Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kriza e shpirtit
E diele, 13.03.2022, 08:15 PM
AGRESIONI I RUSISË NDAJ UKRAINËS DHE KRIZA E SHPIRTIT
Nga Xhelal
Zejneli
Që në fillim të
veprimit politik të vet, Hitleri zhvilloi një propagandë aktive ndër
gjermanët për “vuajtjet dhe kushtet jetësore të tmerrshme” të miliona
gjermanëve që jetonin në territorin:
- e Çekosllovakisë
në Sudet (Sudetenland) që përbënin rreth 90% të popullsisë së rajonit;
- të Sllovakisë dhe
të Ukrainës Transkarpate (gjermanët e Karpateve) dhe
- nën shtypjen e
popullsisë sllave të vendit.
Gjermanët jetonin në
këtë rajon që nga shekulli XIII kur mbretërit çekë i ftuan ardhacakët që të
vendosen në zonat e braktisura në kufijtë e mbretërisë çeke.
Situata nisi të
përkeqësohet kur Gjermania filloi t’i mbështesë haptas partitë fashiste në
Sudet (Sudetenland). Në zgjedhjet e vitit 1935 fitoi partia kombëtare
separatiste e Konrad Henlajn (Konrad Henlein, 1898-1945). Veprimet e tij
e acaruan atmosferën në Sudet. Për t’i ulur tensionet në rajon, qeveria
çekosllovake u detyrua të marrë masa të caktuara: përfaqësimi i gjermanëve në
Kuvendin Popullor, përfshirja në qeverisjen vendore dhe arsimimi në gjuhën e
tyre amtare. Por, në prill 1935, partia e Konrad Henlajnit (Henlein)
doli me kërkesën për autonominë e rajonit. Formacionet ushtarake të
Gjermanisë iu afruan kufirit të Çekosllovakisë. Si kundërpërgjigje, me
mbështetjen e BRSS-së dhe të Francës, trupat çekosllovake e vunë
Sudetin (Sudetenland) nën kontroll. Midis gjermanëve të Sudetit dhe trupave të
qeverisë çekosllovake pasuan një sërë konfliktesh. Bisedimet e 7 shtatorit nuk
dhanë rezultat. Hitleri reagoi: “Unë dua paqe, por nëse qeveria
çekosllovake nuk i tërheq trupat nga Sudeti, do të ballafaqohet me luftën”.
Më 15 shtator 1935,
Hitleri i thotë kryeministrit britanik Çemberlen (Chamberlain): “Territoret
në të cilat jetojnë mbi 50% gjermanë, në bazë të së drejtës së popullit për
vetëvendosje, do t’i bashkëngjiten
Gjermanisë”. Çemberleni (Chamberlain) pajtohet me këtë. Garantues të
kufirit të ri të Çekosslovakisë janë Britania, më vonë edhe Franca. Më 21
qershor, deputetët e këtyre dy fuqive të mëdha i paralajmërojnë ultimatum qeverisë
çekosllovake. Kundër dëshirës së vet, ultimatumin e pranoi kryetari i
Çekosllovakisë, Eduard Benesh (Edward Beneš, 1884-1948). Pas kësaj, u
paralajmërua grevë e përgjithshme, protesta dhe ndërrim i pushtetit. U
paralajmërua edhe mobilizimi i përgjithshëm. Hebrenjtë, çekët dhe antifashistët
gjermanë filluan të ikin nga Sudeti. BRSS-ja u tregua e gatshme t’i
ndihmojë Çekosllovakisë, ushtarakisht. Polonia ndërhyri duke thënë se nuk
do të lejojë që forcat ushtarake të BRSS-së të kalojnë në Çekosllovaki nëpër
territorin e saj. Ndihmën e Moskës e refuzoi edhe vetë Çekosllovakia.
Duke parë
mobilizimin e ushtrisë çekosllovake, Hitleri i njoftoi ambasadorët e Anglisë
dhe të Francës se është i detyruar të fillojë luftën.
Më 26 shtator 1938,
Fyreri (Führer) deklaron në Berlin: “Po qe se Sudeti deri më 1 tetor nuk i
bashkëngjitet Gjermanisë, unë do të jem ushtari i parë gjerman që do të
marshojë drejt Çekosllovakisë. Pasi të zgjidhet çështje e Sudetit, nuk do të
kemi kërkesa të tjera territoriale në Evropë”.
Konferenca e Munihut – Kësaj konference i printe lufta e pashpallur midis
Gjermanisë naziste dhe Çekosllovakisë, e intensitetit të ulët, që kishte
filluar më 17 shtator 1938. Për ta zgjidhur këtë çështje, më 29 shtator 1938,
shefat e qeverive të Gjermanisë, të Italisë, të Britanisë së Madhe dhe të
Francës – Hitleri, Musolini (Mussolini), Çemberleni (Chamberlain)
dhe Daladie (Daladier) u takuan në rezidencën e Hitlerit – Führerbau në Munih
(Münich). Konferenca filloi në orën 12.45 minuta. Përfaqësuesve të
Çekosllovakisë, nuk iu lejua të ulen në tryezën kryesore, ndërsa BRSS-së nuk iu
lejua pjesëmarrja. Fati i Çekosllovakisë u vendos në bisedimet që zgjatën dy
ditë, më 29 dhe 30 shtator 1938. Marrëveshjen e Munihut e nënshkruan në
mesnatën e 30 shtatorit të vitit 1938 Hitleri, Çemberleni (Chamberlain),
Daladie (Daladier) dhe Musolini.
Marrëveshja e
Munihut i mundësoi Gjermanisë ta pushtojë Çekosllovakinë. Duke qenë se në
Konferencën e Munihut çekosllovakët u shpërfillën, çekët thanë: “Për ne,
pa ne”.
Me t’u kthyer nga
Munihu në Londër, në postblloku e aeroportit kryeministri britanik, Çemberleni,
deklaroi: “Luftë nuk do të ketë, ia sjell paqen brezit tonë”.
(Paqe kohës sonë). Ndërkaq, kryeministri francez Daladie, në
aeroportin e Parisit, para të tubuarve brohoriti: “E shpëtuam paqen, e
shpëtuam paqen!”
Epilogun e takimit
të Munihut, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) e vlerësoi
krejt ndryshe: “Anglisë i duhej të zgjidhte midis luftës dhe turpit. Për
ta fituar luftën, ministrat e saj e zgjodhën turpin”. Çerçili
i tha Çemberlenit: “Mos mendoni se ky është fundi. Ky është
vetëm fillimi i konfliktit. Është gllënjka e parë. Gota e parë e hidhët që do
të na ofrohet nga viti në vit”.
Kur Gjermania e
sulmoi Norvegjinë, Çemberleni dha dorëheqje nga posti i
kryeministrit. E zëvendësoi Uinston Çerçili.
Për Marrëveshjen e
Munihut ka pasur mendime të ndryshme. Disa e kanë arsyetuar duke thënë se e ka
shpëtuar Evropën nga lufta, ndërsa të tjerë, Konferencën e Munihut e kanë
quajtur Tradhtia e Munihut, Komploti i Munihut.
Ka studiues që
thonë: Eduard Daladie mendonte se nuk do të ishte e arsyeshme që Evropa
të hyjë në luftë, për t’i mbajtur tre milionë gjermanë nën sovranitetin e
Çekosllovakisë”.
Shprehja “Marrëveshja e Munihut” është shndërruar në metaforë të përpjekjeve absurde për të përmbushur aspiratat
ekspansioniste të shteteve totalitare, me arsyetimin: të shpëtojmë apo të
ruajmë paqen.
Shkrimtari gjerman,
laureat i çmimit “Nobel” më 1929, Paul Tomas Man (Paul Thomas Mann,
1875-1955) sulmoi “Evropën, për gatishmërinë e saj për të pranuar robërinë”.
Më 13 mars 1938
Hitleri aneksoi Austrinë (Anschluss). Më 16 mars 1939, Vermahti (Wermacht)
gjerman pushtoi pjesën e mbetur të Çekosllovakinë, ndërsa më 1 shtator 1939
Hitleri i ra edhe Polonisë. Pas dy ditëve, Britania dhe Franca i shpallën luftë
Gjermanisë. Konflikti mori karakter botëror. Por ky akt i Londrës dhe i Parisit
nuk ishte veçse simbolik, ngase Polonia duhej t’i bënte ballë armikut vetë.
Zhvillimet e mëvonshme dëshmojnë se Konferenca e Munihut nuk e shpëtoi Evropën
nga zjarri i luftës së tmerrshme. Aneksimi i Krimesë nga Rusia më 21 mars 2014,
s’ka dallim nga Anshlusi i Austrisë nga Gjermania naziste më 1938.
Shënim: Adolf
Hitler (1889-1945) udhëheqës i nazizmit gjerman, kancelar i Gjermanisë në
vitet 1933-1945; Benito Musolini (Benito
Amilcare Andrea Mussolini, 1883-1945) politikan italian, gazetar, prijës
Partisë Kombëtare Fashiste, kryeministër i Italisë në vitet 1922-1943; Artur
Neville Çemberlen (Artur Neville Chamberlaine, 1869-1940) kryeministër
britanik, Eduard Daladie (Édouard Daladier, 1884-1970) kryeministër
francez.
*
* *
Rusia është shteti me territor më të madh në botë. Me
numër banorësh, radhitet në vendin e nëntë. Gjatë gjithë historisë së vet,
Rusia ka ndjekur politikë ekspansioniste. Me fjalë të tjera, si
në epokën cariste, ashtu edhe në periudhën bolshevike apo sovjetike,
Rusia ka ndjekur politikë hegjemoniste. Të njëjtën politikë – ekspansioniste
dhe hegjemoniste – Rusia ndjek edhe në periudhën postkomuniste. Në asnjë
periudhë të vet, Rusia nuk ka qenë shtet demokratik. Pra, edhe në periudhën
postsovjetike, Rusia nuk ka mundur të ndërtojë shtet demokratik. Politika dhe
ideologjia ruse, është në anën e kundërt të demokracisë. Që nga periudha
cariste, e deri në ditët tona, Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë shtet
diktatorial dhe totalitar. Diktatoriale dhe totalitare, është edhe Rusia e
kohës postkomuniste. Në shekullin XIX shumë intelektualë rusë, përfshi edhe
shkrimtarë të caktuar, janë shkolluar në Perëndim apo i kanë vizituar shtetet e
Perëndimit. Megjithëkëtë, Rusia ka mbetur kjo që është – nën standardet
perëndimore. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik, Rusia e sotme ndodhet në
nivelin e Italisë. Në pikëpamje të zhvillimit ekonomik dhe
tekniko-teknologjik, Rusia ndodhet poshtë vendeve të Perëndimit. Gjatë gjithë
historisë së vet, cariste, sovjetike apo bolshevike dhe postkomuniste, Rusia i
ka kushtuar rëndësi kryesisht zhvillimit të armatimit dhe armatosjes së vet.
Një Rusi e tillë, nuk është tërheqëse për shtetet që i ka në afërsi të saj.
Madje as për shtetasit e vet. Sipas politikës ruse, pakti NATO ekziston
kryesisht kundër Rusisë dhe në shënjestër e ka atë, d.m.th. Rusinë. Rusia
pandeh se NATO-ja apo Perëndimi kanë për qëllim ta rrethojë Rusinë nga të katër
anët. Shtrirjen e NATO-s në ish vendet e Bashkimit Sovjetik apo në vendet që
dikur kanë qenë anëtarë të Traktatit të Varshavës, Rusia e shfrytëzon si
pretekst për të ndërmarrë ekspedita ushtarake ndaj vendeve të caktuara që i ka
në afërsi.
Rusia e sotme është shtet gjysmësovjetik.
Qëllimi i Putinit është ta rimëkëmbë perandorinë sovjetike, të
shpërbërë si pasojë e ngjarjeve në Rusi në periudhën 19 janar 1990 – 31 dhjetor
1991, pas rënies së murit të Berlinit më 9 nëntor 1989. Kryetari
i Presidiumit të Sovjetit Suprem të BRSS-së, Leonid Iliç Brezhnev (1906-1982)
i cili ishte në krye të Bashkimit Sovjetik në periudhën e viteve 1964-1982, për shtetet anëtare të
Traktatit të Varshavës përdorte termin “sovranitet i kufizuar”. Putini
ndërkaq, ia shkon atij. Ai flet për shuarje të sovranitetit.
Sipas tij, Ukraina nuk mund të ketë
kurrfarë sovraniteti.
Pushtimet e Rusisë të viteve të fundit të përkujtojnë
pushtimet e Hitlerit në prag të Luftës së Dytë Botërore. Evropa duhet të marrë
mësim nga historia. Dikur Hitleri “i çlironte” dhe i aneksonte gjermanët
që ndodheshin jashtë kufijve të Gjermanisë. Të njëjtën është duke e bërë edhe
Rusia e viteve të fundit, me në krye Vladimir Putinin. Duke “i çliruar”
pakicat ruse që jetojnë në shtetet fqinje të Rusisë, Moska në të vërtetë synon
të arrijë synimet e veta strategjike me rëndësi gjeopolitike.
“Çlirimin” dhe aneksimin e rajoneve të banuara me
minoritet rusë, Putini shpesh e ka krahasuar dhe e ka arsyetuar me shembullin e
Kosovës. Që nga Kriza e madhe lindore (1877-78) e deri më sot,
Rusia vepron kundër interesave jetikë të shqiptarëve, vepron në dëm të
territoreve të shqiptarëve. Gjatë historisë politike të kohës më të re, Rusia
ka mbrojtur interesat e Bullgarisë, të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Greqisë -
gjithmonë në dëm të shqiptarëve. Më 3 mars 1878, midis Perandorisë Ruse dhe
Perandorisë Osmane u mbajt Paqja e Shën-Stefanit. Të dyja palët
nënshkruan Traktatin e Shën-Stefanit. Me vendimet e Shën-Stefanit,
krijohej Bullgaria e madhe në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Kongresin
e Berlinit të mbajtur më 13 qershor 1878, Rusia mbrojti interesat e
sllavëve të Ballkanit, në dëm të territoreve të shqiptarëve. Në Konferencën
e Ambasadorëve në Londër të mbajtur më 7 dhjetor 1912 – maj 1913, Rusia
përsëri i mbrojti interesat e satelitëve të saj sllavë të gadishullit, gjithmonë
në dëm të territoreve të shqiptarëve. Edhe sot, Rusia mbron Serbinë në dëm të
Kosovës. Eksponentë të politikës kundër Kosovës, sot janë Putini dhe
ministri i Jashtëm rus Sergej Viktoroviç Lavrov (1950-).
Shënim:
Traktati i Shën-Stefanit u nënshkrua në Shën-Stefan (sot Jeshilkej –
Ye?ilköy), vendbanim në perëndim të Stambollit.
*
* *
Sipas ShBA-së, Evropës i kanoset rreziku nga
Rusia. Pa Amerikën, kontinenti i vjetër nuk mund të mbrohet nga një invadim
eventual rus. Sipas Uashingtonit, prania e ShBA-së në Evropë është e
domosdoshme. Franca ndërkaq, dëshiron një Evropë Perëndimore që do të
ishte jashtë ndikimit amerikan. Për këtë arsye, Parisi parapëlqen që
BE-ja të krijojë një ushtri të veten. Mirëpo, Britania dhe Franca
janë fuqi bërthamore. Fuqi bërthamore është edhe Rusia,
e njohur si Federata Ruse. Një konflikt i drejtpërdrejtë midis dy shteteve
bërthamore duket i pamundur. Dy fuqi bërthamore mund të përfshihen në konflikt
të armatosur, por në territor të tretë, sikundër ishte rasti në Siri. India
dhe Pakistani janë fuqi bërthamore. Ato janë në mosmarrëveshje për Kashmirin.
Që kur janë bërë fuqi bërthamore, i shmangen një konflikti të madh. Është e
vetëkuptueshme se asnjë fuqi bërthamore nuk do ta lejonte humbjen ushtarake.
Duke qenë se Britania dhe Franca janë fuqi bërthamore, atëherë rezulton se një
sulm eventual i Rusisë në Evropën Perëndimore duket i pamundur. Bomba
bërthamore është armë e luftës pa fitimtarë.
Si armë ndaj Evropës, Rusia përdor gazin
dhe naftën, por edhe
prodhime dhe lëndë të para të tjera. Për sanksionet që dikur ia vendoste
Perëndimi Rusisë, Moska përgjigjej me pyetjen retorike: “Ne dëmtohemi prej
sanksioneve tuaja, por dëmtoheni edhe ju. Ku do t’i shitni mallrat, nëse jo në
tregun e madh rus!?”
Nuk dihet saktë në është e mundur që Perëndimi t’i japë
fund varësisë nga gazi dhe nga nafta ruse dhe të gjejë burime alternative
furnizimi. Po qe se një gjë e tillë qenkësh e mundur, atëherë ç’paska pritur
Evropa deri më tash. Kjo çështje është dashur të ishte zgjidhur që para 20 apo
30 vjetëve. Dihen raportet historike midis Rusisë, në një anë dhe perëndimit në
anën tjetër.
*
* *
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë në Ukrainë është agresion
dhe invadim. Është tendencë për pushtim dhe për nënshtrim. Këtë agresion Moska
e quan operacion mbrojtës, operacion
vetëmbrojtës, operacion ushtarak special. Invadimin e Ukrainës
nga Rusia, Serbia e ka cilësuar si operacion ushtarak. Serbia
është ndër shtetet e rralla të Evropës, në mos i vetmi që s’i ka vënë
sanksione Rusisë. Gjithë bota e di se nuk ka hyrë ushtria ukrainase në
Rusi, ka hyrë ajo ruse në Ukrainë. Në këtë kohë, me Rusinë janë Bjellorusia,
Serbia, Koreja e Veriut, Siria, Eritreja. Mbështetës të Putinit
në këtë luftë kundër Ukrainës janë: kryetari i Bjellorusisë Aleksandar Lukashenko
(1954-), kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq (1970-), lideri
i Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik (1959-), kryetari i
Sirisë Bashar al-Asad (1965-), kryetari i Koresë së Veriut Kim
Jong-un (1984-), kryetari prorus i Çeçenisë Ramzan Kadirov (1976-).
Deri më sot, Vuçiqi është takuar me Putinin 19 herë. Meqë Serbia
nuk e dënoi sulmin rus mbi Ukrainë, atëherë ajo duhet të hiqet nga lista e
vendeve të Ballkanit Perëndimor, që pretendon BE-në.
*
* *
Kombi shqiptar në këtë luftë, u rreshtua në anën e drejtë
të historisë. Sulmin rus ndaj Ukrainës e cilësuan si agresion, si invadim dhe
si tendencë për pushtim. Propaganda ruse për pjesëmarrjen e mercenarëve
shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në radhët e ushtrisë ukrainase, është rrenë
e kulluar. Ukraina ka 44 milionë banorë, ndaj s’i ka ardhur puna për mercenarë.
Sidoqoftë, ka vullnetarë të vendeve të caktuara që thuhet se u janë bashkuar
radhëve të luftëtarëve ukrainas. Përkundrazi, mercenarë serbë, sirianë dhe të
tjerë luftojnë në radhët e ushtrisë pushtuese ruse. A nuk është për t’u habitur
që në radhët e ushtrisë ruse të luftojnë të huajt, kur dihet se Rusia ka 146
milionë banorë. Rusia e pushton Çeçeninë që një ditë t’i mobilizojë dhe
t’i rekrutojë djemtë çeçenë për të luftuar për interesa të Moskës. Fausti i Gëtes
thotë: “Madje edhe ferri i ka ligjet e veta të çuditshme”.
Me këtë agresion ushtarak, me këtë invadim, Rusia ka
shkelur parimet e përcaktuara pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkelur të
drejtën ndërkombëtare. Pushtimi i një kombi properëndimor është i
pajustifikueshëm. Sulmi ndaj Ukrainës përbën shkelje të sovranitetit, të
tërësisë së tokave dhe të të drejtave të njeriut.
Është e drejtë e popullit të Ukrainës të zgjedhë
orientimin e vet: Lindjen bolshevike ruse apo perëndimin e zhvilluar dhe
demokratik. Sipas Putinit, rusët dhe ukrainasit na qenkan një popull. Nëse
qenkan një popull, atëherë si është e mundur të sulmosh atë popull me tanke dhe
raketa, në këtë dimër të acartë!? Të vrasësh fëmijë, të sëmurë, të moshuar,
civilë, ushtarë të rinj, t’i detyrosh njerëzit të strehohen nëpër metro,
bodrume, vendstrehime, të detyrosh miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e
veta, të rrënosh shkolla, spitale, azile pleqsh, t’i lësh pa ujë, pa sasi të
mjaftueshme ushqimi, pa energji elektrike, të shkatërrosh infrastrukturën, t’i
goditësh me predha ndërtesat. Pasi qenkeni një popull, atëherë si është e
mundur t’i detyrosh prindërit të ndahen prej fëmijëve të tyre të vegjël!?
Këtu kemi të bëjmë me krime lufte, krime kundër
njerëzimit dhe me gjenocid. Është detyrë e Evropës të paguajë çmim për paqen,
lirinë dhe demokracinë.
Gjatë gjithë historisë, lufta dhe paqja kanë qenë në
duart e fuqive të mëdha. Sot është në duart e ShBA-së, të Rusisë,
të Kinës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë. Është turp për
qytetërimet e rruzullit që paqja dhe lufta të jenë në duart e magnatëve, të
oligarkëve apo të miliarderëve të botës. Fati i miliona njerëzve, në duart e
industrisë së armëve!? Të shpërthejë një luftë e përmasave të këtilla, si kjo e
Ukrainës, në Evropën e shekullit XXI, nuk ka sesi të mos duket absurde.
Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës vë
në dyshim vlerat e qytetërimeve të sotme. Para
këtij invadimi, kanë heshtur filozofia, arti, sociologjia, etika, religjioni.
Bota sot, nuk asnjë filozofë si ata të shekullit XIX dhe të mesit të shekullit
XX. Sot s’i ke Volterin, Rusonë, Hegelin, Kantin, Shelingun, Fihten, Niçen,
Sartrin, Kamynë, Jaspersin, Hajdegerin, Markuzen. Që nga gjysma e dytë e
shekullit XX e këndej, romani në Evropë ka vdekur. Sot s’ke një Gëte, Balzak,
Hygo, Zola, Dostojevski, Bodler, Xhojs, Beket, Zhid, Sartrë, Kamy, Tomas Man,
Hemiguej, Markez. Kuptohet, luftëra ka pasur edhe në kohën e tyre, por ata të
paktën e kanë ngritur zërin e protestës. Nobelistë ke sa të duash, por s’u
dëgjohet zëri. Madje, ndonjërin prej tyre, askush s’i përfill. Nobelistë ke
edhe në lëmin e shkencës, dijetarë, shpikës. Edhe këta kanë heshtur.
Vendin e filozofëve dhe të shkrimtarëve të mëdhenj të historisë,
e kanë zënë sot do politikanë të Evropës dhe të mbarë botës, që nuk shquhen për
burra shteti. Kjo flet se bota ndodhet në krizë shpirti.
Në krye të luftës së përgjakshme në Ukrainë ndodhet Putini,
personi me të cilin vite me radhë janë takuar shumë politikanë të botës, burra
shteti, kryetarë shtetesh, kancelarë, kryeministra, në mos dhe mbretër e
sulltanë. Janë takuar dhe ia kanë shtrënguar dorën, madje edhe janë marrë
ngrykë. Karakteri i këtij stalinisti të përbetuar duhet studiuar me
metodën psikanalizës. Ç’të mire pret prej një udhëheqësi të një
fuqie të madhe i cili s’lë dot konferencë shtypi pa e përmendur Kosovën
e vogël, i cili i bie gjoksit se vendi i tij është fuqi bërthamore. Asnjë
interes dhe e asnjërës palë, qoftë ekonomik, qoftë strategjik apo gjeopolitik,
nuk e arsyeton tragjedinë e Ukrainës.
Burra shteti të botës u takuan me tiranin, despotin,
militarin, autokratin, autoritarin, diktatorin Putin, edhe pse ky e kishte
sulmuar Gjeorgjinë dhe ia kishte pushtuar Osetinë Jugore dhe Abhazinë;
e kishte pushtuar dhe e kishte aneksuar Krimenë; i kishte mbështetur
rebelët prorusë në lindje të Ukrainës dhe kishte i krijuar të ashtuquajturat Republika
Popullore e Donjeckës dhe Republika Popullore e Luganskës. kishte
ndërhyrë në Moldavi për të krijuar Pridnjestrovlen, kishte ndërhyrë në Nagorno-Karabah
në Azerbajxhan. Në planin e brendshëm, e kishte shuar zërin e opozitës, e
kishte vrarë politikanin liberal Boris Njemcov (1959-2015), e kishte
burgosur liderin e opozitës ruse Aleksej Navalni (1976-), kishte vënë
nën kontroll mediumet ...
Putini është shkaktari kryesor i mosmbylljes së statusit
të Kosovës. Ai i thotë Vuçiqit: “Për Kosovën mos lësho pe. Kërkoje edhe të
pamundurën. Unë qëndroj pas teje. Rusia jam unë”. Rusia e Putinit punoi me
të madhe për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga vende të caktuara që tanimë e
kishin njohur. Rusia punoi pandërprerë për ta parandaluar anëtarësimin e
Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vitet e fundit Rusia vazhdimisht e ka
armatosur Serbinë, duke rrezikuar me këtë sjellje paqen dhe qëndrueshmërinë në
rajon. Moska i thotë Beogradit: “Kur mos e prano pavarësinë e Kosovës”.
Nga kjo del se dialogu i deritashëm midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel
ka qenë punë Sizifi. Një diplomat anglez i tha Putinit me ironi: “Meqë
çdo pushtim në afërsi të Rusisë e arsyeton duke marrë si pretekst Kosovën,
atëherë përse nuk e njeh pavarësinë saj”.
Në shekullin XXI, problemet e botës
duhet të zgjidhen në mënyrë racionale dhe jo militare.
Kush pëson, kush vritet nëpër luftëra? Vriten njerëzit e
rëndomtë, kryesisht shtresat e ulëta të shoqërisë, punëtorët, fshatarët, bijtë
e punëtorëve dhe të fshatarëve, pësojnë, vriten të papunët, të varfrit,
skamnorët. Të kamurit dhe bijtë e bijat e tyre, me gojën plot atdhetarizëm,
zbaviten, argëtohen nëpër vendet ezoterikë të botës. Është rrëqethëse, e
dhimbshme të rekrutosh e të mobilizosh djem të rinj 18-vjeçarë dhe t’i dërgosh
nëpër fushëbeteja.
Midis paqes dhe agresionit rus askush nuk mund të
qëndrojë asnjanës (neutral). Pretendimet imperialiste ruse dhe kursi
ekspansionist i Kremlit do të dështojnë. E keqja mbi të mirën s’ka për të
fituar. As terri mbi dritën. Diktatura mbi demokracinë dhe robëria mbi lirinë
kurrë s’kanë për të ngadhënjyer. Para sanksioneve të botës së lirë, Rusia do të
gjunjëzohet dhe do të dorëzohet. Qëndresa prometeane e Volodimir Zelenskit (Volodymyr
Zelenskyy, 1978-) do të triumfojë mbi Zotin e luftës.
Putini do të
marrë mësim nga gjenerali, i cili, i shoqëruar nga një prift, kishte ardhur në
malet e Shqipërisë për t’i mbledhur kockat e ushtarëve të vet të vrarë. I
kishte futur nëpër thasë najloni dhe me të mbërritur në vendin e vet, i kishte
hedhur para këmbëve të prindërve të trishtuar.