Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Politika Lindore
E merkure, 22.06.2022, 09:34 PM
POLITIKA LINDORE (OSTPOLITIK)
Testi i politikës është, si përfundon ajo dhe jo si fillon – Henry Kissinger
Nga Prof.
Xhelal Zejneli
Ostpoltik (gjerm. Ostpolitik – politika lindore) është shprehje për “ndryshim nëpërmjet qasjes
së përsëritshme” – siç i quajti diplomati gjerman Egon Bar – përpjekjet
e kancelarit të Gjermanisë Perëndimore, Vili Brantit* (Villy Brandt,
1913-1992) për t’i normalizuar marrëdhëniet e vendit të vet me vendet e Evropës
Lindore, duke përfshirë edhe Republikën Demokratike Gjermane, përkatësisht
Gjermaninë Lindore.
Shprehje e vërtetë
është në të vërtetë Politika lindore e re (gjerm. Neue
Ostpolitik), për t’u bërë dallimi nga politika ndaj Evropës Lindore që
e kanë ndjekur qeveritë e Unionit Demokratik të Krishterë (CDU) deri në vitin
1969. CDU-ja, me të parin kancelar të Gjermanisë Perëndimore në vitet
1949-1963, Konrad Adenauer (Konrad Hermann Joseph Adenauer, 1876-1967)
dhe me të tjerë, synonte ta injorojë dhe ta izolojë regjimin komunist
të Gjermanisë Lindore, me shkallë të caktuar të bashkëpunimit.
Pas Luftës së Dytë
Botërore, Gjermania u nda në dy pjesë: në Republikë Federale Gjermane
(perëndimore) dhe në republikë Demokratike Gjermane (lindore). Në fillim,
secila nga dy qeveritë thoshte se ajo e përfaqëson tërë popullin gjerman.
Mirëpo, Gjermania Perëndimore thoshte se ajo është e vetmja qeveri gjermane, me
legjitimitet demokratik. Më vonë, kah fundi i viteve ’60 të shekullit XX,
qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore përcaktoi kombin “socialist”.
Prej vitit 1949 deri
në vitin 1969, në qeverinë federale të Gjermanisë Perëndimore mbizotëroi Unioni
Demokratik i Krishterë. Gjatë atyre viteve, qeveritë e Gjermanisë Perëndimore
refuzonin çfarëdo kontakti me qeveritë e Gjermanisë Lindore, për shkak të
karakterit jodemokratik të tyre. Sipas Doktrinës së Halshtajnit (Hallstein
Doctrine)*, Gjermania Perëndimore do të ndërpriste marrëdhëniet
diplomatike me çdo shtet që do të vendoste marrëdhënie diplomatike me
Gjermaninë Lindore. Doktrina e Halshtajnit u zbatua për herë të parë në vitin
1957, kur Gjermania Perëndimore e tërhoq njohjen e Jugosllavisë, pasi
ajo e priti ambasadorin e Gjermanisë Lindore. Gjatë viteve ’60 të shekullit XX,
u duk sikur një politikë e tillë nuk do të mundë të zbatohej për afat të gjatë.
Kur Gjermania Perëndimore vendosi marrëdhënie diplomatike
me Izraelin në vitin 1965, shtetet arabe reaguan duke i
ndërprerë marrëdhëniet me Gjermaninë perëndimore dhe duke vendosur marrëdhënie
Gjermaninë Lindore.
*
* *
Shënim: Doktrina
e Halshtajnit (Hallstein Doctrine; gjerman: Hallstein-Doktin) – ka të bëjë
me njohjen juridike ndërkombëtare të qeverive. Emrin e mori sipas ministrit të
Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, i radhëve të CDU-së,
akademikut Valter Halshtajn (Walter Hallstein, 1901-1982) i cili
u angazhua për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me të gjitha shtetet që
do ta njohin qeverinë e Republikës Demokratike Gjermane (të Gjermanisë Lindore,
të zonës sovjetike). Ai konsideronte se vetëm Boni zyrtar është i autorizuar
t’i përfaqësojë interesat e 18 milionë gjermanëve që jetojnë në Republikën
Demokratike Gjermane. Kjo doktrinë u zbatua edhe në praktikë, si për shembull
ndaj Kubës dhe RPF të Jugosllavisë.
*
* *
Ende pa u bërë
kancelar, kryetari i bashkisë së Berlinit perëndimor, socialdemokrati Vili
Brant u angazhua dhe zbatoi një politikë që do t’i ulte tensionet
midis dy shteteve gjermane, sidomos në interes të tregtisë ndërkufitare.
Propozimin e vet për një politikë lindore të re e arsyetonte me faktin se Doktrina
e Halshtajnit nuk ia kishte dalë ta rrëmonte regjimin komunist, as e
kishte përmirësuar pozitën e gjermanëve në Gjermaninë Lindore. Vili Branti
besonte se bashkëpunimi me komunistët do t’i nxiste takimet gjermano-gjermane,
të cilat do ta rrëmonin pushtetin komunist brenda një afati më të gjatë.
Mirëpo, Vili Branti
theksonte se ostpolik e re e tij nuk i lente pas dore lidhjet e
afërta që i kishte Gjermani Perëndimore me vendet e Evropës Perëndimore dhe me
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo anëtarësinë e saj në NATO. Madje. deri në
fund të viteve ’60 (të shekullit XX), qëndrimi i palëkundur që kishte të bënte
me Doktrinën e Halshtajnit, konsiderohej i dëmshëm për interesat e ShBA-së.
Shumë këshilltarë dhe zyrtarë amerikanë, si për shembull politikani dhe
diplomati amerikan Henri Kisinxher (Henry Alfred Kissinger, i lindur si
Heinz Alfred Kissinger; Firt, Gjermani e Vajmarit*, 1923 - ) kërkonin nga Boni
zyrtar që të jetë më fleksibil d.m.th. më i lakueshëm. Në të njëjtën kohë,
shtetet e tjera të Evropës Perëndimore kishin hyrë në një periudhë të një
politike më të guximshme të orientuar kah lindja. Kur qeveria e Vili Brantit
erdhi në pushtet në vitin 1969, politikanët e njëjtë filluan të shprehin
rezerva për politikën gjermane të pavarur ndaj lindjes, duke pasur
frikë nga një “Rapal” i ri*.
Franca kishte frikë se
Gjermania Perëndimore, pas zbutjes së tensioneve me Lindjen, do të mund të bëhej
më e fortë. Në fund, Branti e shtyri Francën që ta pranojë politikën e tij,
duke i ruajtur kontributet financiare gjermane për Politikën e përbashkët
evropiane në bujqësi.
Kancelari i
Gjermanisë Perëndimore, socialdemokrati Vili Brant (emri i vërtetë Herbert
Ernst Karl Frahm, 1913-1992), më 7 dhjetor 1970 e trasoi rrugën e pajtimit
midis Polonisë dhe Gjermanisë. Ishte i pari kancelar gjerman që e vizitoi
Poloninë. Në paraditen e datës së sipërthënë, vuri kurorë në Përmendoren e
kryengritësve, në kujtim të hebrenjve të zënë rob dhe të vrarë aty si dhe të
polakëve të vrarë. Pasi vuri kurorën, u largua ca hapa dhe kokulur ra në gjunjë
në granitin e lagët. I gjunjëzuar para monumentit, qëndroi 30 sekonda.
Fotografët dhe kameramanët shtyheshin për ta përjetësuar skenën. Sakaq, ky akt
mori dheun. Më vonë, në kujtimet e veta, Vili Branti shkruan: “Në honin e
historisë gjermane dhe nën barrën e miliona të vrarëve, e bëra atë që e bëjnë
njerëzit, kur fjalët janë të tepërta”. Misioni paqësor i Vili Brantit, do
të mundë të ishte paradigmë për tejkalimin e konflikteve të
ndryshme në botë.
Në vitin 1970,
kancelari Vili Brant takohet në Erfurt me homologun e tij të Gjermanisë
Lindore, Vili Shtof (Villi Stoph, Berlin, 1914 – Berlin, 1999). Në vitet
1973-1976 Vili Shtof ishte kryetar i Gjermanisë Lindore, ndërsa në vitet
1964-1973 dhe 1976-1989 ishte kryeministër. Pasardhës politik i Vili Brantit
ishte kancelari Helmut Shmit (Helmut Schmidt, 1918-2015). Në vitin 1981,
kancelari Helmut Shmit u takua në Delnze me udhëheqësin komunist të Gjermanisë
Lindore Erih Honeker (Erich Honecker, 1912 – Santiago, Kili, 1994).
Në vitin 1971, Vili
Brantit iu dha çmimi “Nobel” për paqe. Më 6 maj 1974, Vili Branti dha dorëheqje
si kancelar, pasi që njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, Gynter
Gijom (Günter Guillaume, Berlin, 1927 – Petershagen-Eggersdorf, Gjermani,
1995), në vitin 1973 u zbulua se ishte agjent apo spiun i shërbimit sekret
kryesor “Shtazi” (Das
Ministerium für Staatssicherheit der DDR, Stasi) të Republikës
Demokratike Gjermane (Gjermanisë Lindore). Ky skandal njihet si “Afera
Gijom”. Branti dha dorëheqje 14 ditë pas skandalit. Më 15 dhjetor 1975,
në procesin gjyqësor kundër çiftit Gijom, që zgjati gjashtë muaj, Gynter Gijom
u dënua për tradhti me 13 vjet burg: Gruaja e tij Kristel Gijom (Christel
Boom, e lindur Meerrettig, mbiemri martesor Christel Guillaume, 06.10.1927 –
20.03.2004), edhe ajo spiune në dobi të Gjermanisë Lindore, u dënua me 8 vjet
burg. Ishin martuar në vitin 1951. Në vitin 1981, në saje të këmbimit me
spiunët perëndimorë që ishin zënë në Bllokun lindor, Gynter Gijom u lirua nga
burgu dhe u kthye në Gjermaninë Lindore, ku u prit si hero. Po atë vit, por
pesë muaj para burrit të saj, u lirua edhe Kristel, e cila po ashtu u kthye në
RDGJ. Pas kësaj, ata u ndanë, ndërsa në vitin 1990, Gynter Gijom u rimartua me
infermieren Elke Bröhl. Në vitin 1988, Gynter Gijom botoi autobiografinë
e vet “Deklarata” (Die Aussage).
* * *
Shënim:
1. Gjermani e Vajmarit (Weimarer Republik) ose zyrtarisht Rajhu Gjerman
(Deutsches Reich) quhet Gjermania e periudhës së viteve 1919-1933.
2. Marrëveshja e Rapalos (Treaty of Rapallo)
u nënshkrua në komunën Rapalo të Gjenovës (Itali), më 16 prill 1922
ndërmjet Gjermanisë së Vajmarit dhe
Rusisë Sovjetike. Sipas saj, të dyja palët hoqën dorë nga të gjitha kërkesat
territoriale dhe financiare ndaj njëra-tjetrës dhe realizuan marrëdhënie
diplomatike miqësore. Marrëveshjen e arritën ministri rus i Punëve të Jashtme Georgi
Çiçerin (Georgy Chicherin, 1872-1936) dhe ministri gjerman i Punëve
të Jashtme, politikan liberal, industrialist me prejardhje hebraike, Valter
Ratenau (Walther Rathenau, Berlin, 1867 – atentat, Berlin, 1922).
Marrëveshja u konsiderua fitore e madhe për Rusinë, por edhe për Gjermaninë dhe
një dëshpërim i madh për Francën dhe Britaninë e Madhe. Termi “frymë e
Rapalos” u përdor për ndërtimin e marrëdhënieve miqësore midis Gjermanisë
dhe Rusisë. Marrëveshja nuk përmbante kurrfarë dispozitash ushtarake, por midis
Gjermanisë dhe Rusisë ishte përcaktuar një bashkëpunim ushtarak sekret, gjë që
paraqiste shkelje të Marrëveshjes së Versajës. Marrëveshja
shtesë, e nënshkruar në Berlin më 5 nëntor 1923, e zgjeroi marrëveshjen edhe
për marrëdhëniet e Gjermanisë me republikat e tjera sovjetike: me Ukrainën,
Bjellorusinë, Armeninë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Republikën e Lindjes së
Largët. Marrëveshja përsëri u konfirmua me Marrëveshjen e Berlinit
të vitit 1926.
* * *
Zbutja e tensioneve
me Lindjen drejt së cilës synonte ostpolitik, medoemos të
fillonte me Bashkimin Sovjetik, të vetmin shtet të bllokut lindor me të
cilin Republika federale Gjermane kishte lidhje diplomatike zyrtare, përkundër
Doktinës së Halshtajnit.
Në vitin 1970, Vili
Branti e nënshkroi Marrëveshjen e Moskës* për shmangien e përdorimit të
forcës dhe njohjen e kufijve momentalë, d.m.th. ekzistues në Evropë. Po atë
vit, Vili Branti nënshkroi Marrëveshjen e Varshavës, në procesin e
njohjes formale të Republikës Popullore të Polonisë. Në të vërtetë, Marrëveshja
e Varshavës i përsëriti dispozitat e Marrëveshjes së Moskës dhe theksoi edhe
njëherë se Republika Federale e Gjermanisë e pranon Vijën Odër - Nisë (Oder-Neisse).
Pas kësaj, pasuan marrëveshjet edhe me shtetet e tjera të Evropës Lindore. Më
kontradiktor ka qenë Marrëveshja themelore (Basic Treaty; gjerm.
Grundlagenvertrag) e vitit 1972 me Gjermaninë Lindore, me të cilën për
herë të parë pas ndarjes, u vendosën marrëdhënie zyrtare ndërmjet dy shteteve
gjermane.
Situatën e
ndërlikonte pohimi shumëvjeçar i Gjermanisë Perëndimore se ajo e përfaqëson
tërë popullin gjerman. Kancelari Vili Brant përpiqej ta zbuste këtë duke e
përsëritur deklaratën e vet të vitit 1969 se, ndonëse në Gjermani ka dy shtete,
ato nuk mund ta shohin njëri-tjetrin si shtete të huaja.
Shënim: Marrëveshja e
Moskës e nënshkruar në vitin 1970 nga Vili Branti për njohjen e kufijve
ekzistues në Evropë ka hasur në kundërshtime në Gjermani dhe jashtë saj.
* * *
Unioni Demokratik i
Krishterë konservatore që ishte në opozitë, Marrëveshjen themelore
e hodhi poshtë në Bundestag ngase konsideronte se me këtë qeveria ka bërë
lëshime të mëdha. Po ashtu i kritikuan të metat e Dokumentit të Barit (Egon
Bahr), në të cilin ndihmësi i Vili Brantit, Egon Bar (Egon Bahr,
1922-2015), për çështjet thelbësore është pajtuar me diplomatin dhe politikanin
sovjetik Valentin Falin (1926-2018).
Qeveria e Vili
Brantit, koalicion i socialdemokratëve dhe demokratëve të lirë, humbi një numër
të caktuar deputetësh në parlament, të cilët kaluan në Unionin Demokratik të
Krishterë, në shenjë proteste ndaj Marrëveshjes themelore. Në prill të vitit
1972, dukej sikur udhëheqësi i opozitës, i radhëve të CDU-së, Rainer Barcel (Rainer
Candidus Barzel, 1924-2006) kishte mbështetje të mjaftueshme për t’u bërë
kancelar i ri, por me rastin e votimit në parlament, i munguan dy vota. Më vonë
u konstatua se Gjermania Lindore i kishte paguar dy deputetë që të votonin
kundër Rainer Barcelit.
Në zgjedhjet e viti
1972, Vili Branti fitoi dhe më 11 maj 1973, parlamenti federal e aprovoi Marrëveshjen
themelore. Sipas Marrëveshjes themelore, Gjermania
Perëndimore dhe Gjermania Lindore këmbyen ambasadorë, të cilët për shkaqe
politike u quajtën “përfaqësues të përhershëm”. Njohja e ndërsjellë, të
dy shteteve ua çeli dyert e hyrjes në Kombet e Bashkuara, për arsye se pohimi i
Gjermanisë Perëndimore se ajo e përfaqëson tërë popullin gjerman, me aktin e
njohjes së Gjermanisë Lindore, u hodh poshtë.
Në vitin 1982,
Unioni Demokratik i Krishterë (Christian Demokratic Union – CDU) dhe Unioni
Social i Krishterë i Bavarisë ia dolën ta bindin Partinë e Demokratëve të Lirë
që ta prishin koalicionin me Partinë Socialdemokrate të Gjermanisë, kështu që
udhëheqësi i Unionit Demokratik të Krishterë (CDU), Helmut Kol (Helmut
Kohl, 1930-2017) u bë kancelar i ri i Gjermanisë Perëndimore. Por, ky
nuk e ndryshoi politikën ndaj Gjermanisë Lindore. Ostpolitik apo politika
lindore u konsiderua e drejtë. Lidhur me këtë u krijua një konsensus i
fuqishëm, saqë politikani konservator gjerman, ministër dhe kryetar i Bavarisë,
Franc Jozef Shtraus (Franz Josef Strauss, 1915-1988), i cili me të madhe
kishte luftuar kundër Marrëveshjes themelore dhe ishte
kundërshtari kryesor i Helmut Kolit në bllokun e koalicionit, në vitin 1983
mundësoi të votohet dhe të aprovohet propozimi i Kolit që Gjermanisë Lindore
t’i huazohen tre miliardë marka.
* * *
Diplomacia e Vatikanit - Termi ostpolitik
(politika lindore) përdoret edhe për politikën e papës Pali
VI ndaj Bashkimit Sovjetik dhe pjesës tjetër të Bllokut lindor. Për ta
përmirësuar pozitën e katolikëve pas perdes së hekurt, ai hyri në dialog
me pushtetet komuniste në nivele të shumta. Në vitin 1966 dhe 1967, e priti në
Vatikan ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Andrej Gromiko (Starye
Gromyki, Bjellorusi, 1909 – Moskë, 1989) dhe kryesuesin e Kryesisë së
Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik, Nikolaj Podgorni (Kharlivka,
Ukrainë, 1903 – Moskë, 1983). Gjatë pontifikatit të tij, pozita e Kishës në
Poloni, në Hungari dhe në Rumani u përmirësua në masë të caktuar.
Shënim: Papa Pali VI (Pope
Paul VI, 1897-1978), i lindur si Giovanni Battista Enrico Antonio Maria
Montini, ishte kreu i Kishës Katolike dhe sovran i shtetit të Vatikanit.
Detyrën e papës e kreu në vitet 1963-1978.
* * *
Gjatë viteve '80 të
shekullit XX, Korea e Jugut zbatoi politikën nordpolitik (politika
veriore). Ky emërtim paraqet aludim për ostpolitik
(politika lindore). Koncept i ngjashëm është edhe “politika diellore”
që e ka trashëguar “nordpolitik”.
* * *
Marrëveshjet që i ka
lidhur Gjermania Perëndimore: Marrëveshja e Moskës, 12.08.1970; Marrëveshja e
Varshavës, 07.12.1970; Marrëveshja e katër fuqive, 03.09.1971; Marrëveshja e
transitit, 17.12.1971; Marrëveshja themelore, 21.12.1972; Marrëveshja e Pragës,
11 dhjetor 1973. Ato ndërlidhen me ostpolitik, qoftë si qëllim parësor,
qoftë si qëllim dytësor.
Marrëveshjet e
mëvonshme të periudhës së kancelarit Helmut Kol, që nga viti 1982 deri
në bashkimin e Gjermanisë në vitin 1990, edhe pse janë marrë me çështje të
ngjashme dhe kanë pasur qëllime të ngjashme, nuk konsiderohen pjesë e ostpolitik.
Emërtimi Gjermani
Perëndimore është në përdorim që nga shpallja e saj më 23 maj 1949 deri në
ribashkimin me Gjermaninë Lindore, më 3 tetor 1990. Prej viti 1990, Republika
Federale e Gjermanisë njohët vetëm si Gjermani.