Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Iluminizmi në Holandë, Itali, Francë dhe Gjermani
E merkure, 04.05.2022, 09:00 PM
ILUMINIZMI NË HOLANDË, NË ITALI, NË FRANCË DHE NË GJERMANI
Nga
Xhelal Zejneli
Iluminizmi në Holandë u zhvillua gjatë epokës
së artë holandeze. Në Holandë lulëzuan shkenca, arti, filozofia dhe
zhvillimi ekonomik. Arritjet e asaj epoke do të ndikojnë fuqishëm në formimin e
qytetërimit perëndimor. Personalitete kryesore të iluminizmit holandez ishin
filozofi, matematikani dhe fizikani francez, krijues i shprehjes Cogito,
ergo sum (Mendoj, ndaj ekzistoj), Rene Dekart (Cartesius
Renatus/René Descartes, 1596-1650), filozofi holandez me prejardhje nga një
familje hebraike, e ardhur në Holandë nga Portugalia, Baruh de Spinoza (Baruch
de Spinoza Bendictus, 1632-1677) i cili shkroi për panteizmin dhe
për filozofinë e materies si kritikë e Dualizmit kartezian; filozofi dhe
iluministi francez Pjerë Bejli (Pierre Bayle, 1647-1706), i cili angazhohej
për ndarjen e shkencës nga religjioni; astronomi amator nga Frizia,
ndërtues i planetariumit të parë Ajze Eisinga (Eise Jeltes Eisinga,
1744-1828); mendimtari radikal holandez i cili pohonte se Bibla është e errët
dhe e dyshimtë Lodevijk Majer (Lodewijk Meyer, 1629-1681); mendimtari
holandez, kritik i religjionit dhe i moralit konvencional Adrian Koerbag (Adrian
Koerbagh, 1632-1669); dhe natyralisti holandez Burhard de Volder (Burchard
de Volder, 1643-1709).
Shënim: Rene Dekarti (Cartesius Renatus/René Descartes) udhëton në
Holandë, në Gjermani, në Zvicër dhe në Itali, duke studiuar “librin e madh
të botës”. Ishte i dëshpëruar nga mësimi skolastik. Theksonte nevojën për
një reformë rrënjësore të të gjitha fushave të shkencës. Më 1629 u vendos në
Holandë ku gjenin strehim nga përndjekja shumë dijetarë përparimtarë. Më 1647,
përhapja e kartezianizmit u ndalua edhe në Holandë. Veprat e
Dekartit u dënuan me djegie publike. Me ftesë të mbretëreshës së Suedisë, Kristina
(1626-1689), shkon në Stokholm, ku edhe vdes.
Skolastika – greqisht: schole – shkollë; filozofi e mesjetës. Është filozofi
në shërbim të teologjisë; mësim kishtar. Skolastika synon të themelojë dhe të
forcojë një pikëpamje mbi botën në vështrim të mësimit kishtar.
Pjerë Bejli (Pierre Bayle) ishte profesor i filozofisë në Universitetin e Sedanit. Për
shkak të antidogmatizmit dhe qëndrimeve skeptike ndaj doktrinës krishtere, e
larguan nga universiteti. Emigroi në Holandë ku u bë profesor i filozofisë në
Roterdam. Edhe prej këtu e dëbuan, por tani, teologët protestantë. Vepra e tij “Fjalor
historik dhe kritik” shënon fillimin e epokës së iluminizmit. Bejli është
një prej paraardhësve të enciklopedistëve francezë. Bejli shënon
fillimin e një epoke të re - të epokës e cila në piedestalin e vlerës më të
lartë e vë arsyen.
* * *
Iluminizmit në Greqi i dhanë një shtytje të
rëndësishme tregtarët grekë të kamur në qytetet e mëdha të Perandorisë Otomane.
Qendrat më të rëndësishme të mësimit, të shkollave dhe të universiteteve greke
kanë qenë në Janinë, në Kios, në Smirnë (Izmir) dhe në Ajvallëk (Ayvalik).
Përhapja e ideve të iluminizmit në mendimin kolektiv grek, ndikoi edhe në
zhvillimin e vetëdijes kombëtare. Publikimi i revistës “Hermes o Logios” i
forcoi idetë e iluminizmit. Qëllimi i kësaj reviste ishte forcimi i shkencës, i
filozofisë dhe i kulturës greke. Dy figurat e rëndësishme të iluminizmit grek, Rigas
Feraios (1757 – atentat në Beograd, 1789) dhe Adamntios Korais (Smirna/Izmir,
Turqi, 1748 – Paris, 1833) i trimëronin nacionalistët grekë për të pranuar
mendimin politik modern.
Shënim: Rigas
Feraios (emri i vërtetë Rigas Velestinlis, Andonios Kiriaziai, 1757 –
Beograd, 24.06.1798) – revolucionar grek, poet dhe hero kombëtar grek,
veprimtar në kohën e iluminizmit bashkëkohor, prijës dhe viktimë e parë e
kryengritjes greke kundër Perandorisë Osmane. Autoritetet austriake që në atë
kohë ishin aleatë të Perandorisë Osmane, e arrestojnë në Trieste dhe ua
dorëzojnë administruesve turq të Beogradit. Këta e mbytin në banjën Nebojsha të
Beogradit, bashkë me pesë bashkëpunëtorët e tij. Kufomat i hedhin në Danub.
* * *
Iluminizmi italian - Gjatë epokës së iluminizmit, në Itali u bënë ndryshime të mëdha. Kjo
ndikoi edhe në filozofinë italiane. Mendimtarët e ndritur shpesh tuboheshin
nëpër sallonet private dhe nëpër kafehane ku organizonin debate. Më së shumti
tuboheshin në Milano, Torino dhe në Venecie. Qytetet me universitete të
rëndësishme si Padova, Bolonja, Napoli dhe Roma ishin qendra të mëdha të
arsimimit, me intelektualët e shquar siç ishin filozofi dhe shkrimtari italian Xhambatista
Viko (Giambattista Vico, 1668-1744) dhe filozofi e ekonomisti italian,
nxënës i Vikos, Antonio Xhenovezi (Antonio Genovesi, 1713-1769).
Gjatë iluminizmit, pjesë të caktuara të shoqërisë italiane u ndryshuan në
mënyrë dramatike. Për shembull, Leopoldi II, Duka i Madh i Toskanës
(1797-1870) e hoqi në Toskanë dënimin me vdekje. Ndikimi i kishës u zvogëlua
dukshëm, gjë që rezultoi me një zhvillim intelektual të fuqishëm dhe me
shpikje. Fizikani italian, shpikës i
baterisë së parë elektrike Aleksandër Volta (Alessandro Guiseppe Antonio
Anastasio Volta, 1745-1827) dhe fizikani, biologu e filozofi italian,
shpikës i elektricitetit te kafshët, pionier i bio-elektromagnetizmit Luixhi
Galvani (Luigi Galvani) bënë zbulime të reja, duke i kontribuar me të madhe
shkencës së Perëndimit. Një ri prej figurave më të njohur italianë të
iluminizmit, kriminalisti, juristi, filozofi, ekonomisti dhe politikani Cezare Bekaria (Cesare Bonesana
Beccaria, 1738-1794) njihet për veprën kapitale “Për krimet dhe ndëshkimet”
(Dei delitti e delle pene / On crimes and Punishments, 1764), më vonë të
përkthyer në 22 gjuhë. Në këtë traktat ai dënon torturën ndaj të burgosurve dhe
dënimin me vdekje. Është vepër themelore në lëmin e penologjisë – shkencës që
studion ndikimin e dënimit te të dënuarit. Intelektual tjetër i shquar ka qenë
edhe filozofi dhe shkrimtari politik Fraçesko Mario Pagano (Francesco
Mario Pagano1748-1800). Është autor i studimit “Ese politike” (Saggi
Politici, 1783) apo “Vështrime politike mbi parimet, përparimin
dhe dekandencën e shoqërisë”, që konsiderohet si një prej veprave më të
rëndësishme të iluminizmit në Napoli si dhe i studimit “Vështrime mbi
procesin kriminal” (Considerazioni sul processo criminale, 17878).
Me studimet e sipërthënë, Mario Pagano është ngritur në statusin e autoritetit
ndërkombëtar në të drejtën kriminale.
* * *
Iluminizmi francez – Kah mesi i shekullit XVIII, Parisi u bë qendër e shpërthimit të vërtetë
të veprimtarisë filozofike dhe shkencore e cila i sfidonte doktrinat dhe dogmat
tradicionale. Historianët francezë këtë periudhë, të quajtur shekull i
iluminizmit (Siècle
des Lumières ) rëndom e vendosin midis viteve 1715-1789, që nga
fillimi i sundimit të Luigjit XV deri
në Revolucion francez (1879).
Shënim: Luigji XV (1710-1774) mbretëroi në vitet 1715-1774. Ishte stërnip
dhe pasardhës i Luigjit XIV (1638-1715).
* * *
Lëvizja filozofike e udhëhequr nga shkrimtari,
historiani, publicisti dhe filozofi francez Volter (emri i vërtetë
Françoi Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) dhe nga filozofi e shkrimtari francez
Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778), në bazë të parimit se
shoqëria duhet të bazohet në arsye dhe jo në religjion e
në doktrinën katolike, u angazhua për vendosjen e rendit të ri
qytetar të bazuar në ligjin natyror dhe në shkencën e bazuar në eksperimente
dhe në argumente. Juristi, sociologu, mendimtari politik dhe filozofi francez Sharlë
dë Monteskjë (Charles Louis de Secondat Montesquieu, 1689-1755), në
qeverisjen e shtetit solli idenë e ndarjes së pushtetit, koncept
që e pritën me entuziazëm autorët e Kushtetutës së ShBA-së. Edhe pse
mendimtarët e iluminizmit francez nuk ishin revolucionarë, madje shumë prej
tyre ishin pjesëtarë të fisnikërisë apo të bujarisë, megjithëkëtë idetë e tyre
luajtën një rol të madh në rrënimin e legjitimitetit të rendit të vjetër dhe
në projektimin e Revolucionit francez. Pjesa më e madhe e
veprimtarisë shkencore u zhvillua në Luvrë (Louvre), ku ndodhet Akademia
Franceze e Shkencave, e themeluar në vitin 1666. Akademia kishte seksione
për gjeometri, astronomi, mekanikë, anatomi, kimi dhe botanikë.
Gjatë sundimit të Luigjit XVI (1754-1793), i cili mbretëroi në vitet
1774-1792, Akademisë iu shtuan edhe seksionet për fizikë, natyralizëm
dhe mineralogji. Në matematikë dhe në astronomi,
shkencëtarët francezë ishin në të njëjtin nivel me ata të Britanisë, ndërsa në kimi
dhe në natyrizëm ishin para tyre. Biologu dhe natyralisti Zhozh-Lui
Leklerk, Kont i Byfonit (Georges-Louis Leclerc, Conte de Buffon,
1707-1788) e administronte kopshtin botanik Jardin des Plantes të cilin
e bëri qendër kryesore të kërkimeve në botanikë. Matematikani dhe astronomi
italian, francez i natyralizuar Zhozef-Luis Lagranzh (Joseph-Louis
Legrange / Guiseppe Luigi Lagrange, Toronto, Itali, 1736 – Paris, 1813),
matematikani Zhan-Sharlë dë Borda (Jean-Charles de Borda, 1733-1799) dhe
matematikani Pjerë-Simon Laplas (Pierre-Simon Laplace, 1749-1827),
botanisti Rene Luish Defonten (René Louiche Desfontaines, 1750-1833),
kimistët Klodë Luis Bertole (Clode Louis Berthollet, 1748-1822), Antuan
Fransua, Kont i Furkrua-s (Antoine François, Comte de Fourcroy, 1755-1809)
dhe Antuan Lavuazje (Antoine-Laurent Lavoisier, 1743-1794) i dhanë një
ndihmesë të konsiderueshme revolucionit shkencor në Paris.
Botuesit e librave në Paris, me veprimtarinë e vet
përhapën në mbarë Evropën idealet dhe zbulimet e reja të asaj periudhe. Në
vitet 1720-1780, u dyfishua numri i librave për shkencë dhe arte, që u botuan
në Paris. Në të njëjtën kohë, numri i librave mbi religjionin ra në një të
dhjetën e numrit të përgjithshëm të librave të botuar.
Filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis
Diderot, 1713-1784) dhe filozofi, fizikani dhe matematikani francez d’Alamber
(Jean le Rond d’Alembert, 1717-1783), në periudhën e viteve 1751-1766
botuan në shtatëmbëdhjetë vëllime Enciklopedinë (Encyclopedie).
Kjo u mundësoi intelektualëve anembanë Evropës një pasqyrë cilësie të lartë të
njohurive njerëzore. Shkencëtarët e mbarë Evropës dhe të ShBA-së, vinin në
Paris për të shkëmbyer ide. Për shembull shtetari, shpikësi dhe shkencëtari
amerikan Benxhemin Franklin (Benjamin Franklin, 1706-1790) erdhi në
Paris për t’u njohur me Volterin (Voltaire) dhe për t’i treguar
eksperimentet e veta me elektricitetin.
Shënim: d’Alamberi (d’Alembert) kishte prirje të rrallë për
matematikë. Për këtë arsye, në moshën 23-vjeçare e pranuan si anëtar të
Akademisë Franceze të Shkencave.
* * *
Disa nga shpikjet e dijetarëve të Parisit, sidomos
në lëmin e kimisë, shpejt hynë në përdorim praktik. Eksperimentet e kimistit Antuan
Lavuazje (Antoine Lavoisier) gjetën zbatim në krijimin e impianteve të para
moderne për kimi në Paris. Prodhimi i hidrogjenit u mundësoi vëllezërve Zhozef-Mishel
Montgolfie (Joseph-Michel Montgolfier, 1740-1810) dhe Zhak-Etjen
Montgolfie (Zhak-?tienne Montgolfier) të realizojnë fluturimin e parë të
njeriut me balonë, më 21 nëntor 1873, nga kështjella Shato dë la Myet
(Chateau de la Muette) në afërsi të parkut Bua dë Bolonjë (Bois de
Bologne). Vëllezërit Montgolfie (Montgolfier) ishin pionierë të
aviacionit.
* * *
Prusia dhe shtetet
gjermane – Lëvizja gjermane e iluminizmit,
deri kah mesi i shekullit XVIII u zhvillua si forcë intelektuale në muzikë, në
shkencë dhe në letërsi. Frederiku II, I Madh (1712-1786), mbret i
Prusisë në vitet 1740-1786, e shihte veten si prijatar i iluminizmit. Nën
patronazhin e tij, në oborrin në Berlin, vepruan shumë filozofë dhe
shkencëtarë. Ishte i entuziazmuar nga klasicizmi francez dhe e
kritikonte kulturën gjermane. Ishte i vetëdijshëm për përparimin e rëndësishëm që sillte ai. Volteri,
të cilin pushteti francez e privoi nga liria dhe e shpërfillte, me dëshirë e
pranonte ftesën e Frederikut II, I Madh, për të jetuar në oborrin e tij.
Frederiku II, I Madh thoshte: “Preokupimi im kryesor është lufta kundër
padijes dhe paragjykimeve... preokupimi im është ndritja e mendjeve, kultivimi
i moralit dhe si t’i bëjmë njerëzit sa më të lumtur në përputhje me natyrën
njerëzore, aq sa kam mundësi për një gjë të tillë”. Synimet e tilla i
mbështetnin edhe sundimtarët e tjerë, si Karl Frederiku i Badenit (Karl
Friedrich von Baden, 1728-1811), i cili sundoi në Baden 73 vjet, në vitet
1738-1811. Shkrimtari Kristian Volf (Christian Wolff, 1679-1754) ishte i
pari që ua paraqiti iluminizmin lexuesve gjermanë. E legjitimoi gjuhën
gjermane si gjuhë të filozofisë. Shkrimtari dhe filozofi gjerman Johan
Gotfrid Herder (Johann Gottfried Herder, 1744-1803) çeli fusha të reja në
filozofi dhe në poezi, sidomos me lëvizjen e proto-romantizmit, Sturm und
Drang (Stuhi dhe Vrull). Klasicizmi i Vajmarit (Weimarer
Klassik) ishte një lëvizje kulturore dhe letrare e themeluar në Vajmar
(Weimar). Kjo lëvizje synonte që me sintezën e ideve të romantizmit, të
klasicizmit dhe të iluminizmit, të krijohet një humanizëm
i ri. Lëvizja u shtri në vitet 1772-1805. Përpos Herderit, në lëvizje
merrnin pjesë edhe shkrimtari gjerman Johan Volfgang fon Gëte (Johann
Wolfgang von Goethe, 1749-1832), si dhe dramaturgu, poeti dhe eseisti Fridrih
Shiler (Friedrich Schiller, 1759-1805).
Herderi pohonte se çdo popull e ka
identitetin e vet të veçantë, që shprehet nëpërmjet gjuhës dhe kulturës. Kjo i
dha legjitimitet nxitjes së gjuhës dhe të kulturës gjermane dhe e lehtësoi
projektimin dhe zhvillimin e nacionalizmit gjerman.
Veprat e Shilerit shprehnin frymën
e trazuar të brezit të tij, duke pasqyruar luftën heroike të individëve
kundër trysnive shoqërore dhe forcave të fatit.
Muzika gjermane, nën sponsorimin e
shtresave të larta të shoqërisë, u ngrit me kompozitorët si Karl Filip
Emanuel Bah (Carl Philipp Emanuel Bach, 1714-1788), Jozef Hajdën (Joseph
Haydn, 1732-1809) dhe Volfgang Amadeus Mocart (Wolfgang Amadeus Mozart,
1756-1791).
Në Kënigsbergun (Königsberg) e
largët, filozofi gjerman Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804) synon
të pajtojë racionalizmin dhe besimin religjioz, lirinë e individit
dhe autoritetin politik, por nëpërmjet rezonimit privat dhe publik, të
ravijëzojë edhe pikëpamjen mbi sferën publike. Vepra e Kantit ngërthen tensione
themelore të cilat do të vazhdojnë t’i japin formë mendimit gjerman dhe mbarë
filozofisë evropiane deri kah fundi i shekullit XX.
Iluminizmi gjerman mori mbështetjen e
princërve, të aristokratëve dhe të klasës së mesme dhe përgjithmonë i dha formë
kulturës së atjeshme.
* * *
Iluminizmi në Poloni u mbërriti më vonë se në Gjermani apo në Austri, kur ndikimi i kulturës së
fisnikërisë së atjeshme (sarmatizëm) me sistemin politik polak-lituanez
(Liria e artë), ndodhej në krizë të thellë. Iluminizmi polak filloi në
periudhën e viteve 1730-1740. Arriti kulmin gjatë sundimit të mbretit të fundit
të Polonisë Stanisllav August Poniatovski (Stanislaw August Poniatowski,
1732-1789), në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Nisi të dobësohet me ndarjen
e tretë të Polonisë më 1795 dhe përfundoi në vitin 1822, duke u zëvendësuar me romantizmin.
Kushtetuta e vitit 1791 i shprehte idealet e iluminizmit por ishte në fuqi
vetëm një vit, derisa Poloninë nuk e ndanë kombet fqinje. Disi më afatgjata
ishin arritjet në kulturë, që e krijuan frymën e nacionalizmit në Poloni.
* * *
Iluminizmi në Rusi filloi kah mesi i
shekullit XVIII, me nxitjen aktive të artit dhe të shkencës nga qeveria. Në atë
kohë u hapën universitetet e para, bibliotekat, teatrot, muzetë publike dhe
shtypi i pavarur. Sikur absolutistët e tjerë që i kushtonin rëndësi përparimit,
edhe Katerina e Madhe (Ekaterina II Veliki, 1729-1796) luajti
rolin kryesor në nxitjen e artit, të shkencës dhe të arsimit. Nxiti
interpretimi e vet të idealeve të iluminizmit, me këshillat e ekspertëve
ndërkombëtarë të rëndësishëm siç ishte Volteri, me të cilin mbante
komunikim të shkruar apo letërkëmbim, por edhe të dijetarëve botërorë të njohur
që vepronin në Rusi, siç ishin matematikani, fizikani, astronomi, gjeografi
zviceran Leonhard Ojler (Leonhard Euler, Bazel, Zvicër, 1707 –
Shën-Peterburg, Rusi, 1783), zoologu dhe botanisti prusian Peter Simon
Pallas (Berlin, 1741 – Berlin, 1811), akademiku serb dhe rus,
reformues i arsimit Teodor Jankoviq-Mirijevski (Sremska-Kamenicë, Serbi,
1741 – Shën-Peterburg, Rusi, 1814) dhe astronomi, matematikani, fizikani
finlandez-suedez Anders Johan Leksel (Anders Johan Lexell, Turku,
Finlandë, 1740 – Shën-Peterbug, Rusi, 1784). Iluminizmi rus dallohej
nga varianti perëndimor për nga fakti se nxiste modernizimi e mëtejmë të
të gjitha aspekteve të jetës ruse, me theks të veçantë në luftën kundër
bujkrobërisë në Rusi. Historianët sqarojnë se iluminizmi rus është fokusuar tek
individi, duke e trimëruar atë që të jetojë një jetë të ndritur. Pra nuk e kanë
vënë theksin te ndryshimet shoqërore.
* * *
Mbreti i Spanjës Karli III (1716-1788) i
cili mbretëroi në vitet 1759-1788, u përpoq ta shpëtojë mbretërinë e vet nga
prapambetja nëpërmjet reformave rrënjësore siç është dobësimi i Kishës dhe i manastireve
të saj, nxitja e shkencës dhe e kërkimeve universitare, lehtësimi i tregtisë,
modernizimi i bujqësisë dhe shmangia sistematike e hyrjes në luftëra. Nuk ia
doli ta kontrollonte deficitin në buxhetin shtetëror dhe gjithnjë më tepër
hynte në borxhe. Pas vdekjes së tij, Spanja përsëri filloi të ngecte.