Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Liberalizmi që nga Xhon Loku deri në ditët tona
E diele, 08.05.2022, 07:58 PM
LIBERALIZMI QË NGA XHON LOKU DERI NË DITËT TONA
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Liberalizmi (frëngj. libéralisme, nga libéral - lat. liberalis: liridashës) liridashje – është doktrinë politike
dhe ideologji sipas së cilës liria e individit është bazënisje dhe kriter
themelor i vlerësimit të të gjitha institucioneve shoqërore. U paraqit në
shekullin XVII në Angli dhe në Holandë si program i qëndresës ndaj pushtetit
arbitrar dhe absolutist të monarkut. Që në fillim u paraqit me kërkesat për
lirinë e ndërgjegjes, për tolerancën fetare dhe për garancitë kushtetuese të të
drejtave individuale. Ky liberalizëm bazohej në idenë e lirisë. Kjo nënkupton
se askush nga jashtë nuk mund ta parandalojë veprimtarinë e individit dhe
mundësitë e tij që t’i ketë në dispozicion plotësisht dhe në mënyrë të
pakufizuar aftësitë e veta.
Sipas filozofit
anglez i cili studio në Oksford (Oxford), Xhon Lokut (John Locke,
1632-1704), liria e individit është e mundur vetëm duke nënkuptuar pronësinë,
ndërsa ai që nuk ka pronë, duhet të punojë për tjetrin, duke u bërë kësisoj i
varur nga vullneti i tij. Si i tillë, ai nuk mund të bëjë një jetë të arsyeshme
dhe është i privuar nga të drejtat politike.
Liberalizmi i
shekullit XVIII ishte i preokupuar me kufizimin e rolit të shtetit në jetën
ekonomike. Duke u bazuar në parimin laisser-faire ( lëre të bëjë),
këta liberalë e zhvilluan teorinë e shtetit noktambul (somnambul).
Liberalizmi barazohej me liberalizmin ekonomik që merrej me pronën
private, me konkurrencën e tregut dhe me rolin e kufizuar të shtetit. Rritja e
funksioneve të shtetit e kufizon hapësirën e lirisë së individit dhe e rrezikon
mirëqenien e shoqërisë, ndaj për këtë arsye funksionet e shtetit duhet të
kufizohen në mënyrë rigoroze.
Ekonomisti anglez,
profesor i logjikës dhe i etikës në Glasgov (Glasgow), Adam Smit (Adam
Smith, 1727-1790) ia ka përshkruar sovranit tri detyra të mëdha: mbrojtjen e
shoqërisë nga armiku i jashtëm, mbrojtjen e çdo individi nga sulmet e ndonjë
individi tjetër si dhe zbatimin punimeve publike të caktuara që nuk do të mundë
të realizoheshin sikur t’i besoheshin ndërmarrësit privat.
Në liberalizmin e
shekullit XVIII u zhvillua teoria e shtetit të së drejtës, sipas
së cilës, në ushtrimin e funksioneve të veta, shteti mund të ndërhyjë në lëmin
e shoqërisë së tregut, vetëm në bazë të ligjit. Ligjet e shprehin interesin e
përgjithshëm dhe nxirren në kuvendin e përfaqësuesve (në parlament). Prandaj parlamenti,
si institucion qendror i shtetit liberal, të cilit i është deleguar pushteti i
popullit, nuk përfaqëson interesa dhe dëshira të veçanta, por interesin e
përgjithshëm.
Nga gjysma e
shekullit XIX, liberalizmi u ndërlidh me demokracinë. Në veprat e
filozofit francez të së drejtës dhe të politikës Aleksis dë Tokëvil (Alexis
Clerel de Tocqueville, 1805-1859) dhe të filozofit dhe ekonomistit anglez Xhon
Stjuart Mill (John Stuart Mill, 1806-1873), liberalizmit i jepet një
domethënie e re. Me fjalë të tjera, barazinë politike liberalizmi
e bashkon me lirinë individuale.
Shumë liberalë u
bënë proklamues të së drejtës së përgjithshme për votim, të votimit të
fshehtë, të pagimit të anëtarëve të parlamentit dhe të kërkesave të tjera demokratike.
Partia Liberale në Britani të Madhe, deri në themelimin e Partisë Laburiste në
shekullin XIX, i përfaqësonte edhe interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë.
Liberalizmi u bë sinonim i liberalizmit politik, që i
proklamonte të drejtat e njeriut, tolerancën, mbrojtjen e pakicave, shtetin
e së drejtës apo shtetin ligjor si dhe pushtetin demokratik përfaqësues.
Kah fundi i
shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, në Angli u krijua liberalizmi
social i ri, sidomos në veprat e filozofit anglez, profesor në
Oxford, Tomas Hill Grin (Thomas Hill Green, 1836-1882) dhe të filozofit
e sociologut anglez, teoricien politik i liberalizmit, Leonard T.
Hobhaus (Leonard Trelawny Hobhouse, 1864-1929), autor i veprës “Liberalizmi
i ri” (The New liberalism, 1911). Në vitin 1930 e më pas vjen ekonomia
politike e re e ekonomistit anglez Xhon Mejnard Kejns (John
Maynard Keynes, 1883-1946). Këta mendimtarë hoqën dorë nga doktrina
tradicionale laisser-faire (lëre të bëjë). Këta u përpoqën që lirinë individuale ta bashkojnë
me nevojën që për mirëqenien e njerëzve, e sidomos për nevojat materiale dhe
arsimore të të varfërve, përgjegjës të bëhet
shteti. Shteti mori një rol shumë më aktiv, ndaj u pranua si një
levë pozitive e zhvillimit shoqëror dhe e krijimit të kushteve minimale për
përparim individual. Problemet sociale të kapitalizmit, në radhë të parë
papunësia, sipas liberalëve të Kejnsit, nuk mund të zgjidhen me veprimin e
tregut të lirë, por me ndërhyrjen e shtetit në jetën ekonomike.
Edhe
mendimtarët liberalë në ShBA, si p. sh filozofi dhe pedagogu amerikan, profesor
në universitetin e Miçigenit (Michigan), të Minesotës (Minnesota), të Çikagos
(Chicago) dhe të Nju-Jorkut (New York), Xhon Djui (John Dewey),
liberalizmin e orientuan kah objektivat socialë. Por metodat dhe
objektiva e reja u pranuan atje në kontekstin e krizës së madhe të viti 1929.
Pas kësaj, liberalët socialë e ruajtën emërtimin si liberalë,
ndërsa liberalët konservatorë tradicionalë, prej atëherë filluan të
quhen konservatorë. Liberalizmi social, që në traditën amerikane
shpesh quhet liberalizëm reformist, newdeal apo welfare, arriti
kulmin në vitin 1960 e këndej, në programin “Kufiri i ri” të presidentit
amerikan Xhon Fixherald Kenedi (John Fitzgerald Kennedy, 1917-1963 dhe
në programin “Shoqëria e madhe” të presidentit amerikan Lindon
Xhonson (Lyndon Baines Johnson, 1908-1973).
Gjatë Luftës II
Botërore dhe pas saj, liberalizmi konservator e riktheu një pjesë të
popullaritetit të vet, sidomos kur diktaturat komuniste nisën të konsiderohen
si kanosje më e madhe dhe e përhershme ndaj sistemeve liberale-demokratike, se
tiranitë djathtiste. Kthesë bëri libri i ekonomistit austriak, laureat i çmimit
“Nobel” për ekonomi (1974), Fridrih August Hajek (Friedrich August
Hayek, 1899-1992) “Rruga në robëri” (Road to Serfdom,
1944), në të cilin autori mbronte tezën mbi burimet socialiste të
nazizmit. Sipas tij, çdo politikë socialiste është potencialisht
totalitare. Për këtë arsye duhet kthyer liberalizmit klasik – tregut të
lirë, sundimit të ligjit dhe pushtetit të kufizuar. Hajek ishte edhe
teoricien i drejtësisë dhe filozof, i njohur si mbrojtës i liberalizmit
klasik.
Por, deri në vitin
1970 e më pas, liberalizmi konservator klasik, nuk pati ndikim shoqëror aq të
madh. Krizat dhe politikat ekonomike social-liberale të pasuksesshme dhe bumi
në çerekun e fundit të shekullit XX, ndikuan në ngritjen e liberalizmit
konservator, me emërtimin neoliberalizëm, në të cilin u
ripërtërinë idetë e liberalizmit klasik (individualizmi pronësor, tregu
i lirë, shteti minimal).
Në vitin 1970 e
këndej dhe 1980 e këndej, neoliberalizmi u bë pikëmbështetje e
politikave konservatore moderne (kryeministrja britanike, e para grua
kryeministre e vendit, Margaret Theçer (Margaret Hilda Thatcher,
Baronesha Thatcher e Kestevenit, 1925-2013) dhe presidenti amerikan Ronald
Regan (Ronald Wilson Reagan, 1911-2004) që u orientuan kah derregullacioni,
reprivatizimi dhe zvogëlimi i fondeve sociale.
Kah mesi i viti
1980 e këndej, liberalizmi konservator u bë rrymë kryesore e mendimit
oponent në shtetet komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore. Për këtë arsye,
rënia e rendit komunist në vitet 1989-1990 u konsiderua si fitore historike
e liberalizmit ndaj komunizmit dhe si kthim i këtyre vendeve “në rrugën
e tyre natyrore të zhvillimit” që ua kishte ndërprerë komunizmi.
Mirëpo,
transformimi ideologjik i liberalizmit, prej një mendimi kritik dhe përmbysës
në themel të shoqërive postkomuniste, i nxiti kritikuesit dhe kundërshtarët e
tij që t’ia ngjeshin të gjitha problemet sociale në transformimin e këtyre
shoqërive (pasiguria sociale, papunësia dhe varfëria), duke e quajtur ideologji
të kapitalizmit antisocial të egër.
Edhe në planin
botëror, modeli neoliberal i globalizimit
është etiketuar si shkak kryesor i problemeve dramatike botërore – që nga
shkatërrimi i mjedisit deri te varfëria në rritje.
Që nga mesi i viti
190 e këndej, modelet neoliberale dhe politika neoliberale, gjithkund i janë
nënshtruar kritikës së ashpër dhe rishqyrtimit. Njëherazi, është ngjallur
interesimi për tipa të tjerë të liberalizmit, kështu që kah fundi i viti 1990,
gjithnjë më tepër është folur për liberalizmin komunitar, një
formë e re e liberalizmit social që e simbolizojnë politikat “e
rrugës së tretë” - të presidentit amerikan Bill Klinton (William
Jefferson Clinton, 1946-) - “demokratët e ri” dhe të kryeministrit britanik Toni
Bler (Anthony Charles Lynton Blair, 1953-) - “laburistët e
ri”, në të cilën nisma individuale ndërlidhet me një ndjeshmëri
sociale më të madhe.
Çdo lloj
liberalizmi ka ndonjë ide dhe vlerë themelore të përbashkët: liria që nënkupton
mosekzistimin e pengesave të jashtme që individi të veprojë sipas vullnetit,
dëshirave dhe prirjeve të veta, me kusht
që të mos e rrezikojë të drejtën e të tjerëve dhe t’i plotësojë detyrimet që i
ka marrë përsipër vullnetarisht vetë ai; barazia e njerëzve pa dallim feje,
ideologjie, race, kombësie, klase sociale, gjinie, shtrese shoqërore,
profesioni dhe bindjesh politike; toleranca e bindjeve, e mendimeve dhe e
veprimeve ndryshe, me kusht që ta njohin lirinë dhe barazinë, si një e
drejtë e të gjithë anëtarëve të bashkësisë dhe të mos tentojnë heqjen e
dhunshme të tyre; individualizmi, si parim i rregullimit të shoqërisë,
që bazohet në idenë për individë të pavarur të cilët, duke krijuar lidhje të
ndërsjella, krijojnë shoqëri, por edhe në shoqëri mbeten të tillë siç janë –
individë; shteti juridikisht, organizativisht dhe me funksione të kufizuara dhe
të lira që kujdeset për sigurinë anëtarëve të vet dhe për krijimin e kushteve
të përgjithshme, të njëjta për të
gjithë; demokracia përfaqësuese në të cilën vendimet politike nuk i merr
drejtpërsëdrejti populli, por përfaqësuesit e tij që i zgjedh populli në
zgjedhjet e lira garuese, në bazë të të drejtës së barabartë për votim, në të
cilin mbartësit e autorizimeve publike veprojnë brenda suazave konstitucionale
të përcaktuara të cilat çdo personi ia garantojnë shfrytëzimin e papenguar të
të drejtave individuale dhe kolektive. Në rast shkeljeje të këtyre të drejtave,
është parashikuar një mbrojtje efektive. Është përcaktuar autonomia e
shoqërisë civile dhe mendimi publik i pavarur.
Idetë dhe vlerat
liberale janë qëndisur në themelet e qytetërimit perëndimor. Sot atyre u
referohen shumë lëvizje dhe parti që i interpretojnë në përputhje me sistemet e
veta të vlerave. Për këtë arsye, sistemet politike të Perëndimit rëndom quhen demokraci
liberale.