskim apo diagnozë profetike lucide. Apo, edhe njëra edhe tjetra.
* * *
“Procesi” është një prej
veprave më të njohur gjermane të të gjitha kohëve. Kafka e shkroi në vitin 1914
dhe 1915. Romani u botua postum, në vitin 1925, i papërfunduar.
Sidoqoftë, romani e ka kapitullin përfundimtar që veprimin e çon deri në fund.
Romanin e përgatiti për shtyp miku i Kafkës, Maks Brodi, i cili edhe e
sistemoi dhe e renditi romanin sipas kapitujve. Në botimin e sotëm, vepra
përmban dhjetë kapituj. Me titullin e vet, vepra sugjeron veprimin në qendër të
të cilit vihet procesi gjyqësor. Por, vepra në të vërtetë është revoltë e
Kafkës kundër sistemit dhe burokracisë siç e njeh ai. “Procesi”
është njëherazi proces i luftës së njeriut kundër atyre që janë më të mëdhenj
se ai, i njeriut të mbetur pa ndihmën e kujt. Gjykata e cila si një instancë e
padukshme, megjithëkëtë ekzistuese, shtrihet gjatë tërë veprës Ajo e
përndjek dhe e dënon individin i cili nuk e di se përse
akuzohet. Kësisoj, jeta e njeriut shndërrohet në formular dhe
përfshihet në format e jetës robotike, ku ligjet dhe sistemi janë mbi jetën.
“Procesi” interpretohet edhe
si domosdoshmëri dhe pashmangshmëri e fatit, gjë që e vërejmë në sjelljen e
Jozef K.-së në fund të romanit, ku ai, pa rezistencë, i dorëzohet dënimit me
vdekje. I tërë koncepti i tjetërsimit që e hasim edhe te “Metamorfoza”,
është reflektim i përpjekjes së Kafkës për ta gjetur veten. Kafka, si një hebre
çek që flet gjermanisht, gjithmonë dhe në çfarëdo mjedisi, e ka ndjerë veten të
huaj. Tjetërsimi vërehet më së miri në papërcaktueshmërinë e kohës, të
vendit të veprimit, të numrit të personazheve që shfaqen vetëm një herë
apo që zhduken sakaq, mu në mes të veprimit. Tjetërsimi vërehet edhe në
ripërkufizimin e fajit që i ngjishet personazhit kryesor. Në situatën konkrete,
personazhi kryesor nuk mund të bëjë dot gjë, pos ta pranojë atë, që në fund
edhe e bën.
Pjesa më e madhe e
personazheve janë nëpunës, qoftë bankarë, qoftë gjyqësorë apo të policisë. E
bezdisshme është edhe atmosfera e interierëve dhe e eksterierëve që i paraqet
Kafka në roman. Hapësirat e gjykatave ndodhen në tavane, në pjesët e
përhumbura, të varfra të qytetit. Pranë hapësirave gjyqësore kryhen punë të
përditshme, siç është larja e rrobave. Ndjenjat e ankthit dhe paradoksalizmi i
veprimit krijojnë dimensionin kafkian të romanit dhe reflektojnë dimensionin
psikologjik të romanit. Më e keqja është se si personazhi kryesor i “Procesit”
mund të jetë cilido njeri i botës. Jozef K. është i zakonshëm dhe kjo vërehet
edhe në emrin e tij. ai nuk ka një identitet të plotë, por vetëm emrin dhe
inicialin. Në vend të tij mund të jetë kushdo qoftë. Këtu qëndron edhe kanosja
më e madhe e këtij romani. Për këtë arsye, “Procesi” i Kafkës është bërë
sinonim i situatave absurde në të cilat vihet njeriu, pa fajin e vet dhe prej
të cilave nuk mund të nxirret me logjikë. Atij s’i mbetet tjetër, pos ta
pranojë gjendjen në të cilën ndodhet. Është një vepër e madhe dhe e rëndësishme
e modernes e cila, si askush deri më sot, e tregon absurditetin e
shoqërisë moderne dhe njeriun të mbërthyer në të.
* * *
Elementet letrare të “Procesit” - Vepra i takon gjinisë letrare të
epikës dhe llojit letrar – romanit. Vendi i zhvillimit të
veprimit – Veprimi zhvillohet në një qytet evropian të papërcaktuar.
Veprimet zhvillohen: në banesat e zonjës Grubah (dhoma e Jozef K.-së); në
gjykatë; në banesën e avokatit; në bankë, në banesën e piktorit Titoreli, në
gurore. Koha e zhvillimit të veprimi – Veprimi zhvillohet në
shekullin XX. Tema e romanit – Procesi gjyqësor i njeriut, të
fajësuar pa të drejtë. Ideja e romanit – Pasqyrimi
i absurdit të shoqërisë dhe i individit i cili nuk ka mundësi të dalë i
pafajshëm.
* * *
Përmbajtja e veprës – Jozef K. është një nëpunës bankar i cili në ditëlindjen
e tij të 30-të zgjohet nga një trokitje në derë. Në dhomë i hyn një i panjohur,
ndërsa tjetri e pret në dhomën tjetër. Ata prezantohen si nëpunës të gjykatës
të cilët kanë ardhur ta arrestojnë. Arsyen nuk duan t’ia thonë. Jozef K. mendon
se kjo, nuk është veçse një shaka e pakripë e kolegëve të byrosë. Pajtohet me
marrjen në pyetje të inspektorëve. Pas kësaj, ata i thonë se është i lirë për
të shkuar në punë, derisa të mos fillojë gjykimi. Jozef K. e pa të arsyeshme që
rastin t’ia rrëfejë pronares së banesës, zonjës Grubah (Grubach) si dhe zonjushës
Byrstner (Bürstner), dhomën e së cilës, personat që e morën në pyetje, e kishin
zaptuar atë mëngjes. Për ta trimëruar, Jozef K. e mbuloi zonjushën Byrstner
(Bürstner) me të puthura. Një thirrje telefonike e njoftoi Jozef K.-në se
hetimi i rastit të tij është caktuar për të dielën. Gjatë bisedës telefonike ia
kishin treguar vetëm adresën se ku do të kryhej hetimi, ndërsa orën e hetimit -
jo. Jozef K. supozoi se do të merrej në dëgjim në orën nëntë në mëngjes. Në
këtë që po përjetonte, nuk deshi ta ngatërronte as shoferin taksist, ndaj u nis
vetë. Kur mbërriti para ndërtesës, nuk u ndje mirë kur pa para vetes një godinë
tejet të madhe shumëkatëshe me shkallë të veçanta. Nuk dinte ku të drejtohej. U
ngjit në do shkallë dhe në të ecur, zhbironte çdo hapësirë, me shpresë se do ta
gjente atë që kërkonte. Krejt që kishte parë, ishin do familje të varfra. U
thoshte se e kërkon zdrukthëtarin Lanz. Në katin e pestë kalon pranë një gruaje
e cila lante do tesha fëmijësh. Ajo e udhëzon se ku duhet të shkojë. Hap pas hapi,
i afrohet një hapësire që duket si sallë gjykate. Njeriu të cilin e mori për
gjyqtar i tha se ka ardhur me një orë vonesë. Publiku në gjykatë, e përshëndet
herë me duartrokitje, herë me heshtje. Sakaq, gjyqtari kryesor filloi me
pyetjet. Midis tjerash, e pyeti Jozef K.-në në ishte bojaxhi. Jozef K.
menjëherë nisi të arsyetohet, duke e hedhur notesin e gjyqtarit dhe duke e
përshkruar arrestimin e vet. I ra në sy se të gjithë në sallë kanë do broshë.
Tha me vete se të gjithë këta, nuk janë veçse nëpunës të ndyrë. Deshi të dalë
dhe të largohet, ndërsa gjyqtari ia bëri me dije se me këtë veprim i vë në
dyshim të gjitha favoret që do të mund t’i kishte si një i pafajshëm. Doli me
të shpejt duke lënë pas vetes një hordhi njerëzish të cilët filluan ta analizojnë
rastin e tij.
Jozef K. vendosi që
vetë të paraqitet në gjykatë. E priti po ajo grua që e kishte parë duke larë
tesha. Në bisedë e sipër, mësoi se ajo ishte grua e shërbyesit të gjyqtarit dhe
se aty, si kompensim për punën që bëjnë, banojnë pa paguar qira. Bisedën e tyre
e ndërpreu studenti i drejtësisë që nisi ta përqafojë gruan e re. Jozef K. u
largua duke i shikuar nga larg. Vjen burri i saj dhe ia qanë hallin Jozef K.-së
për lidhjen e së shoqes me studentin. Por, për të mos e humbur punën, këtë s’ia
thotë askujt tjetër. Shërbyesi i gjykatës e përcjell Jozef K.-në nëpër gjykatë.
ngjiten nëpër do shkallë të larta, hyjnë në sallën e pritjes ku presin të
akuzuarit. Nga të ecurit, Jozef K. u ndje i lodhur. Iu lut shërbyesit që të
dilnin jashtë, por ky e refuzoi. Jozef K.-së nisi t’i dhemb koka, ndaj filloi
të bërtasë. Britmën e tij e dëgjoi një grua e zyrës që ndodhej aty pranë. Ajo
mundohet ta bindë se kështu ndjehen të gjithë që vijnë për herë të parë në
gjykatë. Kërkon nga kolegu i zyrës që Jozef K.-në ta dërgojë në ambulancë. Por,
Jozef K. i lut që ta çojnë jashtë. Më në fund, i shoqëruar nga dy policë që e
mbajnë për krahu, e nxjerrin jashtë. Jozef K. mendon me vete sesi gjykata,
sikur ajri i ndotur, ndodhet kudo përreth, e ky s’e sheh.
Ditë për ditë, Jozef
K. tenton të bisedojë me zonjushën Byrstner (Bürstner), por ajo i shmanget. I
dërgon edhe letër, por nuk merr përgjigje. Të dielën vëren se në dhomën e saj
është vendosur një banuese tjetër, zonjusha Montag. Më në fund, Jozef K. i
drejtohet edhe pronares së banesës, zonjës Grubah, me të cilën s’kishte folur
me javë të tëra.
Rasti kur takon dy
nëpunës pranë të cilëve ndodhet rrahësi me shkop, e huton edhe më shumë. Në të
vërtetë, rrahësi me shkop kishte marrë detyrë t’i rrahë të dy nëpunësit për
arsye se Jozef K. i ishte ankuar ndaj tyre - gjykatësit. Jozef K. përpiqet ta
bindë rrahësin që t’i lirojë, por ai nuk o t’ia dijë. Jozef K.-së s’i mbetej
tjetër, pos të largohej.
Jozef K.-në e
viziton xhaxhai i vet Karli. Ai është i brengosur për rastin e Jozef K.-së
ngase prej kësaj çështjeje do të kishte pasoja krejt familja. Ai i propozon të
shkojnë te një avokat që e ka shok, i cili do ta përfaqësonte. Me të mbërritur
tek avokati, mbetën të habitur kur kuptuan se ai ishte i njoftuar me rastin.
Madje, tek ai kishte qenë edhe paditësi kryesor. Avokati Huld, i sëmurë,
ndodhet në shtrat. Për të kujdeset Leni. Ajo e tërheq Jozef K.-në dhe që të dy
lëshohen në një aferë dashurie. Duke qenë se mungoi me orë të tëra, xha Karli e
qorton Jozef K.-në që e kishte lënë paditësin të presë. Po nëse vajza është
dashnore e avokatit?!
Jozef K.-në gjithnjë
më tepër e preokupojnë mendimet lidhur me rastin e tij. Në punë nuk mund ta
ushtrojë detyrën si duhet, mendimet ndërkaq ka s’i shkojnë. Të gjithë janë të
njoftuar për rastin e tij, saqë edhe një fabrikant i cili e këshillon ta
vizitojë piktorin Titoreli. Ai pikturon
portrete nëpunësish të gjykatës dhe si i tillë ndoshta do të mund t’i ndihmonte. Jozef K. e viziton. Ky
jetonte në pjesën edhe më të varfër të qytetit, më të varfër edhe se zona ku
ndodhej gjykata në të cilën shkoi për herë të parë. Piktori i ofron ndihmë
nëpërmjet lidhjeve që i ka në gjykatë. Ai i jep sqarime për epilogët e mundshëm
të rastit të tij. Derisa piktori i fliste për opsionet e aktgjykimit, Jozef
K.-së përsëri nisin t’i merren mendtë, ndërsa bulçimi ia zë frymën. U largua
nga banesa e piktorit, pa thënë se cila prej aktgjykimeve do të kishte qenë më
e favorshme. Piktori e përcjell jashtë nëpër korridor që i ngjante dhomës së
pritjes, me byrotë e avokatëve, në të cilat herën e parë kishte zënë neveria.
Atëherë, me gojën të mbyllur me shami dhe i shoqëruar nga shërbyesi i gjykatës,
Jozef K. kishte dalë nga ndërtesa.
Jozef k. vendos që
rastin ta marrë në duart e veta. Shkon te avokati që t’i thotë se e ndërpret
bashkëpunimin. Avokati e akuzon duke thënë se nuk është i durueshëm.
Megjithëkëtë, Jozef K. e ndërpret bashkëpunimin. Për Jozef K.-në, punët
ndërlikohen. Një ditë, i japin një detyrë në punë që një italiani t’ia tregojë
katedralen. Edhe pse klienti nuk paraqitet, Jozef K. hyn vetë. Aty takon
priftin i cili ia rrëfen parabolën për njeriun nga fshati dhe për rojtarin.
Prifti e këshillon që në procesin e tij, të mos mbështet gjithaq te ndihma e
huaj dhe t’u shmanget femrave.
Vepra fillon me ditëlindjen
e 30-të të Jozef K.-së për të përfunduar me ditëlindjen e 31-të. Vijnë pas tij
dy meshkuj të veshur me të zeza. Jozef K. i pret fare i përgatitur. Thua ti se
i priste, i veshur me rrobat e tij të zeza. Nuk bën rezistencë. Lejon ta marrin
dhe ta shpijnë deri në gurore. Kokën ia vënë mbi gur. Njëri prej tyre e nxjerr
thikën nga kapota. Kanë luajtur me thikën sikur të prisnin se vetë ai do t’ua
marrë, për ta therur veten. Më në fund, njëri prej tyre ia nguli thikën mu në
zemër Jozef K.-së dhe mbyti.
Fjalët e fundit të
tij ishin: “Sikur qenin!” Mendoi për turpin e tërë procesit që do ta
përjetësojë.
* * *
Personazhet e romanit - Jozef K., zonjusha Byrstner (Bürstner), zonja Grubah,
zonjusha Montag, nëpunësit gjyqësorë, inspektori, avokati Huld, xhaxha Karl,
vasha Leni, piktori Titoreli, studenti i drejtësisë, shërbyesi gjyqësor etj.
* * *
Kafka është
shkrimtar hebre që ka lënë gjurmë në letërsi me mënyrën karakteristike të të
shkruarit dhe me temat interesante, paksa të zymta. Për Kafkën është shkruar
shumë, kështu që për gjendjen psikike të tij ka një numër të madh teorish.
Asgjë nga kjo nuk është dëshmuar. Të gjitha kanë qenë supozime, deri në çastin
kur ka tentuar të bëjë vetëvrasje. Kjo ka qenë dëshmi e një paqëndrueshmërie
psikike. Kafka lindi në Pragë më 3 korrik 1883. U rrit nën hijen e të atit dhe
kjo ka lënë gjurmë të thella në shpirtin e tij. Vjen nga një familje e kamur në
të cilën mbizotëron babai Herman Kafka, të cilin Profesor Stenli Korngold
(Stanly Corngold, 1934-1968) e përshkruan si një person dominues që e njihte
mirë natyrën njerëzore. Prej viti 1889 deri në vitin 1893 Kafka u shkollua në
Shkollën gjermane për fëmijë. Pas mbarimit të shkollës fillore, kreu gjimnazin.
Më pas studioi kiminë. Pas kimisë, kalon në letërsinë dhe historinë gjermane.
Pas kësaj regjistrohet në drejtësi. Gjatë jetës fitonte duke punuar si jurist,
ndonëse gjithmonë dëshironte të bëhej shkrimtar. Përkundër faktit se ishte në
marrëdhënie pune, në saje të babait, materialisht Kafka ishte i siguruar. E
kanë përshkruar si një person të cilin gjithmonë e ka munduar epshi. Dihet se
gjatë jetës shpesh i ka vizituar bordelet. Lidhje paksa të gjatë ka pasur me Felice
Bauer (1887-1960) me të cilën kohë pas kohe shihej, por më tepër ka
komunikuar me letra. me të, ka qenë e fejuar dy herë. Fejesën e dytë e ka
ndërprerë kur e ka goditur sëmundja e rëndë e tuberkulozes. Në vitin 1920 është
fejuar me Julie Wohryzek (1891-1944), një punëtore dhomash hoteli.
Derisa ishte i fejuar me Felice Bauer, ishte në lidhje intime me shoqen e sa, Margaretën
(Margarethe) e cila jetonte në Berlin dhe e cila, sikur edhe vetë Kafka, ishte
çifute. Është thënë se Kafka ka pasur fëmijë me Margaritën, për të cilin ai nuk
ka ditur gjë dhe i cili paskësh vdekur shpejt pas lindjes. Por, ka që thonë se
kjo nuk është e vërtetë. Kafka nuk ka pasur fëmijë me të, as edhe me ndonjë
tjetër. Edhe pse kurrë nuk u martua, Kafka e ka çmuar institucionin e martesës
dhe të familjes. Një prej dashnoreve të Kafkës ka qenë edhe Dora Diamant (1898-1952).
Në vitet 1920-1923 Kafka ka qenë në lidhje me çeken Milena Jesenska (1896-1944).
Në vitin 1952
botohet “Letra Milenës” (Briefe an Milena), dokument
tronditës për përjetimet shpirtërore në periudhën e miqësisë me Milena
Jesenskën.
Motrat e Kafkës u
vranë nga nazistët gjermanë në kampet e përqendrimit. Po kështu, edhe dy
dashnoret e tij – Milena Jesenska dhe Jukie Wohryzek.
* * *
Krijimtaria e Kafkës
ka kaluar në shenjë të tregimeve, të aforizmave, të romaneve dhe të letrave. Të
gjitha këto i ka lidhur uniteti shpirtëror. përkundër faktit se ka vepruar nën
mbresat e romantizmit, të traditës evropiane siç e kanë kultivuar
Johan Volfgang fon Gëte (Johann Wolfgang von Goethe, 1749-1832), Fjodor
Mihajloviç Dostojevski (1821-1881) dhe Gystav Floberi
(Gustave Flaubert, 1821-1880) dhe të mësimit heterodoks hebraik, Kafka
sot e kësaj dite ka mbetur si një prej autorëve të rrallë i cili nuk mund të
radhitet në asnjë drejtim letrar.
Veprat e tij
përshkruajnë realitetin e egër dhe të turbullt në të cilin personazhet,
kryesisht të shtypur, ndodhen në luftë të pandërprerë me sistemin burokratik të
egër. Kjo vërehet më së shumti në veprat si: “Amerika”, “Procesi”,
“Kështjella” dhe “Metamorfoza”, si vepër më e njohur e Kakës. Në
veprat e Kafkës ndihet një atmosferë në të cilën personazhet janë disi të humbur dhe nuk janë në gjendje
të komunikojnë me të tjerë. .
Kafka u largua prej
pikëpamjeve religjioze dhe iu kthye filozofisë, për t’u bërë një prej
shkrimtarëve shpirtërorë më të njohur të shekullit XX.
Sa qe gjallë iu
botuan dy përmbledhje tregimesh. Shkrime të caktuara iu botuan edhe nëpër
revista. Në të gjallë iu botuan tregimet “Vëzhgimi”, “Mjeku i
fshatit”, “Ndezësi”, “Metamorfoza” dhe “Gjykimi”.
Kafka i kishte lënë
porosi poetit, tregimtarit, dramaturgut dhe eseistit çek me prejardhje hebraike
Maks Brod (Max Brod, Pragë, 1884 – Tel Aviv, 1968) që t’i digjte “Procesin”,
“Kështjellën” dhe “Amerikën” që ishin dorëshkrime. Brodi nuk e
çoi në vend porosinë e mikut të vet, të shndërruar në mit dhe në kryeidhull të
modernizmit. “Procesi” u botua më 1925, “Kështjella” – më 1926,
ndërsa “Amerika” – më 1927. Këto tre romane të Kafkës u quajtën trilogji
e vetmisë.
Tuberkulozi nga i
cili lëngonte që nga viti 1917, në vitin 1924 iu përkeqësua. U kthye në Pragë.
Këtu u kujdes për të e motra Otla (Ottla). Kafka vdiq nga tuberkulozi më 3
qershor 1924 në Vjenë.
Në vitin 1931 u
botuan tregimet “Gjatë ndërtimit të murit kinez”.
Kafka është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të letërsisë botërore bashkëkohore dhe të romanit bashkëkohor. Për këtë dëshmon literatura e gjerë. Të gjithë romancierët që kanë ardhur pas tij, u referohen veprave të tij si fillim i prozës tregimtare moderne.