Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Humbje e kohës politike
E diele, 25.07.2021, 10:28 AM
BASHKËQEVERISJA ME VMRO-në - HUMBJE E KOHËS POLITIKE
Synimi
i VMRO-së - dekapitacioni i politikës shqiptare
Nga
Xhelal Zejneli
Ndaj
partive politike shqiptare, faktori politik sllavo-maqedonas, e sidomos VMRO-ja
ka zbatuar strategjinë e dobësimit të tyre. Për këtë
strategji, faktori politik shqiptar duket sikur nuk ka njohuri të duhura.
Thelbi i kësaj strategjie është: hapësira politike shqiptare në Maqedoni të
mbetet pa mbartës të proceseve politike. Në fillim të
viteve ’90, mbartëse e proceseve politike në hapësirën
politike shqiptare ishte PPD-ja. U bë ç’mos që roli dhe ndikimi i saj të
reduktohet. Pas saj, mbartëse e proceseve politike u bë
PDSH-ja. Me shpërthimin e luftës së 2001-shit, edhe roli dhe ndikimi i këtij
subjekti u relativizua. Pas 2001-shit, mbartëse e proceseve politike në
hapësirën politike shqiptare u bë BDI-ja. Duke qenë parti e
dalë nga lufta dhe duke qenë një kohë të gjatë në qeveri, BDI-ja arriti një
shtrire të gjerë në popull. Që të tri partitë e
sipërthëna kanë pasur elemente të lëvizjeve popullore.
Sipas strategjisë sllavo-maqedonase, sapo forcohej njëra, duhej të lindte
tjetra. Ose, sapo kanosej me radikalizim njëra, duhej të krijohej tjetra. Me
strategjinë e dobësimit të faktorit politik shqiptar, VMRO-ja synon të
kryejë dekapitacionin e politikës shqiptare, në mënyrë
që hapësira politike shqiptare të mbetet pa promotor dhe pa mbartës të
proceseve politike.
Për ta relativizuar peshën e faktorit
politik shqiptar, pala sllavo-maqedonase zbaton strategjinë e mëposhtme:
- të refuzohet çdo kërkesë politike
e partisë shqiptare që është pjesë e qeverisjes;
- të drejtat e shqiptarëve të maten
në shtratin e Prokrustit;
- kohë pas kohe, të pranohet vetëm
ndonjë kërkesë jopolitike e partisë shqiptare në
pushtet;
- të mundësohet dhe të lejohet korruptimi
i funksionarëve shqiptarë që janë në organet ekzekutive dhe në ato
ligjvënëse të shtetit;
- funksionarët shqiptarë që janë në
organin ekzekutiv dhe ligjvënës, të vihen nën hipotekën e
organeve të caktuara të shtetit;
- pasi të jenë korruptuar
funksionarët, partia politike shqiptare të instrumentalizohet nga
shteti për interesa të tij;
- korruptimi i funksionarëve
shqiptarë të mbahet sekret, për t’u bërë publike kur të jetë
e nevojshme;
- ndaj spektrit politik shqiptar të
ndiqet politika divido et impera;
- elementi përçarës në
hapësirën politike shqiptare të mbështetet, të mbrohet, të ledhatohet
dhe të tolerohet në të gjitha mënyrat.
BDI-ja është parti politike me rol,
ndikim dhe shtrirje të gjerë. Si e tillë, ajo është mbartëse e
proceseve politike në hapësirën politike shqiptare. Nëpërmjet
strategjisë së sipërthënë, VMRO-ja synon që këtë parti të madhe ta privojë nga
roli i promotorit të proceseve politike në hapësirën politike
shqiptare. Duhet thënë se strategjia defaktorizuese e VMRO-së nuk arriti ta ulë
rejtingun e BDI-së. Që nga themelimi i saj e deri më sot, ky subjekt politik
kryesisht e ka ruajtur shtrirjen dhe ndikimin e vet në elektorat. Kështu sepse
kemi të bëjmë me një elektorat social, që rëndom anon nga
partia në pushtet.
Duke e marrë partinë humbëse në
qeveri, VMRO-ja ka për qëllim ta defaktorizojë BDI-në
dhe ta margjinalizojë rolin e saj në proceset politike.
Po qe se Gruevski e merr në qeveri
partinë shqiptare humbëse, atëherë mund të ndodhë që:
- të pranohet ndonjë kërkesë jopolitike e
partisë shqiptare humbëse, sidomos ndonjë që ka të bëjë me ekonominë dhe me
infrastrukturën;
- të zgjidhet kontesti rreth emrit me
Greqinë dhe Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s.
Si rezultat i këtij skenari të
paramenduar, roli dhe ndikimi i PDSH-së humbëse do të duhej të rritej, ndërsa
roli dhe ndikimi i BDI-së në elektoratin shqiptar, mbase do të relativizohej.
Me një ndikim të reduktuar, BDI-ja nuk do të ishte më mbartëse e
pakontestueshme e proceseve politike në hapësirën
politike shqiptare.
Me këtë strategji të VMRO-së, çështja
shqiptare do të mbahej nën kontroll, ndërsa kërkesat politike të
shqiptarëve do të mbeteshin jashtë agjendës së qeverisë.
Çështja shqiptare do të shndërrohej në problem infrastrukturor, si:
ndërtimi i ndonjë ujësjellësi apo i ndonjë salle fizkulture, shtruarja me
bekaton e ndonjë rruge fshati etj. Shqiptarët do të mbeteshin pa e zgjidhur
çështjen e statusit politik dhe juridik. Pra nuk do t’ia dilnin të bëhen popull
shtetformues. Hapësira politike shqiptare, për një kohë të
caktuar, do të mbetej pa mbartës të proceseve politike.
Mirëpo Gruevski duhet ta ketë
parasysh faktin se anashkalimi i partisë shqiptare e cila e ka fituar shumicën
e votave të votuesve shqiptarë, nuk do të kalonte pa pasoja në planin politik
dhe ndëertnik.
Me strategjinë e sipërthënë, faktori
politik sllavo-maqedonas synonte të parandalojë forcimin e
partive politike shqiptare që ishin në pushtet. Përkundër kësaj strategjie,
BDI-ja ia dilte të shtrijë ndikimin e vet në elektoratin shqiptar. Një parti
politike shqiptare, sapo e rrit rolin dhe ndikimin e vet në popull, faktori
politik sllavo-maqedonas, në përputhje me strategjinë e
dobësimit ndërmerr masa për defaktorizimin e saj.
Faktori politik shqiptar gjithmonë ka
qenë në pozitë të rëndë. Në njërën anë, kërkesat politike të tij, pala
sllavo-maqedonase, sidomos VMRO-ja e Gruevskit, i ka refuzuar,
ndërsa në anën tjetër, ka pasur përgjegjësinë historike të mbrojë
interesin shqiptar. Kur faktori politik shqiptar nuk ia del të mbrojë
interesin kombëtar, ai nuk ka rrugë tjetër përpos të radikalizohet.
Radikalizimi, i imponohet atij. Është më se e qartë: kërkesat e shqiptarëve nuk
janë radikale, por reale. Për faktorin politik
shqiptar, “radikalizimi” paraqitet si imperativ.
Po qe se në mandatin vijues, partia politike shqiptare që ka qenë e
shpërfillur gjatë bashkëqeverisjes, nuk “radikalizohet”, atëherë
ajo mund ta pësojë fatin e PPD-së dhe të dalë nga skena politike. Ka analistë
sllavo-maqedonas të cilët “radikalizmin” e partisë shqiptare më të madhe e
cilësojnë si destruksion politik dhe si mungesë e lojalitetit ndaj shtetit.
Ka opinione sipas të cilave qendrat
politike shqiptare të vendosjes – Tirana e Prishtina dhe qendrat politike
ndërkombëtare të vendosjes – Uashingtoni e Brukseli nuk parapëlqejnë një faktor
politik shqiptar të fuqishëm në Maqedoni. Për se?! Për arsye
se një faktor politik shqiptar i fuqishëm, nuk mund të kontrollohet lehtë dhe
mund të kanoset me radikalizim , gjë që do të
gjeneronte krizë dhe destabilizim, si në Maqedoni ashtu edhe në rajon.
Opinionet e këtilla janë të diskutueshme.
Duhet shtuar se ndërkombëtarët nuk
parapëlqejnë që në skenën politike të mbizotërojë vetëm një parti. Sipas
tyre, kjo shkon në dëm të proceseve demokratike. Me një fjalë,
ndërkombëtarët parapëlqejnë baraspeshë forcash politike.
Faktori politik shqiptar në Maqedoni
duhet të dijë: nuk mund të jesh vite me radhë në qeveri, të mos i zgjidhësh si
duhet kërkesat politike të shqiptarëve, të pasurohesh
brenda nate pa merita dhe në kurriz të popullit, të instrumentalizohesh nga
pala sllavo-maqedonase dhe në fund të radikalizohesh.
Radikalizimi i vonuar nuk çon shumë peshë, po qe se nuk ke qenë në krye të
detyrës gjatë mandatit të qeverisjes. Faktori politik shqiptar do të
duhej “të radikalizohej” qysh në vitin 2006, përkatësisht
2008. Partia politike shqiptare e fillon veprimin politik me ideologji
kombëtare. Hyn në qeveri pa marrëveshje politike konkrete me palën
sllavo-maqedonase dhe gjatë bashkëqeverisjes shndërrohet në parti të
moderuar. Një kthesë e tillë, nuk është veçse salto
mortale politike. Në vitin 2006 PDSH-ja hyri në qeveri si humbëse,
ndërsa në vitin 2008, BDI-ja u bë pjesë e bashkëqeverisjes, pa ndonjë
marrëveshje politike konkrete. Vonimi i proceseve politike është pasojë e
këtyre veprimeve groteske. Zvarritja e proceseve politike shpie në humbjen e kohës
politike.
Çështja shqiptare në Maqedoni nuk
është punë fushate zgjedhore. Kauza shqiptare është çështje e një marrëveshjeje
historike, politike dhe parimore midis dy popujve: shqiptarëve dhe
sllavo-maqedonasve. Ndryshe, Maqedonia dhe rajoni nuk kanë për të qenë të
qëndrueshëm. Veprimet jopolitike dhe apolitike të
faktorit politik shqiptar janë në funksion të drejtpërdrejtë të strategjisë
sllavo-maqedonase, për ta privuar atë nga roli i mbartësit të
proceseve politike.
Partia politike shqiptare që është në
qeveri, kur has në qëndrimin refuzues të partnerit të koalicionit, ndërmerr
veprime politike private. Nuk duhet harruar se veprimet politike
private nuk mund ta kenë vlerën dhe rëndësinë e politikës zyrtare.
Partia shqiptare në pushtet, e ballafaquar me rezistencën e partnerit të
koalicionit, e konsideron sukses edhe politikën e vet defensive.
Një politikë e tillë - defensive nuk është veçse një arritje e
pjesshme. Gjatë fushatës parazgjedhore VMRO-ja i numëron investimet kapitale në
Shkup dhe në pjesën lindore të Maqedonisë, ndërsa në viset
shqiptare nuk është bërë asnjë investim i madh.
Pala sllavo-maqedonase, ndaj faktorit
politik shqiptar zbaton luftë speciale. Shqiptarët nuk
duhet të lejojnë të jenë pre e një lufte të tillë.
Gruevski duhet ta dijë se me kokën
prapa, nuk shkohet para.
Prill 2014