Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Iluminizmi dhe mendimi politik mbi shtetin
E premte, 06.05.2022, 08:36 PM
ILUMINIZMI DHE MENDIMI POLITIK MBI SHTETIN
Liria e njeriut është absolute dhe askush atë
s’mund t’ia marrë – Xhon
Lok
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Lidhur me
iluminizmin janë zhvilluar debate të shumta. Historiani nga Uellsi Ser Kit
Vivien Tomas (Sir Keith Vivian Thomas, 1933-) thotë se që prej se ka
filluar iluminizmi, ka ekzistuar kundër-iluminizmi. Gjatë
kundër-iluminizmit, ithtarët klerikalë dhe konservatorë të religjionit
tradicional e kanë sulmuar materializmin dhe skepticizmin
si forca të liga që nxisin amoralitet. Si dëshmi të pohimeve dhe të
parashikimeve të tyre, ata theksojnë terrorin gjatë Revolucionit francez dhe
prej viti 1794 e më pas. Kah fundi i epokës së iluminizmit, brezat e ri të
filozofëve të romantizmit thoshin se varësia e tepërt nga arsyeja,
ka qenë një gabim që e ka mbështetur iluminizmi, për arsye se i ka shpërfillur
lidhjet e forta të historisë, të miteve, të religjionit dhe të
traditës që nevojiten për ta ruajtur kompaktësinë e shoqërisë.
Mendimi politik – Sikurse Revolucioni francez, edhe
iluminizmi një kohë të gjatë konsiderohej bazë e kulturës politike dhe
intelektuale perëndimore moderne. Iluminizmi shpesh ndërlidhej me Revolucioni
francez të viti 1789.
Por, historiani dhe
historiografi francez Rozhe Shartie (Roger Chartier, 1945-) thekson: “Ndoshta
revolucioni e ka sajuar iluminizmin për ta përforcuar legjitimitetin e vet në
korpusin e teksteve edhe tek autorët themelues, që kanë pasur synim ndërprerjen
e lidhjeve me botën e vjetër”. Me fjalë të tjera, Volterin dhe Rusoin,
revolucionarët i kanë ngritur në statusin e heroit, për ta arsyetuar
ndërprerjen radikale me regjimin e vjetër (ancien régime).
Sidoqoftë, dy
studiues të iluminizmit të shekullit XIX, esteti, historiani dhe filozofi
francez Ipolit Ten (Hippolyte Taine, 1828-1893) dhe filozofi francez i
të drejtës dhe i politikës Aleksis dë Tokëvil (Alexix Clerel de
Tocquesville, 1805-1859), anëtar i Akademisë Franceze, kanë bërë shumë për të
dëshmuar se iluminizmi është shkak i revolucionit. Ata kanë
punuar shumë për të dëshmuar edhe perceptimin intelektual të iluminizmit.
Pikëpamja
alternative ndaj çështjes është se parimi filozofik “i të drejtave të atyre
mbi të cilët sundohet” të përkufizuar nga filozofi anglez Xhon Lok (John
Locke, 1632-1704) në veprën e vet “Dy traktate për qeverinë” (Two Treatises
of Government, 1689/90) bën një lëvizje para nga paradigma e
sundimit të vjetër feudal, të njohur si “e drejtë hyjnore e mbretërve”.
Sipas kësaj pikëpamjeje, revolucionet që pasojnë kah fundi i vitit 1700 dhe pas
vitit 1800 kanë shpërthyer për arsye se ndryshimi në paradigmën e sundimit, nuk
ka mundur të kryhet në rrugën paqësore. Si pasojë, kanë shpërthyer revolucionet
e dhunshme. S’ka dyshim se filozofia e sundimit, sipas së cilës mbreti kurrë
nuk është fajtor, është në kundërshti të drejtpërdrejtë me filozofinë, sipas së
cilës qytetarët, në bazë të ligjit të natyrshëm, lejojnë qeverisjen e forumeve
të veta të pushtetit. Filozofinë e vet të sundimit apo të qeverisjes, Xhon
Loku (Jojn Locke) e bazonte në parimin e marrëveshjes shoqërore,
si temë kryesore që e përshkonte mendimin politik të epokës së iluminizmit.
Formalisht, filozofi
dhe shkrimtari anglez, i cili pothuajse njëzet vjet jetoi në Francë, Tomas
Hobs (Thomas Hobbes, 1588-1679), qysh në vitin 1651 këtë ide e vuri në
diskurs me veprën e vet “Leviatan” (Leviathan, 1651). “Leviatani”
është vepër klasike e teorisë politike. Xhon Loku dhe Zhan-Zhak Rusoi (Rousseau)
i kanë zhvilluar teoritë e veta të marrëveshjes shoqërore në veprat “Dy traktate për qeverinë” (Two Treatises
of Goverment, 1689) të Lokut dhe “Traktat për pabarazinë” (Discours
sur l’origine et les fondements de l’inégalité parmi les hommes, 1755) të
Rusoit. Edhe pse këto tri vepra dallohen nga njëra-tjetrën, që të tria pohojnë
se marrëveshja shoqërore është e domosdoshme për njeriun që të mundë të jetojë
në shoqërinë qytetare.
Për Hobsin,
gjendje natyrore për njeriun është gjendja e varfërisë, e dhunës dhe e anarkisë
në të cilën jeta e individit është “e vetmuar, e varfër, e neveritshme, brutale
dhe e shkurtër”. Për t’i bërë ballë kësaj, Hobsi thotë se shoqëria lidh
marrëveshje shoqërore me vetveten, në mënyrë që të zgjedhë udhëheqësin absolut,
të gjithëfuqishëm, duke hequr dorë nga një pjesë e lirive personale, në këmbim
të sigurisë dhe të mbrojtjes mbrojtjes ligjore.
Në vitin 1689, Xhon
Loku (John Locke) boton veprën e vet “Dy traktate për qeverinë” (Two
Treatises of Goverment, 1689). Aty, gjendjen natyrore të njeriut e
përkufizon si gjendje në të cilën njerëzit janë racionalë dhe ndjekin
ligjin natyror, sipas të cilit të gjithë njerëzit kanë lindur si të
barabartë dhe me të drejtën për jetë, për liri dhe për pronësi. Por, po
qe se një njeri e shkel ligjin natyror, atëherë edhe ai edhe viktima hyjnë në
gjendje lufte, nga e cila, me gjasë, nuk mund të dilet. Prandaj, Loku (Locke)
thotë se individët bëhen pjesë e shoqërisë, në mënyrë që t’i mbrojnë të drejtat
e veta natyrore nëpërmjet “gjykimit të paanshëm” apo autoritetit të përbashkët,
siç janë gjykatat të cilave u drejtohen.
Në kundërshti me
Lokun, koncepti i Rusoit (Rousseau) përkitazi me ligjin natyror dhe
shoqërinë qytetare dhe me kalimin e njeriut nga një në tjetër, bazohet në
premisën se njeriu i qytetëruar është i prishur. Në veprën “Traktat për
pabarazinë” (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalité
parmi les hommes, 1755), Rusoi thotë se njeriu natyror është qenie e
vetëdijshme e cila nuk ka dëshirë që s’mund ta plotësojë vetë. Njeriu natyror
është nxjerrë nga gjendja e vet natyrore “kur individi i parë e ka rrethuar
një copë toke të cilën edhe e ka përvetësuar, ndonëse ajo copë toke dikujt i
është nevojitur. Ka gjetur edhe disa njerëz të thjeshtë të cilët ia kanë besuar
këtë. Ky ka qenë themeluesi i parë i vërtetë i shoqërisë borgjeze”. Kur
pabarazia, e bazuar në pronësinë private, është vendosur njëherë, shoqëria
është prishur dhe ka vazhduar ta përforcojë pabarazinë nëpërmjet ndarjes së
punës dhe në fund nëpërmjet raportit të forcave. Në përputhje me këtë, në
veprën e vet “Marrëveshja shoqërore ose Parimet e të drejtës shtetërore” (Du
Contrat social, ou Principes du droit politique, 1762) e paraqet
teorinë e vet të marrëveshjes apo të kontratës. Ai thotë se njerëzit
bashkohen në shoqërinë civile nëpërmjet marrëveshjes shoqërore, në mënyrë që të
arrijnë unitet, duke ruajtur lirinë personale. Kjo është
mishëruar në sovranitetin e vullnetit të përgjithshëm,
në forumin ligjor moral dhe kolektiv, të themeluar prej qytetarëve.
Edhe pse në mendimin
politik të iluminizmit kanë mbizotëruar me të madhe teoricienët e
marrëveshjes shoqërore, megjithëkëtë, filozofi anglez Dejvid Hjum (Davide
Hume, 1711-1776) dhe filozofi e historiani skocez, i cili është marrë kryesisht
me etikën, Adam Ferguson (1723-1816), e kanë kritikuar
këtë fushë. Në esenë e vet “Mbi marrëveshjen burimore” (Of the Original
Contract, 1752), Hjum (Hume) thotë se pushteti që buron nga
pajtimi, është diçka që ndodh rrallë. Pushteti civil mbështetet në autoritetin
e sundimtarit dhe në forcë. Pikërisht për shkak të autoritetit të sundimtarit i
cili është mbi individin dhe kundër tij, individi e respekton heshtazi. Hjum
(Hume) thotë se individët “kurrë nuk
mund ta marrin me mend se pëlqimi i tyre mund t’i bëjë sovranë”.
Këtë mund ta bëjë autoriteti.
Njësoj si Hjumi,
edhe Fergusoni nuk besonte se shtetin e kanë ndërtuar qytetarët. Sipas
tij, “shteti” është krijuar nga zhvillimi shoqëror. Në veprën e tij të
vitit 1767 “Ese mbi historinë e shoqërisë civile” (An Essay on the History
of Civil Society), Fergusoni përdor katër shkallë zhvillimi. Para tij, kjo
teori ka qenë tejet e popullarizuar në Skoci, për të sqaruar zhvillimin e
njeriut nga bashkësia e gjuetarëve apo e mbledhësve deri te shoqëria
tregtare dhe civile, pa nënshkruar ndonjë marrëveshje shoqërore.
Marrëveshja e Rusoit
dhe e Lokut (Locke) bazohen në premisën se njeriu ka të drejtë
natyrore. E drejta natyrore nuk i është dhënë njeriut nëpërmjet të
drejtës dhe zakonit apo traditës, por është diçka që e kanë të gjithë njerëzit
në bashkësitë para-politike, kështu që ajo është universale dhe e
patjetërsueshme. Formulimi më i njohur mbi të drejtën natyrore është
ai i Xhon Lokut (John Locke) në studimin e tij “Traktati i dytë”
(Second Treatise) në të cilin ai sjell konceptin e gjendjes natyrore.
Siç u tha dhe më lartë, njeriu është më se i lirë në gjendjen natyrore, brenda ligjeve
të natyrës dhe arsyes. Për Xhon Lokun, ligji i natyrës bazohet në
sigurinë e ndërsjellë apo në idenë se askush nuk mund ta shkelë të drejtën
natyrore të tjetrit, për arsye se çdo njeri është i barabartë dhe i ka të
drejtat e njëjta të patjetërsueshme. Këto të drejta natyrore përfshijnë
barazinë dhe lirinë e përsosur, si dhe të drejtën për mbrojtjen e jetës dhe të
pronës. Me këtë formulim, Xhon Loku e argumentonte qëndrimin e
vet kundër robërisë, duke thënë se robërimi i vetvetes e shkel
ligjin natyror. Njeriut nuk mund t’ia dorëzosh të drejtat që janë të tijat. Liria
e njeriut është absolute dhe askush atë s’mund t’ia marrë dot. Përveç
kësaj, Loku thotë se individi nuk mund ta robërojë tjetrin, për arsye se moralisht
kjo është e papranueshme. Në dënimin e robërisë, Loku ka bërë një përjashtim.
Sipas tij, gjatë luftës dhe konfliktit, individi mund të bëhet rob, për arsye
se kjo nuk është veçse vazhdim i gjendjes së luftës. Ai shton se askush nuk
mund ta shesë tjetrin si rob, por po qe se ndokush bëhet rob me ligj, robëria e
tij nuk bie ndesh me të drejtën natyrore të tij.
Sikurse edhe
filozofët e tjerë të iluminizmit, edhe Zhan-Zhak Ruso (Rousseau) kishte
qëndrim kritik ndaj tregtisë me robër nëpër Atlantik.
Teoria e Lokut
(Locke) për të drejtat natyrore ka ndikuar në shumë dokumente politike, duke
përfshirë edhe Deklaratën mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve të
Asamblesë Kushtetuese Kombëtare të Francës si dhe Deklaratën amerikane të
pavarësisë.
* * *
Në veprën e vet “Regjimi
i vjetër” L’Ancien Régime, 1876), eseisti, historiani i letërsisë
dhe filozofi francez Ipolit Ten (Hippolyte Taine, 1828-1893),
prejardhjen e Revolucionit francez e gjen te klasicizmi francez.
Por kjo nuk do të mundë të ndodhte pa ndihmën e pikëpamjes iluministe mbi
realitetin, që e shembi dogmën monarkiste dhe religjioze të regjimit të
vjetër. Me fjalë të tjera, Ipolit Teni (Taine) ishte i preokupuar me
iluminizmin për aq sa kjo shpinte kah një diskurs shkencor përparimtar dhe e
përçonte atë që ai e konsideronte trashëgimi intelektuale të klasicizmit
francez.
Filozofi francez i
të drejtës dhe i politikës Aleksis Tokëvil (Alexis Clerel Tocqueville,
1805-1859), i cili vitet 1831-1833 i kaloi në ShBA, më pas edhe në Angli, në
veprën e vet “Regjimi i vjetër dhe Revolucioni” (L'Ancien Régime et la
Révolution, 1856), iluminizmin e ka pasqyruar në mënyrë të
elaboruar. Për Tokëvilin, Revolucioni francez ka qenë rezultat i
pashmangshëm i përplasjes radikale ndërmjet monarkisë dhe mendimtarëve
të iluminizmit në shekullin XVIII. Këta mendimtarë kanë qenë një lloj “aristokracie
alternative, e cila ka qenë edhe e gjithëfuqishme, edhe pa fuqi reale”. Kjo
fuqi fiktive ka rezultuar nga sensibilizimi i opinionit publik, që ka
lindur pasi që centralizimi absolutist e ka larguar nga sfera
politike fisnikërinë dhe borgjezinë. Politika letrare që ka
lindur në këto rrethana, e ka promovuar diskursin mbi barazinë, duke qenë në
kundërshti radikale me regjimin monarkist.
Fizikani, filozofi
dhe shtetari gjerman, më pas edhe ministër danez, Johan Struense (Johann
Friedrich Struensee, 1737-1772), duke qenë një reformator para kohës së vet, në
vitin 1772 u ekzekutua nga pushteti diktatorial.
Historiani amerikan
i kulturës, i cili specializoi në Francë për shekullin XVIII, drejtor i
bibliotekës së Universitetit të Harvardit, Robert Çoet Darnton (Robert
Choate Darnton, 1939-), në veprën e vet “The Business of
Enlightenment: A Publishing History of the Encyclopédie, 1775–1800“ të
botuar në vitin 1979, thotë: „Efektet kulturore të këtij transformimi në
formën e shfrytëzimit të forcës,
Tokëvili i përvojon në mënyrë të qartë. Megjithëkëtë, nevojitej edhe një
shekull, që në historiografi qasja kulturore të zinte vend qendror”.
Historiania belge e
mendimit politik, profesoreshë e historisë politike moderne pranë Universitetit
në Utreht, Anelien dë Dijn (Annelien de Dijn, 1977-) thotë
se Piter Gej (Peter Gay) është i pari i cili në veprën e vet „The
Enlightenment: An Interpretation, 1966“ , e ka formuluar
interpretimin se iluminizmi e ka sjellë në Perëndim modernizimin politik, që
rezulton me zbatimin e vlerave dhe të institucioneve demokratike dhe me
krijimin e demokracive liberale moderne.
Edhe pse kjo tezë ka
hasur në një mori kritikash, shkencëtarët anglofonë atë e kanë pranuar
krahëhapur. Teza e historianit gjermano-amerikan Piter Joakim Gej (Peter
Joachim Gay, Berlin, 1923 – Menheten, Nju-Jork, 2015) është përforcuar edhe nga
studimet e thella të Robert Darntonit, të historianit britanik
Roj Sidnej Porter (Roy Sydney Porter, 1946-2002), kurse kohët e fundit,
edhe nga studimet e shkrimtarit dhe akademikut britanik, të specializuar për
historinë e Holandës, për epokën e iluminizmit dhe për hebrenjtë e Evropës, Xhonatan
Israel (Jonathan Irvin Israel, Londër, 1946 - ).