Editorial » Zejneli
Tetova News: Intervistë me Prof. Xhelal Zejnelin
E shtune, 17.07.2021, 05:28 PM
QEVERIA E ZAEVIT DHE SFIDA SHQIPTARE
Intervistë
me Prof. Xhelal Zejnelin për “Tetova News”, më 02.06.2017. Është botuar edhe në
mediume të tjera; si p. sh. në gazetën “Dielli”, në ShBA, më 03.06.2017; etj.
Profesor, si e
shihni situatën politike në hapësirat shqiptare në Ballkan?
Përgjigje: Gjendja nuk është e mirë. askush nuk di të tregojë në
janë shqiptarët ende në fazën e tranzicionit, apo e kanë tejkaluar atë. Midis
partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, kemi një polarizim të
skajshëm, si në asnjë vend tjetër të gadishullit. Udhëheqësit politikë më të
lartë të Shqipërisë, si të shumicës parlamentare, ashtu edhe të opozitës,
deklarojnë se në Shqipëri, që nga viti 1991 deri më sot, nuk janë mbajtur
zgjedhje të lira e të ndershme. Politikanë të niveleve më të larta thonë se
duhet të nisin të ndërtojnë shtet, apo këto dy vitet e fundit, për herë të parë
që nga viti 1991, kanë filluar të bëjnë shtet. Nga kjo del se, këta farë
politikanë që sillen dhe enden me vite në skenën politike, brenda një çerek
shekulli nuk paskan vepruar për të bërë shtet.
Po në Kosovë, si
qëndron puna?
Përgjigje: Në të gjitha hapësirat shqiptare ka probleme të
theksuara politike, ekonomike dhe sociale. Ka edhe papunësi të madhe. Tendenca,
sidomos e të rinjve, për t’u shpërngulur për në vendet e Perëndimit, është
tejet e madhe. Në anën tjetër, kemi krijimin e një shtrese oligarkësh, që në
kurriz të popullit të varfëruar, janë pasuruar brenda natës.
Por, duhet shtuar se Kosova ndeshet
edhe me rrezikun e synimeve ekspansioniste të Beogradit. Kosova nuk
duhet të pranojë krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, as
edhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në dëm të vetin.
Si e vlerësoni
situatën e shqiptarëve në Maqedoni?
Përgjigje: Shqiptarët në Maqedoni, në vitin 1991 kishin një moment
historik për ta zgjidhur atë që e quajmë kauzë kombëtare. Ky
ishte momenti kur Maqedonia u shkëput nga amalgama jugosllave. Por, nuk ia
dolën. Shqiptarët në atë kohë nuk kishin determinantë historikë as sociologjikë
të mjaftueshëm për ta zgjidhur çështjen kombëtare. Me fjalë të tjera,
shqiptarët në atë kohë kishin potencial politik dhe intelektual të
pamjaftueshëm. Si të tillë, nuk mund të ishin në nivel të imperativit të çastit
historik.
Lufta e vitit 2001-shit po ashtu paraqet moment historik për zgjidhjen
e çështjes kombëtare. Zhvillimet që pasuan, dëshmuan qartas se çështja
shqiptare në Maqedoni nuk u zgjidh drejt as pas 2001-shit. Faktori politik
shqiptar nuk posedonte kapacitet të duhur për të qenë në krye të detyrës
historike. Një shkrimtar i njohur thotë: Asgjë në histori nuk ka mundur
të ndodhë ndryshe, përpos siç ka ndodhur. Si pasojë, u shua si subjekt
politik.
Partia e
Prosperitetit Demokratik,
ndonëse tetë vjet në pushtet, nuk arriti ta lëvizë çështjen. Çështjen s’e
lëvizi sa duhet as Partia Demokratike Shqiptare, e cila
dy herë ishte pjesë e qeverisjes – në vitet 1998-2002 dhe 2006-2008. Si e
tillë, u katandis aty ku është sot. PPD-ja dhe PDSH-ja dolën nga skena politike
pa lënë gjurmë në histori. Bashkimi Demokratik për Integrim ndërkaq,
si parti e pasluftës së 2001-shit, u angazhua për të sjellë ndryshime në dobi
të shqiptarëve. Përkundër arritjeve të caktuara, edhe ky subjekt politik nuk ia
doli që të jetë në lartësinë e çastit historik. Platforma politike apo
deklarata të cilën faktori politik shqiptar ia paraqiti Gruevskit, përkatësisht
Zaevit, tregon qartas se kauza shqiptare në Maqedoni nuk qenka zgjidhur as pas
luftës së 2001-shit, edhe pse partitë politike shqiptare vazhdimisht kanë qenë
pjesë e ekzekutivit.
A mund të flitet në
këtë mes për një përgjegjësi historike?
Përgjigje: Gjithsesi. Si pasojë e dështimit politik, PPD-ja u
shua si subjekt politik, PDSH-ja ndërkaq, erdhi buzë
greminës. Por, përgjegjësia më e madhe i takon BDI-së, pikërisht
për disa arsye:
– e para, BDI-ja identifikohej si
parti e luftës;
– e dyta, BDI-ja rregullisht e ka
fituar verdiktin e popullit, d.m.th. votëbesimin e qytetarëve;
– e treta, BDI-ja ka qeverisur më së
shumti: që nga viti 2002 deri në vitin 2017, me një ndërprerje të
shkurtër në vitet 2006-2008, kur PDSH-ja hyri në qeveri si humbëse.
Me fjalë të tjera, BDI-ja 14 vjet
është pjesë e qeverisjes. Shqiptarët realizuan të drejta të caktuara vetëm në
periudhën e viteve 2002-2005, periudhë kjo kur duhej të jetësohej Marrëveshja e
Ohrit. Të jesh parti e luftës, t’i kesh pasur 19, përkatësisht 20 deputetë dhe
të kesh qenë 14 vjet pjesë e qeverisë, e sot të dalësh me një deklaratë apo me
një kërkesë për të drejtën e përdorimit të gjuhës, do të thotë të mos kesh qenë
në lartësinë e çastit historik.
Si rrjedhojë e dështimit politik të
BDI-së dolën në skenën politike edhe subjekte të reja, ndërsa mijëra shqiptarë
të zhgënjyer u përcaktuan të votojnë për LSDM-në sllavo-maqedonase. Elektorati
i BDI-së u përgjysmua.
Brenda këtij çerek shekulli, çështja
shqiptare u përplas nga skila në haribdë, ndërsa
kërkesat primordiale të shqiptarëve u shtruan në shtratin
e Prokrustit.
Sidoqoftë, nuk duhet të jemi
nihilistë dhe të themi se asgjë nuk është arritur. S’ka dyshim se ka pasur
arritje të caktuara. Por, rezultatet e arritura janë në shpërpjesëtim frapant
me energjitë e harxhuara të popullit dhe me pritshmëritë e tij.
Të mos harrojmë se disa të mira për
shqiptarët i solli edhe koha, i solli edhe faktori politik ndërkombëtar
influent, siç janë Uashingtoni dhe Brukseli.
Cili ka qenë roli i
Tiranës gjatë periudhës së kaluar?
Përgjigje: Kur është fjala për çështjen shqiptare në Maqedoni,
qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana dhe Prishtina nuk kanë luajtur
ndonjë rol të veçantë. Shqipëria, në konflikt me vetveten, nuk ka mundur të
bëjë më shumë për shqiptarët në Maqedoni. Përveç kësaj, nuk duhet harruar se
nuk jemi në kohën e të qenët Piemont. Sugjerimi i Tiranës
dhe i Prishtinës për faktorin politik shqiptar në Maqedoni ka qenë: “Kërkesat
tuaja zgjidhni me veprim politik dhe në rrugën demokratike në kuadër të
institucioneve të sistemit, bëjuni faktor stabiliteti dhe jini konstruktivë, në
funksion të paqes dhe të stabilitetit të Maqedonisë e të rajonit”. Ky
farë sugjerimi, i përsëritur gjatë çdo krize në rajon, u shndërrua në një
klishe banale dhe të pavlerë.
Si ndodhi kriza
politike në Maqedoni?
Përgjigje: Krizën politike në Maqedoni e shkaktoi VMRO-ja dhe
udhëheqja e saj, në krye me Nikolla Gruevskin. Kriza ishte pasojë:
– e ideologjisë nacional-romantike,
anakronike, retrograde dhe antihistorike të VMRO-së;
– e politikës antishqiptare,
antidemokratike, antiperëndimore dhe proruse të VMRO-së;
– e qeverisjes autoritare dhe
autokratike të Gruevskit;
– e thellimit të konfliktit me vendet
fqinje;
– e shtrembërimit të historisë, për
të sajuar një komb të paqenë;
– e korrupsionit përmasash galaktike;
– e politikës populiste;
– e politizimit dhe e partizimit të
skajshëm të institucioneve të sistemit.
VMRO-ja ka qenë dhe poqe se nuk do të
reformohet, do të vazhdojë të jetë një parti skajshmërisht antishqiptare,
BDI-ja ndërkaq, ka qenë partnere e saj 10-vjeçare e bashkëqeverisjes. Duke qenë
se VMRO-ja është shkaktare e krizës politike, është e pamundur që ortaku dhe
kompanjoni i saj – BDI-ja, të mbete e pafajshme. Është e pamundur që të
bashkëpunosh e të bashkëveprosh me djallin, me Mefistofelin dhe
të mbetesh i papërlyer, madje të hiqesh edhe engjëll.
Cili ishte roli i
shqiptarëve në këtë krizë?
Përgjigje: Pjesë e krizës së thellë politike, si partnere e
bashkëqeverisjes, është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Ky subjekt
politik, me VMRO-në e sipërthënë, ka bashkëqeverisur që nga viti 2008
deri më sot, d.m.th. gati një dekadë. Gjatë kësaj periudhe, BDI-ja
asnjëherë:
– nuk shkaktoi krizë qeveritare;
– nuk u largua nga qeveria;
– nuk e prishi koalicionin me
partnerin e qeverisjes;
– nuk i tërhoq deputetët nga Kuvendi
i RM-së;
– nuk shkaktoi krizë politike.
Bashkimi Demokratik për Integrim,
duke qeverisur bashkë me VMRO-në gati një dekadë, është përgjegjëse
e drejtpërdrejtë e krizës politike dhe një prej
shkaktarëve të saj. Gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, BDI-ja
ishte në pozitë inferiore. Disa nga ministrat e
BDI-së, që nga viti 2008 e këndej, ishin vasalë të
qeverisë së Gruevskit, ishin instrumente të memece në dobi të ideologjisë së
VMRO-së. Dhe sot, në vend që BDI-ja të ishte në margjinat e politikës dhe të
mbante përgjegjësi historike për atrofizimin e çështjes shqiptare, ajo, në
saje të mungesës së një opozite politike shqiptare të mirëfilltë,
vazhdon të jetë në skenë, madje si një faktor relevant.
Udhëheqës i lartë të BDI-së,
njëherazi dhe funksionar i lartë i shtetit, boton artikuj kundër qeverisë,
pjesë e së cilës është vetë partia e tij. Çfarë paradoksi!! Udhëheqës i lartë i
BDI-së, njëherazi dhe pushtetar i nivelit më të lartë, del e deklaron sesi
ndihet i lumtur, për arsye se sot – pas dhjetë vjet
bashkëqeverisjeje me VMRO-në e Gruevskit – më në fund ia paskësh
dalë të zërë anën e duhur, d.m.th. anën e Zaevit. A s’është vallë kjo,
kulmi i hipokrizisë, i demagogjisë dhe i djallëzisë?!
Këta të BDI-së çohen e thonë sot se
do ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit. Nga kjo rezulton
se Marrëveshja e Ohrit e cila duhej të jetësohej qysh në vitin 2004, ende nuk
qenkësh implementuar. Që atëherë kanë kaluar 13 vjet, e ajo paska mbetur pa u
realizuar. Atëherë shtrohet pyetja: Ç’ka bërë BDI-ja gjatë këtyre 13
viteve në qeveri, që s’e paska implementuar atë?!
Në periudhën e viteve 2008-2017, me
BDI-në në qeveri, shqiptarët shënuan, jo vetëm ngecje, por
edhe kthim prapa. Të rinjtë e kësaj periudhe mund të
quhen The Lost Generation (brezi i humbur), i
pashpresë, i gatshëm për t’u shpërngulur.
Ç’mund të thoni për
dimensionin ekonomik të problemit?
Përgjigje: Në periudhën për të cilën flasim, pjesët
veriperëndimore të Maqedonisë të banuara me shqiptarë, shënojnë një ngecje
ekonomike frikësuese dhe drithëruese. Në vend të zonave të lira
ekonomike, nëpër qytezat shqiptare vërshuan kazinotë. Qytetet shqiptare u
devitalizuan, pësuan erozion, u shndërruan në qyteza, kasaba dhe varosh. Të
gjitha investimet kapitale u orientuan në pjesën lindore të Maqedonisë.
Cili ka qenë roli i
inteligjencies shqiptare gjatë periudhës së kaluar?
Përgjigje: Inteligjencia shqiptare në Maqedoni, aq sa mund të
flitet për ekzistimin e saj në kuptimin e mirëfilltë, gjatë tërë periudhës së
pluralizmit ka qenë kryesisht një inteligjencie në shërbim të
partive politike, për interesa personalë meskinë. Me një fjalë, kemi të
bëjmë me një inteligjencie thellësisht oportuniste dhe konformiste,
me qëndrime demagogjike, për të mos thënë, edhe me
veprime poltronike.
Po roli i mediumeve
gjatë kësaj periudhe?
Përgjigje: Mediumet shqiptare në Maqedoni gjatë periudhës së
pluralizmit politik dhe ideologjik, kanë qenë instrumente të verbëta
të faktorit politik, d.m.th. të partive politike, të
shtetit, të pushtetit dhe të qeverive. Kanë qenë në shërbim të politikës
ditore dhe të qendrave të caktuara. Në Maqedoni
nuk mund të flitet për mediume shqiptare profesionale, investiguese dhe të
pavarura. Të pakta janë mediumet shqiptare që kanë një politikë
redaktuese profesionale dhe të paanshme.
Ç’mund të thoni për
rolin e analistëve politikë dhe të opinionbërësve?
Përgjigje: Atë që thashë për mediumet, mutatis mutandis vlen
edhe për të ashtuquajturit analistë politikë. Analistët politikë shqiptarë dhe
të tillët që e marrin veten për krijues opinionesh, nuk janë veçse instrumente
të verbëta të politikës ditore, për interesa personalë meskinë. Ata kanë qenë
dhe janë marionetë në duart e partive politike, e sidomos të atyre në pushtet,
kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë shërbëtorë të shtetit dhe të qendrave nga
më të ndryshmet. Pjesa më e madhe e këtyre farë analistëve politikë që për çdo
ditë i ke në televizor, janë të zhveshur nga çdo ideologji kombëtare
shqiptare. Madje midis tyre ka edhe të tillë që zotimin rreth idesë
kombëtare e konsiderojnë anakronizëm. Progresive për ta është multikultura si
dhe koncepti qytetar i ndërtimit të shtetit, ani pse me dominimin e plotë
sllavo-maqedonas dhe sllavo-bizantin.
Çfarë analisti politik mund të jetë
një person i cili ka qenë 2-3 mandate deputet dhe gjatë qëndrimit në parlament,
çështjen shqiptare s’e ka lëvizur nga vendi, ndërsa sot del në debate dhe
tregon se ç’duhet bërë. Çfarë debatuesi apo analisti mund të jetë një
ministër apo zëvendëskryeministër shqiptar i cili del e tregon sesi duhet
punuar, ndërsa kur vetë ai ka qenë organin ekzekutiv, për shqiptarët ka bërë
shumë pak, për të mos thënë fare.
Përgjegjës për
mosrealizimin e kërkesave të shqiptarëve apo për zvarritjen pafund të tyre,
nuk është vetëm faktori politik por edhe inteligjencia oportuniste, mediumet e
kontrolluara si dhe analistët mercenarë.
Si e shihni VMRO-në
sot e tutje?
Përgjigje: Për të shpëtuar nga honi ku është katandisur, VMR)-ja
duhet të riorganizohet dhe të
reformohet, duhet të heqë dorë nga ideologjia e vjetruar e
nacional-romantizmit dhe të orientohet qartas për integrim
në strukturat politike, ekonomike dhe ushtarake të Perëndimit, d.m.th. në BE dhe në organizmin transatlantik.
Si i shihni partitë
politike shqiptare sot?
Përgjigje: Në momentin e përtashëm, faktori politik shqiptar
është kryekëput i pakonsoliduar. BDI-ja, prej 19
deputetëve, përkatësisht prej 20 sish, ra në dhjetë, d.m.th. u përgjysmua.
Opozita politike shqiptare ndërkaq, ka një ndikim të kufizuar dhe të
parëndësishëm. Me fjalë të tjera, shqiptarët në Maqedoni sot, nuk kanë as
shumicë parlamentare të mirëfilltë, as edhe opozitë të njëmendët.
Faktori shqiptar në Maqedoni nuk mund
të ketë dhe nuk duhet të ketë më shumë se dy parti politike. Opozitës së
deridjeshme shqiptare i duhej dhe i duhet edhe sot – të bashkohet dhe
ky bashkim duhet të bëhet mbi bazën e ideologjisë kombëtare, të
vlerave perëndimore dhe të orientimit euroatlantik. Me fjalë të
tjera, Lëvizja BESA, LR-PDSH-ja, RDK-ja, PDSH-ja dhe Uniteti
duhet të krijojnë subjekt politik unik, si mundësi e vetme
për të krijuar një baraspeshë ndaj BDI-së. Vice versa BDI-ja
– meqë është në pushtet – ka gjasa ta rikthejë shtrirjen e vet
dhe ndikimin e dikurshëm.
Ç’mund të thoni për
qeverinë e Zaevit?
Përgjigje: Qeveria e Zaevit do të jetë shumëfish më e mirë se
qeveritë e deritanishme të koalicionit VMRO – BDI. Në aspektin ekonomik dhe
social, pritet të jetë më mirë për të gjithë qytetarët e këtij vendi, për arsye
se paratë e shtetit dhe të tatimpaguesve nuk do të shkojnë më për ndërtimin e
përmendoreve pa kokë apo të Shkupit 2014.
Cilat çështje duhet
të jenë prioritete të qeverisë së Zaevit, e që kanë të bëjnë me interesin
shqiptar?
Përgjigje:
– t’i plotësojë për një, të gjitha
kërkesat e faktorit politik shqiptar të paraqitura në formën e një platforme
apo të një deklarate politike;
– të përfshijë në historinë e
Republikës së Maqedonisë, luftën e 2001-shit, si luftë e drejtë e Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare, të mbështetur nga populli shqiptar;
– të zgjidhë statusin e dëshmorëve të
luftës së 2001-shit – ushtarë të UÇK-së;
– të zgjidhë statusin e invalidëve të
luftës së 2001-shit, që luftuan në radhët e UÇK-së;
– t’u krijojë rrethana normale
organeve të drejtësisë, në mënyrë që nga burgjet sllavo-maqedonase të lirohen
të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë;
– t’u mundësohet organeve të
gjyqësisë që t’i rishqyrtojnë drejt dhe në mënyrë objektive, rastet si: i Sopotit,
i Brodecit, i Monstrës, në mënyrë që shqiptarët e dënuar në këto
procese të montuara, të lirohen sa më pare, ndërsa të dënuarve të pafajshëm t’u
paguhet dëmshpërblim;
– të zbardhet tragjedia e Kumanovës,
ndërsa individët e pafajshëm të lirohen sa më parë.
Po në aspektin
ekonomik ç’do të duhej të bënte Zaevi?
Përgjigje: Qeveria e re, investimet kapitale do të duhej t’i
orientonte në pjesën veriperëndimore të këtij vendi, me qëllim të revitalizimit
të saj.
Po cilat janë
mundësitë e integrimit të Maqedonisë në BE dhe në NATO?
Përgjigje: Qeveria e re, e përbërë nga BDI-ja, nga Aleanca për
Shqiptarët si dhe nga LSDM-ja e kanë si detyrë mbi detyra që brenda këtij
mandati ta integrojnë Maqedoninë në strukturat transatlantike.
Hyrja e Maqedonisë nën ombrellën e NATO-s dhe të BE-së, është kryeinteres i
shqiptarëve, por edhe i sllavo-maqedonasve. Kjo do të ngjallte shpresë, do t’i
çelte rinisë së këtij vendi perspektiva të reja dhe do të
parandalonte penetrimin e Rusisë në gadishull. Po qe se
Maqedonia nuk mund të hyjë në BE as me shkurtesën IRJM, atëherë, për ta
ndërruar emrin e shtetit, duhet të arrihet një konsenzus në tërë
spektrin politik të këtij vendi, përfshi edhe VMRO-në. Konsenzusi
i spektrit politik do të lehtësonte mbase edhe organizimin e një referendumi gjithëpopullor.
Cili është qëndrimi
i ndërkombëtarëve sot?
Përgjigje: Gjatë dy viteve të krizës politike në Maqedoni, qëllimi
parësor i qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes ka qenë tejkalimi
i krizës, zgjidhja e saj dhe stabilizimi i shtetit. Me fjalë të
tjera, kërkesat e shqiptarëve nuk janë preokupim parësor i tyre.
Ata i thonë faktorit shqiptar që të hyjë në sistem dhe kërkesat që
kanë të bëjnë me interesin shqiptar, t’i artikulojnë në kuadër të
institucioneve të sistemit. Këtë e kanë kërkuar prej shqiptarëve gjatë
tërë periudhës së pluralizmit, pra që nga viti 1991 e këndej.
Ç’mund të veçoni si
arritje më të madhe të shqiptarëve gjatë periudhës së kaluar të veprimit
politik?
Përgjigje: Krijimin e vargut të komunave me shumicë
shqiptare që nga Struga deri në Likovë si dhe themelimin
dhe zyrtarizimin e Universitetit të Tetovës.
Po nga qeverisja e
Gruevskit?
Përgjigje: Njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila sot
njihet nga 114 shtete të botës.
Ç’do të ndodhë me
statusin politik të shqiptarëve?
Përgjigje: Koncepti i LSDM-së së “reformuar” është
ai i krijimit të shtetit qytetar. Ky koncept mbi shtetin
është i dëmshëm për shqiptarët dhe si i tillë, duhet të
hedhet poshtë, të refuzohet. Koncepti i shoqërisë multietnike dhe
multikulturore, nuk është gjë tjetër pos njëfarë imitimi i
vëllazërim-bashkimit të Josip Broz Titos. Maqedonia mund të ekzistojë
si vend i qëndrueshëm dhe demokratik, vetëm si shtet dyetnik,
shqiptaro-sllavo-maqedonas.
Shqiptarët duhet të jenë trashëgues
të shtetësisë dhe mbartës të shtetësisë,
pikërisht mbi bazën e tre argumenteve:
– argumentit historik, që
nënkupton faktin se shqiptarët në këto troje, d.m.th. në veriperëndim të
këtij vendi, janë popull autokton;
– argumentit të
bashkëkohësisë, që nënkupton faktin se shqiptarët në Maqedoni
paraqesin potencial demografik, social, intelektual, politik,
ekonomik, prodhues dhe mbrojtës;
– argumentit hipotetik,
që do të thotë se shqiptarët në Maqedoni, midis konfliktit dhe paqes, janë
përcaktuar për paqe dhe stabilitet.
Pothuajse të gjitha kërkesat e
përfshira në platformën apo në deklaratën politike të faktorit politik
shqiptar, parashikohen edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Me rëndësi është që
ajo, d.m.th. Marrëveshja e Ohrit të rikthehet në interpretimin
autentik të saj dhe jo në interpretimin e shtrembëruar dhe të njëanshëm.
Faleminderit, Profesor për
intervistën!