Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Lufta në Lindje të Ukrainës dhe ndërhyrja e Rusisë, 2014
E premte, 11.03.2022, 10:33 PM
LUFTA NË LINDJE TË UKRAINËS DHE NDËRHYRJA E RUSISË – VITI 2014
Nga Xhelal
Zejneli
Lufta në Donbas
të Ukrainës lindore filloi më 6.4.2014. Casus belli (shkas
lufte) ishte refuzimi i një pjese të popullsisë së Ukrainës lindore për të
pranuar pushtetin e lëvizjes Euromajdan dhe politikën e saj për
të hyrë në BE. Epilogu i luftës ishte marrëveshja e paqës / konflikt
i ngrirë, me incidente të kohëpaskohshme të armatosura Palë ndërluftuese ishin
Ukraina, në njërën anë dhe Novorusia, Republika Popullore e Donjeckës,
Republika Popullore e Luganskës, Rusia, në anën tjetër. Forcat
luftarake: Ukraina, 64.000-69.000 ushtarë (2015); Novorusia,
40.000-45.000 ushtarë dhe Rusia, 9.000 -12.000 ushtarë. Viktimat dhe
humbjet: Në anën e Ukrainës: 2.870 të vrarë, 9.000 të plagosur, 271 të
zhdukur, 2.768 të zënë robë, 20.000 të dezertuar apo kanë kaluar në anën e
kryengritësve. Në anën e kryengritësve dhe të rusëve: 2.081 të vdekur (prej
tyre 400-500 ushtarë rusë), 1.765 të zënë robë. Gjithsej: 9.500
të vrarë (duke përfshirë 298 shtetas të huaj)
* * *
Lufta në lindje të Ukrainës apo konflikti i armatosur në lindje të Ukrainës
është konflikt i
armatosur që zhvillohet në viste lindore të Ukrainës që nga pranvera e vitit
2014, ndërmjet formacioneve ushtarake dhe paraushtarake ukrainase, në një anë
dhe formacioneve paraushtarake separatiste pro-ruse të Republikës Popullore të
Donjeckës dhe Republikës Popullore të Luganskës - të vetëshpallura (nga maji i
vitit 2014, të bashkaura në Shtetin Federativ të Novorusisë), në anën tjetër.
Konflikti shpërtheu pas rrëzimit të kryetarit të deriatëhershëm pro-rus të
Ukrainës, Viktor Janukoviç (Viktor Janukovych, 1950-), në protestat
proevropiane të lëvizjes Euromajdan. Pas rënies së Janukoviçit, u
themelua qeveria e re properëndimore dhe proevropiane, me në krye kryetarin Oleksandër
Turçinov (Oleksandr Turchynov, 1964-) dhe kryeministrit
Arseni Jacenjuk (Arseni Yatsenyuk, 1974-). Në pjesë të Ukrainës lindore,
qeveria e re u konsiderua “puçiste” dhe ilegjitime, ndaj filluan të krijohen
organet paralele të pushtetit me milicitë vetanake të armatosure.
Kjo ishte një koincidencë me aneksimin e Krimesë Rusisë.
Formalisht, konflikti filloi më 7 prill, kur Turçinovi shpalli fillimin
e “operacionit antiterrorist”, me qëllim që në Ukrainën lindore të vendoste
“rendi kushtetues”. Kjo pati për pasojë një sërë incidentesh të armatosura të
cilat relativisht shpejt u shkallëzuan në konflikte të armatosura përmasash të
gjera. Me këtë rast, qeveria ukrainase kundër kryengritësve filloi t’i përdorë
njësitë e blinduara, artilerinë dhe aviacionin luftarak. Forcat ukrainase, nga
qershori deri në fillim të korrikut ia dolën t’i sprapsin kryengritësit prej
disa pikëmbështetjeve të tyre të rëndësishme, siç janë porti Mariupoli
dhe qytetet Slavjansk e Kramatorsk. Konflikti u shkallëzua edhe
më shumë me rrëzimin e aeroplanit të udhëtarëve të Malajzisë, në korrik të
vitit 2014, me ç’rast humbën jetë qindra shtetas të Bashkimit Evropian. Deri
kah mesi i gushtit, forcat ukrainase iu afruan pikëmbështetjeve kryesore të
kryengritësve – qyteteve Donjeck dhe Lugansk, por në gjysmën e
dytë të gushtit, pas kundërofensivës së kryengritësve e cila i largoi nga
kufiri i Rusisë, u detyruan të tërhiqen, kundrejt humbjeve të mëdha.
Autoritetet ukrainase e interpretuan këtë si një ndërhyrje e hapur e forcave
të armatosura të Rusisë fqinje në anën e kryengritësve. Më 05.09.2014, në
kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, u nënshkrua armëpushimi. Luftimet e
mëdha pushuan, por në muajt në vijim përleshjet sporadike nuk u ndalën. Në
janar 2015, forcat e Novorusisë, në luftime të ashpra e morën aeroportin e
Donjeckës. Më 12 shkurt 2015, udhëheqësit e Rusisë, të Ukrainës, të Francës dhe
të Gjermanisë nënshkruan marrëveshjen të njohur si Minsk II. Ajo
parashikonte krijimin e parakushteve për zgjidhjen politike të konfliktit.
Armëpushimi nuk i ndali luftimet e ashpra për nyjën hekurudhore Debalçevë.
Autoritetet ukrainase fajësuan Moskën se me luftë dëshiron të krijojë Rusi
të Madhe.
Nga lufta në
Ukrainën lindore vdiqën rreth 10.000 vetë, numri i refugjatëve apo i të
shpërngulurve arriti në rreth 2,3 milionë vetë, rreth 1,5 milionë vetë vuajtën
pasojat e urisë. Objekte të popullsisë civile pësuan shkatërrime të mëdha. Kjo
ishte lufta e tretë e Evropës së shekullit XXI në të cilën ishte përzier
Federata Ruse. Konsiderohet konflikt i armatosur më i madh në Evropën moderne,
pas luftërave në ish-Jugosllavi dhe luftës së parë dhe të dytë çeçene.
ShBA-ja, BE-ja
dhe NATO-ja mbështetën tërësinë e tokave të Ukrainës, duke i dhënë
përkrahje morale, politike, diplomatike, në fund edhe ushtarake-logjistike.
Mbështetja ruse për kryengritësit prorusë në Ukrainën lindore ishte shkas për
sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, të papara që nga koha e luftës
së ftoftë.
* * *
Ukraina fitoi
pavarësinë me shpërbërjen e BRSS-së në vitin 1991, por lidhjet me Moskën i
ruajti. Sipas regjistrimit të vitit 2001, Ukraina ka pasur 48.457.100 banorë.
Prej tyre, ukrainasit përbënin 77.8%, rusët 17.3%, bjellorusët 0,6%, ndërsa
tartarët e Krimesë 0,5% të popullsisë. Rajoni i Donjeckës ka pasur
4.825.600 banorë. Prej tyre 56,9% ishin ukrainas, ndërsa 38,2% rusë. Rajoni i Luganskës
ka pasur 2.540.200 banorë. Prej tyre, 58% ishe ukrainas, ndërsa 39 rusë.
Mirëpo, një pjesë e madhe e popullsisë përdornin gjuhën ruse,
kryesisht në lindje të Ukrainës. Sipas vlerësimeve, pothuajse gjysma e
qytetarëve ukrainas përdorte rusishten si gjuhë kryesore.
Protesta e lëvizjes Euromajdan në Kiev, më 27.11.2013 – Më 29.11.2013, për t’i përforcuar lidhjet
tregtare me Rusinë, kryetari prorus i Ukrainës Viktor Janukoviç (Viktor
Yanukovych, 1950-) refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen për
stabilizim dhe për bashkimin e vendit me BE-në. Ukraina u ballafaqua me krizë. Një
pjesë e qytetarëve kërkonin lidhje më të forta me Perëndimin dhe me Evropën,
ndërsa një pjesë tjetër – lidhje më të forta me Lindjen dhe me Rusinë.
Kjo rezultoi me protesta midis ithtarëve të Viktor Janukoviçit dhe
kundërshtarëve të tij. Lëvizja Euromajdan përfaqësonte aspiratën e
rrymave proevropiane të Ukrainës. Natën e 30 nëntorit të vitit 2013, për herë
të parë u përdor dhunë kundër protestave paqesore në sheshin Majdan në Kiev. Me
këtë rast, 90 protestues u lënduan, ndërsa 35 të tjerë u arrestua. Përdorimi i
tepërt i forcës nga policia speciale Berkut kundër protestuesve ndikoi
radikalizimin e kësaj proteste. Më 16.01.2014, qeveria e Viktor Janukoviçit miratoi
ligj për ndalimin e protestave. Protestuesit antiqeveritarë morën disa
ndërtesa qeveritare, midis tyre edhe Ministrinë e Drejtësisë. Protestat filluan
të shtrihen në perëndim dhe në pjesën qendrore të Ukrainës. Protestat dhe
trazirat që pasqyronin ndarjen e vendit, bëheshin gjithnjë më intensive. Më 18
dhe më 20 shkurt 2014, ato arritën kulmin e dhunës në Kiev. Deri në atë ditë
ishin vrarë mbi 120 vetë. Prej tyre, 75% ishin protestues. Tre prej të vrarëve
ishin femra. Më 22 shkurt 2014, Viktor Janukoviçi iku nga Ukraina për
t’u vendosur në Rusi. Tani dhuna u përhap midis grupeve proruse dhe proevropiane
të Ukrainës. Pushtetin e mori qeveria e përkohshme proevropiane e cila më 25
maj 2014 shpalli zgjedhje të reja. Më 23 shkurt 2014, koalicioni i ri i
Ukrainës tentoi ta ndryshojë ligjin shtetëror, në mënyrë që gjuha ukrainase të
bëhej e vetmja gjuhë zyrtare në të gjitha nivelet. Një ligj të tillë, kryetari
i ri i përkohshëm Oleksandër Turçinov (Oleksandr Turchynov, 1964-)
refuzoi ta nënshkruajë. Ky amendament nuk kaloi. Megjithëkëtë, separatistët
prorusë e morën këtë tendencë si pretekst për të ngritur akuza se kemi të bëjmë
me një “synim armiqësor ndaj pakicës ruse”. Kryetari i Rusisë Vlladimir
Putin (1952-) miratoi dërgimin e fshehur të ushtarëve të Rusisë në
Krime. Pas kësaj u paraqitën ushtarë të maskuar të cilët i morën
ndërtesat lokale njërën pas tjetrës dhe i vunë nën kontrollin rus. Me ndihmën e
popullsisë lokale ruse organizuan referendum për bashkëngjitjen e Krimesë –
Rusisë. Rusia refuzoi ta njohë qeverinë e re të Ukrainës, ngulte këmbë se Viktor
Janukoviçi ende është kryetar dhe se e ka marrë parasysh kinse kërkesën e
tij për ndërhyrjen e autoriteteve ruse.
Deri kah mesi i
muajit të tretë, në disa qytete, kryesisht në Donjeck dhe në Lugansk,
grupe të armatosura që dikur quheshin “njësi të vetëmbrojtjes”, filluan
t’i marrin ndërtesat administrative, njërën pas tjetrës. Kërkesat e tyre ishin
të ndryshme. Disa kërkonin që Ukraina të bëhet federatë, të tjerë
kërkonin që këto rajone t’i bashkëngjiten Rusisë, sipas shembullit të aneksimit
të Krimesë – Rusisë.
Më 6 prill 2014,
njësitë e armatosura proruse e morën ndërtesën administrative lokale në Donjeck
dhe shpallën “Republikën Popullore të Donjeckës”. Më 12 prill 2014,
njerëz të maskuar me uniforma, pa emblema, të armatosur me kallashnikovë, morën
ndërtesën lokale të policisë dhe ndërtesën administrative në Slavjansk,
duke kumtuar njëherazi se qyteti është nën kontrollin e “Republikës Popullore
të Donjeckës”. Qeveria e përkohshme në Kiev konstatoi se kemi të bëjmë me të
njëjtin skenar sipas të cilit u mor Krimeja. Protestat dhe trazirat u shtrinë
nëpër jug të Ukrainës, duke shkaktuar tensione. Pasuan trazirat në Odesë,
me ç’rast, në rrethana të paqarta, në zjarrin që e përfshiu ndërtesën e
sindikatës ku ishin strehuar, humbën jetën 46 protestues prorusë. Më 10 korrik
2014 u arrestuan dy persona, njëri prej të cilëve shtetas i Rusisë, me akuzën
se bashkë me 50 vetë të tjerë, kishin tentuar të organizojnë një ngjarje në të
cilën do të shpallnin “Republikën Popullore të Odesës”.
Shpërthimi i konfliktit të armatosur – Më 27 prill 2014, njësitë e armatosura në Lugansk
shpallën “Republikë Popullore të Luganskës”. Midis prillit dhe
qershorit, njësitë paramilitare vendosën disa pika kontrolli që
mbikëqyrnin hyrjen në Slavjansk dhe daljen prej tij, duke iu kundërvënë
kontrollit të qeverisë ukrainase. Ata morën kontrollin mbi rrugët që çojnë në
fshatrat Semjonovsk dhe Seëezhnjovk. Pas kësaj, kryengritësit prorusë vendosën
një sërë pikash kontrolli dhe prani ushtarake në qytetet përreth në lindje të
Ukrainës, siç janë Mariupol, Kramatorsk, Jampol dhe Kirovsk.
Komandant i kryengritësve ka qenë Igor Girkin (alias Igor Ivanoviç
Strelkov, 1970-), shtetas i Rusisë. Në lindje të Ukrainës, kryengritësit i
morën edhe stacionet televizive dhe filluan të transmetojnë programe ruse.
Pas shumë
ngurrimesh, qeveria kalimtare ukrainase, deri në zgjidhjet presidenciale të 25
majit të vitit 2014, ndërmori kundërsulm në lindje të vendit që e quajti “operacion
antiterrorist”. Forcat qeveritare (ukrainase) vendosën pushtetin në
disa qytete të zbrazura, siç janë Mariupol, Kirovsk dhe Jampol.
Më 11 maj 2014,
grupet proruse organizuan referendum për shkëputjen e Donjeckës dhe të
Luganskës nga Ukraina. Ata shpallën pavarësi ngase, sipas tyre, mbi 90% e
votuesve paskëshin votuar “për” shkëputje. BE-ja e shpalli referendumin
të paligjshëm. Kryetari i Rusisë Putini paraprakisht u bëri thirrje
kryengritësve ta shtyjnë referendumin dhe të kërkojnë marrëveshje me
autoritetet në Kiev, por kryengritësit prorusë e refuzuan një gjë të tillë.
Me rastin e
zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, përfaqësuesit e Republikës Popullore të
Donjeckës dhe të Republikës Popullore Luganskës - të vetëshpallura, miratuan do
dispozita me të cilat “e ndalojnë votimin” në këto rajone, duke u kanosur se do
të likuidojnë çdokënd që do të marrë pjesë në këto zgjedhje. Disa javë para
zgjedhjeve, kryengritësit në këto rajone i shtinë në dorë zyrta e votimit,
asgjësuan pajisjet dhe dokumentet, rrëmbyen anëtarët e këshillave zgjedhore dhe
iu kanosën atyre.
Më 24 maj 2014, dy
rajonet e Ukrainës, Donjeck dhe Lugansk shpallën bashkim dhe krijimin e
shtetit të ri, Nova Rusisë (Rusisë së Re). Qëllimi përfundimtar i zgjerimit
të këtij parashteti të ri, mbeti i panjohur.
Komandanti i forcave
amerikane dhe të NATO-së në Evropë, gjenerali Filip M. Bredllov (Philip
M. Breedlove, 1955-) deklaroi se Putini mbase pretendon të krijojë
korridor tokësor deri edhe te një shtetet tjetër kukull, Transnistri në Moldavi,
480 km në perëndim, gjë që Ukrainën do ta shkëpuste plotësisht nga deti.
Ndërkaq, lideri i vrarë i opozitës ruse Boris Njemcov pohonte se qëllimi
i Putinit është krijimi i korridorit tokësor rus deri në Krime.
Kundërsulmi i Ukrainës – Në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë fitoi Petro
Poroshenko me 54% të votave. Ky mori qëndrim proevropian. Publikisht premtoi
se nuk do të lejojë që “lindja e Ukrainës të bëhet Somali”. Pas kësaj,
forcat ukrainase ndërmorën një kundërsulm të hapur. Më 27. 06. 2014 Poroshenko
nënshkroi atë që Janukoviçi, më 29.11.2013, refuzoi ta nënshkruante:
Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia nënshkruan bashkërisht marrëveshje për
bashkim ekonomik me Bashkimin Evropian. Këto tri shtete të cilat
dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, me këtë akt bënë një hap ekonomik dhe
politik që i afronte me Perëndimin. Këtë veprim të Ukrainës, Rusia e vlerësoi
negativisht. Putini deklaroi se “përcaktimi i Ukrainës për rrugën
evropiane, e ka ndarë këtë vend në dy pjesë dhe e çon atë drejt një konflikti
të dhimbshëm”.
Më 05.05.2014,
forcat ukrainase sulmuan disa pika kontrolli të kryengritësve në afërsi të
Slavjanskës. Pasoi shkëmbimi i zjarrit me minahedhës. Me sistemin tokë-ajër,
kryengritësit prorusë rrëzuan një helikopter ushtarak. Më 09.05.2014, rreth 40
vetë u plagosën, ndërsa të paktën shtatë të tjerë u vranë në Mariupol, kur
forcat ukrainase tentuan t’i largojnë kryengritësit të cilët e kishin marrë
stacionin e policisë. Më 16.05.2014 luftimet u shkallëzuan kur kryengritësit,
të armatosur me mollotov-koktej dhe me mitraloza, sulmuan kazermën lokale. Më
22.05.2014, kryengritësit sulmuan nga prita pikën e kontrollit të ushtrisë
ukrainase në Blahodat, me ç’rast vranë 15 ushtarë. Për ta ndalur dhunën dhe për
t’i konstatuar faktet në një kohë propagande luftarake gjithnjë më të fuqishme
nga të dyja palët, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) dërgoi
në lindje të Ukrainës qindra vëzhgues. Por, ndërkohë kryengritësit rrëmbyen 13
vëzhgues ushtarakë – tetë të huaj dhe pesë ukrainas. Pas zhvillimit të
bisedimeve, vëzhguesit u liruan. Më 26.05.2014, kryengritësit morën
përkohësisht kontrollin mbi aeroportin e Donjeckës. Kur ushtria ukrainase, me
një kundërsulm e riktheu aeroportin, u vranë shumë vetë. Më 28.05.2014
kryengritësit në Slavjansk rrëzuan një helikopter ushtarak ukrainas, duke vrarë
në të 14 ushtarë. Në orët e hershme të mëngjesit të datës 02.06.2014, pas
luftimeve intensive që zgjatë nëntë orë, kryengritësit morën kontrollin mbi
pikën e rojës kufitare në Lugansk. Po atë ditë, aeroplani ushtarak ukrainas
gjuajti ndaj predhës së padirigjuar tokë-ajër në ndërtesën administrative në
Lugansk, që e mbanin kryengritësit. Me këtë rast u vranë disa persona që
ndodheshin në ndërtesë. Më 14.06.2014, kryengritësit në Lugansk hapën zjarr
ndaj aeroplanit ushtarak ukrainas dhe e rrëzuan. Me këtë rast humbën jetën të
49 vetë – 9 anëtarë të ekuipazhit dhe 40 ushtarë.
Më 20.06.2014, Petro
Poroshenko (1965-) shpalli një armëpushim 10-ditor, me qëllim që
kryengritësve që nuk kishin marrë pjesë në krime, të çarmatoseshin dhe të
përfshiheshin në procesin paqësor. Kjo do të përfshinte edhe amnistinë dhe
pjesëmarrjen në zgjedhjet e reja. Megjithëkëtë, armëpushimi kinse ishte shkelur
108 herë, me ç’rast ishin vrarë 27 ushtarë ukrainas dhe 9 civilë. Pas
fajësimeve për shkelje të armëpushimit nga të dyja palët, më 30.06.2014
armëpushimi përfundoi. Si pasojë, qeveria e Ukrainës ndërmori një kundërsulm
intensiv. Asnjëra nga palët nuk shfaqi vullnet publik për t’u takuar me palën
tjetër, për të biseduar për paqen. Megjithëkëtë, Petro Poroshenko
shprehu gatishmëri për armëpushim, po qe se do të plotësoheshin tre kushte: të
liroheshin të gjithë pengjet; qeveria përsëri ta marrë kontrollin e kufirit me
Rusinë, ndërsa grupet e armatosura të çarmatoseshin. Më 02.07.2014, qeveria e
Ukrainës propozoi amendamente për Kushtetutën që do t’u lejonin rajoneve autonomi
më të madhe dhe përdorimin e gjuhës vetanake.
Më 13.04.2014
kryengritësit prorusë sulmuan qytetin Kramatorsk, që ndodhet në veri të
Donjeckës. Më 12.04.2014, militantët tentuan ta marrin ndërtesën administrative
në Horlivci. Më 13.04.2014, veprimtarët e “Republikës së Donjeckës” morën
ndërtesën administrative të Mariupolit. Në maj të viti 2014 konfliktet midis
forcave ukrainase dhe atyre proruse u shkallëzuan.
Kalimi i konfliktit në Rusi – Më 13.07.2014, minahedhësit nga ana e Ukrainës
kaluan kufirin dhe ranë në rajonin e afërt Rostov.
Rënia e Slavjanskës – Më 12.04.2014, kryengritësit morën qytetin Slavjansk.
Të nesërmen filloi kundërsulmi ukrainas. Slavjanska u bë vatër e
fuqishme e separatistëve në Ukrainën lindore dhe bazë e ministrit të
vetëshpallur të mbrojtjes të Republikës Popullore të Donjeckës - të
vetëshpallur, Girkov.
Rrëzimi i aeroplanit të Malajzisë H17 – Aeroplani malajzian i udhëtarëve me 280 udhëtarë
dhe 15 anëtarë të ekuipazhit fluturonte në relacioni Amsterdam – Kuala Lumpur,
u rrëzua në afërsi të fshatit Hrabovë në rajonin Shahtar të Donjeckës, zonë në
lindje të Ukrainës, që në atë kohë ndodhej nën kontrollin e kryengritësve
prorusë. Të gjithë udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën. Për
rrëzimin e aeroplanit, palët ndërluftuese fajësonin njëra-tjetrën. Emisari i
OKB-së për të drejta të njeriut deklaroi: “mbase bëhet fjalë për krim lufte”
dhe kërkoi hetim ndërkombëtar. Rusia ishte i vetmi shtet që votoi kundër
hetimit të rrethanave të rrëzimit të aeroplanit. Me rastin e votimit në
Këshillin e Sigurimit të OKB-së, më 28.07.2015, për themelimin e tribunalit
ndërkombëtar që do t’i gjykonte personat përgjegjës për këtë krim, Rusia
ushtroi veton.
Ofensiva e Ukrainës në Lugansk dhe në Donjeck - Pas
marrjes së Slavjanskës dhe të Kramatorskës,
vazhduan ofensivën me qëllim që ta marrin qytetin me rreth 425.000 banorë
Luganskën dhe qytetin me rreth një milion banorë, Donjeckën - vatra kryesore të
separatistëve. Më 25.08.2014, separatistë prorusë ndërmorën kundërsulm dhe
rimorën prej forcave ukrainase pjesë të mëdha të territoreve.
Marrëveshja për ndërprerjen e zjarrit - Më 05.09.2014 u nënshkrua në Minsk
marrëveshja e armëpushimit e cila përmban 12 pika. E nënshkruan përfaqësuesit e
qeverisë ukrainase, të qeverisë ruse, të OSBE-së, si dhe të Republikës
Popullore të Donjeckës dhe të Republikës Popullore të Luganskës. Më 06.09.2014
parashikohej të filloni bisedimet për të arritur zgjidhjen politike të
përhershme të konfliktit.
Kryetari i Ukrainës,
Petro Poroshenko, deklaroi se është i gatshëm t’u ofrojë kryengritëse
“status special” për pjesët e rajonit të Donjeckës dhe të Luganskës si dhe të
drejtën e përdorimit të gjuhës ruse. Por, përfaqësuesit e RPL thanë se do të
insistojnë për pavarësi të plotë nga Ukraina. Më 28.09.2014 autoritetet ukrainase
rrëzuan përmendoren e Leninit (Vladimir Iliç Lenin, 1870-1924) në
Harkiv.
Zgjedhjet në Ukrainë – Më 26.10.2014 Ukraina mbajti zgjedhje parlamentare në
të cilat fituan Petro Poroshenko, përfaqësuesit proevropianë dhe
nacionalistë. Ithtarët e Janukoviçit dhe partitë komuniste
pësuan disfatë. Në anën tjetër, më 02.11.2014 u mbajtën zgjedhje edhe në
rajonet kryengritëse në lindje të Ukrainës, në të cilat fitoi Aleksandar
Zaharçenko. Sekretari i lartë i OKB-së, Ban Ki-moon (1944-),
zgjedhjet e kryengritësve i quajti “shkelje të kushtetutës dhe të të së drejtës
kombëtare” për arsye se “e rrezikojnë armëpushimin dhe marrëveshjen e Minskut”.
Ai kërkoi ruajtjen e tërësisë tokësore të Ukrainës.
Më 25.12.2014 Parlamenti i Ukrainës miratoi ligj të ri me të cilin ky vend
e ndërpret statusin e shtetit asnjanës (neutral). Këtë akt, autoritetet ruse e
interpretuan si një hap kah aderimi në NATO.
Viti 2015 – Pasoi shkallëzimi i ri dhunës. Udhëheqësi i zonës së kozakëve të
Donit nga Antraciti, Nikollaj Kozicin, deklaroi se territori i grupit të tij që
e kontrollon Republika Popullore e Luganskës, është bërë pjesë e “Perandorisë
Ruse” dhe se Putini është sundimtar i tij.
Më 21.01.2015 Petro
Poroshenko deklaroi se Rusia përsëri ka dërguar përforcime për t’i shpëtuar
separatistët prorusë. Sipas tij, Rusia ka dërguar në Donbas 9.000
ushtarë dhe 500 tanke. Bisedime të reja paqeje – Më 02.02.2015,
qeveria amerikane deklaroi se ka ndërmend t’i dërgojë armë qeverisë së Ukrainës
në mënyrë që të ndalet ekspansionizmi i kryengritësve prorusë. Sekretari
shtetëror i ShBA-së, Xhon Keri (John Kerry, 1943-) u nis për në Kiev për
të biseduar për këtë me autoritetet ukrainase. Për ta parandaluar shkallëzimin
e mëtejmë të luftës, kancelarja gjermane Angela Merkel (1954-) dhe
presidenti francez Fransua Oland (François Hollande, 1954-) ndërmorën
një nismë të re paqeje me bisedimet me Petro Poroshenkon dhe me Putinin.
Oland paralajmëroi se ky është rasti i fundit për t’u shmangur një “luftë e
madhe”. Rusia u paralajmërua se, po qe se e refuzon edhe këtë ofertë, atëherë
do t’i vihen sanksione edhe më të rënda. Pasoi marrëveshja e re e
paqes që hyri në fuqi më 15.02.2015. Sipas marrëveshjes, rajonet proruse
do të fitonin autonomi më të madhe, forcat ukrainase do të merrnin kontrollin
mbi kufirin ruso-ukrainas, ndërsa armatimi i rëndë do të largohej nga zona e
konfliktit. Përkundër armëpushimit, luftimet nuk u ndalën.
Përkundër qetësimit
të situatës pas armëpushimit në Minsk, në luftime të ndryshme në lindje të
Ukrainës, prej 15.02. 2015 deri në 15.08.2015 humbën jetën 165 civilë dhe 410
të tjerë u plagosën. Republika Popullore (e papranuar) e Donjeckës, në
territorin që ka qenë nën kontrollin e sa, paskësh filluar të vë në përdorim pasaporta.
Në dhjetor 2015, emisari i lartë për të drejta të njeriut i OKB-së publikoi
raportin e dymbëdhjetë për gjendjen në Ukrainë. Aty thuhet se gjendja është
kritike për shkak të hyrjes së municioneve, të armëve dhe të luftëtarëve nga
Federata Ruse, në territorin që është nën kontrollin e kryengritësve prorusë në
lindje të Ukrainës. Në territorin e “Nova Rusisë” (“Rusisë së Re”), fraksionet
e armatosura kanë ngritur “struktura administrative” paralele.
Akuza për krime lufte – Human Rights Watch (HRW) paralajmëroi se në konflikt,
që të dyja palët kanë përdorur minahedhës. Sipas raportit të OKB-së, në dy
muajt e parë të kundërofensivës ukrainase, kanë humbur jetën 257 civilë, 14
prej të cilëve – fëmijë. Akuza bëri edhe Amnesty International (AI).
Në Raportin për
gjendjen në Ukrainë, të OKB-së, të datës 15.11.2014, në territorin e
rajoneve separatiste proruse në lindje të Ukrainës, janë shkelur të drejtat e
njeriut: ndalimi i lirisë së fjalës, torturimi, burgosja e paligjshme,
ekzekutime, punë e detyrueshme, dhunë seksuale, shkatërrim dhe konfiskim
pasurie. HRW ka prova se në rajonin që është nën kontrollin e
kryengritësve, njerëzit që e kanë mbështetur qeverinë ukrainase janë rrëmbyer,
janë sulmuar, janë torturuar dhe janë keqtrajtuar. HRW thekson se Gjykata
Penale Ndërkombëtare (GJPN) ka mandat të hetojë dhe të ngre aktakuzë për
krime lufte të kryera pas datës 01.07.2002. Por, as Ukraina, as Rusia
nuk janë anëtare të Statutit të Romës, kështu që GJPN do të kishte
kompetencë ndaj këtij konflikti po qe se qeveritë e këtyre dy vendeve do ta
ratifikonin statutin apo po qe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së këtë situatë ia
përcjell gjykatës.
Roli i Rusisë dhe sanksionet ndërkombëtare kundër saj, 2014 - “Të sigurojmë të drejtat dhe interesat e
juglindjes ruse. Novorusia, Harkivi, Luganska, Donjecka, Odesa në kohën e carit
nuk kanë qenë pjesë e Ukrainës. Pjesë të saj janë bërë jo më parë se në vitin
1920. Duhet t’i trimërojmë banorët që jetojnë atje për të gjetur zjgidhje”, deklaron Vlladimir Putini më 17.04.2014, 25
ditë para shpalljes së Novorusisë. ShBA-ja dhe BE-ja fajësuan
Rusinë për ndihmën që ua jep kryengritësve rusë në Ukrainë. Është
dëshmuar se kundër forcave ukrainase kanë luftuar edhe luftëtarët çeçenë.
Udhëheqësit e rebelimit separatist në Ukrainë, si Aleksander Borodaj,
Vlladimir Anjufejev dhe Igor Girkin, janë shtetas të Rusisë. Sipas
vlerësimeve, mbi 50% e kryengritësve prorusë në Ukrainë, kanë qenë qytetarë të
Rusisë. Për këtë arsye, më 17.07.2014, ndaj Rusisë u vendosën sanksione
shtesë. Më 16.08.2014, udhëheqësi i kryengritësve prorusë Aleksandar Zaharçenko
pohon se ka mbërritur përforcimi ushtarak nga Rusia. Human Rights Watch thekson
në raportin e vet se Rusia i mbështet forcat kryengritëse.
Roli i Amerikës – Qeveria amerikane e ka mbështetur tërësinë e tokave të
Ukrainës, ndaj e ka ftuar Rusinë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri i Ukrainës. Më
14.04.2014, Kievin e vizitoi drejtori i CIA-s Xhon O. Brenan (John Owen
Brennan, 1955-). Më 09.05.2014, NATO-ja i akordoi një ndihmë Ukrainës në
vlerë prej 15 milionë eurosh.
Lloji i luftës - Human Rights Watch (HRW), në raportin e datës
01.07.2014 thotë se lufta në Ukrainën lindore është “konflikt i armatosur
i brendshëm”. HRW thotë se ushtria e Rusisë, duke vënë Krimenë nën
kontrollin e vet, “e ka zbatuar ligjin ndërkombëtar të pushtimit të atij
territori”. “Megjithëkëtë – thotë HRW – Rusia nuk
është përfshirë në konflikt në lindje të Ukrainës, ndaj nuk bëhet fjalë për një
konflikt ndërkombëtar midis Ukrainës dhe Rusisë”. Por, më
11.09.2014 HRW e revidoi raportin, mori parasysh ndodhitë në kufirin
ruso-ukrainas nga mesi i muaji të tetë dhe theksoi se “konfliktet e
forcave të rregullta ruse dhe të forcave të rregullta ukrainase, paraqesin
konflikt të armatosur ndërkombëtar”.
NATO konsideron se
konflikti është luftë me ushtrinë paramilitare ruse. Ka të tillë
që e kanë quajtur “luftë nëpërmjet ndërmjetësuesve”. Këshilli
ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ndërmjetësues i të drejtës ndërkombëtare për
OKB-në, ngjarjet në Donbas i përshkroi si “konflikt i armatosur
jo-ndërkombëtar”. Kjo bëri që disa individë këtë deklaratë ta
konsiderojnë si vërtetim se kemi të bëjmë për “luftë civile”.
Kryetari i Kuvendit të Ukrainës dhe ish-kryetari i Ukrainës Oleksandër
Turçinov konsideron se “konflikti është luftë e drejtpërdrejtë e
Ukrainës dhe Rusisë”.
Propaganda – Informatat për luftën në Ukrainën lindore në të shumtën
e rasteve ishin propaganda e të dyja palëve. Propaganda ruse
përhapte dezinformata që hidheshin poshtë nga organizatat perëndimore. Pas
rrëzimit të qeverisë së Janukoviçit, HRW dëshmon se mediumet në Rusi
kanë raportuar se pushtetin e ri në Kiev e kanë marrë “nazistët”.
Mediumet ruse njoftojnë për kanosjet e “pushtetit të nazistëve” ndaj
rusëve në Ukrainë, ndaj ata kanë nevojë për “mbrojtje” nga Rusia. Më
15.04.2014, kryeministri i Rusisë Dmitrij Medvedev (1965-) i ftoi
ukrainasit “të vendosin për të ardhmen e vet pa puçistët, nacionalistët
dhe banditët, pa tanke dhe mjete të blinduara si dhe pa vizita të
fshehta të drejtorit të CIA-s”. Sipas mediumeve ruse, në
Ukrainë kemi të bëjmë me “agresionin e Perëndimit”. Sipas HRW,
propaganda e fuqishme ruse, ka krijuar mitin për “juntën fashiste”
që e ka marrë në dorë udhëheqjen e Ukrainës.
Më 05.03.2014, një grup
hebrenjsh të Ukrainës, në një letër të hapur dërguar Putinit, i
hodhi poshtë akuzat për “fashizëm” në Ukrainë dhe për rritjen e antisemitizmit.
„Neve, popullit ukrainas na kanoset pikërisht politika juaj e nxitjes së
separatizmit dhe e trysnisë së egër ndaj Ukrainës.“
Konteksti – Sipas disa analizave, një pjesë e krizës i
ngjishet synimit të qeverisë së re të Ukrainës që të shqitet nga sfera ruse e
interesit. Marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë në shekullin
XXi kanë qenë të ndryshueshme. Një pjesë e tensioneve i ngjishet planit të
Putinit për ta përfshirë Ukrainën në Unionin e Euroazisë, që u krijua në
vitin 2014 nga Rusia, Kazakistani dhe Bjellorusia. Me këtë rast, qeveria e re
proevropiane e Kievit parapëlqeu BE-në.
Në vitin 2001, Putini
i thotë kryetarit të Ukrainës, Leonid Kuçma (Leonid Kuchma, 1938-): “Po
qe se Ukraina i bashkëngjitet unionit të Rusisë dhe Bjellorusisë, do të marrë
gaz me çmim të ulët, por nëse sillet si një vend perëndimor, atëherë do të
marrë gaz me çmim të lartë”. Kah fundi i vitit 2003 lindi kriza kur Rusia
filloi ta ndërtojë digën nëpër Detin Azov, që rrezikonte ta përfshijë edhe
ishullin Tuzlu të Ukrainës. Kriza u zgjidh kur Kuçma u pajtua që Ukraina
të mbetet në “zonën ekonomike të përbashkët” me Rusinë. Synimi i Putinit
që Ukraina të orientohet kah lindja ndikoi që ai të mbështesë kandidatin
prorus Viktor Janukoviçin, madje edhe para zgjedhjeve preliminare për
kryetar në vitin 2014. pas dyshimeve për rregullsinë e zgjedhjeve, u shfaqën
rryma të fuqishme proevropiane. Në shenjë mbështetjeje të kandidatit
proevropian Viktor Jushçenko (1954-), në Kiev protestuan rreth gjysmë
milion vetë. Gjykata Supreme caktoi zgjedhje të reja, ndërsa Putini deklaroi se
kemi të bëjmë me “precedent të rrezikshëm që kanoset të destabilizojë
hapësirën passovjetike”. Në zgjedhjet e reja fitoi Viktor Jushçenko.
Kryeministrja e re Julija Timoshenko (Yulia Tymoshenko, 1960-) deklaroi
se Ukraina është e gatshme të marrë pjesë në “rripin ekonomik” rus, për aq kjo
nuk e pengon vendin e saj që t’i bashkohet Perëndimit, pra Organizatës
Botërore të Tregtisë, BE-së, e mbase edhe NATO-s. Në vitin 2006
Putini ia ngriti çmimin e gazit qeverisë së re të Ukrainës. Ndërkaq për Bjellorusinë
dhe Pridnjestrovlen, çmimi nuk ndryshoi. Viktor Jushçenko u kanos
se do t’i ngritë çmimet e bazave ushtarake ruse në Krime. Putini
ia ktheu duke thënë se do ta rishqyrtojë pronësinë e tërë gadishullit.
Në Novorusi (Rusi
e Re), Perëndimi gjeti paralele me ndërhyrjet ruse për të krijuar Pridnjestrovlen
në Moldavi, ndërhyrjet në Osetinë Jugore dhe në Abhazinë të
Gjeorgjisë, si dhe ndërhyrjen në Nagorno-Karabah në Azerbajxhan. Sipas
Perëndimit, kemi të bëjmë me politikën e
Moskës “të konflikteve të ngrira” që kurdo mund të aktivizohen, duke
siguruar kësisoj ndikimin rus mbi politikën e ndonjë shteti. Kryeministri
ukrainas Arseni Jacenjuk (Arsenij Yatsenyuk, 1974-) fajësoi Putinin
se synon të krijojë “BRSS të cunguar” të ri. Autoritetet ukrainase
fajësuan Moskën se me luftë dëshiron të krijojë Rusi të Madhe.
Ambasadori i
Ukrainës në Kroaci, Oleksandar Levçenko, deklaroi se metodat e Putinit
na përkujtojnë idenë e Sllobodan Millosheviqit (Slobodan Miloševi?,
1941-2006) për krijimin e Serbisë së madhe, në fillim të viteve ’90 të
shekullit XX.
Ka që thonë se
qëllimi i fundit i Rusisë është të parandalojë hyrjen eventuale të Ukrainës në
NATO, edhe pse NATO-ja, qysh në vitin 2008 e refuzoi anëtarësimin e saj.
“Në krizën e Ukrainës, separatizmi dhe ndryshimi i kufijve duhet të
refuzohen prerazi dhe të respektohen parimet themelore të OSBE-së” thotë sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto
Zanier (Lamberto Zannier, 1954-).
Numri i të vrarëve - Në tre muajt e parë të luftës, deri më 15.07.2014 janë
vrarë 1.000 civilë dhe ushtarë. Më 15.08.2014 u publikua se numri i të vdekurve
është mbi 2.000, ndërsa më 08.09.2014 u publikua se kanë humbur jetën mbi 3.000
vetë. Sipas raportit të OKB-së, deri në gusht të viti 2015 janë vrarë mbi 8.000
vetë, ndërsa mbi 17.000 janë plagosur. Deri në korrik të viti 2016, bilanci i
gjendjes ka qenë 9.500 të vdekur dhe 22.000 të plagosur. Sipas palës ukrainase,
në luftë kanë humbur jetën 15.022 vetë. Prej tyre, 1.638 ushtarë ukrainas,
7.577 ushtarë rusë dhe 5.807 civilë.
Për shkak të luftës,
në Evropën Lindore u shtua rusofobia. Në janar të viti 2015, në
prag të 70-vjetorit të çlirimit të kampit të Aushvicit (Auschwitz),
Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Gërzegorz Shetina (Grzegorz
Schetyna, 1963-) deklaroi se njerëzit “do të duhej t’u falënderoheshin
ushtarëve ukrainas për çlirimin e kampit dhe jo rusëve”. Për këtë
deklaratë, Putini nuk mori pjesë në shënimin e kësaj ngjarjeje.