Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Çështja shqiptare në Maqedoni dhe faktori ndërkombëtar
E marte, 06.07.2021, 07:33 PM
ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONI DHE FAKTORI NDËRKOMBËTAR
Nga
Xhelal Zejneli
Ka
pasur të tillë që kanë thënë: “Maqedonia do të ndahet…” Me fjalë të tjera,
Maqedonia do të ndaka më dysh: pjesa veriperëndimore – Shqipërisë, ndërkaq, ajo
juglindore – Bullgarisë. Duhet ditur se Maqedonia është e
përkëdhelura e faktorit ndërkombëtar. Uashingtoni nuk do ta kishte lejuar
ndarjen e Maqedonisë.
Faktori
ndërkombëtar nuk i mbështet pikëpamjet, qëndrimet dhe veprimet politike që
cilësohen si radikale dhe destabilizuese. Por, shtrohet pyetja: “Ç’është ajo që
quhet radikalizëm”? Shqiptarët duhet t’ia bëjnë me dije faktorit të huaj se
asnjë kërkesë e shqiptarëve nuk është radikale, derisa nuk e vë në dyshim
tërësinë tokësore të Maqedonisë, apo kufijtë ndërkombëtarë të saj.
Nga
kjo del se
–
Kërkesa e shqiptarëve që t’u njihet statusi i popullit shtetformues nuk është
kërkesë radikale.
–
Kërkesa e shqiptarëve për federalizimin e Maqedonisë – nuk është radikalizëm.
– As
kërkesa e shqiptarëve për të krijuar një Maqedoni me dy entitete, nuk është
radikale, por reale.
* * *
Bosnja
dhe Hercegovina është shtet me dy entitete:
–
entiteti i Federatës Myslimano-Kroate, me 51 % të territorit, dhe
–
entiteti i Republikës Serbe, me 49% të territorit.
Bosnja
dhe Hercegovina përbëhet prej tre popujve konstitutivë (shtetformues):
-
prej myslimanëve, të cilët para luftës së vitit 1991 përbënin 44% të
popullsisë;
–
prej serbëve, të cilët para luftës së sipërthënë përbënin 34% të popullsisë dhe
–
prej kroatëve, të cilët para luftës përbënin 15% të popullsisë;
–
prej bashkësive etnike të tjera (7%).
Në
Bosnjë dhe Hercegovinë fliten tri gjuhë zyrtare: serbishtja, kroatishtja dhe
boshnjakishtja (siç e quajnë myslimanët të folmen e vet)
* * *
T’u
njihet shqiptarëve statusi i popullit shtetformues, federalizimi i Maqedonisë
apo krijimi i dy entiteteve në të, nuk e vë në dyshim sovranitetin e
Maqedonisë, tërësinë tokësore, apo kufijtë ndërkombëtarë të saj.
Faktori
ndërkombëtar nuk parapëlqen parti politike të mëdha dhe të fuqishme. Përse! Për
arsye se partitë e mëdha dhe të fuqishme mund të ndjekin politikë nacionaliste,
mund të imponojnë kërkesa radikale, më vështirë vihen nën kontroll, shpejt mund
të korruptohen, shndërrohen në forcë jodemokratike. Kur një parti politike
forcohet shumë, me atë rast të huajt presin prej saj të reformohet dhe të
demokratizohet. Po qe se partia politike nuk reformohet dhe nuk
demokratizohet, ajo privohet nga mbështetja e të huajve. Faktori i huaj nuk i
parapëlqen nëpër parti politike individët që hiqen si radikalë, militantë,
ekstremistë, nacionalistë, ksenofobë, autokratë, despotë…Në të vërtetë, në
partitë shqiptare s’ka ekstremistë, radikalë dhe militantë. Përkundrazi, ka
oportunistë, konformistë, karrieristë, demagogë, poltronë, diletantë dhe kuaj
Troje.
Faktori
ndërkombëtar do t’i kishte mirëpritur fraksionet që do të lindnin në partitë e
mëdha. Të huajt nuk do të kishin parapëlqyer që e njëjta parti apo e njëjta
bashkëlidhje qeverisëse të qeverisë shtetin dy mandate radhazi, e të mos flasim
për një qeverisje tremandatëshe të pandërprerë.
Po
qe se një parti e madhe nuk reformohet, nuk demokratizohet, korruptohet, i
shkel parimet etike dhe parimet e demokracisë, është e mundur që ajo një ditë
të ballafaqohet me skandale – të njëmendta apo edhe të sajuara nga shërbime
sekrete të ndryshme. Në raste të tilla, rëndom vihet në shënjestër kreu i
partisë së caktuar. Ajo që kurrë s’e falin amerikanët është abuzimi i votës së
lirë të qytetarit.
Të
huajt parapëlqejnë baraspeshën e raportit të forcave, si në hapësirën politike
maqedonase, ashtu edhe në atë shqiptare. Të huajt nuk parapëlqejnë që partitë
politike të cilat përbëjnë mazhorancën – të jenë të forta, ndërkaq opozita – të
jetë e dobët. Proceset demokratike mund të zhvillohen më lehtë, vetëm kur kemi
baraspeshë të forcave politike.
Forcimi
i VMRO-së është rast specifik. VMRO-ja proklamohet si faktor që synon të
përkufizojë (të definojë) dhe të ndërtojë identitetin kombëtar maqedonas, d.m.th.
të zgjidhë krizën e identitetit. Rrjedhimisht, politika e saj është
nacionaliste, si ndaj shqiptarëve brenda, ashtu edhe ndaj fqinjëve serbë,
bullgarë dhe grekë në rajon. Në këtë “mision” të saj, VMRO-ja has në
mirëkuptimin e faktorit të huaj, sidomos të SHBA-së. Me fjalë të tjera, para
nacionalizmit të VMRO-së, të huajt e mbyllin njërin sy. Në kontestin rreth
emrit me Greqinë, BE-ja, sidomos njëra prej lokomotivave të saj – Franca –
është me Greqinë. SHBA-ja ndërkaq, hiqet si asnjanëse, për të mos thënë se, në
rastin konkret, nuk e mbështet Athinën.
Sot
në Maqedoni kemi tri çështje të pazgjidhura:
– e
para, çështja shqiptare;
– e
dyta, krijimi i identitetit maqedonas (kriza e identitetit);
-e
treta, kontesti me Greqinë.
Dy
çështjet e fundit: krijimi i identitetit maqedonas, në një anë dhe kontesti me
Greqinë, në anën tjetër, janë të lidhura ngushtësisht. Po të krijohet
identiteti maqedonas – humbka Greqia; dhe vice versa: po ta fitojnë
kontestin grekët – maqedonasit mbetkan pa identitet.
Kështu
sepse, sipas qarqeve ultranacionaliste maqedonase, pa ndërlidhje me lashtësinë,
nuk mund të ketë komb maqedonas. Me atë rast, mbi sllavo-maqedonasit do të
ngadhënjyeka teoria bullgare. Maqedonia është term gjeografik – antik. Nuk ka
komb maqedonas apo sllavo-maqedonas. Sllavo-maqedonasit që jetojnë në
Maqedoninë e Vardarit – nuk janë veçse bullgarë. Gjuha që flasin ata, s’është
veçse bullgarishte.
Në
fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të qindvjeçarit XX, në gadishullin grindavec
shpërtheu bellum omnium in omnes. Ballkani ishte fuçi baruti. Në
vitet 1912-13, d.m.th., gjatë luftërave ballkanike, këto vise u pushtuan nga
Serbia. Në Konferencën e Paqes në Bukuresht (1913) Maqedonia u nda
ndërmjet: Greqisë, e cila e mori bregun e Egjeut të Maqedonisë, me qendër
Selanikun (mbi 50% të këtij territori); Serbisë, e cila e mori rajonin e gjerë
rreth rrjedhës së sipërme të Vardarit, të cilit, pas disfatës së Bullgarisë në
Luftën I Botërore, iu shtua edhe qarku i Strumicës; dhe Bullgarisë, së cilës i takoi
pjesa më e vogël Maqedonia e Pirinit (diç më tepër se një e dhjeta e këtij
territori). Me fjalë të tjera, që nga viti 1912 e deri në shpërbërjen e
amalgamës jugosllave (1991) sllavo-maqedonasit, të cilët, siç u tha më sipër,
s’janë veçse bullgarë, bashkëjetojnë me Serbinë, me serbët dhe me
serbosllavinë. Si rrjedhojë, kjo bashkësi sllavo-folëse, nuk është: as bullgare
dhe serbe, por është një përzierje bullgaro-serbe.
Në
kontestin midis Shkupit dhe Athinës, faktori ndërkombëtar dëshiron një zgjidhje
të llojit: Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet.
Por,
preokupimi i VMRO-së rreth identitetit maqedonas është artificial dhe i pabazë.
Rrjedhimisht del se në Maqedoni ekziston vetëm një problem real – çështja
shqiptare dhe rregullimi i marrëdhënieve ndëretnike – shqiptaro-maqedonase. Me
stabilitet ndëretnik të brendshëm Maqedonia do t’u bënte ballë synimeve
ekspansioniste të fqinjëve.
Në
agjendën e faktorit ndërkombëtar, nuk janë kërkesat e shqiptarëve, por çështja
e identitetit maqedonas si dhe kontesti me Athinën. Para ndërkombëtarëve,
kërkesat e shqiptarëve janë në plan të dytë. Kërkesat e shqiptarëve janë
viktimë e dy çështjeve të sipërthëna: e krizës së identitetit maqedonas dhe e
problemit me Greqinë.
Por,
zgjidhja e kërkesave të shqiptarëve nuk është në kolizion me synimet e VMRO-së
për të krijuar identitetin maqedonas. Me fjalë të tjera, zgjidhja e kërkesave
të shqiptarëve nuk i rrezikon synimet e VMRO-së për të krijuar kombin
maqedonas. VMRO-ja ndërkaq, kombin maqedonas synon ta krijojë në dëm të
shqiptarëve, duke ua mohuar atyre statusin e popullit shtetformues. VMRO-ja
duket sikur thotë: “Nuk mund t’ua njohim shqiptarëve statusin e popullit
shtetformues, kur maqedonasit janë pa identitet, janë në rrugë të kërkimit të
identitetit, kanë krizë identiteti”. D.m.th. prej qorrit, mos kërkoni sy.
Në
këtë mes, VMRO-ja lufton në dy fronte:
- e
para, kundër shqiptarëve brenda;
– e
dyta, kundër Athinës – rreth identitetit.
Shtrohet
pyetja: Nga e merr forcën VMRO-ja, për të luftuar në dy fronte?! Mbase, nuk
është pa mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.
Është
naive të besohet se një Gruevski mund t’u bëjë ballë:
–
shqiptarëve;
–
vendeve të rajonit; dhe
–
faktorit ndërkombëtar – SHBA-së, NATO-s dhe BE-së.
Rrjedhimisht
del se nacionalizmi i VMRO-s nuk është pa mbështetjen e të huajve. Por, derisa
të huajt tregojnë mirëkuptim për politikën nacionale të VMRO-së, në asnjë
mënyrë ata nuk e mbështesin ideologjinë nacionaliste të saj. Pra, ndërmjet
politikës nacionale të një shteti në krijim, dhe ideologjisë nacionaliste të
tipit të shekullit XIX (shekull i krijimit të kombeve), të huajt mund të kenë
mirëkuptim vetëm për politikën nacionale, por jo edhe për ideologjinë
nacionaliste. Kjo nënkupton që në kontestin me grekët, Gruevski duhet të
pranojë kompromis. Refuzimi i kompromisit nga Gruevski, nënkupton se
VMRO-ja ka pretendime territoriale në rajon.
Për
të mos rënë në sy se çështja shqiptare është në plan të dytë, të huajt dhe
Gruevski zbatojnë strategjinë e kompensimit. E kjo do të thotë:
– e
para, të njihet pavarësia e Kosovës; të vendosen marrëdhënie diplomatike me të;
– e
dyta, shqiptarëve t’u zgjidhen – edhe atë në mënyrë paliative apo gjysmake –
vetëm ca kërkesa kulturore, si: themelimi i galerisë së arteve, i teatrit, i
Muzeut të Kongresit të Manastirit… Asnjë nga këto kërkesa nuk janë politike.
Mirëpo,
njohja e pavarësisë së Kosovës nga Shkupi, nuk mund të jetë kompensim për
refuzimin e çfarëdo kërkese politike të shqiptarëve. Kështu sepse, raportet e
Maqedonisë me Kosovën, janë raporte ndërmjet dy shteteve të rajonit. Me fjalë
të tjera, Shkupi duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, jo vetëm për hir të
shqiptarëve në Maqedoni, por edhe për shkak të interesave të përgjithshme të të
dy vendeve dhe paqes e qëndrueshmërisë në rajon.
Duket
qartë se të huajt e marrin me të mirë Gruevskin dhe i tolerojnë
politikat antishqiptare të tij, vetëm e vetëm që të pranojë
kompromis me grekët. Duket sikur i thonë: “Ti ke rejting të madh. Kjo të
mundëson që më lehtë ta zgjidhësh kontestin me Athinën”.
Por,
rejtingu i VMRO-së dhe i Gruevskit është rritur pikërisht për tri arsye:
–
për antishqiptarizmin e tyre;
–
për synimin e krijimit të identitetit maqedonas; dhe
–
për qëndrimin e fortë ndaj grekëve.
Në
Samitin e NATO-s në Bukuresht u tha: “Maqedonia i plotëson të gjitha kushtet
për të qenë anëtare e Aleancës. I duhet vetëm ta zgjidh kontestin rreth emrit”.
Nga
kjo rezultoi se, për shefat e vendeve – anëtare të NATO-s, kërkesat e
shqiptarëve për barazi, ishin inekzistente.
E
vërteta ishte dhe është se, për të qenë anëtare e NATO-s dhe e BE-së, Maqedonia
nuk e plotëson kërkesën kryesore: shqiptarëve, që përbërjnë një të tretën e
popullsisë së Maqedonisë, t’ua njohë statusin e popullit shtetformues.
Shqiptarët
në Maqedoni janë faktor që në çdo çast mund të vënë në veprim – planin B. Me
këtë nënkuptohet: Të bashkohen, të mos hyjnë në qeveri dhe t’ia shtrojnë palës
maqedonase programin kombëtar. Refuzimi eventual i tij, do të rezultonte
me krijimin e sistemit paralel.
Të
huajt nuk e parapëlqejnë bashkimin e faktorit politik shqiptar. Sipas tyre, kjo
shpie në homogjenizim etnik, krijon njëmendësi ideologjike dhe politike, shpie
në radikalizëm, i ngadalëson proceset demokratike, destabilizon rajonin dhe
determinon edhe homogjenizimin etnik të palës maqedonase. Por, të huajt duhet
ta dinë se homogjenizimi politik i shqiptarëve imponohet si imperativ, ngase
ata luftojnë për të drejta themelore, historikisht të justifikueshme, ndërkaq
pala maqedonase nuk ka përse të homogjenizohet, përderisa e ka në dispozicion
shtetin.
Partitë
politike shqiptare, çdo dështim të vet e arsyetojnë: “Kështu na sugjerojnë të
huajt. A mund t’i refuzojmë të huajt, aleatët tanë, miqtë tanë…”
Por,
edhe miqve perëndimorë duhet t’u thuhet: “Është një vijë e kuqe të cilën
shqiptarët në asnjë mënyrë nuk mund ta tejkalojnë”. Tekembramja, çdo
familje shqiptare, e ballafaquar me probleme ekonomiko-sociale është një
histori në vete.
Kërkesat
politike të shqiptarëve ndërlidhen ngushtësisht edhe me problemet
ekonomiko-sociale të tyre.
BE-ja,
sipas standardeve të veta, popujt pa status shtetformues, i trajton pakicë apo
minoritet. S’është e rastit që BE-ja, për shumë kërkesa të shqiptarëve,
angazhon emisarë për pakica si: ambasadori i OSBE-së, gjermani Gert Arens (Geert-Hinrich
Arhens, 1934-); politikani dhe diplomati holandez Maks van der Shtul [Maximilanus
(Max) van der Stoel, 1924-2011]; Komisari i lartë i OSBE-së, diplomati
norvegjez Knut Volebek (Knut Vollebaek, 1946-).
Rrjedhimisht,
këta emisarë, për kërkesat e shqiptarëve, gjithmonë ofrojnë zgjidhje gjysmake,
minoritare.
Problemi
qëndron në faktin se vetë shqiptarët nuk e kanë të përkufizuar statusin e vet.
E konsiderojnë veten popull shtetformues, apo minoritet?! Po qe se e
konsiderojnë veten popull shtetformues, atëherë duhet të kërkojnë nga BE-ja
emisarë, jo për pakica, por për popuj shtetformues. Zhan-Pol Sartri
thotë: “Njeriu vetë është fajtor për fatkeqësinë e vet.” Shqiptarët nuk
duhet të fajësojnë VMRO-në dhe Gruevskin. Ata janë të mirë për popullin e vet.
Shqiptarët duhet ta kërkojnë fajin në vetvete. Nuk mund ta kritikosh qeverinë,
duke qenë njëherazi pjesë e saj. Kjo është hipokrizi, demagogji dhe mashtrim i
popullit..
Pavarësisht
nga kushtetuta dhe nga ligjet, si në shkallë shteti, ashtu edhe në nivel
vendor, shqiptarët duhet të mendojnë dhe të veprojnë si popull shtetformues.
Çështja shqiptare nuk është çështje ligjesh, por është çështje politike.
Jo
çdo qëndrim i të huajve është në përputhje me interesat e shqiptarëve. P.sh.,
miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, faktori ndërkombëtar në Maqedoni e
përshëndeti njëzëri. Por, doli se ky ligj është në kundërshti me vullnetin e
popullit shqiptar.
Boshti
sllavo-bizantin i Ballkanit, i mbështetur nga Rusia, që nga Kongresi i
Berlinit, nga Konferenca e Londrës dhe ajo e Parisit (1919) e deri më sot, në
kancelaritë evropiane i paraqet shqiptarët si përçues të interesit turk, arab,
persian dhe islamik në Evropë. Pikërisht për këtë arsye shqiptarët duhet të
dëshmojnë se janë popull perëndimor dhe se funksionojnë me vlerat e këtij
qytetërimi.
Ndryshe,
me vetëdije apo pa të, do ta çonin ujin në mullinjtë e Beogradit, të Athinës
dhe të Moskës.
Daljen
e faktorit politik shqiptar nga qeveria, të huajt do ta konsideronin si akt
destabilizues. Akt destabilizues do ta konsideronin edhe mos-hyrjen e tij në
qeveri. Por, mos-hyrja e shqiptarëve në qeveri, mund të rezultojë me zgjidhjen
e statusit politik të tyre. Përndryshe, mos-hyrja e shqiptarëve në qeveri dhe
moszgjidhja e kërkesave të tyre do të gjeneronte në krijimin e sistemit
paralel. Sipas të huajve, kjo do të destabilizonte Maqedoninë dhe
rajonin. Destabilizimi, sipas tyre, nuk është në favor të shqiptarëve në
Ballkan.
Shqiptarët
ndërkaq, janë të vetëdijshëm se asnjë hap nuk mund të bëjnë në rajonin sllavo-bizantin,
pa mbështetjen e SHBA-së.
Të
huajt prore flasin për demokraci multietnike. Por, politika e VMRO-së është në
kundërshti me përbërjen dyetnike të këtij vendi. Veprimet nacionaliste të saj u
refuzuan njëzëri prej shoqërisë shqiptare. Duke i përkeqësuar marrëdhëniet
ndëretnike, VMRO-ja rrezikon stabilitetin dhe perspektivën e Maqedonisë. S’e
vëren këtë faktor ndërkombëtar?!