Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Fillimet e shkrimit shqip
E hene, 03.05.2021, 08:25 PM
FILLIMET E SHKRIMIT SHQIP
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Shqiptarët
kanë hyrë në analet e historisë së dokumentuar në gjysmën e dytë shekullit XI.
Historiani bizantin Mihaelis Ataliates (Michaelis Attaleiates) është i
pari që përmendi në “Historinë” e
tij të shkruar në vitet 1079-1080 se Albanoi kishin marrë pjesë
në një kryengritje kundër Kostandinopojës më 1043 dhe se Arbanitai
ishin nënshtetas të dukës së Dyrraciumit. (Michaelis Attaliatae historia ose
Historia by Michael Attaleiates – Historia e Mihaelis Ataliates).
Historiani
Gjon Skilices (Ioannis Scylitzes, 1040-1101) përmend rreth vitit 1081 Arbanites
si pjesë të trupave të mbledhur në Durrës nga Niqifor Basilaku (Nicephorus
Basilacius).
Për
ekzistencën e gjuhës shqipe për herë të parë bëhet fjalë aty nga fillimi i
shekullit XIV. Janë katër përmendje të shqipes midis viteve 1285-1332.
Për
herë të parë gjuha shqipe përmendet në vitin 1285 në Raguzë (Dubrovnik), ku për
njëfarë kohe ka pasur një bashkësi shqiptare të konsiderueshme. Në një proces
gjyqësor thuhet: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua
albanese” (Dëgjova një zë që thërriste në male në gjuhën shqipe.”.
Njëzet
vjet më vonë kemi një përshkrim të Shqipërisë në Anonymi Descriptio Europae
orientalis (Përshkrim anonim i Evropës Lindore) – një tekst mesjetar i
vitit 1308 që përmban një vështrim mbi tokat e Evropës Lindore, në veçanti mbi
vendet e Ballkanit. Autori është anonim, d.m.th. nuk dihet. Në tekstin e sipërthënë
flitet për Greqinë Bizantine, Rashkën, Bullgarinë, Rutheninë, Hungarinë,
Poloninë dhe Boheminë. Teksti përmban edhe një pjesë për Shqipërinë. Kjo
pjesë mbyllet me një përmendje të gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati
linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt
cum aliis nationibus” (Shqiptarët e sipërpërmendur kanë një gjuhë që dallohet
nga ajo e latinëve, grekëve dhe sllavëve, kështu që kurrsesi nuk mund të merren
vesh me popuj të tjerë.)
Për
herë të tretë shqipja përmendet në njoftimin e një pelegrini gjatë udhëtimit
për në Tokën e Shenjtë më 1322. Dy pelegrinë anglo-irlandez, Symon Simeonis dhe
Hugo Illuminator (Hugo Ndriçuesi), gjatë udhëtimit u ndalën në Shqipëri. S.
Simeonis i Urdhrit Françeskan bëri një përshkrim të gjallë të asaj që pa në
bregdetin shqiptar, në Ulqin, në Durrës. Përshkrimet e S. Simeonisit njihen me
emrin Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Udhëtimi i
Simon Simonit nga Irlanda në Tokën e Shenjtë). Dorëshkrimi ruhet në
bibliotekën Corpus Christi College në Kembrixh (Cambridge). S. Simeoni,
midis tjerash shkruan: “Albanya est provincia inter Sclavoniam et
Romanyam, per se linguam habens” [Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë
(sllavëve) dhe Romanisë (Bizantit), me një të vetën.]
Gjuha
shqipe përmendet edhe në vitin 1332 nga murgu dominikan frëng Brokard
ose Frère Brochard (Brocardus monachus). Në veprën “Directorium ad passagian
faciendum” Broakardi shkruan: “Licet Albanenses aliam amnio
linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et
in omnibus suis libris” (Shqiptarët në të vërtetë kanë një gjuhë krejt të
ndryshme nga latinishtja, ndonëse përdorin shkronjat latine në të gjithë librat
e tyre).
A ka
pasur vërtet Brokardi në dorë ndonjë libër në gjuhën shqipe, kjo deri më sot
nuk është dëshmuar.
* * *
Shqipja
është gjuha kombëtare e fundit në Evropë që është dokumentuar. Janë disa
dokumente të shkruara në latinisht për shqiptarët. Me fjalë të tjera, nuk ka
gjurmë të rëndësishme të gjuhës shqipe që të datojnë para shekullit XV.
Teksti
Bellifortis - Në
dorëshkrimin Bellifortis të vitit 1405, pjesa më e madhe e të cilit është
shkruar në latinisht, që ruhet Musée Condé në Château de Chantilly (ms.
348/663, fol. 153v) në veri të Parisit, është një shtojcë prej 29 rreshtash në
latinisht. Supozohet se tetë rreshta të ndërfutura në tekstin latin, janë
shkruar në shqipen e hershme.
Formula
e pagëzimit -
Teksti më i lashtë në gjuhën shqipe është një formulë pagëzimi e vitit 1462, e
që ka këtë përmbajtje: “Unte paghesont premnit Atit et birit et spertit
senit” (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të
Shenjtë). Autor i kësaj formule është Pal Engjëlli (rreth
1417-1470), argjipeshkëv i Durrësit dhe mik i ngushtë e këshilltar i Gjergj
Kastriotit (1405-1468). Këtë përkthim në shqipe të formulës së pagëzimit,
Pal Engjëlli e përfshiu në një letër pastorale me rastin e një sinodi të
mbajtur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Mat më 8 nëntor 1462. Teksti u zbulua
në Bibliotekën Laurentiane në Firence nga dijetari rumun Nikolla Jorga (Nicolae
Iorga, 1871-1940) dhe u botua prej tij në vitin 1915. (Ka që thonë se Nikolla
Jorga është me prejardhje shqiptare).
Fjalia
shqipe në një pjesë teatrale - Në vitin 1483 ndeshemi me një fjali në
gjuhën shqipe në një pjesë teatrale me titull “Epirota”. Në këtë komedi
një këngëtar epirot (d.m.th. shqiptar) i quajtur Damasken mallkon një hanxhi që
nuk ia pëlqen këngët, me fjalët Dramburi te clofto goglie (T’u
dridhte goja). Mallkime të tilla përdoren edhe sot: “T’u mbylltë goja”,
“T’u thaftë gjuha”. Pjesa teatrale u botua në Venedik më 1483, ndërsa kjo
frazë u botua më 1972.
Ungjilli
i Pashkëve ose Perikopeja
- Dokument tjetër i shqipes së hershme është Ungjilli i Pashkëve ose
Perikopeja. Janë pesëmbëdhjetë rreshta në shkronja greke, të
përkthyera nga Ungjilli i Shën Mateut. U zbulua në vitin 1906 në një dorëshkrim
greqisht, nga historiani grek Spiridon Lampros (1851-1919). Dorëshkrimi
ruhej në Bibliotekën Ambroziane në Milano. Teksti, autori i të cilit nuk dihet
është në dialektin toskë. Për vjetërsinë e tekstit vlerësimet
shkojnë nga shekulli XIV në shekullin XVIII. Një analizë paleografike e tekstit
e përcakton si shkrim të kohës nga shekulli XV në shekullin XVI.
Fjalori
i Arnold fon Harfit - Dokumenti tjetër i
shqipes së shkruar është fjalori shqip i Arnold fon Harfit (Arnold von
Harff, rreth 1471-1505). Është i vitit 1497. Fon Harfi ishte një kalorës
gjerman, udhëtar dhe shkrimtar. Në vitin 1496 u nis për një udhëtim, me sa
duket në një pelegrinazh në Tokën e Shenjtë. Kaloi nëpër Itali, nëpër bregdetin
shqiptar, në Greqi, në Egjipt, në Arabi, në Palestinë, Azi të Vogël. Në të
kthyer, erdhi Spanjë, në Francë, në Evropën Qendrore. U kthye në Këln në vitin
1498 ose 1499 dhe vdiq më 1505. Gjatë udhëtimeve mblodhi materiale mbi gjuhët
që ndeshi në vende të ndryshme. Në portin e Durrësit u ndal në pranverë të
vitit 1497. Këtu shënoi 26 fjalë, 8 fraza dhe 12 numra në shqip. I shënoi bashkë
me përkthimin në gjermanisht në ditarin e tij të udhëtimit. Përshkrimet e këtij
udhëtimi u botuan në vitin 1860 dhe konsiderohen si shembuj më të mirë të kësaj
gjinie, aq të përhapur në fund të periudhës së mesjetës. Fon Harfi krijoi edhe
fjalorë të shkurtër me fjalë e shprehje në gjuhët kroate, greke, arabe,
hebraike, turke, hungareze, baske dhe bretone. Në
këta fjalorë xhepi ai shënoi terma ushqimorë, shtëpiakë dhe të udhëtimit, si
dhe fraza të nevojshme si: “Mirëmëngjesi”, “Sa kushton kjo”, “Grua, a
mund të flemë bashkë sonte?” Këtë pyetje në fjalorin shqip nuk e kishte
shënuar, në fjalorët e gjuhëve të tjera – po.
Me të
mbërritur në Durrës, fon Harfi shkruan: “Nga Ulqini në Durrës lundruam me
një erë shumë të fortë. Ky është një qytet i madh i rrënuar nga turqit, e që
tani është nën sundimin e Venedikut. Ky qytet shtrihet në Shqipëri, ku banorët
e kanë edhe gjuhën e tyre, e cila nuk mund të shkruhet mirë, meqë në këtë vend
ata nuk e kanë alfabetin e vet. Kam hedhur në letër disa fjalë të kësaj gjuhe shqipe,
të cilat po i jap më poshtë me alfabetin tonë (gjerman):
bukë,
verë, ujë, mish, djathë, vezë, uthull, një pulë, peshk, kripë, mirë, keq, ha,
pi, tavernë, burrë, grua, parà, po, jo, zot, dreq, qiri, një kalë, elb, fle,
mirëmëngjesi, mirëmbrëma, mirëdita, çfarë ke që më pëlqen, sa bën, do ta ble,
laj këmishën time, si quhet, një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, shtatë, tetë,
nëntë, dhjetë, njëqind, njëmijë;
Fjalë
të caktuara Arnold fon Harfi nuk i ka kuptuar drejt, ndaj disa prej tyre duhet
ta kenë kuptimin: me ngrënë, një njeri, ashtu, mirë se vjen, a ke gjëkafshë
të re, qysh vlen kjo kafshë (sa kushton kjo gjë, ky send), laj një këmishë.
Shënim: Fon Harfi fjalët në
regjistrin e vet i ka shkruar vertikalisht, d.m.th. njërën pas tjetrës.
Fon
Harfi përdori mbi shqipen drejtshkrimin e tij gjerman, i cili nuk mund të
respektonte fonemat e shqipes që ndryshojnë nga ato të gjermanishtes.
Transkriptimi i shqipes prej tij nuk është më i keq se ai i teksteve të tjera
të asaj kohe. Fjalori i tij i xhepit do të mund të përdorej nga të huajt deri
diku edhe sot.
* * *
KU
FLITET SHQIPJA SOT –
Përpos në Shqipëri, shqipja flitet në trojet shqiptare në Ballkan:
- Në Republikën
e Kosovës;
- Në Kosovën
lindore – Preshevë, Bujanoc, Medvegjë;
- Në Maqedoninë
e Veriut - Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Kumanovë
dhe rrethinë, Manastir, Resnjë, Prespë, Krushevë, në do fshatra të Velesit dhe
të Prilepit;
- Në Mal
të Zi, kryesisht përgjatë kufirit me Shqipërinë, d.m.th. në rajonet e
malësisë së Gucisë, Plavës, në Hot, në Grudë, në Tuz në jug të Podgoricës, në
Ulqin etj.;
- Në Çamëri.
Shënim:
1.
Ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Greqia ka ushtruar gjenocid, ka ndjekur ndaj tyre
politikën e tokës së djegur, i ka dëbuar nga trojet e tyre etnike historike.
2.
Gjenocid ndaj shqiptarëve ka ndjekur Serbia, si në kohën e Mbretërisë
Jugosllave, ashtu edhe në kohën e Rankoviqit. Kosova fitoi një sasi pavarësie
në vitet 1974-1985. Në vitet 1985-1989 u ringjall tendenca e Serbisë për ta
rinënshtruar Kosovën dhe për ta rikthyer rrotën e historisë. Në këtë fazë
(1985-1989) ndaj shqiptarëve në Jugosllavi veproi boshti antishqiptar i krimit
Shkup-Beograd-Titograd (sot Podgoricë).
3.
Serbia ka ndjekur dhe vazhdon të ndjekë edhe sot gjenocid të heshtur ndaj
shqiptarëve të Kosovës lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
4.
Gjenocid ndaj shqiptarëve ka ndjekur edhe Mali i Zi. Si rrjedhojë, shumë
shqiptarë u detyruan të shpërngulen për në ShBA dhe gjetkë.
5.
Politikë diskriminuese, restriktive dhe opresive ndaj shqiptarëve ka ushtruar
edhe Maqedonia, që nga viti 1944 e këndej.
Si
pasojë e gjenocidit të boshtit të krimit Shkup-Beograd- Titograd (Podgoricë)
ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, prej vitit 1912 e këndej, qindra mijë shqiptarë
u detyruan të shpërngulen nga trojet e veta etnike historike, u depërtuan për
në Turqi dhe gjetkë.
Për të
mbijetuar, një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në ish-Jugosllavi u
vendosën në Kroaci, në Slloveni, në Bosnjë dhe Hercegovinë.
* * *
Shqipja
e arbëreshëve të Italisë – Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit më 1468, për t’i
shpëtuar dhunës së Perandorisë Osmane, shumë shqiptarë u shpërngulën për në Kalabri
dhe Sicili. Si pakicë gjuhësore, arbëreshët tani përbëjnë rreth 90.000
folës. Shumë prej tyre jetojnë në fshatrat malore të Kozencës në Kalabri dhe në
afërsi të Palermos në Sicili.
Shqipja
në Greqi – Një
numër i madh i shqiptarëve që popullonin në mesjetën e vonë një pjesë të mirë të zonës qendrore dhe
jugore në Greqi, është asimiluar gjerësisht. Megjithëkëtë, gjuha shqipe e
atjeshme, e njohur si arbërishte (në greqisht – Arvanitika),
mund të dëgjohet ende në 320 fshatra, kryesisht përreth Levadhias, në
Eubenë e jugut (Evinë), në Atikë, në Korint dhe në Androsin verior. Shqipja e
tyre nuk gëzon ndonjë status zyrtar. Arbërishtja që flitet në Greqi
konsiderohet si forma më arkaike e shqipes që flitet sot.
Shqipja
në Rumani dhe në Bullgari – Në shekullin XIX lulëzuan bashkësi të mëdha emigrantësh
shqiptarë në Rumani dhe në Bullgari, me institucionet e tyre kulturore
(shoqata, klube, gazeta, shtypshkronja, shkolla). Shqiptarët ishin të
përqendruar kryesisht në Bukuresht dhe në Sofje. Shqipja mund të dëgjohet sot
në rajonin kufitar bullgaro-greko-turk, sidomos në fshatin bullgar të Mandricës.
Shqipfolësit
në Ukrainë – Një
numër i paktë shqipfolësish gjenden në Ukrainë, sidomos në katër fshatra (Zhovtnevoje,
Gamovkë, Georgievkë dhe Denveskoje) në krahinat e Melitopolit
dhe të Odesës (tani të pushtuar nga Rusia). Shqiptarët e sotëm të
Ukrainës janë pasardhës të kolonëve të shekullit XIX të ardhur nga krahina e
Varnës në Bullgari. Në vitin 1959, numri i tyre vlerësohej në rreth 5000.
Shqipja
në Turqi –
Thuhet se në Turqi jeton një numër tejet i madh i shqiptarëve. Ka që thonë se
janë me miliona. Numrin e saktë të tyre askush s’e di. Turqia kurrë s’i ka njohur
shqiptarët si etnitet. Gjuha shqipe nuk ka pasur një status zyrtar. Gjuha e një
etniteti mund të kultivohet, të ruhet, të mbrohet dhe të zhvillohet vetëm
nëpërmjet shkollimit në gjuhën amtare. Ndryshe, gjuha e atij etniteti vdes.
Shqipja
në kolonitë shqiptare në Egjipt dhe në Siri – Pak kanë mbetur nga ato koloni shqiptare që
lulëzonin dikur nëpër kolonitë shqiptare në Egjipt dhe në Siri. Pakica
shqiptare në Egjipt tani është shkrirë. Pakica shqiptare mund të gjendet deri
diku në Siri, sidomos në Damask.
Shqipja
në diasporë –
Shumë shqiptarë punojnë dhe jetojnë në vende të ndryshme të Evropës – në
Gjermani, në Zvicër, në vendet skandinave, në Austri, në Itali, në Francë, në
Britani të Madhe etj. Pas vitit 1991 qindra mijë shqiptarë të Shqipërisë
emigruan në Greqi dhe në Itali. Ata dhe fëmijët e tyre, në mjedisin familjar
flasin shqip. Fëmijët, nipat dhe mbesat e tyre shkollohen në gjuhët e vendeve
ku janë vendosur. Në raste të caktuara, për ta ruajtur gjuhën amtare, angazhojnë mësues nga
Shqipëria, nga Kosova etj. Synimi i vendeve perëndimore është t’i integrojnë në
shoqëri, gjë që mund të shkaktojë asimilimin e përshpejtuar të tyre.
Shqipja
në Kanada, në Australi dhe në Argjentinë – Deri në njëfarë mase shqiptarë hasim edhe
në Kanada, në Australi dhe në Argjentinë.
Shqipfolësit
në ShBA –
Shqiptarët në Amerikë kanë qenë të përqendruar sidomos në Boston, në Nju-Jork,
në Kënetikët, në Nju-Xhersi, në Detroit. Shqiptarët emigruan në ShBA edhe pas
viti 1991.
* * *
Duke
qenë se jetojmë në kohën e kompjuterit, të internetit, të komunikimit satelitor
dhe të telefonisë celulare shqiptarë mund të hasim në shumë vende të botës.
Shkojnë për punë, për ekzistencë, “për një jetë më të mirë”, për shkollim, për
veprimtari ekonomike. Një pjesë e tyre kthehen në mëmëdhe, të tjerë kurrë nuk
kthehen në atdhe.
Numri
i saktë i shqiptarëve në trojet e tyre etnike dhe në botë nuk dihet. Thuhet se
janë shtatë milionë, por ka që thonë se ky numër është shumë më i madh.