Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Udhëzime të caktuara për të shkruar një hartim apo një ese shkollore
E marte, 23.02.2021, 09:14 PM
UDHËZIME TË CAKTUARA PËR TË SHKRUAR NJË HARTIM APO NJË ESE SHKOLLORE
Nga Prof. Xhelal Zejneli
I. Krijimi artistik – arsyeja, nënvetëdija dhe imagjinata
Në krijimin e një
punimi artistik luajnë rol:
- Arsyeja
apo racionalja dhe nënvetëdija apo irracionalja;
- Shpirti dhe
ndërgjegjja;
- Imagjinata.
Hartimi apo eseja
Hartimi është punë
krijuese që bëjnë nxënësit si detyrë me shkrim për të shprehur bukur dhe drejt
mendimet e tyre për një temë të caktuar. Hartimi mund të jetë letrar, krijues,
përshkrues, ritregues. Kemi hartim klase, hartim shtëpie. Në hartim mund të shtjellohet
një temë e lirë.
Eseja është artikull i
gjatë a studim me karakter kritik ose publicistik, i cili trajton në mënyrë të
përgjithshme, të lirë dhe jo të gjithanshme a shteruese, çështje shoqërore,
shkencore, letrare, kulturore etj. Ese mund të jetë edhe një vepër e përbërë
prej disa artikujsh, zakonisht të shkurtër e të ndryshëm, që trajtojnë një temë
e që kanë një titull të përbashkët; sprovë. Kemi ese kritike, ese filozofike,
shkencore, historike etj.
Vitet e fundit, në
vend të fjalës hartim me shkrim shpesh përdoret fjala ese që
ka kuptimin përpjekje letrare.
Për shembull, po
qe se e paraqesim narkomanin, gjendjen shpirtërore të tij,
sjelljet dhe veprimet e tij, agresivitetin e tij, momentet e tij të krizës,
dëshpërimet, hidhërimet, zemërimet, apatinë e tij, me atë rast ne krijojmë një
krijim artistik, një hartim.
Ndërkaq, po qe se
i paraqesim mendimet, pikëpamjet dhe qëndrimet tona rreth dukurisë së
narkomanisë, për përhapjen e saj, për shtresat e shoqërisë që
përfshihen prej saj etj., duke përdorur të dhëna statistikore apo edhe të dhëna
të tjera nga më të ndryshmet rreth kësaj dukurie, me atë rast ne krijojmë një ese.
Me këtë rast ne flasim edhe për pasojat e saj.
Gjatësia e një
hartimi apo e një eseje shkollore mund të jetë 1,5 f. deri në 2 faqe (prej 450
fjalë deri në 550 fjalë).
Gjuha dhe rëndësia e saj për krijimin e një eseje shkollore:
- Shkrimi duhet të
jetë korrekt, përkatësisht i lexueshëm;
- Duhet t’i
kushtohet rëndësi drejtshkrimit;
- Në asnjë rast,
në fillim të fjalisë, të mos përdoret viza;
- Të respektohet
parimi i kryerreshtit;
- Kur gjatë të
shkruarit, përfundon një mendim apo një ide dhe fillon një mendim apo një ide e
re, atëherë duhet filluar me kryerresht;
- Në të dyja anët
e faqes të lihen margjina nga 1 cm e gjysmë apo nga dy cm (po qe se shkruajmë
me dorë dhe jo me kompjuter);
- Duhet shkruar me
laps kimik, ngjyre të kaltër;
- Duhet përdorur
shkronjat e shkrimit dhe jo ato të shtypit;
- Të shkruhet -
përpos në fillim të fjalisë - me shkronja të vogla shkrimi;
- Kurrë nuk duhet
shkruar me shkronja të mëdha dhe me shkronja shtypi.
* * *
- Punimi duhet të
jetë i lidhur në pikëpamje gramatikore dhe të paraqesë një tërësi kuptimore;
- Fjalia duhet të
fillojë dhe të mbarojë;
- Mendimi duhet të
fillojë dhe të mbarojë;
- Fjalitë,
përkatësisht mendimet duhet të jetë të ndërlidhura me njëra-tjetrën;
- Kur fillon një
mendim i ri, atëherë duhet filluar me kryerresht;
- Nuk duhet të
përsëriten mendimet, fjalitë apo fjalët;
- Nuk duhet dalë
prej një teme në temë tjetër.
* * *
Stili
- Shumë shkrimtarë
të mëdhenj, si Ernest Heminguej, Gabriel Garsia Markezi, Ismail Kadareja
kanë krijuar kryevepra duke përdorur fjali të shkurtra;
- Në esenë
shkollore, brenda mundësive, do të ishte mirë të përdoret një gjuhë e figurshme,
gjuhë poetike; të përdoren figura stilistike (metafora, simboli, krahasimi,
epiteti, apostrofa ose thirrja, personifikimi etj.).
Kompozicioni i esesë apo i hartimit shkollor
Eseja shkollore
apo hartimi shkollor mund të ketë hyrje, brendi dhe përfundim.
Hyrja mund të zërë rreth 10 për qind të esesë apo të hartimit. Brendia mund të
zërë rreth 80 për qind të esesë apo të hartimit shkollor, ndërsa përfundimi
mund të zërë rreth 10 për qind të punimit shkollor, d.m.th. po aq sa edhe
hyrja.
Hartimi ose eseja
shkollore mund të ketë edhe ndonjë porosi apo ndo një mesazh.
II. Elemente të rëndësishme të një
hartimi apo të një eseje shkollore
- Vlerë më të
madhe do të kishte një ese shkollore në të cilën trajtohet apo shtjellohet një temë
e re;
- Vlerë më të
madhe do të kishte një punim i shkruar me një teknikë letrare të re apo
me një prosede të ri;
- Vlerë më të
madhe do të kishte punimi në të cilin nxënësi përdor stil të ri;
- Vlerë më të
madhe do kishte punimi në të cilin nxënësi trajton apo shtjellon një temë nga
një lëmë i paeksploruar apo i pahulumtuar deri atëherë;
- Në një ese
shkollore mund të trajtohet apo të shtjellohet temë nga aktualiteti, temë nga e
kaluara, temë historike, temë sociale, temë kombëtare, temë morale, temë
psikologjike, temë dashurie, temën e luftës, temë që flet për fatin e
individit, temë që flet për lirinë e individit, temë që flet për kufizimin e
lirisë individuale, temë lidhur me racizmin, temë lidhur me ksenofobinë, temë
për barazinë gjinore, temë lidhur me dukuritë negative në shoqëri, temë
politike, temë ideologjike etj. – të gjitha këto të punuara me mjete
shprehëse artistike;
- Vlerë të madhe
ka punimi shkollor në të cilin nxënësi trajton një temë nga e tashmja, d.m.th.
temë aktuale;
- Tema të jetë nga
mjedisi yt; të jetë nga e sotmja; të shtrohen problemet aktuale;
- Në rrethanat kur
një shoqëri apo një popull ballafaqohet me probleme sociale të theksuara, të
përshkuara edhe me probleme të tjera morale dhe psikologjike, shtjellimi i një
teme historike apo i një teme nga e kaluara, nuk do çonte peshë të madhe;
- Vlerë mund të
ketë punimi që paraqet ndryshim, kthesë, risi në letërsi dhe në art;
- Punimi artistik
mund të lihet i hapur apo i papërfunduar, në mënyrë
që mesazhin ta kuptojë vetë lexuesi dhe përfundimin ta bëjë vetë lexuesi në
imagjinatën e vet.
* * *
Roli i imagjinatës në përpilimin e një eseje shkollore
Në një ese
shkollore mund të shtjellohet një temë e cila kurrë nuk ka ndodhur në realitet,
por që është pjellë e imagjinatës së nxënësit. Shumë shkrimtarë të mëdhenj, në
veprat letrare të tyre kanë trajtuar edhe tema të cilat kurrë nuk kanë ndodhur
në jetën reale apo në botën reale, por që janë pjellë e imagjinatave të tyre.
Hapësira dhe koha
mund edhe të mos dihen, si p.sh. te drama “Duke pritur Godonë” e Samuel
Beketit;
Vizioni estetik
- Në punimin e
vet, në të gjitha rrethanat nxënësi duhet ta mbështetet të bukurën
artistike;
- E bukura në art
dallohet nga e bukura në jetën reale;
- Në punimin e
vet, pothuajse në të gjitha rrethanat nxënësi duhet ta mbështetet të vërtetën;
- Në një ese
nxënësi duhet t’u shmanget klisheve dhe stereotipave
dhe duhet të kërkojë shtigje të reja, metoda të reja, forma të reja, tema të
reja, motive të reja, teknika të reja, stil të ri, gjuhë të re, figura
stilistike të reja;
- Arti nuk
instrumentalizohet nga qendrat e forcës, të ndikimit, të pushtetit, të
vendosjes;
- Arti nuk
bashkëpunon dhe nuk bashkëjeton me forcat e territ, të tmerrit dhe të ferrit;
- Arti nuk
politizohet dhe nuk pranon ndikim partiak;
- Arti nuk njeh
relativizëm;
- Arti nuk njeh
kompromis;
- Arti nuk njeh
pushtet as autoritet;
- Vetë arti është
pushtet suprem dhe autoritet suprem;
- Arti nuk u
bindet pushtetarëve dhe nuk njeh frikë;
- Arti nuk u
bindet tiranëve, despotëve, autokratëve, autoritarëve as diktatorëve;
- Arti nuk njeh
Zeus;
- Arti nuk i
shërben as politikës, as religjionit, as partisë dhe as oligarkisë;
- Arti nuk është
as politikë, as ideologji, as filozofi, as religjion, as sociologji;
- Arti është sferë
absolutisht e pavarur dhe autonom, është sferë specifike që i ka mjetet
shprehëse specifike;
- Mjet ndërtues i
artit është gjuha artistike, fjala artistike, shprehja artistike;
- Karakteri
universal i veprës artistike bën të mundur që vepra t’i tejkalojë kufijtë e
hapësirës dhe të kohës;
* * *
Karakteri rebelues i punimit
- Në një ese
shkollore nuk duhet të mitizohen gjërat;
- Arti nuk duron
entuziazëm të shfrenuar;
- Në esenë
shkollore duhet të ekzistojë ndjenja e dyshimit për gjërat;
- Në esenë
shkollore duhet të kundërshtohet fryma, shpirti, psikologjia apo mendësia
provinciale, oportuniste, konformiste dhe demagogjike;
- Arti nuk njeh
kompromis me të keqen dhe me mbartësit e saj;
- Punimi shkollor
duhet të kundërshtojë bashkëjetesën me të keqen;
- Punimi shkollor
duhet të kundërshtojë shpirtin meskin, poltronizmin dhe ambiciet e sëmura;
- Asnjë ëndërr në
këtë botë nuk është e pamundur; e pamundur është vetëm gjuajtja e hënës;
- Të mos jetohet
në mite dhe në legjenda;
- Të vlerësohen
legjendat popullore;
- Të ballafaqohesh
me realitetin e hidhur.
III. Një hartim shkollor apo një ese
mund të jetë:
- Kundërshtim i pavërtetësisë, i realitetit të hidhur, të egër dhe të rrejshëm;
- Protestë ndaj pavërtetësisë, realitetit të hidhur, të egër dhe të rrejshëm;
- Kritikë ndaj pavërtetësisë, realitetit të hidhur, të egër dhe të rrejshëm;
- Pasqyrim objektiv i realitetit të hidhur dhe demaskimi e stigmatizimi i
determinantëve të atij realiteti;
- Përshkrim i një dukurie, ndodhie apo ngjarjeje;
- Observim (vështrim) i një dukurie, ndodhie apo ngjarjeje;
- Mohim i
perëndive të rrejshme;
- Akuzë ndaj mbartësve të
së keqes në një kohë dhe në një mjedis të caktuar.
* * *
Eseja shkollore mund të pasqyrojë:
- Luftën e
individit për të mbrojtur ekzistencën e rrezikuar,
- Luftën e
pandërprerë të individit për të fituar dhe për të ruajtur lirinë personale;
- Raportin
ndërmjet individit dhe kolektivit;
- Sistemin
totalitarist;
- Mekanizmat e
diktaturës, të autoritarizmit, të autokracisë, të tiranisë, të despotizmit dhe
të totalitarizmit.
* * *
Eseja shkollore duhet të ketë parasysh koncepte të caktuara të artit, si:
- Pesimizmi,
nihilizmi dhe absurdi në art;
- E mundshmja dhe
realja në art;
- E pamundshmja në
art;
- Synimi i
vazhdueshëm ndaj të madhërishmes dhe të përkryerës
* * *
- Vepra të mëdha krijojnë idealistët e mëdhenj;
- Liria e shpirtit
nuk shitet për asnjë vlerë joshpirtërore.
- Në ese mund të
citohen edhe mendimet e shkrimtarëve dhe të filozofëve të mëdhenj.