Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Dante Alighieri - Komedia Hyjnore
E marte, 07.06.2022, 09:00 PM
Me
rastin e 700-vjetorit të vdekjes
DANTE ALIGIERI – “KOMEDIA HYJNORE”
RRETHANA POLITIKE, EKONOMIKE DHE SHOQËRORE NË
ITALINË E KOHËS SË DANTES
Nga Xhelal
Zejneli
Në kohën kur jetoi Danteja, Italia kishte hyrë në rrugën e zhvillimit të
marrëdhënieve kapitaliste. Ajo u bë nyjë tregtare e rëndësishme
midis Evropës Perëndimore dhe vendeve të Lindjes. Zhvillimi i industrisë çoi në
formimin e qyteteve-republika, të cilat në Italinë e Veriut u bënë qendra
politike dhe ekonomike të rëndësishme. Rritja e prodhimit në shekullin XIV në Firence,
në Milano etj. i zhvilloi proceset kapitaliste, gjë që mori një karakter
shfrytëzues. Republika tregtare të pasura ishin Venecia dhe Gjenova, ndërsa
qytete industriale ishin Firencja dhe Milano. Por, në krahina të caktuara ende
mbizotëronin marrëdhëniet feudale. Qendra e Italisë ku shtrihej krahina e papës,
ishte tejet e prapambetur. Italia e Jugut ndërkaq, ndodhej në duart e feudalëve
francezë, në krye të të cilëve ishte Karli i Anzhujve (1226/7-1285), i
cili sundonte në Sicili.
* * *
Shënim: Në vitin 1271, në territoret
arbërore që i rimori nga Perandoria Bizantine, Karli i Anzhujve themeloi
Regnum Albaniae (Mbretërinë e Arbrit) që u shpall në fund
të shkurtit të vitit 1272. Ajo shtrihej nga rajoni i Dyrrahut (lat.
Dyrrhachium) në jug, përgjatë bregdetit të Butrintit. Kryeqytet i Mbretërisë së
Arbrit ishte Durrësi. Gjuha që flitej ishte shqipja dhe italishtja. Feja
ishte krishterimi. Qeveria ishte monarki. Mbret, Zotëri tani Dukë,
ishin: Karli i Anzhujve, në vitet 1272-1285 dhe Luigji (Louis), në vitet
1285-1368). Mbretëria e Arbrit kapitulloi në vitin 1368. Në këtë vit, Durrësi u
kap nga fisniku arbër që sundoi në vitet 1358-1388, Karl Topia (Durrës,
1331 – Elbasan, 1388). Në vitin 1392, djali i Karl Topisë, qytetin dhe fushat e
tij ia dorëzoi Republikës së Venedikut.
KONFLIKTET POLITIKE NË ITALINË E SHEKULLIT XII
Shoqëria italiane e shekullit XII ndahej;
- në gibelinë (ital.: ghibellino), të cilët ishin ithtarë të
perandorëve gjermanë nga shtëpia sundimtare e Hohenstauf-ve;
dhe
- në guelf (ital.: guelfo), të cilët ishin ithtarë të shtëpisë
sundimtare Guelf ose të papës.
Në Italinë e shekullit XII guelf quhej anëtari i një
fraksioni me zanafillë në familjen gjermane Velf (Welf) që ishin dukë të
Saksonisë dhe të Bavarisë. Velfët qenë kundërshtarë tradicionalë të familjes
mbretërore Hohenstaufen në Gjermani dhe në Itali. Velfët në Itali
njiheshin me emrin guelfë, ndërsa Hohenstaufen-ët me emrin gibelinë.
Në shekullin XII udhëheqës i guelfëve ishte Duka i Saksonisë dhe
i Bavarisë Henrik Luani (1129-1195). Ai ishte mbështetës i
papatit, kundër synimeve të Perandorëve të Shenjtë Romakë. Guelfët
kishin mbështetje në qytetet kryesore të Italisë. Rivalët e tyre qenë pala
perandorake, ndërsa fuqia e tyre vinte kryesisht prej familjeve
të mëdha aristokrate.
Në grindjet vendore, pavarësisht nga shkaku, palët në konflikt e lidhnin
veten me njërën apo me tjetrën familje kundërshtare, emrat e të cilave vazhduan
të përdoren shumë kohë pasi grindjet e fillimit qenë harruar.
Midis guelfëve dhe gibelinëve, Dante ishte në
anën e guelfëve dhe kundër gibelinëve. U angazhua për lirinë e
qyteteve-republika dhe kundër sundimit të fisnikëve të mëdhenj. Përplasjet
zhvilloheshin midis ithtarëve të papës dhe ithtarëve të
perandorit gjerman. Kur pala e tij e humbi luftën, Dante u largua nga
Firencja dhe nuk u kthye më. Jeta e tij në mërgim zgjati mbi njëzet vjet.
DANTE ALIGIERI (Dante Alighieri, 1265-1321) është
shkrimtar i madh italian i kapërcyellit të shekullit të mesëm dhe shekullit të
ri. Lindi në Firence më 15 maj 1265. Data e lindjes së tij nuk dihet
saktësisht. Shumë data që kanë të bëjnë me jetën dhe me veprimtarinë e poetit,
nuk dihen saktë. Nuk dihen saktë edhe data të caktuara të personaliteteve që
kanë të bëjnë me të. E pagëzuan me emrin Durante. Sipas Jakopo
Aligierit, emri Dante është shkurtim i emrit Durante. Kur i vdiq e ëma, Dante
ishte pesë apo gjashtë vjeç.
Danteja është bir i Alghieri di Bellincione-s, i cili i përkiste një
familjeje dekadente guelfe dhe i gruas së tij të parë, Bela-s. E
ëma Bela Abati (Bella degli Abati, ? – 1270) ishte bijë e Durante di
Scolai Abati, i cili ishte pjesëtar i fisnikëve gibelinë. Disa
muaj pas lindjes së Dantes, me fitoren e Karlit të Anzhujve (Charles de
Anjou) në vitin 1266 mbi mbretin Manfred de Benvenito, përfundon
periudha e perandorisë në Itali. Napoli qeveriset nga francezët, kështu që në
Toskanë sigurohet dominimi rrymës së guelfëve. Rrjedhimisht, Danteja u
rrit në frymën e demokracisë fiorentine.
Për formimin intelektual të Dantes, nuk dihet shumë. Duhet të ketë ndjekur
procesin arsimor të kohës. Shtyllë e arsimit mesjetar ishte: teologjia,
filozofia, fizika, astronomia (quadrivium); dhe dialektika, gramatika,
retorika (trivium). Latinishtja ishte thelbësore për
formimin e nxënësit, pasi ratio studiorum bazohej në leximin e Ciceronit
(Markus Tullius Cicero, 106-43 para K., i vrarë si ithtar i republikës) dhe
të Virgjilit (Publius Vergilius Maro, 70-19 para K.).
Thuhet se Dante e mësoi filozofinë te françeskanët dhe se
mësues të retorikës e kishte politikanin dhe dijetarin fiorentin Ser Bruneto
Latinin (Brunetto Latimi, 1220-1294), i cili ishte sekretar i Republikës
dhe ithtar i dalluar i partisë së guelfëve. Latini ishte autor i
veprës “Tesoro” që ishte një enciklopedi e kohës.
Në kushte të zhvillimit ekonomik të pabarabartë të krahinave të Italisë, u
theksua nevoja e bashkimit të vendit në një shtet të qendërzuar.
Qyteti-komunë i Firences vlonte nga pasionet politike. Ndërmjet partisë së guelfëve
dhe partisë së gibelinëve filloi një luftë e ashpër. Nëpër
burgjet e kështjellave, të burgosurit u nënshtroheshin torturave. Shumë prej
tyre vriteshin. Organizoheshin komplote, ndërsa përçarjet dita-ditës
thelloheshin.
Danteja merr pjesë në jetën politike të Firences si anëtar i Këshillit
të njëqindëshit, i ngarkuar për punë të financave të Republikës së
Firences.
Në këtë kohë Danteja e shkroi veprën e vet të parë “Jeta e re” (Vita Nuova,
1292-1293) të cilën ia dedikoi poetit fiorentinas Kavalkantit (Guido
Cavalcanti, 1255-1300), të cilin e konsideronte si të parin mik.
Në fillim të vitit 1300, papë u shpall Bonifaci VIII (Bonifatius
VIII, 1230-1303). Rrethanat politike në Firence ishin të acaruara për arsye se partia
e guelfëve që ishte në pushtet, u nda në dy rryma: të bardhët dhe të
zinjtë. Të bardhët ishin për pavarësinë e Firences nga papa, ishin
për kushtetutë dhe për të drejta qytetare. Të zinjtë ishin shtresë e
pasur dhe fisnikë, mbështetnin pushtetin
e papës i cili synonte t’i ndalë proceset demokratike në Toskanë.
Konflikti arriti kulmin më 1 maj kur shpërtheu konflikti i përgjakshëm
midis pjesëtarëve të këtyre dy rrymave. Më 7 maj, Danteja shkon në shërbim
diplomatik në San Gimignano. Pas kthimit u zgjodh si një prej gjashtë priorëve
të qytetit. Priorët ishin kryeparë të zgjedhur të komunave të Italisë
mesjetare. Si ithtar i të bardhëve, Dante, bashkë me priorët e
tjerë vendosi masa kundër dominimit të papës në qytet. Njëherazi i dënoi krerët
e të dyja rrymave dhe lejoi kthimin në Firence të pjesëtarëve të arratisur të
të bardhëve.
Si kundërpërgjigje ndaj këtyre masave, papa dërgon në Firence princin
francez Karlin III me trupat e tij. Ky hyn në qytet më 1 nëntor të viti
1301 dhe i kthen të zinjtë në pushtet. Në vitin 1302 ithtarët e papës, të
zinjtë e marrin pushtetin. Danten e dënojnë me internim. Me
aktgjykimin e 10 marsit të po atij viti iu kanosën se po qëlloi në territorin e
komunës, do ta djegin në turrën e drurëve.
Në vitin 1285, Danteja ishte martuar me Gema Donatin (Gemma di
Manetto Donati, 1265-1329). Ajo ishte kushërirë e Korsa Donatit (Corsa Donati),
kundërshtarit më të madh të Dantes, Nga martesa e tyre lindën katër fëmijë. Që
nga dita e largimit të dhunshëm nga qyteti i lindjes, gruan s’e takoi kurrë.
Pas një kohe, djemtë Pietro dhe Jakopo si dhe e bija Beatriçe
iu bashkuan babait.
Si refugjat, jetoi në Arezë, në Veronë dhe në Ravenë. Thuhet se një kohë
paska qenë edhe në Paris. Në vitet 1312-1213, perandor i Perandorisë së Shenjtë
Romake ishte Henriku VII (rreth 1269/74-1313). Ai sundoi në vitet
1308-1313). Me vdekjen e tij, Danteja i humbi shpresat se ndonjë ndërhyrje e
jashtme do të mund ta ndryshonte gjendjen politike në Firence. Në vitin 1315,
autoritet e Firences i vunë kusht: Në do të kthehesh në vendlindje, duhet të
pendohesh publikisht. Kushtet
poshtëruese të kthimit, Danteja i refuzoi. I zhgënjyer, Danteja e quajti
Firencen “nënë pa dashuri”. Që atëherë, gjithnjë më tepër qëndroi
larg edhe prej bashkëmendimtarëve të dikurshëm, duke u bërë kësisoj parti
në vete.
Prej viti 1317 u vendos përgjithmonë në Ravenë ku, sikundër mendohet,
ligjëroi retorikën. Një vit para vdekjes, mbajti në Veronë në gjuhën
latine ligjëratën “Çështja mbi ujin dhe tokën”.
Vitet e fundit i kaloi në Ravenë, te Guido da Polenta, nip i së famshmes Françeska
da Rimini (Francesca da Rimini, emri i vërtetë Francesca da Polenta,
1255-1283/4) të cilën poeti e këndoi në “Komedinë Hyjnore”.
Shënim: Françeska da Rimini ishte
bashkëkohëse e Dantes. Nuk dihen saktë vitet e lindjes dhe të vdekjes së saj.
Ishte bijë e lordit të Ravensë, Guido I da Polenta. Familja e Guidos I ishte në
armiqësi me familjen e lordit Malatesta të Riminit. Ndërkohë, dy
familjet aristokrate arritën paqe. Pas kësaj, për interesa politikë, e bija e
Guidos I – Françeska 20-vjeçare, më 1275 u martua me të birin e lordit
Malatesta, Gjovani Malatestën, i cili ishte me të metë fizike. Në Rimini,
Françeska u dashurua tek i vëllai më i vogël i burrit të saj, Paolo, i cili po
ashtu ishte i martuar. Dashuria e tyre zgjati rreth dhjetë vjet. Me të hetuar lidhjen
e tyre, burri i saj Gjovani, që të dy i vrau në vend. Françeska s’i kishte
mbushur as të tridhjetat. Ajo është një prej personazheve të “Komedisë
Hyjnore”. Danteja e vendosi në rrethin e dytë të ferrit, pranë epshndjellësve.
* * *
Në vitin 1321, në udhëtim e sipër nëpër Venecie, Dante u sëmurë. Me t’u
kthyer në Ravenë, vdes më14 shtator të vitit 1321. Monumenti i varrit të poetit
në Ravenë u ndërtua në vitin 1780 nga Kamillo Morxhia.
Firencja që e internoi përjetshëm dhe e dënoi me djegie në turrën e drurëve, pesëdhjetë vjet pas vdekjes së poetit, e ftoi shkrimtarin tjetër të madh Gjovani Bokaçion (Giovanni Boccaccio, 1313-1375) të mbajë ligjërata publike për rëndësinë e “Komedisë hyjnore”, e cila në fillim e kishte titullin “Komedia” (“Commedia”). Më vonë, vetë Bokaçio e quajti hyjnore. Autori i “Dekameronit” (1348-1353), Bokaçio, ishte studiues i thellë i Dantes. Shkroi veprën “Jeta e Dantes” (Il Tratatello in laude di Dante) si dhe komentet apo referencat e “Komedisë hyjnore”.
VEPRIMTARIA LETRARE E DANTES - Rrethanat
politike dhe shoqërore të Italisë ndërlidhen ngushtë me jetën dhe me
veprimtarinë e poetit të madh dhe të personalitetit politik të shquar, Dantes.
Zoti e dërgoi atë në tokë, që “t’ia tregojë botës mrekullitë”, kanë thënë
studiuesit. Konsiderohet përfaqësues më i madh i letërsisë italiane dhe një nga
poetët më të mëdhenj të botës. U quajt “Poeti i Madh”, “Poeti”.
Në veprën e Dantes, në mënyrë të sintetizuar, gjetën shprehjen arritjet
e kulturës, të filozofisë dhe të letërsisë klasike e asaj mesjetare,
të gërshetuara me idetë iluministe të Rilindjes. Danteja i
studioi poetët antikë, në radhë të parë Virgjilin, të cilin e
zgjodhi mësues dhe udhëheqës.
Që i ri, u shqua si poet i talentuar. Kishte shkruar poezi lirike që
në moshën 15-vjeçare. Në moshën 18-vjeçare, poeti dashuroi Beatriçen (Beatrice
di Folco Portinari, 1265-1290). Në vitin 1287, në moshën 22-vjeçare, ajo
u martua me Simone del Bardi. Pas tre vjet martese, Beatriçja vdiq.
Për herë të parë Danteja e kishte takuar Beatriçen kur ai ishte
vetëm 9 vjeç. Këtë dashuri do ta këndojë në vëllimin me 30 poezi, “Jeta e
re” (Vita Nuova, 1292-1293). Këtë vepër, të shkruar në italisht,
studiuesit e kanë quajtur roman autobiografik në vargje dhe në prozë. Në
to poeti i shpreh ndjenjat e veta të pastra ndaj Beatriçes, të cilën e ka
paraqitur si simbol të bukurisë shpirtërore, burim të pashtershëm të
virtytit dhe të mirësisë. Vdekja e Beatriçes në moshën
25-vjeçare i shkaktoi poetit një dhimbje të thellë.
Sipas konceptit të idealizuar të dashurisë, në frymën e shkollës poetike
fiorentinase “dolce stil nuovo” (stili i ri i këndshëm) Beatriçja është
ngritur në simbol mbitokësor. Ajo bëhet edhe udhëheqës mistik i shpirtit të
njeriut drejt Zotit. “I bekuar është ai që mund të dëshmojë për bukurinë e
saj” (Beato, o anima bella, chi te vede).
Qerthullin e poetëve “il dolce stil nuovo” (stili i ri i këndshëm) e
themeluan në Ravenë tre poetët italianë, Dante, Guido Guinizelli
(1230-1270) dhe Guido Kavalkanti (Guido Cavalcanti, 1255-1300). Kjo
shkollë poetike paralajmëron në mënyrë të sigurt krijimin poetik nga persona të
mësuar. Kjo nënkupton njohjen e lëndës për të cilën shkruan, dashuritë
kalorësiake. Kërkon formë të kultivuar dhe përdorim të drejtë të gjuhës. Kjo shkollë
poetike e themeloi në të vërtetë gjuhën letrare italiane, duke e
pranuar dialektin e toskanës si normë letrare. Mënyra e të shkruarit të
poezisë dashurore, poetika galante, në interpretimin dantesk
është një hallkë e rëndësishme në historinë e poezisë evropiane, po aq sa edhe
konceptimi i dashurisë në kuptimin shpirtëror, spiritual në rrugëtimin e saj,
që nga trubadurët provansalë, poetët sicilianë e deri te petrarkistët.
Shënim: Petrarkizmi është drejtim
ose mënyrë këndimi, përkatësisht formë stili në poezinë dashurore, intime në
disa letërsi evropiane, i quajtur kështu sipas poetit të madh italian Françesko
Petrarkës (Francesco Petrarca, 1304-13740), i cili ishte përfaqësuesi më i
madh i humanizmit evropian, njëherazi edhe një ndër lirikët botërorë më
të rëndësishëm.
Me konceptin moral dhe filozofik si dhe me konstruksionin origjinal të saj,
“Jeta e re” është e pasur me alegori dhe me freski rinore,
gjë që paralajmëroi lindjen e “Komedisë hyjnore”.
Figurën e Beatriçes, Danteja do ta përjetësojë në kryeveprën e vet “Komedia
hyjnore”, duke e ngritur në lartësinë e një qenieje ideale dhe të përsosur
që rrezaton atë që është më e pastër në jetën njerëzore. Ajo është motiv
themelor i poemës. Beatriçja do ta udhëheqë poetin në rrugën e drejtë të
virtytit.
Pas veprës së sipërthënë, Danteja shkroi edhe vepra letrare të tjera, si “Rimat”,
“Eklogat” dhe “Epistolat”. Pasojnë traktatet me
përmbajtje shkencore, morale dhe filozofike, si “Mbi gjuhën popullore” (De
vulgari eloquentia, 1303-1305), të shkruar në latinisht, në të cilën
flet për vlerën e gjuhës popullore italiane. Poeti ishte për bashkimin e
14 dialekteve të italishtes. Angazhohej që italishtja të zëvendësonte
latinishten, duke shtuar se italishtja është gjuhë e mbarë popullit italian.
Veprën diturake dhe filozofike “Gostia” (Convivio, 1304-1307)
e shkroi në italisht, derisa ishte në mërgim. Pasojnë “Çështja e
ujit dhe e tokës” (Quaestio de aqua et terra, 1320), “Mbi
monarkinë” (De Monarchia, 1312-1313). Veprat e lartpërmendura
paralajmërojnë gjeninë poetike të Dantes. Lindi “Komedia hyjnore”
(La Divina Commedia, 1304-1321).
“KOMEDIA HYJNORE”
Kësaj kryevepre të qytetërimit dhe të kulturës perëndimore, atributi “hyjnore”
iu shtua në shekullin XVI, për dy arsye: e para, ngase këndon për temën e Zotit
dhe të hyjnisë; e dyta, ngase vepra u vlerësua e përkryer (në kuptim të
hyjnores). Me titullin “Komedia hyjnore” (La Divina Commedia) u botua në
vitin 1555. Ajo u bë bazë e gjuhës letrare italiane.
Kjo poemë fetare është ndërtuar me respektimin rigoroz të parimeve
të poetikës mesjetare: arkitekturë e jashtme e fortë, bërthama morale-krishtere
dhe shprehja simbolike. Por, Danteja njëkohësisht është edhe poet i madh
modern, për arsye se në kuadër të bindjes
religjioze dhe koncepteve të veta teologjike, në vlerësimin e njeriut
dhe të jetës shoqërore, zhvilloi parime etike dhe humaniste kryekëput moderne.
Epit të vet Danteja ia ka dhënë formën e një vizioni. Është
një sintezë madhështore filozofike dhe artistike e gjithë kulturës mesjetare,
duke qenë njëherazi edhe urë lidhëse me kulturën e Rilindjes. Vizionin e
marrë nga letërsia e mesjetës, poeti e plotëson me jetën e vërtetë dhe me
personazhe të gjalla, në pikëpamje psikologjike të paraqitura bukur. Poeti i
pasqyron problemet, shqetësimet, ndjenjat dhe pasionet njerëzore të kohës. Me
zemërim të madh, flet për veset e njerëzve dhe zvetënimin e tyre.
Në poemë poeti rrëfen për një udhëtim të imagjinuar që bën ai në botën
tjetër. Ideja e një udhëtimi të tillë fantastik nuk ishte e re. Edhe Homeri në
“Odisenë” dhe Virgjili në “Eneidën” na rrëfejnë për heronj që zbresin në
botën e përtejme për t’u takuar me njerëzit e tyre të dashur. Duke zbritur në tejbotë,
poeti u sugjeron njerëzve që të ecin në rrugën e ndershme të drejtësisë dhe
të virtytit. Për këtë arsye, poeti bën gjyq dhe i dënon mëkatet, veset,
krimet. Udhëtimi i tij fantastik në botën tej varrit, në realitet është një
udhëtim në historinë njerëzore, në mendjet dhe në zemrat e njerëzve.
Në formën alegorike të vizionit mesjetar të jetës mbi tokë
është dhënë pasqyra monumentale e një epoke, me të gjitha karakteristikat e
saj. Në poemë poeti zbulon pasionet njerëzore dhe dobësitë e kohës, pa e
kursyer as kishën as përfaqësuesit e saj. Poeti ka dhënë galerinë e
gjerë të figurave mitologjike dhe të personaliteteve historike, përfshi edhe
bashkëkohësit e vet. Danteja ishte njeri me bindje dogmatike. Megjithëkëtë,
kishte mirëkuptim të madh për dobësinë dhe madhështinë njerëzore.
Kryeveprën e Dantes, studiuesit e kanë cilësuar: “muzikë e përhershme”,
”lumë i gjerë në të cilin derdhen shumë përrenj”, “sistem i të
vërtetave morale”, “zë, pas dhjetë shekuj heshtjeje”. Disa thonë se poeti e
filloi veprën në vitin 1307. Të tjerë thonë se e nisi në vitin 1313, për ta
përfunduar më 1321, në vitin kur poeti vdiq.
Vepra përbëhet prej tri pjesëve: Ferri, Purgatori dhe
Parajsa (ital.: Inferno, Purgatorio, Paradiso). Secila prej pjesëve ka nga 33
këngë. I tërë epi, përfshi edhe këngën e hyrjes, ka
gjithsej 100 këngë. Strofa me të cilën është kënduar
vepra ka tre vargje dhe quhet tercinë. Vargu është 11-rrokësh.
Vargjet janë të rimuara. E tërë vepra shquhet për një simetri
të jashtëzakonshme.
PËRMBAJTJA E POEMËS - Në moshën
35-vjeçare, Danteja qëllon të jetë në një pyll të errët dhe të egër. Tërë natën
bredh. Me të gdhirë mbërrin në një kodër, të shndritur nga dielli pranveror. Me
të parë kodrën, nisi të ngjitet përpjetë. Në atë çast i dolën para tri bisha:
pantera, luani dhe ujkonja. Deshën që të kthehej nga kishte ardhur. Prej këtyre
bishave e nxjerr Virgjili, poeti i famshëm romak, autori i “Eneidës”.
Poeti romak e udhëzoi Danten që të nisej për rruge tjetër nëpër të cilën do t’i
printe ai. Që të dy do të shkojnë nëpër ferr dhe purgator. Për të
ardhur në parajsë, do t’i duhet përcjellja e Beatriçes, e asaj që
e kishte madhështuar në “Vita Nuova”. Kishte qenë ajo që e kishte
dërguar Virgjilin për ta shpëtuar poetin prej rreziqeve të mëdha në të cilat
kishte qëlluar.
FERRI nëpër të cilin do të kalojnë Danteja
me Virgjilin, ka nëntë rrathë. Sa më të rënda të kishin qenë
mëkatet, aq më i thellë dhe më i ngushtë është rrethi.
Në rrethin e parë ndodhet limba (lat.:
limbus). Aty ndodhen të papagëzuarit, që nga fëmijët deri te
të famshmit e epokës para krishterimit. Aty është vendosur edhe Virgjili.
Shpirtrat në limbë nuk i janë nënshtruar torturës. Ata vuajnë ngase i mundon
dëshira e zjarrtë, por pa shpresë.
Shënim: Limba është vend në purgator
ku pastrohen shpirtrat për të hyrë në parajsë. Ndryshe quhet paraferr.
Në purgator ndodhet edhe limbus infantum. Këtu ndodhen fëmijët
e papagëzuar. Aty ndodhet edhe imbus patrum. Këtu janë
vendosur shpirtrat e “stërgjyshërve”, e të pafajshmëve të
epokës para Krishtit. Si të papagëzuar, këta nuk mund të hyjnë në parajsë. Por,
duke qenë të ndershëm, s’e meritojnë ferrin.
Në rrethin e dytë një stuhi e tmerrshme vringëllon mbi
shpirtrat të cilat gjatë jetës, arsyen ua kishin nënshtruar pasioneve.
Në rrethin e tretë vuajnë shpirtrat e grykësve. Në rrethin
e katërt vuajnë shpirtrat e koprracëve dhe të shkapërdarëve.
Nëpër rrethin e pestë rrjedh këneta Stiks, e në të ndodhen mëkatarë
të ndryshëm. Në rrethin e gjashtë ndodhen varret e përvëluara
e në to, heretikët. Rrethi i shtatë ka tre breza
koncentrikë të vegjël. Në brezin e parë ndodhen vrasësit, rrëmbyesit dhe
tiranët, në të dytin ndërkaq, vetëvrasësit. Rrethi i tetë
ose Malebolge (humnerat e këqija) përbëhet prej dhjetë hendeqeve.
Në njërin prej tyre ndodhen këshilltarët e rrejshëm. Midis tyre, Danteja
takon edhe Uliksin (Odisenë). Me mirëkuptim e dëgjon Danteja rrëfimin e
këtij heroi të lashtë të luftës së Trojës, i cili nga dëshira e madhe për
dituri dhe zbulime, u nis me shokët e vet për në detet që ndodheshin pas
grykave të Herkulit (sot gryka e Gjibraltarit) për të
gjetur aty vdekjen. Rrethi i nëntë i fundit, është rreth i
tradhtarëve. Më i madhi midis tyre është Luciferi. Nga rënia
e tij prej qiejve, pas rebelimit të engjëjve të këqij kundër Zotit, u krijua
dhe ferri. Në këtë rreth, mbizotëron një dimër i përgjithmonshëm, mëkatarët
ndërkaq ndodhen në akull.
PURGATORI është një kodër në një ishull që
ndodhet në mes të oqeanit. Kodra e ka formën e një koni të cunguar. Në
sipërfaqen e këtij koni ngjiten drejt majës rrethe koncentrike, të cilët sa
vjen e ngushtohen. Në maje ndodhet një rrafsh në të cilin është vendosur
parajsa tokësore. Një prej skenave më të bukura të Purgatorit është takimi i Virgjilit
me poetin romak Publie Papinie Staci (Publius Papinius Statius,
45-96 para K.) (Kënga XXI).
PARAJASA – Danteja i ka vendosur në Parajsë
njerëzit e mirë dhe të drejtë. Këtu ka vetëm dritë, shkëlqim, paqe dhe harmoni.
Poeti e shihte Parajsën si nëntë qiej të cilët rrotullohen
rreth Tokës, qendrës së botës. Deri në të shtatin, secili prej qiejve e ka
emrin e vet: i pari quhet qielli i Hënës, i dyti, qielli i Merkurit,
i treti, qielli i Venerës, i katërti, qielli i Diellit, i pesti, qielli
i Marsit, i gjashti, qielli i Jupiterit, ndërsa i teti, qielli
i Saturnit. Qielli i tetë është qiell i yjeve të
palëvizshme, ndërsa qielli i nëntë është qiell i kristaltë ose qielli i
parë i lëvizshëm (Primum mobile), i cili i lëviz të gjithë qiejt e
tjerë. Përmbi të gjithë qiejt shtrihet Empirei i palëvizshëm që përfshin
krejt gjithësinë dhe në të cilën qëndron Zoti.
Sikurse ferri, edhe purgatori e parajsa janë të
populluar me shpirtra. Në purgator njerëzit pendohen për mëkatet bëra me
qëllim që ta meritojnë parajsën. Ata të parajsës janë të lumtur dhe të qetë.
* * *
E tërë poema është ngritur mbi bazën e alegorisë. Kjo i jep dorë
poetit për të krijuar mjedise fantastike të paqena, për të hyrë përmes
tyre, aty ku jeta është më e gjallë dhe problemet politike e shoqërore janë më
të mprehta. Alegorik është pylli i dendur në Ferr që simbolizon
jetën mëkatare të njerëzve në planin moral dhe anarkinë që sundonte në atë kohë
në Itali në planin politik.
Virgjili që e shoqëron poetin në Ferr
dhe në Purgator simbolizon shkencën, filozofinë dhe urtësinë tokësore. Beatriçja
e cila e udhëheq poetin në nëntë qiejt e Parajsës, simbolizon
urtësinë qiellore. Tiranët poeti i ka futur në gjak të përvëluar.
Fajdexhinjtë kanë të varura në zverk trasta të rënda. Hipokritët
janë të veshur me mantele teneqeje, të lyer përsipër me ar. Tradhtarët
i ka futur deri në grykë në lumin e ngrirë Koçito për të treguar zemrën e
ftohtë akull të tyre.
Poeti beson se njeriu, i udhëhequr nga drita e mirësisë dhe nga arsyeja, do
ta çrrënjosë të keqen dhe do të ndërtojë një të ardhme të lumtur në një shoqëri
të ndërtuar më mirë se ajo e kohës së tij.
“Komedia hyjnore” u shndërrua në një kritikë të fortë kundër sistemit
shoqëror feudo-borgjez i cili nga vetë karakteri i tij shfrytëzues, lind
shtypjen dhe padrejtësinë, dhunën dhe zvetënimin. Danteja e pa përmbysjen e
botës mesjetare dhe lindjen e një klase të re, borgjezisë, e cila
sillte me vete etjen e shfrenuar për pasuri dhe pushtet.
Mëkatari i penduar i ferrit dantesk i sugjeron gjinisë njerëzore që të
mos jepet pas pasurisë dhe interesit vetjak në dëm të të tjerëve.
Konceptet fetare nuk e penguan poetin të dënojë deri edhe kishën dhe
papët, të cilët i ka vendosur në ferr, i bindur se kështu
kryen një mision të lartë për t’i shërbyer pastërtisë së fesë dhe kishës
krishtere, e cila ishte komprometuar nga abuzimet dhe spekulimet e
shërbyesve të saj.
Poeti bie ndesh me moralin hipokrit të shoqërisë e cila
kërkon ta bëjë gruan skllave të zakoneve prapanike duke ia
mohuar të drejtën të ndjejë dhe të veprojë lirisht. Poeti ndjen dhimbje për Françeskën
dhe Paolon të cilët u lidhën në një dashuri të sinqertë, e që
botëkuptimi i reaksionar i epokës ua vuri njollën e mëkatit.
Poeti tronditet nga krimet dhe padrejtësitë e sundimtarëve që arrijnë sa të
lënë të vdesin urie fëmijë të pafajshëm, të mbyllur në qelitë e
errëta të kullave mesjetare, siç ndodh në këngën e kont Ugolinit.
Shënim: Ugolini i Gerardeskës ishte në krye
të Republikës së Pisës. Pushtetin e kishte ndarë me të nipin Nino Viskontin,
por midis tyre shpërtheu grindja. Këtë grindje e shfrytëzuan armiqtë e tij të
udhëhequr nga kryepeshkopi Ruxheri deli Ubaldini, i cili nën maskën e miqësisë
me Ugolinin dhe duke i premtuar se do ta ndihmonte në luftën kundër Ninos,
thurte fshehurazi intriga kundër të dyve. Më 1288, Ruxheri e detyroi Ninon të
largohet nga Pisa, kurse kundër Ugolinit organizoi kryengritje duke e akuzuar
si tradhtar të atdheut. Ugolinin, bashkë me dy bijtë dhe nipat e vegjël, e
burgosën në një kullë ku i lanë të vdisnin urie. Këtë dramë njerëzore të
dhimbshme poeti e vendosi në rrethin e nëntë të ferrit, ku
dënohej tradhtia. Njëri prej djemve të Ugolinit ishte Uguçioni, kurse
njëri prej nipave ishte Brigata.
Në ferr poeti i sheh heretikët dhe epikurianët.
Midis tyre, edhe kundërshtarin politik, Ferinatën e Umbertëve, i cili
edhe në zjarret e ferrit qëndronte i pamposhtur dhe heroik. Në ferr,
midis Dantes dhe Ferinatës zhvillohet një dialog i zjarrtë. Ndonëse e kishte
kundërshtar, poeti e nderon Ferinatën, i cili bindjet e veta politike nuk i
ndryshon as në ferr. Aty ndodhet edhe Kavalkant Kavalkanti, babai
i poetit Guido Kavalkanti, mikut të ngushtë të Dantes.
Shënim: Heretikë quheshin ata që
ishin kundër dogmave të fesë së krishterë, e që dënoheshin nga kisha si
ateistë. Epikurianë ishin ndjekës të filozofit materialist
grek Epikurit (342-270 para K.), i cili, në kundërshti me përfytyrimet
fetare mitologjike mohonte pavdekësinë e shpirtit. Në mesjetë, epikurianë
quheshin ateistët.
Nëpërmjet ferrit poeti hyn në thelbin e marrëdhënieve dhe të
dukurive shoqërore, zbulon kuptimin e veprimeve njerëzore në arenën e luftës pa
mbarim ndërmjet të mirës dhe të keqes, nxjerr përfundime dhe e tregon rrugën e
drejtë të së mirës. Në ferr, ashtu si në tokë, gumëzhijnë pasionet
politike. Mëkatarët bëjnë me Danten debate dhe biseda të
zjarrta.
Danteja është mjeshtër i skalitjes së karaktereve njerëzore dhe kjo vërehet
te Ferri ku gjejmë një galeri të pasur personazhesh me dramat e tyre të
vogla e të mëdha. Stili i poemës është i ngjeshur me mendime dhe ndjenja. Poeti
flet shkurt, por thotë shumë. Stili është i vrullshëm, i vrazhdët, ndërsa
shprehja realiste arrin në majë. Në Parajsë stili merr ngjyra të forta lirizmi,
bëhet i qetë dhe i harmonishëm, me xixëllima figurash poetike, që përcaktohen
nga shkëlqimi dhe drita që ka aty.
Me “Komedinë hyjnore” Danteja paralajmëroi epokën e
madhe të Rilindjes, që tanimë kishte nisur të trokiste në dyert e Kohës
së Mesme.