Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Kultura masive, kulturë dhe jo reality
E hene, 06.09.2021, 09:00 PM
KULTURA MASIVE
KULTURË DHE JO REALITY
Nga
Xhelal Zejneli
Kultura masive apo
kultura e masës ndodhet kudo përreth nesh. Në shtëpi, në rrugë, në shkollë,
nëpër qendrat tregtare, në salla të kinemave ...Njerëzit janë të rrethuar me
të, pa e kuptuar se ajo plotësisht e ka në dorë jetën e tyre. I konsumojnë
prodhimet e saj, pa e ditur se kësisoj bëhen masë pa formë të cilën e udhëheqin
nga ndonjë fron të panjohur për ta. Nuk e kuptojnë se ç’ndodh në të vërtetë,
edhe pse ajo ua jep formën dhe bëhet shprehi pa të cilën ata nuk mund të
jetojmë. E blejnë, vishen, pinë, gjykojnë dhe ecin në drejtimin që e dëshiron
ajo, marrin vendime për të cilat mendojnë se janë të tyre, por në të vërtetë
janë të huaja. Jetojnë sipas rregullave dhe shijeve të saj pa qenë të
vetëdijshëm se e kanë zgjedhur rrugën që e devijon fatin e vërtetë të tyre,
individualitetin, krijimtarinë dhe kreativitetin e tyre. Në vend që njerëzit ta
dirigjojnë kulturën masive apo kulturën e masës, ata kanë lejuar që ajo t’i
dirigjojë.
Për ta kuptuar
kulturën masive duhet ditur se ç’është ajo që e ka determinuar lindjen dhe ngritjen e saj. Si mund të përkufizohet
apo të definohet kultura masive?
Kultura masive
është bërë domosdoshmëri e botës bashkëkohore, sidomos e një pjese të madhe në
të cilën mbizotëron koncepti materialist i marrëdhënieve shoqërore. Pa të, nuk
mund të paramendohen strategjitë e rritjes dhe të zhvillimit, për arsye se
pjesa më e madhe e njerëzimit mbështetet në prodhimin industrial dhe varet pre
tij. Tregu botëror është synimi i çdo shoqërie dhe shumë kultura kombëtare
shansin e vet e shohin në integrim, pa i bërë ballë globalizmit të shfrenuar, i
cili ngadalë dhe në mënyrë tejet të sigurt i rrafshon vlerat kulturologjike
autentike për t’u dhënë tipare të
masivizuara me karakter uniform të përhershëm.
Kultura masive përkufizohet
shkurtimisht si një mori shfaqjesh, përkatësisht krijimesh materiale dhe
jomateriale të punës njerëzore me të cilat plotësohen apo kënaqen nevojat e
thjeshtësuara të njerëzve. Duke marrë parasysh faktin se ajo që quhet kulturë e
lartë, e rafinuar apo fine është e dedikuar për një numër më të vogël
njerëzish, përpjesëtimisht me aftësitë e tyre për perceptim përkatës, të
kushtëzuar nga dituria dhe nga sensibiliteti specifik, mbetet që në kulturën
masive të gjejnë strehim një numër i madh i njerëzve, d.m.th. masat të cilat
nuk janë në gjendje për të konsumuar apo për të kuptuar forma artistike të
ndërlikuara dhe të cilët fare nuk i tërheq përmbajtja artistike që kërkon
angazhim mendor të veçantë.
Duhet ditur se
çfarë force përvetësuese apo pushtuese ka kultura masive dhe çfarë ndikimi ka
ajo te njeriu bashkëkohor? Lloji i lidhjeve dhe i marrëdhënieve që është
karakteristike për shoqërinë masive dhe për kulturën masive buron nga
organizimi industrial dhe tregtar, institucioni themelor i të cilës është tregu
kapitalist. Kjo është më e theksuar në kushtet e qyteteve të mëdha. Qyteti
rrezaton me ndikime ekonomike, organizative, institucionale dhe intelektuale.
Të gjitha marrëdhëniet në të, mbështeten në mekanizmin e parasë e cila në
shoqëri bëhet mjet ndikimi i përgjithshëm dhe i fuqishëm. Në kushte të tilla as
kultura nuk mund të qëndrojë larg tregut të parasë dhe nocionit të forcës.
Pikërisht këtu qëndron edhe forca pushtuese e kulturës masive e cila bëhet edhe
epiqendër e ndikimit mbi njeriun bashkëkohor i cili në radhë të parë kërkon
jetë komode, argëtim të lehtë, forma dhe përmbajtje të thjeshta, të zakonshme
apo të rëndomta. Të gjitha këto që do t’i konsumojë t’i kushtojnë pak.
Duhet ditur se
kush janë kreatorë dhe konsumues të kulturës masive dhe kush janë idhujt e
tyre.
Kulturën masive e
krijojnë dhe e nxisin kompanitë shumëkombëshe të cilat tregun botëror synojnë
të rrëmbejnë pozicion sa më të mirë dhe për këtë më së shumti u ndihmojnë
mediumet masive. Duka marrë parasysh faktin se komercializmi
është karakteristika kryesore, atëherë është më se e qartë se kjo kulturë e
masivizuar mund të sigurohet po qe se i shpërndahet një popullate sa më të
madhe. Një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur po qe se kërkesat për konsumim
ngrihen në nivel më të lartë. Rrjedhimisht, kërkohet një mesatare, edhe për nga
dituria edhe për nga arsimimi edhe për nga mundësitë e pagesës.
Kultura masive
krijon dhe plason në një treg sa më të madh produkte që kushtojnë pak pa
kërkuar me këtë rast nga konsumuesit diç më tepër se prozaizmi dhe të qenët të
sipërfaqshëm. Siç shihet pra, grup targetimi janë njerëzit të cilët me gjithë
dëshirë do të konsumojnë coca-colë përkundër faktit se kjo pije mund të
mos jetë e dobishme ose do të kënaqen në programet reality përkundër
faktit se kemi të bëjmë me një paradë imoraliteti dhe kiçi. Në mesin e
konsumuesve të produkteve të kulturës masive, ndonjëherë mund të gjendet edhe
ndonjë intelektual që e ka humbur rrugën e që nuk ka mundur t’i frenojë
pasionet e ulëta. Rastet e tilla nuk janë të shpeshta, sikundër janë të rralla
rastet e konsumimit të përmbajtjeve elitare nga shtresat e ulëta të klasës
punëtore.
Programe reality
realizohen në shumë vende të botës. Reality programi Për’puthja
ka bashkuar dhe ka gozhduar para ekranit shqiptarë anekënd botës, duke thyer
çdo rekord të audiencës televizive. Ky reality show ka marrë në Youtube
600 milionë klikime.
Sa i përket
marketimit të idhujve që i prodhon apo që i krijon kultura masive, s’ka dyshim
se ata janë persona të cilët janë në gjendje të tërheqin me ndonjë shkathtësi
joproduktive, të profiluar në mënyrë argëtuese – këngëtarët e notave të lehta,
artistët pa ndonjë identitet artistik të estetizuar, starletat,
futbollistët, basketbollistët dhe vrapues të tjerë terrenesh, boksierët, madje
edhe lojtarët e pokerit etj. Shkencëtarët, doktorët e shkencave dhe artistët e
shquar, cilësia dhe vlera personale e të cilëve matet me kontributin për
bashkësinë, s’do mend se nuk ndodhen në atë rreth idhujsh.
Duhet ditur se me
çfarë mjetesh dhe në ç’mënyrë kultura masive arrin te masat e gjera popullore.
Njëherazi shtrohet pyetja përse ajo është aq tërheqëse dhe lehtë e kapshme?
Tipi modern i urbanizimit bashkë me industrializimin që e determinon rritjen
numerike të shoqërisë përbën parakushtin themelor të lindjes dhe të
ekspansionit të kulturës masive. Përpos kësaj, rol të drejtpërdrejtë luan edhe
progresi. Mjetet teknike të komplikuara nuk i nevojiten vetëm radiotelevizionit
por edhe prodhimit dhe shpërndarjes masive të librave dhe të revistave. Fjala e
shkruar është masivizuar vetëm pasi në procesin e shtypjes është vënë në
përdorim makineria.
Vënia në përdorim
e shtypit mekanik, me përkryerjen e vazhdueshme të teknikës ka mundësuar që
kultura masive simbolike të zhvillohet, në fillim si kulturë e fjalës së
shtypur. Mirëpo, këto ndryshime teknike të shpejta si dhe ndryshimet e tjera
janë shoqëruar edhe nga procesi i përshpejtuar i urbanizimit elementar pa plan,
që ka rezultuar me dyndjen në qytete dhe me rritjen e tyre.
Ajo që është e
rëndësishme për lindjen e kulturës masive janë pikërisht këto kushte të reja të
jetesës, të shtresave mbizotëruese të popullsisë së qytetit të cilat nuk janë
përputhur me zhvillimin spontan të krijimtarisë së re kulturore, me format e
vjetra. Industrializimi përgjithmonë e asgjësoi kulturën popullore duke ia
hapur rrugën një tipi të ri të kulturës. Prodhimi mekanik ofroi modelin e
prodhimit të specializuar, masiv, të standardizuar të cilin mjetet e fuqishme
të komunikimit shpejt e kanë shpërndarë në një hapësirë të madhe. Përveç kësaj,
ritmi i shpejtë i punës së mekanizuar rezultoi edhe me rregullimin e ritmit dhe
të cilësisë së jetesës të një mase të madhe të popullsisë punëtore.
Duhet ditur se
kultura masive ka efekte negative por edhe efekte pozitive. Negative është ajo
se nuk kërkon mund ideor dhe gjykim kritik. Rëndom shpie në kiç
dhe në shund, Në këtë mënyrë krijohen raporte kiçi dhe formohet
njeriu-kiç. Profili i këtillë mund të jetë i dëmshëm për kultivimin e nevojave dhe për ngritjen morale, shpirtërore
dhe intelektuale të njeriut dhe të shoqërisë. Sa më i madh të jetë përqendrimi i
kiçit dhe i shundit, aq më të pakta janë
vlerat e mirëfillta, aq më e vogël është pasuria e shpirtit. Qëllimet humaniste
ndërkaq janë gjithnjë më larg realizimit njerëzor fundamental dhe gjithnjë më
afër zgjidhjeve institucionale sterile apo shterpe. Negativ është fakti se
produkte të caktuara e shuajnë etjen për krijime origjinale dhe për kulturë të
lartë, elitare. Po qe se shikoni një film të xhiruar sipas një vepre me vlerë
artistike të madhe, për t’u njohur me origjinalin ju nuk do ta merrni në duar
librin që paraqet një arritje letrare të etabluar dhe që jeton ndër shekuj.
Negativ është edhe fakti se kultura masive, për t’ia bërë veprën origjinale të
kapshme për masat, e shkurton, e ripunon dhe e homogjenizon përmbajtjen e saj,
duke e përpunuar edhe mekanikisht. Në këtë mënyrë e zhvlerëson shpeshherë edhe
vlerën e pakapërcyeshme të veprës. Për shembull, posteri i Mona Lizës
me një çmim pre disa eurosh, Kryqi prej zirkoni në fanellë, fotografia e Koloseumit
në magnetin për frigorifer, ikona e tatuazhuar në shpinë etj. janë dëshmi e
degradimit të vlerave nën petkun e përdorimit masiv dhe me strategjinë e
politikës përfituese.
Ndërsa pozitiv
është fakti shumë produkte kushtojnë lirë dhe si të tilla mund të blihen nga
shumica. Po ashtu, përkundër banalizimit të kulturës elitare, ndodh që
përmbajtja e ripunuar e ndonjë vepre letrare, lexuesin që i takon masës ta çojë
kah origjinali dhe t’i kultivojë nevojat e tij.
Për përhapjen e
kulturës masive më të merituara janë mediumet masive. Në këtë pikëpamje ato
kanë luajtur rol të madh. Pikë së pari këtu bëjnë pjesë gazetat ditore të cilat
paraqiten në fillim të shekullit XX dhe janë i pari medium masiv. Pas tyre
shfaqen edhe radiot dhe televizionet. Paraqitjen apo shfaqjen e mediumeve të
shtypura e shoqëron nevoja për shkollimin e përgjithshëm të popullsisë që është
kusht për zhvillimin e mëtejmë të shtypit ditor.
Zhvillimi i
mediumeve ndërlidhet edhe me zhvillimin e demokracisë ndërmjetësuese, me
zhvillimin e qytetit, me sinkronizimin e veprimtarive të ditëpërditshme, me
format e jetesës moderne dhe me komercializimin e zbavitjes. Mjetet e
komunikimit janë zhvilluar në përputhje me nevojat e shoqërisë, të kanalizuara
sipas vullnetit të elitës politike dhe ekonomike. Është më se e saktë se në
zhvillimin e kulturës masive, në pjesën që ka të bëjë me administrimin dhe me
zhvillimin e mediumeve si dhe me krijimin e porosive apo të mesazheve të tyre,
luan rol subjekti shoqëror apo elita e shoqërisë. Për t’i zhvilluar me sukses
mediumet si mjete të komunikimit masiv, ka qenë e domosdoshme të zbatohet
procesi i standardizimit të porosisë: Ato i dërgoheshin individit bashkëkohor
me njohuri mesatare dhe duhej të ishin të qarta, efektive dhe të thjeshtësuara.
Gazetat ditore si medium masiv i parë raportonin për ngjarjet aktuale nga lëmi
i politikës dhe i ekonomisë. Përmbanin kronika si dhe porosi apo mesazhe
argëtuese dhe reklamimi. Mediumet ndodheshin në burimin e forcës apo të pushtetit
manipulues. Ato krijonin informata, modele, mënyra të sjelljes dhe stil jetese.
Ato u bënë promotorë të kultit të konsumit, të bukurisë, të dashurisë, të
rinisë të cilat në mënyrë paradoksale korrespondojnë me zhvillimin e farmacisë,
të kozmetikës, të industrisë moderne, të preparateve për rritjen e libidos
apo të instinktit seksual, deri te roboti që buzëqesh.
Kultet e
sipërthëna të kulturës masive vërehen në karakteristikat e saj që i vëren
filozofi, kulturologu dhe sociologu francez i teorisë së informacionit Edgar
Moren (Edgar Morin, 1921-) i cili kulturën masive e sheh si revoltë
nda kulturës religjioze, metafizike. Morenoja kulturën masive e sheh si
rezistencë ndaj përjetimit religjioz të botës. Në aspektin kohor,
ajo karakterizohet me orientimin kah e tashmja, aktualja. Produktet e kulturës
masive nuk kanë as të kaluar as të ardhme. Në themel të një karakteristike të
tillë Morenoja vëren qëndrim antireligjioz. Njeriu modern aksionet e veta
i projekton në të tashmen dhe nuk e shikon të kaluarën, të ardhmen, as botën e
amshueshme apo botën tjetër. Ai i do të gjitha, këtu dhe tash.
Duhet thënë se
kultura masive i jep formë realitetit tonë. Ajo arrin te masat e gjera
popullore duke e krijuar mënyrën e jetesës, duke i formuluar apo duke i
përvijuar synimet, ëndrrat, mënyrat e sjelljes, mendimet, ndjenjat dhe veprimet
e njeriut bashkëkohor. Dhe në këtë aspekt mund të thuhet se është e suksesshme.
Ajo i krijon modelet kulturore të shoqërisë bashkëkohore, me ç’rast vijnë në
shprehje snobizmi dhe provincializmi si
frustracione statusore të shtresave të varfra, të ardhacakëve nga fshati në
qytet, por edhe të atyre të cilët duan ta shohin veten në shtresat e larta të
shoqërisë, duke u shfaqur – në mënyrë komike – të tillë siç nuk janë.
Në anën tjetër
shfaqen përmbajtje që janë reflektim i jetës së masave, kultura popullore e
popullsisë së qytetit dhe në kuadër të saj, subkultura e të
rinjve. Duke mos pasur mundësi t’i plotësojnë nevojat e veta në periudhën e
adoleshencës, ata nëpërmjet nënkulturës e shprehin në mënyrë simbolike
identitetin, përkatësinë, subjektivitetin historik dhe rezistencën ndaj
konvencioneve, qëndrimeve politike dhe idealeve etike dhe estetike.
Por produksioni
masiv, edhe këto rezistenca simbolike i standardizon në korniza të
pranueshme dhe ua shet masave. Heronj të kulturës masive bëhen panteonët
bashkëkohorë, hyjnitë e kësaj bote, intimitetin e të cilëve mund ta vëzhgojmë
pa u djegur. Me këtë janë ngarkuar tabloidet dhe gjahtarët paparaco, ndërsa
konsumatorë janë vuajerët.
Në vende të
caktuara të rajonit dhe më gjerë, krijohet një lloj muzike që i ndez masat.
Madje kjo nuk është çfarëdo ndezjeje. Është ndezje apo djegie me mbushje të
shpejtë apo injektim karburanti në vëllimin me temperaturë dhe trysni të lartë.
Përmbajtjet e këtij lloji të muzikës janë reduktuar në sferat instinktive të
njeriut, ngase kur njerëzit i ulni në nivel biologjik, ju i keni eliminuar
dallimet sociale, fetare, arsimore dhe etnike. Kësisoj keni mundësi që ta
rritni publikun, përkatësisht tregun për shitjen e muzikës me përmbajtje
të ulët.
Niveli instinktiv
është nivel i pasionit. Në rrafshin e grupit, ky është nivel i hordhisë apo i
lukunisë. Njeriu lëshohet në instinkte, ndërsa bashkësia në gjak dhe tokë.
Morali lëshohet në masën e lukunisë të cilës i njerëzit përkasin, duke u nisur
nga ajo: “Çdo gjë që është e jonë, është e mirë, çdo gjë që është e huaj,
është e keqe”. Pikërisht morali i tillë që matet me përkatësinë dhe jo me
vërtetësinë dhe drejtësinë, ndikon që vrasësit t’i mbyllin sytë para krimeve që
nuk janë parë në këtë pjesë të rajonit që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në këngët e tilla
ndizet laiku, skeptiku, skolastiku. Tashmë seksualiteti nuk është spontan.
Sikur puthja në film, në jetën reale ai riprodhohet nga format që i ofron
kultura masive, e cila ka ndërtuar ideale estetike që janë në gjendje të
shkaktojnë sëmundje siç është anoreksia, në të cilën femra është reduktuar në
objekt seksual. Është paradoksale sesi në një botë lirish të mëdha seksuale
shiten preparate impotence. Ky tregon më së miri sesa kultura masive i
kontrollon nevojat e njerëzve, i ka imponuar standardet e bukurisë, të
argëtimit dhe të kënaqjes - pothuajse të gjitha të komercializuara.
Heronjtë e
kulturës masive dhe të këtij lloji të muzikës vijnë nga masa. Ajo që i dallon
është rruga për në statuset shoqërore të larta, rruga drejt shoqërisë së lartë.
Midis tyre ndodhen çfarëdo yjesh moderne të botës së muzikës, të filmit, të
sportit, por edhe të politikës, të nëntokës dhe të kontrakulturës. Krejt këtë,
kultura masive e përpunon, e shpëlanë
dhe e shet. Duke filluar nga prezantuesja amerikane e talk show Opra
Vinfri (Oprah Gail Winfrey, 1954-) e cila është shembull që tregon
se shoqëritë perëndimore janë të hapura, afroamerikane e cila me aftësitë e
veta ka arritur status shoqëror të lartë, futbollisti argjentinas Karlos
Tevez (Carlos Alberto Tevez, 1984-), futbollisti portugez Kristiano
Ronaldo (Cristiano Ronaldo, 1985-) deri te revolucionari marksist argjentinas
Ernesto Çe Gevara (Ernesto “Che” Guevara, 1928-1967) apo gangsteri dhe
biznesmeni amerikan Al Kapone (Alphonse Gabriel Capone, 1899-1947). Kultura
masive është e aftë t’i komercializojë edhe kryengritësit, duke shembur në këtë
mënyrë çfarëdo rezistence. Lëvizja e hipive (hippie) ishte një
rrymë e kundërkulturës. U shfaq në ShBA në vitet 1960 e këndej. Refuzoi vlerat
tradicionale, stilin e jetesës të brezit të prindërve të tyre dhe shoqërinë e
konsumit. Zhvilloi një luftë simbolike ndaj kulturës ekzistuese të
shoqërisë globale të ShBA-së. Por në fund, në aranzhmanet e agjencive të modës
dhe të hepeningut si dhe të produksioneve muzikore, u shndërrua në hipi
stajling, hipi hepening, hipi kompilacion.
Në epokën e hipive
jetoi edhe këngëtarja amerikane Xhenis Xhoplin (Janis Lyn Joplin,
1943-1970). Në fund të viteve ’50 të shekullit XX jeta e saj u identifikua me “beat
generation” dhe me epokën e hipive. Ishte figurë
përcaktuese e kundërkulturës së viteve ’60 të qindvjeçarit të kaluar. E quajtën
zëri i Lëvizjes për të drejtat qytetare. Vdiq nga doza e tepërt e heroinës dhe
nga alkooli. Kësaj periudhe i takon edhe këngëtari amerikan Xhim Morison (Jim
Dauglas Morrison, 1943-1971). Ishte këngëtari kryesor i grupit rok The
Doors. Vdiq në Paris nga doza e tepër e heroinës dhe nga alkooli. E
gjetën të vdekur në vaskë, më 7 korrik 1971. U varros në varrezat Père Lachaise
Cemetery, në Paris. Varri i tij është një prej katër atraksioneve të Parisit.
Tre të tjerë janë Kulla e Ajfelit, Notre Dame dhe Harku i Triumfit. Dikur, në
përvjetorin e vdekjes së Morisonit, varrin e tij në Paris e vizitonin të rinj
nga Amerika. Me atë rast ata bënin akte vandale - thyenin pllakën e varrit të
ndonjë shkrimtari të madh francez. Organeve të rendit u thoshin: “Mbreti
dhe Zoti ynë është Morisoni. Për Balzakun dhe Bodlerin, aq na bëhet. S’duam të
dimë fare”.
* * *
Në ç’mënyrë ky
lloj i muzikës i imponohet një shoqërie? Po qe se në viset rurale ruhen
strukturat joformale të fshatit, atëherë ato kanë mundësi t’ia imponojnë
qytetit lojën e vet provinciale dhe snobiste. Një shteti monist, por të hapur,
kultura masive perëndimore ia imponon format kulturore të konsumit, të
argëtimit dhe shijen mesatare për krijimtari, ndërsa me prodhimin e vet akoma
më shumë e delegjitimon pushtein dhe ideologjinë që imponohet si alternativë e
kapitalizmit të zhvilluar. Pas Luftës së Dytë Botërore, diktatorët e kanë
arsyetuar izolimin e vendeve të tyre, duke thënë se mbrohemi nga ndikimet e
huaja. Pas shembjes së sistemeve moniste në fillim të viteve ’90 të shekullit
të kaluar, vendet e izoluara rezultuan me institucione shoqërore të rrënuara,
me prioritete të çrregulluara, me sistem të rrënuar vlerash, me norma të
nëpërkëmbura. Në disa prej këtyre vendeve shpërtheu lufta, konflikti, pati të vrarë,
ikanakë dhe të përndjekur. Sakaq dolën në shesh qaforet prej ari, automjetet
sportive, shampanja, pishinat, rekuizitat e notit, simbolet e statusit dhe të
forcës. Dikush me probleme personale i pret venat, tjetri dehet, thyen gota,
mallkon të ëmën. Këngë për plagët kombëtare. Ata është paraja, janë masat
popullore, është politika por edhe shoqëria e reagimit politik.
Konsumuesit e
krijimeve apo e produksioneve që i takojnë kulturës masive nuk tregojnë
interesim për vlerat artistike të mirëfillta. Shumë të rinj sot, fare pak dinë
për klasikët e letërsisë, të artit, të filozofisë, të psikanalizës. Fare pak
lexohen Homeri, Eskili, Dante, Servantesi, Barleti, Shekspiri, Molieri,
Volteri, Hegeli, Kanti, Niçe, Gëte, Bajroni, Balzaku, Bodëleri, Pushkini,
Dostojevski, Xhojsi, Kafka, Prusti, Frojdi, Jungu, Fromi, Oruelli, Heminguei,
Hajdegeri, Sartri, Kamy, Beketi, Markezi etj. Këta krijues gjigantë kanë
shënuar epoka. I kanë sjellë botës ndryshime, njerëzimit – humanizëm. Bota pa
ta do të kishte qenë më e egër, më e padurueshme, më johumane. Veprat e tyre
nuk mjafton të lexohen, por duhet edhe të kuptohen dhe kjo nuk është punë e
lehtë. Krijimi artistik modern nuk është i kapshëm për lexuesin e rëndomtë.
Zhvillimi i
teknologjisë informatike akoma më shumë e zhvillon dhe e përhap kulturën
masive. Çdo gjë është komercializuar. Kultura masive shfrytëzohet edhe nga
politika dhe pushteti. Jepi popullit bukë e reality show dhe
sundo mbi të sa të duash dhe si të duash. Argëtimet që i ofrojnë show programet
e shmangin rininë prej problemeve politike, ekonomike, sociale dhe morale të
shtetit dhe të shoqërisë. Këtë duan politikanët dhe pushtetarët e gjithë botës.
Megjithëkëtë, show programet dhe reality show nuk mund ta ndalin shpërnguljen e
të rinjve drejt Gjermanisë, Amerikës, Kanadasë, Australisë. Zbavitjet e lehta
nuk do ta ndalin dhimbjen e rëndë të shpopullimit të trojeve shqiptare. Faji
është i udhëheqësve politikë dhe vetëm i tyre.