Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Samuel Huntington - 'Përplasja e Qytetërimeve'
E premte, 08.04.2022, 09:15 PM
SAMUEL HUNTINGTON - ''PËRPLASJA E QYTETËRIMEVE''
Nga Xhelal
Zejneli
Semjuel Filip Hantington (Samuel Phillips Huntington) është studiues i shkencave
politike, këshilltar dhe akademik amerikan. Lindi në Nju-Jork më 18 prill 1927.
Vdiq në Martha’s Vineyard, Massachusetts, më 24 dhjetor 2008. I afërt me Partinë
Demokratike. Në vitin 1946 studioi në Universitetin Jejll (Yale University), në
vitin 1948 në Universitetin e Çikagos, ndërsa në vitin 1951 në Universitetin e
Harvardit. 58 vjet profesor në Harvrad University ku ishte edhe drejtor i
Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Profesor edhe në Universitetin Albert J.
Weatherhead III. I martuar me Nancy Arkelyan (1927-). Kishin dy fëmijë:
Timothy Mayo Huntington dhe Nicholas Phillips Huntington. Hantingtonin e kanë
quajtur Osvald Shpengleri (Oswald Spengler) i Amerikës.
* * *
Përplasja e qytetërimeve është teori sipas së cilës identiteti qytetërues do të
jetë shkaku kryesor i ndarjeve në botë, pas luftës së ftoftë.
Këtë teori e popullarizoi politologu amerikan Semjuel Filip Hantington (Samuel
Phillips Huntington) në artikullin e tij “Përplasja e qytetërimeve?” Ky
artikull ishte një kritikë tipike e tezës së popullarizuar të politologut,
ekonomistit politik dhe shkrimtarit amerikan me prejardhje japoneze Frensis
Fukujama (Yoshihiro Francis Fukuyama, Chikago, Illinois, 1952-) mbi fundin
e historisë.
Në vitin 1996, këtë
artikull Hantingtoni e zgjeroi në libër me titullin “Përplasja e
qytetërimeve dhe rirregullimi i rendit botëror” (The Clash of Civilizations and
the Remaking of World Order). Libri u shndërrua në vepër
kundërthënëse.
* * *
Fukujama është dijetar i
shkencave politike. Autor i librit “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”
(The End of History and the Last Man) të publikuar në vitin 1992. Është
libër i filozofisë politike. Fukujama argumenton se me ngritjen e demokracisë
liberale perëndimore – që ndodhi pas Luftës së Ftohtë
(1945-1991) dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (1991) – njerëzimi arriti
“jo vetëm ... kalimin e një periudhe të caktuar të historisë së pasluftës,
por edhe fundin e fistorisë si të tillë, përkatësisht pikën e fundit të
evolucionit ideologjik të njerëzimit dhe universalizmin e demokracisë liberale
perëndimore si formë përfundimtare e qeverisjes njerëzore”. Ky
libër është zgjerim i esesë së tij “Fundi i historisë?” të botuar
në verë të viti 1989, një muaj para rënies së Murit të Berlinit. Për këtë
libër, Fukujama është bazuar në filozofinë dhe në ideologjinë e Hegelit dhe
të Marksit, të cilët, historinë njrëzore e përkufizojnë si një
progresion linear, prej një epoke socio-ekonomike, në tjetrën.
* * *
Sipas Hatingtonit,
bota është e ndarë në disa qytetërime kryesore: bota perëndimore; Amerika
Latine; bota ortodokse; bota lindore e cila si tërësi të veçanta i përmban:
vendet budiste të Azisë Lindore dhe Juglindore; sfera kineze (konosfera),
përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor kinez; sfera indiane (indosfera),
përkatësisht shtetet nën ndikimin kulturor të Indisë; Japonia si qytetërim
specifik; bota islamike; qytetërimet e Afrikës nënsahariane.
Në ndarjen e vet,
Hatingtoni i ka përfshirë edhe të ashtuquajturat vende “të vetmuara”
të cilat me specifika të ndryshme kulturore dhe specifika të tjera shquhen në
rrethinën e vet. Të tilla janë Izraeli në Lindje të Afërt dhe Etiopia
krishtere në Afrikë. Këtu bëjnë pjesë edhe “vendet e ndara”,
pjesë të të cilave u përkasin qytetërimeve të ndryshme. E tillë është Ukraina
një pjesë e së cilës i takon botës perëndimore, ndërsa një
pjesë tjetër – botës ortodokse.
Si vatër kryesore e
përplasjes, Hantingtoni i ka konsideruar të ashtuquajturat “vende
ndarëse”, përkatësisht rajonet në të cilat qytetërime të veçanta janë
në kontakt me njëri-tjetrin. Me këtë rast, Hantingtoni thekson në
veçanti se konfliktet e tilla me qytetërimet e tjera janë më të ashpra në skajet
e botës islamike. Konsideronte se me kalimin e kohës, konfliktet e tilla do të
shkallëzohen në konflikte ndërmjet “vendeve kyçe” të atyre botëve apo
qytetërimeve.
Në vitet ‘90 e
këndej të shekullit XX, teza mbi përplasjen e qytetërimeve kishte një numër të
caktuar ithtarësh. Në publikun e gjerë, të paktën në botën perëndimore, u bë
aktuale vetëm pas sulmit të 11 shatorit dhe luftërave të mëdha që pasuan pas
kësaj.
Tezën e Hantingtonit
e kritikojnë ashpër kryesisht nga radhët e entuziastëve multikulturorë, të
cilët e konsiderojnë të papërputhshëm me idealet e multikulturalizmit.
“Përplasja e qytetërimeve” – ishte teza me të cilën Semjuel Hantington (Huntington)
para 15 vjetëve gjoja ka pasur çelësin e sqarimit të gjendjes në botë. Në
fillim, pas titullit në origjinalin në gjuhën angleze ndodhej pikëpyetja “The
Clash of Civilizations?”. Bëhej fjalë për artikullin që e botoi ky
politolog amerikan në verë të vitit 1993 në revistën Foreign Affairs. Me
këtë, sa çel e mbyll sytë, u bë i njohur për mbarë publikun botëror. Dukej
sikur ky profesor i Universitetit të Harvardit vërtet e kishte gjetur çelësin e
sqarimit të rendit botëror.
Hantingtoni pohon se në shekullin XXI, “përplasja e qytetërimeve” do t’i evitojë
konfliktet e vjetra ndërmjet shteteve. Derisa kolegu i tij Frensis Fukujama (Francis
Fukuyama) mbron tezën “e fundit të historisë” dhe fitoren e
ekonomisë së tregut dhe të liberalizmit pa
gjakderdhje, në anën tjetër Hantingtoni (Huntington) ngjarjet në
botë i sheh në konflikte, në beteja dhe në luftëra.
Sipas Hantingtonit, në
të ardhmen, në arenën globale do të përplasen shtatë apo tetë qytetërime
– qytetërimi perëndimor, konfuçianist, japonez, islamik, hinduist,
sllavo-ortodoks, latino-amerikan dhe mbase një qytetërim afrikan.
Me tezën e vet,
Hantingtoni e ndan botën në “qytetërime kryesore”. Vendet
me shumicë joortodokse, zakonisht përjashtohen. Për shembull
Azerbajxhani mysliman dhe pjesa më e madhe e Azisë Qendrore, si dhe rajonet me
shumicë myslimane në Ballkan, në Kaukaz dhe rajonet qendrore të Rusisë si
Tataristani dhe Bashkortostani.
Rreziku për
konflikte është më i madh atje ku ndërthuren dallimet në forcë dhe në kulturë –
pohonte Hantingtoni. Argument i tij është: Qytetërimet e sipërthëna në mënyrë
radikale janë të ndarë nja njëri-tjetri për nga gjuha, historia dhe
religjioni. Ata assesi s’e durojnë dot njëri-tjetrin dhe përveç kësaj janë
armiq të Amerikës, sipas motos “të tjerët, kundër Perëndimit” (the rest
against the West).
Jehona e tezës
së Hantingtonit ishte e madhe, por e ndarë. Kishte shumë që e ngrënin lartë si
një vizionarë, si një Osvald Shpengler* (Oswald Spengler, 1880-1936) i
Amerikës. Të tjerët ndërkaq, shohin te Hantingtoni nxitësin ideologjik i
cili me teorinë e vet kulturore të pabazuar, gdhend në gur kërkesën amerikane
për të sunduar botën. Nga kritikat, Hantingtoni nuk u shqetësua fare. Prej
disa tezave krijoi një libër prej 600 faqesh, të përkthyer në mbi 40 gjuhë të
huaja apo në dhjetëra gjuhë të botës. “Përplasja e qytetërimeve” në
gjermanisht është përkthyer me titullin “Kampf der Kulturen”‘ (Lufta
e kulturave).
Vepra nuk mbeti pa
efekt. Pas çdo sulmi islamik, posaçërisht pas sulmeve në
Nju-Jork, publiku gjithmonë nga e para shtronte pyetjen: A nuk kishte të drejtë
Hantingtoni dhe a nuk fillon vërtet tani “përplasja e qytetërimeve”. Ishte e
pazakonshme sesi vetë autori, pas sulmeve në Nju-Jork, nuk dëshironte të flasë
më për dilemat fillestare të veta. Te sulmet terroriste mbi Qendrën Tregtare
Botërore (World Trade Center), Hantington nuk sheh përplasje qytetërimesh, por
“sulm barbarësh primitivë ndaj shoqërisë
së qytetëruar të tërë botës”.
Hantingtoni
paralajmëronte për rrezikun e luftës në Irak, për arsye se - siç thoshte - ai i
thërriste shpirtrat prej të cilëve Perëndimi nuk do të lirohet aq shpejt. “Një
sulm i tillë shpie në një luftë, të një lloji krejt tjetër. Ai do të zgjojë
pjesë të mëdha popujsh dhe qeverish të botës islame, të cilat tani e mbështesin
koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit”, kishte deklaruar Hantingtoni.
Në ditët e
pleqërisë, Hantingtoni u tregua i kujdesshëm. Përse kjo përmbajtje e
përnjëhershme dhe frikë e autorit nga formula “mrekullibërëse”? Është e mundur
që Hantingtoni, në ditët e pleqërisë të jetë bërë më i mençur se ata që i
referoheshin atij. Si duket e kishte kuptuar se shpeshherë religjioni nuk është
veçse maskë me të cilën mbulohen konfliktet brutale për njohjen dhe për ndarjen
e të mirave. Ndoshta Hantingtoni e kishte vërejtur se fundamentalizmi
është një fenomen krejt modern që kishte lindur me kolonizimin.
Prandaj vrasësit në emër të islamit nuk vijnë nga mesjeta apo nga një kulturë
plotësisht e pakuptueshme, por vijnë nga një mjedis i shoqërisë globale moderne
- fakt ky që na rrëqeth të gjithëve.
Sot analistët
konsiderojnë se të flasësh për “përplasjen e qytetërimeve”, paraqet njëfarë
kurthi. Sipas tyre, po qe se veprimi politik orientohet sipas “përplasjes
së qytetërimeve” të Hantingtonit, në të vërtetë nxit pikërisht gjendjen kundër
të cilës lufton. Me këtë, formula e “përplasjes së qytetërimeve”
bëhet profeci apo orakull që e plotëson vetveten. Në dy vitet e fundit të
jetës, vetë Hantingtoni paralajmëronte se nuk duhet bërë luftë kundër
terrorizmit në fushën e minuar të kulturës, për shembull në luftën e së mirës
kundër të keqes, të dritës kundër errësirës. Teoricienët konsiderojnë se
Hantingtoni ka të drejtë, ngase nuk duhet luftuar kundër islamit por
vetëm kundër krimit që kryhet në emër të tij. Çdo veprim tjetër, akoma
më shumë do ta përhap urrejtjen, do t’i konfirmojë imazhet e armikut dhe do ta
shtojë arrogancën, do të vazhdojë me spiralen e dhunës në të gjitha anët.
Nëpërmjet
kulturizimit, konflikti e merr kthesën më të keqe të mundshme, madje edhe për
vetë Hantingtonit i cili thotë: “Qëllimi i Osama bin Ladenit është që nga
lufta e një organizate terroriste kundër shoqërisë së qytetëruar të shkaktojë
përplasjen e kulturave ndërmjet islamit dhe Perëndimit. Po qe se do t’ia delte,
kjo do të kishte qenë një katastrofë e vërtetë”.
Karrierën akademike,
Hantingtoni e filloi pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në një periudhë të
caktuar kishte të shkruar 19 libra dhe 90 punime shkencore. Në Harvard punoi 58
vjet. U largua në vitin 2007. Gjatë punës në Harvard pikësynim e kishte sistemin
e qeverisjes dhe të strategjisë politike-ushtarake të ShBA-së.
Libri i fundit kundërthënës i Hantingtonit – “Kush jemi ne?” (Who Are We?) - Sipas
pohimeve të gruas së tij, Hantingtoni gjithmonë ka qenë demokrat, ndërsa kolegu
shumëvjeçar i tij, profesori i ekonomisë Henri Rosovski* (Henry
Rosovsky, Gdanjsk, Poloni 1927-) thotë se “Në 50 vitete e fundit,
Hantingtoni ka qenë një nga politologët më me ndikim në botë, për tezat e të
cilit kanë debatuar njerëz të mbarë botës”. (Henri Rosovski ishte historian
i ekonomisë, i specializuar për Azinë Lindore; u shkollua në Harvard; ishte
dekan nderi (Dean Emeritus) i Fakultetit të Arteve dhe të Shkencave të
Universitetit të Harvardit).
Qarqet konservatore
dhe nacionaliste të vendeve të caktuara, librin e Hantingtonit e mirëpritën dhe
e quajtën bazë ideologjike të politikave të tyre, ndërsa intelektualët liberalë
të atyre vendeve, librin e tij e kanë kritikuar ashpër.
Me librin “Kush
jemi ne?” (Who Are We?) në vitin 2004 Hantingtoni përsëri shkaktoi
polemika. Në këtë libër, Hantingtoni pohon se ardhja e pakufizuar në ShBA, e
emigrantëve latino-amerikanë, do të mundë të paraqiste rrezik për unitetin
kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
* * *
Me fatin e
qytetërimeve u mor edhe filozofi gjerman dhe historian i kulturës Osvald
Shpengler (Oswald Spengler, Blankenburg, Gjermani, 29 maj 1880 – Munih, 8 maj 1936). Ishe edhe
filozof i historisë. Tregoi interesim për matematikë, shkenca dhe art si dhe
për lidhjen e tyre me teorinë organike të tij të historisë. Është autor i
veprës së njohur “Rënia e Perëndimit” (Untergang des
Abendlandes; 540 faqe). Vepra përbëhet prej dy vëllimeve. Vëllimi
i parë u botua në verë të vitit 1918 me nëntitullin “Forma dhe aktualiteti”,
ndërsa vëllimi i dytë u botua në vitin 1922, me nëntitullin “Perspektiva e
historisë botërore”. Kur u botua për herë të parë, vepra e Shpenglerit “Rënia
e Perëndimit” shkaktoi tronditje dhe tërmet të vërtetë intelektual që nuk
do të qetësohet për një kohë të gjatë.
* * *
Shënim: Vilhelm Fridrih
Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) - filozof gjerman, i
mbiquajtur Aristoteli i kohës së re;
Karl Marks (Karl Marx, 1818-1883) filozof, ekonomist dhe sociolog gjerman, me
prejardhje hebraike; studioi drejtësinë, por u mor edhe me filozofi, ekonomi,
histori dhe art.
Fukujama është i
martuar me Laura Holmgren; kanë tre fëmijë.