Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Frensis Fukujama - 'Fundi i historisë'
E hene, 18.04.2022, 07:08 PM
FRENSIS FUKUJAMA – “FUNDI I HISTORISË”
Nga Xhelal
Zejneli
Mbase jemi dëshmitarë, jo vetëm të fundit të Luftës së ftohtë apo të ikjes
së një periudhe të veçantë të historisë së pas luftës, por të fundit të
historisë si të tillë... kjo është pika e fundit e evolucionit ideologjik të
njerëzimit dhe universalizmi i demokracisë liberale perëndimore si formë
përfundimtare e sundimit njerëzor. Në botë kanë triumfuar kultura e konsumit,
Perëndimi dhe ideja perëndimore – Frensis Fukujama
* * *
Joshihiro Frensis Fukujama (Yoshihiro Francis Fukuyama, Çikago, 27.10.1952-)
është filozof amerikan, analist politiko-ekonomik dhe autor. Është i njohur për
librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” në të cilin pohon
se përhapja e demokracive liberale, e tregut të lirë dhe e mënyrës perëndimore
të jetesës - në mbarë botën, janë pika të fundit në evolucionin socio-kulturor
të njerëzimit dhe formë përfundimtare e rregullimit njerëzor. Por, në librin e
vet “Mirëbesimi: Dilemat sociale dhe ndërtimi i prosperitetit”, e
ndryshoi pozitën e vet paraprake dhe e pranoi se kultura nuk mund të ndahet
lehtë nga ekonomia. Fukujama është i ndërlidhur po ashtu me paraqitjen e
lëvizjes neo-konservatore, nga e cila më vonë u distancua. Është bashkëpunëtor
i lartë i Qendrës për Demokraci, për Zhvillim dhe për Sundimin e së Drejtës
pranë Universitetit Stenford (Stanford University). Paraprakisht ka punuar si
profesor dhe si drejtor i Programit zhvillimor ndërkombëtar në Shkollën e
Studimeve Përparimtare Ndërkombëtare pranë Universitetit Xhon Hopkins (Johns
Hopkin University).
Frensis Fukujama
lindi në Hajd Park (Hyde Park) në afërsi të Çikagos (Chicako). Babai i tij Joshio
Fukujama (Yoshio Fukuyama, 1921-1995) është brezi i dytë i amerikanëve japonezë.
Ishte klerik protestant. Doktoroi në sociologji në Universitetin e Çikagos.
Nëna e Frensis Fukujamës, Toshiko Kavata Fukujama (Toshiko Kawata
Fukuyama) ka lindur në Kjoto (Kyoto) të Japonisë. Është bijë e ekonomistit
prominent Shiro Kavata (Shiro Kawata, 1883-1942) i cili ka qenë
themelues i Departamentit të Ekonomisë në Universitetin e Kjoto (Kyoto
University) dhe rektor i parë i Universitetit të Osakës. Vitet e fëmijërisë,
Frensis Fukujama i kaloi në Nju-Jork. Në vitin 1967, familja e tij shpërngulet
në Pensilvani. Frensis Fukujama e vazhdon arsimimin në Kolegjin shtetëror të
Pensilavanisë (State College, Pennsylvania).
Nën drejtimin e
filozofit, klasicistit dhe akademikut, ligjërues në gjashtë universitete, Alen Blum (Allan Bloom, 1930-1992) studioi
filozofinë politike në Universitetin e Kornelit (Cornell University). Diplomoi
për studimet klasike. Doktoroi në Universitetin e Harvardit me
tezën “Bashkimi Sovjetik dhe Lindja e Mesme”. Mentor e kishte
politologun amerikan Semjuel Hantington (Samuel Huntington, 1927-2008)
dhe filozofin amerikan të politikës Harvi Mensfild (Harvey Mansfield,
1932-).
Që prej studimeve
universitare në Kornel, mbante kontakte me asociacionin Telluride.
Anëtarë të këtij asociacioni ishin edhe intelektualë të tjerë të rëndësishëm. Midis
tyre edhe teoricieni i fizikës, laureat i çmimit “Nobel” për fizikë Stivën
Vinberg (Steven Weinberg, 1933-2021), dijetari politik
amerikan e diplomati Pol Volfovic (Paul Wolfowitz, 1943-) dhe gazetarja
televizive amerikane Ketlin Sulivan (Kathleen Sullivan, 1953-).
Frensis Fukujama
ishte profesor i ekonomisë politike ndërkombëtare pranë biznesmenit amerikan Bernard
L. Shvarc (Bernard Leon Schwartz, 1925-) dhe drejtor i Programit
ndërkombëtar për zhvillim pranë Pal H. Niçe – Shkolla për Studime Përparimtare
Ndërkombëtare.
Në kohën e lirë
punon si fotograf. Merret po ashtu edhe me krijimin manual të mobilieve klasike
virxhiniane. Tregon interesim për incizimin dhe për riprodhimin e zërit. Është
i martuar me Laura Holmgren, të cilën e njohu kur ajo studionte në UKLA.
Librin e vet “Trust: The Social Virtues and the Creation of Prosperity”
ia dedikoi Laurës. Jetojnë në Kaliforni dhe kanë tre fëmijë: Julia, Dejvid
(David) dhe Xhon (John).
* * *
Lëmi i studimit të
Fukujamës është Filozofia bashkëkohore amerikane. I takon shkollës së
liberalizmit dhe të neo-konservatorizmit. Veprimtaria kryesore e tij është
historia e filozofisë, fundi i historisë, post-humanizmi, evolucioni,
trans-humanizmi.
“Fundi i historisë” - Në vitin 1989, në numrin veror të revistës “The
National Intereset”, Fukujama botoi tekstin me titull “Fundi i
historisë?” Ky tekst lindi në bazë të ligjëratës që e ka mbajtur Fukujama
në Qendrën e studimeve të teorisë dhe të praktikës së demokracisë pranë
Universitetit të Çikagos. Kjo ese e Fukujamës do të bëhet shkas i një prej
debateve intelektuale më të mëdha të fundit të shekullit XX. Duke aluduar për
lëvizjen reformiste që u paraqit në Bashkimin Sovjetik dhe në Evropën Lindore,
në këtë ese Fukujama thotë: “Në historinë e botës po ndodh diçka tejet
fundamentale”. Me këtë rast thekson se në botë kanë triumfuar kultura
e konsumit, Perëndimi dhe ideja perëndimore.
Në vitin 1992
Fukujama botoi librin me 418 faqe “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”
(The End of History and The Last Man).
“Mbase jemi dëshmitarë, jo vetëm të fundit të Luftës së ftohtë apo të ikjes
së një periudhe të veçantë të historisë së pas luftës, por të fundit të
historisë si të tillë... kjo është pika e fundit e evolucionit ideologjik të
njerëzimit dhe universalizmi i demokracisë liberale perëndimore si formë
përfundimtare e sundimit njerëzor”.
Me krizën, më vonë
edhe me rënien e komunizmit pason fitorja e liberalizmit,
në radhë të parë në lëmine ideve apo të vetëdijes.
Në anën tjetër, kjo fitore, në botën materiale, nuk është e plotë. Por,
Fukajama thotë se ekzistojnë arsye të forta për të besuar se liberalizmi është
ideal që do të sundojë në botën materiale në mënyrë afatgjate.
Kjo ese hasi në
kritika të një numrit të madh intelektualësh, si në ShBA, ashtu edhe në Japoni,
në Evropë, në Brazil, në Afrikën e Jugut etj. Këtyre kritikave Fukujama do të
përpiqet t’u përgjigjet me sqarime plotësuese. Shpejt pas kësaj do të tërhiqet
nga Departamenti i Shtetit (State Departmen) dhe do ta shkruajë librin “Fundi
i historisë dhe njeriu i fundit” ku do ta arsyetojë tezën e vet për
fundin e evolucionit ideologjik të njeriut.
* * *
Në vitin 1999,
Fukujama e boton veprën e vet “Natyra njerëzore dhe rikonstruktimi i rendit
shoqëror” (The Great Disruption: Human Nature and the Reconstruction of Social
Order, 1999). Këtu i prezanton kërkimet e veta për prejardhjen e
normave shoqërore dhe i analizon ndryshimet vijuese në strukturën e traditave
tona morale.
Në vitin 2002
Fukujama botoi veprën e vet “E ardhmja jonë postume” (Our Posthuman
Future: Consequences of the Biotechnology Revolution, 2002). Në këtë
vepër Fukujama paralajmëron për rreziqet ndaj demokracisë liberale që do të
mund të shfaqeshin si rezultat i zhvillimit të shkencave bio-teknologjike.
Në këtë vepër Fukujama
pohon se bio-teknologjia do t’u mundësojë njerëzve ta kontrollojnë evolucionin
e vet, ta ndryshojë natyrën njerëzore. Kësisoj vihet në rrezik demokracia
liberale. Një prej pasojave të mundshme të zhvillimit të shkencave
bio-teknologjike është ndryshimi i natyrës njerëzore dhe krijimi i pabarazive
radikale.
Fukujama është
kritikues i ashpër i trans-humanizmit (transhumanism), lëvizje
intelektuale e cila thekson se post-humanizmi (posthumanity)
është një objektiv i dëshirueshëm dhe ka të bëjë me ndryshimin e ADN-s së
njeriut.
* * *
Veprimtari politike dhe intelektuale – neo-konservatorizmi: Me rastin e krijimit të “Doktrinës së
Reganit” (Reagan Doctrine), Fukujama ka luajtur rol kryesor në
administratën e presidentit Ronald Regan (Ronald Wilson Reagan,
1911-2004). Në gjysmën e parë të viteve ’90 të shekullit XX, Fukujama ka
ushtruar ndikim të madh për forcimin e neo-konservatorizmit (Neoconservatism)
në politikën e jashtme të ShBA-së. Ai ka qenë anëtar aktiv i institutit politik
(think tank), Projekt i shekullit të ri amerikan (Project for the New
American Century). Detyrë kryesore e këtij asociacioni ka qenë përhapja e
idesë për dobinë nga roli udhëheqës i ShBA-së në botë, duke potencuar me këtë
rast se hegjemonia e ShBA-së është e dobishme, si për Amerikën, ashtu edhe për
botën.
Fukujama me
bashkëpunëtorët e tjerë mori pjesë në hartimin e memorandumit dërguar
presidentit Bil Klinton (William Jefferson Clinton, 1946-), me të cilin
kërkohej prej presidentit të atëhershëm të ShBA-së që të mbështeten kryengritësit
irakianë për ta shembur kryetarin e Irakut, Sadam Husein (Saddam
Hussein, 1937 – u ekzekutua me varje në Camp Justic, më 30.12.2006).
Pas sulmeve
terroriste të 11 shtatorit të viti 2001, Fukujama është një prej dyzet nënshkruesve
të peticionit të aktorit, komikut, shkrimtarit, producentit dhe regjisorit të
filmit, amerikanit Uilliam Kristoll (William Edward Crystal, i njohur si
Billy Crystal, 1948-) të datës 20 shtator 2001 me të cilën iu kërkua
presidentit Xhorxh V. Bush (George Walker Bush, 1946-) që të
zihet apo të vritet udhëheqësi i lëvizjes islamike militante Al Kaeda, Osama
bin Laden, Rijad, 1957 – i vrarë prej amerikanëve në Abbottabad të
Pakistanit më 2 maj 2011). Me këtë rast u potencua se nevojitet ndërhyrje ushtarake
në Irak dhe rrëzimi Sadam Huseinit.
Por, në fillim të
viti 2002 Fukujama fillon të distancohet nga agjenda neo-konservatore e
presidentit Xhorxh V. Bush, duke i theksuar pasojat negative që
do të lindnin nga ndërhyrja ushtarake, në vend të komponentë diplomatike dhe
qasjes unilaterale ndaj Lindjes së Afërt në politikën e jashtme.
Në vitin 2003,
Fukujama u shndërrua në kritik të zëshëm të luftës në Irak. Duhet thënë se, në
thelb Fukujama nuk ka qenë kundërshtar i luftës. Ai ka qenë kundër mënyrës se
si ishte përgatitur lufta dhe si zhvillohej ajo. Ai potenconte se ShBA-ja, për
shkak të luftës në Irak dhe qasjes unilaterale në këtë përplasje, i prishi
marrëdhëniet e mira politike me aleatët tradicionalë, veçanërisht me miqtë në
Evropë. Me këtë rast kërkoi nga sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald
Ramsfeld (Donald Henry Rumsfeld, 1932-2021) të japë dorëheqje nga posti i
njeriut të parë të Sekretariatit të Mbrojtjes të ShBA-së. Në vitin 2004
Fukujama potencon se administrata e presidentit Xhorxh V. Bush ka bërë
tre gabime të mëdha:
- E zmadhoi pa arsye
rrezikun nga fundamentalizmi islamik;
- Shkaktoi reagime
negative, sipas të cilave ShBA synon të shtrijë hegjemoninë e vet në botë;
Sipas këtyre reagimeve ShBA-ja nuk bashkëpunon me Kombet e Bashkuara dhe me
organizatat e tjera botërore; në shumë vende të botës u forcua
anti-amerikanizmi;
- E vlerësoi
gabimisht vendosjen e paqes në Irak pas luftës, duke e lënë pas dore
komponentin social-politik. Me fjalë të tjera, nuk i kushtoi vëmendje e duhur
përhapjes së frymës dhe të ndjenjës liberale dhe demokratike brenda popullit
irakian.
Fukujama beson se
ShBA-ja ka të drejtë t’i promovojë vlerat e veta në botë, por deri në masën që
ai e quan Vilsonizëm realist (realistic Wilsonianism). Me fjalë të tjera, ShBA-ja duhet ta zbatojë ndërhyrjen ushtarake vetëm si
mjet të fundit dhe si shtojcë e masave të tjera. ShBA-ja shpenzon për forcat e
veta ushtarake më tepër se pjesa tjetër e botës bashkërisht. Por, lufta në Irak
dëshmon se ndërhyrja ushtarake amerikane nuk është plotësisht efektiv. Në vend
të përdorimit të forcës, ShBA-ja duhet ta nxitë zhvillimin politik dhe ekonomik
dhe të ketë qasje më fleksibile ndaj asaj që ndodh në vendet e tjera.
ShBA-ja duhet të angazhohet për përhapjen e arsimimit, t’i prezantojë
fshehtësitë e zhvillimit ekonomik dhe politik, të japë ndihma financiare. Duhet
të angazhohet për t’i bindur njerëzit, në rastin konkret irakianët, që të mos
presin ndihmë nga jashtë, por me forcat e veta të punojnë në dobi të vendit të
tyre.
Fukujama potencon se
duhet të ripërtërihet kredibiliteti i institucioneve ndërkombëtare, i rrënuar
nga veprimet e administratës së presidentit Xhorxh V. Bush. Në politikën
e jashtme, përdorimin e forcës ushtarake, ShBA-ja duhet ta kombinojë me
mbështetjen dhe legjitimitetin të siguruar nga organizatat ndërkombëtare. Kjo
tezë e e Fukujamës që ka të bëjë me Vilsonizmin realist të ri,
është sqaruar në hollësi në librin e tij America at the Crossroads:
Democracy, Power, and the Neoconservative Legacy.
Në periudhën e viteve
2006-2008, Fukujama e këshillonte udhëheqësin e Libisë, kolonelin Moamer el
Gadafi (Mu’ammar Al-Qadhdhafi, 1942 – i vrarë më 20.10.2011) - si pjesë e
firmës këshillimore Monitor Group me seli në Kembrixh (Cambridge). Në
gusht të vitit 2005 Fukujama ishte njëri prej themeluesve të revistës The
American Interest. Revista trajtonte
temën e gjerë “Amerika në botë”. Më pas, Fukujama u bë edhe
kryetar i Këshillit redaktues. Në periudhën e viteve 1979-1980, 1983-1989 dhe
1995-1996 ishte anëtar i Sektorit të shkencave politike pranë Korporatës RAND.
Më pas u bë anëtar i Këshillit të kreditorëve. Në vitet 2001-2004, Fukajama ka
qenë anëtar i Këshillit për bioetikë, pranë administratës së presidentit. Është
bashkëpunëtor i Akademisë Botërore të Artit dhe Shkencës. Është anëtar i
Komitetit drejtues të Legal Defense Trust të Luis Skuter
Libit* (Lewis “Scooter” Libby, 1950-). Me Libin kanë qenë miq shumëvjeçarë.
Kanë punuar bashkërisht në Departamentin e Shtetit (State Department).
Gjatë zgjedhjeve
presidenciale në ShBA të vitit 2008, Fukujama e mbështeti kandidatin e
demokratëve - Barak Obamën (Barack Obama, 1961-) i cili i fitoi
zgjedhjet presidenciale. Fukujama është anëtar i Këshillit të këshilltarëve të Pyle
Center për studime të Azisë Verilindore në National Bureau of Asian
Research. Është anëtar i Këshillit drejtues të Global Financial
Integrity. Është anëtar i Këshillit ekzekutiv të Inter-American Dialogue.
* * *
Shënim: Luis Skuter
Libit* (Lewis “Scooter” Libby, 1950-) intelektual me peshë; zyrtar kryesor
në administratën e presidentit Xhorxh V. Bush; shef i personelit në
Shtëpinë e Bardhë; shef kabineti dhe këshilltar për Siguri kombëtare i
nënkryetarit të ShBA-së, Dik Çejni (Richard Bruce “Dick” Cheney); Libi
ishte një prej mbështetësve kryesorë të invadimit në Irak nga ShBA-ja; ka
luajtur rok tejet të rëndësishëm në ngjarjet që çuan në fundin e luftës
së ftohtë. Më 28 tetor 2005, Luis Libi u fajësua për
pengim procedure ligjore, për shkelje të betimit dhe për dhënie të deklaratave
të rrejshme. Gjatë hetimit u konstatua se në vitin 2003 Luis Libi ua
kishte bërë publik gazetarëve emrin e agjentes sekrete të CIA-s, Valeri
Plejm (Valerie Elise Plame, 1963-),
grua e ish-ambasadorit amerikan Xhozef Uilson (Joseph Charles
Wilson, 1949-2019) i cili e kishte fajësuar administratën e presidentit Xhorxh
V. Bush se arbitrarisht i kishte shtrembëruar të dhënat e shërbimit
të inteligjencës lidhur me programin irakian të armëve për shkatërrim masiv, me
qëllim të arsyetimit të invadimit në Irak në vitin 2003. Pohimet e tilla,
zyrtarët e administratës së Bushit i mohuan. Libi u fajësua për tentim
pengimi të hetimit të rastit, për gënjim nën betim dhe për dhënie të
deklaratave të rrejshme agjentëve të FBI-së. Libi mohoi se informata për
identitetin e agjentes Valeri Plejm (Plame), ka dalë prej tij. Sapo u
ngrit aktakuza, Libi ia paraqiti dorëheqjen nënkryetarit Dik Çejni (Dick
Cheney). Publikimi i emrave të operativëve të CIA-s dënohet me ligj.
Sipas kongresistëve demokratë që ishin në opozitë, publikimi i emrit të
agjentes së CIA-s Valeri Plejm (Valerie Plame), i shërben administratës
së Bushit për t’i luftuar kritikuesit e luftë në Irak. Më 7 qershor
2007, Luis Skuter Libi (Lewis Scooter Libby) u dënua me dënim burgu në
kohëzgjatje prej dy vjet e gjysmë.
Çejni, Dik (Richard Bruce “Dick” Cheney, 1941-) nënkryetar i ShBA-së gjatë presidencës
së Xhorxh V. Bushit në periudhën e viteve 2001-2009.
* * *
Veprat
“Fundi i historisë dhe njeriu i fundit” (The End of History and The Last
Man);
- Trust: The Social
Virtues and the Creation of Prosperity. Free Press, 1995.
- The Great Disruption: Human Nature and the Reconstitution of Social
Order. Free Press,
1999.
- Our Posthuman Future: Consequences of the Biotechnology Revolution. Farrar, Straus and Giroux, 2002. (E
ardhmja jonë postume)
- State-Building: Governance and World Order in the 21st Century. Cornell University Press, 2004.
- America at the Crossroads: Democracy, Power, and the Neoconservative
Legacy (Yale
University Press, 2006).
- After the Neo Cons: Where the Right went Wrong. Profile Books, 2006. (N.B. Published in the US
as America at the Crossroads)
- Falling Behind: Explaining the Development Gap between Latin America and
the United States, ed. (Oxford University Press, 2008).
- The Origins of
Political Order
Fukujama ka botuar
edhe një numër të madh esesh në revistat më prestigjioze të
botës.