Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Dita Ndërkombëtare e Grave
E marte, 09.03.2021, 09:40 PM
DITA NDËRKOMBËTARE E GRAVE
„8 Marsi“
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Në Gjermani, në një pllakat për Ditën ndërkombëtare të
grave, të datës 8 mars 1914 shkruan:
„Këndej, me të drejtën e femrës për të votuar. Dita
e grave, 8 marsi 1914. Grave, të cilat si punëtore, nëna dhe qytetare e
plotësojnë detyrën e vet, të cilat tatimet e veta duhet t'ia paguajnë, si
shtetit ashtu edhe komunës, për shkak të paragjykimeve dhe qëndrimeve
reaksionare, u mohohen shumë të drejta qytetare. Lufta për këtë të drejtë të
natyrshme të njeriut duhet të bëhet me vullnetin e fortë, të palëkundshëm të
çdo femre, të çdo punëtoreje. Kjo luftë nuk duhet të ndërpritet apo të ndalet
në asnjë çast. Prandaj ejani të gjitha, ju gratë dhe vajzat, të dielën më 8
mars 1913, në orën 3 pasdite, në tubimin e 9-të publik të grave“.
Dita ndërkombëtare e grave, në forma të ndryshme shënohet
në shumë vende të botës. Me fjalë të tjera, është në datë me shtrirje
ndërkombëtare.
Qarqe të caktuara konsiderojnë se kjo ditë ka rëndësi për
Ditën e vetëdijes qytetare, për Ditën e grave dhe të vajzave, për Ditën e
antiseksizmit dhe për Ditën e diskriminimit pozitiv. Kjo ditë festohet një herë
në vit, më 8 mars.
Me Ditën ndërkombëtare të grave (Ditën e grave)
ndërlidhen edhe festat: Dita universale e fëmijëve, Dita ndërkombëtare e
meshkujve dhe Dita ndërkombëtare e punëtorëve.
* * *
Dita ndërkombëtare e Grave (shkurtimisht Dita e grave) shënohet më 8 mars të çdo viti. Atë ditë
festohen arritjet ekonomike, politike dhe shoqërore të pjesëtarëve të gjinisë
femërore.
Lindi si nismë e organizatave socialiste në periudhën
para Luftës së Parë Botërore në luftën për barazi, për të drejtë vote si dhe
për emancipimin e femrave.
Për herë të parë Dita e grave është shënuar më 28 shkurt
1909 në ShBA, me deklaratën që e nxori Partia Socialiste e Amerikës.
Ndër ngjarjet historike të rëndësishme, me të shënohet
edhe zjarri në fabrikën Triangle Shirtwaist në Nju-Jork (New York) në vitin
1911, me ç'rast humbën jetën mbi 140 gra.
Pasqyra historike - Figura të
njohura që ndërlidhen me Ditën ndërkombëtare të grave janë Klara Cetkin
(Clara Zetkin) dhe komunistja gjermane Roza Luksemburg (Rosa Luxemburg,
1871-1919).
Shënim: Lindi në vitin
1871 si Rozalia Luksemburg në Zamoshq afër Lublinit, në Poloni, në një familje hebraike.
U vra në Berlin më 1919. Ishte shtetase gjermane. Është teoriciene e marksizmit
dhe e socializmit demokrat, teoriciene e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë,
ndërsa më vonë e Partisë Socialdemokrate të Pavarur të Gjermanisë. Roza
Luksemburg, Karl Libkneht (Karl Liebknecht) dhe Franc Mering (Franz
Mehring) themeluan në Gjermani organizatën komuniste ilegale - Lidhja Spartakus
(Lidhjes Spartakiste). Nga ky grup marksist revolucionar-demokratik nga i cili
lindi Partia Komuniste Gjermane. Roza Lukssemburgu mori pjesë në revolucionin e
pasuksesshëm në Berlin, në janar të vitit 1919. Kryengritja filloi përkundër
mospajtimit të Roza Luksemburgut. Protesta u shua nga mbetjet e ushtrisë
monarkiste dhe nga formacionet paraushtarake djathtiste, frajkorëve. Roza Luksemburgu,
Karl Libknehti dhe qindra të tjerë u zunë, u torturuan dhe u vranë. Teoria
revolucionare e veçantë e marksizmit dhe e socializmit demokratik – luksemburgizëm,
buron nga emri i saj.
Karl Libkneht (Karl Paul
August Friedrich Liebknecht, 1871-1919) studioi drejtësisnë. Ishte eksponent i
ideve marksiste, bashkëmendimtar dhe bashkëpunëtor i Roza Luksemburgut
dhe i Franc Meringut. Është i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, një
ndër themeluesit e Partisë Komuniste Gjermane. U ekzekutua pas revolucionit të
pasuksesshëm në Berlin.
Franc Mering (Franz Erdmann
Mehring; Slawno, Poloni, 1846 – Berlin, 28.01.1919) lindi në Poloni. Është
revolucionr gjerman, marksist, gazetar radikal, historian dhe politikan, i
Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë.
* * *
Ideja për shënimin e Ditës ndërkombëtare të grave lindi
për herë të parë në fillim të shekullit XX, në periudhën e industrializimit të
shpejtë dhe të ekspansionit ekonomik kur për shkak të kushteve të rënda pune,
shpesh organizoheshin protesta. Më 8 mars të vitit 1857, femrat e punësuara në
industrinë e veshjeve dhe të tekstilit demonstruan
publikisht në Nju-Jork (New York). Punëtoret e e tekstilit protestonin për
shkak të kushteve të rënda të punës dhe pagave të ulëta. Demonstratat i
shpërndau policia. Dy muaj më vonë, po këto femra themeluan edhe sindikatën.
Më 8 mars, protesta organizoheshin edhe në vitet vijuese. Më e njuhur prej tyre
është protesta e vitit 1908, kur 15.000 femra marshuan në Nju-Jork duke kërkuar
orar pune më të shkurtër, paga më të mira dhe të drejtë vote.
Në vitin 1910 u mbajt në Kopenhagë konferenca e parë
ndërkombëtare e grave. Kjo konferencë u organizua nga Internacionalja
Socialiste. Me propozimin e socialistes së famshme gjermane Klara
Cetkin* (Clara Zetkin) u caktua „Dita ndërkombëtare e grave“.
Shënim - Klara Cetkin, mbiemri i
vajzërisë Ajzner (Clara Zetkin, Eißner, Viderau, Gjermani, 1957 –
Arhangelskoje, Bashkimi Sovjetik, 1933) ishte politikane majtiste gjermane me
ndikim dhe luftëtare e të drejtave të grave. Bashkëmendimtare e Roza
Luksemburgut. E mori mbiemrin e partnerit të saj, revolucionarit rus
Osip Cetkin (Odesë, Ossip Zetkin, 1850 – Paris, 1889). Ishte aktive në
Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë (SPD). Më vonë hyri në Partinë
Socialdemokreate të Pavarur të Gjermanisë (USPD) dhe i përkiste krahut ekstrem
të majtë të saj - Lidhjes Spartakiste nga e cila më vonë lindi Partia Komuniste
Gjermane (KPD). Gjatë republikës së Vajmarit, në vitet 1920-1933 ishte deputete
popullore në Rajhstag. U shkollua për arsimtare. Prej vitit 1874 u lidh me
lëvizjen e grave dhe të punëtorëve në Gjermani. Më 8 mars 1911 organizoi të
parin kremtim të Ditës ndërkombëtare të grave. Në vitin 1920 intervistoi V.
I. Leninin për “çështjen e femrës”. Vdiq në Arhangelskoje të Bashkimit
Sovjetik. U varros në muret e Kremlit në Moskë.
* * *
Një vit më vonë, d.m.th. më 1911, Ditën ndërkombëtare të
grave e festuan mbi një milion njerëz në Austri, në Danimarkë, në Gjermani dhe
në Zvicër.
Këto njgarje përkonin me zjarrin në fabrikën Triangle
Shirtwaist në Nju-Jork, me ç'rast, për mungesë masash përkatëse të sigurisë
pati numër të madh viktimash.
Në fillim të Luftës së Parë Botërore, më 8 mars 1913,
femrat e mbarë Evropën organizuan demondtrata paqeje.
Demonstarat me rastin e Ditës ndërkombëtare të grave në
Rusi ishin hap i parë i revolucionit rus. Pas revolucionit të tetorit,
revolucionarja dhe feministja bolshevike ruse, teoricienia e markizmit Aleksandra
Kolontaj i kërkoi Vladimir Iliç Lenininit (1870-1924) që 8 marsi të
shpallet festë shtetërore. Gjatë periudhës sovjetike kjo datë përdorej për të
shënuar „heroizmin e punëtoreve“.
Por, në shumë shtete komuniste kjo festë e humbi bazën e
vet ideologjike dhe u shndërua në rast për meshkujt për të shprehur dashurinë
dhe respektin ndaj pjesëtareve të gjinisë së kundërt, duke shërbyer në shtetet
perëndimore si amalgamë tipike e Ditë së nënës dhe e Ditës së Shën
Valentinit.
Dita e grave në Çekosllovaki, gjatë regjimit komunist u
shndërrua në parodi, kështu që pas revolucionit të plishtë, u hoq. Në
Hungari ndërkaq, tradita për t'u dhuruar
lule femrave, u ruajt edhe pas rënies së komunizmit.
Dita e grave sot - Në shumë
shtete, femrave sot, krahas urimit zakonisht u dhurohet edhe lule. Simbol i
Ditës së grave në Itali është mimoza.
Dita ndërkombëtare e grave në botën perëndimore kryesisht
pushoi të shënohet në vitet '30 të shekullit XX, pjesërisht edhe për faktin se
e ndërlidhnin me komunizmin. Në këto vende, çdo të dytën javë të muajit
maj, shënohet Dita e nënës për nder të nënës dhe të të qenit nënë.
Dita e grave ka mbetur festë shtetërore në Rusi, në
Bjellorusi, në Ukrainë, në Kazakistan, në Kirgistan, në Moldavi, në Mongoli dhe
në Taxhkikistan. Shënohet me lule dhe me dhurata.
Por. në vitet '60 të shekullit XX feministet përsëri
filluan ta festojnë. Në vitin 1975 që u shpall si Vit ndërkombëtar i gruas,
Kombet e Bashkuara, Ditën ndërkombëtare të grave filluan ta festojnë
zyrtarisht.
Ditën ndërkombëtare të grave sot e festojnë shumë
organizata në mbarë botën. Disa organizata kërkojnë që në vendet në të cilat
kjo ditë nuk është festë shtetërore, të bëhet e tillë.