Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Numri i madh i partive politike mund ta dëmtojë interesin kombëtar
E merkure, 10.11.2021, 09:04 PM
NUMRI I MADH I PARTIVE POLITIKE MUND TA DËMTOJË INTERESIN KOMBËTAR
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Në hapësirën
politike shqiptare ka numër të madh partish politike. Sipas të dhënave të
Komisionit qendror të zgjedhjeve, të vitit 2014, në Shqipëri kanë qenë
të regjistruara 124 parti politike. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 kanë
marrë pjesë 54 parti politike. Parti kryesore janë Partia Socialiste dhe Partia
Demokratike.
Në Kosovë
ka 47 parti politike. Deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë tetë parti politike.
Në skenën politike figurojnë edhe tetë parti të tjera politike të vogla.
Minoritetet në Kosovë kanë 31 parti politike. Ka raste kur një minoritet të
ketë disa parti politike. Tetë parti politike të Kosovës, që kanë vepruar më
parë, tanimë nuk veprojnë politikisht, përkatësisht nuk ekzistojnë.
Në Kosovën
lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) veprojnë pesë parti politike:
Partia për Veprim Demokratik, Alternative për Ndryshime, Lëvizja për Progres
Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia
Demokratike.
Në Mal të Zi
ka disa parti politike shqiptare. Në vitin 2020 këtu vepruan pesë forca
politike shqiptare: Alternative Shqiptare, Forca, Lëvizja Demokratike
Shqiptare, Unioni i Tuzit, Perspektiva. Janë edhe tri parti të tjera: Partia
Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të
Zi. Kjo e fundit është themeluar në vitin 1990 me në krye Memet Bardhin.
Në Maqedoninë e
Veriut veprojnë 43 parti politike. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut përbëhet
prej deputetëve të 22 partive politike: koalicioni i LSDM-së me 6 parti të
tjera, koalicioni i VMRO-s me 6 parti të tjera, si dhe deputetët e 8 partive të
tjera.
Në Maqedoninë e
Veriut figurojnë edhe 11 parti jashtëparlamentare, 8 parti të minoriteteve, 2
parti politike shqiptare – PPD-ja dhe RDK-ja.
Në Maqedoninë e
Veriut janë edhe 6 ish-parti, që tanimë nuk ekzistojnë.
Në hapësirën
politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut veprojnë: Bashkimi Demokratik për
Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh), Lëvizja Besa, Alternativa, Partia
Demokratike Shqiptare, Partia për Shtet dhe Drejtësi, e themeluar në vitin
2018. Në zgjedhjet vendore të vitit në vazhdim, për këshilltarë të këshillit
bashkiak të bashkisë së Tetovës, mori
pjesë edhe Nisma “Më mirë për Tetovën”, e cila - sipas të dhënave të
KQZ-së - fitoi 2.842 vota, përkatësisht 7.41 për qind të numrit të përgjithshëm
të votuesve të bashkisë së sipërthënë.
* * *
Po të kihet
parasysh numri i banorëve apo i popullatës shqiptare në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) si dhe në Mal të
Zi, do të nxjerrim përfundimin se numri i partive politike shqiptare në këto dy
hapësira është i madh dhe i panevojshëm, për të mos thënë i dëmshëm. Numri i
madh i partive shqiptare në këto hapësira ndikon që vota e votuesit shqiptar ta
humb peshën, vlerën apo rëndësinë e vet. Përpos kësaj, ndodh që në Mal të Zi,
parti shqiptare e caktuar të manipulohet nga ndonjë parti malazeze apo nga
pushtetarët malazias.
Edhe në Kosovë,
numri i partive politike është tejet i madh. Numri i madh i partive krijon
mundësinë e konflikteve, zënkave, denigrimeve dhe të përçarjeve për qëllime
personale apo të grupeve. Kur kemi shumë parti politike, ndonjëra prej tyre
qëllon të jetë parti e ndonjë bajraktari, parti e fisit, e zonës, e rajonit apo
e krahinës. Numri i madh i partive politike bëhet pengesë për ndërtimin e
politikës kombëtare, përkatësisht shtetërore, për ndërtimin e strategjisë kombëtare,
d.m.th. shtetërore, për përkufizimin e interesit shtetëror. Në një shtet të
vogël me shumë parti politike, vlojnë zënkat, konfliktet, denigrimet dhe
përçarjet ndërpartiake. Kjo ka për pasojë që shteti i vogël dhe ekonomikisht i
pazhvilluar të harxhojë energji për çështjet që fare s’kanë të bëjnë me
interesin shtetëror. Në rastin e Kosovës, kjo shkon në favor të armikut –
Serbisë.
Shoqërisë i duhet
zhvillimi ekonomik, zhvillimi i parimeve demokratike dhe ndërtimi i shtetit
ligjor. Shteti i vogël, me shumë parti politike dhe me ekonomi të pazhvilluar,
vështirë e ka të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë demokracinë dhe të ndërtojë
shtet ligjor. Në shtetin e tillë korrupsioni dhe nepotizmi s’kanë të ndalur dhe
s’kanë të sosur. Në shtetin e tillë lehtë politizohen dhe partizohen sistemi i
arsimit, sistemi i shëndetësisë, administrata publike, të gjitha poret e
shoqërisë. Në shtetin e tillë lihet hapësirë edhe për veprimin e kontrabandës.
Në Shqipëri ka
shumë parti, por dy janë kryesore – Partia Demokratike dhe Partia Socialiste,
ndërsa në Kosovë, janë më shumë se dy – Lëvizja Vetëvendosje, Partia
Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e
Kosovës etj.
* * *
Partitë janë grupe
interesi. Është e drejtë e një grupi të formulojë, të artikulojë dhe të
përkufizojë ide apo ideologji të caktuar, me interes shoqëror më të gjerë. In
ultima linea, po qe se një parti politike apo një subjekt politik nuk
mbulon një interes shoqëror më të gjerë se interesi i individit apo i grupit të
ngushtë, ajo parti apo ai subjekt, vjen një ditë dhe shuhet vetvetiu. Mirëpo
popujt me probleme politike, ekonomike dhe sociale s’kanë shumë kohë të merren
me eksperimente të tilla.
Partitë politike
nuk lindin rastësisht. Lëvizjet politike apo partitë, lindin kryesisht në
momente historike të caktuara. Momente historike mund të jenë luftërat
çlirimtare. Ka raste kur partitë politike lindin në momente krizash të
theksuara politike, ekonomike, sociale dhe morale. Jashtë këtyre momenteve
vështirë lindin partitë. Ato mund të regjistrohen si subjekte politike, por
vështirë shtrihen në shoqëri. Ka raste kur një subjekt politik krijohet me
kërkesën dhe me mbështetjen financiare të një shteti të jashtëm.
Në shumë raste
partitë politike manipulojnë me kauzën kombëtare, me interesin kombëtar apo me
interesin e përgjithshëm. Nuk mund të qëndrosh me vite dhe dekada në pushtet në
emër të kauzës kombëtare apo në emër të shqiptarizmit. Askush s’ka të drejtë të
keqpërdorë kauzën kombëtare apo interesin kombëtar, vetëm e vetëm për të
ruajtur interesin një individ, një grup, një koniunkturë apo një nomenklaturë.
Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte implementuar në vitin 2004 apo 2005. Që
atëherë kanë kaluar gati dy dekada. Për këtë vonesë dhe për këtë prolongim
askush s’mbajti përgjegjësi.
Ka raste kur
partitë politike të mëdha i mbyllin dyert e veta për të rinjtë, për
inteligjencien dhe për ekspertët e lëmenjve të ndryshëm. Në partinë e tillë,
vite me radhë të njëjtët njerëz rrotullohen nga posti në post, nga detyra në
detyrë, nga dikasteri në dikaster. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë
herë bëhet deputet kuvendi. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë
bëhet këshilltar bashkie. Ndërkohë, një i ri i shkolluar, nuk përfillet,
shpërfillet, nëpërkëmbet, injorohet, margjinalizohet, konsiderohet i tepërt, i
panevojshëm.
Partia në të cilën
të njëjtët njerëz vite me radhë rrotullohen nga posti në post, mund të qëndrojë
në skenën politike vetëm nëse nuk kanë opozitë të fortë. Partia që sundon vite
me radhë me të njëjtët njerëz, pashmangshëm zhytet në korrupsion dhe në
nepotizëm. Në rrethana të tilla, doemos lind pakënaqësia në shoqëri,
sidomos ndër të rinjtë të konsideruar të tepërt dhe ndër inteligjencien e
shpërfillur, të anashkaluar dhe të injoruar. Partia e tillë që mbizotëron apo
që sundon me vite me të njëjtët njerëz, gëzon mbështetjen e oportunistëve, e
konformistëve, e poltronëve, e pseudointelektualëve, e kalemxhinjve, e
pakurrizorëve, e butakëve, e mediumeve të kontrolluara prej saj, e analistëve
mercenarë.
Kur i riu i
shkolluar vëren sesi shoku i tij i klasës apo i gjeneratës i cili për nga
suksesi në shkollë ka qenë shumë më i dobët se ai, me mbështetjen e ndokujt
ngjitet në pozita politike apo shoqërore, s’i mbetet tjetër përvese - i
zhgënjyer dhe i rezignuar - të marrë rrugën për në Gjermani.
Me fjalë të tjera,
në rrethana krizash politike, ekonomike, sociale dhe morale lindin parti të
reja.
* * *
Pluralizmi
politik, pluralizmi ideologjik si dhe pluralizmi i interesave janë vlera
demokratike. Megjithëkëtë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e
Veriut do të ishte më mirë të ketë jo më shumë se dy parti politike: Bashkimi
Demokratik për Integrim, në një anë dhe të gjitha partitë e tjera, në anën
tjetër. Me fjalë të tjera, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa,
Partia Demokratike Shqiptare do të mundë të shkriheshin në një subjekt politik
të vetëm Këtij subjekti do të mundë t’i
bashkëngjitej edhe ndonjë grup apo parti tjetër që ka shtrirje më të reduktuar. Me dy parti
politike, faktori politik shqiptar do të faktorizohej. Kështu i
fragmentarizuar, faktori politik shqiptar është i defaktorizuar. Politika
kombëtare nuk është matematikë: Pa dy a tre deputetët e mi nuk mund të
krijohet qeveria. Ti mund të krijosh qeveri dhe të hyjsh në të, por interesin
shqiptar nuk e realizon dot.
ShBA-ja ka mbi 325
milionë banorë. Ka dhe shumë parti politike, por vetëm dy janë kryesoret –
Partia republikane si dhe Partia Demokratike. Franca metropolitane ka mbi 61
milionë banorë. Edhe në të veprojnë shumë parti, por tri sosh janë kryesore.
* * *
Faktori politik shqiptar duhet të veprojë për t’i mbrojtur arritjet e
deritashme, duke artikuluar njëherazi edhe kërkesa të tjera.
Këtu, edhe
tridhjetë vjet pas pluralizmit, ekzistojnë punë që kanë të bëjnë me çështjet
themelore kombëtare. Viset shqiptare, që nga Struga deri në Likovë, kanë ngecur
ekonomikisht. Shqiptarët, si asnjë popull tjetër në botë, figurojnë si 20 për
qind. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare, qe tridhjetë vjet nuk mund ta
ndërrosh emërtimin e një shkolle fillore apo të mesme. Në një qytet me shumicë
absolute shqiptare rrugët nuk mund t’i emërtosh me emra të figurave apo të
personaliteteve shqiptare.
Faktori politik
shqiptar i përbërë prej dy subjekteve politike do të gëzonte respekt më të
madh, si nga pala sllavo-maqedonase, ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Nuk
shkohet në takim me palën sllavo-maqedonase, kur ke pas vetes vetëm një apo
dy-tre deputetë. Nuk shkohet në takim me ambasadorët e vendeve
perëndimore apo me të dërguarit e tyre, kur ke pas vetes jo më shumë se një apo
dy-tre deputetë. Kënd përfaqëson “lideri” në atë takim?! Në emër të kujt flet
ai?! Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq. Sentenca antike: ”Si është
populli, e tillë është qeveria”, në rastin e shqiptarëve nuk mund të jetë e
pranueshme. Sentenca: “Çdo popull ka liri aq sa meriton” në rastin e
shqiptarëve është jopërkatëse. Shqiptarët, që nga viti 1991 deri më sot, i janë
përgjigjur çdo thirrjeje të faktorit politik, pa kursyer punën, djersën,
mundin, dijen, mjetet financiare. As edhe gjakun.