Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Ballkani Perëndimor dhe dyert e mbyllura të BE-së
E premte, 03.09.2021, 08:54 PM
BALLKANI PERËNDIMOR DHE DYERT E MBYLLURA TË BE-së
Nga Xhelal
Zejneli
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është interes jetik i
vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë Veriore, Malit
të Zi, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë.
Po të mos jetë BE-ja, Ballkani do të kthehej një shekull
para, do të kthehej në kohën kur gadishulli ka qenë fuçi baruti.
Pa BE-në, gadishulli i sotëm do të rikthehej në kohën e bellum omnium
kontra omnes.
Pa një perspektivë integruese të vendeve të Ballkanit
Perëndimor, në rajon do të synonin të penetrohen Rusia dhe Kina. Në vendet ku
ka popullsi të fesë islame, do të synonte të depërtojë Turqia.
*
* *
Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ende ndodhen në
fazën kalimtare. Tranzicioni në këto gjashtë vende, i filluar në vitin 1991,
akoma s’ka përfunduar. Tri dekada tranzicion. Tridhjetë vjet në fazën
kalimtare.
Janë do vende që kanë hyrë në BE pa i plotësuar
standardet e Unionit. Një prej tyre është Greqia. Athina, jo vetëm nuk i
respekton liritë dhe të drejtat e bashkësive etnike jogreke, por edhe fare nuk
i njeh ato. Greqia është pranuar në BE si vend me popullsi të krishterë
i cili ndodhet në vijën e parë të frontit përballë Turqisë.
Pa i plotësuar si duhet standardet, janë pranuar në BE të
gjitha vendet që kufizohen me Rusinë apo që janë në afërsi të saj. Domethënë
vendet të cilave u kanoset rreziku rus.
Vende të cilat nuk i plotësojnë standardet janë edhe Bullgaria
me Rumaninë. Megjithëkëtë, ato ia dolën të bëhen anëtare. Vendet që kanë
pasur lidhje historike me Gjermaninë apo me Francën, integrimin në BE e kanë
pasur më të lehtë.
Kroacia është bërë anëtare e Unionit në saje të
mbështetjes së Berlinit. Sllovenia u bë anëtare e Unionit pa kurrfarë problemi.
Asnjë shtet i Ballkanit Perëndimor nuk mund t’i arrijë standardet e Sllovenisë.
Brukseli nuk dëshiron t’i ketë me vete shtetet që janë në
konflikt ndër vete. Këtu bëjnë pjesë disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Maqedonia e
Veriut është në mosmarrëveshje me Bullgarinë rreth identitetit të
sllavo-maqedonasve. Republika Serbe e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e njeh
autoritetin e pushtetit qendror. Në Mal të Zi, Beogradi e ka krijuar kolonën
e pestë të vet. Me këso mosmarrëveshjesh nuk shkohet në Evropë.
Nuk mjafton të thuhet: “Jemi evropianë, jemi pjesë e
kontinentit”. Po qe se vendet e Ballkanit Perëndimor vërtet janë pjesë e
kontinentit të vjetër, atëherë ato duhet të ndërtojnë standarde evropiane. Po
qe se politikanët dhe popujt e gjashtë vendeve të sipërthëna vërtet janë
evropianë, atëherë ata duhet edhe të sillen si evropianë.
Uashingtoni dhe Brukseli e dinë mirë se vendet e
Ballkanit Perëndimor, pos integrimit në BE nuk kanë alternativë tjetër. Rusia
dhe Kina nuk janë alternativë e BE-së as e aleancës dhe partneritetit me
ShBA-në.
* * *
Fajin për mbylljen e dyerve të BE-së, vendet e Ballkanit
Perëndimor duhet ta kërkojnë në vetvete. Brukseli mund edhe t’i çelë bisedimet
për anëtarësim me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por kjo nuk ka ndonjë
rëndësi të madhe. Me Serbinë dhe me Malin e Zi, Brukseli qëmoti i ka çelur
bisedimet për anëtarësim, por më kot. Këto dy vende vazhdojnë të jenë jashtë
Unionit.
Edhe pasi të çilen bisedimet për anëtarësim, gjashtë
vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të presin me vite për t’u anëtarësuar. Edhe
kur të hyjnë në BE, këto gjashtë vende do të jenë të shpërfillura nga Brukseli.
*
* *
Përgjegjës për ngecjen e vendeve të Ballkanit
Perëndimor janë politikanët apo klasa politike dhe inteligjencia apo klasa
intelektuale, që ndodhen në skenën politike apo në pozita, që nga viti 1991
deri në ditët e sotme. Tridhjetë me radhë.
Përgjegjës për zgjatjen pafund të periudhës kalimtare
janë kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, liderët
politikë apo liderët partiakë, ministrat dhe deputetët. Përgjegjës për ngecjen
e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë edhe administruesit e pushtetit vendor.
Për zgjatjen pambarim të kalimit nga monizmi në
pluralizëm mban përgjegjësi morale edhe inteligjencia e gjashtë vendeve të
lartpërmendura. Gjatë periudhës së tranzicionit institucionet arsimore dhe shkencore të
vendeve këtij rajoni, nuk kanë qenë në krye të përgjegjësisë. Me fjalë të
tjera, akademitë e shkencave, institutet pranë akademive dhe universitetet,
gjatë periudhës kalimtare nuk e kanë luajtur rolin e tyre.
Inteligjencia e
gjashtë vendeve ka qenë oportuniste dhe konformiste. Preokupim i tyre ka qenë
zënia e pozitave nëpër institucionet arsimore dhe shkencore – për interesa
vetjakë.
Për t’i arritur qëllimet personale, inteligjencia e
këtyre vendeve, para pushtetarëve është treguar edhe inferiore. Një akademik,
një dijetar apo një profesor universiteti ndjehet inferior para një pushtetari
mediokër! Në Ballkan ka politikan me diploma universitare të blera apo të
falura. Ky injorant e dirigjon dhe e shndërron në vegël, në mjet një drejtor
shkolle të mesme, emëron dhe shkarkon rektorë universiteti! A thua një Ballkan
i tillë e ka vendin në familjen demokratike!?
Heshtja e inteligjencies dëshmon edhe mungesën e
demokracisë. Gjithmonë gjatë historisë politikanët autoritarë dhe autokratë
kanë synuar ta heshtin dhe ta frikësojnë inteligjencien. Ka raste kur i ndajnë
në të përshtatshëm dhe në të papërshtatshëm. Të përshtatshëm i quajnë ata që
flasin mirë për ta, ndërsa të papërshtatshëm – ata që i kritikojnë gabimet dhe
abuzimet e tyre.
Të keqen kanë për detyrë morale ta kundërshtojnë edhe
krijuesit letrarë apo artistikë. Askush s’ka të drejtë t’i mbyllë sytë para të
keqes. Politika e Ballkanit ka forma të ndryshme për ta neutralizuar
shkrimtarin.
Shkrimtarët e mëdhenj konsiderohen ndërgjegje e kombit.
Të jesh indiferent ndaj një tranzicioni që zgjatë pambarim është akt i
pamoralshëm. Intelektuali me integritet është zëri i kohës. Në kohë zezonash
shkrimtarët e mëdhenj nuk janë mbyllur në kullën e fildishtë. E
keqja dhe e pavërteta troket në ndërgjegjen e shkrimtarit dhe e trazon atë.
Mediumet në
Ballkan janë vegla, mjete dhe instrumente të pushtetarëve. Ato janë në shërbim
të politikës dhe të pushtetarëve. Detyrë e mediumeve apo e studiove televizive
është që nëpërmjet debateve të ditëpërditshme të bëjnë shpëlarjen e trurit të
njeriut. Rolin e përpunuesve të trurit e luajnë analistët politikë. Mediumet e
rajonit janë nën kontrollin e hekurt të politikës dhe të pushtetarëve. Nga kjo
del se në këtë rajon apo në këtë pjesë të rajonit, nuk mund të flitet për
mediume të pavarura. Kjo është një utopi. Të ballafaquar me probleme
financiare, mediumet e rajonit detyrohen të vihen në shërbim të politikës dhe
të pushtetit. Kuptohet, ka edhe mediume që përpiqen të ruajnë mëvetësinë, të
jenë më asnjanës, më objektiv dhe më të baraspeshuar.
Vegla, mjete dhe instrumente të politikës janë edhe analistët
politikë apo personat që krijojnë opinione. Për punën e pandershme që
bëjnë, këta farë opinionistë shpërblehen prej punëdhënësve të tyre. Detyrë e
këtyre mashtruesve të stërvitur është të shkaktojnë huti, të mbjellin mjegull,
të krijojnë nebuloza, të pavërtetën ta paraqesin si të vërtetë.
Në këtë pjesë të rajonit shkalla e demokracisë është në
pikën më të ulët. Në këto gjashtë vende mungon mendimi kritik, mungon kritika
politike, mungon mendimi alternativ, mendimi ndryshe. Mungon edhe kritika
sociale. Edhe kur ka njëfarë kritike politike apo kritike sociale, ajo nuk
është gjithaq objektive. Edhe ky lloj i kritikës politike është në funksion të
politikës, por tani në shërbim të opozitës.
Tranzicioni në këtë pjesë të gadishullit nuk zvarritet
rastësisht. E keqja në këtë pjesë të rajonit është pjesë e politikës, është
shndërruar në sistem dhe kjo nuk mund të luftohet lehtë. Në këtë moçal
interesash të rretheve të privilegjuara, individi është i pafuqishëm. Ndërkohë, popujt e këtyre gjashtë vendeve
paguajnë çmim të lartë. Në vendet e Ballkanit Perëndimor kemi dyndje popujsh,
drejt Gjermanisë dhe Amerikës. Trojet shqiptare në gadishull ballafaqohen me
shpopullim të frikshëm. Për politikën shqiptare kjo trajtohet si çështje
statistikore. Para kësaj tragjedie kombëtare inteligjencia është indiferente
dhe indolente. Po t’i hapë Gjermania dyert, shqiptarët do të mbeten pa rini.
Në Ballkanit Perëndimor, brenda tri dekadave, përkundër
ngecjes, asnjë politikan, kryeministër, ministër dhe deputet nuk dha dorëheqje
si detyrim moral. Secili prej tyre shikonte punët e veta dhe interesat e vet
dhe jo interesin e përgjithshëm.
Të keqen në gjashtë vendet e rajonit s’e has dot askund
në Evropë. Ligësinë dhe shëmtinë në këtë pjesë të siujdhesës, mbetet ta
krahasosh vetëm me vendet më të pazhvilluara të botës.
*
* *
Dyert e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të
mbyllura ngase:
- këto gjashtë vende nuk ia dolën të ndërtojnë shtet
ligjor;
- nuk ia dolën të ndërtojnë shtet demokratik;
- në këto vende nuk kemi reforma në drejtësi:
- reformat në drejtësi në këto vende janë vonuar;
- në disa nga këto vende sistemi i drejtësisë ka qenë dhe
vazhdon të jetë inekzistent;
- në këto vende kemi politizim të skajshëm të të gjitha
poreve të shoqërisë;
- në këto vende kemi politizimin dhe partizimin e të
gjitha institucioneve të shtetit;
- në këto vende zënë pozita të larta politike edhe
individë me të kaluar të dyshimtë;
- një numër i politikanëve posedon nivel arsimor ulët;
- administrata shtetërore e këtyre vendeve është
administratë partiake;
- administrata publike e këtyre vendeve është në
shpërpjesëtim frapant me nevojat e institucionit;
- rreth 50% e punëtorëve të administratës janë tepricë;
- diletantizmi në këto vende sundon mbi profesionalizmin;
- përcaktimi partiak vlen më shumë se niveli profesional;
- militantizmi partiak vlen më shumë se vlerat etike të
individit;
- oportunizmi, konformizmi dhe poltronizmi çmohet më
tepër se integriteti moral;
- korrupsioni në këto vende ka përmasa dramatike;
- korrupsioni në këto vende i përfshin majat e shtetit
dhe të politikës;
- nepotizmi në këto vende konsiderohet punë normale;
- nepotizmin në këto vende e zbatojnë politikanët dhe
pushtetarët;
- në pozita politike dhe shoqërore emërohen dhe caktohen
militantët partiakë;
- dallimet sociale janë si në kohën e Çarls Dikensit dhe
të Uilliam Thekerit;
- në disa nga këto gjashtë vende, ka punëtorë me paga 150
deri në 200 euro;
- në këto gjashtë vende, për të kryer një punë në ndonjë
institucion, duhet të japësh mitë dhe ryshfet;
- në këto gjashtë vende, asnjë punë nuk ka mundur të
kryhet pa i dhënë nëpunësit ryshfet;
- ryshfet - në bashki apo në komunë, në administratë, tek
ofiqari, korrupsion në gjykatë, në prokurori, në spital, në universitet, në
dogana, në polici;
- korruptohen politikanë, ministra, zëvendësministra,
deputetë, policë, doganierë, mjekë, profesorë universiteti, kryetarë bashkish
apo komunash;
- në disa nga këto gjatë vende, vite me radhë mallrat
kanë kaluar nëpër kufij dhe dogana, pa kurrfarë kontrolli;
- kontrabanda në këto vende është kryer me implikimin e
personave zyrtarë, policëve, doganierëve, ministrave etj.;
- në disa nga këto gjashtë vende kultivimi i lëndëve
narkotike, trafikimi dhe përhapja e tyre të përkujton vendet e Amerikës Latine;
- në disa nga vendet e rajonit zbatohet pastrimi i parave
të pista njësoj si në vendet e prodhimit të lëndëve narkotike;
- në disa nga këto vende kemi trafikim armësh dhe qeniesh
njerëzore;
- shoqëria civile në këto vende nuk është e organizuar sa
duhet;
- disa nga këto gjashtë vende nuk tregojnë aftësi për të
realizuar zgjedhje parlamentare apo zgjedhje vendore demokratike;
- politikanët e këtyre vendeve nuk dinë se ç’është
përgjegjësia politike;
- diskursi, fjalori dhe retorika e politikanëve të këtyre
vendeve ndaj oponentëve politikë është triviale, vulgare dhe parake;
- në disa nga këto vende vjedhjet, reketimet, rrëmbimet,
plagosjet dhe vrasjet janë dukuri e përditshme;
- aksidentet rrugore në disa nga këto vende janë shndërruar
në çështje statistikore;
- ndotja e mjedisit në disa nga këto vende është lënë
jashtë kujdesit të shtetit;
- grumbujt e hedhurinave janë shndërruar në gjë normale;
- ndërtimet pa leje kanë përmasa të paimagjinueshme;
- ekonomia gri dhe informale lulëzon në të katër anët;
- në disa nga këto vende qytetarët nuk i kanë shlyer dhe
vazhdojnë të mos i shlyejnë detyrimet tatimore, tatim-qarkullimin e mallrave,
tatimfitimin; detyrimet për harxhimin e rrymës elektrike, të ujit, të
depozitimit të hedhurinave; për klasifikim e hedhurinave as që mund të flitet;
- në disa këto gjashtë vende është e përhapur në përmasa
të frikshme dhuna në familje, e në veçanti dhuna ndaj grave;
- infrastruktura e shkarkimit të ujërave të zeza dhe e
ujërave atmosferike e këtyre vendeve është primitive dhe e vjetruar;
- në disa nga këto vende cilësia e arsimit është në nivel
të ulët;
- shumica e udhëheqësve politikë të këtyre gjashtë
vendeve janë politikanë autoritarë dhe autokratë, ndërsa në partitë politike
nuk ka demokraci të brendshme; ku është dallimi ndërmjet këtyre partive të
kohës së demokracisë parlamentare dhe partive të kohës së bolshevizmit!?
Krejt kjo nuk është as socializëm as kapitalizëm, por
gjysmë-barbarizëm.
*
* *
Politikanët e Ballkanit Perëndimor, duke e vjedhur
shtetin, janë pasuruar. Kanë krijuar pasuri marramendëse. Politikanë të
pasur të vendeve të varfra, të popujve të varfëruar. Shtetet me politikanë dhe
me qeveritarë të korruptuar nuk zhvillohen ekonomikisht. Askush nuk investon në
shtete të tilla. Papunësia në ato shtete ka përmasa të frikshme. Çdo i dyti në
ato shtete e ka në mendje emigrimin, ikjen, shpërnguljen.
Çdo popull ka qeveri të tillë siç është vetë. Grekët e
vjetër kanë thënë: ”Si është populli, e tillë qeveria”. Janë popujt që i
votojnë këta politikanë, që i votojnë partitë e tyre. Popujt e Ballkanit
Perëndimor nuk votojnë politikisht. Ata votojnë si popuj me probleme dhe me
nevoja sociale. Ata janë shndërruar në popuj socialë. Ata votojnë
për një vend pune, për një pagë apo për një rrogë. Ata s’bëjnë politikë. Janë
të zhveshur nga çdo ideologji. Interesi dhe preokupimi i tyre është ta
punësojnë djalin, vajzën, renë, vëllain. Këta popuj të rajonit rrezikojnë të
humbin edhe aftësinë për ndryshime.
*
* *
Për shkak të problemeve të sipërthëna që mbizotërojnë në
vendet e Ballkanit Perëndimor, BE-ja nuk është e interesuar t’i pranojë ato në
radhët e veta. Të ngarkuar me probleme, këto gjashtë vende do të ishin barrë
për Unionin. Për të trokitur në dyert e mbyllura të Brukselit, këto gjashtë
vende duhet ta ndryshojnë vetveten. Kjo rrugë është e gjatë. Po qe se nuk do ta
marrin rrugën e ndërtimit të shtetit ligjor, ironia e politikanëve ballkanikë
do të duket si vox clamantis in deserto.