E premte, 04.10.2024, 10:13 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Iluminizmi dhe 'Revolucioni i Leximit'

E merkure, 18.05.2022, 07:59 PM


ILUMINIZMI DHE “REVOLUCIONI I LEXIMIT” (READING REVOLUTION)

Nga Xhelal Zejneli

Ndarja e kishës nga shteti – Sipas shkrimtarit dhe akademikut britanik Xhanatan Izrael (Jonathan Irvin Israel, 1946-), kjo periudhë përjetoi projektimin e “iluminizmit radikal”, që e promovoi konceptin e ndarjes së kishës nga shteti.. Ky koncept shpesh u ngjishej punimeve të filozofit anglez Xhon Lok (John Locke, 1632-1704). Sipas parimit të vet të marrëveshjes shoqërore, Loku thotë se qeveria nuk ka autoritet në lëmin e ndërgjegjes individuale dhe kjo është diçka, kontrollin e së cilës, personi i arsyeshëm nuk duhet t’ia lë qeverisë apo dikujt tjetër. Për Lokun, kjo gjeneron të drejtën e natyrshme në bazë të lirisë së ndërgjegjes, e cila sipas mendimit të tij duhet të mbetet e mbrojtur nga autoriteti i pushtetit.

Këto pikëpamje mbi tolerancën fetare dhe rëndësia e ndërgjegjes së individit, me marrëveshjen shoqërore ndikojnë sidomos në kolonitë amerikane dhe me rastin e hartimit të Kushtetutës së ShBA-së. Në të, shtetari amerikan, president i tretë, hartues kryesor i Deklaratës së pavarësisë (1776), Tomas Xheferson (Thomas Jefferson, 1743-1826) thërret për krijimin e murit ndarës ndërmjet kishës dhe shtetit, në nivel federal. Ai paraprakisht i mbështeti përpjekjet e suksesshme për ndarjen e Kishës anglikane* nga pushteti në Virgjini dhe në vitin 1779 e shkroi Statutin e lirive fetare në Virgjini”, i cili në vitin 1786 u miratua nga Asambleja e përgjithshme e Virgjinisë. Në idealet politike të Zhefersonit ndikuan me të madhe punimet e filozofit anglez Xhon Lok (John Locke) filozofit anglez, studioi në Kembrixh, Frensis Bekonit (Francis Bacon, 1561-1626) dhe të fizikanit, matematikanit dhe astronomit anglez Isak Njutën (Isaac Newton, 1642-1727) të cilët i konsideronte si tre njerëzit më të rëndësishëm që kishin ekzistuar ndonjëherë.

Shënim: Kisha anglikane - Kisha protestante shtetërore angleze.

Përhapja e ideve – Mendimtarët e iluminizmit (philosophes) derdhën energji të madhe për përhapjen e ideve të veta ndër meshkujt dhe femrat e arsimuara në mjediset urbane kozmopolite. Përdornin vendtakime të shumta.

Res publica literaria – Nocionin „Res publica literaria“ e sajoi filozofi dhe iluminsti francez Pjerë Bejl (Pierre Bayle, 1647-1706) dhe në vitin 1664 e botoi në revistën e vet “Risi të Republikës së Letrave” (Nouvelles de la République des Lettres). Kah fundi i shekullit XVIII, botuesi i revistës letrare “Historia e Republikës së Letrave në Francë” (Histoire de la République des Lettres en France), nocionin Res publica literaria e përshkruan kësisoj:

„Në qendër të të gjitha pushteteve që vendosin për fatin e njeriut; në gjrin e gjithë atyre shteteve, shumë prej të cilëve janë despotike... është një perandori që sundon vetëm mbi arsyen... të cilën ne e festojmë me emrin Republikë, ngase ajo e ruan masën e pavarësisë dhe ngase liria është pothuajse thelbi i saj. Kjo është mbretëria e talentit dhe e diturisë”.

Ideali i Res publica literaria është përmbledhje e një numri të madh idealesh të iluminizmit: mbretëri egalitare, e udhëhequr nga dituria, e cila mund të veprojë përtej kufijve të forcës rivale të shtetit. Ka qenë vend i shkëmbimit të ideve që e mbështeste “rishqyrtimin publik të lirë të çështjeve që kishin të bënin me religjionin dhe me legjislacionin”. Filozofi gjerman, fëmija i katërt i prindërve që kishin nëntë fëmijë, Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804), komunikimin e shkruar e konsideronte themelor për konceptin e tij të sferës publike. Kur një ditë, çdonjëri të jetë pjesë “e publikut lexues”, shoqëria do të mund të quhet e ndritur. Personat që kanë marrë pjesë në lëvizjen Res publica literaria, si filozofi dhe iluministi francez Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784) dhe shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volter (François Marie Arouet Voltaire, 1694-1778), sot më së shpeshti njihen si personalitete të rëndësishme të iluminizmit. S’ka dyshim se mikrokozmosin e “republikës” së gjerë e përbënin edhe personat që shkruanin për Enciklopedinë (Encyclopédie) e Didëroit,

Historiania amerikane e kulturës, Dena Gudman (Dena Goodman, 1952-) thotë se femrat kanë luajtur rol të rëndësishëm në sallonet franceze – salonnières (salloniere), duke qenë komplementare me philosophes (filozofët) meshkuj. Në aspektin diskursiv (arsyetues), Res publica literaria-n ato e bazonin në një komunikim korrekt dhe në shkrimin e letrave, ndërsa institucioni shoqëror themelor i tyre ka qenë salloni. Dena Gudman, “Republika e letrave: historia kulturore e iluminizmit francez” (The republic of letters: a cultural history of the French enlightenment, 1994).

Vepra e historianit amerikan të kulturës, Robert Çoet Darnton (Robert Choate Darnton, 1939-) “Nëntoka letrare e Regjimit të Vjetër” (The Literary Underground of the Old Regime, 1982), Harvard University press edition, f. 258, është i pari punim i rëndësishëm që shfaq mendim kritik për këtë model ideal. Ai thotë se njerëzit e ditur (gens de lettres) të mesit të shekullit XVIII kanë qenë të fokusuar në elitën e shoqërisë franceze, d.m.th. te të mëdhenjtë (les grands). Kjo bie në sy te përkufizimi i nocionit goût (shije), që e ka përfshirë Volteri në veprën e vet “Fjalori filozofik” (Dictionnaire philosophique, 1764):

„Shija është si filozofia. Ajo i takon një numri tejet të vogël të shpirtrave të privilegjuar... Është e panjohur në familjet borgjeze, anëtarët e të cilave vazhdimisht janë të preokupuar për t’u kujdesur për pasuritë e veta”.

Këtë përkufizim të shijes, Darntoni e ka marrë nga Volteri. Bazuar te fjalët e Volterit, Darntoni vjen në idenë se iluminizmin duhet të ketë filluar me elitën, d.m.th. me të mëdhenjtë (les grands). Qëndrime të ngjashme, historianët hasin edhe te filozofi, fizikani dhe matematikani francez, d’Alamber (Jean le Rond d’Alembert, 1717-1783)  si dhe te dramaturgu dhe shkrimtari francez Lui Sebastian Mersier (Louis Sébastien Mercier, 1740-1814).

Darnton thotë se rezultat “i fuzionit të gens de letres dhe grands (i bashkimit të njerëzve të ditur dhe i të mëdhenjve) ka qenë lindja e sferës letrare opozitare: Grub Street, domen “i shumë vargëzuesve dhe i pseudoshkrimtarëve”. Këta njerëz, të tërhequr nga fama e Res publica literaria, vijnë në Londër për t’u bërë shkrimtarë, vetëm për të zbuluar se ëndrrat e tyre të famës letrare janë diç më tepër se iluzione. Por, tregu i letërsisë nuk ka mundur të përballojë atë numër të madh shkrimtarësh. Gildet e botuesve dhe të shitësve të librave i kanë paguar lirë. Shkrimtarët e Grub Street*, Grub Street Hacks*, shfaqnin zemërim ndaj suksesit relativ të fisit letrar të tyre, të njerëzve të ditur (men of letteres). Ky hidhërim dhe urrejtje u shfaq në literaturën e prodhuar në Grub Street, të cilësuar si libele (libelle - (shkrime poshtëruese, fyese, shpifëse). Të shkruara kryesisht si pamflete, libelet “kanë shpifur ndaj oborrit mbretëror, kishës, aristokracisë, akademisë, salloneve dhe çdo gjëje të lartësuar (fisnike, sublime) dhe të shquar, përfshi edhe vetë monarkinë. Si prototip të këtij zhanri, Darntoni e emëron Le Gazetier cuirassé (Gazetari e armatosur) të gazetarit, botuesit të shtypit bulevardesk, polemistit, pamfletistit francez Sharlë Tevëno dë Morand (Charles Théveneau de Morande, 1741-1805).

Në kohën e iluminizmit, literaturën e Grub Street-it më së shumti e lexonin masat që dinin shkrim-lexim. Përpos kësaj, Darnton thotë se shkrimtarët e Grub Street-it trashëgonin shpirtin revolucionar që kishin manifestuar dikur philosophes (filozofët), të cilët duke desakralizuar* figurat e autoritetit politik, moral dhe religjioz në Francë, ia kishin hapur rrugën Revolucionit francez.

Shënim: Lat. sakral – që ka të bëjë me veprime të shenjta, me ritualet kishtare; sakralizoj – i jap karakter të shenjtë dikujt apo një gjëje; desakralizoj – e zhvesh dikë apo një send nga karakteri i shenjtë.

*   *   *

Prodhimi i librave – Një prej karakteristikave kryesore të iluminizmit “shoqëror” ka qenë rritja e kërkesës për materiale të shkruara të të gjitha llojeve. Zhvillimi teknologjik në revolucionin industrial bëri të mundur rritjen e prodhimit të mallrave të konsumit të gjerë dhe me çmime më të ulëta. Kjo e lehtësoi blerjen e librave, të pamfleteve, të gazetave dhe të revistave – “të mediumeve për përhapjen e ideve dhe të qëndrimeve”. Shtimi i popullsisë dhe intensifikimi i urbanizmit, u shoqërua nga rritja e tregtisë dhe e kërkesës për informata. Mirëpo, kërkesa për material të shkruar u përhap jashtë domenit të tregtisë dhe jashtë klasës së lartë dhe të mesme, gjë që shihet qartë në përmbledhjen Bibliothèque Bleue (Bibliotekë e Kaltër). Shkalla e mësimit të shkrim-leximit, vështirë mund të përcaktohet, por Robert Darntoni thotë se gjatë shekullit XVIII, të paktën në Francë, shkalla e mësimit të shkrim-leximit u dyfishua.

Gjatë shekullit XVIII, leximi pësoi ndryshime rrënjësore. Historiani gjerman Rolf Engelsing (1930-1986) thotë se leximi ka përjetuar një revolucion të vërtetë (“revolucioni i leximit” – reading revolution). Deri në vitin 1750, është lexuar me të madhe. Lexuesit kryesisht kanë poseduar një numër të vogël librash, që i kanë lexuar nga disa herë, shpeshherë edhe me zë, para një publiku të vogël. Pas viti 1750, njerëzit kanë filluar të lexojnë në mënyrë ekstensive, gjenin më shumë libra dhe gjithnjë më tepër i lexonin vetë. Këtë e bëri të mundur rritja e shkallës së mësimit të shkrim-leximit, sidomos në radhët e femrave. Natyrisht, pjesa më e madhe e njerëzve që dinin shkrim-lexim, nuk ka mundur ta ketë bibliotekën e vet private. Ndonëse shumica e bibliotekave universale, të themeluara në shekujt XVII dhe XVIII kanë qenë të hapura për publikun, kjo nuk ka qenë i vetmi burim i materialit të shkruar. Në njërin skaj të spektrit është Bibliothèque Bleue (Bibliotekë e Kaltër), përmbledhje e librave të prodhuar me çmim të lirë dhe të botuar në Truaje (Troyes) në Francë. Kjo përmbledhje ishte parashikuar kryesisht për publikun fshatarake dhe gjysmanalfabete. Midis tjerash, ajo përmbante almanakë, romane mesjetare të ritreguara dhe versione të thukëta  novelash të popullarizuara.

Historianët, si Rozhe Shartie (Roger Chartier) dhe Robert Darnton thonë se iluminizmi vështirë depërtonte te klasa e ulët. Sidoqoftë, Bibliothèque Bleue (Bibliotekë e Kaltër) synonte të marrë pjesë në ndryshimet shoqërore të iluminizmit, pavarësisht nga fakti në e arriti këtë. Duke lëvizur drejt klasave të larta, shumë institucione u mundësonin lexuesve që të jenë pranë librit, pa pagesë. U paraqitën biblioteka që jepnin material të shkruar me çmim të ulët. Ndonjëherë, tregjet e librave u jepnin klientëve me qira, tërë një bibliotekë të vogël. Kafenetë, myshterinjve të vet shpesh u ofronin libra, gazeta, e ndonjëherë edhe novela të popullarizuara. The Tatler dhe The Spectator, dy revista me ndikim që ishin në shitje prej vitit 1709 deri në vitin 1714, ishin të lidhura ngushtë me kulturën e kafeneve në Londër. Ato lexoheshin dhe prodhoheshin nëpër institucione të ndryshme të qytetit. Kjo flet për funksionin e trefishtë dhe të katërfishtë të kafeneve të asaj kohe: materiali i shkruar shpesh blihej, lexohej, diskutohej, madje edhe shtypej - në të njëjtat hapësira.

Në veprën e vet “Nëntoka letrare dhe Regjimi i Vjetër” (The Literary Underground of the Old Regime, 1982), Darnton thotë se është tejet vështirë të konstatohet se ç’kanë lexuar në të vërtetë njerëzit, në epokën e iluminizmit. Nga hulumtimi i katalogëve të bibliotekave private të asaj kohe, do të fitohej një pasqyrë vetëm për atë se ç’kanë lexuar shtresat shoqërore të kamura që kanë pasur qasje në biblioteka dhe s’do të merreshin parasysh veprat e censuruara. Për këtë arsye, Darntoni thotë se për t’i njohur më mirë shprehitë e leximit, do të duhej të hulumtohej veprimtaria botuese e asaj kohe. Në mbarë kontinentin e Evropës, e sidomos në Francë, tregtarët e librave dhe botuesit duhej të flisnin për ashpërsinë e ligjeve të censurës. Për shembull, “Enciklopedia” (Encyclopédie) sa s’u dënua për shkelje të censurës. I doli në ndihmë njeriu kryesor i censurës në Francë, ministër francez i Ancien Régime (Regjimit të Vjetër) Gijom-Kretijen Malësherbe (Guillaume-Chrétien de Lamoignon de Malesherbes, 1721-1794). Shumë shtëpi botuese, për t’u ikur censorëve francezë, në mënyrë oportune i zhvendosën selitë e veta jashtë Francës. Mallrat e veta, kopjet pirateske dhe veprat e censuruara i kanë kontrabanduar nëpër kufi, ku i kanë shitur nëpër tregtizat ilegale të librave ose trafikantëve të imët.

Darntoni e jep evidencën e hollësishme të veprimtarive të shitësve ilegalë të librave. Një prej tyre është edhe shitësi klandestin i librave, i literaturës radikale, skandaloze dhe vulgare, francezi Bryzard dë Movëlen (Brusard de Mauvelain) në qytetin Truaje (Troyes). Në atë kohë qyteti ka pasur 22.000 banorë. Ka pasur një lozhë masonësh dhe një bibliotekë të rëndësishme, edhe pse shkalla e shkrim-leximit ka qenë më e ulët se 50%. (Bruzard de Mauvelain, “Tregtia në Tabu: Jeta e një shitësi klandestin librash...” (Trade in the Taboo: The Life of a Clandestine Book Dealer in...”, 1784, 493 f.).

Evidenca e Movëlenit (Mauvelain) jep një pasqyrë të mirë nga ku mund të shihet se ç’kanë lexuar në të vërtetë francezët e asaj kohe, për arsye se natyra e fshehtë e punës së tij, ka bërë të mundur zgjedhje jo aq restriktiv. Më të popullarizuar kanë qenë librat e kategorisë politike. Nga ky lëmë janë porositur 319 kopje. Evidenca ka përfshirë edhe pesë kopje të ”Sistemit shoqëror” (Système social, 1773) të filozofit francez me prejardhje gjermane, Holbah (Paul Heinrich Dietrich, Freiherr von Holbach, 1723-1789), por edhe 300 padi dhe pamflete. Lexuesit shumë më tepër kanë qenë të interesuar për kriminelët dhe korrupsionin politik sesa për teorinë politike. Kategori tjetër më e popullarizuar kanë qenë “punimet e përgjithshme”. Këta libra nuk kanë pasur ndonjë motiv dominues, por kanë përmbajtur diçka që e ofendon çdokënd që është në pushtet. Kërkesa e lexuesve për këtë lloj literature, përgjithësisht subversive të nivelit të ulët, po ashtu ka qenë e madhe. Darntoni thotë se këto punime, si dhe pjesa më e madhe e punimeve të prodhuara nga “Grub street hacks”,  kurrë nuk janë bërë pjesë e kanonit letrar, kështu që sot, kryesisht janë harruar.

Në kohën e iluminizmit nuk ka pasur vetëm literaturë apo veprimtari botuese ilegale.  Në gjithë Evropën ka pasur një veprimtari botuese të shëndoshë dhe pjesa më e madhe ka qenë legale. Por duhet shtuar se me veprimtari të paligjshme, herë-herë janë marrë edhe botuesit dhe shitësit e afirmuar të librave. Enciklopedinë” (Encyclopédie) e dënonte jo vetëm mbreti, por edhe papa Klementi XII (i lindur si Lorenzo Corsini, 1652-1740). Megjithëkëtë, me ndihmën e krye-censorit dhe ministrit Malësherb (Malesherbes) si dhe interpretimit kreativ të ligjit francez mbi censurën, ajo e kishte gjetur rrugën e botimit.

Në anën tjetër, shumë punime shiteshin pa kurrfarë problemi me ligjin. Nga evidencat e huazimit të librave, të bibliotekave në Londër, në Gjermani dhe në Amerikën Veriore, shihet se mbi 70% e librave të huazuar kanë qenë romane, ndërsa më pak se 16% e librave kanë qenë me tematikë fetare, gjë që flet për tendencën e përgjithshme të rënies së religjiozitetit.

Shënim: Papa Klementi XII, në vitin 1738 për herë të parë e dënoi organizatën e fshehtë të masonëve.

Grub Street – Deri në shekullin XIX, Grub Street ka qenë një rrugë në afërsi të lagjes së varfër Moorfields të Londrës. Shoqëria e bohemëve ka qenë e vendosur në mes të lagjeve të varfra, bordeleve dhe kafeneve me çmim të ulët qiraje. Në Grub Street ka qenë të përqendruar “shkrimtarët hak” si dhe poetët e botuesve dhe të shitësve të lirë të librave. Rruga Grub (Grub Street) ka qenë në margjinat e skenës gazetareske dhe letrare të Londrës. Sipas fjalorit të shkrimtarit anglez, Semjuel Xhonson (Samuel Johnson, 1709-1784), në fillim kjo shprehje ka qenë “emërtim rruge në të cilën kanë jetuar shkrimtarë historish të vogla, fjalorësh dhe poezish pa vlerë. Që këndej, çdo krijim mediokër apo mesatar quhet grubstreet. Në fillim të karrierës, edhe vetë Xhonsoni (Jonson) jetonte dhe punonte në Grub Street. Pasqyrën bashkëkohore të Grub Street e ka popullarizuar poeti dhe kritiku anglez Aleksandër Poup (Alexander Pope, 1688-1744) në poemën e vet satirike të shkruar në stilin pseudo-epik “Marrëzia” (The Dunciad, 1728-42), në të cilën flet për efektet shkatërruese të shtypit për unitetin shpirtëror dhe kulturor, përdorimin e gjuhës për banalizimin e letërsisë. Rruga me emërtimin Grub Street, sot nuk ekziston. Por, prej atëherë Grub Street u bë shprehje pezhorative (përçmuese) për “shkrimtarët hak” (Hack writer) të varfëruar dhe mediokër, si dhe për shkrimet me vlera letrare të ulëta. Kjo shprehje përçmuese përdoret për shkrimtarin që është i paguar të shkruajë artikuj jocilësorë apo libra me porosi, shpeshherë brenda një afati të shkurtër. Për të shkruar një shkrim me tematikë fantastike, “shkrimtari hak” (Hack writer) paguhet për të shkruar brenda një kohe të shkurtër fantastikë sensacionale “pulp”, siç janë romanet kriminalistike etj. Në gazetari konsiderohet se Shkrimtari hak” (Hack writer) vepron si mercenar apo si kalemxhi, penë me qira, duke i paraqitur në pamflete apo në artikujt gazetareskë, mendimet politike të klientit të vet. “Shkrimtarët hak” (Hack writer) rëndom paguhen sipas numrit të fjalëve në librin apo në artikullin e tyre. Për këtë arsye, në shkrimin “hak”, sasia ka përparësi ndaj cilësisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora