Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës
E diele, 07.03.2021, 01:28 PM
MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS
“7
Marsi” – Dita e Mësuesit
Nga
Xhelal Zejneli
Zgjimi
i identitetit kombëtar dhe i kulturës së Rilindjes ndër shqiptarët në këtë
periudhë ishte i lidhur ngushtë jo vetëm me veprimtarinë politike dhe botuese,
por edhe me përpjekjet për shkollë në gjuhën shqipe.
Të
tria sferat kulturore në të cilat ndahej Shqipëria, kishin sjellë me vete
sisteme të ndryshme shkollash fillore të huaja. Shqiptarët e fesë islame mund të
shkonin vetëm në medresetë në gjuhën turke, ku mësohej teologji dhe arabishtja.
Shqiptarët
e fesë katolike nuk kishin fare shkolla, para se të ngriheshin institucionet
arsimore, që ishin kryesisht italiane, nga françeskanët dhe jezuitët në Shkodër
dhe përreth saj në mesin e shekullit XIX. Këtu bën pjesë edhe një shkollë
françeskane e ngritur në vitin 1855 si dhe Kolegjia Papnore e hapur nga
jezuitët më 1859. Këtyre duhet shtuar edhe Kolegji i Shën Françesko Saverit, i
njohur me emrin Kolegja Saveriane, që u hap në Shkodër më 1877. Në
fillim të shekullit XX ky institucion, i drejtuar nga jezuitët pati mbi 400
nxënës.
Shqiptarët
e fesë ortodokse në jug të Shqipërisë kishin mundësi të hynin në shkollat me
bazë gjuhën greke.
Pra,
deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, mësimi në Shqipëri jepej në gjuhë të
huaja, rrethanë kjo që e bëri të pamundur shkollimin e masave të popullsisë.
Porta e Lartë i shihte arsimimin dhe librat në gjuhën
shqipe si veprimtari subversive dhe e gjykonte të arsyeshme të ndalonte të
gjitha shkollat dhe botimet në gjuhën shqipe, duke e zhytur kësisoj gjithë
Shqipërinë në padije dhe errësirë të thellë. Edhe ndonjë shkollë në gjuhën
shqipe, që kishte mundur të hapej, ishte mbyllur menjëherë.
Edhe kisha
ortodokse greke në Shqipërinë e jugut e shihte veprimtarinë kulturore
shqiptare si rrezik për monopolin e saj mbi shkollën. Madje ajo kërcënonte me
shkishërim cilindo që pranonte alfabetin shqip, e madje në raste të caktuara,
për të ruajtur statusin e vet, nuk iu resht as vrasjeve.
Në
këto kushte të rënda, ideologët e lëvizjes së zgjimit kombëtar të
Rilindjes në fund të shekullit XIX ia kushtuan një pjesë të mirë të energjive
të tyre luftës dhe përpjekjeve për shkollat në gjuhën shqipe. Vetëm nëpërmjet
këtyre shkollave shqiptarët do të mund të mësonin dhe të shkruanin gjuhën e
tyre shqipe dhe do të kapërcenin prapambetjen e së kaluarës.
Lufta
për shkolla në gjuhën shqipe ishte në të vërtetë një luftë e dyanshme, si
kundër Portës së Lartë që e kishte nxjerrë shkollimin shqip jashtë ligjit,
ashtu edhe kundër kishës ortodokse greke, e cila e ndiente se do të humbiste
autoritetin e saj mbi grigjën shqiptare nëse lejohej shkollimi në gjuhën
shqipe. Në këtë pikë Patrikana ortodokse dhe autoritet osmane në brigjet e
Bosforit ishin në pajtim të plotë.
Një
nga mësuesit e parë shqiptarë të periudhës së zgjimit kombëtar ishte Petro
Nini Luarasi (1865-1911). Ky ishte në pararojë të lëvizjes për çeljen e
shkollave shqipe. Një tjetër figurë e shquar e arsimit dhe e kulturës shqiptare
është Papa Kristo Negovani (1875-1905), i njohur edhe me emrin Kristo
Harallambi. Më 12 shkurt 1905 u masakrua nga banditët e hierarkisë ortodokse
greke, bashkë me pesë shqiptarë të tjerë, midis tyre eshë i vëllai.
Ndër
edukatorë të tjerë të shquar shqiptarë të kësaj kohe është familja Qiriazi ose
Kyrias nga Manastiri. Nga kjo familje shquhen Gjerasim Qiriazi (1858-1894),
vëllai i tij Gjergj Qiriazi (1868-1912), motrat e tyre Sevasti
Qiriazi – Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970).
Me
ndihmën e mësuesit të tij të anglishtes, misionarit amerikan Xheni (Jenney),
Gjeraqimit iu dha mundësia të studiojë në kolegjin amerikan në Samokov të
Bullgarisë. Në këtë kolegj ndoqi shkollimin edhe i vëllai Gjergji. Më 1908
Gjergji ishte delegat në Kongresin e Manastirit. Naim Frashëri i dha mundësi
Sevasti Qiriazi – Dakos të studionte në kolegjin amerikan me emër Robert
College në Stamboll dhe të
luante një roj veprues në arsimimin e femrave shqiptare. Ajo mori pjesë në
ngritjen e shkollës së vashave në Korçë më 1891. Mori pjesë edhe në Kongresin e
Manastirit (1908). Edhe Parashqevi Qiriazi, e njohur edhe me emrin Paraskevi D.
Kirias studioi në Robert College në Stamboll. Mori pjesë në Konferencën
e Paqes në Paris më 1919 si përfaqësuese e bashkësisë shqiptaro-amerikane.
Figurë e shquar e
arsimit katolik në periudhën e Rilindjes qe Anton Xanoni (1862-1915).
Njihej edhe me emrin Ndoc Zanoni. Në zgrip të shekullit ushtroi ndikim në
zhvillimin e gegërishtes. Vjen nga një familje jezuite. Më 1883 kreu shkollimin
në Valencia të Spanjës.
Mati Logoreci (1867-1941) ishte edukator dhe botues Në Monfalkone afër Triestes bëri
shkollë për mësues. Më 1 maj 1889 hapi një shkollë në Prizren, e para shkollë
shqipe në Kosovë.
Arsimimin e
katolikëve shqiptarë në Perandorinë Osmane, nën kujdesin e Kultusprotektoratit,
e drejtonte konsullata austro-hungareze.
* * *
Duke e
parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në shkollat e huaja, Komiteti
Kombëtar i Korçës, i themeluar në vitin 1886, një vit më vonë,
përkatësisht në fillim të vitit 1887 vendosi të krijonte shkolla shqipe të
veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin nga silogu grekoman.
Ndërsa patriotët e Korçës dhe të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin
pajisje, librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, ideologu i Rilindjes
Kombëtare Shqiptare – Sami Frashëri (1850-1904) dhe bilbili i
gjuhës shqipe – Naim Frashëri, pas kërkesave të reja që i paraqitën
qeverisë turke, shkëputën prej saj lejen, në emrin e Pandeli Sotirit (1843-1891)
për çeljen e një shkolle private shqipe në Korçë.
Pandeli
Sotiri ishte veprimtar i shkollës shqipe, dëshmor i Rilindjes Kombëtare. Lindi
në fshatin Selckë të Lunxhërisë (Gjirokastër). Në Normalen greke të Qestoratit
pati mësues atdhetarin Koto Hoxhi (1824-1895) i cili u mësonte nxënësve
fshehurazi shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Pandeli Sotiri studimet e larta
për mjekësi i kreu në Vjenë. Mori pjesë në themelimin e “Shoqërisë së të
Shtypurit Shkronja Shqip” (1879-1891) në Stamboll dhe u zgjodh anëtar i
kryesisë s saj. Bashkë me publicistin rilindës Jani Vreto (1822-1900)
ndihmoi për formimin e degëve të “Shoqërisë së Stambollit” në kolonitë
shqiptare të Bukureshtit, të Egjiptit etj. Jani Vreto ishte adhurues i kulturës
helene. Për këtë arsye Faik Konica (1875-1942) e quajti grekoman.
Pandeli Sotiri drejtoi revistën kulturore, arsimore e letrare “Drita-Dituria”
(1884-1885). Emri i tij është i lidhur ngushtë me shkollën e parë kombëtare
shqipe Mësonjëtorja Shqipe e Korçës si drejtor i parë i saj dhe mësimdhënës i
lëndëve: aritmetikë, histori, gjeografi, mësim natyre dhe gjuhë frënge. Ishte
një ndër nismëtarët e themelimit të “Shoqërisë së Mësimit Shqip” (1888) në
Korçë. U vra pabesisht në Stamboll nga armiqtë e çështjes kombëtare shqiptare,
nga agjentët grekomanë.
* * *
MËSONJËTORJA E PARË SHQIPE E KORÇËS - Pas një lufte këmbëngulëse
gati dyvjeçare, më 7 mars 1887 u çel në Korçë shkolla e parë kombëtare dhe
laike shqiptare, drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal
për shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga patrioti i mërguar korçar Mandi
Tërpo.
Qysh
ditën e parë në këtë shkollë u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u
rritur dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ishte një shkollë fillore me
fizionomi të plotë kombëtare dhe laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën
shqipe. Shkolla u hap në kushtet e pushtimit osman, me nismën e një grupi
rilindësish dhe me mbështetjen e masave patriotike korçare dhe atyre të
mërgimit. Mësimi jepej falas për nxënësit meshkuj dhe femra të çdo lloj besimi
fetar apo shtrese shoqërore. Nxënësit mësonin shkrim e këndim, gjuhë shqipe,
gramatikë shqipe, aritmetikë, gjeografi dhe histori të botës dhe të Shqipërisë
etj. Drejtuesit a saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar.
Çelja
e shkollës shqipe të Korçës ishte një ngjarje e shënuar dhe një fitore për
gjithë Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi i përpjekjeve të
përbashkëta të organizatave patriotike të të mërguarve shqiptarë dhe të
mëmëdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës nuk
varej dhe nuk financohej prej asnjë shteti apo shoqërie të huaj. Ajo u hap, u
financua dhe u mbrojt nga populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit.
Dita e
përurimit të saj u kthye në një ditë feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8
mars 1887 veprimtari i Rilindjes Kombëtare, veçanërisht i arsimit në
gjuhën shqipe Thimi Vasil Marko (Korçë, 1855 – Korçë, 1922) i
shkruante publicistit Visar Dodanit (rreth v. 1857-1939) në
Bukuresht: “Dëshira jonë u mbarua; shkolla shqipe u hap, druri që
mbollëm këtu e dy vjet, sot lulëzoi dhe dha pemë të ëmbla. Përpjekjet e
faqezinjve grekomanë dështuan.”
Drejtuesit
e saj ishin veprimtarë të shquar të arsimit kombëtar. Turqishtja mësohej
si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja. Si tekste
mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur nga Naimi e Samiu dhe që ishin
shtypur e dërguar falas nga kolonia shqiptare e Bukureshtit. Mësonjëtorja
e Korçës u bë qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit të gjuhës
shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte gjithashtu qendër e përhapjes
së ideve kombëtare shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për
fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin e shqiptarëve
pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata ndërgjegjen kombëtare.
Përveç
Pandeli Sotirit që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të punuan si drejtorë
e mësues edhe atdhetarë të tjerë të shquar si veprimtari i Rilindjes
Kombëtare Thanas Sina (1859-1934), Petro Nini Luarasi (1865-1911),
atdhetari i Rilindjes Kombëtare Naum Dhimitër Naçi (1871-1927) i
njohur si Nuçi Naçi, veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe
dhe i shtypit shqiptar Thoma Avrami (1869-1943) etj. Th. Avrami, si
delegat i Korçës, mori pjesë edhe në Kongresin e Manastirit (1908). Në vitet
1911-1912 drejtoi Mësonjëtoren Shqipe të Korçës.
Në
pranverë të vitit 1891, pas Pandeli Sotirit, drejtimin e shkollës shqipe në
Korçë e mori Petro Nini Luarasi. Njëherazi, ai ndihmoi edhe financimin e
shkollave të tjera në Shqipërinë e jugut. P. N. Luarasi ishte edhe
zëvendëskryetar i kongresit të dytë të Manastirit, më 1-6 prill 1910, në të
cilin u zgjodh përfundimisht debati për alfabetin e shqipes. Vdiq në Gostivisht
më 17 gusht 1911. Sipas të dhënave të caktuara, e helmoi kleri grek, në
bashkëpunim me xhandarët vendës.
* * *
Çelja
e shkollës kombëtare të Korçës ngjalli entuziazëm ndër atdhetarët e mbarë
vendit dhe u bë nxitje për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme
të Shqipërisë. Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec, në Rekë e
Ohër dhe u bënë përgatitje për të tilla shkolla në Elbasan, Leskovik,
Ersekë, etj. Shkrimi shqip filloi të mësohej edhe në mjaft fshatra. Shkollën
shqipe në Pogradec e hapi vëllai i Pandeli Sotirit – mësuesi Koço Sotiri
(1847-1909) më 14 mars 1887. Më 1889, shkolla shqipe u hap edhe në Prizren.
Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i vinin nga
krahina të ndryshme të Shqipërisë, bashkë me përgëzimet edhe kërkesa të shumta
për t’u dërguar tekste shkollore që të përhapnin mësimin e shqipes,
qoftë në shkollë, qoftë jashtë saj.
* * *
Po në
këtë kohë u themelua në Korçë Shoqëria e Mësimit Shqip në
krye me Alo Dishnicën. Kjo shoqëri kishte si detyrë kryesore të
organizonte e të drejtonte veprimtarinë e aktivistëve, të shpërndarë në krahina
të ndryshme të Shqipërisë, për mbajtjen e shkollave të çelura, për hapjen e
shkollave të reja shqipe, për grumbullimin e fondeve dhe për shtypjen e
teksteve shkollore.
* * *
Kundër
shkollës shqipe të Korçës shpërthyen valë të furishme kundërshtimi nga qarqet
antishqiptare greke. Propaganda fetare, shpifjet, shantazhet, frikësimet
dhe shtrëngimet kundër mësuesve, nxënësve, prindërve dhe përkrahësve të
shkollës kombëtare shqipe, qenë mjetet e zakonshme të agjenturave greke dhe të
autoriteteve osmane. Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra dhe vetë
drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri, i cili u vra më 1891 në Stamboll
nga agjentët grekomanë. Por, atdhetarët shqiptarë, mbarë populli shqiptar, të
etshëm për dritë e dituri, kurrë nuk u përulën para trysnisë së forcave obskurantiste
mesjetare që synonin t’i mbanin shqiptarët në errësirë.
* * *
Mësonjëtorja e Parë Shqipe e Korçës veproi 15 vjet, duke
përballuar vështirësitë dhe pengesat e nxjerra nga pushtuesit dhe nga disa
klerikë antikombëtarë. Në prag të shekullit XX ajo u bë me gjashtë klasa.
Shumica e atyre që mbaruan këtë shkollë, u bënë veprimtarë të shquar të
lëvizjes për çlirimin kombëtar, në rrugën e pandalshme të kombit shqiptar drejt
integrimit në familjen perëndimore.
* * *
Shkolla e vashave në Korçë - Hapja e të parës
shkollë shqipe, të njohur zyrtarisht, në Korçë më 1887, e frymëzoi Gjeraqimin
dhe të motrat Sevasti e Parashqevi, të hapnin një shkollë për vajzat. Me
ndihmën e Naim Frashërit (1846-1900) dhe të misionarëve amerikanë e
anglezë, ato morën autorizimin e duhur në Stamboll dhe më 15 tetot 1991 hapën
të parën shkollë shqiptare të vashave në Korçë.
Mësuese
të para të kësaj shkolle ishin Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, e
lindur në Manastir, Polikseni Luarasi dhe Parashqevi
Qiriazi. Polikseni Luarasi, e lindur në Korçë në vitin 1880, ishte e para
mësuese që dilte nga bankat e shkollës së parë shqipe për vashat në Korçë.
Njëherazi, ajo është edhe e para tipografe femër në Shqipëri.
* * *
Prej
vitit 1960, “7 Marsi” festohet si ditë e
mësuesve dhe e nxënësve, si përkujtim i themelimit të Mësonjëtores
së Parë Shqipe të Korçës. Në këtë festë vlerësohen traditat më të mira të
shkollës kombëtare shqipe, të figurës së nderuar të mësuesit dhe
të gjithë punonjësve të arsimit, si edukatorë të brezit të ri, si veprimtarë
dhe ndërtues aktivë të një shoqërie të përparuar. Kjo ditë festohet me nderim
çdo vit në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan.
Festohet
pra në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë),
në Maqedoni, në Mal të Zi dhe ndër çamë. E feston edhe diaspora shqiptare në
Evropë, në ShBA etj.