E enjte, 10.10.2024, 02:34 PM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe përmbysja e sistemit të vlerave

E merkure, 29.12.2021, 10:07 PM


SHQIPTARËT DHE PËRMBYSJA E SISTEMIT TË VLERAVE

Nga Xhelal Zejneli

Shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe janë një ndër popujt më të lashtë të gadishullit. Gjuha shqipe është bijë e ilirishtes dhe është një ndër gjuhët më të vjetra të Evropës. Shqipja i takon familjes së gjuhëve indoevropiane (indogjermane) dhe është gjuhë e veçantë, d.m.th. nuk ka motër. Të tilla janë edhe greqishtja dhe armenishtja. Shqiptarët janë popull autokton i gadishullit. Shqiptarët janë popull autokton në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit.

*   *   *

Periudhë më historike e popullit shqiptar është qëndresa çerekshekullore përballë inkursioneve osmane. Hero kombëtar i shqiptarëve është Gjergj Kastrioti (1405-1468).

Periudhë politike e shqiptarëve është ajo e Rilindjes Kombëtare, që fillon më 1832 me Naum Veqilharxhin (1797-1846), që arrin kulmin me Lidhjen e Prizrenit (1878) e që përfundon me shpalljen e pavarësisë më 1912. Figurë e njohur e njohur e Lidhjes së Prizrenit ishte Abdyl Frashëri (1839-1892). (Ka qenë edhe anëtar i Parlamentit Osman). Ideolog i mendimit politik shqiptar në periudhën e Rilindjes Kombëtare ishte Sami Frashëri (1850-1904).

Ngjarje politike më e madhe e shqiptarëve në shekullit XX është shpallja e pavarësisë, më 1912 në krye me Ismail Qemalin (1844-1919). Personalitet i njohur i çështjes shqiptare në trojet e pushtuara nga serbosllavët ishte Adem Demaçi (1936-2018) – simbol i qëndresës shqiptare në Jugosllavinë e Titos. Ngjarje politike e madhe e kombit në vitet ’90 të shekullit XX është qëndresa politike e shqiptarëve në Kosovë, me në krye Ibrahim Rugovën (1944-2006), përballë pushtuesve serbë. Ngjarje historike e kombit në fund të qindvjeçarit XX është lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin e Dardanisë nga pushtuesit serbë, me në krye komandantin legjendar Adem Jasharin (1955-1998). Ngjarje politike e madhe e kombit në fillim të qindvjeçarit XXI është shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

*  *   *

Vlerë letrare dhe kulturore e shqiptarëve janë humanistët shqiptarë: Gjon Gazulli (1400-1465); Marin Barleti (rreth 1450-1512), autor i veprave të shkruara në latinisht “De obsidione Scodrensi”, Venedik 1504 (Rrethimi i Shkodrës), “Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis”, Romë rreth 1508-1510 (Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të Epirit); Mikel Maruli (1453-1500); Leonik Tomeu (1456-1531); Maksim Greku (rreth 1480-1556); Marin Beçikemi (1468-1526).

Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare e shqiptarëve janë autorët e letërsisë së hershme shqiptare, si: Gjon Buzuku (shek. XVI) - autor i librit të parë të shkruar në shqip “Meshari” (1555). Një kopje e vetme ruhet në Bibliotekën e Vatikanit; arbëreshi Lekë Matrënga (1567-1619) – autor i së parës poezi në gjuhën shqipe, njëherazi i pari dokument i shkruar në dialektin e jugut (toskërisht) – “Canzona spirituale” (Këngë e përshpirtshme); Pjetër Budi (1566-1622); Frang Bardhi (1606-1643) – autor i veprës “Dictionarium latino-epiroticum, una cum nonnullis usitatioribus loquendi formulis”, Romë 1635 (Fjalor latinisht-epirotisht, me disa shprehje të përditshme). Është e para vepër në leksikografinë shqiptare. Përmban 5640 zëra latinisht të përkthyera në shqip, plus një shtojcë me pjesë të ligjëratës, proverba dhe dialogë; Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689), kryepeshkop i Shkupit.

Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare e shqiptarëve janë shkrimtarët e letërsisë arbëreshe të shekullit XIX, si: poeti i parë i romantizmit në letërsinë shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903). Në vitin 1848 themeloi gazetën dygjuhëshe, në shqip dhe në italisht, “L’Albanese d’Italia” (Shqiptari i Italisë). Ishte i pari periodik që botohej në gjuhën shqipe; Françesk Anton Santori (1819-1894) - autor i së parës dramë origjinale në gjuhën shqipe “Emira”. Disa pjesë të saj u botuan më 1887 në revistën “Fiamuri Arbërit” të De Radës; Gavril Dara i Riu (1826-1885); dhe poeti lirik Zef Serembe (1844-1901).

Vlerë letrare, kulturore dhe kombëtare e shqiptarëve janë poetët e letërsisë së Rilindjes, si: poeti kombëtar Naim Frashëri (1846-1900) etj.

Personalitete të rëndësishme letrare, kulturore dhe kombëtare shqiptare janë: Faik Konica (1875-1942). Në vitet 1897-1902 botoi në Bruksel revistën “Albania”. Në vitet 1902-1909 revistën e boti në Londër. Studimet i përfundoi në Universitetin e Harvardit; Fan Noli (1882-1965), figurë poliedrike (e shumanshme). Kreu Universitetin e Harvardit. Më 1908, mbajti në Boston për herë të parë liturgjinë në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Në vitet 1909-1911 botoi në Boston gazetën “Dielli”. Më 28 prill 1912, bashkë me Konicën, themeloi Federatën Panshqiptare Vatra në Amerikë; Gjergj Fishta (1871-1940), autor i 37 botimeve letrare, midis tyre i poemës epike historike “Lahuta e Malcis”. E quajtën Homeri shqiptar. Është themelues i satirës në letërsinë shqipe.

*   *   *

Bota njeh shumë personalitete shqiptare, sidomos Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1997), laureate e çmimit “Nobel” për paqe (1979) dhe Ismail Kadarenë (1936-). I njohur në përmasa botërore është edhe mjeku dhe farmacisti amerikan me prejardhje shqiptare, nga fshati Llakavicë i Gostivarit, Ferid Murati (Ferid Murad, 1936-), laureat i çmimit “Nobel” për fiziologji dhe mjekësi (1998).

*   *   *

Shqiptarët janë popull i ndarë në gjashtë pjesë: Shqipëri, Kosovë, Kosovë lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri. Një copëtim i këtillë i trojeve etnike historike të një populli s’është parë dot në historinë e botës.

Nga Jugosllavia e Nikolla Pashiqit dhe e karagjorgjeviqëve, shumë shqiptarë u detyruan të shpërngulen prej vatrave të veta. Në Klubin kulturor serb në Beograd, më 7 mars 1937, akademiku serb Vasa Çubrilloviq (1897-1990) promovoi elaboratin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve). Shumë shqiptarë u dëbuan për në Turqi.

Sot e kësaj dite, trojet shqiptare mbahen të pushtuara nga Serbia, nga Maqedonia, nga Mali i Zi dhe nga Greqia.

Copëtimi i tokave shqiptare filloi në Kongresin e Berlinit (1878), për të vazhduar në Konferencën famëkeqe të Ambasadorëve në Londër, më 1912-1913.

Pushtimin e trojeve shqiptare, gjatë historisë politike të kohës më të re, d.m.th. prej vitit 1850 e këndej, e ka mbështetur dhe e ka nxitur Rusia, ndërsa në Konferencën e Ambasadorëve, përpos Rusisë, edhe Franca me Anglinë. Sot e kësaj dite, Rusia punon me të madhe për Serbinë dhe kundër shqiptarëve.

*   *   *

Shqiptarët kanë një flamur, atë të Gjergj Kastriotit. Kanë një gjuhë. Norma të gjuhës letrare shqipe janë ato të Kongresit të Drejtshkrimit, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972. Shqiptarët flasin një gjuhë, kanë një histori dhe janë një komb.

Pikëpamja se krahas gjuhës letrare standarde shqipe, ekziston edhe gegërishtja letrare, është pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare. Një pikëpamje të tillë, shumë kohë më parë, e kanë mbështetur fuqimisht akademikët serbë.

Pikëpamja se krahas kombit shqiptar ekziston edhe kombi kosovar nuk është veçse pikëpamje antikombëtare dhe antishqiptare. Mbrojtja e një pikëpamjeje të tillë është tradhti e lartë.

*   *   *

Çështja shqiptare në Ballkan nuk është çështje, as fetare dhe as ideologjike. Kauza shqiptare nuk ka asnjë lidhje me marksizëm-leninizmin. Kryeministri i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, Nikolla Pashiq (Nikola Paši?, 1845-1926) dhe karagjorgjeviqët kurrë nuk ua kanë ndaluar shqiptarëve xhamitë. Përkundrazi, akademikët serbë kanë thënë: “Jepuni shqiptarëve xhami sa të duan. Shkolla mos u jepni”. Çështja shqiptare në Ballkan është çështje kombëtare dhe është e vetmja çështje e pazgjidhur e gadishullit.

Të lidhësh miqësi me Beogradin dhe Josip Broz Titon (1892-1980) apo me Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalinin (1879-1953) dhe Moskën dhe t’i shpallësh luftë ideologjike Amerikës dhe Perëndimit, do të thotë të mos kesh vizion politik. Gabimet në histori mund t’i kushtojnë një populli - një shekull, mund ta lënë një popull njëqind vjet pas.

Shembja e monizmit dhe ardhja e pluralizmit u mundësoi shqiptarëve të bëjnë kthesë historike. Tani miq të shqiptarëve janë Fuqitë e Mëdha të Perëndimit.

Shqiptarët duhet të dëshmojnë se janë popull politik dhe se posedojnë aftësi për të ndërtuar shtet ligjor dhe shtet demokratik. Të dëshmojnë se posedojnë aftësi për ta qeverisur vendin.

Shqiptarët janë popull perëndimor dhe populli më proamerikan në botë. Mirëpo, s’mjafton të thuash se je properëndimor dhe proamerikan. Për të qenë properëndimor dhe proamerikan duhet t’i respektosh parimet themelore të demokracisë dhe rregullat e funksionimit të shtetit të së drejtës. Shtetin që udhëhiqet nga politikanë të cilët shndërrohen në milionerë, Perëndimi nuk e mbështet, pavarësisht nga interesat strategjikë që mund të ketë në të.

Sot shqiptarët, kanë miq në shumë anë të botës. Midis tyre janë Vatikani, ShBA-ja, Gjermania, Italia, Austria, Kroacia, Londra etj. Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Evropë, në mos i vetmi, të cilët gjatë Luftës II Botërore nuk ia dorëzuan Gestapos as edhe një hebre të vetëm.

*   *  *

Periudha e tranzicionit nëpër të cilën kalon Shqipëria që prej vitit 1991 deri më sot, është një periudhë e përgjakshme, e paparë ndonjëherë në historinë e kontinentit të vjetër. Çdo ditë ndodhin vrasje. S’ka ditë pa ndonjë aksident në qarkullimin rrugor, me vdekjet si pasojë.

Shqiptarët, për problemet me të cilat ballafaqohen, nuk duhet t’i fajësojnë faktorët e jashtëm, siç janë sundimi osman apo politika antishqiptare e Beogradit, e Athinës dhe e Moskës. Sundimi osman mbi shqiptarët ka marrë fund qysh në vitin 1912. Pra, më shumë se një shekull. Fajin për fatkeqësinë e vet, njeriu duhet ta kërkojë në vetvete.

Kosova zë vendin e pestë në botë me linjit. Megjithëkëtë, ka sasi të pamjaftueshme të energjisë elektrike. Të thuash se politikës shqiptare i mungon aftësia për ta qeverisur vendin, do të ishte e tmerrshme dhe e dhimbshme. Shtetin e varfër apo shtetin që është fazën e zhvillimit, mund ta udhëheqin vetëm idealistët dhe jo tregtarët apo tyxharët politikë. Qëllimi i tyre, i tyxharëve politikë është të pasurohen dhe t’u lënë pasuri marramendëse fëmijëve, nipave dhe mbesave të tyre. Akulli i trashë një metër nuk është krijuar brenda natës – thonë kinezët. Problemet që kanë të bëjnë me energjinë elektrike në Kosovë burojnë nga e kaluara.

Shteti nuk është pronë e pesë vetëve. Të tilla kanë qenë shtete të caktuara të Amerikës Latine në vitet ’50 të shekullit XX. E tillë ka qenë Maqedonia e Nikolla Gruevskit dhe e kompanjonit të tij.

Ndër politikanë shqiptarë ka edhe të tillë që hiqen aristokratë të politikës dhe të intelektualizmit. Ata pandehin se, po qe se vishesh mirë, d.m.th. me rroba të shtrenjta dhe në televizion flet ngadalë, do t’i tregosh opinionit se je aristokrat, edhe i politikës edhe i intelektualizmit. Këta politikanë apo politikane, nuk janë veçse aristokratë të mashtrimit, të manipulimit, të abuzimit, të gënjeshtrës, të vjedhjes, të hajdutërisë, të imoralitetit. Milionerë në mesin e një populli të varfër?! Turp dhe mëkat! Këso skenash beketiane s’i gjen dot as te labirintet kafkiane.

Në çdo vend të gadishullit ka pozitë dhe opozitë, por askund si ndër shqiptarë nuk ka një kacafytje kaq të ashpër. Detyrë e opozitës është të korrigjojë pozitën, mazhorancën dhe jo të merret me populizëm dhe banalizim. Parimet demokratike nuk duhen shndërruar në perime bujqësie.

Kjo farë klase politike ekziston në saje të inteligjencies oportuniste dhe konformiste, shumë prej tyre tregtarë flamujsh. Kjo kolonë poltronësh fare nuk çanë kokën se Shqipëria zë vendin e dhjetë në botë me ikjen e trurit. Të ikësh prej një vendi me pozitë në Evropë, me dy dete, me pasuri dhe bukuri natyrore, është e dhimbshme. Shqiptarët një ditë mund të ballafaqohen me vdekjen e bardhë, d.m.th. me shkallën e vdekshmërisë, më të lartë se të lindshmërisë, me mortalitet më të madh se nataliteti.

Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë.

Noli

Aristokratët e mashtrimit dhe të hajnisë, i kanë edhe shërbëtorët e vet. Këta janë analistët politikë, ekonomikë dhe socialë – që të gjithë mercenarë. Shërbëtorë janë edhe kalemxhinjtë që shkruajnë me porosi dhe që hiqen se po kritikojnë dikë apo diçka. Në shërbim të këtij dance macabre (valleje të përmortshme) ku mjerimi migjenian propagandohet si një metarealitet, janë edhe shumë mediume, gazeta, revista, portale, studio televizive, të ashtuquajturat debate televizive. Në këtë ferr dantesk gjen gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, moderatorë, udhëheqës programesh, debatesh dhe panelesh. Asnjëri nga sa më sipër nuk çanë kokën për shpopullimin e trojeve, që shpesh i quajnë ilire dhe arbërore.

Në një vend ku mungon mendimi kritik, kritika politike dhe kritika sociale, s’mund të ketë përparim. Mungesa e mendimit ndryshe flet për mungesë të hapësirës demokratike. Shoqëria me intelektualë të instrumentalizuar, vështirë përparon.

Shqiptarët nuk duhet të lejojnë përmbysjen e sistemit të vlerave, të vlerave të sipërthëna – letrare, artistike, kulturore, kombëtare të ndërtuara nëpër shekuj. Kur mediokri del e bëhet udhëheqës dhe administrues, të aftit dhe të ndershmit s’i mbetet tjetër pos të marrë në sy rrugët pa kthim të Perëndimit.

Nëpërmjet reality programeve ku mbizotëron zbavitja e lehtë dhe amoraliteti, tregtarët e politikës i amortizojnë pakënaqësitë në shoqëri. Kaq larg nuk kanë shkuar as perandorët e lashtësisë.

Pa një Shqipëri të konsoliduar, nuk mund të pritet përparimi i kombit shqiptar në Ballkan. Derisa shqiptarët merren me vetveten, armiku i tyre po forcohet. Derisa shqiptarët merren me mikrovlera, armiku i tyre ndërton makrosisteme.



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora