Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe albanologu kroat Milan Šufflay
E premte, 24.12.2021, 09:00 PM
SHQIPTARËT DHE ALBANOLOGU KROAT MILLAN SHUFLAJ
Nga Xhelal
Zejneli
Millan Shufllaj
(Milan Šufflay) lindi Në Lepogllavë, më 8 nëntor 1879, vdiq në Zagreb, më 19
shkurt 1931. Është historian, politikan, përkthyes dhe shkrimtar kroat. Një
prej themeluesve të albanologjisë. Autor i të parit roman
fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Fëmija më i vogël i mësuesit Augustin
Shuflaj dhe i Franciska, e lindur Velle fon Forstern (Welle von Vorstern). Nëna
e tij ishte gjermane nga Osijeku (qytet në Kroacinë e sotme). Millan Shuflaj
kishte dy motra më të mëdha – Angella dhe Zllata. Në vitin 1897 kreu në Zagreb gjimnazin klasik. Studioi në
Universitetin e Zagrebit historinë. Në vitin 1901 mbrojti disertacionin “Kroacia
dhe dëshira e fundit e perandorisë lindore nën skeptrin e tre Komnenëve
(1075-1180) dhe mori gradën e doktorit të filozofisë. Qysh si student,
njihte frëngjishten, gjermanishten, italishten, anglishten, të gjitha gjuhët
sllave, latinishten, greqishten e vjetër dhe greqishten e mesme. Më vonë mori
njohuri për greqishten e re, shqipen, hebraishten dhe
sanskritishten (indishtja e vjetër). Profesori Tadija Smiçikllas e konsideronte
si studentin e vet më të talentuar. E kishte asistent në redaktimin e “Codex
diplomaticus” të Akademisë.
Në vitet 1902-1903
studioi në Institutin e Historisë Austriake në Vjenë. U mor me studimin e
historisë mesjetare kroate si dhe me të kaluarën e shqiptarëve. U
bë edhe historian i Ballkanit. Kishte bindjen se e kaluara e kroatëve mund të
hulumtohet drejt vetëm nga pozicioni ballkanik. Me këtë e ndërpret mendimin
mbizotërues të historianëve kroatë se kroatët janë përfaqësues të Perëndimit
dhe në oponencë ndaj Ballkanit. Historiani, politikani dhe diplomati dhe albanologu
i njohur hungarez, i lindur në Sllovaki Lajosh Taloçi (Lajos
Thallóczy, 1857-1916), e merr në Budapest ku punon në Muzeun Popullor. Në vitet
1904-1908 aty punon si kustos. Në vitin 1908, Bani (guvernatori) Levin Rauh
(Rauch), e emëron profesor inordinar në katedrën e shkencave ndihmëse të
historisë në Universitetin e Zagrebit. Në vitin 1912 zgjidhet profesor ordinar.
Kur bani Rauh zëvendësohet nga bani Nikolla Tomashiq, Millan Shufllaj u detyrua
të largohej nga universiteti. Në fillim të vitit 1915 u mobilizua dhe u dërgua
në shërbimin ushtarak austro-hungarez. Për shkak të sëmundjes, u lirua nga
shërbimi ushtarak. Tani i shkruan punimet e tij më të rëndësishme.
* * *
Ishte një prej
promotorëve kryesorë të idesë „kufiri në Drinë“, si kufi i
religjioneve, i qytetërimeve dhe i ndarjes së botës katolike prej
popujve jokatolikë.
Në vitin 1921, në
shtetin e ri – Mbretërinë e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Mbretëria
e SKS) u arrestua “për tradhti të lartë”, spiunim në dobi të shtetit të huaj. U
nxor para gjykatës, bashkë me Dr. Ivo Pilarin dhe 14 të akuzuar të tjerë.
Procesi gjyqësor kundër tyre zgjati prej 2 deri në 25 qershori i vitit 1921.
Sipas aktakuzës së drejtësisë të regjimit të mbretit Aleksandar I
Karagjorgjeviq (Cetinë, Mali i Zi, 1888 – Marsej, Francë, 1934), këta
kishin punuar për shkëputjen e dhunshme të Kroacisë nga Mbretëria e SKS.
Shënim: Aleksandar I
Karagjorgjeviq ka qenë i pari mbret i Mbretërisë së SKS. Në vitet 1929-1934 ka
qenë mbret i Mbretërisë Jugosllave. U vra në Marsej të Francës. Për atentatin u
fajësuan nacionalistët kroatë.
* * *
Shuflaj deklaron
para gjyqtarëve se Kroacisë nuk i duhet një luftë e armatosur si ajo në Irlandë
dhe as shkëputje e dhunshme.
Midis tjerash thotë:
“Kroacia e ka të drejtën e vet shtetërore, ndërsa kroatët si një popull
politik, e kanë të drejtën e tyre të natyrshme, të drejtën për vetëvendosje.
Ndërprerja e lidhjes me ish-monarkinë më 29 tetor 1918, paraqet bazë për
shtetin e pavarur kroat. Ky shtet nuk është pjesë e ndonjë kornize të vjetër
... Këtu s’kemi të bëjmë me shkëputje! Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë me një
kornizë të re shtetërore, e cila juridikisht ende nuk është krijuar. Të më
akuzoni se unë dëshiroj ta shkëpus shtetin kroat që ekziston, nga mbretëria
SKS, e cila juridikisht nuk ekziston, nuk është veçse një lajthitje juridike
dhe logjike. (...) Po qe se ndjenja kroate, dëshira dhe ideja për vetëvendosje,
për shtetit kroat, besimi për Antantën paraqet mëkat, atëherë unë jam fajtor.
Por, këtë ndjenjë, këtë dëshirë, këtë besim e ka i tërë populli kroat dhe i ka
shprehur nëpërmjet përfaqësuesve të Banovinës Kroate. Pushteti që më padit,
mund ta fitojë procesin kundër meje, por duke qenë se e përndjek tërë popullin
kroat, do ta humb procesin para fytyrës së Evropës... Për mua si filozof dhe si
një kroat liridashës, fare s’ka rëndësi në qëndroj në bankën e vogël të kësaj
gjykate ose të ndonjë ndëshkimoreje tjetër apo më shkarkoni nga akuza, për të
dalë në liri, që nuk është veçse një burg i madh, ku mbahet nën robëri i tërë
populli kroat, që me ndihmën e Zotit, besoj t’i vijë fundi”.
Shënim: Stjepan Radiq (Stjepan
Radi?, 1871-1928) është politikan, shkrimtar, përkthyes dhe publicist kroat.
Personalitet i shquar i historisë kroate. I pari politolog kroat i diplomuar.
Kryetar i Partisë Fshatare Kroate. Më 8 gusht 1928 u qëllua me revole në
Kuvendin e Jugosllavisë në Beograd, gjatë seancës. Atentator ishte çetniku serb
Punisha Raçiq. Me këtë rast u qëlluan edhe disa deputetë të tjerë kroatë.
Stjepan Radiqi vdiq nga pasojat e plagëve të marra.
* *
*
Ndërhyrjeve të
gjyqtarëve se askush nuk është duke e përndjekur popullin kroat, Shufllaj u
përgjigjet: “Për këtë pyetni Stjepan Radiqin, ai është populli kroat”. Po
kur të vdes Radiqi? Shufllaj ua kthen: “Populli kroat do të lindë Radiq
tjetër”.
Shuflaj u dënua me
tre vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi bëri bujë në mbarë botën. Të akuzuarit e
tjerë u dënuan: Pavao See me 12 vjet heqje lirie, Rudolf Vidak me 4 vjet,
Dragutin Taborshak me 3 vjet e katër muaj, Franjo Shkvorc dhe Jakob Petriç me
nga 3 vjet, Josip Drenski Shpolarec me 2 vjet e katër muaj, Ivan Havelka me 8
muaj, Gabriel Kruhak, Florijan Shtromar, Millan Galloviq dhe Ivan Kovaçiq me
nga 6 muaj, Dr. Ivo Pilar me 2 muaj, me kusht një vit, ndërsa Sharlota Vidak,
Antun Paviçiq dhe Andrija Medar u liruan nga akuza.
Lidhur me dënimet e
sipërthëna ka pasur reagime nga shkencëtarë të shumë vendeve të botës.
Shuflaj e vuajti
dënimin në burgun e Mitrovicës së Sremit (Sremska Mitrovica). Pas transferimit
në burgun e Zagrebit, u operua dhe u konstatua se lëngon nga tuberkulozi i
mushkërive, nga emfizema dhe se ka probleme me zemrën. Më 2 tetor 1922, pasi e
vuajti gjasmën e dënimit, u lirua nga burgu. U vendos te motra Zllata në
Zagreb, në Rr. “Gunduliqeva” Nr. 25. Pasi doli nga burgu, përsëri iu përkushtua
punës shkencore. Në pranverë të vitit 1928, pranoi ofertën e katedrës së
historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Budapestit dhe më 1 qershor
të po atij viti, u emërua profesor universitar, por nuk kishte mundësi të
shkonte për arsye se kërkesa për pasaportë iu refuzua. Në vjeshtë të vitit
1929, me kërkesën e qeverisë shqiptare dhe të Akademisë së Shkencave të
Austrisë, e vazhdon veprën e historianit dhe ballkanologut çek, profesor i
Universitetit të Vjenës, Konstantin Jireçek (Konstantin Joseff Jire?ek,
1854-1918) dhe të historianit, politikanit, diplomatit dhe albanologut të
njohur hungarez Lajosh Taloçi (Lajos Thallóczy, 1857-1916) – përgatit
vëllimin III të lëndës arkivore “Codex Albanicus”. Dy vëllimet e
para të veprës përfshijnë periudhën prej vitit 344 deri në vitin 1451.
Në vitin 1929 e
pranon ftesën e qeverisë shqiptare për ta vizituar Shqipërinë. Pas shumë
peripecish dhe ndërhyrjesh, ia del të marrë pasaportë. Në dhjetor të viti 1930
Shuflaj vjen në Shqipëri. Është pritur me nderime të mëdha. E ka pritur
edhe Mbreti Ahmet Zogu (1895-1961). Më 16 janar 1931 Shuflaj mban
fjalim në Kuvendin e Shqipërisë.
Shuflaj ka mbajtur
letërkëmbim me personalitete të njohura të lëmit të shkencës, me institucione,
me akademi të shkencave të Austrisë, të Gjermanisë, të Hungarisë, të Italisë,
etj. Ka mbajtur letërkëmbim edhe me Mid’hat Frashërin (Lumo Skëndo,
1880-1949), me ministrinë Arsimit të Shqipërisë Abdurrahman Dibra (1885-1961).
Ka botuar artikuj shkencor edhe në revistën “Dituria” të Lumo Skëndos.
Letërkëmbim ka mbajtur edhe me albanologun italian Antonio Balldaçi (Antonio
Baldacci, 1867-1960). Për letërkëmbimin e Shuflait, historiani Zekiria Cana (1934-2009)
dhe profesori, përkthyesi e gazetari Ymer Jaka (1937-2009) kanë
botuar një studim në revistën “Përparimi”, Nr.1/1988, Prishtinë.
Vepra „Serbët
dhe shqiptarët“, të përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl
Gurakuqi, është botuar edhe në revistën “Hylli i Dritës”, Shkodër
1938.
Kah mesi i janarit
të vitit 1931 i hulumton fondet arkivore të Dubrovnikut dhe të Kotorit, ndërsa
kah fundi i janarit të po atij viti e përfundon vëllimin III të botimit të “Codex
Albanicus”.
* * *
Me t’u kthyer nga
Shqipëria, mori letër kërcënuese. Nëpër gazetat dhe revistat u sulmua në mënyrë
të vazhdueshme. Kjo tregonte qartas se qarqet serbomadhe kishin vendosur ta
likuidojnë. Pjesëtarët e organizatës së regjimit “Jugosllavia e Re” (Mlada
Jugoslavija), e cila gëzonte mbrojtjen e mbretit, më 18 shkurt të vitit 1931 e
pritën në prag të derës, e qëlluan me hekur në kokë dhe ia thyen kafkën. Pas
kësaj, i kanë hyrë në banesë dhe e kanë marrë dorëshkrimin e përgatitur për
botim të bleut III “Codex Albanicus”. Vdiq pas një dite, më 19
shkurt 1931, nga pasojat e plagëve të marra në kokë.
Agjentët e policisë
Lubomir Bellosheviq dhe Branko Cveger (Zwerger) që e kishin kryer krimin, u
strehuan në Beograd. Pas themelimit të Banovinës (Guvernantës) Kroate, u kërkua
dërëzimi i tyre. por më kot. Prej 10 qershorit deri më 14 qershor të vitit
1940, u zhvillua procesi i rigjykimit të atentatorëve. Edhe tani gjykata nuk
deshi të provojë të vërtetën e pamohueshme se atentati apo krimi barbar ishte
kryer me urdhrin e shefit të policisë së Zagrebit, Janko Bedekoviq, me porosinë
e Beogradit. Pas një shqyrtimi treditor, më 21 qershor 1940, i shpalli fajtor
Branko Cvergerin (Zwerger) dhe Lubomir Bellosheviqin, ndërsa personin e tretë,
Stevo Veçerinac, e liroi nga faji. Branko Cverger (Zwerger) u dënua me dënim të
përjetshëm dhe me humbjen e përhershme të të drejtave për të qenë i nderuar,
ndërsa Lubomir Bellosheviqi u dënua me pesë vjet heqje lirie dhe me humbjen e
të drejtave për të qenë i nderuar.
Prokurori shtetëror
nuk ishte i kënaqur me lartësinë e dënimeve. Më 28 qershor 1940 i paraqiti Avokatisë
Shtetërore ankesë dhe kërkesë për revizion. Kërkoi nga Tryeza e të shtatëve që
lidhur me lartësitë e dënimeve të marrë vendim të ri. Tryeza e të shtatëve
dënimin për Branko Cvergerin (Zwerger) e konfirmoi, ndërsa për Lubomir
Bellosheviqin, gjatë dhjetorit të vitit 1940 dhe janarit të vitit 1941, në
Gjykatën e qarkut në Zagreb, mbajti proces të ri. Më 25 janar 1941, nxori për
të aktgjykim lirues.
* * *
Fizikani gjerman me
prejardhje hebraike Albert Ajnshtajn (Albert Einstein, 1879-1955) dhe romancieri
gjerman, autor veprash me tema sociale Hajnri Man (Heinrich Mann,
1871-1950), nëpërmjet Lidhjes ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me
seli në Paris, e ftuan opinionin kulturor të botës të ngrenë zërin e
protestës kundër krimit të kryer ndaj Millan Shuflait. Megjithëkëtë, vrasjet
politike të kroatëve në Jugosllavi vazhduan.
Më 22 shkurt 1931,
edhe pse ishte ithtar i Partisë Kroate të Drejtësisë, Shuflaj u varros në
pjesën e portikut të varrezave Mirogoj të Zagrebit, që i takonte Partisë Fshatare
Kroate.
Veprat - Përpos veprave
shkencore, Shuflaj ka shkruar edhe romanin “Në Paqësor, në vitin 2255”.
Është i pari roman fantastik-shkencor në letërsinë kroate. Për këtë arsye
konsiderohet themelues i letërsisë fantastike-shkencore kroate. Veprën e botoi
më 1924 me pseudonimin Eamon O’Leigh. U botua në “Obzor” prej 23 prillit deri
më 1 gusht 1924, në 75 vazhdime. Në këtë roman e parashikoi shpërthimin e
Luftës së dytë Botërore, rritjen e temperaturës në tokë, përhapjen e
feminizmit, rritjen e përdorimit të drogës dhe të stimuluesve të ndryshëm,
kalimin në vegjetarianizëm, bioinxhinieringun etj.
Ka shkruar disa
libra nga historia e Shqipërisë.
- Hrvatska i zadnja
pregnu?a isto?ne imperije pod žezlom triju Komnena (1075-1180), Zagreb, 1901; (Kroacia dhe dëshira e fundit e
perandorisë lindore para skeptrit të tre Komnenëve, 1075-1180);
- Die
Dalmatinische Privaturkunde, Vjenë, 1904;
- A két arbei
iker-oklevél, Athenaeum irodalmi es nyomdai r.-t. nyomasa, Budapest, 1905;
- Biologie des
albanesischen Volksstammes, Munchen, 1916;
- Die
Kirchenzustànde im vorturkischen Albanien von Milan v. Sufflay,
Budapest, 1916.
- Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia; Kjo përmbledhje diplomatike shqiptare, në dy
vëllime, u punua bashkë me Konstantin Jireçekun dhe Lajosh Talloçin
(Thallóczy)], Vëllimi I, Vjenë 1913; Vëllimi II, 1918. (repr. Drejtoria e
Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë etj. Vëll. 1: Annos 344-1343
tabulamque geographicam continens. Vëll. 2: Annos 1344-1406
continens, Tirana, 2002.);
- „Kostadin
Balši?“ (1392-1402.): roman historik në tri pjesë, „Kostadin
Balsha“ (1392-11402), roman historik, Shtypshkronja Merkur, Zagreb, 1920.
(me pseudonimin Alba Limi);
- Ludwig v.
Thalloczy: (1854-1916), Weidmannsche Buchhandlung, Berlin, 1920;
- Stàdie una
Burgen Albaniens hauptsachlich wahrend des Mittelalters, Vjenë-Lajpcig
(Leipzig), 1924; “Albanski gradovi i utvrde posebice u srednjem vijeku
(Qytetet dhe kështjellat shqiptare në veçanti në mesjetë);
- Srbi i
Arbanasi. (Njihova simbioza u srednjem vijeku), Serbët
dhe shqiptarët. (Simbioza e tyre në mesjetë), Beograd-Lubjanë,
1925. (Književna zajednica Kultura, Sarajevë, 1990; bot. Azur Journal, Zagreb,
1991; botimi anglez Serbs and Albanians, përkthyer në
anglisht nga Wayles Browne dhe? Theresa Alt, Alerion, 2012);
- „Serbët dhe
shqiptarët“, përkthyer në shqip nga Zef Fekeçi dhe Karl
Gurakuqi (Shkodër, 1895 – Palermo, Itali, 1971), Tiranë, 1926;
- Statuti i
uredbe kaptola dra?ke stolne crkve (Statutet dhe dekretet e
kaptolit të kishës ekleziake të Durrësit) (Statuta et ordinationes
capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis, 1927, bashkautor
historiani kroat, profesor i Universitetit të Beogradit dhe anëtar i Akademisë
Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Viktor Novak (1889-1977);
- Hrvatska u
svijetlu svjetske historije i politike: dvanaest eseja, (Kroacia në
dritën e historisë dhe të politikës botërore: dymbëdhjetë ese); Shtypshkronja
Merkantile (Gj. Jutrisha dhe shokët), Zagreb, 1928, (rishtypur, Darko
Sagrak, Zagreb, 1999);
- Hrvati u
sredovje?nom svjetskom viru, 1931 (Kroatët në vorbullën botërore të
mesjetës), 1931;
- Historia e shqiptarëve të veriut. Serbët dhe shqiptarët, Prishtinë, 1968;
- Dr. Milan Šufflay:
znanstvenik, borac i mu?enik: povodom 60 godišnjice od atentata 1931-1991,
kryeredaktor përgjegjës Dobrosllav Paraga dhe Ante Paraxhik, Hrvatska
stranka prava, Zagreb, 1991. (Dr. Millan Shuflaj: dijetar, luftëtar dhe
martir: me rastin e 60-vjetorit të atentatit 1931-1991); Partia Kroate e
Drejtësis;
- Kostadin Balši?, (Kostadin Balsha), Bashkësia e shqiptarëve në Republikën e Kroacisë, Zagreb,
1997;
- Na Pacifiku god. 2255., Prosvjeta, Zagreb, 1998., (Në Paqësor, në vitin
2255: roman metagjenetik në katër libra, roman fantastik-shkencor; i
regjistruar për herë të parë në vitin 1998);
- Izabrani eseji, prikazi i ?lanci, Darko Sagrak, Zagreb, 1999. (Ese të zgjedhura,
paraqitje dhe artikuj);
- Izabrani eseji, rasprave, prikazi, ?lanci i korespondencija, (Ese të zgjedhura, shqyrtime, paraqitje,
artikuj dhe letërkëmbim);përgatiti për shtyp dhe redaktoi Darko Sagrak,
Zagreb, 2000;
- Izabrani politi?ki spisi, (Shkrime politike të zgjedhura); përgatiti Dubravko
Jelçiq në edicionin Stolje?a hrvatske književnosti (Shekuj të letërsisë
kroate), Zagreb, 2000;
- Dalmatinsko-hrvatska srednjovjekovna listina. Povijest hrvatskoga
notarijata od XI. do XV. stolje?a, (Dokumente dalmato-kroate të mesjetës. Historia e
noterisë kroate prej shekullit XI deri në shekullin XV), Zagreb, 2000,
përkthimi Die Dalmatinische Privaturkunde nga 1904. Redaktoi dhe
përktheu nga gjermanishtja Darko Sagrak. (botim i dytë, 2007).
* * *
Më 26 nëntor 2002, u
mbajt në Tiranë konferenca shkencore „Shuflaj dhe shqiptarët“, kushtuar veprës së Shuflait. Në të morën
pjesë studiues nga Shqipëria, nga Kosova, nga Kroacia etj. I pranishëm ishte
edhe Ismail Kadareja. Me këtë rast, kryetari i Shqipërisë Alfred
Moisiu i akordoi post mortem
Shuflait çmimin „Naim Frashëri i Artë“;
Më 25 nëntor 2013,
Posta e Shqipërisë ua kushtoi botimin e dytë të rastit, albanologëve të njohur
Millan Shuflait, Konstantin Jireçekut dhe Lajosh Talloçit (Thallóczy).
Përpos pullës
postare të Postës së Shqipërisë me portrtin e Shuflait, në Tiranë dhe në
Prishtinë ka rrugë që e mbajnë emrin e tij.
* * *
Në vitin 1994, në
shtëpinë që ndodhet në Rr. „Dalmatinska“ Nr. 6, para së cilës u krye atentati
ndaj tij, Shoqata „Bra?a Hrvatskoga Zmaja“, („Vëllezërit e Dragoit
Kroat“) vendosi pllakë përkujtimore.
Ambasada e
Republikës së Shqipërisë në Zagreb e ndan Certifikatën për merita „Milan
Šufflay“ personave, institucioneve dhe organizatave për kontribut të
jashtëzakonshëm për forcimin e miqësisë dhe të marrëdhënieve ndërmjet
Shqipërisë dhe Kroacisë dhe popujve të tyre; për kontribut të jashtëzakonshëm
për paqen, sigurinë, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në rajon; apo
për kontribut të veçantë në lëmin akademik, të kulturës, të artit dhe të
shkencës që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe me kroatët.