Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Iluminizmi dhe feja
E enjte, 12.05.2022, 09:10 PM
ILUMINIZMI DHE FEJA
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Debati mbi
religjionin – Debati mbi
religjionin në epokën e iluminizmit ishte përgjigje ndaj shekullit paraprak të
luftërave religjioz në Evropë, sidomos ndaj Luftës tridhjetëvjeçare.
Teologët e iluminizmit dëshironin ta reformonin fenë e vet pa u konfrontuar dhe
duke parandaluar mundësinë që kundërthëniet religjioze të përhapen në politikë
dhe të shndërrohen në luftë. Ata ende ruanin besimin e vërtetë në Zot.
Për krishterët e moderuar kjo nënkuptonte kthimin
në Librin e shenjtë (në Bibël). Filozofi anglez , i cili studioi në
Oxford Xhon Lok (John Locke, 1632-1704) e braktis korpusin e komenteve
teologjike në dobi “të studimit të fjalës së Zotit, pa paragjykime”. Ai
përcaktoi se thelbi i krishterimit është besimi në Krishtin Shpëtimtar
dhe sugjeroi shmangien nga debati i hollësishëm. Shtetari amerikan, presidenti
i tretë, hartues kryesor i Deklaratës së Pavarësisë (1776) Tomas Xheferson (Thomas
Jefferson, 1743-1826), në “Biblën e Xhefersonit” (Jefferson Bible), të
botuar për herë të parë më 1895 - pas vdekjes, ka shkuar edhe më larg: I ka
hequr të gjitha pjesët që përshkruajnë mrekulli, vizita të engjëjve dhe
ringjalljen e Krishtit pas vdekjes. Nga Dhiata e re e ka nxjerrë
vetëm kodin moral praktik të krishterë.
Mendimtarët e iluminizmit janë përpjekur ta
zvogëlojnë forcën politike të religjionit të organizuar, duke parandaluar
kësisoj epokën e re të jotolerancës dhe të luftërave religjioze. Filozofi
holandez me prejardhje nga një familje hebraike, e ardhur nga Portugalia, Baruh
de Spinoza (Baruch Benedictus de Spinoza, 1632-1677) ishte i vendosur në
mënjanimin nga politika, si të teologjisë së kohës, ashtu edhe të teologjisë
historike, me përjashtim të ligjit hebraik.
Filozofi i iluminizmit gjerman Moses Mendelson (Moses Mendelssohn,
1729-1786) sugjeronte që religjionit të organizuar të mos i jepet kurrfarë
peshe politike. Ai rekomandonte që çdo person të ndjekë atë që i duket më
bindës. Për të ruajtur rendin ndër ithtarët e vet, religjionit të mirë, të
bazuar në moralin instinktiv dhe në besimin në Zot - nuk i nevojitet forcë. Mendelsoni
dhe Spinoza religjionin e vlerësonin në bazë të fryteve morale dhe
jo sipas logjikës së teologëve të tij.
Me besimin në iluminizëm, shfaqen shumë ide
religjioze të reja, përfshi edhe deizmin dhe diskutimin për ateizmin.
Sipas publicistit britanik për çështje politike, i cili më 1774 emigroi në
Amerikë, Tomas Pejn (Thoma Paine, 1737-1809) deizmi është
besim i thjeshtë në Zotin krijues, pa kurrfarë reference në Bibël apo në ndonjë
burim tjetër mbinatyror. Në vend të kësaj, deisti bazohet vetëm në arsyen
e vet që e udhëheq besimin e tij, gjë që është në përputhje me mendimin e
shumicës së mendimtarëve të asaj kohe.
Ateizmi ka qenë objekt i shumë diskutimeve, por numri i proklamuesve të tij ka
qenë i vogël. Autorët e “Iluminizmi skocez” (Scottish Enlightenment) në Enciklopedia
e iluminizmit, 2004, E. J. Uilson (E. J. Wilson) dhe historiani
amerikan Peter Hans Reill (Peter Hans Reill, 1938-2019) thonë: “Në të
vërtetë, shumë pak intelektualë të iluminizmit kanë qenë ateistë, madje as ata
që kanë qenë kritikë të zëshëm të krishterimit. Më tepër kanë qenë kritikë të
besimit ortodoks, d.m.th. radikal dhe kanë anuar kah skepticizmi, deizmi,
vitalizmi, mbase edhe panteizmi*”.
Shënim: Panteizmi është doktrinë religjioze-filozofike e cila Zotin
e identifikon me natyrën dhe natyrën e sheh si personifikim të
hyjnisë; në shekujt XVI dhe XVII, nën maskën e panteizmit, herë-herë janë
kultivuar ide kryekëput materialiste dhe ateiste, si p.sh. filozofi italian Xhordano
Bruno (Giordano Bruno, 1548-1600), filozofi holandez Baruh de Spinoza;
kah mesi i shekullit XX e këndej, panteizmi u bë një prej formave të mbrojtjes
së religjionit.
Xhordano Bruno (Giordano Bruno) ishte mbështetës i pikëpamjes heliocentrike të astronomit
polak Nikolla Kopernik (Nicolaus Copernicus, 1473-1543) për sistemin
diellor. U burgos më 23 maj 1592 nga inkuizicioni i Venedikut i akuzuar se “përfytyron
një univers të pafundmë prej shumë botësh, që lëvizin në hapësirë”. Iu
dorëzua inkuizicionit të Romës që e mbajti në burg shtatë vjet dhe e dënoi me
vdekje për herezi. Inkuizicioni katolik e dogji në turrën e drurëve, më
17.02.1600, në sheshin Campo di Fiori të Romës.
* * *
Disa e kanë ndjekur mendimin e filozofit dhe
iluminizmit francez Pjerë Bejli (Pierre Bayle, 1647-1706) duke thënë se ateistët
vërtet mund të jenë njerëz moralë. Shumë të tjerë, si për shembull
shkrimtari, historiani, publicisti dhe filozofi francez, Volter (François
Marie Arouet Voltaire, 1694-1778) kishin qëndrimin se pa Perëndinë i cili
e dënon të keqen, rendi moral i shoqërisë do të rrënohej. Ata
konsiderojnë se ateistët do të kishin qenë shumë më të prirë për çrregullimin e
shoqërisë, për arsye se ata (ateistët) nuk njohin kurrfarë autoriteti më të
lartë dhe ligjet e tij. Pjerë Bejli (Pierre Bayle) thotë se në kohën e tij “personi
i kujdesshëm gjithmonë ka manifestuar një religjiozitet fiktiv”. Ai besonte
se edhe ateistët mund të kenë konceptin e nderit dhe t’i tejkalojnë interesat e
vet me qëllim që të integrohen në shoqëri. Xhon Loku (John Locke)
konsideronte se në shoqërinë në të cilën nuk ekziston Zoti dhe ligji i Zotit,
do të kishin për pasojë anarkinë morale. “Askush nuk do të
njihte ligj; secili do ta shikonte vetëm vullnetin e vet; nuk do të njihte
kurrfarë autoriteti, përpos vetes. Secili do të kishte qenë zot i vetvetes;
plotësimi i vullnetit vetanak do të kishte qenë i vetmi synim dhe qëllim
i tërë veprimit të tij”.
Historia intelektuale –
Në atë kohë, historia intelektuale mbeti tendencë mbizotëruese e
historiografisë. Filozofi gjerman me prejardhje hebraike, profesor në
Hamburg dhe në Gëteborg (Göteborg), më vonë në ShBA, një prej përfaqësuesve më
të rëndësishëm të Shkollës neokantiane të Marburgut, Ernst Kasirer (Ernst
Cassirer, 1874-1945), në veprën e vet “Filozofia në iluminizëm” (Die
Philosophie der Aufklarung, 1932) shkruan se iluminizmi është “pjesë
e fazës së veçantë në zhvillimin intelektual të përgjithshëm të njeriut
nëpërmjet të cilit mendimi filozofik modern e ka fituar vetëbesimin dhe
vetëdijen karakteristike”. Duke u
bazuar te filozofi gjerman Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804),
Kasireri pohon se iluminizmi është proces nëpërmjet të cilit shpirti “arrin
të kuptojë qartë dhe thellë natyrën dhe
fatin e vet dhe karakterin dhe misionin e vet”. Me fjalë të tjera,
iluminizëm është vargu i arritjeve filozofike, shkencore dhe intelektuale që
kanë ndodhur kryesisht në shekullin XVIII – kohë e lindjes së modernizmit
intelektual.
Analizat bashkëkohore të
iluminizmit – Në vitin 1970 e këndej, iluminizmi u studiua dhe u
interpretua gjerësisht dhe në mënyrë heterogjene, madje edhe jashtë
perspektivës evropiane. Studiuesi amerikan, profesor i frëngjishtes dhe i
letërsisë krahasuese, Alfred Ouen Oldrixh (Alfred Owen Aldridge,
1915-2005) dëshmon se idetë e iluminizmit janë përhapur në kolonitë e
Spanjës dhe janë integruar me kulturat e vendasve. Historiani, eseisti dhe
gazetari italian, studiues i iluminizmit, Franko Venturi (Franco
Venturi, 1914-1994) e ka hulumtuar ndikimin e iluminizmit në hapësirat e
ngecura si në Itali, Greqi, Ballkan, Poloni, Hungari dhe Rusi.
Qasja kulturologjike e historianit amerikan të
kulturës, Robert Çoet Darnton (Robert Choate Darnton, 1939-), shpalosi
një dimension të ri të studimit të kësaj fushe. Ai thotë: “Është e mundur
që iluminizmi të ketë qenë shumë më për
toke se klima intelektuale e lartësuar që e paraqesin autorët e librave. Ne
duhet ta vëmë në dyshim atë vizion tanimë të lartësuar, vizion tanimë metafizik
të jetës intelektuale në shekullin XVIII”. Robert Darntoni studioi në
Harvard dhe në Oxford. Specializoi në Francë për shekullin XVIII. Një kohë
ishte bibliotekist i Harvardit. Profesor Darntoni analizon nëntokën e
industrisë franceze të librave në shekullin XVIII. Hulumton botën e
kontrabandës së librave dhe jetën e autorëve të tyre (“Grub Street Hacks”)
të cilët kurrë s’e kanë arritur suksesin e atyre që quheshin philosophe.
Me fjalë të tjera, në vend që t’i përmbahej kanunit të iluminizmit, Darntoni
hulumtonte se “ç’dëshironin të lexonin francezët” dhe kush ishin autorë, botues
dhe shpërndarës të atyre librave. Përpos kësaj, në veprën e vet “Biznesi në iluminizëm, Historia e botimit
të Enciklopedisë 1775-1800” (The Business of
Enlightenment. A Publishing History of the Encyclopédie 1775–1800, 1979), Darntoni pohon se nuk ka nevojë të hulumtohet “Enciklopedia”
(Encyclopédie) ngase “libri është analizuar dhe është përfshirë nëpër
antologji shumë herë: t’i rikapitolosh të gjitha studimet për përmbajtjen
intelektuale të tij, do të kishte qenë redondante” (fryrje). Në vend të
kësaj, sikundër sugjeron vetë titulli i veprës së tij, ai i ka studiuar kushtet
shoqërore që kanë ndikuar që të shkruhet “Enciklopedia” (Encyclopédie).
Kjo është reprezentative për interpretim social në përgjithësi, hulumtimi i
rrethanave shoqërore që kanë shpënë në idetë e iluminizmit dhe jo studimin e
vetë ideve.
Vendimtare për interpretimin e
rrethanave shoqërore, ka qenë puna e filozofit dhe sociologut gjerman Jyrgen
Habermas (Jürgen Habermas, 1929-). Habermasi ishte profesor në Frankfurt
dhe në qytete të tjera të Gjermanisë. Ishte i afërt me marksizmin dhe
me Rrethin e Frankfurtit. Punimi i tij “Transformimi
strukturor i sferës publike” i botuar në vitin 1962 me titullin Strukturwandel
der Öffentlichkeit, më 1989 u përkthye në anglisht. Libri pasqyron
krijimin “e sferës publike borgjeze” në Evropën e shekullit
XVIII. Në thelb, kjo sferë publike pasqyron pikëpamjet e reja dhe
mënyrat e komunikimit që kanë mundësuar shkëmbimin e ideve, të bazuara në arsye
në shekullin XVIII. Habermasi sqaron se sfera publike ka qenë borgjeze,
egalitare (barazimtare), racionale dhe e pavarur nga shteti, duke e bërë
vendtakim ideal të intelektualëve, të cilët politikën dhe shoqërinë e atëhershme
e kanë shqyrtuar në mënyrë kritike, larg pengesave të autoritetit zyrtar.
Punimi i Habermasit, ndonëse ushtroi
ndikim, u sulmua nga të katër anët. Derisa sfera publike, përgjithësisht ka
qenë pjesë integrale e interpretimeve sociale të iluminizmit, shumë historianë
kanë vënë në dyshim nëse sfera publike ka qenë borgjeze, opozitare ndaj
shtetit, e pavarur nga shteti dhe egalitare (për barazi).
Ky zhvillim historiografik ka bërë
shumë që studime mbi iluminizmin të kryhen me interpretime të ndryshme. Në veprën
e vet “Historia sociale e së vërtetës” (A Social History of Truth, 1994),
historiani dhe sociologu amerikan, profesor në Universitetin e Harvardit, Stivën
Shepin (Steven Shapin, 1943-) nxjerr argumentin sociologjik se në Anglinë e
shekullit XVII, moda e shoqërizimit, si shenjë e të qenit i qytetëruar, ishte
bërë diskurs themelor i së vërtetës. Për pohimin që ka potencial për t’u bërë i
vërtetë, ka qenë e domosdoshme të shprehet në përputhje me rregullat e
shoqërisë civile.
Sipas mendimit të shkrimtarit dhe
akademikut britanik, të specializuar për historinë e Holandës, për epokën e
iluminizmit dhe për hebrenjtë e Evropës, Xhanatan Israel (Jonathan Irvin
Israel, 1946-), në këtë periudhë janë krijuar dy vija të qarta të mendimit
iluminist:
E para, “iluminizmi radikal”,
kryesisht i frymëzuar nga filozofia e materies e Baruh dë Spinozës, e
cila në formën politike të vet anon kah: demokracia, barazia racore dhe
gjinore, liria personale e stilit të jetesës, liria e plotë e të menduarit, e
të shprehurit dhe e shtypit, largimi i autoritetit religjioz nga procesi
legjislativ dhe i arsimit, si dhe ndarja e plotë e kishës nga shteti.
E dyta, “iluminizmi i moderuar”,
i cili në sisteme filozofike të ndryshme, si në veprat e filozofit,
matematikanit dhe fizikanit francez Rene Dekart (René Descartes,
1596-1650), të filozofit anglez Xhon Lok (John Locke, 1632-1704), të
fizikanit, matematikanit dhe astronomit anglez, anëtar i Akademisë Franceze të
Shkencave, Isak Njutën (Isaac Newton, 1642-1727) ose të fil0ozofit
gjerman, profesor i filozofisë dhe i matematikës në Lajcig, Halle dhe Marburg,
i njohur për krijimin e terminologjisë filozofike gjermane, Kristian Vulf (Christian
Wolff/Wolfius, 1679-1754) mbështesin rishqyrtimin kritik dhe ripërtëritjen e
mënyrave të vjetra të të menduarit, por që në fusha të tjera kërkojnë
përshtatje sistemeve të vjetra të forcës dhe të fesë.
Por, këto dy rryma të të menduarit
janë ballafaquar me kundër-iluminizmin konservator, ku bëjnë
pjesë mendimtarët të cilët e kanë mbështetur sistemin tradicional të të
menduarit, të bazuar në fe. U shfaqën edhe interpretimet feministë.
Një prej tyre është interpretimi i studiueses amerikane Dena Gudman (Dena
Goodman, 1952-). Në veprën e vet “Res
publica literaria; Historia kulturore e iluminizmit francez” (The Republic of
Letters: A Cultural History of the French Enlightenment, 1994),
Gudman thotë se në iluminizmin francez, shumë femra kanë luajtur rol të
rëndësishëm, për punën e tyre si salonnières (salloniere) në sallonet e
Parisit. Këto sallone janë bërë “hapësirë pune e projektit të iluminizmit”,
kështu që femrat, si salonnières (salloniere), kanë qenë “drejtuese
legjitime të diskurseve potencialisht
rebeluese” që janë zhvilluar në to.
Në anën tjetër, profesoresha
amerikane e historisë në Rutgers University, në Berkeley University, studiuese
e letërsisë frënge dhe e historisë politike moderne të Francës, Karla Hese (Carla
A. Hesse, Berkeley, California, 1956-) në veprën e vet “Iluminizmi tjetër:
Si u bënë moderne femrat franceze” (The Other Enlightenment: How French Women
Became Modern, 2001) thotë se “pjesëmarrja e femrave në jetën kulturore
publike të Regjimit të vjetër (Anciene régime), relativisht ka qenë
margjinale”.
Ishte Revolucioni francez (1789) që i
hoqi kufizimet kulturore dhe ekonomike të vjetra dhe korporativizmat (gildet),
duke mundësuar kësisoj pjesëmarrjen e femrave në shoqërinë franceze, sidomos në
lëmin e letërsisë.
Shënim: Gilde gjermanisht – esnaf; në
mesjetë, në Evropën Perëndimore – shoqëritë e tregtarëve, të veprimtarëve
ekonomikë; shoqatë, asociacion, kooperativë, organizatë; rangje tregtare në
Rusinë e para revolucionit, bazuar në pasuri dhe me shkallën e tatimit.